Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha gjatë fjalës së tij në Kuvendin Zgjedhor të degës së PD në Roskovec foli për tentativat për shpërbërjen e kësaj partie.
Basha u shpreh se sulmet ndaj PD do të vazhdojnë, por sipas tij kjo tregon frikën dhe ankthin që i kanë kapur.
Ai tha se merita e qëndresës së PD i takon demokratëve dhe thekson se çdo ditë do ti tregojmë të gjithëve se “jemi e vetmja forca që do ta shndërrojmë dëshirën për ndryshim në një projekt politik”.
“Po ndahet një herë e mirë shapi nga sheqeri! PD përben një kërcënim të madh për këtë sistem. Ndaj furia e sulmeve që kemi përjetuar në dy vitet e fundit, që sinkronizon edhe në fjalorin që përdorin, aq sa po ti ndrysesh zërin e të mbyllësh sytë thua që janë i njëjti person, por janë të ndryshëm që përdorin të njëjtin fjalor, kjo furi vazhdon dhe do thellohet. Mos e merrni si diçka për tu ligështuar, por si fletë lavdërimi, si shenjë e panikut që i ka kapur.
Ky ankth dhe kjo frikë tregon se i vetmi faktor politik që i tremben është Partia Demokratike e Shqipërisë. Unë ju them sot, mos ti zhgënjejmë. Ti provojmë ditë për ditë derisa të vija ditë e përballjes, që po, ne jemi e vetmja forca që do ta shndërrojmë këtë dëshirë për ndryshim në një projekt politik. Fat që PD nuk u shpërbë, dhe merita iu takon demokratëve. Ju them faleminderit në emër të të gjithë demokratëve. Njerëz që nuk bëtë llogaritë tuaja të përditshme, por menduat për gjithçka përtej interesit, për 33 vitet e sakrificës. Atë që na pret në ditët dhe muajt në vijim dhe vitet. Ata që ju prisnit, dhe kishit investuar besimin tuaj, ulën kokën dhe u zhdukën, dhe ju lanë përballë kësaj furie”, tha Basha.