Muxhahedinët e Manzës, dezinformimi për viktimat dhe dyshimet për sulme kibernetike

0

Prokurorët e posaçëm kanë urdhëruar këtë të martë Policinë e Shtetit që të bastiste kampin e muxhahedinëve në Manëz, pasi kanë pasur dyshime se brenda tij kryheshin aktivitete teknologjike të palejuara. Kjo provuar më pas dhe nga serverat e sekuestruar në godinat e MEK.

Anëtarë të këtij grupimi kanë tentuar të bllokojnë hyrjen e autoriteteve për kontroll në ambientet e tyre, një sipërfaqe prej 40 hektarësh vendosur në Manëz të Durrësit. Janë konstatuar dokumente, servera dhe pajisje të tjera që dyshohet se përdoreshin për qëllime dashakeqe ndaj partnerëve, në shkelje të marrëveshjes që është bërë 10 vite më parë me shtetin shqiptar.

Pas këtij momenti, reagimi i muxhahedinëve është përshkallëzuar në akte dhune, ndërkohë që vetë ata kanë deklaruar në media se Policia e Shtetit kishte ushtruar dhunë. Madje, disa prej tyre janë shfaqur të gjakosur, dhe kanë pretenduar se tre të tjerë kishin vdekur dhe mbi 100 ishin të plagosur. (Kliko këtu për të parë videon e plotë)

Kanë qenë vetë anëtarë e kampit që kanë njoftuar mediat duke u thënë përmes celularit se kishte dhunë nga policia dhe kishte disa muxhahedinë të vdekur e qindra të plagosur.

policia, muxhahedinet
Momenti kur nje muxhahedin tenton te djege dokumentet, sapo Policia nisi kontrollet

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe drejtori i Policisë Muhamet Rrumbullaku kanë dalë në konferencë urgjente dhe kanë deklaruar se asnjë anëtar i kampit “Ashraf 3” nuk është dhunuar nga efektivët e Policisë së Shtetit, madje edhe pse këta të fundit janë sulmuar dhe 15-të ndodhen në spital.

“Pasi nga ana jonë u konstatuan paligjshmëri, objekt i vendimit të Gjykatës, përsa i përket evidentimit të sallave të serverave dhe pajisjeve kompjuterike, gati në 17 objekte, filloi një rezistencë e organizuar e të gjithë rezidentëve të kampit MEK, duke u përballur me Policinë dhe duke mos lejuar ekzekutimin e vendimit të Gjykatës”, tha Rrumbullaku.

Siç rezultoi më vonë nga vetë muxhahedinët, bëhet fjalë vetëm për një shtetas të vdekur. Një person rreth 79 vjeç. Ky shtetas, i identifikuar si Ali Mostashari, në fakt rezulton se ka qenë i shtruar në spital para se Policia të shkonte në kamp për kontrolle.

Madje, ai nuk ka qenë i përfshirë as në përballjen e banorëve të MEK me efektivët, por gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë në spitalin e kampit, aty dhe ku ka ndërruar jetë, si pasojë e një arresti kardiak. Ministri Çuçi dhe kryepolici Rrumbullaku kanë deklaruar me përgjegjësi para kamerave, se gjatë ndërhyrjes së Policisë së Shtetit, nuk ka pasur asnjë shtetas të vdekur.

“Ne kemi mbetur të dëmtuar, 15 punonjës policie të dëmtuar, si dhe disa automjete policore, dhe nga ana e tyre janë lënduar gjithsej 21 shtetas, të cilët ndodhen në dy spitale në Tiranë, aktualisht në momentet që po flasim, nga 21 të lënduar 15 prej tyre kanë lënë qendrat spitalore dhe janë adresuar për në vendbanimin e tyre”, vijoi drejtori Muhamet Rrumbullako, më datë 20 Qershor, pak orë pas përfundimit të operacionit.

Eksperti i Kriminologjisë Ervin Karamuço thotë se bëhet fjalë për akte të qarta dezinformimi, nga ana e anëtarët e opozitës iraniane, për të fshehur qëllimet e tyre të vërteta dhe veprimtarinë e palejuar që ata kanë ushtruar brenda kampit, duke shkelur marrëveshjen për Refugjatët, për të mos kryer asnjë aktivitet politikë apo të çfarëdolloji tjetër.

“Ne kemi besuar se ata do të respektonin një marrëveshje, marrëveshja kishte dy kushte: a) të mos kryejnë veprimtari politike brenda territorit shqiptar, e dyta, b) jo veprimtari në kuadrin kriminal ose terrorist. Kjo e dyta për fat të keq dyshohet se ka ndodhur.

Dyshohet se ka pasur sulme kibernetike ndaj Iranit dhe vendeve të tjera të treta, të tjera. Se çfarë natyre kanë pasur këto (sulnme), ne ende nuk i dimë. Mund t’i dinë organet inteligjente, ato ligjzbatuese, të cilat së fundi kanë kërkuar kontroll”, është shprehur profesori për Newsbomb.al.

muxhahedinet
Muxhahedinet me foton e te vdekurit ne dore, diten e kontrolleve

Më tej, profesori zbulon për herë të parë se edhe vitin e kaluar, në 2022, në kampin e muxhahedinëve ka pasur një kontroll nga Policia e Shtetit pas indicieve për drogë, dhe nuk ka pasur as rezistencë dhe as përplasje, madje kontrolli nuk ka dalë as në media sepse gjithçka ka qenë e qetë.

“Ka pasur një kontroll vjet, shumë i qetë, i papërmendur fare në media, për lëndë narkotike brenda atij kampi. Ka vajtur një grup i madh i Policisë së Shtetit, nuk ka rezultuyar që të ketë pasur (lëndë narkotike), por gjithsesi është bërë një kontroll.

Këtë vit, rezistenca më ka habitur. Plagosja, goditja për shkak të detyrës ndaj Policisë së SHtetit, për mua ka qenë e papranueshme. Flasim për një komunitet që ndihmohet shumë nga shteti shqiptar, mendoni që nga energjia elektrike, që nga uji, e të gjitha, infrastruktura që është krijuar”, shprehet ai.

Por këtë vit, siç thotë Ervin Karamuço, ka dyshime për reagimin e dhunshëm të muxhahedinëve. Ai ndalet dhe te veprimet e disa prej anëtarëve të këtij grupimi, të cilët nga pamjet me dron të Policisë së Shtetit, duket teksa futen pas kapanoneve dhe tentojnë të asgjësojnë me djegie dokumente. Një procedurë e ngjashme është tentuar dhe në dhomën ku janë gjetur serverat.

“Ajo që kemi parë dje, ka qenë që gjatë kohës që Policia mësynte për kontroll, mbrapa këtyre ambienteve, në kapanonet mbrapa, filluan të digjeshin letra, dokumentacione, filluan të shkatërroheshin servera.

Çfarë i është fshehur shtetit shqiptar deri më sot?! Çfarë janë këto gjëra që duhet me doemos të asgjësoheshin për të mos rënë në duart e organeve tona ligjzbatuese?! Kjo është një pikëpyetje shumë e madhe që na fut në dyshime për atë marrëdhënie dhe partneritet që kemi pasur deri më sot. Ata duhet ta sqarojnë këtë”, përmbyll profesori dhe eksperti i njohur i Kriminologjisë, Ervin Karamuço.

Ndërkohë, në orët e vona të mbrëmjes së 20 Qershorit, Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit ka dalë me një qëndrim zyrtar duke korrigjuar numrin e viktimave që kishte raportuar më herët, por vazhdonte t’i qëndronte pretendimeve se më shumë se 100 anëtarë të MEK ishin plagosur. Një numër që nuk përputhet me atë të Policisë së Shtetit.

“Me urdhër të fashizmit fetar që sundon Iranin, mëngjesin e sotëm, rreth 1000 policë shqiptarë sulmuan Ashrafin në një sulm kriminal dhe shtypës. Ata thyen shumë dyer, dollapë dhe pajisje, dhe sulmuan banorët me gaz lotsjellës dhe sprej piper. Shumë kompjuterë u prishën ose u morën.

Si rezultat i këtij sulmi kriminal, një anëtar i Mujahedin-e Khalq (PMOI/MEK), z. Ali Mostashari, u vra dhe më shumë se 100 njerëz u plagosën për shkak të gjuajtjes së policisë me sprej piper. Shumë prej tyre janë në gjendje kritike për jetën, ndërsa disa janë transferuar në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë”, thotë deklarata.

muxhahedinet e manzes
Muxhahedinet qe ndodhen ne Manez, te dhena te deklaruara publikisht nga zv/ministri i Brendshem, Andi Mahila
Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu