Me vendin që është ende i mbërthyer nga grevat, qeveria franceze ka deklaruar se mund të ndërhyjë me forcë për të hequr bllokadat e vendosura nga punëtorët.
Greva për pagat, që ka hyrë në javën e tretë, ka çuar në mbylljen e 30 për qind të pikave të karburantit në shkallë vendi.
Një prej sindikatave refuzoi një ofertë për bisedime dhe tani Ministria e Financave deklaron se autoritetet mund të ndërhyjnë.
“Mendoj se së pari ne duhet t’u japim një shans negociatave. Negociatave në mirëbesim dhe të cilat nuk mund të zvarriten sepse qytetarët tanë janë të dëshpëruar dhe presin një zgjidhje të shpejtë, të cilën ne duhet t’ua japim. Ndaj, ose nisim negociatat dhe gjejmë me shpejtësi zgjidhjen, ose ne do të përdorim mjete të tjera në dispozicion”, tha Bruno Le Maire, ministër i Financave në Francë.
Sindikatat po kërkojnë një rritje prej 10 për qind të pagave, me argumentin se gjiganti i energjisë në Francë, “Total”, ka përjetuar një rritje të fitimeve këtë vit.
Përpjekjet për zgjidhjen e krizës janë në vazhdim, por gjasat që ajo të arrihet shpejtë janë të vogla.
Edhe nëse arrihet, qeveria thotë se do të duhen 2 javë që situata në stacionet e karburanteve të kthehet në normalitet.