Në prag të protestës së thirrur nga Partia Demokratike, e cila nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, kreu demokrat Sali Berisha i ka dërguar një mesazh Edi Ramës përmes rrjeteve sociale.
E ndërsa Kryeministri ndodhet me liderë europianë në kuadër të Samitit të Komitetit Politik që zhvilloi punimet në Tiranë, Berisha shkruan se në Europë nuk shkon kurrë me vota të vjedhura, zgjedhje farsë dhe narko-shtet.
Pas rezultatit të 11 majit ku Edi Rama në parlamentin e ri do të ketë së paku 83 deputetë, ndërsa koalicioni ‘Aleanca Shqipëria Madhështore’ i drejtuar nga Sali Berisha vetëm 50 ligjvënës, PD ka deklaruar mosnjohjen e rezultatit. Berisha ka udhëtuar drejt Brukselit ditën e enjte ku ka marrë pjesë në një prej Samiteve të partive të qendrës së djathtë, IDU, nga ku kërkoi mbështetjen për atë që e konsideron si farsa zgjedhore e 11 majit e dirigjuar nga Edi Rama.
Fitorja e Ramës në 11 maj është përshëndetur nga disa prej liderëve europianë, ndërkohë ende nuk ka një reagim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me zgjedhjet.