Një bidon bosh peshon më shumë se një ligj

0

Shkruan Frrok Çupi

Përditë ju ka ndodhur, dhe përditë keni ikur me frikë. Pse bëjmë sikur ‘haj mo’? Ju ka ndodhur që vini rrotull e rrotull dhe nuk mund të parkoni makinën. Në vendet për parkim të lirë janë vënë bidonë bosh; të gjithë i bien rrotull pallatit por bidonin nuk e prekin.

Edhe policët vijnë vërdallë, por bidonin e mitizojnë.

Në makinat e zeza e të rënda që i vijnë vërdallë bidonit, me siguri brenda tyre ka edhe armë ose drogë. Të zotët e makinave që ulin kokën para bidonit bosh, mbahen për trima. Dhe janë aq trima saqë qëllojnë me armë mbi njerëz; ose janë aq trima sa hyjnë në tregun e tmerrshëm të drogës dhe të përleshen me bandat.

Por jo të prekin bidonin bosh, që është e drejta e ligjshme.  Bidoni është i vërtetë, siç mund të jetë një karrige me tre këmbë, ose një thes me inerte, ose një biçikletë që zë hapësirën sa për një makinë…, por në këtë rast po e marrim si balancë me ligjin. Bidoni është gjëja më bosh e gjithë çështjes me ligjin. Anti- ligji respektohet më shumë se ligji.

Kjo është tragjedia.

Çfarë po ndodh tani?

Sapo ka nxjerrë kokën ideja ose drafti për një Kod të ri Penal. Menjëherë u ngritën të gjithë ( më duket se të gjithë) kundër. Drafti thonë se është ‘i shëmtuar’. Po, sigurisht, mund të jetë. Por a na duhet Kodi, sepse ky nuk është ende ‘kod’? A na duhet të kemi ligj, apo të kemi ‘bidon’?, kjo është çështja. Këta nuk duan ligjin, ky është thelbi. Disa vijnë me mendimin se ‘sot bidonin ti, nesër unë’. Domethënë siç ecën për disa dekada pas viteve ’90: ‘Sot e marr këstin te Sudja unë, nesër e merr ti! Bëjmë si bëjmë mes nesh!’. Thonë se atëherë ‘pinim birra gjithë ditën së bashku’.

Ose njëri mbjell kanabis e tjetri e tregton; në fund të fundit balancohen. Sot e zë rrugën njëri, nesër e zë tjetri…, në lagjen time ku ndodhen dy rrugë të ngushta paralele, njërën e kanë kthyer në parkim, sepse ‘mjafton njëra rrugë, ç’i do të dyja’.

Në ‘Theth’ thonë se ‘do të qeverisen me Kanunin e Lekës’. Sipas Kanunit janë ‘zgjidhur’ hasmëritë: ‘Sot të vras unë, nesër më vret ti!’, me radhë. Hasmit janë njëri këtu, tjetri në Dubai. Të korruptuarit e mëdhenj të vendit nuk paraqiten para Drejtësisë. Ose edhe kur paraqiten, marrin me vete turma njerëzish si mburojë. Këta të mburojës mishtore nuk nënshkruajnë deklaratën se ‘këtë të zezë po ia bëjmë shumicës’. Secili nga zyrtarët e lartë mund të shesë e blejë interesat e vendit, siç ka ndodhur vite të shkuar, por nuk ka ligj. Nuk ka ligj për hapjen e çështjeve të ‘vjetra’ ku janë vrarë qindra e disa mijëra shqiptarë; ku është kryer krimi shtetëror, ku është kryer korrupsion i madh. Prokurori i Përgjithshëm tha se ‘me këtë Kod të ri’ mund të rihapen çështjet e vjetra penale.

Shumica tjetër e ‘njerëzve të ligjit’ thonë se ‘ishim mirë me kodin e vjetër’. Si me bidonin bosh; bidoni mbytet në pluhur por një parking do ta gjesh në rrugë edhe pas një jave. Kodi i vjetër u kthye jo në mur të lartë, por në një ‘gardh me njëmijë vrima’, nga ku kaluan dinozaurët që shkaktuan luftën civile 1997, grusht shteti në vitin 1998, dhunën mbi zgjedhje dhe opozitë- 1996; thyerjen e embargos së OKB për armë dhe naftë; skemat mashtruese piramidale; vrasjet në oborrin e kryeministrisë; djegien e 26 njerëzve në Gërdec; përdorimin e qeverisë si leckë ku fshiheshin b… e familjes së kryeministrisë me 19 kulla… Nëpër këtë gardh ka hyrë e dal fajtori i madh pa u paraqitur asnjë ditë para Drejtësisë.

Me atë kod, pa ligje, e keqja, krimi e korrupsioni i kanë hipur në kokë qytetarisë së vendit.

A vlen më shumë ‘bidoni bosh;’ se sa ligji? Edhe kur ligji është më i fortë, vlen mijëra herë më shumë se vetëgjyqësia. Ku ka ligj, aty ka pafajësi për njeriun. Pse bëjnë sikur tremben të zotët e bidonëve?

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu