Na jepni vulën… dhe anëtarësinë!

0
Shkruan Zef Ndreka
Në thelb, kjo ishte kërkesa e PD-së zyrtare drejtuar së fundi gjykatës.
E parë ftohtë dhe pa emocione, kjo kërkesë i thotë të gjitha. Të thotë gjendjen reale inekzistente të një partie politike që pa të drejtë dhe pa asnjë meritë ka si synim alternativën e pushtetit, mbështetur tërësisht vetëm tek vullneti i gjykatave, i ndërkombëtarëve, i aleatëve strategjik dhe pritshmëritë e SPAK-ut.
Përse kërkon PD-ja zyrtare vulën sot?!
Çfarë e tremb atë?!
Ta analizojmë.
PD-ja, e drejtuar nga Lulzim Basha, ka vite që ka bërë gafa të pafalshme në lidhje me rregjistrimet e ndryshimeve statutore në rregjistrin e partive politike pranë gjykatës së Tiranës, ku janë të shënuara të gjitha partitë politike që funksionojnë sipas ligjit.
Vendimet e kësaj partie në forumet e saj vendimmarrëse, ku përfshihen ndryshimet në statut dhe funksionimin e saj, kanë mbetur pa u pasqyruar në librin themeltarë dhe per pasojë kanë krijuar një kakofoni, hapsirë të nevojshme për të ndërhyrë pa të drejtë pjesa tjetër e Foltorës së Berishës dhe për ti marrë godinën qendrore të PD-së falë një vendimi absurd të Zhukrrit, i cili u hodh poshte nga Gjykata e Apelit që pritet të rishqyrtohet në themel.
Si një lojë femijësh, kjo parti ka dhe nuk ka kryetarë. Ka dhe nuk ka vulë. Ka dhe nuk ka seli.
Ka dhe nuk ka anëtarësi. Ka dhe nuk ka forume drejtuese legjitime.
Ka dhe nuk ka grup parlamentarë.
Ka mbështetje nga aleatët, dhe nuk ka.
Ka dëshirë të arrijë pushtetin dhe fle gjumë.
Sërish pyetja:
Përse e kërkon vulën e PD-së Lulzim Basha?!
Sigurisht është pyetje retorike. Basha e ka vulën sot dhe e njeh Gjykata, e njeh KQZ-ja. Por nuk e njeh anëtarësia e PD-së, ajo e hershme dhe e sotmja.
Përmes rimarrjes së vulës nga Gjykata, Basha kërkon të rimarrë edhe anëtarësinë!
Por kjo do rezultojë e pamundur, sepse Basha ka fjetur gjumë, ia la hapsirën kohore të nevojshme Berishës për ta marrë vetën nga nokdawni i nofkës non grata amerikane, dhe e la PD-në të braktisur për më shumë se një vit, kohë e mjaftueshme kjo edhe për ta ndrydhur dhe asfiksuar atë.
Gjithashtu, Basha i frikësuar, u mbështet tek disa miq të tij për të kontrolluar e për të mbyllur partinë, mbeshteti mediokër, pse jo edhe spiunë, ndërkohë që propagandonte të kundertën.
Pas tre vitesh nga humbja e 25 prillit të 2021, rezulton se Bashës i ka mbetur sharra në gozhdë. Nuk ka parti, nuk ka anëtarësinë e mjaftueshme as për të krijuar strukturat, ka përçarje në çdo degë partie në rrethe, nuk ka mbështetje as në elektorat dhe as mbështetje nga aleatët.
Sondazhet e fundit të Insitutit Republikan Amerikan e rrjeshtojnë afër 4% në Shqipëri.
Gjithashtu, mesazhet e përfaqësuesit të SHBA-ve gjatë vizitës së fundit folën qartë edhe për këtë fakt apo mbështetje.
Tani, Basha bën përpjekjet e fundit për të marrë anëtarësinë duke kërkuar vulën. Kur e di mirë, se vula shumë pak të gre, kur të mungojnë idetë, kur të mungojnë njerzit.
Do shohim shumë shpejt se gozhdet ku po prek sharra e Bashës do ja thyejnë shumë shpejt gjithë sharrën e tij…
Më mirë për të është ta dorëzojë sa më parë PD-në, drejtimin e pamundur të saj për shkak të mëkateve dhe gjumit të thellë ku ka rënë…
Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu