Ministri i Edi Ramës tallet me sloganin dhe fushatën e PS-së: ‘vetëm me Edin në BE’

0

Pas kryediplomates së BE, Kaja Kallas, e cila rrëzoi propagandën e Edi Ramës për integrimin, edhe ish-ministri i tij, Ditmir Bushati ka rrëzuar fushatën e socialistëve.

Kryeministri Edi Rama e ka bazuar të gjithë fushatën e tij në premtimin se do e integrojë vendin në BE dhe do i pajisë shqiptarët me pasaportën evropiane.
Ai ka shkuar edhe më larg, duke deklaruar se vetëm ai mund të integrojë vendin.

Por në një koment të publikuar në gazetën Panorama, Bushati, që dikur shërbente si ministër i Jashtëm i Ramës, shkruan se anëtarësimi në BE është një objektiv që shtrihet përtej partive politike.

“Në vizitën e parë në Shqipëri, në kuadër të një udhëtimi rajonal, Kaja Kallas na kujtoi me mirësjellje dy prej aspekteve më elementare të procesit të zgjerimit. E para, ky proces ka tre aktorë: vendet anëtare të BE-së (vendimmarrësit); Komisioni Europian (forca shtytëse e procesit të integrimit europian dhe në të njëjtën kohë miku më i afërt i vendit kandidat); vendi kandidat që synon anëtarësimin (Shqipëria). E dyta, reformat mund të përmbushen vetëm duke krijuar një klimë politike gjithëpërfshirëse. Është rasti të kujtoj se, në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, krahas rrethanave gjeopolitike, mirëkuptimi politik për miratimin dhe zbatimin e reformave në fushën e sigurisë dhe shtetit të së drejtës ishin vendimtare. Në kuadër të anëtarësimit në BE, kjo merr një vlerë edhe më të madhe, pasi në dallim prej anëtarësimit në NATO, ky proces ka një ndikim të drejtpërdrejtë thuajse në të gjitha fushat e jetës. Anëtarësimi në BE është një objektiv kombëtar që shtrihet përtej partive politike,” shkruan Bushati.

Po ashtu, Bushati rrëzon edhe pretendimet e Edi Ramës mund të integrohet në BE më shpejt për shkaqe gjeopolitike.

“Megjithatë, materializimi i këtij procesi nuk është një çështje e mbyllur, pasi BE-ja gjithashtu përballet me vështirësi të panumërta në administrimin e punëve të brendshme. Ndaj, me të drejtë, Kaja Kallas iu referua hapave që duhen ndërmarrë në këtë proces, duke nënkuptuar së pari vendet anëtare të BE-së. Nga ana tjetër, duhet të kuptojmë se vendet anëtare nuk do të pranojnë anëtarësime të reja vetëm për arsye gjeopolitike, duke shpërfillur përmbushjen e reformave të shtetit të së drejtës dhe qeverisjes së mirë,” thekson Bushati.

Ish-ministri i Jashtëm shkruan se edhe vendet e BE kanë probleme dhe motori i zgjerimit është i fikur.

“Pavarësisht kontekstit të ri gjeopolitik që jetojmë dhe propozimeve të mësipërme, duhet pranuar se “motori i zgjerimit” me efekte motivuese te vendet kandidate vijon të jetë i fikur. Vendet anëtare të BE-së kanë në dorë çelësin e ndezjes së “motorit të zgjerimit”, sikundër vendet kandidate kanë në dorë që të përdorin “kushtëzimet” në këtë proces, si mundësi për të ndryshuar e reformuar cilësinë e qeverisjes dhe jetës,” shkruan Bushati.

Ish-ministri pranon dështimin e Ramës, duke theksuar se u deshën 13 vjet për të nisur bisedimet me BE.

“Ne humbëm një shans në rrugën tonë drejt BE-së, që dukej e vrullshme në fillim të viteve ‘90 dhe disa të tilla në fillimin e viteve 2000. Ne qëndruam për më shumë se tre vjet në tryezë për nënshkrimin e MSA-së, na u deshën pesë vjet për të marrë statusin kandidat dhe trembëdhjetë vjet për të filluar bisedimet për anëtarësim në BE. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për përthithjen e fondeve të BE-së në formën e granteve, ku Shqipëria renditet e parafundit, duke lënë pas vetëm Bosnje-Hercegovinën. Apo të investimeve europiane në trajtën e kredive dhe granteve, ku jemi në të njëjtin nivel me Maqedoninë e Veriut dhe lëmë pas Malin e Zi e Kosovën. Kemi humbur shumë kohë rrugës,” thekson Bushati.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu