Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj pas kthimit nga SHBA është shfaqur duke organizuar një udhëtim në autobus me disa pensionistë të Njësisë 7 në Tiranë, për të dhënë një tjetër mesazh për hetimet që SPAK po kryen ndaj tij. Në një video të shpërndarë nga bashkia e Tiranës, shihen se si disa pensionistë i thurin lavde Veliajt “se e ka bërë dritë kryeqytetin”, ky i fundit shprehet se nuk dorëzohet nga letrat anomime.
“Nuk dorëzohem, mos ki merak! E di për çfarë ma thua, por nuk dorëzohem. Po të duan, le ta marrin me votë, por me hile e anonime jo… Po t’i kenë votat, e lë vetë dhe iki, por…
S’ta fal njeri suksesin, meazallah! Me sa duket, kështu është ndarë, ca do bëjnë punën…
Nuk dorëzohem unë me këta personazhe, se nuk e meritojnë! U them këtyre shokëve të mi – se kemi shokë edhe nga e djathta, kemi qenë në një shkollë bashkë – po më thatë që keni ndërtuar një shkollë të re, e lë unë këtë punë që tani, se do të thotë që dini të bëni një punë.
Por, të mos kesh bërë asnjë shkollë e t’i thuash tjetrit që ka ndërtuar 45, rri tani ti, hajde me letra anonime! Ua thashë, iku ai sistemi i letrave anonime. Po jeni burra, shkoni te fleta e votimit, nëse keni vota dhe mbështetje në popull. Megjithatë, duhet ecur përpara”, thotë Veliaj.
Kjo ishte dalja e parë e Veliaj për këtë vit pas urimit në mesnatën e ndërrimit të viteve në sheshin Skënderbej. Ai i ka rralluar së tepërmi daljet publike pas hetimeve të SPAK ndaj tij për korrupsion aktiv dhe pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Veliaj u thirr në SPAK në 26 dhjetor ku qëndroi mbi 5 orë. Pas kësaj ai u largua në SHBA ku nuk dihet se kë takoi për t’u rikthyer vetëm ditën e fundit të vitit. Në një njoftim të Prokurorisë së Posaçme, u konfirmua se ai po hetohet së bashku me bashkëshorten për 4 vepra penale të rënda si; korrupsioni pasiv dhe ai aktiv, si fshehje dhe misdeklarim të pasurisë.