Shkruan Zef Ndreka
Kështu më duken reagimet dhe lëvizjet e shumë shqiptarëve anembanë botës.
Nana Shqipëri e madhe, ndër vite i ka mësuar bijt e saj të jenë më të qëndrueshëm, më të ndershëm, më besnikë, por edhe më diplomatë. Sëpari me njëri-tjetrin e më pas me atë-mëmë-dheun.
M’ka çu nana me la gojën!
Kjo shprehje e urtë popullore duket se e përshkruan më së miri edhe një pjesë të madhe të reagimit të politikës shqiptare përballë zhvillimeve që lidhen me gjyqin ndaj ish-udhëheqësve të Ushtria Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në Prishtinë, në Tiranë e në qytete të tjera, organizohen protesta, deklarata të forta politike dhe konferenca për shtyp. Fjalët janë të shumta, emocionet të forta me retorika shumë patriotike. Por përtej kësaj zhurme publike deri tani pa bereqet, lind pyetja:
Ku është strategjia kombëtare?
Sepse një çështje kaq e rëndësishme historike dhe politike nuk mund të trajtohet vetëm me reagime spontane apo me mobilizim emocional, me tubime, këngë e valle, apo vetëm me koncerte.
Lufta e Kosovës nuk është vetëm një kapitull në historinë shqiptare, por edhe një nga ngjarjet më të rëndësishme edhe të historisë europiane të fund shekullit XX. Prandaj, pa një strategji të qartë politike, diplomatike dhe akademike, rrezikohet që ngjarjet e saj të deformohet.
Në mungesë të një sjellje të koordinuar mes Shqipërisë dhe Kosovës, reagimet shpesh mbeten vetëm fragmente. Çdonjëri flet në emër të vet dhe secila palë bën deklaratat e saj! Por mungon një platformë e përbashkët që të artikulojë në mënyrë serioze dhe të vazhdueshme të vërtetën historike të luftës çlirimtare të Kosovës.
Kjo bëhet edhe më problematike kur përballë është një shtet si Serbia, i cili prej vitesh ka ndërtuar një strategji të mirëfilltë diplomatike dhe propagandistike për të shpërndarë përgjegjësinë e tij në luftërat e viteve ’90.
Në një betejë të tillë sjellheshbe qëndrimesh, emocionet nuk mjaftojnë aspak. Jo vetëm kërkohet, por na duhet domosdo një strategji, duhet domosdo dokumentim, si dhe koordinim ndërkombëtar.
Protestat mund të jenë një shprehje solidariteti dhe një reagim i natyrshëm i shoqërisë, por ato nuk mund të zëvendësojnë punën e institucioneve, të diplomacisë dhe të botës akademike. Pa këto elemente, të gjitha reagimet mbeten vetëm simbolike.
Pikërisht këtu shprehja popullore e sipërcituar merr kuptim të plotë. Sepse veprimet janë më shumë për dukje sesa për rezultat, ndaj populli e thotë: “Më ka çu nana me la gojën.”
Çështjet kombëtare kërkojnë shumë më tepër se kaq. Ato kërkojnë vizion, kërkojnë koordinim dhe strategji afatgjatë. Përndryshe, rrezikohet që zhurma e momentit të shuhet shpejt, ndërsa pasojat do të mbeten gjatë.








