Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka prezantuar sot politikën e re të kufizimit të vizave, politikë kjo e njoftuar edhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Që do të thotë se do të prekë edhe vendin tonë.
Sipas njoftimit të Rubios, në SHBA ka një rritje masive të drogës dhe numri i vdekjeve nga mbidozat po rritet frikshëm. Prandaj, ai ka njoftuar një politikë të re vizash.
“Kriza e fentanilit në Shtetet e Bashkuara është e pashembullt, me mbidozat që mbeten shkaku kryesor i vdekjes për amerikanët e moshës 18 deri në 44 vjeç. Më shumë se 40 për qind e amerikanëve thuhet se njohin dikë që ka vdekur nga një mbidozë opioidesh, dhe në vitin 2024 Shtetet e Bashkuara mesatarisht patën mbi 220 vdekje nga mbidoza çdo ditë. Sot, po njoftoj një politikë të re të kufizimit të vizave sipas seksionit 212(a)(3)(C) të Aktit të Imigracionit dhe Kombësisë që do të zbatohet për anëtarët e familjes dhe bashkëpunëtorët e ngushtë personalë dhe të biznesit të individëve të sanksionuar sipas Urdhrit Ekzekutiv 14059 për Vendosjen e Sanksioneve ndaj Personave të Huaj të Përfshirë në Tregtinë Globale të Paligjshme të Drogës (EO 14059)”, tha Sekretari i Shtetit.
Sipas Rubios, do të ketë bllokime vizash për trafikantët, familjarët e tyre, si dhe sanksione ndaj bizneseve që ata zotërojnë.
“Veprimi i sotëm zgjeron mjetet ekzistuese, duke përfshirë sanksionet sipas EO 14059 dhe pamundësitë për viza sipas seksionit 212(a)(2)(C) të Aktit të Imigracionit dhe Kombësisë për trafikantët e substancave të kontrolluara. Vendosja e kufizimeve të vizave për trafikantët e drogës, anëtarët e familjes së tyre dhe bashkëpunëtorët e ngushtë personalë dhe të biznesit, jo vetëm që do t’i pengojë ata të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, por do të shërbejë si një pengesë për vazhdimin e aktiviteteve të paligjshme”, vijoi ai.