Drejtuesi amerikan i fushatës së Partisë Demokratike, Chris LaCivita, ka shpërndarë mëngjesin e kësaj të premteje një video në platformën X, ku shfaqet një buf që ha një mi. “Kush është bufi dhe kush është miu”, shkruan LaCivita me ironi.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama prej kohësh e quan kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, buf kënete.
Ai madje edhe në zyrën e tij, ka vendosur një dekor bufi i cili duket në çdo video të kryeministrit në rubrikën “Sy m’sy”.
Vetë Sali Berisha është shprehur më herët se bufi në fakt është simbol i mençurisë, ndaj nuk ndihet i ofenduar nga krahasimi që kryeministri i bën atij me këtë shpend.
Partia Demokratike nis sot në orën 19:00 në sheshin ‘Nënë Tereza’ fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit.
Kryetari i opozitës, Sali Berisha, do të jetë një nga folësit politikë, ndërsa tjetri që pritet të ketë një komunikim do të jetë edhe strategu i fushatës së Donald Trump, Chris LaCivita.