Gazetari Aleksandër Çipa, teksa ka komentuar protestën e zhvilluar ditën e djeshme, pranë landfillit të Sharrës, është shprehur se mes kreut të PD-së Sali Berisha dhe kreut të PL-së, Ilir Meta, ka luftë për protagonizëm.
Në një intervistë për Euronews Albania, ai tha se pas protestës së djeshme do të ketë dhe protesta të tjera në vijim.
“Mes PL dhe PD , dukshëm ekziston leximi për një protagonizëm parësor. Në pikëpamjen numerike këtë atribut e ka PD, por kriza e brendshme e PD, kriza për lidershipin përcaktues në pikëpamjen juridike është një arsye penguese, dhe këtë arsye kërkon ta shfrytëzojë dhe ta politizojë PL. Kjo është e vështirë. Mendoj se cikli i protestave, nga spektri opozitar sapo është paralajmëruar dhe nuk mendoj se është një çështje që e trishtoi mbështetjen e fansave dhe të anëtarësisë opozitare për shkak të pjesëmarrjes së pamjaftueshme, apo aq sa mund të pritej nga PL.”- shprehet Çipa.
Çipa theksoi se në ditët e ardhshme do të kemi një kalendar protestash të paralajmëruar nga vetë përfaqësuesit e opozitës.