Një dosje kompromentuese për Yuri Kim

0

Shkruan Sokol Pepushaj 

Ka rreth dy muaj që nëpër fshat, antiamerikanët kërkojnë një “thesar” të madh. Nuk dihet se që kur, njëfarë Sali Berishe, paska fshehur një dosje të diplomates amerikane. Janë hapur foltore e televizione, ku lajmi jo vetëm mbahet i gjallë si shpresa, por edhe ligjerohen ligjërata anti perëndimore.

Po, këtej në fshatin tonë, gënjeshtra vishet me kostum e kollare të shtrenjta, merr poza burrërore, bëhet besim, lajm që futet pa trokitur në çdo familje, sa herë u intereson qeverisë, mafies dhe mediave që “vuajnë” nga shtylla kurrizore.

Po kaq muaj, dy, ka edhe një këmbë karrigeje kryeministrore e thyer. Për ta mbajtur larg vëmendjes këtë “aksident” qeveritar, nëpër studio plot robotë e reflekse dritash, mbështillet me zhele, shëmtohet e injorohet si gënjeshtër e Nastradin Hoxhës dhe Kimetes së tij, që ka parkuar gomarin tek bjeshka e Sali Berishës.

Thuhet gjithandej se qeveria i ka këmbët shëndoshë e mirë…

Gënjeshtra në ballë të lajmit dhe lajmi në ballë të të ashtuquajturve ‘hackerat iranianë’, përveç provokimeve dhe besë prerjeve, helmoi të parët ata që ishin afër.

Ne lëshuam kushtrimin, mos u besoni këtyre lajmeve, nuk janë ‘hackerat iranianë’ këta, por Qytetari Digjital që hedh valle në ‘gojë të ujkut’.

Sapo malet u rënduan e mbështetën kokën mbi hashash, sapo hajdutët u qelbën dhe tërë fshati nisi të mbyll hundët, Olta Xhaçka mori shaminë e nisi vajtimin:

Allah, Allah, na duhet kreu i SPAK-ut, forcimi i besimit dhe autoriteti i ligjit, por ç’ti bëjmë asaj dosjes që na detyron të përshpejtojmë procedurat për zëvendësimin e diplomates amerikane.

Ç’ka ministrja që flet përçart?

Asgjë të veçantë. Është si gjithë ekipi anti-amerikane, hajdute, ‘mish për top’ për fjalë të shefit. Ajo nuk është ajo, është vetë Babloku.

Po diplomatja që e kanë futur në mes hackerat iranianë të Saliut dhe ata të Rilindjes, ç’është?

As ajo nuk është ajo, është Departamenti Amerikan i Shtetit.

Departamenti Amerikan me në një kokë aq të vogël?, tallen ata të Saliut dhe Edit.

Po, edhe pasuritë, me troje e fusha, male e miliona dollarë, në xhepat e vegjël të zyrtarëve i kemi, ngulim këmbë ne.

Në këto fërkime, as grupi i hackerave “Homeland Justice” nuk e suportuan mashtrimin e Sali Berishës dhe Edi Ramës. I thoni ik durimit. Deklaruan se mesazhet politike kundër SHBA-ve dhe ambasadores Yuri kim nuk janë të tyre, por të klonimeve.

E kush janë klonimet, maskat që detyrojnë edhe hackerat e vërtetë të ftillohen në gënjeshtrat tona?  

Kush tjetër veç gënjeshtrës që vishet me kostum e kollare të shtrenjtë, merr poza burrërore, bëhet besim, lajm që futet pa trokitur në çdo familje, sa herë u intereson qeverisë, mafies dhe mediave zvarranike.

Për sot kaq mund të zdrukthojmë në shtatë lëkurët e Sali Berisha dhe Edi Ramës, pra, një gënjeshtër fshati, dhe lajmin e mirë se nuk ekziston asnjë dosje kompromentuese për Yuri Kim. / Pamfleti

 

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu