Në Shqipëri mungon shoqëria e njerëzve të lirë

0

Shkruan Zef Ndreka

Shqipëria historikisht, ka qënë e mbushur me turmat ushtarësh por dhe luftëtarësh të shquar.
Historia na tregon për rrjeshtimet në krah të Turqisë shumë e shumë vite më parë, në krah të Greqisë dhe çlirimin të saj nga turqit, në krah të Italisë e Spanjës, në krah të Austro-Hungarisë, madje edhe në krah të Serbisë e vendeve të tjera përreth.
Luftëtarët shqiptare në shekuj, kanë luftuar për shtetbërjen e Greqisë, Serbisë por asnjëherë, për shtetin mëmë Shqipërinë.
Edhe kur u krijuan kushtet e shkëputjes nga Perandoria Otomane, Europa për arësyet e saj të fshehta por edhe të orientimit të shqiptarëve jo vetëm që nuk e mbështeti, por e coptoi siç e dijmë duke i shpërndarë tokat shqiptare vendeve kufitare si Greqia, Serbia, Mali i Zi.
Kjo ndarje, asnjëherë nuk i mblodhi ushtarët dhe luftëtarët e vërtetë për të luftuar e ruajtur territorin e trashëguar mijra vjeçarë.
Nuk është qëllimi i këtij shkrimi të bëjmë histori. Por përmes kësaj mund të analizojmë paaftësitë shtetformuese të Kombit tonë i cili ju dorëzua vendimit të fuqive të kohës, të cilët me vendimet e tyre, i shkeputën pjesët më të mira Shqipërisë mëmë për 100 vite.
Tashmë ka kaluar ai afat, i cili nuk arriti të na asimilojë në turq, në serbë apo në grekë.
Tani është radha e diplomacisë që po hesht për të kërkuar pikërisht zbatimin e vendimeve të fuqive të mëdha të kohës.
Por si do të ndodhi kjo, kur ende në Shqipërinë e vitit 2023 kemi vetëm turmat ushtarësh që iu shkojnë pas individëve të korruptuar, kriminelëve, antishqiptarëve, të shpallurve non grat-a?!
A mendojnë ndonjëherë për vete e për të ardhmen e fëmijëve të tyre këto turma?
Për çfarë ideshë e programi e ndjekin pas Berishën e Ramën sot?!
Konkretisht, mbetet e habitshme që lufta politike e këtyre viteve të tranzicionit të stërzgjatur shqiptarë, kryesisht të PD-së dhe PS-së, ka mbledhur rreth lidërve turma ushtarësh që për to, mendojnë më shumë se për fëmijët e tyre dhe atdheun.
Pasurimi dhe vjedhjet mbetën sot akoma në plan të parë. Turmat e ushtarëve ende sot të nxjerrin sytë për kryetarët e kapur në vjedhje e korrupsion.
Kjo tregon se në Shqipëri nuk ka shoqëri njerëzish të lirë, por vetëm mitingashë, vetëm turma pa tru, turmat ushtarësh, që ndjekin interesat përsonale të tyre dhe të drejtuesve të tyre.
Kjo vjen edhe për shkak të trashëgimisë nga sistemi komunist ku autoriteti i “liderit” mbahet me zor pa e merituar.
Kështu ndodh konkretisht me Berishën dhe me Ramën. Kanë mbërthyer partitë e tyre politike dhe i mbajnë peng me ushtarët që i mashtrojnë lehtësisht.
Të gjithë tashmë presin të veprojë SPAK-u, kjo strukturë e drejtësisë shqiptaro-amerikane, për të diktuar me ligj ndryshimet që nuk arrijnë ti bëjnë me bindjen e ndërgjegje vetë shqiptarët apo elektorati në votime.
Shqiptarët, duhet të shikojnë në radhë të parë përpara, pa e kthyer kokën prapa, por edhe pa e harruar të shkuarës që e lamë pas e na la pas. Përparimi i Shqipërisë do ta çlirojë shpejt shqiptarët nga tiranitë e mentalitetëve komuniste e dogmatike të Enverit, Berishës dhe Ramës.
Ndarja e shqiptarëve nga kjo treshe dhe mentalitetet e tyre, duhet të bëhen vetëm në rrugë demokratike, pra me votë dhe jo të ëndërrohet për revolucione apo mosbindje civile për të destabilizuar më tej Shqipërinë, në favor të interesave të Serbisë e Greqisë konkretisht.
Të vërtetat duhen shkruar, duhen thënë e përseritur që të mos zerë vend gënjeshtra dhe mashtrimet e mëtejshme në dëm të vendit.
E shkuara duhet ndriçuar dhe të mësojnë prej saj.
Këto forca dhe energji që kanë shqiptarët e shpërndarë si ushtarë ndër subjekte politike, do të ishte e udhës të shërbenin jo për destabilitet, por për mbrojtur në radhë të parë interesat e vendit dhe përparimin e demokracisë, gjithnjë në krah të aleatëve, kryesisht të SHBA-ve.
Vetëm atëherë do jemi vërtetë të çliruar si komb dhe ta bëjmë Shqipërinë si gjith Europa.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu