“Në PS punuan kundër meje”- Messazhet kyçe të Ahmetaj: S’jam unë “koka e mbretit”

0

Vetëm disa minuta para se Kuvendi të mblidhej për t’i hequr imunitetin si deputet, Arben Ahmetaj bëri reagimin e parë publik pas kërkesës së SPAK për arrestimin e tij.

Edhe pse shkrimi i gjatë i postuar në rrjetet sociale iu drejtua fillimisht votuesëve të tij, mesazhin e qartë e kishte edhe për kolegët deputetë, pa kursyer aspak qejfmbetjen e zhgënjimin. Pasi sipas Ahmetajt, ai po bie pre e etjes së drejtësisë së re për rezultate e statistika, nën presionin e vazhdueshëm të politikës.

“Falenderoj dhe kolegët e mi të mazhorancës dhe opozitës për nxitimin e treguar këtë javë. I “mirëkuptoj” për këtë, sepse politika dhe drejtësia e re e akoma e hershme për t’u quajtur e maturuar, kërkojnë statistika. Dhe lutem e shpresoj që drejtësia e re që unë e kam mbështetur e votuar me të dyja duart, të mos deformohet nën presionin e politikës dhe statistikës”, shkruan Ahmetaj në reagimin e tij të parë.
Nën rreshta Ahmetaj lë të kuptohet se beteja e tij do të vazhdojë, dhe për ata që kërkojnë “kokën e mbretit”, ish-zv/kryeministri e bën të qartë se mbreti nuk është ai.

“Avokati im në Këshillin e Mandateve citoi një thënie të vjetër nga Franca: “E shoh që dy zgjidhje të mundshme ka në tavolinë, ose do të bjerë koka e mbretit, ose ju do të duhet të pranoni dështimin e revolucionit”. Unë jo e jo që s’kam gjak blu, por jam një njeri tejet i zakonshëm, me gjak nga Gjirokastra, Vlora, Korca, Rrogozhina, Kavaja, Lezha, Kukësi e Tropoja nëse doni.”

Shkarkimi i tij një vit më parë nga posti i zv/kryeministrit, sipas Ahmetaj ishte sinjal i qartë se familja e tij politike jo vetëm po e lëshonte, por mes tyre kishte edhe nga ata punuan kundër tij.

“E kam përjetuar diku me qetësi, diku me “buzëqeshje të brendshme”, diku me revoltë të brendshme, nxitimin triumfues të largimit një vit më parë, totalisht një sinjal për “të gjitha kafshët e pyllit”, kërcënimin me demek indirekt në një forum partie. Habinë dhe thyerjen kur mora vesh se kush nga “tanët” promovuan mercenarët të shërbenin kundër meje”, shkruan Ahmetaj.

Ahmetaj iu dha një përgjigje edhe zërave që qarkullojnë për arratisjen e tij.

“Më kanë quajtur “në arrati”. Kam ikur për arsye seroze familjare (një pjesë e miqve të mi e dinë përse), dhe besoj e mendoj kam ikur përpara se kërkesa e SPAK për heqjen e imuitetit tim të ketë shkuar në postë për të arritur pas disa ditësh në Kuvend. Së fundmi, i falenderoj të gjithë kolegët e mi, të mazhorancës dhe opozitës që do të votojnë sot, dhe ata që vrapojnë dhe thonë që përgjegjësia është personale. Poooo, personale është, kur e shkel. Sidomos për ata të hershëm, sot në opozitë, e të rinj që firmosin për punë e projekte”, theksoi Ahmetaj.

Sipas avokatit të tij Henrik Ligori, ish-ministri ahmetaj ndodhet në Angli pranë familjes së tij.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu