KONGRESI I DREJTSHKRIMIT TË GJUHËS SHQIPE

0
Kongresi i drejtshkrimit

50-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

Xhelal Zejneli Xhelal Zejneli

Themelet e njësimit të gjuhës letrare kombëtare shqipe janë hedhur që në kohën e Rilindjes

Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe u mbajt në Tiranë. Ai zgjati gjashtë ditë, përkatësisht nga 20 nëntor deri më 25 nëntor të vitit 1972. Ishte një tubim shkencor gjithëkombëtar. U thirr për të nxjerrë përfundimet e diskutimit të gjerë për drejtshkrimin e gjuhës shqipe, që kishte filluar në vitin 1967, pas botimit të “Rregullave të drejtshkrimit të shqipes” që ishte projekt. Në këtë tubim të dijetarëve të gjuhës shqipe duhej të përcaktoheshin parimet dhe vijat themelore të hartimit të drejtshkrimit në trajtë përfundimtare, si edhe për të vendosur për një varg çështjesh të tjera, të përgjithshme dhe të veçanta, të drejtshkrimit të gjuhës letrare kombëtare në tërësi.

Në Kongres morën pjesë 87 (tetëdhjetë e shtatë) delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, nga Kosova, nga shqiptarët që jetonin në trojet e tyre më Maqedoni dhe në Mal të Zi. Në Kongres morën pjesë edhe studiues të shqipes nga radhët e arbëreshëve të Italisë. Ndërmjet tyre kishte studiues dhe pedagogë, d.m.th. ligjërues universitarë të gjuhës shqipe, profesorë shkollash të mesme, përkatësisht mësues, shkrimtarë, publicistë, botues, veteranë të arsimit dhe të kulturës e të tjerë.

Referatin qendror të Kongresit, me temën “Gjuha letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj” e mbajti gjuhëtari, profesori, akademiku, Mësuesi i  Popullit Androkli Kostallari (1922-1992). Në Kongres u mbajtën edhe 150 kumtesa dhe referime shkencore. Të gjitha materialet e Kongresit janë botuar në dy vëllime: “Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe” I, II, Tiranë, 1973.

Kongresi bëri bilancin e gjithë punës së mëparshme për njësimin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Pas diskutimeve të gjera në seanca plenare dhe në dy seksione, ai miratoi njëzëri “Rezolutën”, që është një sintezë e mendimit dhe e vullnetit të përbashkët të njerëzve të shkencës, të shkollës dhe të kulturës shqiptare.

Duke bërë përgjithësimin shkencor të analizës së strukturës dhe të veçorive funksionale të gjuhës së sotme letrare shqipe, rezoluta pohoi për herë të parë se “populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar”.

Kongresi shënoi fillimin e periudhës së një gjuhe letrare të vetme të njësuar, e cila u mbështet edhe me vendimin e posaçëm të KM “Mbi masat për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar të gjuhës shqipe”, Nr. 50, datë 08.03.1974.

Ndërkaq, disa studiues dhe krijues në emigracion vijuan të shkruajnë gegërishten me variacione sipas krahinave të prejardhjes së tyre.

Pas vendosjes së sistemit pluralist, u shprehën kërkesa që të mos pengohet lëvrimi i gegërishtes letrare, sidomos në krijimtarinë letrare.

Kongresi i Drejtshkrimit pati një jehonë të gjerë në jetën shoqërore dhe kulturore të Shqipërisë, përkatësisht të trojeve shqiptare në Ballkan, si dhe ndër shqiptarët në diasporë. Kjo ndikoi në forcimin e njësisë shpirtërore kombëtare.

Kongresi ishte kurorëzim i përpjekjeve të vijueshme të gjuhëtarëve dhe të inteligjencies shqiptare për afrimin e shkallëshkallshëm të varianteve letrare të mëparshme dhe për formimin e një norme letrare kombëtare të njësuar.           

Shënim: Në vitin 1956, Kostallari mori pjesë në komisionin hartues të “Ortografisë së gjuhës shqipe”. Në vitin 1967, kryesoi komisionin hartues të “Rregullave të drejtshkrimit të shqipes” (Projekt). Në vitin 1972 ishte kryetar i komisionit organizues  të Kongresit të Drejtshkrimit. Në vitin 1973 kryesoi komisionin për hartimin e “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, ndërsa në vitin 1976 kryesoi komisionin për hartimin e “Fjalorit drejtshkrimor”. Mbante titullin “Doctor honoris causa” të Universitetit të Goteborgut (Suedi).

*   *   *

Delegatët që morën pjesë në Kongres: Eqrem Çabej, Idriz Ajeti (Kosovë), Shaban Demiraj, Mahir Domi, Josif Ferrari (studiues arbëresh, profesor i gjuhës shqipe në Universitetin e Barit, Itali), Aleks Buda, Androkli Kostallari, Dhimitër Shuteriqi, Bedri Dedja, Rexhep Qosja (Kosovë), Petro Janura (Maqedoni), Anastas Dodi, Dalan Shapllo, Jup Kastrati, Munir Reso, Stefan Prifti, Ahmet Kelmendi (Kosovë), Ahmet Limani, Ajet Bytyçi (Kosovë), Ali Abdihoxha, Ali Dhrimo, Bahri Beci, Bajram Hajrullai, Besim Bokshi (Kosovë), Dhimitër Samara, Dhori Qiriazi, Drita Garuci, Elsa Vakëflliu, Emil Lafe, Engjëll Angoni, Fadil Podgorica, Fatmir Agalliu, Ferdinand Leka, Gaqo Peci, Hasan Sazani, Henrik Lacaj, Hysen Qosja, Isa Bajçinca (Kosovë), Ismail Bajra (drejtor i NGBG “Rilindja”, Prishtinë, Kosovë), Ismail Doda (Ostros, Krajë, Mali i Zi), Jani Thomai, Jorgji Çerepi, Jorgji Gjinari, Jorgo Bulo, Koço Bihiku, Kolë Ashta, Kolë Koci, Kristaq Shtëmbari, Lirak Dodbiba, Llazar Siliqi, Luan Dino, Luigj Franja, Lumnie Shehetila, Mehmet Çeliku, Menella Totoni, Mërkur Alimerko, Mikel Zavallani, Mufit Trepça, Naim Bardhi, Nesti Bellovoda, Niko Tanini, Nikoleta Cikuli, Osman Myderrizi, Pashko Geci, Pjetër Fusha, Qemal Haxhihasani, Remzi Nesimi (Maqedoni), Remzi Përnaska, Sefedin Sulejmani (Maqedoni), Shahe Jegeni – Sulejmani (Manastir, Maqedoni), Shefqet Hoxha, Sofika Adhami, Sofika Morcka, Spiro Floqi, Tomor Osmani, Xhevat Lloshi, Ylli Ruli, Zana Daci, Zhaneta Nova.

*   *   *

Shqiptarët në Ballkan dhe ata në diasporë, kanë një gjuhë – shqipen e sotme letrare, parimet e së cilës janë përcaktuar dhe janë miratuar në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. S’ka dy gjuhë shqipe, ka vetëm një sosh. Pikëpamja se në Kosovë duhet të flitet, të shkruhet dhe të mësohet gegërishtja letrare, është thellësisht e gabuar, për të mos thënë edhe antikombëtare. Një ditë, këta do të thonë se ka gjuhë kosovare. Një pikëpamje të tillë e mbështesin fuqimisht akademikët serbomëdhenj.

Gjuha e sotme shqipe, d.m.th. gjuha shqipe e njësuar, tanimë është bërë gjuhë popullore. Në trojet shqiptare jashtë Shqipërisë, e përdorin apo përpiqen dhe tentojnë ta përdorin të gjitha shtresat dhe segmentet e shoqërisë. Pa shqipen s’ka identitet kombëtar shqiptar.

Shqiptarët, mësimit të gjuhës shqipe, duhet t’i kushtojnë rëndësi shumë më të madhe se kaq. Në të shkruarit e shqipes hasen gabime në të katër anët ku flitet ajo.

Në trojet shqiptare jashtë Shqipërisë, në arsimin fillor dhe në atë të mesëm, shqipja duhet të mësohet e ndarë në dy pjesë: për gramatikën e shqipes dhe për letërsinë duhet të ketë mësues apo profesorë të veçantë dhe fond të veçantë orësh. Nëpër universitete, çdo fakultet   shqipen duhet ta ketë lëndë të detyrueshme. Në të shkruar të shqipes hasen gabime nëpër studiot televizive, nëpër gazeta ditore, revista, mediume elektronike, mesazhe, nëpër tekstet shkollore apo universitare të të gjitha cikleve të arsimit.

Në të shkruar të shqipes bëjnë gabime edhe të ashtuquajturit intelektualë, domethënë pseudo-intelektualët, persona me tituj akademikë, magjistra dhe doktorë shkence, pseudo-poetë dhe pseudo-shkrimtarë. Këta farë intelektualësh, në pak rreshta bëjnë një mori gabimesh. Para se ta publikosh një tekst, paraprakisht dërgoje në lekturë. Por mos mendo se do të gjesh lektor. Ligjëruesit e shqipes të shkollave fillore dhe atyre të mesme, mësimit të kësaj gjuhe – bijë të ilirishtes – duhet t’i kushtojnë kujdes dhe vëmendje të veçantë. Për t’ua mësuar nxënësve të tyre, paraprakisht duhet ta mësojnë vetë.

Një popull e fiton lirinë atëherë kur ia del ta shkruajë drejtë gjuhën amtare.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu