Kapja e Maduros dhe familjes së tij nga SHBA, reagojnë Rusia dhe Irani

0

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar për sulmet në Venezuelë duke thënë se janë kryer nga SHBA, ndërsa thekson se “është kapur Maduro dhe bashkëshortja e tij, dhe janë nxjerrë jashtë vendit”.

Ai konfirmoi pretendimet e mediave ndërkombëtare se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin përgjegjëse për sulmin dhe bëri me dije se presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortja e tij janë kapur nga forcat amerikane dhe janë nxjerrë jashtë vendit.

Ndërkohë Rusia dhe Irani dënojnë sulmet e së shtunës ndaj Venezuelës, pasi Karakasi akuzoi Shtetet e Bashkuara se qëndronin pas shpërthimeve që tronditën kryeqytetin.

Sipas Agjencisë Franceze të Shtypit (AFP), ministria e jashtme iraniane në një deklaratë tha se “dënon fuqimisht sulmin ushtarak amerikan ndaj Venezuelës dhe shkeljen flagrante të sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial të vendit”.

Deklarata e Iranit u publikua përpara postimit të Donald Trump në Truth Social, i cili konfirmonte se SHBA-të kishin kryer “një sulm në shkallë të gjerë” ndaj Venezuelës.

Në postimin e tij, Trump shkruan se aksioni ishte i suksesshëm.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, presidentit Nicolás Maduro, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, është kapur dhe është nxjerrë jashtë vendit. Ky operacion u krye në bashkëpunim me forcat e rendit të SHBA-së. Detaje të tjera do të pasojnë. Sot, në orën 11:00, do të mbahet një konferencë për shtyp në Mar-a-Lago. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!”, shkruan Trump.

Ky reagim i Trump, i parë si një konfirmim i drejtpërdrejtë i operacionit, vjen në një moment shumë të tensionuar në rajon, ndërsa kriza politike dhe tensionet ushtarake në Venezuelë janë shtuar ndjeshëm.

Postimi i presidentit amerikan thekson se operacioni u krye në bashkëpunim me forcat e rendit të SHBA-ve dhe sinjalizon se Shtetet e Bashkuara po marrin një rol aktiv në zhvillimet e fundit në vendin e Amerikës Latine.

Në pritje të konferencës së planifikuar për shtyp në Mar-a-Lago, komuniteti ndërkombëtar po monitoron me vëmendje situatën, ndërsa lajmet mbi kapjen dhe nxjerrjen e Maduro dhe bashkëshortes së tij jashtë Venezuelës ngrenë pyetje të mëdha për të ardhmen politike dhe stabilitetin në vend.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu