Shkruan Albert Vataj
Një ndër fotografitë më të rralla që na dhuron koha, një fragment nga ajo që historia fshihte mes rreshtash, për të mbijetuar vetëm në gojëdhëna e në rrëfime burrash të stuhive. Jemi në marsin e vitit 1911, në oborrin e dytë të Kalasë së Shkodrës, aty ku heshtja e gurit takon zërin e barutit. Në prag të shpërthimit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe, aparati i një fotografi anonim ka ngrirë në kujtesën tonë një skenë përgatitjeje, pritjeje dhe përballjeje.
Valiu Bedri Pasha, guvernatori i qytetit, sapo ka marrë lajmin se malësorët kanë marrë Deçiçin dhe Kalanë e Shipshanikut në Tuz. Nën kërcënimin e një stuhie që nuk vinte nga qielli, por nga toka shqiptare, ai urdhëron mobilizimin e trupave osmane në Kala, këtë fortesë të lashtë që kishte parë romakë, bizantinë, venedikas e sulltanë, dhe tani, me muret e saj të heshtura, përgatitej të ishte dëshmitare e një kapitulli të ri, të luftës për liri kombëtare.
Në plan të parë të fotografisë, si piramida të heshtura, qëndrojnë grumbujt e topave të artilerisë, jo si relike, por si paralajmërim. Ato janë sy të verbër të dhunës, gati të hapin plagë mbi ata që po kërkonin të çliroheshin nga sundimi osman. Ndërkohë, ushtarët që rrinë të shpërndarë në tokën e zhveshur, janë trupat e një pritjeje të tensionuar. Disa ulen në formë krahine, të tjerë mbështeten në mure, në heshtje, ndoshta duke dëgjuar larg të shtënat që ngjiteshin nga Malësia drejt qiellit të Shkodrës.
Por fotografia nuk është vetëm dëshmi e një përgatitjeje ushtarake. Ajo është edhe një pasqyrë e gjendjes së perandorisë osmane në agoni, e cila i përgjigjej thirrjeve për liri me grykën e topit. Dhe njëherazi, është një ikonë e qëndresës shqiptare, që në vitet përpara shpalljes së pavarësisë, kishte nisur të rrahë fort zemrën e maleve dhe të kërkonte zë në rrëzë të kalave.
E sjellë në ditët tona, kjo fotografi bëhet më shumë se një dokument, është një kujtesë kolektive, një mendim i ngrirë në dritë dhe hije, që na mëson se historia nuk jeton vetëm në librat e mbyllur, por edhe në muret që kemi përballë, në hapësirat që ecim përditë, në toponimet që shqiptojmë pa menduar se çfarë thirrjeje përmbajnë.
Kalaja e Shkodrës, kjo qendër gjeostrategjike që kishte ndërruar shumë flamuj dhe fise, në këtë foto rishfaqet si një thembër e rëndë e perandorisë, e ngulur mbi tokën që po shpërthente nga brenda me etjen për pavarësi.