Shqipet mirditore në prehrin e alpeve italiane

0
Një koncert i bukur në Bolzano
Shkruan Ndue Lazri
Kur këngëtarja e mirënjohur mirditore, Mrika Trumshi, e veshur kuqezi, hapi krahët në interpretimin e këngës “Mirësevjen dita e shqiptarit” bashkë me grupin e burrave, në skenën e teatrit Rainerum në qendër të Bolzanos, për një çast m’u duk sikur një shqipe kishte fluturuar që nga malet shqiptare dhe e kishte ndalur fluturimin këtu në prehrin e alpeve italiane. Kjo grua trupvogël ka një zë impresionues, aq sa të vjen të pyesësh veten: Ku rri gjithë ai zë? Nga anët tona thuhej dikur: E ka zanin pushkë.
Duket sikur zëri i Mrika Trumshit fle në folenë e fishekut, por kur e zgjon, bën të dridhen edhe malet nga emocioni.
Sapo ka marrë udhë koncerti i organizuar më 2 mars në përkujtim të atij dy marsit të famshëm të 580 viteve më parë, kur Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti hapi Kuvendin e Lezhës, ku u krijua ajo Besëlidhje e madhe që do bëhej barrikadë e pakapërcyeshme për pushtuesit otomanë. Nuk e di nëse në atdhe është organizuar ndonjë aktivitet me rastin e këtij përvjetori, por këtu në diasporë, dhe pikërisht në Bolzano, u bë një bashkim forcash për të realizuar këtë koncert. Në qendër të organizimit, artisti dhe sipërmarrësi shqiptar Gegë Tuci, i cili e ka ideuar këtë aktivitet. Dhe pastaj, në bashkëpunim me Albert Arapin nga shoqata “Mirdita” në Miçigan të Amerikës, me ansamblin mirditor “Zani i Arbnit”, me shoqatën “Arbëria” në Bolzano, që drejtohet nga Tritan Myftiu dhe me shkollat shqipe në Lana e Merano, arritën të organizojnë një veprimtari të tillë me diapazon të gjerë që nga Amerika e largët, Mirdita shqiptare, Milano e Bergamo, e Alessandria. Gjithnjë e më shumë heroi ynë këmbëtar venerohet e mbahet si krenaria më e madhe kombëtare në diasporë, kur në atdhe disa e shesin e disa e mbulojnë për t’i bërë qejfin “vëllait” pushtues pesëqindvjeçar turk.
Me vijimin e koncertit e ndjen që shqiponja është gjithnjë prezente. Atë e kemi jo vetëm në sfondin e skenës së madhe, por edhe në tupanin e lodërtarit të talentuar Beriland Kadeli, në plisat e bardhë, në xhamadanat e kostumit kombëtar mirditor e deri në veshjet popullore të vogëlushëve të dy shkollave shqipe. Pas tridhjete vite e ca emigracioni shqiponja shqiptare krejt natyrshëm e ndjen veten në vendin e vet edhe këtu në prehrin e Alpeve italiane.
Salla e madhe është mbushur pothuajse e tëra me spektatorë shqiptarë. Është kënaqësi t’i shikosh këta emigrantë të integruar tashmë në jetën shoqërore, ekonomike e edhe politike italiane, të cilët vijnë bashkë me familjet dhe fëmijët e tyre të ndjekin koncertin. Të veshur bukur, si për festë, ata që e kanë kaluar javën në punë nga më të ndryshmet e jo pak të lodhshme, tani vijnë të kalojnë disa orë të gëzueshme me artistët që kanë ardhur nga larg e që sjellin një copëz të Atdheut në skenën e Bolzanos.
Vogëlushët e shkollave janë ata që dhurojnë emocionet e para me këngët, vallet e recitimet e tyre.Tek i shikon me sa krenari e bukuri kërcejnë Vallen e Shpatave apo Katjushkën, sa ëmbël e shqip këndojnë këngët që evokojnë mallin për vendlindjen e Atdheun, sa mirë e artikulojnë fjalën shqipe në recitimet për flamurin e për gjuhën amtare, ndonëse kanë lindur e po rriten në tokë të huaj, e ndjen se e ardhmja e artit tonë është e siguruar. E kjo falë punës së mësueseve të palodhura si Dhurata Tusha, e cila me aq dashuri e pasion i drejton fëmijët edhe gjatë koncertit. Dhurata është një grua e papërtuar dhe një aktiviste e mirënjohur në zonë, e cila ka merituar edhe votat e zgjedhësve shqiptarë e italianë dhe është zgjedhur anëtare e këshillit komunal në qytetin e bukur turistik të Meranos. Astu si edhe Ervin Ramalliu, që është zgjedhur anëtar këshilli në komunën ku banon në zonën e Pordenones. Ai ka bërë gati 300 kilometra rrugë bashkë me familjen e tij për të ardhur të ndjekë këtë koncert. Kur del në skenë me fashon tringjyrëshe përfaqësuese të institucionit italian ku bën pjesë, për të përshëndetur të pranishmit, përveç duartrokitjeve, një ndjenjë krenarie përshkon sallën.
Prezantuesit Mirela Tomazini, e cila është edhe zëri i Radios shqiptare në Bolzano dhe Ariel Tuci, i prezantojnë natyrshëm e me profesionalitet artistët që vijnë në skenë njëri pas tjetrit. Drejtuesi i shoqatës “Artisti” në Rovereto, Aleksandër Kolshi, i papërtuar si përherë, ndodhet ne pultin e komandimit dhe realizon video, të cilat pastaj i përpunon me mjeshtërinë e tij dhe ia servir publikut në portalin e shoqatës. Edhe mikja jonë, Vitore Bungu Melyshi, e cila ka ardhur me bashkëshortin që nga Alessandria, kërkon të përjetësojë në foto e në video çdo moment të këtij evenimenti.
Koncerti proçedon dhe publiku në sallë thuajse shkrihet me artistët në skenë, jo vetëm duke i vlerësuar e inkurajuar me duartrokitje, por edhe duke kënduar bashkë me ta. Kjo të mbush zemrën me gëzim, sepse publiku di të vlerësojë e të ngrejë në piedestalin e duhur artin e vërtetë. Del në skenë sopranoja e njohur Anila Hoxha Gjermeni, e cila ka ardhur që nga Milano. Me origjinë nga Tropoja, e formuar si artiste në shkollën e muzikës “Prenkë Jakova” në Shkodër, pastaj në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe Akademinë pranë teatrit të famshëm “La Scala” të Milanos, ajo është një këngëtare me aftësi e cilësi të larta interpretuese, e cila kalon me lehtësi nga ariet më të njohura të operave të lirikës italiane, tek jaret shkodrane e këngët popullore të të gjitha krahinave shqiptare.
Në interpretimin virtuoz të këngës “Baresha” na u duk se e solli të gjallë në skenë të madhen dhe të pavdekshmen Nexhmije Pagarusha. Pastaj në potpurinë e këngëve shkodrane ndiemë sikur na solli copëza nga bahçet e kopshtijet të mbushura me lulet karakteristike të atij qyteti. Nuk arrij ta kuptoj se si shumë shoqata shqiptare në Itali vrapojnë pas disa këngëtarëve të tallavasë, të cilët kërkojnë mijëra euro për të interpretuar 3-4 këngë, që janë shpesh në kufijtë e banalitetit apo me një shkëlqim kallaji, kur kanë në Itali një këngëtare që di të sjellë artin e vërtetë dhe arin e kulluar të kulturës sonë popullore.
Grupi i burrave i ansamblit “Zani i Arbnit” është tronditës në interpretimin e këngës “Për liri s’të fal shqiptari”.
Ky grup ka në repertorin e vet këngë të njohura të kënduara nga ansambli “Mirdita”, por edhe këngë të reja, të krijuara nga anëtarët e grupit si Gjon Melyshi, Anton Mirditori e të tjerë. Ata, pas punës mblidhen shpesh bashkë herë pas here për të bërë prova, për të harmonizuar sa më mirë zërat e tyre, duke ngritur në nivele gjithnjë e më të larta artistike shkallën e interpretimit. Pinjolli i bajraktarit të Kthellës, sipërmarrësi shqiptar Gjon Melyshi, tregohet po aq epik e burrëror në këngën që këndon me lahutë. Këngëtarja me origjinë nga Proseku, Arinda Gjoni, është një bombë energjike në interpretimet e saj. Ajo ka ditur të përpunojë me mjeshtëri këngën e njohur folklorike “O, kce moj çikë” duke e nisur me një prelud rep e duke i dhënë një ritëm bashkëkohor, çka jo vetëm nuk e ka shpërfytyruar këngën dhe natyrën e saj folklorike, por e ka afruar më shumë me kohën dhe e ka bërë të pëlqyeshme edhe për brezin e ri të sotëm. Kurse në interpretimin e këngës “Kuq e zi”, ajo elektrizon sallën dhe skenën me zërin dhe lëvizjet e saj skenike, aq sa në një moment e përkulur përpara tupanit, të duket sikur ajo do ta çajë lëkurën e instrumentit, të hyjë nga njëra anë e pastaj të dalë nga ana tjetër me një tingull e vrull të ri e më të fortë.
Delikate dhe e natyrshme Bardhe Gega në interpretimin e këngëve të bukura popullore të Mirditës, energjik, i fuqishëm e premtues këngëtari i ri 25-vjeçar Rolando Mesuli, që di ta zotërojë skenën pavarësisht moshës së tij të re, virtuoz e me origjinalitet të spikatur i mirënjohuri Gjovalin Prroni në këngët me karakter të thellë epik shqiptar. Kosta Bonshi ngjall simpati në publik me interpretimin e këngëve të “Shqipërisë së mesme”, sidomos me këngën “Ma ka prishë mendjen komshija”.
Moza, që e kam pranë, ndjek me emocion të veçantë këngët e krahinës sime dhe kjo më jep shumë kënaqësi. Në një moment, tek duartroket me zjarr këngëtarët me tirq, xhamadana e çifteli në dorë, më thotë: “Sonte e ndjej akoma më shumë veten nuse Mirdite”. Në krahun tjetër kemi mikun, adashin dhe kolegun e dashur Ndue Shabaku me bashkëshorten Mariana. Ai, përveçse ndjek me shumë vëmendje programin, mban herë pas here edhe shënime në bllokun e tij. Në një çast më pyet: Ti do të shkruash reportazh, që unë të di të shkruaj diçka tjetër pa përsëritur njëri tjetrin?…Pa merak, miku im. Ne jemi si dy shinat e së njëjtës hekurudhë, që nuk takohen, por mbartin e propagandojnë trenin e vlerave të vërteta të artit e të kulturës sonë.
Koha kalon pa u ndjerë në koncert, pastaj gjithë artistët dalin sëbashku në skenë e publiku i duartroket sërish. Dritat e sallës ndizen e publiku nuk lëviz nga vendi. Përshëndesin organizatori Gegë Tuci dhe miku nga Amerika Albert Arapi.
Ky intelektual me pasione të hershme për sportin, pikturën, muzikën etj. Ka një përvojë tlë madhe jetësore. Duke emigruar në fillim në Itali e pastaj në Greqi, ai është shquar edhe në organizimin e shoqatave shqiptare në shërbim të kulturës kombëtare.Tani në Amerikë, në qytetin ku jeton, Alberti ka krijuar e drejton shoqatën “Mirdita”, duke shpënë një copëz Mirditë në atë qytet amerikan, ku ka bashkuar mjaft bashkëpatriotë me të cilët kontribuojnë e investojnë për artin kombëtar. Pastaj spektatorët shkrihen me artistët, duke bërë foto e video me ta. Janë emocione të bukura që vazhdojnë gjer afër mesnatës. Ata largohen drejt shtëpive duke marrë me vete shkëlqimin e margaritarëve të artit mirditor, që i dhanë një dritë të re kësaj mbrëmjeje në Bolzanon italiane.
Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu