Modeli ekonomik i qeverisë Rama ka shkatërruar prodhimin

0

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka ngritur alarmin për gjendjen e industrisë shqiptare, të cilën e cilësoi “në vdekje klinike”. Sipas saj, shifrat e fundit tregojnë se industria përpunuese ka rënë me 4,5% gjatë vitit të kaluar dhe me 3,5% në tre muajt e parë të këtij viti, duke shënuar një regres të thellë për të gjithë sektorët.

Tabaku kujtoi se kjo është hera e parë pas vitit 2009 – kur kriza financiare botërore tronditi ekonomitë në mbarë globin – që prodhimi në Shqipëri bie kaq ndjeshëm, duke zënë vetëm 7% të PBB-së.

“Faktorët janë të ditur prej kohësh: modeli ekonomik i ndërtuar nga qeveria është i varur nga ndërtimi dhe pastrimi i parave të pista, duke lënë pas dore prodhimin,” deklaroi ajo.
Një tjetër problem që sipas Tabakut ka goditur fort industrinë është zhvlerësimi i euros me rreth një të tretën e vlerës së saj, çka e ka bërë të pamundur shitjen e produkteve shqiptare në tregjet rajonale dhe europiane. Në të njëjtën kohë, rritja e kostove ka pamundësuar bizneset shqiptare të investojnë në cilësi dhe inovacion, duke ulur edhe konkurrueshmërinë.

“Krenaria jonë, produktet shqiptare, sot nuk shiten. Nga fshati te industria, sektori i prodhimit po nxirret jashtë tregut. Ky është rezultat i një sistemi që favorizon pakicën dhe jo shumicën. Ky model duhet ndryshuar,” u shpreh deputetja demokrate.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu