Një komb që po boshatiset në heshtje nga Edi Rama

0

Shkruan Artan Cena

Kjo është Shqipëria e cila pritet që të përjetojë valën e tretë të madhe të emigracionit në historinë e saj moderne që prej ardhjes së Edi Ramës në pushtet.

Pas largimeve masive të vitit 2014, kur qeveria e Edi Ramës futi në burgje njerëzit edhe për 10 mijë lekë të vjetra, erdhën largimet masive të viteve 2018-2019, kur Shqipëria u kthyer në një narkoshtet dhe hapësirë gjetën vetëm trafikantët dhe të korruptuarit.

Por nën qeverisjen e Edi Ramës, mijëra shqiptarë po largohen çdo vit, duke lënë pas një vend që duket gjithnjë e më i shkretë.

Kjo nuk është thjesht statistikë. Është drama e përditshme e qindra familjeve që lënë gjithçka pas, shtëpitë, pasuritë, njerëzit e dashur dhe marrin rrugët e emigracionit për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë Shqipërisë.

E kjo ndodh në një kohë kur Edi Rama promovon imazhin e një Shqipërie që ‘rilind’, por realiteti në terren është krejt ndryshe. Në vend të shohim investime që hapin vende pune dhe rrisin cilësinë e jetesës, shohim largime masive, varfëri të përhapur dhe mungesë të thellë perspektive për të rinjtë.

Në vend që të pranojë dështimin, Rama vazhdon retorikën boshe të ‘shtetit që po ecën përpara’, ndërkohë që vendi po boshatiset nën sytë e të gjithëve.

E shumë pyesin se, pse po ikin shqiptarët?

Arsyet janë të qarta dhe nuk i fsheh dot as propaganda më e sofistikuar:

Varfëria dhe papunësia kronike: Shqiptarët po largohen sepse këtu nuk arrijnë të sigurojnë jetesën bazë. Të rinjtë nuk gjejnë punë, ndërsa ata që punojnë, paguhen në kufijtë e mjerimit.

Korrupsioni si mënyrë jetese: Qeveria e ka kthyer korrupsionin në normë. Pa njohje, pa ryshfet, pa servilizëm ndaj pushtetit, asgjë nuk ecën.

Mungesë shprese dhe besimi: Shqiptarët kanë humbur besimin se gjërat do të ndryshojnë. Sot, ikja është forma më e fortë e protestës që ata kanë në dispozicion.

Një prej pasqyrave më të trishta të kësaj situate është emigracioni i paligjshëm drejt Britanisë së Madhe. Pamjet e shqiptarëve që rrezikojnë jetën nëpër varka të vogla për të kaluar Kanalin e La Manshit janë një aktakuzë e rëndë ndaj qeverisë Rama. Nuk ikin për luks, por për mbijetesë.

Edi Rama mundohet ta relativizojë këtë ikje masive, duke e justifikuar me ‘dëshirën për të lëvizur si gjithë europianët’. Por ky është një mashtrim i ulët. E vërteta është se shqiptarët nuk po lëvizin për kureshtje apo aventura, por po largohen sepse Shqipëria e Ramës nuk u ofron asnjë të ardhme.

Nëse ky trend vazhdon, Shqipëria po kthehet në një ‘territor të boshatisur’, ku mbeten vetëm oligarkët, pushtetarët dhe propaganda e tyre e zbrazët.

Eksodi i e tretë e shqiptarëve është realiteti më brutal që tregon dështimin e modelit të Edi Ramës. Është një referendum i heshtur kundër një qeverisjeje që ka preferuar të zbukurojë fasadat dhe të boshatisë përmbajtjen.

Nëse nuk ndalet kjo hemorragji njerëzore, shumë shpejt Shqipëria do të jetë thjesht një hapësirë gjeografike, por pa shqiptarë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu