Byroja Kombëtare e Hetimit dhe forcat RENEA kanë bastisur vilën e deputetit socialist Rrahman Rraja. Kontrolli i befasishëm është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Zezë të zonës së Niklës.
Sipas “Xhungël”, objektiv i këtij aksioni ka qenë gjetja dhe ndalimi i shtetasit Ramazan Rraja, 30 vjeç, banor i njësisë administrative Nikël në zonën e Fushë-Krujës. Po ashtu është ushtruar kontroll i banesës së tij në fshatin Zezë, së bashku me automjetin, të cilin ai ka në përdorim.
Hetuesit e BKH-së, të mbështetur nga grupet e depërtimit të repartit special RENEA, kanë mbyllur në rrethim në orët e para të së enjtes, vilën 3-katëshe në fshatin Nikël. Në zbatim të vendimit të Gjykatës Speciale, kanë hyrë në ambientet e brendshme duke ushtruar kontroll të hollësishëm ndaj çdo personi që gjendej aty.
Agjentët e BKH-së, kanë bastisur në mënyrë të imtësishme çdo ambient të vilës, për të gjetur materiale apo prova në lidhje me hetimin.
Në vendimin e gjykatës speciale, vila 3-katëshe së bashku me hapësirën përreth saj, e rrethuar nga një mur i lartë mbrojtës dhe e pajisur me sistem sigurie me kamera, është përcaktuar si objekt në pronësi dhe në përdorim të shtetasit Ramazan Rraja.
Hetuesit e BKH-së, kanë mbetur të befasuar, kur në banesë në vend të personit që kërkonin, kanë gjetur xhaxhain e tij, Rrahman Rraja, deputet i Partisë Socialiste dhe familjen e tij.
Deputeti i PS-së u ka komunikuar agjentëve të BKH-së se në banesë gjendet vetëm familja e tij. Ndërsa nipi i tij, Ramazan Rrahja, ka kohë që jeton në kryeqytet. Por ky fakt nuk i ka penguar agjentët e BKH-së të ushtrojnë kontroll në çdo cep të godinës pavarësisht faktit se aty gjendej vetëm deputeti i PS-së dhe familja e tij.
Pas më shumë se dy orësh, agjentët e BKH-së dhe trupat speciale RENEA, kanë përfunduar kontrollin duke u larguar pa gjetur as personin që kërkonin dhe as mjete të kundërligjshme.