Përgjimet e bëra në qelinë e kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliajn, shokuan opinionin publik për shkak edhe të kërcënimeve dhe fyerjeve që ai kishte bërë për ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, të cilin e fajësonte për kontrollet në qelinë e tij.
Gjatë një interviste për faqen “Lolita”, i pyetur për çështjen e Veliajt, Manja refuzoi të komentonte detajet duke u shprehur se nuk flet për çështje nën hetim. Ndërsa sa i takon pyetjes nëse ka qenë ai që ka dhënë urdhrin për të përgjuar kryebashkiakun në qeli, Manja tha se e ka lënë prej kohësh punën e prokurorit.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Si e shikon arrestimin e Erion Veliajt, një petale e thatë që duhej t’i hiqej trëndafilit të PS apo lule e këputur padrejtësisht nga prokurori Ols Dado?
Manja: Edhe për shkak të formimit tim edhe për shkak të punës si prokuror në të shkuarën, nuk bëj komente për çështje të tilla. Por një gjë është e qartë, ne e kemi mbështetur Reformën në Drejtësi dhe do të vazhdojmë të mbështesim në të mirë të vendit dhe drejtësisë.
Pyetje: A e ke vizituar Erion Veliajn në burg?
Manja: Më vjen keq që nuk të jap dot përgjigjie për çështje që janë në hetim.
Pyetje: A e keni përgjuar në burg Erion Veliajn?
Manja: Ka kohë që e kam lënë këtë zanat, që në maj të 2009-ës kur vendosa ta lë prokurorinë dhe të merrem me politikë.
Në përgjimet e publikuara nga dosja e Veliajt, kryebashkiaku shprehej ashpër ndaj Manjës duke thënë se “do ta mbysë me thonj” dhe duke iu drejtuar me fjalët “ndyrësirë dhe katunar” në bisedën me Ajola Xoxën dhe Arbër Veliajn.