Nr. 23 i gazetës në print

0
Kokaweb
Doktor Golletti Baffa… arbëreshi i madh…

Vëllezërit arbëresh të Italisë, të mërguar para pesë shekujsh, ruajn traditat, zakonet dhe kulturën nacionale në mënyrën më shembullore dhe më të përkryer. Ky faktor ka të bëjë shumë edhe me kulturën dhe tolerancën e popullit Italian, i cili padyshim është ndër popujt “monumentalë” të kulturës botërore, madhështinë e së cilës e manifestoi me “Rilindjen Europiane” duke i dhuruar kontinentit “plak”, dhe mbarë botës korifej, si: Mikel Anxhelon, Leonardo Davinçin, Rafaelin e të tjerë, veprat e të cilëve mbeten monumente të pavdekshme të kulturës botërore, për të gjitha kohërat.

Siç e theksuam më lart, Arbëreshët (prijësit dhe bujarët më të spikatur të Arbërisë), mbas pushtimit osman, mërguan në brigjet perëndimore të Adriatikut ku u akomoduan kryesisht në Italinë e Jugut. Ata, me një intuitë të admirueshme iu përshtatën kushteve dhe kulturës Italiane, pa u shkëputur asnjëherë nga tabani Elban, duke ruajtur me koshiencë dhe ndërgjegje të lartë, gjuhën amtare dhe zakonet dhe traditat më të shkëlqyera të trashëguara në shekuj, nga paraardhësit Ilirë, zotërues të Adriatikut lindor për të gjatë gjithë bregdetit Dalmatin, e një pjesë të mirë të Detit Jon. Nga vatrat e zjarrta të patriotizmit Arbëresh, u lindën kolosë të Letërsisë Italiane, ku mund të veçojmë Seremben dhe De Radën e madh e sa e sa intelektualë të tjerë që shkëlqyen në çdo fushë të Artit, Kulturës dhe Shkencës.

Pa asnjë dyshim, vargjet Deradiane janë paraprirëse të Letërsisë Shqipe, dhe Historiografia Shqiptare duhet të ndriçojë më shumë mbi këtë figurë, që nëpërmjet vargjeve aq të goditura, ka ditur të skalitë fytyrën e vërtetë të Arbërit, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të krahasohet vepra madhore e “Millosaut” me betejat arabe të Hasan Zyko Kamberit… Në këtë mjedis të shëndetshëm, me “mish” e “gjak” Arbërit, do të rritej edhe Vinçenco Golletti Baffa, si studiues i thellë në fushat e filozofisë, historisë, gjuhësisë dhe kulturës, me shpirtin e paanshëm të shkencëtarit të vërtetë: Bagazhi i pasur i dijeve dhe përpjekja këmbëngulëse e paraqesin atë edhe si një analist të shquar. Këto aftësi dhe mendime profetike i shfaqi në mënyrë të veçantë gjatë ngjarjeve tragjike të Kosovës. Duke u mbështetur mbi lajmet dhe informatat e ndryshme që vinin nga vetë vendet ku zhvilloheshin ngarjet si Prishtina, dhe masmediat ndërkombëtare, Doktor Golletti, me një vështrim të mprehtë mendor, demaskon me themel planet djallëzore të Millosheviçit, që me gjak shqiptari e me plumba e barot serbi, mundohej të dehte e të nxiste serbomëdhenjtë me idetë utopike, se Kosova na qenka pjesë e pandarë e “Stara Serbisë”, bile djepi i saj!… Anti – Shqiptarizmi dhe antikultura qëndrojnë në bazë të veprimeve sa monstruoze aq edhe kriminale të këtij farë Millosheviçi, shprehet Dr. i nderuar Baffa. “Vetëm barbari feudal dhe jo socialisti, shprishë demonstratat me qerre lufte të armatosura, helikopterë e aeroplanë, dhe vret demonstruesit si mizat”! I revoltuar nga këto veprime kriminale të shkallës së krimeve kundër njerëzimit që ushtroheshin kundër vëllezërve kosovarë, Dr. Golletti ngriti zërin në forumet ndërkombëtare dhe kancelaritë e Europës dhe përtej oqeaneve, të cilët nga njëra anë kishin shpallur botërisht me anën e “Kartës së Kombeve të Bashkuara” se çdo popull ka të drejtë të zgjedhë fatin e vet, kur nga ana tjetër, qëndronte i palëvizur, dhe i ftohtë ndaj një genocidi që i bëhej para syve.

Me këtë vrull publicistik, Doktori Arbëresh lëshonte një paralajmërim më të rreptë: Diktatori Sllobodan po bëhej gati të ndërmerrte një genocid të përmasave më të mëdha, një genocid asgjësues i të gjitha të drejtave materiale e shpirtërore të shqiptarëve të Kosovës.

Ai i bënte thirrje opinionit ndërkombëtar dhe të gjithë njerëzimit që të ndalonte këtë sulm antinjerëzor, i cili përveç synimit për të mos shkatërruar nacionalitetin shqiptar, synonte për të katandisur si mos më keq vetë popullin serb, me atë propagandë të shfrenuar antishqiptare, që përveç synimit për të shkatërruar nacionalitetin shqiptar, ai arrinte me një paranoizëm dhe surrealizëm politik e historik në një çmenduri të vërtetë! Dr. Golletti, shprehimisht shkruan: “Okupatorin Serb, historia e judikon si të egër, të lig, të keq, barbar e racist”.

Ndërsa koha kalonte, sjelljet barbare nuk ndryshonin nga ato të më parshmet, 100. 000 viktimat e Kosovës së 1999, kërkonin shpagim.

Ku u mbështet Millosheviçi për të zbatuar të tilla plane të kobshme kundër popullatës së pambrojtur të shqiptarëve të Kosovës! Hordhitë Serbe paramilitare dhe ushtarake prisnin kokat e pleqve e të fëmijëve. Ndërsa nga ana tjetër në ekranet e TV Millosheviçi krekosej si engjulli mbrojtës e shpëtimtar i Serbëve. Me buzëqeshje satanike ai përcillte e nxiste ushtrinë barbare për të djegur, vrarë, therur, mbytur e masakruar burrat e gratë shqiptare, pleqtë e plakat, të rinjtë e të rejat, fëmijët e foshnjat në djep. Nuk kursehej kjo hordhi kriminelësh të përdhunonte me forcë brutale e kafshërore femrat Arbërore.

Ç’donin të thonin ata tre gishta që ngriheshin lart në shenjë fitoreje që simbolizonin fanatizmin më të shfrenuar të ortodoksizmit serb?

Paradoksi i kalonte përmasat e arsyes! Nga njëra anë vrit e prit, nga ana tjetër lutu e bëj kryq! Pastaj në kulmin e krimeve të tyre shtazore, mbasi ishin dahur me gjakun e rrënkimin, shkonin të argëtoheshin në diskoteka! Makabriteti është i përbashkët për të gjithë ata që mbajnë emrin famëkeq – diktatorë. Doktor Golletti thekson: “Shumë ndër nazistët Gjermanë që vranë me mijëra e mijëra njerëz të pafajshëm, dukeshin të mirë dhe interesoheshin me pasion të sinqertë për muzikën klasike…” Me rastin e Serbëve, Millosheviçi nuk paraqitej ndër salla balloje e koncertesh, por qëndronte pranë tryezës presidenciale, ku spikaste një tufë me lule të freskëta, ndoshta të sjellura nga Kosova!

Profesorit të shquar Arbëresh nuk i ikin këto analogji të çuditshme, siç është vetë analogjia e strukturës diktatoriale të sistemeve totalitare, nazi – fashiste, komuniste, sisteme me një emërues të përbashkët – terrorin.

Doktor Galletti Baffa, në ngjarjet në Kosovë (1981) do të shkruante: “Bashkimi dhe çlirimi i Kosovës sot nuk është i mundur. Ai do të mund të bëhet vetëm kur të përmirësohet situata botërore, atëhere do të bëhet edhe ribashkimi i Gjermanisë së Bonit me Gjermaninë Lindore. Një gjykim dhe profeci e saktë që gjeti realizimin konkret në fazën e shembjes së Murit të Berlinit.

Si përfundim, mund të shprehemi se Doktor Golletti është vazhdues konsekuent i Letërsisë, Artit dhe Kulturës Arbëreshe.

Mbrojtës dhe “Avokat” ndër më të mëdhenjtë e çështjes Kosovare, dhe asaj mbarë Kombëtare, duke shfaqur vlera të mëdha dhe të gjithanshme, dhe kapacitet të lartë në të gjitha sferat dhe analet ndërkombëtare, me një vërtetësi absolute historike dhe shkencore. Një punëtor i palodhur që i përkushtohet çështjes të përgjithshme Kombëtare dhe që përpiqet të ringjalle pathosin patriotik të arbëreshëve nëpërmjet kultivimit të kulturës e sidomos të Letërsisë Arbëreshe dhe në gjuhën shqipe.

Ai është këmbëngulës në ruajtjen e veçorive gjuhësore të tri formave letrare shqiptare: Gegërishte, Toskërishte e Arbërishte. Ai përkrahë dhe ndihmon botime të ndryshme letrare, historike e kulturore me përmbajtje të shëndoshë shqiptarizmi. Në suazën e kësaj veprimtarie, artikuj me korespodencë nga Kosova na e përforcojnë bindjen se Profesori i nderuar Arbëresh, nuk i shmanget debatit politik, ku vlerësimet dhe parashikimet e tija rezultojnë të shprehura me frymë analitike të thelluara dhe objektive, gjë që lejon që mendimet që jep të gjejnë konformimin e tyre, siç e tregojnë ngjarjet tragjike në Kosovë, të cilat i hapën rrugë realizimit të aspiratës madhore dhe realizimit të atij qëllimi të lartë për të cilin populli shqiptar i Kosovës derdhi lumenj gjaku. Profesor Golletti është dëshmia më e gjallë dhe elementi më i prekshëm i përkushtimit të Arbëreshëve në mbrojtjen e trojeve të stërgjyshërve. Dëshmi dhe faktor determinant i ruajtjes së elementeve më pozitive të traditës atdhetashëse, mëkuar nga krye Prijësi Legjendar i pavdekshmi dhe i papërsëritshmi Heroi ynë Nacional, dhe mbrojtësi i kulturës dhe Krishtërimit Europian – Gjergj Kastrioti.

Prof. Golletti, na shfaqet si në “Feniks” për të kujtuar të kaluarën e lavdishme të stërgjyshërve krenarë, dhe për të mbetur në përjetësi shëmbëlltyrë e gjallë e tyre, duke përballuar me sukses të gjitha sfidat e kohës, me besim e bindje të plotë se jemi pjesë e pandarë e kontinentit Europian dhe padyshim ndër pjesët më vitale të tij.

Dr. Baffa, siç e thamë më lart, zotëron një kulturë të gjërë: Ai është diplomuar në Romë e në Perugia, ku ishte specializuar për gjuhët e vjetra (Latinishten e Greqishten), zotëron në mënyrë të shkëlqyer Frëngjishten. Në Romë është lauruar në Fakultetin e Filozofisë, ku thellohet në lëmin e historisë dhe në atë të gjuhës Shqipe.

Në atë periudhë njihet me Profesor Ernest Koliqin, që lë gjurmë të rëndësishme në formimin e tij. Jep mësim në disa shkolla Italiane, pastaj transferohet në Gjermani, ku punon pranë Shkollës së Lartë Pedagogjike të Universitetit të Frankfurtit dhe të Haidelbergut. Ai afirmohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj e më të plotë të Arbërisë, duke ngritur gjuhën Arbëreshe në nivel të lartë Letrar dhe Artistik. Studimet dhe shkrimet e tij të shumta janë përmbledhë në një Antologji që ka parë dy botime, në 1991 dhe 1995. prof. Golletti ka botuar disa libra kushtuar gjuhës Arbëreshe: “Alfabeti shqip i programuar” (1977), “Libri im i parë” (1979), “Libër këndimi i programuar” (1981), “Antologjia e shkurtuar” dhe “Gjuha jonë me hare” (1982).

Sot e kësaj dite ai merret me shkrime, botime, studime dhe vazhdon të mbajë leksione pranë Universiteteve të Gjermanisë, ndonëse i ka kaluar të 78 vjetët, punon me një “nxehtësi” rinore.

Dr. Golletti Baffa, mbet model i mishërimit dhe gjakut të kulluar të gurrës Arbëreshe, shembull intelektuali patriot.

Nga: Mark Bregu

Muc Koxha dëshmon për futbollin e lavdishëm shkodranë

Roli i Mucit tek ekipi shkodranë

Në ekip Muci ishte lider i padiskutueshëm për vite me radhë, mesfushor punëtor dhe inteligjent. Në çdo ekip dy, tre apo katër lojtarë janë bërthama rreth së cilës ngrihet dhe funksionon mekanizmi i gjithë skuadrës, prandajMuci vazhdimisht, gjatë gjithë karierës së tij disa vjeçare tek Vllaznia, në të cilën janë ndërruar disa breza lojtarësh ka qenë në udhëheqjen e ekipit drejt suksesit, në daljet nga situatat e vështira, ishte shembull i lojtarit serioz, tepër korrekt, i aftë psikologjikisht për të mos rënë viktimë e pasioneve instinktive në asnjë situatë të lojës.

Kur Muci ishte në formë të mirë, Vllaznia luante mirë, kur Muci nuk ishte në fushë, apo kishte probleme fizike edhe Vllaznia çalonte, i mungonte elasiciteti dhe frymëmarrja. Muc Koxha ishte model i lojtarit shembullor, shok i mirë në ekip e në shoqëri, punëtor i palodhur dhe prind dhe familjar i shkëlqyer.

 

Tirana, kundërshtarja historike për të cilën kishte ago dhe nostalgji

Për arsye punësimi nga fundi i viteve 1939 – 1943 Muci gjendet në Tiranë dhe megjithëse aktivitetet sportive kombëtare pothuaj ishin shënuar si rezultat i luftës së përbotëshme që vazhdonte, prapë se prapë Koxhaj krahas punës që bënte nuk u shkëput nga futbolli as në Tiranë, por filloi të aktivizohet në skuadrat e lagjeve të kryeqytetit që vazhdonin traditën e sfidave fubollistike me njëra – tjetrën. Në Tiranë u aktivizua me skuadrën Naim Frashëri dhe më vonë me Bankën e Napolit, Hasan Balla, Zyber Lisi, Ali Visha, Ndoc Mirdita, Xhavit Demberi, Rakip Myzeqari, Skënder Shkupi, Nush Qymyri, Fiqiri Tartari, Petrit Kamba, janë disa nga emrat më të spikatur të futbollit tiranas në ato vite, me një pjesë të të cilëve Muci luajti dy ndeshje në formacionin më kualitativ të SK Tiranës. Në mesin e vitit 1942 erdhi përnjë ndeshje, përfaqësuesja e Kosovës dhe luajti me përfaqësuesen e Tiranës. Kosovarët e humbën ndeshjen me rezultatin 2:0, krahas Mucit si portier luajti edhe shkodrani tjetër Halit Lacaj që edhe ai punonte në Bankën e Tiranës në atë periudhë. Po atë vit skuadra përfaqësuese e Tiranës zhvilloi një ndeshje tjetër miqësore me qytetin e Strugës dhe përsëri Tirana fitoi me rezultatin 6:0. Rexhep Spahiu, Teudor Hanxheri e Muc Koxhja qenë treshja më e mirë e 22 lojtarëve në fushë. Muci nuk e fshihte simpatinë që kishte për ekipin e Tiranës dhe dëshirën dhe egon e madhe për ta mundur e për t’i kthyer revanshet. Tirana ishte kampjonia e parë e Shqipërisë dhe që nga viti 1930 e në vazhdim rivalja historike e Vllaznisë, aq sa shtypi më i hershëm sportiv i asaj kohe shkruante në krye tituj Pionierët e futbollit (Tirana dhe Shkodra). Tirana vitin që u shpall kampjone e parë e vendit njohu vetëm në humbje dhe këtë ia shkaktoi Bashkimi Shkodran 2:3, e njëjta gjë do të përsëritej edhe një vit më pas ku SK Tirana do të fitonte përsëri titullin por do të mundej brenda në Tiranë nga shkodranët me rezultatin 0:1. Madje në 33-shin përsëri Shkodra i rrëmben Tiranës fitoret e të dy takimeve direkte 0:1 dhe 2:1 dhe kështu dukej sikur revizohej një alternativë pa përgjigje.

Kush është më mirë kampjonia apo fituesja e përhershme e takimeve direkte me të.

 

Vllaznia e çvirgjëroi Tiranën

Ishte kampjonati i vitit 1936, Tirana kryesonte në mënyrë spektakolare me rezultate disa herë edhe tenistike, si me Dragojn e Pogradecit 5:0, me Bashkimin e Elbasanit 3:0, me Kavajën 3:0, me Skënderbeun e Korçës 5:0, dhe i vinte radha të ndeshej në Shkodër me Vllazninë e qytetit ku lindi futbolli. Gazeta Sporti shkruante në kryetitullin e saj “Nesër në Shkodër ndeshen titanët e klasifikimit të SK Tiranës me Vllazninë”. SK Tirana ngjitet në Shkodër pas katër fitimeve të bujshme, mbas një loje gjithë forcë e teknikë, gjithë gjallëri e elegancë, me një golavarazh fantastik 16:0 dhe me një portë të pa prekur, vajzë të mrekullueshme nga bukuria, zemrën e së cilës nuk mundën ta bëjnë për vete as djemtë më pelivanë deri me tre shute e me tre penallti. Kampjonët në Shkodër së bashku me titullin do të përpiqen të ruajnë edhe virgjërinë e portës së tyre.

Po çka edhe shkodranët nuk janë mundur deri më sot kërkund, përkundrazi kanë shkuar duke fituar kudo edhe në Kavajë, lojtarët e Vllaznisë mendojnë të fitojnë e jo të dalin barabar, se edhe këta janë duke luajtur e msyer drejtë e në ballë titullin, e për më tepër duan t’i tregojnë Zibishtit të ri se deri më sot rrotull 6 vjetëve të kampjonateve s’ka portier që Shkodër Locja s’e ka detyruar ta nxjerrë topin nga rrjeta e vet. Sado e fortë që të jetë mbrojtja e kampjonëve, prapë se prapë shkodranët nuk duan të besojnë se vajza, ajo hyri e sportklubit ka për të mbetur pa u martuar, në Shkodër me ndonjë tip trimi syzi e vetullzi të ndonjë shkodrani. Tani sytë e popullit sportdashës do të drejtohen kësaj të diele nga fusha e Shkodrës, dhe prej andje presim përgjigjen e shumë pyetjeve që na brejnë ndërgjegjen. Shkodranët kollaj fort e ngatërrojnë fillin e pëlhurës epo u has sharra në gozhdë kapjonëve, e po fillon me këndue prapë kënga e vjetër. Korçartë rrah Shkodrën, Tirana rrah Korçën, por Shkodra rrah Tiranën. Pas këtij stili të përkryer gazetaresk made in Mazrreku, që sot nuk figuron te asnjë penë. Muc Koxhja jep përgjigjen e saktë të asaj që gazeta Sporti i asaj periudhe shtronte si pyetje në prag të asaj ndeshjeje të shumë pritur. Tiranasit nuk humbën në Shkodër, por porta tiranase për qime flokut, ishte fat i madh për ta që nuk u mundën, ndërsa porta tiranase u çvirgjërua jo me një por me dy gola të lojtarëve shkodranë.

 

SK 17 Nëntori përforcohet me Muc Koxhen, Loro Boriçin e Bimo Fakjen

Në vitin 1946 SK 17 Nëntori zhvilloi një turne miqësore në Bosnje-Hercegovinë me Zheljezhniçarin dhe Zenicën, pra siç shkruante shtypi i kohës tri ndeshje një fitore një barazim dhe një humbje ishte bilanci i këtij turneu të 17 Nëntorit të përforcuar me Boriçin, Koxhaj e Fakjen e Vllaznisë. Ja dhe formacioni i 17 Nëntorit të përforcuar: Jeremiq, Janku, Llambi, Fakja, Koxhaj, Spahiu, Parapani, Boletini, Boriçi, Bicaku, Bizhuta.

Ndeshja e parë me Zenicën përfundoi 2:1 për tiranasit, së pari kaluan në avantazh vendësit në fillimin e lojës së dytë, por pas 10 minutash barazon Bicaku, ndërsa në minutën e 35 Boriçi shënon golin e fitores për miqtë. Gazeta Sporti citon se fitorja e skuadrës sonë duhet të kishte qenë më e thellë por u duk kjartazi mungesa e marrëveshjes mes lojtarëve që shkaktoi humbjen e mjaft rasteve të sigurtë. Ndeshja e dytë me Zheljezhniçarin përfundoi 0:0, me tone kritike Sporti shprehej, ndoshta duhet të kishim fituar edhe mirë biles, sikur të mos kishin munguar provat mes lojtarëve dhe sidomos të dy shtyllave Boriçit e Bicakut që gjatë gjithë lojës nuk u kuptuan fare dfhe bane qi nji fitim i sigurtë të na ikte prej duarve. Ndërsa ndeshja e tretë po me Zheljezhniçarin e Sarjevës, ndeshje që u zhvillua nën ndriçimin e dritave elektrike që për atë kohë kujton Muci për ne ishte një mrekulli e pa shijuar kurë më parë, tiranasit thyhen me rezultatin 3:0.

Përsëri duke iu referuar shtypit të kohës me largimin e Bicakut i cili i vranë sy, dhe të Koxhjes që ishte plagosë rëndë në një duel ajror, skuadra jonë e lodhur me dy lojtarë mangut (atëhere nuk lejohej zëvendësimi i lojtarëve të dëmtuar), nuk mundi të zhvillojë dot një lojë të bukur, Boriçi i mbetur thjeshtë vetëm nuk mundte të bënte gjë, ndërsa porta e Jeremiqit u bë pelegrinazh i plot tre golave të hidhur.

 

Motet e mëdha 45 e 46

Titujt e këtyre viteve thotë Muc Koxha janë sadisfaksioni më i madh sportiv i jetës sime, krenaria më e madhe e nostalgjia më mbresëlënëse. Emocionet janë të justifikueshme, të cilat nuk i fsheh dot as sot pas 57 vitesh, dhe tek shfleton albumin e tij ndërmend i vijnë të gjithë shokët e bashkluftëtarët e arenës së gjelbërt të cilëve sikur ua ledhaton fotot plot mall duke pëshpëritur e thënë, rahmet pastë Bimoja, Lutfiu, Muhameti, dritë paçin Loroja, Doda, Preka, Pali, etj., dhe ndoshta e ndjen më shumë mungesën e tyre se peshën e rëndë të viteve që mbart mbi supe, dhe shton lus Zotin që pleqëria nuk më mundon, por tani që jam i vetmi që jetoj nga brezi im më duket vetja pa ta i vetmuar si Robinson Kruzo në ishullin e tij.

Në dy edicionet 45, 46, Muci ishte një ndër protagonistët e suksesit të madh, luajti padyshim të gjitha takimet duke mbajtur në krah shiritin e kapitenit, pra një kapiten i vërtetë i një ekipi absolutisht kampjon. Vllaznia e atyre viteve ishte një ekip luftarak me tipare krejtësisht sulmuese e pa përmbajtshme nga asnjë mbrojtje aq sa në kampjonatin e dytë shënoi 32 e pësoi vetëm 3 gola, bile Muci thotë do ta kishim mbyllur kampionatin vetëm me një gol të pësuar sikur të ishim paraqitur në Korçë. Në Korçë nuk u paraqitëm, jo pse e kishim të siguruar fitimin e titullit, por nuk patëm as mjet udhëtimi në gjendje pune, kështu humbëm dy pikë e pësuam dy gola aforfajt, por por në të vërtetë Vllaznia, në këtë kampjonat nuk njohëm as humbje as barazim, synimi ishte vetëm të pësonim sa më pak gola, kishim mbrojtje shumë të mirë, Dodën vigan dhe të papërkulur që shënoi një rekord që do të mbetet i pathyer gjithmonë në kampjonatet tona vetëm 3 gola e pësuar, që përveç Tahirit askush tjetër nuk mund ta përsërisë më këtë mrekulli. Një kapitull më vehte janë kujtimet për shokët dhe shoqërinë, si brenda e jashtë fushës së gjelbërt. Kishim shoqëri të pastër, kishim unitet, nuk dinim ç’janë hilet, hipokrizia as egozimi në shoqëri. Në ndeshjet transfertë shkonim si ansambël me fizarmonikë së cilës i binte Adem Smajli e Zyhdi Barbullushi, ndërsa këndonin për bukuri Xhelal Juka, Ademi e Dodë Tahiri. Ky këndonte edhe këngë shkodrane, edhe bënte bejta, duke u gjuajtur me thumba me Adem Smajlin, këndonte shumë bukur edhe këngët nashke duke thënë me shaka po këndoj për miqësinë Shqiptaro – Jugosllave.

Në qytetet që shkonim për të luajtur uleshim në kafe në qendër të qytetit dhe atynë kafe ia fillonim ehengut për disa orë, populli mblidhej grumbull me na pa dhe duke bërë shaka shtonin. Këta shkodrajt sonte këndojnë e bajnë aheng,  kurse nesër na rrahin e ikun, kësa or vëlla i thonë rrahje me muzikë, të njajtën gja banim gjatë kthimit vinim duke kënduar, për me i diftue popullit të Shkodrës se po ktheheshim me fitore.

 

Dy punë për një rrugë

Në 46 shkuam në Berat, fusha e futbollit ishte afër Osumit e lagët si moçalishte. Ne pa vonuar me një lojë të spikatur teknike që na karakterizonte shënuam 3, 4 gola, por beratasit filluan të luajnë shumë rëndë, sidomos mbrojtësi Pipivalle e dërmoi në shqelma e në faulla Boriçin synimi ishte i qartë ta nxirrte jashtë luftimit, atëherë thotë Muci e këshilloj Loron të tërhiqet në gjysëm mbrojtje apo në mbrojtje krejt dhe avancuam përpara Xhelal Jukën e Adem Smajlin, epërsia jonë ishte fatale për beratasit, porta e tyre u bë kosh basketbolli duke pësuar plot 9 gola, por prap beratasit sulmonin me ngulm për të shënuar të ashtuquajturin golin e nderit në një sulm të tyre plot rrezik drejt portës sonë topi niset në thellësi drejt zonës, sulmuesi beratasnë afërsi të 16 metërshit u gjend vetëm për vetëm me Tahirin i cili me hap të fuqishëm del nga zona e vet kërcen energjikisht duke e goditur topin me kokë sikur të ishte qendër mbrojtës, përpara se t’i binte me kokë hoqi kapelen nga koka, ishte në modë mbajtja e kapelave nga portierët dhe topi i goditur si me topus nga koka e Dodës me dy pasime fluturimthi arrin tek Xhelal Juka i cili vetëm me portierin beratas e kishte më lehtë ta fuste kuadrat se sa ta nxirrte jashtë. Doda me shpoti i thotë kuku për ty o qyqman, Xhelali i përgjigjet nuk e godita topin se ma nuve ti kur i re me kokë. Po u kthye nga Berati i morëm leje Federatës të shkonim në Gjirokastër të mos bënim dy rrugë brenda një jave, federata na lejoi, dizfavori ishte për ne që do të luanim dy ndeshje brenda 3 ditëve. Edhe në Gjirokastër fituam 9:0, kishim rast të shënonim edhe golin e dhjetë, por Prekë Gjeloshi ndërhyri si babush duke na thënë aman mos shënoni më tepër se do i mbesë hatri Gjirokastrës po i shënuam më shumë se Beratit, bile këta nuk po luajnë as me shqelma. Dy punë për një rrugë shkruante gazeta Sporti, rast unikal 18 gola pa pësuar asnjë në dy ndeshje brenda tre ditësh.

 

Si u njoha me Dodë Tahirin

Në vitin 1938 Shkodra u ndesh me Kotorrin, në Shkodër fituam 2:0, për të bërë ndeshjen e kthimit shkuam nga Tivari në Budva dhe pastaj dolëm në Kotorr ku edhe zhvilluam ndeshjen e kthimit e cila përfundoi 1:1 dhe normalisht meritonim fitoren. Gjatë kthimit u ndalëm në një lulishte në Cetine, ishte shumë vapë dhe u ndalëm të freskoheshim për pak çaste.

Ishim duke ndejtë kur vjen një djalosh vigan gjithë hare dhe i qeshur dhe na thotë tungjatjeta juaj o burrat e Shqypnisë, jam shqiptar prej Shkodre, jam portier i Cetinës, më vjen keq që barazuat se kishit mundësi ta fitonit ndeshjen. A më merrni mua portier se qebesa nuk kam me u turpnue, në krahasim me Ahmet Nutin që kishim portier Doda ishte sa dy herë ai. Trajnerët tonë Brahim Dizdari e Zef Hili i thonë hajde në Shkodër e të provojmë pas disa ditësh, Doda kthehet në Shqipëri, testimi i doli me shumë sukses, dhe ishte padyshim portieri më i shkëlqyer i kohës së tij. Në atë kohë nuk kishim autobuz, por udhëtimin e bënim me dy makina të vogla, unë, Doda e Adem Smajli shkonim gjithmonë në një makinë të vockël, shprehet Muc Koxha. Doda e Ademi bënin shaka gjatë gjithë rrugës dhe na kalonin rrugën pa e ndier fare. Doda ishte i gjatë e duke ndejtë mbledhur në atë makinë të vogël i mpiheshin këmbët, Doda i thoshte Ademit ta shtrij pak këmbën në drejtim tënd se mbarova, shtrije i thoshte Ademi të shtifsha në arkivol, Doda ia kthente më dhimbset një fishek se në vorr të çoj unë ty duke i rënë kllefit të patllakes që kishte me leje.

 

Ballkaniada, pengu i madh i shpirtit

Më 23 gusht 1946 në prag të Ballkaniadës u zhvillua një ndeshje miqësore me sindikatat e Maqedonisë në Shkup, në këtë ndeshje kontrolli kombëtarja jonë fitoi 3:1 por humbi Muc Koxhën, i cili ishte piketuar nga Jugosllav i nacionales sonë Bracic në njëmbëdhjetëshin anti Ballkanas të 46-ës. Dëmtimi ishte shumë delikat në gjurin e djathtë dhe shtrimi në spital ishte i detyruar, ç’ka e nxori jashtë njëmbëdhjetëshit duke u zëvendësuar nga Besim Fagu, dhe vetëm ndërhyrja kirurgjikale e doktor Shirokës e solli përsëri pranë futbollit, por duke i mbetur peng në zemër ëndrra e madhe e Ballkaniadës të cilën e ka skicuar me kujdes edhe ditarin e kujtimeve të tij.

 

Gjithnjë pranë futbollit

Në fund të vitit 1950 Muci dëmtohet përsëri, çka e detyroi të varte këpucët në gozhdë pas një karriere 15 vjeçare me ekipin e Vllaznisë duke lënë pas dy trofe kombëtare të fituara, në vitin 45, 46, dy herë nënkampion i Shqipërisë në vitet 36, 37 dhe 26 ndeshje ndërkombëtare të zhvilluara kryesisht me fanellën e Vllaznisë, por edhe të Tiranës e të Përfaqësueses. Mes të cilave veçojmë Buduçnostin 2:2, me Tivarin 6:0, me Kotorrin 3:0, e 1:1, me Tivatin e Malit të Zi 7:0, me Prishtinën 6:0, me Prizrenin 2:0, me Divizionin 46 Jugosllav 3:0, e 4:1, me Hajdukun e Splitit 2:1, e 0:3, me Llovcën e Cetines 3:0, e 2:1. Klubet e veriut Spartak i Moskës Shkodër 0:3, kujtojmë se Spartaku kishte 80% të lojtarëve të përfaqësueses Sovjetike.

Muc Koxha ka një biografi të pasur edhe si trajner i futbollit shqiptar, ka drejtuar Punën e Shkodrës në vitet 1951 – 1954 duke zënë edhe vende nderi në klasifikim. Si trajner i Shkodrës, së mbetur jetime nga grabitjet që i bënë Dinamo e Partizani, i fiksuar në kujtesë i mbetet hakmarrja e pamëshirshme e 9 korrikut 1952 ndaj Partizanit me disa titullarë shkodranë. Puna zbërthen totalisht 4:1 Partizanin që nuk kishte frikë nga askush. Në vitin 1953 Komiteti shtetëror i sporteve Muc Koxhën në moshë 37 vjeçare e emëron zv/trajner të hungarezit Vadashi, që iu besua drejtimi i përfaqësueses Shqiptare. Kombëtarja jonë më 25 nëntor 1953 arrin një fitore shumë të rëndësishme 2:0 ndaj Polonisë. Përfaqësuesja e Tiranës me Varshavën po 2:0, në fakt janë po ata lojtarë që luajtën me përfaqësueset vetëm se në këtë ndeshje thirren Tirana e Varshava. Në 53 në Shkodër Vllaznia Stalinogrudi 1:4, këto janë tre ndeshjet ndërkombëtare si trajner të Mjeshtrit të Sportit Shqiptar Muc Koxha.

 

Si na shërben media elektronike

Televizionet shkodrane po vuajnë gjithnjë e më shumë varfërinë e programeve të tyre. Dihet se përpara hapjes së një kanali televiziv duhet siguruar efikasiteti për përmbushjen e kërkesave të teleshikuesve të tij. Jo të kënaqet me justifikimin “Unë  jam televizion lokal e i pa ndihmuar sa më nevojitet”. Dihet sa të vështirë e bëjnë mbajtjen hapur të një televizioni rrethanat aktuale, por ky fakt nuk duhet të ndikojë aspak në nivelin e emisioneve. Pamundësitë ekonomike ata mund t’i pakësojnë, por kurrsesi ti dobësojnë. Vlera e një radioje apo televizioni nuk qëndron nëse është i hapur, por në respektimin e përgjegjësisë ndaj teleshikuesve të tij. Meqenëse televizioni u shërben dy shqisave kryesore të njeriut, shërbimi i tij lypset të jetë sa më i zgjedhur. Ky kusht i domosdoshëm e bën televizionin motorin më me shumë kuaj fuqi të përparimit, në të kundërt motorin më me shumë kuaj të regresit. Prandaj drejtuesit e radiove e në mënyrë të veçantë ata të televizionit nuk duhet të harrojnë për asnjë çast thënien e moçme: “Gjithçka fluturon nuk hahet”. Ekonomia mund të detyrojë sakrifica të lejueshme, por jo të palejueshme. E pa lejueshmja është shitja e prestigjit të institucionit. Transmetimi i këngëve që nuk e meritojnë të quhen as “gjëra”, u jep dorë të lirë antivlerave, aq sa e pushtojnë televizionin e televizioni degradon shijet në zhvillimi e sipër, që nuk janë të pakta. Siç shihet ky fenomen nuk ndodh në televizioniet e Tiranës, ose ndodh në mënyrë gati të pandjeshme. Televizioni duhet të luajë rolin e një orkestrine të dasmës që plotëson kërkesat e të pranishëmve. Për atë që don ta shohë nuk ka gjë më të dukshme se dëmin që po shkakton televizioni në përçudnimin e shijeve edhe deri tek fëmijët më të njomë. Mungesa e një ushqimi të përshtatshëm muzikor po na i helmatis fëmijët me masakra të çorbave të tingujve gjoja muzikorë. A ka gjë më të shëmtuar se kur në televizionet tona shihen e dëgjohen fëmijët sa grima duke kënduar këngë të rriturish qofshin ato këngë e jo këngë. Si spjegohet qoftë lejimi e për më keq edhe inkuadrimi i fëmijëve ti lënë pas dore këngët fëminore e të merren me këngët e të rriturve. Në cilin vend të botës shihet kjo tendencë shëmtarake! Televizioni është edukues i popullit, jo çedukues i tij, ndaj duhet të jetë gjithmonë pasqyra e gëzimit e jo e trishtimit pikëllues si në rastet kur deklamon gjoja vargje elegjiake të shkruara pa kurrfarë zanate. Si të ishte televizioni një vajtore e pa prirje, për të vajtuar. Lind pyetja këto televizione e u ngritën për qarin e vet apo të publikut? Në qofshin ngritur për qarin e vet, janë të parakohëshme, në qofshin ngritur për qarin e publikut duhet të shërbejnë si i ka hije kulturës, për të cilën edhe u shpik televizioni. Kur Shqipëria vuan nga kaq shumë probleme, mediat tona elektronike duhet të gjejnë mënyrat sa më efikase për t’i sensibilizuar të ngarkuarit për t’i zgjidhur këto probleme. Lajmet vetëm evidentojnë. Këtë lloj evidentimi harresa e fshin si të ishte i shkruar me shkumës. Radioja e televizioni duhet të organizojnë tavolina të rrumbullakëta me spacialistët e atyre degëve, ku hallet e popullit ngelen të mvarura. Mungesën e këtyre tavolinave drejtuesit e televizioneve e justifikojnë me mospranimin e ftesave nga të ftuarit. Lind pyetja: A ka si të refuzohet kjo ftesë nga një i mandatuar i popullit, mandat të cilin vetë e kanë pranuar, biles edhe dëshiruar? E pra vetëm kur dhënia e llogarisë të bëhet e zakonshme edhe zgjidhja e halleve përshpejtohet dukshëm. Të gjithë e dimë se Presidenti i SHBA, si program pune ka edhe një fjalim të përjavshëm radiofonik që transmetohet në mbarë Amerikën. E pra kur kështu ngjet në vendin ku problemet zgjidhen më me efikasitet se kudo, dihet sa më nevojë kemi ne të mbajmë sa më gjallë përpjekjet e zgjidhjes së halleve tona. Hallet janë të shumta e televizioni duhet të merret me të gjitha, si bie fjala: Edukata e kudoshme me gojë e gjeste, droga, prostitucioni, krimi e burimet e tij e sa e sa të tjera halle të vjetra e të reja. Unë dëshiroj e shpresoj që vërejtjet konstruktive të prodhojnë ushqimin më të preferuar të shpresës sonë për të ardhmen.

Nga: Gjokë Vata

Emërtimet e shesheve, rrugëve, institucioneve etj., 95% të kohës së Luftës Nacionalçlirimtare, 5% të gjitha kohërave të tjera

-Gjimnazit “Oso Kuka” i është vënë emri i një ish-analfabeti, ndërkohë që kolosi i letrave shqipe, Martin Camaj është emërtues i një shkolle 8-vjeçare!-

Të nderuar drejtues të Bashkisë së Shkodrës! Mbas disa shkrimeve për të njëjtin problem, vendosa t’ju shkruaj drejtazi me shpresën se edhe ju do të më përgjigjeni nëpërmjet medias së shkruar, apo elektronike, siç u ka hije marrëdhënieve Bashki – qytetar. Problemi për të cilin po shkruaj tash disa herë është fare i zgjidhshëm, mbasi kopetenca e emërtimeve u është lënë në dorë bashkive. Siç e kam thënë edhe herë të tjera, Bashkisë sonë do t’i kishte hije t’i paraprinte zgjidhjes së këtij problemi në të gjithë Shqipërinë. Mua më duket jo vetëm e palejueshme, por edhe e pafalshme heshtja e Bashkisë ndaj emërtimeve politike komuniste të asaj kohe që gjithsesi duhej të quhej e perënduar. Si mund të jetë e pranueshme që nëntëdhjet e pesë përqind e emërtimeve i përkasin dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare, luftë kjo 4 vjeçare vetëm pesë përqind e emërtimeve u janë lënë figurave të ndryshme të të gjitha kohërave. A egziston ndonjë vend i botës ku një teatër të emërtohet me emrin e atij që nuk ka shkruar asnjë rresht skenik? A egziston ndonjë shkollë e mesme e emërtuar me emrin e një luftëtari analfabet, apo gjysëm analfabet si është rasti i shkollës Oso Kuka e me emrin e Martin Camajt, të denjë për emërtimin e Universiteti më prestigjioz, të emërtohet si për ironi ish-shkolla 8-vjeçare “11 Janari”. Si është e mundur të mbetet në heshtjen e neglizhencës tonë figura madhore e Arshi Pipës e të dhjetëra figurave të tjera? E si është e mundur të mos quhet Shkolla e Gjuhëve të Huaja Marije Shllaku? Unë jami sigurtë se këtë drejtësi pasardhësit tonë do ta çojnë në vend, por a është e drejtë të quhemi ne shkaktarët e kësaj vonese e të na ngjiten epitete të padëshirueshme? Këtu nuk shtrohet çështja të ndërrojmë një apo dy emërtime, gjoja për t’u larë me njerëzit e kësaj dëshire. Jo zotëri të nderuar, ky problem kërkon shkoqitjen e trajtimin e menjëhershëm siç e meriton. Me një ritëm kaq të ngadaltë të emërtimeve nuk do të arrinim ta kryenim këtë punë as për disa qindra vjet. Prandaj duhet ta ndjejmë thellë e më thellë domosdoshmërinë e përgjegjësisë e ndryshimit të vetes tonë në ata që duhet të jemi. Këtë problem ndokush mund ta quajë edhe të dorës së fundit, por në fakt është problem i kulturës së qytetërimit. Ne nuk duhet t’i lëmë shteg pyetjes: As kaq nuk qenë të zotët ta bëjnë?! Ata që i lexojnë problemet e mprehta në shtyp e mendojnë se mund t’i flakin edhe këto çështje siç mund të flakin gazetën ku shkruhen, apo i shohin në ekranin e televizionit e mund t’i mbyllin si televizorin. Lënë shumë për të dëshiruar në kryerjen e detyrave që ata vetë janë përpjekur t’i marrin përsipër. Mandati i një drejtuesi është libri i përshtypjeve të pashlyeshme për shumë e shumë kohë. Zgjidhja e problemeve që janë brenda mundësive tregon dëshirën për t’i zgjidhur edhe ato që janë jashta mundësive. A nuk është një nder i madh të përmendesh për përpjekje të lavdërueshme? Me të drejtë pyetet: “Ç’të drejtë kemi ne të rrahim gjoksin për ato figura që s’u kushtojmë as aq nderim sa emrat e tyre të shkruhen mbi një zarf adrese apo në një tabelë institucioni a sheshi?” Ky lloj qëndrimi, natyrisht e trondit qytetërimin. Pothuaj në çdo lagje të Shqipërisë ndeshemi në marrëzinë e dhunshme Enveriste e cila më kot u përpoq të zëvendësonte emërtimet e popullit me të vetat. Mirë se e djeshmja e bëri si e bëri, poe sotmja pse nuk e shlyen atë marrëzi?! Kjo na jep të kuptojmë se fshirësen e atyre marrëzive e kanë ende në dorë komunistët e nuk e dorëzojnë pa ua rrëmbyer se nuk ua pranon nostalgjia për kohën e tyre më të gjithpushtetshme. A nuk është zëvendësimi i emërtimeve të popullit njëra nga shkeljet më flagrante të të drejtave të njeriut? Përse kjo e drejtë të lihet gjithnjë e shkelur?! Mosheqja e këtyre emërtimeve a nuk është një përforcim i dhunës së kuqe?! A nuk duket si një shenjë ogurzi që pret rikthimin e tyre në pozitat e mëparshme?! Nëse kush do të pyes me tonin e zyrtarit mospërfillës: “Prapë ky me këtë kërkesë?!” Ja përgjigja ime: “Unë do të vazhdoj të punoj si sufler i së drejtës deri sa të hyj në heshtjen e përjetshme.” Unë dua që emërtimet e shesheve e të institucioneve tona të tregojnë se dimë të emërtojmë si të qytetëruarit. Këtë borxh ua kemi figurave tona madhore e figurave të atyre të huajve që evidentuan vlerat shqiptare e mbi të gjitha ia kemi borxh dinjitetit tonë.

Nga: Gjokë Vata

Bebit Nikola, nipit të mikut tim M.B.

Nga: Gjosho Vasija

Trieste, Itali

 

Nji pupël i mora zogut të Qiellit

E njoma tek vala se kishte kaltërsi

Mlodha dhe rrezet e ngrohta të Diellit

E bshkë me dashni, mbi “djep” po ti shtri.

Dhe ti Nikola kur’ të dalin gjumi

Jepi nji gaz nga ajo ambelsi

Se, nga këto ana kur të sillet. Pëllumi

Ma lshon në prehën e më ngrohë në gji.

Prej syve të zez e gushës së njomë

Që fort ngjason me gushën e Pëllumit

Më sjellë prej Shkodret të kandshmen aromë

Aromën ma t’kandshme të çdo lloj parfumit.

Si ty, vogëlush, edhe mue, (jo – plakut)

Na ndanë kaltëroshi Adriatik

Por kemi t’përbashkëta enët e gjakut

Se gjyshin tand’ e kam shok dhemik.

…Kujtojmë njeni-tjetrin, jo, veç në ditë feste

Se ishim, dhe jemi miq për mot e jetë

Ndaj, puthjet vogëlush t’i dërgoj prej Trieste

Në krahët e Pëllumit mbi të kaltërin Detë.

 

Nëse don të jesh njeri Kipling

Nëse kokën n’vend e mban,

Kur ata që të rrethojnë

Bosh të tyret krejt i kanë

E prandej të përgojenë

Nëse n’vehte ke besim

Kur dyshojnë krerët e gjor,

N’din të presësh me durim

E gënjeshtrën s’e përdor,

Krye lartsi në mos tregosh

E as mend ti nuk shet kot,

Nëse din të ëndërrosh

Pa t’u bërë ëndrra zot

E qëllimin e mendon

Vetëm si e meriton,

Nëse thua një fjalë të drejtë

E pastaj at e dëgjon

Jo si e the, por ndryshe krejtë,

Që një i marrë veç e beson,

Dhe e gëlltitë me gjakftohtsi,

Pa i dhënë aspak rëndësi

N’se fitore grumbullon

Edhe aq, sa mendt s’i basin

E të gjitha të humbasin

E kurr humbjen s’e vajton,

Por e fillon prap për së mbarit

Me at zell që nise s’parit,

Zemren, nervat din të dyja

I përdor veç në at çast

Kur në dorë t’i ketë arsyeja

E jo kurr në tjetër rast,

Këmbë për këmbë n’se ecë me mretër,

Pa shndrrue vehten në tjetër,

Nëse tjerve din t’u flasësh

E virtytin t’mos humbasësh,

N’din t ndjejish shpirtrisht për herë,

Që minuti ka shumë vlerë,

Se sekonda ka gjashtdhetë

E seicili vlenë në jetë,

Do të jeshë njeri i vërtetë.

Nga origjinali

Gjokë Vata

 

Satira politiko-shoqërore nga Prelë Milani

Këshillat erotike të një plake

Me një mikun tim ushtarak të moçëm

një ditë shiut në një udhë të gjatë

me një plakë xhevahire u poqëm

u llafosëm me kanu e qitape.

 

Duhanin me të dredhun rakinë me faqore

gjashtëdhjetë vjeçare pa dal në pension

si kullë kreshnike e kohrave mizore

të ngjallte nostalgji sa herë e shikjon.

 

Kjo zonjë plakë por simpatike

si gjyshja përralla nis e na difton

profesore e vërtetë për këshilla erotike

dashuroni djema thotë se koha shkon

 

Burri e mëson kur del në gazetë tradhëtinë e gruas

Si erën e gjahut zagari

gruja e nuhatë tradhëtinë e burrit të vet

ndërsa burri i mjeri qyqari

e mëson kur të dalë në gazetë.

 

Një grua e zgjuar dashnore e vërtetë

e magjeps burrin nga përkëdhelitë

e puth e ledhaton për mall t’jaranit vet

ndërsa burrit të dashuruar i bijen bateritë.

 

Nuk ka dopjo dashuri

Nuk mund të dashurosh dy veta për nji heri

këshillon plaka pastu nana

në dy fronte s’luftoj dot as Hitleri

si mban dora dy bostana.

 

Është sevap të duash nji plakë

Të duash nji 50 vjeçare është sevap

vetëm kur s’ju besohet kërcejnë përpjetë

kenkam tërheqëse gëzohet prap

e po kush s’don të dashurojë e kush do me dekë.

 

Kuvendi vazhdon

Shtrut kuvend tuj ba me loken

gratë e bukura i mallkova shumë

s’e harronin asnji herë gotën

pse shkojnë zanat me majmun.

 

Speciet e rralla gjithnjë rrezikohen

ato sulmohen rend pas rendit

vetëm komunistët nuk dorëzohen

prandaj shpesh petullat janë fati i qenit.

 

Dashurinë e prishi parja

Seks bajnë të gjith gjitarët

si ariu edhe arusha

se dashurinë prishen paret

e dinë edhe miu e minusha.

 

Edhe zoti gaboi një herë

Ti zot që krijove gjithësinë

vetëm nji herë në jetë gabove

femrës i fale gjithë bukurinë

por ama pa mend e harrove.

 

Kështu foli kjo plakë e zgjuar

për gjininë e llojit të vet

të gjitha në jetë i kish provuar

e kish mirë apo keq, gjykojeni ju vet.

 

Dikur ndodhte edhe kështu

Dikur kur ishte burrnia

dhe fjala ishte ma e randë se plumbi

me ndonjë qyqman na zinte dashnia

vetëm e vetëm, të mos dyshonte katundi.

 

Po i ndoqe të ikun, po u ike të vinë

Shumë shpesh gratë pendohen

e me lot janë gati të bajnë autokritikë

po i ndoqe pas të largohen

po u ike, do të vinë tek ti nji ditë.

 

Për vete s’ndihem e penduar

ashikun e kam zgjedhë me kokërr

kam ditë për të dashuruar

i vlerësoj të gjithë kush m’erdhi rrotull.

 

Një grua është putanë

jo pse disa dashnorë ndërron

por ajo që rrin duke thanë

emrin e kujtdo që i propozon.

 

Tradhëtia e pa takate

Burrat duan të ndrrojnë sa më shumë partner

prandaj turren me ushtë e me shpatë

nuk e dinë këta aventurierë

se janë tre herë më të dobët se gratë.

 

Kush është dhe i zgjuar arën e vet s’len djerr

fliste plaka fjal pas fjale me mend

se vjen ndonjë fyçkë derr

aren tande ta lëron me plug e parmend.

 

Hajde bujrëm

S’ka ç’i ban murlani i dhetorit

kofshëve të strukura në minifunde

si në vitrinë gjitë mes krahnorit

s’janë siç tha Migjeni mollë e ndalume.

 

Varë si n’vitrinë gjithë mes krahnorit

hajde bujrëm i thonë djalit

thotë kerthiza nudo kalo nga brezi i ekuatorit

dhe futu në ngushticën e gjibraltarit.

 

Ç’faj ka nji 20 vjeçar

tu vërtitet pas si sqap

atij që i valon gjaku në acare

kur më magjepsin mua të gjorën plakë.

 

Alfabeti në dashuri

Dashuria me nji shikim

të qëllon si pushka bri më bri

nga dashuria nuk ka shpëtim

dashuria lexohet në sy.

 

Kush s’din të lexojë dashurinë në sy

ai është analfabet

kur nji grua të shef në sy

të do po ndoshta s’mund flet.

 

Sikur të dilte nga orbita toka

qoftë edhe me një shikim dashurie

Tokën do ta vinin në rrota

dashuria ja kalon çdo magjie.

 

Më lehtë të drejtosh nji mbretëri se nji grua

Një grua e bukur nuk kënaq veç burrin e saj

por edhe qindra të tjerë që e ledhatojnë me sy

kush e ka gruan e bukur i mjer, e mjer ai

m’vështirë të drejtosh nji grua se nji mbretëri.

 

Mos e padit veten kot

Po pive kafe ditë për ditë

tek nji kamariere bukuroshe

atë dhe veten ke paditë

s’a besojnë shokë as shoqe.

 

Një femër që s’të thotë as po as jo

nuk ka shumë mend në kokë

ose ka frigë ose të provoko

prandaj nuk rrin as n’qiell as n’tokë.

 

Bota nga femrat rrotullohet

Gruja me burrin ftofet

kur s’ka ledhatime e komplimente të bukura

si fëmija merzitet e idhnohet

kur mbetet pa lojra e pa kukulla.

 

Dhe vjen lozonjar ashiku

e reciton bukur si ciceron

nga duart zogu burrit i iku

n’krah t’jaranit dallandysha fluturon.

 

Eva ishte e para femër

që braktisi rrugën e tanzot

tradhëtia e ka emrin femër

që atëherë e gjer sot.

 

Çdo mashkull përpara nji femre dorzohet

ç’burrërohen heroizmat e trimëritë

Bota nga femrat rrotullohet

ndërsa mashkujt janë satelit.

 

Raki për jaran

Shoku im si gjithnjë shakaxhi

e pyti plaken me marifet

mos e kishte për jaran ket raki

Jes tha plaka me sinqeritet.

 

Plaka ankohet për jaran

Na argëtoi kjo plakë me përvojën e vet

pini na thoshte le tu bahet vjamë

ne ankoheshim për shtet

plaka ankohej për jaran

 

u ndamë nga kjo plakë gazmore simpatike

sy kaltër dhëmbveshur me flori

me këshillat e saj erotike

tjerra sa dita këtë poezi.

 

Filozofia e dashurisë

Shelli

Burimet bashkohen me lumin,

Lumejt me detin gjithnji

Ernat e qiellit përgjithmonë,

Bashkohen me ambelsi

As gja s’asht vetëm n’Rruzullim

Nga nji ligj Hyjnor të gjitha kto,

N’nji shpirt bashkohen padyshim,

Pse unë me tandin jo!

Shihi malet si puthin qiellin

E dallgët si përqafohen.

Jo lulja kurr nuk do t’përfalej,

Nëse flladin s’do të përfillte.

Dielli i ambel tokën e përqafon

E hana detin e puthë me ambelsi

Por ç’vlerë do t’kenë përmua të gjitha kto,

Nëse nuk më puthë ti

përkthyer nga origjinali: Gjokë Vata

 

Bisedë me Omar Kajamin

“Ah nesër Botën plot shamatë e lashë,

Nga qindra xhevahir, njëzet i dhashë,

Pa folur më kanë mbetur qindra fjalë,

Se nuk i merrte vesh kjo Botë e trashë.”

 

Ti u ankove o Kajam poet

Se nuk umore vesh prej njerëzisë

Se brezit tënd që ishte analfabet,

Ndaj padija e tij ty të pat therë.

Eja në fund të shekullit njëzet

E shihe vetë ktë bum të çmendurisë

E t’pyes: Ma mirë tani, apo atëherë

Eja në Shqipëri ku gjen “dijetar”

Që mendja asnë gju besa s’u bjen

Me u ra hunda në tokë sulen me e marrë,

Nga sejcili mbahet si “Diogjen”

E do t’shohësh se si këta kokë bosha

Prej të cilve Shqipria kaq u çart

Artin e vërtetë e flakin n’kosha

E i japin vendit çka nuk quhet art.

Kta tranguj gjallë një gja e dinë ma s’mirit

Të mbrojnë me dhëmbë e thoj postet e tyre.

Për ktë janë ba si hallka t’një zingjirit,

Që të mos mund të kputen n’kurrfarë mnyre.

Këtu erdhe ti Kajam i ndritun

Edhe më the: Një gjë ta keshë të ditur:

Në qoftë se nuk shpejtoni me i shkrij

Hallkat e atij zingjiri, he daltë fare

Arti i vërtetë do t’vuaj në Shqipëri,

Shumica e tij do t’dergjet në syrtare.

Nga: Gjokë Vata

 

Xhoze Karduçi

Shega

Pema nga e cila shtrihej

Dorën e njomë fmijnore,

Shega gjelbërore,

Lule kuqlore rrite.

E heshtun vetmitare,

Çdo orë po gjelbëron,

Qershori e gjallnon

Me ngrohtësi e dritë.

O lulja ime e shkretë

E tharë, për herë e mjerë,

Në këtë jetë pavlerë,

E fundit tash ke mbetë.

Në tokë të ftohët je,

E t’zezës tokë je prej

As dielli ma nuk të gzon,

As dashuri s’të zgjon.

Përktheu: Gjokë Vata

 

 

Karajfilave t’humorit shkodran

Nuk flet bota për Pitkinin

Qi shkëlqen si i madh artist,

A flet Shkodra për Pjetër Gjinin:

Muzikant e humorist.

 

Edhe n’burg Pjetër artisti

Thurte bejta e melodi…

Sa çuditej edhe polici…

-S’kam pa n’jet ma shakaxhi!

 

Pjetër Gjini asht i vdekun

Por artistat s’i kalb toka.

Arti i tij jeton ndër shekuj,

Si relike e ruen Shkodra.

 

Digjet gjoksi porsi prushi

Bash si voji n’fund t’kandilit;

I mungon Shkodrës Tef Palushi

N’humor – “Zamaku i Prillit”.

 

Do t’kalojn vite e dekada,

Tefa kurr nuk do t’harrohet,

Si Homeri te “Iliada”

Gjithmon shkam qi nuk thermohet.

 

Ah’sa miq na i mori deka,

Vajtojn’ mali, fusha e kodra;

Humorista si Bik Pepa,

Rrall’ ndoj’ herë ka me lind Shkodra.

 

N’daç n’dimen e n’daç n’verë,

Si n’kallnduer, si n’mes t’korrikut;

S’gjen n’Shqypni ndonji minierë,

Me humor si shpirti i Bikut

 

Syt me lot mbushen prej vajit,

Vajtojn’ Zanat e Veleçikut

Kur kujtojn “Lulen e Majit”,

Kangen perl’ t’Pjerin Ashikut.

 

Muzikant e humorist,

Qi e deshti Shkodra mbarë,

Si piktor e si artist,

Shpirt e zemër qytetar.

 

Dhetna skeçe e parodi

Qi i njef mbar’ Shqypnia,

Nji kang t’njoftun n’Jug-Veri:

“Ty…Ty… Tyyy, bie boria”

 

Porsi ngrica n’prandver’

Qi kput lulet e qershis’

Na preu gazin menjiher’

Deka e Njazi Burgis.

 

Muzikant e humorist,

Bejtaxhi i rrall nder t’tjerë

Ka shkelqye edhe si artist,

“Karajfil” me shumë erë.

 

S’mund të flasim për humorin,

As për skenën, as për kulturën,

Për me e ruejtë t’pastër “colorin”

Do t’kujtojm’ Muharrem Nuron.

 

Bejtaxhi kre prej natyret,

Veç për qejf e për replikë;

Imitonte çdo lloj ftyret

Si rrall kush n’Republikë.

 

Koleksion ndër personazhe,

Dhetna role luejti n’sken’

Plot “color” ngjyrash n’makjazhe

Libretist qi rrall e gjen.

 

Asht nji “AS” qi s’do t’flas shum’

Se flet vepra qika lan’

Për Shqypnin do t’mbesë album,

Krenari për çdo shkodran.

 

Bash si vena qi nxjerr rrushi:

Vena e parë, vena e Kallmetit,

Asht n’humor – Tano Banushi

Pija e mezja” e krejt qytetit.

Nga: Mark Bregu

 

Arti dhe kultura shqiptare “pushton” Firencen

-Sukses i Fadil Krajës me librin “Shqiponjë e plagosur”-

-Filip Guraziu, urëlidhja dinjitoze midis bashkive Shkodër – Firence-

Është e vërtetë se ka edhe nga ata që merren me drogë apo prostitucion, por janë vetëm 10% të shqiptarëve. Pjesa më e madhe e shqiptarëve janë integruar në qytet dhe punojnë rregullisht. Shumë prej nesh janë mësues, përkthyes, nëpunës në zyra shtetërore apo në sportele, punojnë në piceri, restorante, si bebisiter etj. Vetëm mjekë këtu në Firenze jemi 15, të regjistruar në Urdhërin e Mjekut”. Kështu iu përgjigj mjekja shkodrane Çiljeta Fishta një gazetari të gazetës “La Nazione” (botuar më 13. 4. 2002) kur e pyeti për shqiptarët në Itali, e sidomos në Firenze, qytetin e veprave madhështore të gjenisë njerëzore, djepin e Rilindjes italiane, qytetin e Dantes, Mikelangelos, Rafaelit, Giotos… veprat e të cilëve mahnisin edhe sot botën. Dhe pikërisht këtu, në Firenze, ku çdo ditë hyjnë mbi gjysmë milioni turistë nga e gjithë bota dhe ku jeta është më e shtrenjta në gjithë Italinë, Shkodra sfidoi, me një grup artistësh dhe studiuesish, duke zhvilluar me sukses javën e artit dhe të kulturës shkodrane atje. Themi sukses, sepse kështu e paraqiti shtypi dhe media elektronike fiorentine dhe italiane mbresën që la kjo javë në Firenze, për fiorentinët në përgjithësi dhe për shqiptarët që punojnë atje në veçanti. Dhe kjo të gëzon, kjo e nderon Shkodrën duke treguar se ajo nuk ka vdekur, ajo ka jo vetëm të kaluarën e ndritur për t’u krenuar, por edhe artistë, shkrimtarë e studiues me potencë që përpiqen për ta ruajtur dhe çuar më tej traditën e këtij qyteti i cili me të drejtë quhet djep i kulturës dhe i artit shqiptar. Java u bë e mundur falë bashkëpunimit mes dy bashkive, të Shkodrës dhe Firenzes, falë përpjekjeve të Filip Guraziut që drejton këtu shoqatën “Shkodër-Firenze”, dhe falë mjekut kirurg Vat Mirashi, këtij biri të denjë të Dukagjinit që drejton shoqatën “Shqipëria në Toskanë” dhe që bën aq shumë për shqiptarët në Firenze.

 

Ekspozita e dinastisë Maurbi

Ishte ajo, dinastia e fotografëve Marubi që çeli javën e kulturës shqiptare në Firenze. Në Palazzo Medici, që vizitohet çdo ditë nga mijra turistë, në një sallë të madhe të këtij pallati 600 vjeçar u ekspozuan mbi 30 fotografi të fototekës së famshme shqiptare që nis nga gjysma e shekullit 19, dy vjet pasi vëllezërit Lumiere në Paris shpikin fotografinë. Fototeka, që sot numëron afro gjysmë milioni negative, është vepra e mundi i tre musketierëve shkodranë, Pjetër, Kel dhe Geg Marubi.

Ekspozita tërhoqi menjëherë vëmendjen e shikuesve të shumtë, italianë dhe turistë të huaj. Ajo qëndroi e hapur një javë dhe çdo ditë u vizitua nga qindra veta. Në hapjen e saj foli drejtori i muzeut Mexhit Cungu dhe e ngarkuara për kulturën në Komunën e Firenzes Marzia Monciatti. Ndërsa historikun e kësaj fototeke e paraqiti në një temë shumë interesante shkrimtari Fadil Kraja, fjala e të cilit u duartrokit gjatë dhe ngjalli shumë emocione tek të pranishmit.

 

Simpozium

Të nesërmen, në Pallatin Kavur, në sallën e konferencave një grup studiuesish shkodranë mbajtën tema interesante. Simpoziumin e çeli zonja Monciatti dhe pas saj Villi Kamsi mbajti bisedën “Dokumente shqiptare të mesjetës pranë bibliotekës Laurenziana të Firenzes. Dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe”. Filip Guraziu mbajti temën “Shqipëria veriore në optikën e gjeopolitikës bashkëkohore”. Doktor Vat Marashi mbajti bisedën “Problemet shoqërore dhe juridike të emigracionit shqiptar në Itali. Cilat janë problemet dhe cilat janë përgjigjet”. Ndërsa Dr. Enton Jubani lexoi temën interesante “Paraqitja e burimeve turistike të Shqipërisë”, temë e cila u shoqërua me një film dokumentar për këtë problem dhe që tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve duke e duartrokitur. Në këtë simpozium mori pjesë edhe ambasadori ynë në Romë, Zhuvi, i cili ndoqi çdo ditë veprimtaritë e javës kulturore shqiptare në Firenze. Kishin tema për të mbajtur edhe kryetari ynë i bashkisë Rusi dhe konsulli italian De Leo, por ata munguan në këtë veprimtari.

 

Promovime librash

Ditën e tretë në një nga sallat e pallatit të famshëm Palazzo Vecchio (ishte një nder që ky pallat që vizitohet nga qindra mijëra turistë çdo ditë u vu në dispozicion të shqiptarëve nga Shkodra) u bë promovimi i dy librave të shkruar në italisht nga autorë shkodranë. Libri i parë ishte ai i Mikel Prendushit “Kontributi shqiptar në Rilindjen italiane”. Ky libër i shkruar e botuar në shqip do të botohet së shpejti i përkthyer në gjuhën italiane. Në mungesë të autorit për arsye shëndetësore, bisedën për këtë libër e mbajti Filip Guraziu. Por, interes të madh ngjalli promovimi i librit të shkruar drejtpërsëdrejti në italisht nga shkrimtari Fadil Kraja “Shqiponja e plagosur”, një përmbledhje tregimesh dhe eseshë me temë Shkodrën me historinë e saj, me të kaluarën dhe të sotmen. Pati pyetje dhe interesim të veçantë nga të pranishmit për këtë libër nga të pranishmit që kërkonin autografin e autorit. U duartrokit leximi që i bëri autori legjendës së Rozafës përkthyer në italisht nga vetë Fadil Kraja.

 

Koncerti

Në grup bënte pjesë edhe kori polifonik Prenk Jakova, drejtuar me mjeshtëri nga kompozitori dhe muzikanti i njohur dhe i talentuar Gjon Shllaku. Pas disa koncertesh dhënë në qytete të tjera si në Pistoia, Kazerta, etj., të cilat u ndoqën nga qindra italianë dhe emigrantë shqitparë, koncertin e fundit ky grup e dha në sallën e madhe të Palazzo Vecchio, ku morën pjesë mbi 600 veta të cilët përcollën me ovacione çdo pjesë të korit të mahnitshëm me pjesë shqiptare dhe të huaja. Me ovacione u prit edhe sopranoja shkodrane Rasha që elektrizoi sallën me arie nga Moxart, Bize, etj. Gjithashtu mahniti të pranishmit pianisti 14 vjeçar Guraziu, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare.

 

Shqiptarët në Firenze

Sipas doktor Vat Marashit, vetëm në Firenze janë mbi 1500 shqiptarë që janë ingranuar mirë në jetën e përditshme të këtij qyteti. Të gëzon fakti që vetëm mjekë janë 15 të regjistruar në urdhërin e Mjekut dhe që tani punojnë dhe janë bërë të njohur në gjithë qytetin për profesionalizmin e tyre dhe përkushtimin në punë. Mes tyre ka kurirgë, radiologë, ftiziatër, pediatër, mjekë të urgjencës, etj. Ata kanë formuar një shoqatë që drejtohet nga doktor Vata dhe qëllimi fisnik i kësaj shoqate është të hapin një ambulancë për të vizituar falas emigrantët shqiptarë, për të ndihmuar gratë, studentët etj. Sepse, sipas statistikave në Universitetet e Firenzes, ndër studentën e huaj nga gjithë bota që mësojnë këtu, 30% e tyre janë shqiptarë.

Studentët shqiptarë kanë në Firenze një tutor të madh, një njeri që i ndihmon aq shumë kta djem e vajza shqiptare për të mos ndjerë asnjë mungesë ekonomike. Ai është Don Karlo, “ariu i mirë” siç e quajnë studentët priftin e shkuar në moshë, por babaxhan don Karlo. Në rezidencën e tij Villa Uiciardini, strehohen me ushqim e fjetje gratis 15 vajza dhe djem shqiptarë, kryesisht nga Shkodra. Me vite ata qëndrojnë këtu dhe don Karlo i ndihmon që të studiojnë dhe të kryejnë fakultetet pa e patur mendjen tek problemet tjera ekonomike. Ka prej tyre që jetojnë me vite këtu. Bile, një djalë nga Shkodra me mbiemrin Muzhani, ka mbaruar fakultetin për Ekonomik dhe vazhdon të jetojnë në Villa Uicardini. Por ka edhe të tjerë shqiptarë, o më mirë shkodranë në Firenze që me punë e me djersë të ndershme kanë krijuar një jetë komode në Firenze. Një dukagjinas i ri, Nikolin Gjeloshi, i ardhur në Firenze me gomone dhe që ka parë tmerret e detit, tani ka një sipërmarrje interesante për ndërtim pishinash dhe pajisje për ujitje artificiale e bërë e njohur në gjithë Italinë. Ka tërhequr aty edhe gjashtë vëllezërit e tij. Nikolini ishte një ndër ata që ndihmoi shumë materialisht për qëndrimin e grupit shkodran në javën e veprimtarive në Firenze. Ai dhe vëllezërit e tij shtruan një darkë lamtumire për gjithë grupin dhe shumë të ftuar intelektualë të Firenzes, darkë e cila kaloi në një atmosferë shumë festive. Dhe darka u shtrua në një nga restorantet më të njohura të Firenzes pronar i të cilit ishte një shkodran, Tonin Troshani, i cili për pak vjet në Firenze arriti të bëhet i njohur në fushën e hotelerisë dhe që ka punësuar dhjetëra të rinj e të reja shkodrane në lokalin e tij.

Nga: Fatime Kulli

Hije dyshimi mbi Komunitetin Musliman Shqiptar

Myftia i Elbasanit, komisar brigade

Në një hark kohor të shkurtër në gazetat “Ballkani” dhe “Republika” , u botuan materiale shumë komprometuese për punonjës të Komunitetit Musliman Shqiptar. Fallsifikime dëftesash që u kanë hapur rrugë mashtruesve të vazhdojnë shkolla fetare islame. Dokumente noterie ku të vekurit para disa muajsh firmosin duke qëndruar në këmbë sikur të ishin të gjallë. Noterë që bëjnë dokumente noterie, të cilëve u është hequr e drejta për të bërë dokumente të tilla. Dhe për të ilustruar këto akuza shtypi nxjerr përmes gazetës “Republika” faksimile që i rrisin vlerën saktësisë së akuzave që lëshon në adresë të atyre që punojnë në organin e lartë që drejton fenë islame në Shqipëri. Dhe punonjësi që është implikuar në këto mashtrime, duke qenë dora vetë, nuk është punonjës i thjeshtë në këtë institucion por është sekretari i Komunitetit Musliman Shqiptar, Sali Tivari. Nuk është hera e parë që këtij personi i del emri në shtyp për punë të dyshimta. Në gazetën “Albania” ka kohë që është dhënë lajmi ku shoqatat arabe, që kryejnë aktivitetet në vendin tonë, kanë kërkuar të hapet dosja Tivari. Pra në qendër të institucionit islam në Shqipëri diçka nuk po shkon mirë. Nuk ka shumë kohë që me vendim të këtij institucioni në Elbasan u emërua myfti i qytetit një komisar brigade duke pasë në dispozicion teologë të rinj me shkollë të lartë fetare. Çdo besimtar musliman e ndien veten të shqetësuar dhe të fyer kur merr vesh se ata që i drejtojnë janë të veshur me petkun e mashtruesit dhe disa prej tyre nuk punojnë për “punë të dinit, por për punë të mullinit”. Ndokush mund të thotë se nuk është e drejtë të bëhen publike shkrime të tilla sepse ata janë drejtuesit tonë, ose siç thotë një qytetar, janë gjeneralat tonë dhe duke ndjekur këtë rrugë i bëhet dëm fesë islame. Mendime të tilla janë sa të gabuara aq edhe të dëmshme sepse ata janë thjeshtë nëpunës së fesë islame dhe nuk janë feja islame. T’u veshësh atribute të tilla Komunitetit Musliman Shqiptar dhe Myftinive në rrethe do të thotë të bëhesh mbulesë dhe mburojë për ata që e shpërdorojnë detyrën që u kanë ngarkuar besimtarët muslimanë. Imunitet nuk ka askush në punën që kryen. Secili përballë Allahut të madhërueshëm është dhe duhet të jetë besimtar i devotshëm dhe duhet të ketë frikë Allahun, syrit të të cilit askush nuk mund t’i shpëtojë. Duket se atje ku duhet të punohet për fenë islame, Allahun nuk e kanë aspak frikë. Nuk ka si të spjegohen ndryshe veprimet të tilla të rënda në zemër të Komunitetit Musliman Shqiptar. Qëndrime dhe veprime të tilla të dyshimta duhet të japin përgjigje edhe për aktivitetin e zbehtë që kryen ky institucion islam në drejtim të propagandimit të mbrojtjes së fesë islame në Shqipëri. Është rasti të theksojmë se besimtarët muslimanë janë të privuar nga marrja e informacionit islam, se ata për fatin e keq të tyre kanë vetëm një gazetë kombëtare që quhet “Drita Islame”. Ajo del një herë në tre muaj, kur në fakt është mujore duke kushtuar 500 lek të vjetra. Pra besimtari musliman mund të marrë maksimumi 5 gazeta në vit, në një kohë kur ajo ka qenë gazetë e rregullt 2 javore, çdo numër e merrnin mbi 2000 besimtarë vetëm në Shkodër. Kurse sot më pak se 300 besimtarët kanë rastin ta gjejnë sepse nuk ka rregullsi në botim dhe nga 200 lek të vjetra është bërë 500 lek të vjetra duke sjellë ndërmend një ide shqetësuese, se a janë të interesuar në Komunitetin Musliman Shqiptar që besimtarët muslimanë në Shqipëri të marrin një informacion të saktë islam. I shtruam këto mendime për të vënë në dukje se besimtarët janë të zbuluar përballë një sulmi të rëndë dhe të kombinuar antiislam që bëjnë gazetat çdo ditë në Shqipëri ku flamurin e mban gazeta “55” dhe gazeta “Tema”, pa harruar ato që “ua heq dera” si gazeta “Koha Jonë”, “Shekulli” etj. Në këtë shtyp shpifarak shohim Bin Ladenin që shetit në Elbasan, shohim kulla shumëkatëshe në Tiranë që duhen rrëzuar sepse i kanë ndërtuar arabët muslimanë. Propagandohet se vrasjet bëhen në emër të Allahut dhe botohen çdo ditë materiale nga shtypi i huaj që sulmon dhe poshtëron fenë islame. Është e pabesueshme si merren nën mbrojtje izraelitët që po e kthejnë Palestinën në një varrezë ku po fusin një popull që e kanë bërë pa shtet. Arrihet deri aty sa gazeta “55” sulmon demostratën e organizuar në Tiranë në mbështetje të popullit palestinez. Të mos harrojmë se e gjithë Europa po proteston kundër Krimeve që po kryen armata e Sharonit në Palestinë. Kisha katolike shqiptare ka mbajtur qëndrim ndaj kësaj gjakderdhje me të drejtë. Kurse nuk ka asnjë deklaratë, asnjë prononcim nga Komuniteti Musliman Shqiptar për vrasjen e vëllezërve palestinezë nga armata izraelite që me zjarr e hekur po rrafshon gjithshka që i del përpara. Asnjë intervistë në shtypin e përditshëm nuk jepet nga përfaqësues të Komunitetit Musliman për t’i thënë ndal këtij sulmi qëllimkeq dhe për të demaskuar ata që shkruajnë dhe ata që janë mbas tyre në hije. Askush nuk duket në ekranet e televizorit për t’u thënë atyre që sulmojnë fenë islame se e kanë gabim dhe qëndrimi që po mbajnë është qëndrim antikombëtar. Asgjë nuk shihet dhe asgjë nuk ndigjohet. Edhe kur Z. Haxhi Sabri Koçi u prononcua për 11 Shtatorin, të nesërmen gazeta “55” e quajti terrorist dhe antiamerikan. Askush nuk foli dhe askush nuk u ndie i gjallë. Duket se krahasimi që ka bërë artikullshkruese para disa kohësh tek gazeta “Rimëkëmbja” është i drejtë. Ai thoshte se ata që drejtojnë Komunitetin Musliman Shqiptar rrijnë në këtë situatë të rëndë, kur islami është bërë tabelë qitje, si pula të lagura. Këto probleme që u shtruan në këtë shkrim nuk janë “një thikë pas shpine” që i ngulet Komunitetit Musliman Shqiptar. Për dijeni të lexuesit, grupe besimtarësh muslimanë janë takuar disa herë me përfaqësues të këtij institucioni duke u shtruar këto probleme dhe duke u folur nga “Baza”. Por ata e vazhdojnë rrugën e tyre sepse u duket e drejtë. Le të arsyetojë vetë lexuesi se cila rrugë është e drejtë dhe islame. Mendojmë se për akuza të tilla dhe publike duhen bërë prononcime të shpejta që të dalë e vërteta dhe të qetësohen besimtarët muslimanë në Shqipëri sepse akuza të tilla kaq të rënda e vendosin në pozitë të vështirë Komunitetin Musliman Shqiptar, sepse ai mban përgjegjësi direkte për veprimet mashtruese të një titullari kryesor siç është sekretari i këtij institucioni Sali Tivari. Dhe të mos harrojmë për asnjë çast se kjo figurë njihet edhe si “dorë e fortë” në këtë institucion që ka firmë e vulë për t’u “dhënë rrugë” problemeve që përballon ky institucion. Duket se ky titullar me rëndësi u ka dhënë rrugë të gabuar probleme të këtij institucioni i cili për fat të keq është fetar dhe këtu dëmi që shkaktohet është shumë i dhimshëm dhe shumë rrezatues kur kemi parsysh se ky dëm godet besimtarët musliman. Prandaj themi se besimtari musliman është në provë para Allahut të madhërishëm sa herë që ai merr frymë. Por edhe Allahu u ka dhënë besimtarëve të tij shansin që këto prova t’i kalojnë me sukses. Dhe çelësi i suksesit është frika që duhet të ketë besimtari musliman nga Allahu i madhërishëm, frikë të cilën ai duhet ta ndjejë në çdo veprim që ai kryen. Dhe po e ndjeu besimtari se do ta shohë veten një ditë duke dhënë llogari para Allahut, ai kurrë nuk do të ecë në rrugë të gabuar. Duket se disa prej atyre që sot drejtojnë Komunitetin Musliman Shqiptar janë bërë shumë “trima” dhe nuk kanë frikë Allahun. Nuk ka si spjegohet ndryshe fallsifikimi dhe mashtrime tek një titullar kaq me peshë në Komunitetin Musliman Shqiptar. Njerëz të tillë dhe ata që janë mbështetës të këtij dhe të shokëve që i shkojnë pas, islamin e kanë si stoli për t’u dukur të bukur dhe kurrë për ata islami nuk është rruga ku ata duhet të ecin. Prandaj publikimi i materjaleve të tilla që diskreditojnë hapur dhe publikisht Komunitetin Musliman Shqiptar na bën të mendojmë se ky rast është moment vendimtar që ky institucion islam të reflektojë dhe ta gjejë vehten për t’i shërbyer me përkushtim sa më të lartë fesë islame në Shqipëri.

Selim Goga

Poetët edhe nga varret përhapin flatra drite

-Më mirë vonë, se kurrë.

-Me artin s’ka të humbur, veç të fituar!

Këto ditë doli në qarkullim për lexuesin një vepër monografi (shumë e vonuar) nga jeta dhe vepra e poetit, prozatorit Gaspër Pali. Me autor Prof. as. Dok. Alfred Çapalikun. Ndoshta me dashje, poeti Gaspër Pali është lënë në harresë, ose dhe është anashkaluar nga institucionet më të rëndësishme, që mbajnë mbi shpinë, peshën e artit dhe kulturës shqiptare, siç janë Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve, apo Ministria e Kulturës, që siç duket supet i kanë shkëputur nga trungu… Ku ka dhjetë vjetë që me inisiativë e sponsorizim të tyre botojnë veprat e Naim Frashërit, e i ribotojnë disa herë, që edhe brezat që ende s’kanë lindur, i kanë mësuar përmendësh. Megjithatë nuk bëjnë keq. Ato janë vlera që i kanë qëndruar besnikërisht vlerave kombëtare për kohën, por si duket nuk njohin vlerat reale estetike kombëtare me shije dhe preferenca të reja. Ku një ndër këta autorë është edhe poeti Gaspër Pali.

Falënderojmë profesor Alfredin, për punën plot përkushtim, që na rizbuloi vlerat e pakontestueshme të poezisë brilante të poetit me potencial vlerash shumëplanësh në lëmin e letrave shqipe. Po për interes të kureshtjes së lexuesit në internet, ju them, se është Shkodra, kjo tokë pjellore gjithë yndyrë, që ka lindur dhe ka rritur yjet ekzemplare, qëndisur me shkronja të arta në letrat shqipe. Por yjet lindin vetëm për qiell, dhe s’mund t’i mbajë toka gjatë, se pesha e tyre është shumë e rëndë. Kështu ndodhi edhe me poetin Gaspër Pali. (ku prof. A. Çapaliku e quan Yll mbi Greminë)

Gaspër Pali u lind më 14 Gusht 1916 në qytetin e Shkodrës. Dhe vdiq më 21 Korrik 1942, në Shkodër.

      Gaspri kreu shkëlqyeshëm shkollën fillore dhe klasat e gjimnazit françeskan në Shkodër. Ku u dashurua pas muzikës, dhe nën drejtimin e At Martin Gjokës (ngritës i orkestrës frymore “Illyricum”) u bë flautist i talentuar. Ku studioi dhe bashkëpunoi me muzikantët e talentuar si Prek Jakovën, Tonin Harapin, Simon Gjonin, Çesk Zadenë, si dhe me dramaturgun Kolë Jakova. Dhe pikërisht në bankat e liceut françeskan (ku drejtorë ishin Gjergj Fishta e  Frano Kiri), Gaspri nga shtrati i ëmbël i muzikës çel petalet e para poetike me vjershën “Djepi i vorfën”. Më 4 Mars 1933, qëndis në letrat shqipe një ese 4 faqesh. Në këtë kohë ishte vetëm 17 vjeç. Dhe kështu filloi “aventura” e letrarit të ri Gaspër Pali, portreti i të cilit filloi të afirmohej, edhe pse në kushte të disfavorshme, pasi 23 prill 1933 shkollat private u mbyllën në Shkodër, dhe gjendja ekonomike e familjes së tij ishte shumë e varfër. Por kjo nuk ia mposhti pasionin djaloshit të talentuar dhe më 15 Shkurt 1936, në revistën “Rilindja” të Korçës botoi poezinë “Natë shtregullash”. Ky botim i dha autorit një sukses të madh në letrat shqipe. Në tetor të 1936-ës regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë të Firences në Itali. Ku vazhdoi aktivitetin letrar edhe në Itali me revistën shkodrane “Cirka”, duke përdorur pseudonimin, Gimi. Në janar të 1937-ës botoi një novelë folkloristike, “Plaka jonë”, ku prezantohet denjësisht me profilin e prozatorit. Më 1938 botoi novelën “Prangat e arta” në gazetën “Java”. Ndërsa në 1940 (brenda Firences) botoi poezinë shqipe, në revistën “Numero unico degli universitari albanesi”. Në vitin shkollor 1940-1941 Gapër Pali u emërua profesor i shqipes në Gjimnazin e Shtetit Shkodër, ku punoi afro dy vite shkollore. Revistat më në zë të asaj kohe, kërkon firmën e poetit dhe penën e kritikut letrar. Gaspër Pali botoi poezi dhe ese te revista “Shkëndija”, revistë që drejtohej nga një emër tjetër i madh i letrave shqipe Ernest Koliqi. Edhe pse Gaspri ishte kthyer në Shkodër, revista “Cirka” në nëntor 1941 botoi broshurën “Cordignano në gjygj para botës”, ku Gaspri është bashkautor me një grup profesorësh të Gjimnazit të Shtetit Shkodër. Ky botim pati bërë shumë bujë në mbarë Shqipërinë e më tej. Por ky shkëlqim i këtij meteori, filloi të shuhej fizikisht. Dhe më 21 korrik 1942, zemra e poetit pushoi që rrahuri përgjithnji, por veprat e tij janë të gjalla. Janë të kompozuara në partiturat e përjetësisë, që do të këndohen brez pas brezi. Por kritika shqiptare me ballin e rrudhur të dehjes delirante vazhdojnë ta përkëdhelin ndër duar mjegullën e të privilegjuarve të tyre, që tashmë janë bërë demode. I tundon vlera estetike e mirëfilltë e letërsisë shqiptare, që ka zënë pluhur merimangash. Por është rezistenca e fuqishme e lirikave brilante të Gaspër Palit, që miopëve i japin dritë të detyruar, për të parë larg… Kam lexuar studimet e kritikut, të Prof. Dr. Nehas Sopaj në revistën “Stili” të Shkupit 1999. ku me profesionalizëm të skalitur na dhuroi – Plurolirikën – shqiptare. Në të cilën një vend të rëndësishëm e zinin mjeshtrat e penës shqiptare, si Martin Camaj, Ernest Koliqi, etj. Dhe unë e pyeta, përse nuk kishte një analizë për poezinë e Gasprit? Ai më tha, se s’kish botime për të. Është me të vërtetë për të ardhur keq, që ne dashje, ose pa dashje nuk botohen veprat e plota të këtij poeti brilant, që me zërin e tij të ëmbël, i këndon përvajshëm dhimbjes, dashurisë. Dhe poetët si Gaspër Pali, edhe nga varri përhapin flatra drite të letërsisë bashkohore.

 

Epilog

21 korrik 1942 – 22 korrik 2002

Edhe dy muaj po troket 60-vjetori i vdekjes të poetit, prozatorit Gaspër Pali. Shpresoj që të rizgjoheni dhe të tregoheni qytetarë, ju pushtetarë të Shkodrës. Kujtohuni të paktën vetëm një herë të respektoni vlerat kombëtare. Dhe me siguri të vdekurit do të kënaqen me pak duke thënë: –Më mirë vonë, se kurrë!

“Kjo qetësi zbret në shpirt të kangatarit

      e i zbulon nji mall t’ri der tash i ndryem,

      para fjal’s s’tij.”

Ky kolazh nga Kanga e poetit, ju fton që të pastroni ndërgjegjen, ju studjues dhe përpilues të teksteve shkollore, për shkollat e mesme, e të larta, sepse pena e Gasprit është një dritare e hapur dije, për të gjithë brezat, që do ishte një sfidë e shumë referateve pa vlerë që botoni ju. Ky poet meriton shumë, jo një përvjetor, por mijra përvjetor. Me artin e vërtetë s’ka të humbur, veç të fituar!

Nga: Fatime Kulli

 

 

Kryengritja antikomuniste e vitit 1945, kushtrimi që u ngrit në qiell, por që nuk u ndigjua në tokë…

Nga fundi i nëntorit 1944, kur ikën gjermanët, në Shqipëri Komunistët tundnin “Sahanët”, për të bërë zhurmën e “fitores”, si dhe festën e “korrjeve” të farës kuqe Sllavo-ortodokse të mbjellë që në vitin 1941 nga “specialistët” jugosllavë. E kjo farë si për koinçidencë quhej Komunizëm duke pasur një mbarës të përbashkët me fashizmin e Izmat e tjerë të cilëve jo pak ju a kishim parë sherrin ndërmote…

Gjithsesi suksesi i farës së kuqe kishte qenë i mahnitshëm në trevat jugore të Shqipërisë, e komunistët grekë kishin padyshim meritën e tyre, ku në pamundësi për të kultivuar farën komuniste në tokën Greke tashmë po kontribonin në tokën shqiptare që shpesh e konsideronin si të tyre.

Në këto kushte Shqipëria po “pushtohej” nga një ideologji e Re, por me prapavijë të vjetër dukshëm antishqiptare, ku çdo vonesë do të kishte pasojat e pariparueshme për fatet e mjeruara e sakatuara të shqiptarëve. Sidoqoftë Shqipëria “priste” kushtrimin, e ky kushtrim nuk vonoi, madje ai erdhi nga treva simbol e shqiptarisë Malësia e Madhe e cila në janar të vitit 1945 kur fara e kuqe komuniste e mbjellë nga Popoviçët, Mugoshët, Titistët e Stalinistët sapo kishte filluar të mbijë (edhe në Malësi). Malësorët dhanë të parët Kushtrimin: Të rroken armët e shkatërrohet kjo farë e huaj që po rritej për të zezën e Malësisë e Shqipërisë. Natyrisht Malësorët e ndigjuan kushtrimin e përkohësisht arritën ta çlirojnë Malësinë, por fatkeqësisht kushtrimi nuk u ndigjua nga pjesa tjetër e Shqipërisë e si rezultat Kryengritja u shua, Malësia e Shqipëria nga fara e kuqe u pushtua… Por edhe pas këtij kobi që mbuloi vendin e shqiponjave Idealet e ndezura në janarin e vitit 1945 nuk u shuan kurrë edhe pse për ato u pagua mjaft shtrenjtë me jetë njerëzish, vite tepër të gjata burgosjesh e internimesh si dhe persekucioni të pashembullt në luftën e gjatë civile, herë të ftohtë e herë të nxehtë e që në gjuhën marksiste quhet luftë klasash. Padyshim këto ideale lirie ishin e vetmja dritë në fundin e “tunelit” të ftohtë dhe errësirën e pashoqe ku komunizmi Sllav e lakejtë e tij E. Hoxha, H. Kapo e tjerë e kishin mbyllur Shqipërinë… Natyrisht për ta kujtuar sadopak këtë ngjarje tashmë jo vetëm historike e cila ishte padyshim kryengritja e parë antikomuniste, kushtrimi më antikomunist jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Europën e re që pretendohej të ndërtohej, e cila fatkeqësisht nuk e dëgjoi kushtrimin tonë, i cili na kushtoi si gjithnjë jo vetëm ne, por edhe vetë Europë, në kapërcyellet e së cilës kishim lënë jo pak ne shqiptarët… Ishin ditët e fundit të vitit 1944, kur burrat e urtë e trima që Malësia e më gjerë i donte e i respektonte kishin bërë takimin solemn në Malin e Shkrelit e në Bajzë të Kastratit për t’u organizuar e dhënë besën njëri-tjetrit që komunizmin ta luftojnë me armë në dorë siç kishin luftuar çdo pushtues tjetër, edhe pse rreziku ishte tepër i madh e me pasoja për këta burra që kurrë nuk e kishin bërë fjalën dysh kur ishte puna për të mbrojtur trojet tona, zakonet tona, jetën tonë, nderin tonë, besën, burrërinë e fenë e të parëve kristjanë e muhamedanë, e që pushtuesit komunistë jo vetëm nuk i njihnin, por kërkonin ti përdhosnin përgjithjë. Fjalët e njërit nga drejtuesit e kryengritjes antikmuniste më dt. 24 dhjetor 1944 trimit të urtë Gjon Martin Lulati në takimin e zhvilluar në shtëpinë e Gjok Tom Kokajt me bashkëluftëtarët e organizatorët e kryengritjes do të kumbonin në veshët e kryengritësve më shumë e plumbat e renegatëve komunistë të marrë “hua” nga parcelat e jugut të Shqipërisë apo nga vendas të “gënjyer”, e Gjoni atë natë të paharruar ndër të tjera tha: “Vëllazën, mirse u bashkuam në këtë kuvend burrash malësorë i cili që tashti na thërret që me guxim e trimni, por edhe me zgjuarsi e besë që kurrë s’u ka munguar, të bisedojmë në mes vedit e të caktojmë detyra për secilin që pa humbur kohë të shkojmë, fis në fis, katund në katund, shpi për shpi për të përgatitur ditën e kryengritjes. Por për këtë ne e dimë se malësorët e më gjerë janë të gjithë me ne, por për ta përforcuar këtë kisha dashtë me me e dijtë të gjithë se çfarë është komunizmi, dhe çfarë do të thotë të sundojë ai, se po ta dini mirë si e di vetë ma parë do të pranojshin të gjithë me u mytë në Vire (një thellësi e ftohtësi e pashoqe të liqenit të Shkodrës).

Për këtë duhet ti sqaroni njerëzit se komunizmi ju grabit, tokë, bagëti, shtëpi e pasuri, ju prish kisha e xhamija, ju ban të mohoni nanën, babën, vëllanë e motrën, ju ban mos me njoftë kushri, fis as kumari. Ju grumbullon si bagtia në një vathë e ju çon me punue e jetue në rresht tuj u grahë e rrahë hori i horave që e vënë komunizmi në krye të huqametit të vet. E kur t’u teket këtyre horave komunistë edhe ju vret e pret, ju fut në burg, e trupin tuej ju a qet qenve, për mos me u gjetë as kurrë vorret tuaja. Prandaj duke pasë parasyshë këto të këqija që s’kanë fund ju baj thirrje që edhe nëse vdesim sot, të vdesim me nderë e për hatër të fëmijëve tanë që të jenë pa komunistë nesër…”

Në këtë kuvend qëndronin edhe trimat luaj malesh Mirot Paloka, Mark Gjok Kokaj, Kol Gjok Kokaj, Tom Lek Daka, Mark Luc Gjoni, Gjok Nikoll Voci, Zef Ded Nika, Pjetër Gjok Doda, Palok Gjokë Hoti e Pjetër Gjokë Hoti, Kol Llesh Malaj, Zef Gjon Malaj e Mark Nikoll Malaj, Gjergj Prek Malaj…

Ndërsa në Shkrel përgatiste terrenin për kryengritje oficeri famëmadh Llesh Marashi i cili padyshim ishte edhe figura kryesore që do të drejtonte krejt kryengritjen e Malësisë në ditët e ardhshme të Janarit 1945. madje kryengritja po përgatitej të fillonte edhe në Kelmend ku si prijës ksihin legjendarin Prek Cali, por kryengritja po përgatitej edhe në Mirditë, në Shkodër, Postribë e mbi të gjitha në zonën e nënshkodrës që njihet me emrin si kryengritja e Berdicës, por që në fakt pjesëmarrësit që përgatiteshin për këtë kryengritje ishin nga të gjitha katundet e zonat e rrethit Shkodër, nga ku shpresonin se do të dëgjonin edhe trevat e tjera shqiptare, duke marrë trajtat e një kryengritjeje mbarëkombëtare. Mjerisht planet e kryengritjes sado sekret që të ishin ato shpesh po dekonspiroheshin e raportoheshin tek komunistët nga vigjilentët e tyre spiunë të cilët po dëmtonin jo pak interesat e kryengritjes, por pa vonuar edhe të tyre e familjes tyre. Gjithsesi në këto kushte po lindte nevoja e fillimit të kryengritjes jo kur ishte planifikuar nga pjesa më e madhe e veriut të Shqipërisë në fillim të pranverës, por menjëherë në janarin e egër nga moti i stinës dhe boja e kuqe komuniste që po invadonte me shpejtësi Malësinë e Shqipërinë. Menjëherë pas kësaj situate që në ditët e para të janarit deri me datën 10 janar 1945 Llesh Marashi e Mirot Paloka kishin grumbulluar disa malësorë trima të cilët i kishin organizuar në çeta të prëqendruara në Katund e Kastrat të cilat stërviteshin e strehoheshin nga familjet bujare të zonës, ku dallohet për bukëdhanë familja e Nikoll Vat Ivanit. Siç thashë më sipër as ky organizim nuk i kishte shpëtuar syrit vigjilent të spiunëve komunisë, fatkeqësisht edhe Malësorë, si rezultat me datën 10 janar te Kisha e Katundit Kastratit u bë përpjekja e parë me armë në mes kryengritësve e komunistëve, ku pasi zgjati disa orë dhe forcat komuniste u thyen mbeti i plagosur rëndë dhe vdiq pa vonuar Dëshmori i parë i kësaj kryengritjeje Kol Shotaj i cili luftoi trimërisht me armë në dorë kundër bishave të kuqe që si manekin ishin indoktrinuar e importuar nga parcelat e jugut. Me të dëgjuar këto krisma që paralajmëruan stuhinë organizime çetash antikomuniste pati deri në Reç e sa për Kelmendin ai tashmë ishte përfshirë i tëri. Në këtë kohë edhe në zonën e nënshkodrës antikomunistët e njohur Jup Kazazi e Abaz Ermenji ishin të strehuar në fshatin Trush në shtëpinë e Xhurretajve, ku kishin bërë shumë takime me vendas antikmunistë si me vëllezërit Xhurretaj ku spikaste Shaqir Xhurreta, por edhe trimat Ded Shabani prej Malit Kolaj, Sadik Mema, Nikoll Zefi, Veli Xhepi e Sait Cani prej Trushit. Tjetër kuvend ishte zhvilluar po në Trush në shtëpinë e Dedë Gjondashit ku kishin marrë pjesë Ded Shabani me trimat e tij, por edhe nga Lezha Xhemal Mlika që përfaqësonte parinë antikomuniste atje. Nga këto takime sipas të mbijetuarve në qendër të vëmendjes ishte lidhja e koordinimi i veprimeve me kryengritësit Malësorë Prek Cali e Llesh Marashi, si dhe me Gjonmarkajt e Mirditës. Qëllimi ishte që kryengritja të shpërthente në një kohë që mbasi të merrej Shkodra me krijue një zonë e lirë deri në Portin e Shëngjinit ku shpresonin se do të zbarkonin forcat aleate antikomuniste të Europës Perëndimore e Amerikës. Për të arritur këto që në mbrëmjen e 14 janarit të vitit 1945 te Kisha e Beltojës u mblodhën qindra burra trima të betuar kundër komunizmit, të cilët ishin nga katundet Trush, Berdicë, Melgushë, Mali i Kolajve, Ana e Malit, Beltojë e tjerë të cilët ishin të gatshëm me msye “pushtetin” komunist të instaluar dhunshëm në kryeqendrën veriore të Shqipërisë, Shkodrën e pushtuar në këto ditë tragjike. Për të realizuar Çlirimin e Shkodrës nga komunistët shqiptaro-sllavë po më 14 janar 1945 si masë paraprake ishte prerë lidhja telefonike me pjesët e tjera të Shqipërisë, si dhe bllokuar rruga kryesore që lidhte Shkodrën me Tiranën me mjetet rrethanore, e të gjitha këto do të bënin që kryengritësit e Shkodrës e nënshkodrës të takoheshin në Shkodrën e çliruar, me forcat kryengritëse të Malësisë së Madhe që do të çlironin Malësinë nga forcat Komuniste, nga ku besohej se Europa e Bota do të dëgjonte thirrjen e kushtrimit për të shkatërruar farën bolshevike që rrezikonte krejt kontinentin. Gjithsesi në këtë organizim çlirimtarësh dalloheshin figurat patriotike e antikomuniste Abaz Ermenji, Ded Shabani, Jup Kazazi, Halit Gerbeti, Arif Selimi e mbi të gjitha trimi legjendar Hasan Isufi e tjerë… Natyrisht gjatë kësaj kohe në Malësi të Madhe ziente lufta për organizimin e përgatitjen e kryengritjes që tashmë po bëhej e pashmangshme e me rreziqe të sigurta për Malësorët të cilët nuk donin t’ia dinin mër, por donin vetëm të luftonin për të dëbuar e dëmtuar komunizmin sllav që paralajmëronte fundin e “Botës” Shqiptare e Malësore…

Me datën 21 janar Llesh Marashi që ishte dhe udhëheqësi kryesor ushtarak i kryengritjes ishte i strehuar në shtëpinë e Luket Marashit, nga ku komunistët të mirinformuar kërkonin ta kapnin të gjallë. Por përpjekja tjetër e kryengritësve ishte lidhja me Prek Calin, e për këtë u nisën nga qendra e kësaj kryengritje vetë trimat Gjon Martin Lulati e Mirot Paloka me disa kryengritës. Gjatë rrugës në Grishaj këto forca u ndeshën ballë për ballë me forcat komuniste, ku pas luftimesh të ashpra fituan kryengritësit e Shkrelit e Kastratit të cilët zunë robër 15 partizanë komunistë të cilët vetëm sa i çarmatosën e ju falën jetën, ndonëse ata kishin plagosur luftëtarin e lirisë Gjokë Hotin (nipin e Gjon Martinit). Pas kësaj beteje fitimtare, kryengritësit arritën në Bajzë ku takuan priftin e famullisë Pater Çiril Canin i cili në shenjë alarmi u ra kumonëve të kishës, ku brenda një kohe tepër të shkurtër u grumbulluan te kisha qindra kastratas trima e antikomunistë që me armë në dorë zhvilluan një betejë të pashoqe kundër forcave të ndjekjes e komandës komuniste të instaluar në Bajzë. Këto luftime të ashpra bënë që të kenë edhe viktima nga të dyja palët, ku për fat të keq të vrarët ishin të gjithë Malësorë, nga kryengritësit ranë me armë në dorë trimat Lulash Cuk Curri nga Jerani dhe Zef Toma nga Shkreli, ndërsa nga forcat komuniste u vranë të gënjyerit nga “droga e kuqe” Jonuz Naçi nga Aliajt dhe Myftar Sokoli nga Reçi. Në këtë betejë u arrit që të merret jo vetëm posta ushtarake e komunistëve, por edhe Komuna si institucion, ku për këtë ndihmoi padyshim sekretari i komunës, intelektuali me banim në Shkodër Luigj Gjekë Kastrati, i cili nuk pranoi të bashkohej me forcat komuniste,p or madje “keqinformoi” pushtetin komunist në Shkodër duke mos u treguar situatën reale në Malësi të komunistëve, natyrisht për këtë e pagoi më vonë me jetën e tij, por kështu ai më mirë preferoi një vdekje me nderë se një jetë me faqe të zezë. Pas kësaj që u arrit në Bajzë forcat çlirimtare të Malësisë u rritën në mënyrë të mahnitshme, duke krijuar kështu një kryengritje të madhe antikomuniste, ku pjesëmarrësit u shtuan nga të gjitha trevat e Malësisë. Nga këtu u nisën këto forca për çlirimin e Koplikut që në atë kohë ishte N/Prefekturë, ku pas disa luftimesh u arrit të merrej koj qendër e rëndësishme, ku nga forcat komuniste u kapën rreth 20 robër të cilët pasi u çarmatosën u mbajtën në gjendje arresti në dyqanin e Lekë Gjeloshit të Pjetroshanit në Koplik, por që as nuk u dhunuan e as nuk u pushkatuan. Këto ditë janari ishin vërtetë të stuhishme për Malësinë e më gjerë pasi tregonin trimërinë e guximin e kësaj treve legjendare ndër shekuj për t’u ndeshur me këlyshët e ulkonjave sllave që kishin lindur në tokat mjerisht shqiptare. Megjithatë gjatë këtyre ditëve ishte çuar në vend amaneti i të parëve për të pritur me pushkë çdo pushtues qoftë ky edhe me emra shqiptarësh. Data 25 janar 1945 i gjen kryengritësit në formacion luftimi tek Ura e Rrjollit përballë forcave të shumta komuniste që për fat të keq nuk kishin arritur që “kryengritësit” e Shkodrës e nënshkodrës ti ndalonin, pasi kryengritja e Berdicës siç njihet kishte dështuar aksidentalisht, ose më saktë ishte tradhëtuar mizorisht nga këlyshët e kuq që ditën hanin tek antikomunistët e natën lehnin tek komunistët.

Forcat antikomuniste Malësore ishin ndarë në tre formacione luftimi, në krahun e djathtë qëndronte Gjon Martini me trimat e tij, në krahun e majtë qëndronte me trimat Mirot Paloka, ndërsa në qendër të Urës së Rrjollit ishte vendosur me “luanët” e tij Llesh Marashi. Lufta tashmë ishte ndezur me tërë arsenalin e saj, “luanët” Malësorë luftonin pa u trembur kundër mijëra forcave komuniste për shumë orë, deri sa ranë në krye të betejës trimat legjendarë Gjon Martin Lulati e Mirot Palok Kokaj, si dhe u plagos luftëtari Gjon Nikë Preçetaj. Pas kësaj beteje të pabarabartë ku forcat kryengritëse malësore mbetën të izoluara u detyruan të tërhiqen, por për të vazhduar përsëri rezistencën. Pas kësaj krimineli sadist Mehmet Shehu për të gënjyer Malësorët shpalli amnisti për të gjithë pjesëmarrësit në kryengritje, por duke përjashtuar, drejtuesit e kryengritjes Llesh Marashin, Rrok Kantin (nipin e Lleshit), Pejtër Gjokën (Bajraktarin e Vrishit) si dhe po të ishin gjallë Gjon Martinin e Mirot Palokën… Në fakt pas kësaj në Mal mbeti vetë Komandant Llesh Marashi me disa bashkëluftëtarë të tij, por duke parë fatin tragjik të shokëve të tij të rinj, ai vendosi të dorëzohet e sakrifikohet vetë për të shpëtuar shokët. Siç dihet Lleshi u ekzekutua nga komunistët me varje, por shokët e tij të dorëzuar më parë e tani edhe pse kishte dalë amnistia pësuan kalvarin e tmerrshëm të makinës kriminale komuniste që i preu në besë, por ku ka besë komunizmi? Konkretisht po citojmë disa nga ata burra që morën pjesë në mbledhjen e 24 dhjetorit 1944 e në kryengritje, por që sipas amnistisë ishin falur, por pabesia komuniste u mori jetën, duke i lënë shpesh ashtu si i paralajmëronte Komandanti trim i Katratit Gjon Martin Lulati pa varr, e ata janë Gjokë Tom Kokaj, Kol Llesh Malaj, Mark Nikoll Malaj, të cilët pushkatohen me datën 8 shkurt 1945… Por pa vonuar do të pushkatoheshin edhe trimat kryengritës, Luigj Kastrati, Tom Lek Dakaj, Gjon Nikoll Voci, Ndok Nikë Preçetaj, Mark Lucë Gjoni e së bashku me ta edhe Prek Cali e trima të tjerë. Gjithsesi pas kësaj Malësia e Madhe pësoi kalvarin më kriminal që  një regjim gjakatar kishte kryer, për këtë mjafton të kujtojmë se rreth 167 burra malësorë u pushkatuan, vetëm se donin lirinë e Shqipërinë, ndërsa vetëm periudha pas kryengritjes (1945-1952) shënon emrat e 47 viktimave që ndonëse disa po i përsëris nuk po mundem pa i shënuar të gjithë së bashku, si dhe u flijuan… ata: 1. Prek Cali, 2. Ded Lulash Smajli, 3. Ded Gjo Deda, 4. Idrize Kadri Delaj, 5. Fran Dash Preka, 6. Mri Dash Preka, 7. Kartina Nikë Bikaj, 8. Dila Luç Dakaj, 9. Gjon Preç Rexhaj, 10. Ujk Mark Qosja, 11. Mark Gjelosh Mirukaj, 12. Gjekë Marash Tinaj, 13. Mare Ilia Vacaj, 14. Gjergj Lul Hysaj, 15. Ndue Fred Rrukaj, 16. Tom Lekë Daka, 17. Gjok Tom Kokaj, 18. Gjok Nikoll voci, 19. Ndok Nik Pretaçaj, 20. Pashko Ded Curraj, 21. Mark Nikoll Malaj, 22. Pjetër Gjok Koti, 23. Mark Luc Gjoni, 24. Gjok Ded Braci, 25. Luc Gjeto Lakaj, 26. Nikoll Gjon Vneshti, 27. Kel Llesh Malaj, 28. Nosh Llesh Malaj, 29. Luigj Gjeto Kastrati, 30. Gjon Lucë Kaçaj, 31. Nikoll Prek Dedaj, 32. Pjetër Nikë Nikaj, 33.  Gjokë Nikë Luli, 34. Dyl Bajrami, 35. Maliq Bajrami, 36. Dom Ndre Zadeja (famullitar me influencë në zonën e Shkrelit e më gjerë), 37. Idriz Jaho Ilia (ish Prefekti i Gjirokastrës i pushkatuar së bashku me malësorët), 38. Ded Gjekë Vukçaj, 39. Gjon Lek Xhaj, 40. Gjekë Kol Pëllumbi, 41. Mirash Gjon Sokoli, 42. Prekë Lekë Rushaj, 43. Mark Tom Makaj, 44. Taro Keq Balaj, 45. Lan Sadik Lani, 46. Adem Rrustem Tahiraj, 47. Ibrahim Caf Burgaj. Interesant është se dy nga emrat e kryengritësve që luftonin kundër komunizmit me Malësorët janë kosovarët vëllezër Shemsi Feri e Hamdi Feri (nipat e patriotit Jakup Feri) të cilët kishin lënë Kosovën nga shtypja Serbe, por që edhe në Shqipëri kishin gjetur po ideologjinë Serbe që zbatohej në mënyrë të tmerrshme nga lakejt e komunizmës. Mbasi kryengritja e dështuar e Bërdicës ka lidhje me kryengritjen e Malësisë ja vlen të themi disa fjalë edhe për trimat që pësuan fatin e mjerë të shokëve malësorë nën regjimin komunist që po instalohej.

Batalionet kriminale të komanduara nga krimineli Shefqet Peçi do të provonin siç thoshte Mit’hat Frashëri “Se komunizma s’ka as më të voglin dyshim se e keni kuptuar edhe vetë, se është sëmundje e tmerruar si tërbimi i Qenve e Ujqërve, është një kolerë që nuk shkatërron vetëm trupin, por e më tepër akoma zemrën dhe shpirtin e njeriut…” E kështu të tërbuar komunistët do të pushkatonin e vrisnin shqiptarë nga më shqiptarët, si Hasan Isufin bashkë me të vëllanë Ahmetin, si dhe pasi ta kapnin të gjallë do ta pushkatonin pas pak ditësh edhe Ademin të cilët ranë heroikisht duke luftuar në Malin e Kolajve. Të akuzuar për ngjarjen e Berdicës do t’u pushkatojshin prej katundit Berdicë, Taip Halili e Rexhep Halili (babë e bir), Veli Sala, Lush Paloka, Shaban Dani, Hider Dyli, Martin Rroku, Pjetër Darragjati, në prani të popullsisë do tu pushkatojshin pa gjyq Pjetër Harapi e Pjetër Loroja. Pa vonuar u pushkatua edhe lezhjani Xhemal Mlika dhe Arif Selimi i Vukatanës, i cili nuk pranoi kurrë të tregonte vendin ku ndodheshin Kazazët që kërkoheshin nga komunistët me siguri si më vonë ndodhi të pushkatoheshin. Ndërsa pjesëmarrësit e tjerë të përmenda më lart në organizimet e mbledhjet për kryengritjen e Berdicës kaluan nëpër vitet e tmerrshme të Mat’hauzenit shqiptar që quheshin burgje apo më lehtë kampe internimesh. Duhet theksuar se në Lëvizjen e Berdicës spikatë emri i një femre shqiptare nga Lushnja Neta Fuga e cila kishte “braktisur” ushtrinë komuniste, për t’u bashkuar me shqiptarët e patriotët që dhanë kushtrimin për të mbrojtë atdheun nga invazioni i ideologjisë së kuqe Sllave, edhe pse kjo fatin e saj e parashikonte mirë në duar të xhelatëve komunistë që nuk kursenin as fëmijët e të moshuarit pa lëre femrat…

Tashmë komunizmi pas shtypjes së kësaj kryengritjeje antikomuniste të Malësisë së Madhe e deri përpjekjet e vëllezërve të tyre të nënshkodrës e më gjerë; filloi të forcohet jo vetëm në trevat e tjera të Shqipërisë, por edhe në simbolet antikomuniste shqiptare në Malësi e Shkodër, kur padyshim kalvari çnjerëzor ka qenë më i tmerrshmi i të tmerrshmëve që njeh historia e gjithë diktaturave të të gjitha kohërave, të paktën që nga mesjeta e vonshme e këtej… Por duke e mbyllur këtë shkrim disi modest pasi kanë mbetur shumë ngjarje e figura që kanë lidhje me këtë kushtrim antikomunist që u ngrit në qiell, por që nuk u dëgjua në tokë (Shqipëri), për arsye vendi për një shkrim të tillë, situatën pas “pushtimit” komunist të Malësisë (edhe Shqipërisë) po e përshkruaj shkurt duke përsëritur fjalët e vajtores famëmadhe Tone Kuqja e cila në ato ditë vajtonte:

Mjera ti more Malësi

Shpija e stane shkrum e hi

Sa nuk ka ma as gjethë as bar

Ma të mirët burra vjerrë në litarë

Të tanë Hotnit lidhë me tel

Keq në Kastrat e ma zi në Shkrel

E në Kelmend s’këndon pulë as gjel…

Po sot në shekulin e 21-të dikush mund të pyesë si është Malësia që në demokraci meritonte vendin e parë?! E përgjigja është, si shpërblim nga pasardhësit e komunistëve që qeverisin sot, ajo vazhdon të paguajë pasojat e kryengritjes antikomuniste të vitit 1945 që trazoi jo pak shpirtërat e baballarëve të komunistëve të rinj me mantel të dalur boje nga të kuqe në ngjyrë Rozë…

Nga: Ndue Bacaj

 

Libra në dorëshkrim të Jak Zekës

1.                   Java e gjakut – tragjedi (në tri pjesë), 1864 faqe me 42000 vargje

2.                   Ngushëllimet e vetmisë – vepër me 1064 faqe me përkthime, tregime të shkurtëra, poezi.

3.                   Ndër mrize ilire, poezi 212 faqe me 4000 vargje.

4.                   Andrrat e rinisë, poezi 430 faqe me 6450 vargje.

5.                   Varret e zemrës, poezi 502 faqe me 7500 vargje.

6.                   Gjamë disprimi, poezi 718 faqe me 10800 vargje.

7.                   Kapuçat, parodi 120 faqe me 2000 vargje.

8.                   Zogu i Parë – mbret i shqiptarëve, parodi 872 faqe me 17000 vargje.

9.                   Ditar i çuditshëm, roman psikologjik me 430 faqe.

10.                Ish kapteri Vokrri, roman 352 faqe.

 

Jak Zekaj, një mister i letrave shqipe

Njeriu që lindi e u rrit jetim, punoi gjithë jetën i rrethuar nga priacionet e shumta, e së fundi vdiq si në hije, quhet Jak Zekaj. Jak Zekaj nuk bën pjesë në turmat shumëmilionëshe të njerëzve që janë të rastësishëm në këtë botë. Përkundrazi, ai bën pjesë në atë grup njerëzish që erdhën në këtë botë për të qenë “dikushi”, për të qenë shembëlltyra e së mirës, e prosperitetit. Në gjallje gjithkush e ka njohur dom Jakun. Tashmë që ai prehet në parajsë opinioni ka filluar ta njohë si shkrimtarin, përkthyesin, poetin, piktorin Jak Zekaj. Ndoshta në një të ardhme tash bindet lexuesi se ç’vlera ka mbartur dhe ka lënë për njerëzimin.

Kush është Jak Zekaj!

Jak Zekaj lindi në fshatin Baqël të Zadrimës më 13 korrik 1906. ishte i dhjeti fëmijë i çiftit Prend e Dilë Nikolli dhe i vetmi që jetoi. Në moshën 20 muajshe i vdes e ëma, duke ju privuar përgjithmonë dora që do ta përkëdhelte, dora e nënës. Mëson shkrim e këndim tek Ipeshkëvi në Nenshat. Në moshën 11 vjeçare, pikërisht në vitin 1917 futet në Seminarin Papnuer në Shkodër. Të 5 klasat e para, falë inteligjencës së lartë, dhuratë prej natyrës, i përfundon në 3 vjet. Më pas vazhdon gjimnazin, liceun dhe teologjinë. Në gusht të vitit 1932 dha meshën e parë në Nenshat, në zemër të dioqezit të Sapës. Në shugurimin e tij si meshtar, i dërguar i Selisë së Shejtë ishte Gjon della Pietra, personalitet i dëgjuar i kohës. Vitet e shkollës dëshmuan, zgjuarsinë, talentin dhe vullnetin e Zekajt për të mësuar e për t’u bërë njeri i zoti. Libri nuk mungoi asnjëherë këtij njeriu, ndoshta buka po. Për këtë arsye ndonëse ishte nxënës, shpeshherë ishte dhe “shok” i profesorëve  gjermanë, austriakë apo italianë që e mësonin. Por afër e mbante edhe mësuesi shqiptar Gjergj Fishta. Jo thjeshtë se ata, që të dy vinin nga Zadrima, por sepse i bashkonte horizonti dhe vështrimi me të cilin rroknin hapësirat e jetës.

Jak Zekaj zotëronte në mënyrë perfekte italishten, latinishten, greqishte e vjetër, gjermanishten, frëngjishten, por njihte edhe serbokroatishten, ebraishten, spanjishten, pak njihte edhe rusishten e anglishten.

Ja çfarë shkruan dom Jaku: “Jam tepër i dhanun mbas literaturës, sidomos poetike, e gadi si i marrë entusiazmohem në leximin e klasikëve greko-romakë, edhe të poetëve të tjerë botnorë. Mundohem me krijue vjersha jo vetëm në shqip, por edhe në    gjuhë të tjera. Zotnoj fare mirë literaturën greke, latine e italiane, por kam njoftuni bukur të hapët edhe për leteraturë të kombeve të tjerë sidomos europianë, aq sa profesorët dhe shokët më thërrasin letrari enciklopedik, nodshta për tallje. (Nga dorëshkrimi, “Ditari i një të harruemit”).

Në periudhën gusht-dhjetor 1932 punon në ambasadën e Vatikanit. Po në këtë vit emërohet meshtar në Kryezi të Pukës, e pas 6 vjetësh në Qelëz deri në vitin 1946. Plot 14 vjet Zekaj i kalon në malet e Pukës, kohë gjatë së cilës ai shpërndan fjalën e Zotit, lajmëron të vërtetat hyjnore, por edhe shkruan libra. Pikërisht gjatë kësaj kohe, ka dalë nga mendja, zemra dhe dora e Jak Zekaj, ndoshta dhe kryevepra e tij “Java e gjakut” me 1864 faqe dorëshkrim, me rreth 42000 vargje. Sipas mendimit tonë kjo vepër përbën dhe “Lahutën…” e Jak Zekajt.

Jeta e malësorëve në malet e Pukës, madje shumë primitive, por fisnike, peisazhet hollivudiane të maleve të kësaj zone, me siguri kanë frymëzuar priftin shkrimtar për të krijuar vlera e përgjithësime të dobishme për njerëzimin. Krahas kësaj klima e vështirë i dhuroi fizikut të dom Jakut trupin e drejtë e të shëndetshëm dhe që nga ajo kohë ai çdo mëngjes lante kokën me ujë të ftohtë.

Si për të gjithë klerikët edhe për Zekajn rregjimi komunist i rezervoi heqje të lirisë. Në vitin 1946, më 26 tetor, arrestohet, burgoset dhe dënohet me dy vjet burg. Akuza: agjitacion dhe propagandë. Pikëpamjet dhe qëndrimet e hapura publike të Jak Zekës nuk shkonin në të njëjtin krah me ato të udhëheqësve komunistë. Vetëm burgu shikohej si mundësi për t’i mbyllur gojën atij dhe mijëra të tjerëve që ja vinin veshin fjalës së urtë të Zekës. Edhe jeta e burgut në Kavajë dhe në Shkodër i ofroi subjekte për poezi e tregime, e mundësi për të përkthyer  kolosë të letërsisë botërore.

Me daljen nga burgu, ai kthehet si meshtar, si lajmëtar i të vërtetave hyjnore, në Zadrimën e tij të dashur që e kishte lindur. Shërbeu në Nenshatë, Hajmel, Baqel, Kodhel, Shelqet, Naraç, Pistull etj., deri më 19 mars 1967, ditë në të cilën largohet nga famullia e Hajmelit pas mbylljes nga “populli” të objekteve fetare.

Ikjen e kujtonte me mjaft dhimbje. Mbi të gjitha për librat e shumtë që u keqpërdorën dhe humbën gjatë transportit, edhe për të tjerë që u morën nga oganet e sigurimit dhe nuk u kthyen më. Në “karvanin” që e shoqëronin këtë ikje, bënin pjesë dy qerre vetëm me libra. Një arkë nusesh zadrimore u “varros” për t’u zhvarrosur pas pak muajsh për shkak të rrezikut të persekutimit komunist. Të gjitha këto vetëm me libra, fjalorë, fletore të shkruara, piktura, përkthime, etj.

“Unë gjamtar i lanun vetëm, fillova gjamën përmbi therrorët ekëputuna prej duerve të tiranëve…e kjo gjamë e përzieme me lotët e mi, kullue mbi kufomë të grumbullueme e mbi gjak të ngrimë, asht operacioni për të cilin ka nevojë shoqnija njerëzore… tue ndie vajin e fëmive që të unshëm lypin bukën e s’ka kush jua nep, e, tue pa lotët e tue ndi ofshamat e nanave të shkreta e dënesat e gocave të shtyeme në poshtërim prej nevojave të jetës… qita britmën e zani em i namët kje lutë, drejtue Hyjnisë, që ta sillte shikimin mbi këto zaje… e të lëshonte rrfenat e veta mbi dhunuesit e të drejtave njëzore…”

Ky pasazh është mjaftueshëm për të kuptuar qëndrimin e shkrimtarit-prift.

Nga viti 1967 deri më 5 dhjetor 1996 kur vdiq, Jak Zekaj, jetoi i “atashuar” pranë nipave, gjatë kësaj kohe vazhdoi të kryente ritet fetare dhe të shkruajë e përkthejë. Për 28 vjet me radhë Jak Zekaj nuk e kaloi kurrë portën e oborrit. I zhytur në vetmi, ai lutej dhe shkruante, madje ai ka shkruar e kënduar për “E lumja vetmi”.

Midis autorëve të përkthyer mund të përmendim: Eskili, Sofokli, Euripidi, Theokriti, Vitorio Alfieri, Ugo Faskola, Hajne, Shekspir, Herodoti, Rousessau, Plutarku, Virgili, Ciceroni, Tomas Hobs, Charl Monteskje, Xhulio Ubertozzi, Volteri, Seneco, Dante Aligieri, etj., etj. Ja ky është Jak Zekaj, autori i mbi 90 mijë vargjve që pret ende të futet në botën e lexuesit, aq të etur për vlera të mirëfillta, larg tregtisë e boshllëkut, të vlerave letrare.

