Mafia dhunon gazetarin investigativ Adriatik Doçi

0

Gazetari i investigativ i Report Tv dhe Shqiptarja.com, Adriatik Doçi, është dhunuar për shkak të detyrës ditën e sotme nga persona ende të paidentifikuar. Gazetari është ndjekur nga disa persona dhe është goditur nga pas me sende të forta, shumë pranë banesës së tij, në rrugën Pashko Vasa në Tiranë. Gjendja shëndetësore e Adriatik Doçit fatmirësisht është e mirë, ndërkohë që gazetari u paraqit në polici ku dhe ka denoncuar me detaje aktin e dhunës ndaj tij.

‘Nuk kam asnjë konflikt me asnjë person! Ka të bëjë vetëm me faktet e raportuara dhe një sulm i paguar nga segmente të caktuara!’- tha Doçi.

Gazetari Doçi tha për Report Tv se u sulmua në mënyrë të befasishme nga pas dhe se nuk arriti që të identifikojë se kush ishin autorët e sulmit. Doçi është nga gazetarët kurajozë, i cili ka denoncuar me dhjetëra herë afera korruptive të ish-qeverisë Berisha. Një ndër to, investigimi mbi korrupsionin me ish Kompleksin Partizani.

‘Personi që më ka sulmuar, unë mendoj se është i paguar nga segmente të korrupsionit dhe krimit të organizuar, një mercenar i paguar. Ishte rreth moshës 25 vjeç. Ishin të maskuar me kapuç. E kisha të vështirë që të shquaja fytyrën. Ishte sulm nga pas i befasishëm.’- tha Doçi.

Doçi së fundi ka publikuar edhe të dhëna e fakte për lobime të dyshimta të Ilir Metës e Monika Kryemadhi, por edhe aferat korruptive në radhët e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Shpesh herë i kërcënuar, por asnjëherë e vënë në praktikë, Doçi u shpreh se ky akt, nuk është gjë tjetër veçse tregues i faktit se rrugëtimin e tij të së vërtetës, do e vazhdojë deri në frymën e fundit.

‘Doja të jepja dhe një mesazh ky sulm më shton kurajon për të raportuar dhe nuk më ndal asgjë. Nuk do largohem nga Shqipëria dhe do raportoj deri në frymën e fund. Akt burracak që nuk më ndalin, do bëj detyrën deri në fund! Nuk largohem nga Shqipëria’- tha Doçi.

Në një reagim zyrtar policia thotë se po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu