Prej disa ditësh tashmë, Kina ka vendosur të tregojë forcën e saj ushtarake, duke organizuar një panair armësh, ku janë prezantuar disa nga risitë më të rëndësishme në fushën e armëve dhe kapaciteteve luftarake të vendit.
Një vend nderi në panair mbanin rreth 110 armë të ndryshme, si pushkë e pistoleta, snajper apo mitraloza, të cilat janë pjesë të një serie të re armësh, të prodhuara së fundmi nga Kina.
Sipas medias shtetërore kineze, këto modele të reja, të quajtura “Tip 20”, janë më të lehta, rrojnë më gjatë dhe mund të përdoren më lehtësisht në operacione speciale. Sipas ekspertëve, Kina është bërë mjaft konkurruese në prodhimin e pushkëve dhe armëve të tjera moderne, duke kapur pjesë të rëndësishme tregu.
Gjatë panairit të madh u shfaq edhe avioni gjigant YY-20, i prodhuar nga një skuadër inxhinierësh të Ushtrisë Popullore Kineze. Pavarësisht masës së madhe, avioni është tepër i shkathët në manovrimet në ajër dhe uljet e ngritjet nga pista.
Gjithashtu në panair u prezantuan edhe disa avionë luftarakë më të vegjël, model J-16, të cilët dolën para publikut për herë të parë. Sipas vetë kinezëve, këta avionë janë në gjendje të mbajnë sasi të mëdha armatimesh në bord dhe t’i transportojnë me shpejtësi në zonat e luftës.
Panairi i armëve dhe mjeteve luftarake mbahet në datat 8-13 nëntor në Zhuhai, një qytet në provincën jugore Guangdong. Aty prezantuan edhe makineri të rënda ushtarake, dronë prodhim kinez GJ-2, sisteme kundërajrore të projektuar specifikisht për të luftuar dronët dhe shumë pajisje të tjera teknologjike.