Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Arben Kraja ka deklaruar gjatë Konferencës për “Krimin e Organizuar ndërkombëtar” se grupet kriminale shqiptare janë bërë shumë më të rrezikshme dhe kanë ndryshuar aktivitet.
Sipas tij grupet kriminale shqiptare tashmë po operojnë edhe në vende të tjera ku prodhohet dhe tregohet droga, madje edhe në Dubai.
Ai theksoi gjithashtu se grupet kriminale janë bërë shumë të egra.
“Grupet kriminale kanë ndryshuar aktivitetin kohët e fundit. Kanë shtrirë aktivitetin në vendet ku prodhohet droga, ku tregtohet madje edhe në Dubai.
Gjithashtu grupet kriminale janë bërë shumë të egër. Flas për shkak të vrasjeve të ndodhura kohët e fundit
Teknologjia që ata përdorin, siç janë telefonat apo edhe paratë e pista.
Asnjë shtet i vetëm nuk e lufton dot këtë aktivitet të organizuar kriminal. SPAK për këtë është krijuar. Nga bashkëpunimi me SPAK skuadra e Barit ka arrestuar mbi 120 persona dhe ka sekuestruar rreth 7 ton droge.”, tha Kraja.
Kraja e përfundon mandatin e tij si kreu i SPAK në dhjetor, ndërsa në 2 nëntor 2022 përfundoi afati për dorëzimin e kandidaturave të tjera për këtë post.
Tre janë kandidaturat për kreun e ri të SPAK.
Pas Adnan Xholit, prokurorët Edvin Kondili dhe Altin Dumani kanë zyrtarizuar kandidimin për këtë post.