Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Faza e dytë ka paraparë shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me targa të tilla.
Kërkesën për shtyrje 48-orëshe e kanë bërë Shtetet e Bashkuara.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës shtyrje 48-orëshe të vendimit për shqiptimin e gjobave, për t’i lejuar zyrtarët evropianë dhe ata amerikanë që të angazhohen me Kosovën dhe Serbinë për të gjetur zgjidhje për këtë çështje.
Si përgjigje ndaj kërkesës së ambasadorit amerikan, Kurti ka thënë se është i gatshëm të punojë me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur zgjidhje në dy ditët e ardhshme.
Departamenti amerikan i Shtetit është shprehur i zhgënjyer për mosarritjen e një marrëveshjeje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurt, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për këtë çështje, pas takimit disa orësh që kanë zhvilluar më 21 nëntor në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Kurti dhe Vuçiq “duhet të bëjnë koncesione për të siguruar që nuk rrezikojnë paqen e arritur me vështirësi në një rajon veçse të brishtë”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.
Zhgënjim për mosarritje të marrëveshjes kanë shprehur edhe Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe NATO-ja.
Para shtyrjes së vendimit, Policia e Kosovës pati planifikuar që vendimin për gjobat ta zbatonte nga mëngjesi i 22 nëntorit.
Kryeministri Kurti ka thënë se propozimi i Bashkimit Evropian për çështjen e targave ilegale serbe ka qenë i papranueshëm dhe se ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian “kanë hequr dorë” nga propozimi i tyre për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, propozimi i BE-së, që Kosova të mos fillojë me shqiptimin e gjobave, dhe që Serbia të mos lëshojë targa të reja për serbët e Kosovës, është i papranueshëm “nëse nuk shoqërohet me dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve”./REL