Komisioni i Mbrojtjes pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka miratuar kërkesën e kreut të SPAK, Klodian Braho, për shtimin e masave të sigurisë ndaj ish-drejtuesit të institucionit, Altin Dumani, si dhe ndaj disa prokurorëve të tjerë të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Vendimi vjen në një moment tensioni të lartë, teksa hetimet e SPAK kanë përfshirë emra të rëndësishëm të politikës dhe biznesit.
Sipas burimeve, rritja e masave të mbrojtjes lidhet me presionin dhe kërcënimet e shtuara ndaj prokurorëve që kanë në dorë dosje sensitive, të cilat përfshijnë figura si Edi Rama, Belinda Balluku, Sali Berisha, Ilir Meta, bashkëpunëtorë të tyre dhe biznesmenë të fuqishëm.
Altin Dumani ka qenë nën masa të rrepta sigurie gjatë gjithë mandatit të tij si drejtues i SPAK. Megjithatë, pas dorëzimit të detyrës, presioni ndaj tij nuk ka rënë, përkundrazi, sipas vlerësimeve institucionale, është shtuar për shkak të dosjeve që ai ka firmosur gjatë drejtimit të SPAK.
Mes prokurorëve që kanë përfituar masa shtesë sigurie është edhe Dritan Prençi, i cili po heton zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Prençi ka kërkuar ndaj saj masa sigurie si “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë territorit”. Burime pranë mazhorancës flasin për kërcënime të drejtpërdrejta ndaj prokurorit nga grupe kriminale që operojnë në zonën e Tiranës.
Sipas të njëjtave burime, brenda qeverisë ka shqetësim për reagimet agresive të Ballukut, ndërsa flitet për presion të ushtruar ndaj Kryeministrit Rama për të ndërhyrë në proceset hetimore. Situata shihet si një përshkallëzim i rrezikshëm i përplasjes mes drejtësisë dhe pushtetit politik, në një kohë kur në lojë janë interesa financiare të mëdha dhe hetime që prekin struktura të fuqishme.
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër duke e cilësuar situatën si një kalim nga presioni politik në metoda mafioze. Sipas tij, shtimi i masave të sigurisë për prokurorët tregon se drejtësia është vënë nën kërcënim të drejtpërdrejtë për shkak të hetimeve që kanë prekur korrupsionin qeveritar dhe lidhjet e pushtetit me krimin.
Këlliçi thekson se kërcënimet ndaj prokurorëve nisën sapo SPAK filloi të hetojë aferat e qeverisë dhe jo më vetëm figurat e opozitës, duke e cilësuar situatën si një moment vendimtar për demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.
Vendimi për rritjen e masave të sigurisë konsiderohet një kambanë alarmi për gjendjen e rëndë të sigurisë së institucioneve të drejtësisë, ndërsa mbetet e paqartë se kush qëndron konkretisht pas kërcënimeve, në një klimë ku përplasja mes drejtësisë dhe pushtetit po arrin nivele kritike.








