Shkruan Naim Flamuri
Kur krimi bëhet ordiner, qeveria bëhet mburojë. Emrat e përfshirë në vjedhje, abuzime dhe afera mbrohen, sepse mbrojtja e tyre është mbrojtje e vetvetes. Drejtorë institucionesh përfundojnë në burg, por nuk zëvendësohen. Vendet lihen pezull. Shteti mbahet në koma të qëllimshme, që askush të mos pyesë kush e fik aparaturën. Ndërkohë, dalin përgjime të reja, makabre e tronditëse.
Sipas hetimeve të SPAK-ut, ish-zyrtarë të lartë dyshohen se kanë ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në sistemet e drejtësisë. Dosja e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili, dhe dy ish-bashkëpunëtorëve të tij, Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj, ka shkuar në GJKKO. SPAK i akuzon për veprim si “grup i strukturuar kriminal”, me qëllim marrjen dhe shpërndarjen e të dhënave konfidenciale. Në të njëjtin moçal del edhe emri i Erion Veliajt.
Sipas materialeve që qarkullojnë në publik dhe referimeve hetimore, flitet për pagesa lobimi qindra mijëra euro kundër prokurorëve të SPAK-ut. Një “reformator” që, kur i afrohet drejtësia, nuk kërkon të vërtetën, por avokatë, ndërmjetës dhe errësirë. Një kukull që lëviz shumë, por vetëm brenda fijes që i lejohet. Sipas materialeve hetimore, ka komunikime që sugjerojnë ndërhyrje të paautorizuar në sistemet e Prokurorisë së Posaçme dhe tentativa presioni politik. Në një shtet normal, kjo do të ishte alarm kombëtar. Këtu, relativizohet, heshtet, mbulohet. Dhe mbi të gjitha, rri një MAZOMË! Edi Rama: kryeministër me pushtet faraonik dhe përgjegjësi zero. Flet për art, për pikturë, për botë, por bëhet shurdh-memec kur drejtësia prek oborrin e tij. Nuk mbron njerëz, mbron skemën. Nuk reagon, sepse çdo reagim do ta nxirrte në pasqyrë. Kur drejtësia goditet nga brenda dhe pushteti hesht, problemi nuk është më individi, por regjimi. Dhe kur heshtja bëhet politikë shtetërore, përgjegjësia ka emër e mbiemër.








