Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë akuza të forta adresuar kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke i cilësuar si të përfshirë në afera korruptive dhe të mbrojtur nga pushteti i korruptuar i qeverisë.
Sipas Berishës, çdo hetim nga SPAK ndaj Veliajt do të ishte i urdhëruar nga Rama dhe jo rezultat i zbatimit të ligjit. Ai ngre dyshime se konflikti brenda radhëve të qeverisë përfshin edhe bashkëshorten e Ramës, Linda, duke e krahasuar me influencën që kishte Elena Çaushesku në regjimin komunist.
Për Berishën, lidhjet mes politikës, pushtetit dhe biznesit kanë krijuar një rrjet të pandëshkueshmërisë që mbron zyrtarët e lartë nga përgjegjësia ligjore, ndërsa fondet publike zhduken në llogaritë private të qeveritarëve.
“Nëse ndodh një gjë e tillë, ndodh sepse e urdhëron Edi Rama. Ata që kanë jetuar në diktaturë, e kanë shumë të qartë që nuk ishte mëkati dhe krimi që i dënonte ofiqarët e lartë. Kishte vetëm një arsye, besnikëria ose jo ndaj diktatorit.
Problemet e brendshme mes Edi Ramës, Linda Ramës dhe Erion Velisë, dua të shtoj këtu se Linda tani është një faktor, pak a shumë ngjason me Elenën, në kuptimin që ajo, meqenëse Çaushesku ishte elifmatrak në dijeni, kishte një arsim partie, ajo kryesonte institutin e kimisë se ishte shkencëtare e shquar dhe natyrisht bënte ligjin.
Në këtë mënyrë, edhe zonja Rama merret me tendera, jo vetëm me tendera, por përdor gjobëvënësin e Bolinos për të nxjerrë fatura për Arben Ahmetajn të hoteleve, se i kishte paguar hotelin, ndërkohë biletat e Ahmetajt kushtonin se sa kushtonin biletat e Edi Ramës në stadiumin e Nju Jorkut.
Pra, Arben Ahmetajn mercenar Dumani desh ta arrestonte për pagesat e netëve të fjetjes dhe biletat e avionit, kurse Edi Ramës i thotë lepe-peqe.
Nëse vepron ndaj Erion Veliajt, e bën me urdhër të Edi Ramës dhe jo për ligjin.
Erion Veliaj, Engjëll Agaçi, Edi Rama prej të paktën dy vitesh duhej të ishin në qeli.
Janë dhënë 130 milionë euro, nuk ekziston as nam dhe nishan, sepse të gjitha kanë përfunduar në kontot bankare të Edi Ramës, Erion Veliajt e me radhë.
Kjo është historia. Tani se si e kanë kiminë ata me njëri-tjetrin nuk e di atë punë“, ka thënë Berisha.alfapress.al