Në ambasadën amerikane ka gjithmonë Ujë të Bekuar!

0

Shkruan Sokol Pepushaj

I ngarkuari me Punë në Ambasadën Amerikane David Wisner, të varfërit i bekon një herë, të pasurit dy herë!

Një takim i të ngarkuarit me Punë të ambasadës amerikane David Wisner, me njërin nga të dyshuarit për pasuri të mëdha, pse jo aksidentalisht kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare Nasip Naço, është esenca e një mesazhi biblik, në fshatin tonë qafir.

Priftërijtë që respektojmë ne katolikët romakë, i ngjanin Davidit.

Me shishen e Ujit të Bekuar në duar, na kishin mëkuar me mirësitë që meritojnë “njerëzit e Zotit”, pa diferencime, të mirët e të këqinjtë.

Kështu na mbajtën në besimin tonë, të respektojmë si veten, edhe fatkeqin edhe të keqin.

Atë ditë që u korrigjua urdhëresa, “kur dikush të qëllon në njërën faqe, ktheji tjetrën”, me “dy duar për një kokë”, e nxori kokën një tjetër këshillë.

Nëse shtëpitë e të varfërve bekohen një herë, sipas traditës ungjillore, të më të pasurve, dy herë.

Filozofia kishtare që e përsërisim, e duam shumë, përputhet me Davidin që predikon mësimet e Edi Ramës në ambasadën amerikane.

Ne, të lindurit të pasur, që na varfëruan këta grabitqarë, jemi ‘ok’ me një bekim, si me thënë;  “Zoti ju bekoftë varfërinë që të mendoni se një ditë ishit të pasur!” dhe dy herë ‘ok’, me dy bekimet për cubat që ishin të varfër e u pasuruan nga djersa jonë; “Zoti ju bekoftë pasurinë që të mund të kujtoni një ditë fukarallëkun”.

Pasuritë nga hiçi janë barrë e rëndë mëkati.

Një shtëpi që ish ministri i drejtësisë Nasip Naço, e shet 200 000 euro, pa ja ndjerë fare se i bëri shenj pasurisë, nuk ka si të jetë në vëmendje të Davidit, pasi as priftërinjtë tanë, nuk numërojnë pasuritë që mbledhim, por dashuritë që shpërndajmë.

Mëkati ka ndodhur aso kohe, kur Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli i fikte radarët NATO-s me 10 000 dollarë ora për transport droge në Adriatik e Jon.

Mëkatar, që kishin nevojë për dy herë bekim, kishim edhe Ministrin e Jashtëm Igli Hasani, drejtorin e Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, e shumë të tjerë!

Kot nuk shkruhet në Biblën tonë dhe në librat tuaj, se pasuria është e shenjtë.

Në ditët që bekohen hajdutët, që mbrohet fort prokurorja Merita Selimi, e shkarkuar për korrupsion të niveleve të frikshme nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ne ofrojmë mëshirë.

Të lumtë David, kështu na mëson edhe Bibla!

Kriminelët kanë më shumë nevojë për përkujdesje.

Guri i rëndë në kurrizin tonë, nuk është Guri Lekloti, se është yni ky, në kalim na rrëzon e në kthim na çon, por tradita jonë, që jemi kaq zemër mirë e durojmë, jo vetëm kur na plaçkisin, por edhe kur na grushtojnë në zyrat e punës, vetëm se bëjmë punën e lajmësit të fshatit.

Kjo edhe kënaq, se lajmësi që nuk ka pushkë por “dy duar për një kokë”, shfleton tek Dhjata e Vjetër.

Mjafton që ju të jeni në krye të detyrës, ti bekoni dy herë kundërshtarët tanë.

Pra, ne mëkatarëve të vegjël, nuk na fyen përkujdesja për mëkatarët e mëdhenj.

Si praktikantë të lajmit, shpërndajmë atë që njerëzia ka nevojë.

Kalojmë jo vetëm çdo gur, se e thamë, janë tanët, por edhe shkëmbinj e pyje tropikale, në respekt traditës biblike.

Impakti i së mirës në jetët tona, nuk ka nevojë të strehohet në vila si ato të Gjirit të Lalzit e Kodrës së Diellit, se andej nuk futen dot as rrezet e diellit të drejtësisë, e ambasadorët jo e jo, se është më e fortë mafia.

Kur nuk i njihte mirë 4 Klanet Mafioze, ambasadorin e BE-së Luigi Sorecën nuk e lejonin të futet as në vilën e vet 1.6 milion dollarëshe që i la Romana Vlahutin, jo për gjë, por duan komshi të mirë ata.

Nejse, këtej gur-gur bëhet mur.

Në këtë skelë me shufra të forta krimi, para se t’i pastrojmë myshkun Gurit, le t’i zgjidhim nyjën ushkurit.

Cullak si Eva dhe Adami, zhvishet mesazhi me ca re Pacifiku, e pa gjethe fiku.

Edhe këto pak gjëra që na kanë ngelur, përveç lirisë së fjalës, Pamfletit e dinjitetit, jemi gati t’ua japim, veç të kënaqeni me bekimin tonë të përditshëm, në respekt të dashurisë e mëshirës për hajdutët tanë, se vërtetë kanë nevojë të bekohen!

Në ambasadën amerikane ka gjithmonë Ujë të Bekuar!/Pamfleti

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu