Shkruan Zef Ndreka
Më kujtohet me sa dëshirë e kam bërë këtë foto, pikërisht në këtë kënd të studios së Mjeshtrit të Madh, piktorit Pashk Përvathi.
Studio e tij shumë katëshe në Lezhë ishte tejmbushur me qindra piktura.
Sapo pashë korrnizën me pikturën e klerikut tonë të madh At Zef Pëllumbi, mu kujtua momenti në panairin e librit në Tiranë, kur bleva tre librat e tij “Rrno për me tregue” dhe vetë At Zefi më la shënimet e tij, që i ruaj edhe sot.
A ishte rastësi vëndosja e këtyre pikturave pranë e pranë në atë dhomë studio?
Mbase, por për mua, është një dëshmi e gjallë e artit dhe kujtesës kombëtare.
Në atë studio, siç shihet në foto, duken të bashkuara si në një kornizë të vetme tre botë të mëdha, shpirti i pathyeshëm i At Zef Pëllumbit, i cili i dha zë të vërtetës edhe në errësirën e diktaturës, thellësia poetike e Ndoc Gjetjes, që me fjalën e tij lartësoi dhimbjen dhe ëndrrën shqiptare dhe vetë prania e autorit, Pashk Përvathi, që ka ditur t’i përjetësojë me penel dhe ngjyra ata që janë pasuri e kombit.
Janë kompozime të rralla mes artit, fesë dhe letërsisë, që na tregon për fuqinë e kujtesës dhe përjetësimin e vlerave tona shpirtërore.
Në një kënd të vogël studioje të mjeshtrit Pashk Përvathi, pasqyrohet simbolika e madhe, ku historia dhe arti gërshetohen në një trashëgimi të pavdekshme.








