Shkruan Albert Vataj
Më 2 Tetor 1808, qyteti i Erfurtit u bë skenë e një ngjarjeje të jashtëzakonshme: një takim mes dy prej figurave më të ndritura të kohës, Napoleon Bonaparti, perandori i lavdishëm i Francës, dhe Johann Wolfgang von Goethe, gjeniu i letërsisë gjermane. Ndërsa Napoleoni ndodhej aty për një takim diplomatik me Carin Aleksandër I, ai mori vesh se në qytet ndodhej edhe Gëtja, për të cilin kishte dëgjuar me admirim. I shtyrë nga kureshtja dhe respekti për mendjen e tij, Napoleoni kërkoi ta njihte personalisht.
Takimi mes tyre ishte i ngrohtë dhe mbresëlënës. Napoleoni e mbajti gjatë Gëten, duke folur me pasion për veprat e tij, të cilat i lavdëroi me entuziazëm, por nuk ngurroi të bëjë edhe disa vërejtje kritike—të cilat Gëtja, me një fisnikëri të rrallë, i pranoi si të drejta. Mes sugjerimeve të perandorit, ra fjala edhe për një dramë mbi vrasjen e Çezarit, një temë që ai e konsideronte të denjë për penden e Gëtes.
Por biseda mori një kthesë kur Napoleoni, me një ton të prerë, e cilësoi tragjeditë e Friedrich Schillerit si “tragjedi bulevardeske”. Gëtja, mik dhe admirues i Shilerit, nuk e la pa përgjigje. Me një guxim të hijshëm, ai tha:
“Nuk i njoh bulevardet tuaja, Madhëri, por i marr me mend se do të jenë të mbushur plot me njerëz. Më dhimbset të dëgjoj të flitet kështu për një prej gjenive më të mëdha të kohëve tona.”
Ky reagim i Gëtes dëshmoi jo vetëm për besnikërinë ndaj mikut të tij, por edhe për integritetin e tij intelektual përballë pushtetit.
Në fund të takimit, Napoleoni i sugjeroi Gëtes që, nëse po shkruante diçka për këtë ngjarje, t’ia kushtonte Carit. Por Gëtja, me një parim të palëkundur që e kishte ndjekur që në rini, iu përgjigj me qetësi:
“Madhëri, qysh në rininë time i jam përmbajtur parimit që të mos bëj kushtime, për të mos u penduar më vonë.”
Ky episod është një dëshmi e rrallë e dialogut mes pushtetit dhe mendimit, mes lavdisë ushtarake dhe madhështisë letrare. Në Erfurt, për një çast, historia dhe arti u përqafuan








