Ku është Ervis Martinaj, personazhi më i fortë nga bota e krimit që ende është i zhdukur? Sipas gazetarit të njohur investigativ, Artan Hoxha ai është rrëmbyer dhe pas këtij rrëmbimi qëndron një skuadër me uniformë.
Artan Hoxha tha në studion e lajmeve në ”ABC Albania”, se Martinaj në mbrëmjen e 9 gushtit, ka shkuar në një banesë të një personi shumë të fuqishëm, duke kërkuar të bënte aleancë me të. Por në këtë banesë papritur kanë shkuar një skuadër me uniforma si të skuadrës speciale të policisë. Në një moment ka shkuar edhe një mesazh në familjen e Ervis Martinaj, duke u kërkuar që të bëjnë kujdes se mund të ketë kontrolle në banesë.
”Skuadra në fjalë e kanë marrë Martinaj dhe e kanë transportuar në një vend të sigurt ku e kanë torturuar. Për këtë ngjarje thuhet se në botën e krimit ka qarkulluar edhe një video ku shihet një person, por nuk dallohet qartë nëse është në të vërtetë Ervis Martinaj. Në një fragment në këtë video personi që duket në të, thuhet se u ka ofruar 50 milionë euro personave që e kanë rrëmbyer vetëm që të lirohet”.