Gazetaret e Lajmi.net, Fjolla Hyseni dhe Lindita Berisha janë sulmuar sot fizikisht nga një çift në Rrugën C të kryeqytetit
Në disa pamje shqetësuese të publikuara nga mediumi, shihet se si një grua dhe një burrë i sulmojnë gazetaret dhe tentojnë që t’ia ndalojnë xhirimin.
Krejt kjo sipas mediumit, pasi që taksi në të cilin ndodheshin gazetaret ua kishte bllokuar rrugën atyre, dhe të njëjtit kishin filluar që ta sulmonin fizikisht taksistin.
Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, sulmi fizik ndaj gazetareve Hyseni dhe Berisha është tejet shqetësues, i papranueshëm dhe kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve.
Gazetaret dhe mediumi tashmë e kanë paraqitur rastin në Policinë e Kosovës, dhe AGK-ja e fton Policinë dhe Prokurorinë që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë urgjente, për të adresuar sulmin që ka ndodhur.