Analisti Baton Haxhiu është përfolur si një nga personazhet më të afërt me kryeministrin Edi Rama, jo vetëm në aspektin mediatik dhe propagandistik, por edhe në atë financiar. Të dhënat e publikuara nga media të ndryshme hedhin dritë mbi një rrjet pagesash marramendëse, që përfshijnë jo vetëm vetë Baton Haxhiun, por edhe familjarët e tij. Sipas databazës së pagave të janarit 2021, Baton Haxhiu rezulton të ketë marrë një pagesë mujore prej 1 797 317 lekësh të reja (rreth 18 milionë të vjetra) si “drejtor marketingu” në Spitalin Amerikan.
Kjo shumë e bën atë një nga figurat më të paguara në Ballkan, madje edhe në Evropë, për një pozicion të tillë. Për krahasim, kjo shumë është më e lartë se sa rroga mujore e vetë drejtorit të këtij spitali. Skandali merr një dimension tjetër kur në media shpërtheu lajmi se Andi Haxhiu, djali i Baton Haxhiut, është punësuar në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH) dhe paguhet nga fondi sekret me rreth 6 mijë euro në muaj. Ndërkohë, Baton Haxhiu ka marrë miliona dhe nga inceneratorët.
Bëhet fjalë për pagesa të kryera nga kompanitë e inceneratorëve, për “Albanian Post”, që administrohet nga Baton Haxhiu. Analisti kishte një kontratë prej 4400 euro/muaj, e cila shkonte 26.400 euro në 6 muaj. Sipas kontratës nga 1 shkurti deri në 1 gusht 2021 periudhë që përkon me komisionin hetimor si dhe zgjedhjet Baton Haxhiu do paguhet për median e tij 442.800 lekë në muaj për një reklamë në web-in e tij thuajse anonim. Pra kur borderotë e shtetit përfundojnë në xhepat e analistëve dhe familjarëve të tyre, dhe kur inceneratorët paguajnë reklamë në portale që ndihmojnë propagandën qeveritare, atëherë kemi përballë një sistem të sëmurë. Edi Rama nuk paguan vetëm me tendera, ai blen bindje dhe heshtje. Dhe Baton Haxhiu është simboli më i qartë i kësaj skeme. /Gazeta “Sot”