Shkruan Arben Lagreta
Konsorciumi i udhëhequr nga Instituti për Studime Publike dhe Ligjore (ISPL)pjesë e të cilit janë gjithashtu Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Center for Legal Empowerment (CLE) nëpërmjet financimit nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri të Projektit “Gjyqësori në fokus” organizuan në ambjentet e Qendrës Rinore “Arka” në Shkodër trainimin me temë “Meritokracia në karrierat gjyqësore”.
Ishin të pranishëm drejtues dhe përfaqësues të organizatave jofitimprurëse të shoqërisë civile që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shkodër dhe më gjerë në rajonin e Veriut të Shqipërisë.
Në fillim ia kanë uruar mirëseardhjen të pranishëmve dhe kanë përshëndetur Drejtorja Ekzekutive e Institutit për Studime Politike e ligjore –ISPL, Lidra Elezi dhe Koordinatorja Rajonale për Qendrën Kombëtare Burimore të Shoqërisë Civile për Veriun e Shqipërisë Arbana Dibra.
Për meritokracinë në karrierat gjyqësore ka folur lektori i Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit të Tiranës Erind Mërkuri i cili duke u ndalur në një nga paradokset e sistemit tonë gjyqësor nënvizoi ndërmjet të tjerash se “nga 78 gjyqtarë apeli që duhej të ishin gjithsej në funksion në shkallë vendi janë vetëm 23 në detyrë. Po kështu edhe harta e shtrirjes së gjykatave të apelit rishikohety një herë në 5 vjet. Mërkuri më një përvojë mësimdhënieje në Fakultetin e Drejtësisë në UT prej 15 vjetësh u ndal edhe tek procedura e verifikimit të pasurisë së togave të zeza ku theksoi mosmbajtjen e dokumentacionit të rregullt për justifikimin e pasurisë së gjyqtarëve nga edhe ku e kanë pësuar edhe gjyqtarë të rregullt për shuma qesharake të pajustifikuara.
Në vijim ka folur lektorja e Arbitrazhit Ndërkombëtar të Shkollës së Magjistraturës, Avokatja Brunilda Lilo duke u ndalur ndërmjet të tjerash tek transparenca e gjykatave.
Nga reforma në gjyqësor si reforma më e rëndësishme në vend dhe kushti kryesor i negociatave për antarësimin e Shqipërisë në BE e kombinuar kjo me situatën problematike që është krijuar në këtë sektor del mëse i nevojshëm monitorimi i veprimtarisë gjyqësore në shkallë vendi edhe nga ana e shoqërisë civile dhe ushtrimi i presionit pozitiv prej tyre për të siguruar se standartet e gjykimit dhe drejtësisë do të respektohen.
Aktiviteti në fjalë ka vijuar edhe në pyetje dhe bashkëbisedim të dy lektorëve me drejtuesit e pranishëm të organizatave të shoqërisë civile dhe të lektorëve të drejtësisë së Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ku ka rënë në sy stili liberal i lektorit Erind Mërkuri dhe ai konservator i lektores Brunilda Lilo.
Për t’i ardhur në ndihmë aktorëve të shoqërisë civile që të luajnë këtë rol jetik për mbarëvajtjen e gjyqësorit, projekti synon të organizojë një paketë të plotë trainimesh.