Nëpër bukuritë vieneze

0

Shkruan Ndue Lazri

Epilogu i një udhëtimi

Në fillim të udhëtimit tonë kishim hyrë nga ana perëndimore e Austrisë në Brennero e Insbruk. E kemi vizituar disa herë pjesën më të madhe të këtij shteti, nga fshati i jashtëzakonshëm turistik Allstat, në Salzburg, Linz, Melk e deri në Vienë. Tani që udhëtimi po i afrohet fundit, hyjmë nga pjesa lindore e Austrisë dhe ndalemi në kryeqytetin e saj. Edhe pse kemi qenë herë të tjera, Viena ofron përherë diçka të re nga sharmi i saj. Këtë herë pallati i Belvederes dhe rezidenca verore e perandorëve austriakë, Shonbrun ishin në ristrukturim, ndaj u vërtitëm nëpër qendrën historike të qytetit, përmes sheshesheve, rrugëve, pallateve madhështore, muzeve të historisë e të artit, operës së qytetit e Hofburgteatrit të madh, kishave e katedraleve etj. Dy ditë relaks në një nga hotelet e bukura të saj dhe pastaj sërish për rrugë. Veçse jo drejt perëndimit, por drejt jugut, ku kalojmë nëpër qytetet Graz e Klagenfurt, për të arritur në pikën më afër kufirit italian, në Villach.

Në poezinë e Liqenit Bled në Slloveni.

Pasi sistemohemi në hotelin e rezervuar në Villach, marrim drejtimin për në Slloveni. Është përherë kënaqësi të kthehemi në këtë shtet të vogël, por të bukur, ku modeli i zhvillimit është ai austriak. Bukuritë natyrore janë të mëdha, Lubljana e Koperi, apo shpellat e Postumies, na kanë ofruar gjithnjë kënaqësi kur i kemi vizituar. Por ne na tërheq në mënyrë të veçantë poezia e Liqenit Bled, një liqen i bukur në prehrin e maleve, me një ishull e kishë të vogël në mes, me hotele e vila që e rrethojnë nga tërë anët. Kemi qenë edhe herë tjetër, por këtu na pëlqen të kthehemi mundësisht në çdo stinë. Na mungon ajo dimërore, kur akulli e kthen këtu gjithçka në ngjyrë të argjendtë. Edhe këtë radhë u kënaqëm jo vetëm me pamjet panoramike që janë kartolina ngado të kthesh sytë, por edhe me shetitjet përmes pyjeve e buzë liqenit dhe me drekën e këndshme në një nga restorantet e shumtë që janë këtu. Dhe kur largohemi, shqiptojmë gjithnjë një “Mirupafshim”.

Vlerat e miqësisë.


E kishim njoftuar miken tonë të dashur Shpresa Kameraj Patterer, që përpara nisjes, që kthimin për në Itali do ta bënim nga qyteti kufitar Villach, ku ajo punon e jeton prej shumë vitesh. Dhe ajo na tha që priste me shumë dëshirë e kënaqësi të na takonte. E kemi njohur vite më parë, duke shkuar për të marrë pjesë në aktivitetet e bukura që ajo organizonte me shoqatën shqiptare që drejtonte në Villach. Gjithnjë ka ditur të promovojë bukur vlerat e kulturës, të gjuhës e historisë sonë. Ajo është nga Deçani i Kosovës, por gjithnjë ka promovuar historinë e kulturën mbarëkombëtare, duke ftuar grupe të rëndësishme edhe nga Italia, Gjermania e Zvicra.


Takohemi me mall si miq të vërtetë dhe ajo, pasi pimë kafet e mirëseardhjes, na fton për drekë në një restorant tipik austriak, me pronaret e të cilit e lidh një miqësi e sinqertë. Orët kalojnë pa u ndierë, bisedat tona janë nga më të ndryshmet, nëpër të cilat spikat përherë ajo ndienjë e pastër sinqeriteti e miqësie, të cilën e duam dhe e ruajmë me fanatizëm. Mike të tilla dinë t’i bëjnë momentet të bukura dhe ia shtojnë vlerat miqësisë. Ndaj, duke u larguar nga Villachu, mezi presim që ta takojmë sërish, këtë radhë në shtëpinë tonë në Trentino.

Një falënderim për njeriun e zemrës sime.


Kemi hyrë në tokën italiane dhe ecim asaj rruge që e kemi bërë sa herë kemi vizituar Triesten apo Venezian. Kanë kaluar 11 ditë që kur jemi nisur dhe ndiejmë që Italia na kishte munguar. Tashmë jemi të lidhur pazgjidhshmërisht me të dhe e duam njësoj si vendin tonë.


Ndërsa Ndue është si gjithnjë i vëmendshëm në timon, unë në heshtje zhytem në një monolog të heshtur falënderimi e mirënjohjeje për njeriun tim të zemrës. Ky udhëtim prej 11 ditësh nëpër Europën qendrore e lindore, është një dhuratë tjetër e bukur e tij, që e bën edhe më të bukur dashurinë tonë. Rri e mendoj me vete për atë qetësi të pashembullt e mungesë lodhjeje që e karakterizon për mijëra kilometra rrugë, për dashamirësinë e pasionin me të cilin më flet sa herë më çon në qytete e vende të panjohura. Ai e ka metodë pune që, përpara se të ndërmarrim udhëtimin, lexon e studion shumë për vendet e qytetet ku do të shkojmë. E pastaj vihet në rolin e ciceronit duke i prekur me dorë ato që ai ka studiuar. Kjo më pasuron shpirtërisht, por më mbush edhe me krenari që e kam përkrah, jo vetëm si njeriun tim të zemrës, por edhe si shokun e mësuesin tim. Ky udhëtim në Gjermani, në Pragë e Carlovy Vary të Çekisë, në Bratislava të Sllovakisë, në Budapest e në Liqenin Balaton të Hungarisë, në Vienë e Villach të Austrisë e në Bled të Sllovenisë, ishte për mua sa turistik e poetik, po aq shpirtëror, me vlera të pakrahasueshme njohjeje.
Ndërsa kthehemi në shtëpi, e di që ai projekton të tjera udhëtime, në drejtime të reja, sepse udhëtimet janë një kënaqësi e madhe e përbashkët.
Faleminderit, i dashur. Të dua më shumë se jetën time.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu