Me sytë nga Saliu, protestat dhe Amerika

0

Shkruan Sokol Pepushaj

32 vjet më parë Sali Berisha u printe protestuesve me sloganin “e duam Shqipërinë pa komunistë”, kur të gjithë ishin komunistë.

Në çdo fletë të historikut të protestave, nga viti 1991 kur e “donim Shqipërinë pa komunistë” e deri sot që e duam “pa hajdutë” kemi tre aktorë, Sali Berishën, Amerikën dhe socialistët.

Po ç’ka ndodhur që jemi ende në të njëjtin “stacion”?

Saliu nga antikomunist është bërë antiamerikan; Amerika nga aktive, indiferente; socialistët nga komunistë në specialistë.

E para, ka ndryshuar protesta.

Nuk kemi tashmë ambasadorin amerikan që mbi konturet e protestës deshifron kodet e lirive dhe të drejtave njerëzore, heshtje dhe distancim nga protesta dhe pushteti.

Disa shohin ende ambasadori William Ryerson në protestë me Saliun, të tjerë i kanë sytë nga Yuri Kim që ta ndalojë këtë “stuhi” në ditën e fundit të “ngricave”.

Amerika ka qenë çdo ditë dëshmitare e ngjarjeve tona.

Shqiptarët, në 32 vjet kanë sakrifikuar djersën, pasuritë, resurset, kanë lidhur fashot e plagëve të plumbave në bulevard, vetëm se i kanë besuar mekanizmave të drejtësisë.

E dyta, komunistët u bënë socialistë e përtej, specialistë.

Ata gjithmonë kanë hedhur gurin e kanë fshehur dorën. Kanë shkruar historinë e një modeli të panjohur, se si mund të futesh në një zyrë shteti me duar në xhepa dhe të dalësh sheik, të sigurosh jetesë luksi për disa breza. Pra, në çdo germë të korrupsionit, janë socialistët. Ata kanë fatin me vete, sa herë ndeshen protestuesit, rrinë mënjanë e numërojnë viktimat.

E treta, Saliu ka bërë epokë…

Ka qenë në krye të zhvillimeve edhe si komunist që ka luftuar komunizmin, edhe sot që është po kaq i dyshueshëm.

Lëvizjet sot, as shpëtojnë pushtetin e korruptuar, as opozitën aq të vjetër, sa nuk e mbajnë gjunjët të ngjitë shkallët e pushtetit.

Pra, mos të guxojnë të kënaqen asnjë palë, as mafiozët, se protestuesit krah Sali Berishës janë antiamerikanë dhe Edi Rama mund të vazhdojë korrupsionin deri në nivelet e deklaratave publike, se Partia Socialiste kualifikon shqiptarët që vizitojnë Amerikën. Pas gjithë këtyre krimeve, edhe zemërimi i Saliut, edhe heshtja e pushtetit dhe diplomacisë, justifikohen. Këtej ku rrinë të ndershmit, nuk ka antiamerikanë.

Hajdutët bëjnë lëvizjet e fundit, me “fishekun” e fundit, Saliun. Për kostot mos u shqetësoni. Diçka ndihmon edhe Babloku, por darka për protestuesit mbulohet nga Lali Eri.

Sa të vazhdojnë inceneratorët të gjithë mund të performojnë në ringjalljen e shpresave të vdekura si substanca të kundërshtisë false të elitave sunduese.

Kjo është ese-ja që nis dihet se ku, dhe ngre lart e më lart Saliun, s’dihet deri ku.

Është nonsens?

Në aparencë po, në substancë jo. Ishte komunist, “luftonte” komunizmin, akuzohet për hajdut, inatin e nxjerr me hajdutët.

Antiamerikani Sali Berisha u prin proamerikanëve që brohorasin “e duam Shqipërinë pa hajdutë”, kur të gjithë janë hajdutë.

Jemi aty ku ishim 32 vjet më parë, me sytë nga Saliu, protestat dhe Amerika./Pamfleti

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu