Ndrek dhe Mimika Luca, rinia dhe dashuria që mbeti me rrezatim të përjetshëm, në jetë si në këtë foto

0

Shkruan Albert Vataj

Është rikthyer kjo foto e Ndrek dhe Mimika Lucës, pas një trajtimi në programet e fotove dhe ndërhyrjeve me Photoshop, duke e sjellë pas 10 vitesh kur ajo publikohet spariherë më 9 qershor 2013 në një seri “Foto nga jeta e aktorit Ndrek Luca” në Facebook-un, “Aktorët Shqiptarë”, dhe në një ripublikim me diçiturën “Çifti”.
Fotoja


Duke ju referuar imazhit, kuptojmë se është një foto e realizuar në studiot e atëhershme fotografike, në raste ceremoniale. Po, saktësisht kemi të bëjmë me një foto familjare, foto që sinjifikon një moment kulmor të jetës së tyre, fejesës, diku në periudhën ndërvitase 1954-1955. Foto e dy të dashuruarve, atyre që do të bëheshin amblematik në artin tonë skenik dhe simbol i një dashure që mbeti e përkorë, mes dy personazh sa të ndryshëm aq dhe të veçantë.
Ishte koha kur Ndreka sapo kishte hyrë në botën e artit me ëndrrën e vrarë të pilotit, ndërsa Mimika me pamundësinë të bëhej balerinë, ëndrra të cilat nisën herët dhe u shuan po kaq herët, për t’u zëvendësuar me pasionin për aktrimin, me atë që do të ishte dashuria dhe jeta e tyre.
Pas një transformimi të dukshëm, kjo foto rivjen pas afro 70 vitesh me ngjyra dhe me tipare të theksuara të rinisë së aktorëve, jeta e të cilëve ishte arti i skenës, më shumë se përditshmëria e çdo çifti në sfidën familjare.
Ndrekë Luca ishte dhe mbeti “një malësor dhe dukagjinas i vërtetë, njeri i besës, i karakterit dhe shpërthimit vullkanik”, thoshte regjisori Pirro Milkani për Mevlan Shanajn në domentarin për Ndrekë Lucës.
Mimika dhe Ndreka, një dashuri që nisi në Teatër
Në një intervistë për “Panrama” të marsit të vitit 2018, në një rrëfim për jetën e saj ajo mes të tjerash tregon se si u njoh me Ndrekën. Historia pikëniste në Teatrin Popullor (Teatri Kombëtar), në atë kohë kur nuk linin pa parë asnjë shfaqje të njëri-tjetrit. “Për mua ishte më i madhërishmi, sepse e njihja nga interpretimet. M’u afrua disa herë aso kohe, më thoshte, kur lahesha në pishinën e Teatrit, së është me ujë Selite pishina, do marrësh ndonjë të ftohtë, sepse sapo ke dalë nga provat…” rrëfente ajo në këtë intervistë.
Po, në oborrin e teatrit, nisi ajo histori dashurie, ajo histori që do të ishte sublime. “Së pari nisi të fliste ai, tregonte Mimika, të më jepte këshilla, apo të më bënte pyetje, sepse kuptohet që isha e re. Unë thosha me vete, ky njeri, që është kaq, i madh vjen, dhe më flet mua! I kisha mbushur 16 vjeç, … unë u marrosa pas tij!.”
Pyetjes se: Si e mësoi Ndreka marrosjen saj?, Mimika i është përgjigjur thjeshtë dhe sinqerisht, “Si duket duhet të ishim marrosur të dy, përderisa ai vinte e më fliste sa herë. Aty, në pishinën e Teatrit, u dashuruam. Me fustanin e një shfaqjeje të Marie Logorecit, u bëra nuse nga grimieri i Teatrit. Nuk kaloi shumë kohë përpara se të martoheshim dhe po atë vit, linda vajzën.”
Ëndrra e aktores një sfidë
Ëndrra e aktores Mimika Luca, si e shumë simotrave të saja të atyre viteve, ishte një sfidë, triumfin e së cilës do ta përcaktonte personaliteti dhe karakteri. Për vajzën delikate si Mimika, ndeshja për të fituar nuk bënte përjashtim. “Shkollën e nisa kur u martova, megjithëse Ndreka nuk ishte dakord me zgjedhjen time, mirëpo unë isha e vendosur. Në vitin e tretë të studimeve, u emërova në Teatrit Popullor deri disa vite më pas, kur me urdhër, u largova si pedagoge në Institutin e Arteve për mjeshtri aktori.” Por nga Teatri ajo do ta kishte të pamundur të shkëputej, me gjithë angazhimet që tashmë ishin shtuar, sepse atje ishte Ndreka, “ishte jeta ime”. Asokohe asaj do t’i besonin role të rëndësishme si në teatër edhe në kinematografi.
Dy të dashuruar në jetë e në skene
Duke treguar një episod, Mimika rrëfen se si ishte jeta e një çifti që luajnë bashkë. “S’kisha hyrë ende në muajin e nëntë kur më thërret drejtori i Teatrit, për të më thënë se vinte një delegacion kinez dhe se do të jepej një shfaqe e mbyllur, enkas për ta. A do mundesh të marrësh pjesë? Po, i thash menjëherë… Në po atë çast, dëgjohet një ulërimë e Ndrekës, “Çfarë, çfarë?!” ‘Ndrek, do më falësh -i thotë drejtori,- se po flas me Mimikën’! Ai duket e kuptoi që e teproi dhe u tërhoq. Ndreka ishte vëllai im në atë shfaqe. Ishte një moment që djali i shtëpisë duhet ta shtynte dhe vajza rrëzohej përtokë.
Vëllai im në rol, Ndreka, sapo afrohet ai moment i rrëzimit, bëri një lëvizje rrumbullake dhe doli atje ku do bija unë. Kur unë u rrëzova, rashë mbi të. Kur mbaroi shfaqja, i thashë: ‘O Ndrek, po ti nuk e di që unë i kam mësuar truket që edhe kur të rrëzohem, mos të vritem!?” Një muaj më vonë lindi Gjergji… U bëra edhe me djalë. Po atje, në atë oborr, do isha bërë edhe gjyshe sepse edhe vajza ime lindi shpejt.
Njohja e tyre, siç shprehej Mimika në një nga intervistat e saj, lindi në pishinën e Teatrit Popullor, u kuroprëzua me fustanin e një shfaqjeje të Marie Logorecit, dhe u bëra nuse nga grimieri i Teatrit, Nuk kaloi shumë kohë përpara se të martoheshim dhe po atë vit, linda vajzën, Rozafa, tregonte ajo.
Një muaj më vonë lindi Gjergji… U bëra edhe me djalë. Po atje, në atë oborr, do isha bërë edhe gjyshe sepse edhe vajza ime lindi shpejt.”
Dashuri si e ajo mes Ndrekës dhe Mimikës
Ai, Ndreka, një malësor nga Dukagjini, ajo një vajzë delikate nga Gjirokasta, ajo gjithnjë e matur dhe e përkorë, ai impulsiv dhe me një temperament shpërthyes, ai me një qeshje që merrte zjarr dhe ajo me një buzëqeshje prej Mona Lize. Ata ishin të ndryshëm, por me të njëjtin shpirt dhe të njëjtin pasion.
“Ne putheshim gjithmonë!… tregonte ajo, tashmë në vite të shkuara, në homazh të Ndrekës. Edhe kur shkonim në punë, edhe kur ktheheshim, putheshim, kemi qenë familje puthësash! Edhe në një rast, kur ishim zënë, ai kishte ngritur zërin, ndërsa kur do largohej, unë shkova ta puth. “Po mirë moj,- më thotë mamaja,- ai sa të shau, si shkon dhe e puth?!” Unë e dija që Ndreka e kishte 5 minuta nervin e tij dhe harronte gjithçka! “O mama, kush i vë re këto!” Kur e kujtoj sot, ende më qeshet. Pas atyre minutave, isha për të më e mira… Megjithatë, në jetë, gjithsej, nja dy herë ma ka thënë! Ishte i kursyer! Më ka thënë në një festë, “më dukesh si fishekzjarr”, unë fluturova.”
Partner në jetë dhe në rol
Ai dhe ajo, Ndreka dhe Mimika, kishin lindur për njëri-tjetrin dhe, jeta dhe vepra e tyre shkrihej në një lëndë të vetme, në një substancë inkandeshente. Ata ishin në të njëjtat skalione të përmbushjes së ëndrrës, asaj që talenti dhe pasioni i ngjiti lart në qiejt e famës.
Filmi “Detyrë e posaçme” një film shqiptarë i prodhuar në vitin 1963 me regji të Kristaq Dhamo, skenar nga, Safet Kurti dhe i madhi Pjetër Gaci, i thërret ata në një partneritet, si në jetë, tashmë në skenë.
Mimika tregon se “Ndreka vinte nga malet në atë film, pas një kohe të gjatë dhe kur të vinte në shtëpi, duhet të putheshim. Sigurisht, prandaj edhe më kishin zgjedhur mua. Duhet të më merrte në krahë e të më shpinte në dhomë të gjumit. Ai përqafimi i fillimit shoqërohej edhe me një puthje. Unë nuk e kujtoj ekzaktësisht tani, por më duket se nuk jemi puthur realisht.
Jo, nuk më ka puthur! Unë isha me një robëdishan, një nostalgjike që i erdhi burri! “Gati!”, thoshte regjisori Kristaq Dhamo. Fillonte kamera, Ndreka afrohej deri në një pikë dhe bënte një farë përshëndetje, më shumë sesa puthje. “Gabim!, -bërtiste regjisori, jeni burrë e grua”. Ndreka prapë mbështeste kokën. U përsërit tri herë kjo skenë aq sa u bë banale. “Të kisha përballë një grua tjetër, e dija unë ç’bëja, por me gruan time intimiteti është i rëndësishëm”, kaq tha Ndreka dhe nuk u zgjat më. Skena me puthje u hoq krejtësisht… Një mirësi si ajo e Mimikës për ta ndarë magjinë e këtyre momenteve, e bënte artin e tyre të vërtetë dhe marrëdhënien e tyre të madhërishme.
Epilog
Ne sot i përcjellim këto momente magjike, duke patur spunto nga një foto e bërë 70 vite më parë dhe e pasuruar me pastërti dhe ngjyra sot. Mimika që ende nuk ka mbushur vitin qëkur u nda nga jeta, dhe Ndreka, i cili i ka lënë 30 vite që prehet në amshim, janë në këtë imazh të gjallë, të rinj dhe të bukur, janë të tillë siç ishin në gjithë jetën e tyre, në jetën si bashkëshort dhe në aktin sublim të artit të madh të skenës dhe filmit.
Ndoshta shumë nga ne nuk i mbajmë mend të tillë aktorët tanë të dashur, aq sa janë befasuar kur kanë parë këtë foto, siç secili nga është dëshirueshëm i afeksionuar, prej hirit që shprehet më e theksuar në detaje pas transformimit ky imazh që i përjetëson ata. Gjithpoaq ata ishin dhe mbetën të tillë, aktorët që i adhuruam, mjeshtrat që e ngritën në apogje traditën e artit tonë skenik, ata që do të mbeten të tillë, të rinj dhe të bukur, si në këtë foto.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu