Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar sot se Kreu i SPAK, Altin Dumani ka marrë pesë milionë euro për të liruar nga burgu Kreshnik Farrukun. Gjatë një konference për mediat, Berisha u shpreh se ky informacion i kishte ardhur me mesazh nga një qytetar dixhital, i cili vinte nga prokuroria.
Në mesazhin e lexuar nga Berisha, në zyrën e selisë blu thuhet se Altin Dumani ka bërë një ujdi për 5 milionë euro në lidhje me dosjen e Kreshnik Farruku, i cili është mik e bashkëpunëtor me Artur Shehun. Berisha tha se ky person ka procedim në shtetin italian për tre episode. Këto sipas tij janë në Savona, në Gjenoa, në Ankona ku dhe janë kapur sasi të mëdha kokaine. Në fund, lideri i opozitës tha se për këtë rast, Altin Dumanin nuk e heton askush.
“Së fundmi, në parlament unë lexova mesazhin e një qytetari dixhital që vinte nga prokuroria. Do e lexoj edhe njëherë. “Doktor, mirëmbrëma. Një burim nga prokuroria më informon sonte në lidhje me një çështje në proces hetimi. Altin Dumani ka bërë një ujdi për 5 milionë euro në lidhje me dosjen e shtetasit Kreshnik Farruku nga Manza, Durrës, mik e bashkëpunëtor me Artur Shehun dhe tani me Xhevdet Troplinin (Pojën) dhe Elvis Doçin (Visin e Pojës), ky është dhëndri. Ky shtetas ka një procedim në shtetin italian për tre episode. Në Savona, në Gjenoa, në Ankona ku janë kapur sasi të mëdha kokaine. Për këtë fakt ka dhe procedim penal në shtetin italian dhe gjykata e Durrësit i ka vendosur masë sigurimi për ekstradim. Më pas, Spaku, këtu hyjnë milionat, ka filluar procedimin për të njëjtat fakte të ndodhura në shtetin italian dhe i vendos masë sigurimi. Çfarë do të thotë? Që nuk mund të ekstradohet.
Gjykata e Durrësit i vendosi masë sigurie që të ekstradohej. Tani Troplini i vendos masë sigurie që të mos ekstradohet. E kuptoni tani? Se po e heton ky, se dolën 5 milionë. Me datën 11.5.2025, Gjykata e Lartë, kundrejt një shume të lartë parash, ia heq masën e arrestit dhe e le me detyrim paraqitje. E kuptoni tani se ç’ndodh? Dumani i ka premtuar që t’i kalojë përgjegjësinë vëllait të tij, duke manipuluar telefonatat e kriptuara dhe duke ia atribuuar vëllait të tij. Shuma e ujdisë do konvertohet në gurë të çmuar, diamante. Imagjinoni! Personi ku investon të ardhurat Dumani është daja i bashkëshortes së tij, Anton Pango, person me precedent penal”. Tani, kam një pyetje për çdo shqiptar. Kush e heton Altin Dumanin? Ja urdhëro.
Dhe u ftoj ju si gazetarë, ftoj mediat të verifikojnë a ekziston shtetasi Kreshnik Farruku nga Manza. A ka qenë i arrestuar nga Gjykata e Durrësit ky shtetas? Mediat kanë një fushë të hapur investigimi. A e ka marrë Troplini në masë sigurie pas masës së sigurisë që ka vendosur gjykata? Këto janë gjëra konkrete. A ka qenë në Gjykatë të Lartë rasti dhe çfarë vendimi ka marrë Gjykata e Lartë? Pra, vërtet ky është një qytetar dixhital, por një qytetar dixhital që ka renditur këtu fakte të cilat kërkojnë hetim dhe verifikim. Po tani kush e heton Altin Troplinin, më thoni mua ju? Ja pra që nuk e heton asnjë njeri Altin Troplinin. Kur e kanë pyetur kohë më parë se kush u kontrollon ju, ka thënë se kemi kontroll shumë të fortë. Por ja urdhëro, kush e heton dot këtë? Shikoni. Po kjo është me shumë pasoja.Unë kam denoncuar, dhe nuk ka kundërshtuar dot kurrë, faktin se kur thirri prokurorin për ta bërë përgjegjës për një pazar që kishte bërë me bandën e Suel Çelës, ai i tha, po ti more 1 milion nga Ymer Lala, sepse ti nga 19 pyetje që i bëre Ymer Lalës, i denoncuar nga Luftar Reçi për vrasje, ti e pyete për çdo gjë, por për vrasje nuk e pyete atë dhe e lirove. Asnjë reagim ai për këto. Tani del çështja tjetër. Unë e shoh këtë një problem shumë serioz, shumë madhor. Kush e heton këtë? Prokurori i Përgjithshëm, asnjë tagër. Prokurorit të Përgjithshëm i kanë hequr çdo kompetencë kushtetuese. KLP-ja? Larg qoftë.
Ajo zonja e ka ndërmend si të organizojë 15 retreat-e. E lodhura shumë. 15 retreat-e në vit me paratë e taksapaguesve. Dhe pastaj thotë se atë kodin nuk kemi ekspert ta shqyrtojmë. E kuptoni ju. Prandaj dhe ky është recidivist. Unë shtroj pyetjen: kush e heton këtë çështje? Nuk është rasti i parë. Por ky është më flagranti dhe më konkreti. Ky vjen i referohet prokurorisë, sepse vetëm prokuroria mund t’i dijë të gjitha këto. Ja pra ku është njeriu afërmendsh, afërmendshi që do bëjë gjykatësi atë që them unë. Irena Gjoka bën atë që them unë, dhe gjykatësit e tjerë, sepse ai i vë nën kontroll mizor. Po atë kush e kontroll? Asnjë njeri.” tha Berisha.








