Marrëdhëniet Shqipëri–Itali duhet të jenë të forta

0

Shkruan Zef Bushati

Shqipëria dhe Italia kanë ndërtuar ndër shekuj një marrëdhënie të ngushtë miqësie dhe bashkëjetese. Këto dy vende, të ndara vetëm nga një det, kanë bashkëpunuar në fusha të ndryshme, dhe kurrë nuk kanë qenë në konflikt territorial. Ndryshe nga fqinjët tanë lindorë si Greqia, Serbia apo Maqedonia e Veriut të cilët historikisht kanë pasur pretendime ndaj tokave shqiptare, Italia ka respektuar gjithmonë integritetin territorial të Shqipërisë. Marrëveshja mes Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministres italiane Giorgia Meloni për ndërtimin e një kampi pritës për refugjatët në territorin shqiptar është një shenjë konkrete e këtij bashkëpunimi të ngushtë.

Nëse Gjykata Europiane nuk eshte dakort qe kampi te sherbeje per emigrante atehere Meloni e Rama mund te mendojne ndryshim destinacioni. Në një kontekst global të trazuar, me luftëra, kërcënime, armatime dhe lëvizje të mëdha popullsish, kjo marrëveshje mund te përfaqësojë një formë të re të partneritetit strategjik mes dy vendeve. Prezenca e Italisë në Shqipëri përmes kësaj marrëveshjeje mund të shihet edhe si një garanci për sigurinë kombëtare shqiptare dhe për forcimin e lidhjeve euro-atlantike. Në Itali jetojnë e punojnë rreth 700–800 mijë shqiptarë, të cilët nuk janë parë thjesht si emigrantë apo refugjatë, por si pjesë integrale e shoqërisë italiane, si miq, bashkëpunëtorë, dhe kontribues në jetën ekonomike e kulturore të vendit.

E njëjta qasje mikpritëse është aplikuar edhe ndaj mijëra italianëve që jetojnë në Shqipëri. Në rast se Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendos që ky kamp të mos përdoret për emigrantët nga Afrika, atëherë nuk duhet parë si një dështim politik, por si një mundësi për të riformatuar projektin.

Një strukturë e tillë mund të marrë edhe funksione të tjera që i shërbejnë qytetarëve shqiptarë dhe italianë në fusha si arsimi, trajnimi profesional, ndihma civile apo bashkëpunimi në menaxhimin e emergjencave. Është e rëndësishme që vendimet e tilla të mos keqpërdoren për përfitime politike afatshkurtra nga partitë opozitare, qoftë në Itali apo në Shqipëri. Bashkëpunimi mes qeverive për projekte strategjike duhet të shihet përtej cikleve politike si një rrugë për forcimin e paqes, stabilitetit dhe integrimit të mëtejshëm në familjen evropiane.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu