Lufta e Blendi Fevziut me Edi Ramën: mbrëmë fitoi Edi

0

Shkruan Berat Buzhala

Intervistat e kryeministrit Edi Rama dhe gazetarit Blendi Fevziu janë njëfarë “El Classico”-je. A ekziston mundësia që segmente të caktuara të intervistës të jenë të dakorduara? Po, ekziston. A ekziston mundësia që Rama dhe Fevziu të jenë dakorduar që tema të caktuara të mos sillen në debat? Po, edhe kjo ekziston. Sido që të jetë, as këto dyshime nuk e zbehin spektaklin që këta dy na e dhurojnë. Janë dy orë polemika dhe mospajtime për çdo gjë.

Blendi Fevziu është gazetari më punëtor në të gjitha televizionet shqiptare. Ai e do, e mbron dhe e respekton emisionin e tij, që tashmë është institucioni më i rëndësishëm publik pas zyrës së kryeministrit, po aq sa Rama pozitën e tij. Prandaj ka tension gjatë bisedës, sepse të dytë luftojnë për reputacionin e emrit të tyre dhe institucioneve që i përfaqësojnë.

Shqipëria ka kohë që nuk ka opozitë. Ose, fatkeqësisht, ka, por që shërben sa për ta penguar lindjen e një opozite të shëndoshë. Prandaj, në këto rrethana, emisioni “Opinion” dhe Fevziu janë vendi i vetëm ku kryeministri Rama mbahet përgjegjës tash e 10 vjet. Klani ka bërë kompromis me lajmet, ka bërë kompromis me shumë hapësira të tjera informative, mirëpo jo edhe me “Opinionin”. Për televizionet e tjera të mëdha dhe emisionet e tyre qendrore politike, më mirë të mos flasim. Atyre mund t’u ndryshojë politika editoriale mu në mes të bllokut të marketingut. Fevziu nuk ka toleruar një gjë të tillë.

E bukura e gjithë kësaj është që edhe kryeministri Rama e ka respektuar integritetin e emisionit “Opinion”. Në momentet më të rëndësishme politike të Shqipërisë, ai e ka zgjedhur pikërisht këtë studio të fortë për t’u intervistuar. Ai ka pasur mundësi të pafundme që të shkonte në studio të tjera, ku loja ishte e shitur në favorin e tij, ku referi ishte i blerë, por, duke qenë inteligjent, siç edhe është, e ka ditur që publiku më shumë do të çmonte një humbje të tij te Fevziu sesa një fitore të tij diku tjetër.

Kështu ishte edhe mbrëmë. Nuk po them që Rama humbi. Në fakt, u argëtova pa masë me çdo sekondë të intervistës. Kryeministri Rama, duke i pas pritur në Tiranë figurat më të rëndësishme politike të kontinentit tonë, ishte mbushur plot vetëbesim – si kurrë më parë në këto vitet e fundit. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur kurrë në Shqipëri. Në fakt, nuk kishte ndodhur askund në këtë pjesë të Ballkanit. Ne mund të provojmë që ta relativizojmë këtë sukses të tij të jashtëzakonshëm, por rrezikojmë që të dalim qesharakë.

Kjo ishte edhe qasja e Ramës në intervistë. Shqipëria kishte dalë në një ligë tjetër, kurse Rama ishte menaxheri i ekipit. Nuk është më në një ligë me Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjën dhe Serbinë (kjo e fundit po luan në dy liga). Fevziu gjatë gjithë kohës e sfidonte Ramën, duke i thënë se suksesi i Shqipërisë i atribuohet 30 viteve të fundit, por realisht e kishte shumë të vështirë ta mbronte këtë pozicion.

Sigurisht që edhe unë bëj pjesë në kampin e atyre që Berishës i japin merita të mëdha për shumë projekte dhe shumë të arritura të Shqipërisë, mirëpo avancimi i fundit i shtetit shqiptar është i shkëputur prej antarësimit në NATO ose heqjes së vizave. Tash, Shqipëria po duket tjetër kafshë. Unë nuk pajtohem me rastin “Beleri”, mirëpo deri diku po më pëlqen mosnënshtrimi i Shqipërisë ndaj kërkesave greke. Shteti helen nuk duket më aq i fortë dhe aq superior, kur sheh se si Scholz-i dhe Macron-i defilojnë rrugëve të Tiranës. Mitsotakisi e di që nuk do ta këtë aq të lehtë me Shqipërinë, nëse kryeministrja e Italisë pushimet verore kishte vendosur që t’i kalonte si mysafire e Ramës. Pastaj, raporti me Turqinë. Fare në fund, sigurisht jo për nga rëndësia, raporti me Shtetet e Bashkuara te Amerikës. Në këto kushte, duket sikur Greqia nuk e ka inatin me Ramën lidhur me Belerin, sa e ka me faktin që tash në Ballkan, Greqia nuk e ka ekskluzivitetin e Perëndimit.

Gjatë gjithë viteve të 80’a dhe 90’a, Greqia ka përfituar tej mase prej pozitës së favorshme gjeostrategjike. Luftërat në Jugosllavi, në njërën anë, dhe një Shqipëri e egër, në anën tjetër, u kishin mundësuar grekëve privilegje të pafundme, si nga ShBA-ja, ashtu edhe nga BE-ja. Ishte vendi i vetëm i sigurt në Ballkan. Tash duket që ka lindur një vend edhe më i sigurt dhe që i kushton më lirë Perëndimit. Këtë Rama e di, por kjo nuk thuhet. Kjo duhet vetëm të kuptohet. Kjo u kuptua edhe mbrëmë në intervistë. Rama aty nuk foli më vetëm si kryeministër i 2,5 milionë shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë.

Që të mos keqkuptohem, Shqipëria nuk është shteti ideal, kurse Edi Rama ka shumë mëkate, mirëpo, nëse e fajësojmë Edi Ramën për gabimet dhe mëkatet, është mirë t’ia njohim edhe të arriturat. Shqipëria e vitit 2023 është larg më e fuqishme sesa Shqipëria e vitit 2013. Ndoshta jo aq si demokraci, sa si një shtet më i fuqishëm.

Shqipëria tash ka një ekonomi më të fortë, për të cilën sigurisht se ka shumë pikëpyetje. Përfundimisht, tash në Shqipëri ekziston edhe një drejtësi më e fortë. Me arrestimet e dy-tre ministrave të tij, Rama më shumë do të duhej të mburrej sesa të skuqej. Fakti që qeverive të kaluara nuk u janë arrestuar ministrat, nuk do të thotë që nuk ka pasur korrupsion, por do të thotë që nuk ka pasur drejtësi. Krijimi i SPAK’ut dhe frika e njerëzve të korruptuar ndaj këtij institucioni enigmatik i nevojitej Shqipërisë po aq sa bregdeti.

Në përgjithësi, e gjithë biseda e mbrëmshme Rama – Fevziu ishte e bukur për t’u parë, siç ishte mbresëlënëse edhe pamja e Piramidës se renovuar. Fevziu po e bënte punën e gazetarit në mënyrën e duhur, por Rama kishte shumë gjëra për t’i treguar.

Shteti shqiptar dhe kombëtarja shqiptare në futboll duket që po lëvizin në të njëjtën trajektore. Të dyjat po shkojnë drejt Evropës. Të dyjat janë të vetmet nga Ballkani që janë në vendin e parë në grup.

Kosova, në anën tjetër, po prosperon prej Grupit C në grupin D. Mjaft ironike: edhe Kosova, si shtet, po i përngjan shumë ekipit të vet të futbollit.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu