Shkruan Sokol Pepushaj
Kafshët e korrupsionit janë tërbuar dy muajt e fundit. Revolucioni i faunës në pyllin orbital me 1 milion pemë e shkurre të një Sheiku, e ka lënë pas ndërhyrjen konstante që nisi dikur ambasadori Donald Lu me “studimin” se do të vijë dita që “Peshku i vogël do të hajë të madhin”.
Peshqve të vegjël po u ka humbë fara për fare, e këta të mëdhenjtë janë tërbuar.
Kemi arritur standarde të reja me fenomene të lashta.
Sot që nuk ka ndërhyrje as në sistem, as në ekosistem, pasi Ambasada Amerikane nuk ka as ambasador as zëvendës në Tiranë, tiranët tanë, me rregullat që kanë vendosur vetë, po sakatojnë njëri-tjetrin për kufijtë e kullotave.
Një shirit i kuq i vënë nga Altin Dumani në inceneratorin e Sharrës, ka sharruar dërrasat e “arkivoleve” për qindra pushtetarë që kishin pushtuar territore për të cilat tre ambasadorët e fundit lëshonin kushtrimin për përdorim të paarsyeshëm e kafshëror të resurseve, në këtë cep të Ballkanit.
Komplikacionet dhe sfidat për mbijetesë, absurditeti paradoksal në sjellje dhe konfrontimi i pasojave me nevojat, po çojnë drejt burgut elitat e po lirojnë nga litarët pritshmëritë.
Reflekset po ndryshojnë drejtim.
Në ilustrim të kësaj vere, retë që kalonin mbi ujërat me peshq si tullumbace e fluturonin deri përtej Pacifikut, sot janë të rënduara, kanë nxirë Qiellin tonë e kanë filluar të shpohen.
Edhe shekullin e shkuar, në trazirat e vitit 1997, kur për shkak të falimentit të firmave piramidale në Shqipëri u fut në historinë e marinës amerikane operacioni jo luftarak “Silver Wake” për shpërnguljen e ambasadores Marisa Lino dhe stafit të ambasadës, ju hap gropa Sali Berishës.
Stafi shqiptar nuk kishte probleme, pasi duket se mafia nuk ka të keq me ta.
E keqja që i ka zënë, sipas burimeve nga brenda, ka ardhur disa herë pas shkrimeve tona, duke i larguar disa, e duke rritur edhe dozën e reagimit idiot ndaj shtypit që nuk është bërë pjesë e bandave.
Edhe sot e gjithë ditën, stafi shqiptar, i pa regjistruar si të punësuar, si janë si nuk janë, nuk e çojnë mizën nga plehu, thjeshtë mund të plehërojnë oazet e hajdutëve dhe të “thajnë” ca degë të demokracisë, medias së lirë, që as ja shohin fare dokumentet në sportele, por nuk e kualifikojnë
Aso kohe, kufomës Sali Berisha, ja vendosën portretin nëpër gryka tankesh e tyta kallashnikovësh për të vrarë njerëz të pafajshëm, kurse sot, Bablokut i kanë vizatuar imazhin në të gjallë, nëpër dosje kriminale, deri tek ajo McGonigal, si Peshk i rrezikshëm që po shfaros më të vegjlit, më pak të fajshmit.
Kualifikimi dhe kualiteti, krihen si ministresha Frida Krifca, që as i skuqet as i zverdhet fytyra, as pasi kapet duke vjedhur fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë.
Fuqia e fjalës nuk e tund fare Qeverisjen Mafioze.
Lidhjet mjedisore të qeverisjes me natyrën orbitale të krimit, po zbehen më keq këto kohë që nuk dëgjohet asnjë deklaratë, asnjë zë nga diplomacia. Kanë filluar t’ia nxjerrin sytë njëri-tjetrit, sa edhe më budallai e kupton, se një qeveritar, zë për dore qindra të tjerë drejt burgut.
Këta bëjnë lojë më të fortë pa arbitrim, sa mund edhe të besosh, madje edhe të betohesh në nur të Allahut, se kështu si ja kanë nisur, do sakatohen mes vedi.
Sa kohë janë me diarre e nuk mund të mos vetë shkarkohen, le ti hanë kokat e veta, le t’i lëmë në madhështinë e dobësisë së tyre, pra le të mos vijë edhe për ca kohë Ambasadori i ri Amerikan./Pamfleti