Në atë ditë të ftohtë, të vranët, të 5 dhjetor it ’96 kur po përcillej për në parajsë, trupi i pajetë i dom Jak Zekës, pak kush e dinte që po shoqëronte shkrimtarin, përkthyesin, njeriun e letrave shqipe. Ai tashmë duhet “zbardhur” falë dorëshkrimeve të shumta që ka lënë si trashëgimi, e që ruhen me kujdes nga nipi i tij Pal Zeka. Ndoshta pas librit poetik të Jak Zekës “Vandaku i ferrave” që tashmë ndodhet në duart e lexuesve, edhe libra të tjerë, me zemërgjerësinë e sponsorëve do të shohin dritën e botimit.

Nga: Fran Palushi, Mark Preçi

 

Paradoksi: Ta përmbysim qeverinë pseudodemokratike të PD-së dhe të krijojmë qeverisjen demokratike të PS-së

Shoqata Kombëtare e ish të Dënuarve Politikë të Shqipërisë

Nr. 537 Prot.

 

Lënda: Propozim për emërim

Këshillit të Ministrave

Tiranë

 

Kryesia e Shoqatës Kombëtare të ish të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, e mbledhur sot në datën 10/10/1997, pasi mori në analizë aktmarrveshjen e partneritetit me qeverinë e koalicionit dhe duke u nisur nga kontributi i vyer që ka dhënë kryetari i Shoqatës z. Kurt Kola, si në lidhje me ecurinë progresive të Shoqatës ashtu edhe me lëvizjen e madhe për demokraci, lëvizje kjo që nga inisiativa e Shoqatës tonë solli përmbysjen e qeverisë pseudodemokratike të PD-së dhe krijimin e qeverisjes së re demokratike.

Për këtë arsye Kryesia propozon:

Z. Kurt Kola si Drejtor të Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë.

Z. Kurt Kola i takon ai post edhe si titullar i Shoqatës ashtu siç kanë vepruar edhe titullarët e partive politike në këtë qeverisje të re.

Megjithëse z. Kurt Kola është emëruar zyrtarisht që në ditën e firmosjes Memorandumit (midis Shoqatës e Qeverisë) me datën 16 gusht 1997, përsëri u pa e nevojshme që t’i jepej mandati nga kryesia jonë.

Me konsideratë

Për kryesinë:

(Mhill Gjinaj)

Sekretari

 

(Eqerem Kavaja)

Kryetari

Tiranë, më 10. 10. 1997

 

Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Kombëtare të Ish të Përndjekurve Politikë

Nisur nga nevoja që procesi politik e social në Shqipëri të shkojë përpara, drejt ndërtimit të një demokracie reale e të vërtetë, ku çdo shtresë e shoqërisë jo vetëm ta gjejë veten të integruar, por edhe të jetë në gjendje të kontribojë në këtë drejtim,

Qeveria e Republikës së Shqipërisë, e përfaqësuar nga Kryeministri i saj, zoti Fatos Nano dhe Shoqata Kombëtare e Ish të Përndjekurve Politikë, e përfaqësuar nga Kryetari i saj, zoti Kurt Kola, nënshkruajnë këtë marrveshje me përmbajtje si vijon:

1.                   Shoqata Kombëtare e Ish të Përndjekurve Politikë angazhohet të bashkëpunojë me Qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 29 Qershorit, në kushtet e partneritetit, të mbështesë Programin e kësaj Qeverie dhe realizimin e tij.

2.                   Qeveria e Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet Institutit të Integrimit të të Përndjekurve si dhe duke respektuar të gjitha dispozitat kushtetuese e ligjore, angazhohet dhe do të marrë të gjitha masat për integrimin e përshpejtuar të të përndjekurve politikë në të gjitha nivelet e shoqërisë civile në Shqipëri.

3.                   Synimet dhe objektivat e këtij Institucioni të Qeverisë do të përcaktohen pas konsultave me Shoqatën Kombëtare të Ish të Përndjekurve dhe të organizmave e shoqatave të tjera që do të kenë për qëllim realizimin me përgjegjësi të angazhimeve të mësipërme politike dhe institucionale, brenda programit të Qeverisë.

 

Për Qeverinë e Republikës së Shqipërisë

Fatos Nano

Kryetar i Këshillit të Ministrave

 

Për Shoqatën Kombëtare të ish të Përndjekurve Politikë

Kurt Kola

Kryetar

Tiranë, më 16 gusht 1997

Vrasja e shekullit, hakmarrja e shtetit

Këto ditë përfundoi procesi gjyqësor, zhurmëmadh, mbi dënimin e vrasësve të Heroit të Pluralizmit dhe njërit ndër liderët kryesorë të Partisë Demokratike të ndjerit Azem Hajdari, ku pas rreth tre vjetë e gjysëm që u krye ku akt makabër, që tashmë njihet si vrasja e shekullit (XX-të) merr fund jo vetëm dënimi qesharak i banditëve me uniformë shteti, por edhe griset perdja sado e hollë e pamvarësisë të gjyqësorit shqiptar nga politika në pushtet. Seancat gjyqësore të stërzgjatura për mbi një vit treguan qartë që niveli i gjyqit dhe gjyqtarëve nuk e kalonte nivelin e gjyqeve që bënin organizatat e Partisë së Punës për rreth gjysëm shekulli, madje këto seanca gjyqësore shpesh merrnin karakter të një mbledhje partie ku njëra palë kritikonte tjetrën, por ama aq sa jua lejonte statuti i Partisë. E si përfundim fundi i gjyqeve nuk ishin asgjë tjetër veçse konfirmimi i fillimit të këtij procesi që partia (socialiste) ia kishte besuar një “organizate” të saj për të nxjerrë motivin e vrasjes së A. Hajdarit Jo politike, por për Motive Hakmarrje. Në fakt motivi është vërtetë për Hakmarrje, por jo hakmarrje personale, familjare apo fisnore, pasi Azemi nuk i kishte askujt borxhe, përveç shtetit komunist të cilin njëherë e kishte Ç’Kurorëzuar e Ç’Nderuar, por që edhe pjellës së re të komunistëve P. Socialiste e liderve të saj po ju çjerrte maskën “Europiane” që mbanin në ballet e salloneve perëndimore, për të mos u dukur lindor e verdhacak Azie siç ishin në të vërtetë.

Gjithsesi “Borxhi” i Azemit ishte pra ndaj komunistëve, të cilët e kishin zor t’ia falnin e për këtë përgatitën hakmarrjen e cila përderisa u ekzekutua më 12 shtator 1998 kishte mbetur në tentativë të paktën edhe katër herë, ku më sinjifikativja ishte plagosja në parlament në vitin 1997 nga Deputeto-kamikazi komunist nga Hasi i cili për këtë jo vetëm nuk u dënua siç e meritonte, por mbi të gjitha u shpërblye me vakanca për tre vjet rresht e që dikush edhe tani pas lirimit të tij e quan Burg.  Natyrisht për të qartësuar disi nga shteti pse u vra Azemi është e nevojshme të formulohen disa pyetje që ndriçojnë më mirë motivet e vrasjes e rivrasjes të heroit të pluralizmit:

1.                   Së pari përse autorët e vrasjes të 12 shtatorit nuk u kapën atë natë nga shteti i cili vetëm pas 27 minutave që u krye krimi e mori vesh se kush ishin ekzekutorët (pasi sipas dëshmitarëve okularë PD i bëri publik pikërisht emrat e vrasësve që u dënuan sot) të cilët ishin të gjithë vërtetë kriminelë të njohur, por të veshur në krye të policisë shtetit pas ardhjes në pushtet të socialistëve, ku spikatnin emrat e Famir Haklaj, Jaho Salihit (Mulosmani), Feriz Kernajës (shok burgu i Fatos Nanos) e emrave të vëllezërve Haxhiaj e tjerë?

2.                   Përse u mashtrua shtetçe duke thënë se Jaho Salihi natën e 12 shtatorit ishte me shërbim në komisariat Tropojë e në shtëpi, e këtë konfirmim e bënë të besueshëm i plotfuqishmi i qeverisë Taulant Dedja (ish gazetar stazhi tek “Koha Jonë”), e ky shtetar në vend që të dënohej si mashtrues e bashkëpunëtor në krime, shpërblehet duke u bërë deputet i parlamentit të Dushkut?

3.                   Përse u vranë disa nga ekzekutorët e A. Hajdarit e për të cilët nuk u kap njeri (a mos vallë i ka eleminuar vetë shteti)?

4.                   Përse u ekzekutua para shtëpisë së tij ish drejtori i policisë së Kukësit Jonuz Hyka i cili për kundër djalit të Bedri Dedes kishte thënë se Jaho Salihi më 12 shtator nuk ka qenë as në punë e as në shtëpi?

5.                   Përse nuk u hetua kurrë “arratisja” e liderit socialist (ish kryeministrit Fatos Nano) në Maqedoni, madje interesant mysafir tek shefi i shërbimeve sekrete Maqedone, që dihet se janë filial spiunazhi i UDB-së Jugosllave?

6.                   A mos vallë akuzat që ka bërë Opozita vazhdimisht se Fatmir Haklaj e Jaho Salihi janë parë të shoqëruar nga agjentë të UDB-së në Kosovë kanë lidhje me Vrasjen e vizitën e Fatosit në Maqedoni?

7.                   Përse nuk u hetua pse iku në një bazë të organizatës terroriste Greke në jug të Shqipërisë shefi i SHIK-ut Fatos Klosi ditët e vrasjes së shekullit?

8.                   Përse arrestimi i personave të mbetur nga vrasja e Hajdarit u bë jo vetëm me vonesë, por edhe me ndërhyrjen e Dikujt nga Lindja, i cili i siguroi pasaporta familjarëve të kriminelëve?

9.                   Përse nuk u morën kurrë në pyetje as Fatos Nano, as Fatos Klosi e mbi të gjitha Skënder Gjinushi i cili i thoshte A. Hajdarit në parlament pak para se të ekzekutohej se shteti kur don nuk të plagos, ai të vret?

10.                Përse u lirua si i pafajshëm Famir Meta vetëm atëherë kur nëna e tij Shamizeza Nasibe (disa thonë faqezeza) takoi F. Nanon në një vend sekret në Selanik?

11.                Përse Vëllezërit Haxhi u liruan nga shumica e akuzës për vrasjen e A. Hajdarit vetëm atëherë kur filluan të flasin edhe për një vrasje tjetër të planifikuar nga shteti (për vrasjen e Sali Berishës)?

12.                Përse të gjithë pjesëmarrësit në Ekzekutimin e A. Hajdarit ishin me uniformë shteti (policie), si dhe të veshur pas ardhjes në pushtet të këtij shteti?

13.                Përse mercenarët shtetar vrasës u zgjodhën fatkeqësisht nga vendi i heroit, apo për ta bërë më të besueshëm motivin e paracaktuar të Hakmarrjes?

14.                Përse gjyqi nuk filloi derisa u miratua dhe filloi në veprim ligji i heqjes së dënimit me vdekje, apo mos vallë, për t’u shpëtuar jetën kriminelëve të paguar të shtetit i cili pasi u garanton jetën, ngadalë u siguron edhe lirimin?

Në fakt pyetje mund të bëhen me qindra, por këto janë më thelbësoret të cilat i japin përgjigje vendimit të gjykatës e cila me të drejtë motivon vrasjen e Z. A. Hajdari për Motive Hakmarrjeje, por me një korigjim të vogël, se Vrasja u krye për Hakmarrje të Shtetit Komunist të Cilit Azemi ia lëkundi Këmbët, por ne duhet t’ja Ngrejmë Këmbët, nëse nuk duam të përballemi me hakmarrjen… e shtetit… të gjithë.

Nga: Ndue Bacaj

 

Fuqia madhore e qytetarëve të “Republikës së Letrave”

Pas një akumulimi jetësor jetëgjatë, pas një karriere të begatë, pas një sërë arritjesh dhe konsideracionesh nga kritika letrare, sidomos në zhanrin e dramës, ku “Çështja e Blertës, “Gjaku i Arbërit”, “Baca i Gjetajve” dhe “Fisheku në pajë”, jo thjeshtë esencialisht zotërojnë vlera aktuale e edukative të lamueshme, por, bie fjala, tek “Çështja e Blertës” gjejmë edhe tone moderacioni të pëlqyeshme për kohën, prozatori shkodran F. Kraja pëlqen kësaj stine të krijimtarisë letrare të gjejë veten renda vetvehtes edhe në “qerren” tepër serioze të prozës së gjatë, me romanin “Britma e një gruaje”.

Në këtë ndërmarrje disi të zorshme, por jo i papërballueshëm për kapacitete artistike të konsoliduara, si banor permanent i “Republikës së Letrave”, me një vëmendje drejt shpirtit popullor, të cilin e kërkon dhe e lexon qytetari e malësori, tek i riu dhe e reja, tek klerikë e bajraktarë, deri tek “etnitë” e veçanta të integruara historikisht me dinjitet në zotnillëkun bujar, mikpritës, duardhënës shkodran në kufinjtë e kontratës njerëzore të bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjelltë në halle e derte, në vaje e në këngë, në dasma e në morte, ruajtës këmbëngulës të etnosit t onë, shkëmb vlerash ku do të thërmojnë përherë vetvehten skarciteti moralmbështetje e cilitdo pushtues i jashtëm, apo i “brendshëm”, falë solidaritetit njerëzor dhe bujarisë sonë në gen, romani “Britma e një gruaje” vjen njëherësh si britmë për t’iu kthyer secili vetvetes, traditave më të mira, lëngut jetëdhënës të rrënjëve tona, falë të cilave gëzojmë krenarisht identitetin tonë si komb.

“Britma e një gruaje” sikur na bën apel si komb të mbledhim me kujdesin më të madh “miellin” e shkapërderdhur nga vetvetja jonë jashtë çdo pragjykimi për t’u ricikluar denjësisht dhe gjithëdimensionalisht në qytetërimin euroatlantik të amës sonë përballë rropamës së dhimbshme e rrokoposjes historike, mjerisht në emër të moderacionit që po përjetojmë.

“Fluturimi” ynë në hapësirat e reja ambicioze, një e drejtë që gjithsesi e meritojmë nuk arrihet dot, lë të nënkuptohet autori përmes vizionit të tij realist, jashtë mbështetjes me këmbë në tokë, jashtë atij lëngëzimi rrënjor jetëdhënës që na vjen nga e shkuara jonë vitale me të cilën afirmuam qytetërimin tonë dhe pa të cilën të integruar në vlerat e të sotmes kurrësesi nuk do të gjejmë vetveten denjësisht dhe autentikisht sikomb, pjesë e qytetërimit euroatlantik, pa gurthemelet tona të traditës së mirë.

“Se perandoria jonë i ngjan një qenie me shumë kokë. Një prej të cilave është edhe ajo e jotja. Ajo më e skajshmja, pra më e lehta për t’u këputur. Shiko orlat, dajë, që i ngjasin konsujve që janë në Shkodër. Sa janë ata? Në mos gabohem, tetë. Ç’duan kaq shumë? Mirë Anglia, Franca, Gjermania, se janë fuqi të mëdha dhe ne jemi në Europë. Po konsulli grek? Pa t’i numërojmë njëherë orlat: Italiani, rusi, serbi, malazezi, me një fjalë gjithë ata që e rrethojnë këtë copë që quhet Rumeli”, (Ballkani i pushtuar), – i flet Demirit, njëri nga personazhet e romanit, dajës së tij, pushtetar perandorak, vali i Shkodrës.

Ja, ky është sfondi historik, këta janë aktorët kryesorë që dominojnë teatrin e kobshëm të realitetit shqiptar pas asaj tragjedie të pashoqe që do të pësonte ndërgjegja dhe mbarë lëvizja kombëtare për çlirim nga pushtuesi osman me shpërndarjen dhe masakrimin e udhëheqjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, udhëheqja historikisht e standartit më të lartë kombëtar. Dy dekadat e fundshekullit të XIX me rropamat, me përpjekjet e ndezura për liri, me vegjëlinë qytetare, me rrugët, me rrugicat, me qytetarët e zakonshëm shkodranë, me perandorakë shqiptarë të pushtetit të kalasë, me tregtarë, me bajraktarë e klerikë, me magjypë njerëz si gjithë të tjerët dhe malësorë që u dhanë emrat e fiseve e familjeve të tyre lagjeve zhurmëmëdha të qytetit, i lashtë gati sa Roma, me grindjet e provokuara, sa nga turku pushtues, sa nga orlat shovenë në pritje të situatave e zhvillimeve të reja negative “të të sëmurit të Bosforit” për të rishqyer gjymtyrë të Shqipërisë së vogël, me të vetmen armë vetëmbrojtjeje artificiale, si gjithnjë, etnosin e saj, me skarcitetin moral njerëzor nëpër këmbë, krymbnajë e çdo pushtuesi, të gjitha këto përbëjnë atë që quhet mbushje e ngrehinës së romanit shprehur përmes një idioleto, jo të pasukseshme në funksion të ekspresivitetit artistik brenda gjithë atij elementi tejet aktiv të formës realizuese që thirret subjekt i romanit.

Brenda këtij kuadri në lëvizjen dhe dinamikën e tij, sa të ngathtë, sa provokuese, sa tinzare, sa çoroditëse, sa të açikët, sa të mbërthyer në misterin e surprizave të dhimbshme mbi kurrizin e një populli të vogël në oazin e madh perandorak, në hapat e tij të shkërmoqjes finito është ai që quhet ekspozicion i romanit, ku lexuesi do të mësojë prezantimin e karaktereve, kush janë ato, prologun e angazhimit në aksionin e madh romanesk.

Në këtë sfond ekspozicional njihemi me tregtarin-kafexhiun simpatik dhe me aq popullaritet, heroin tonë, strumbullarin e gjithë laitmotivit në roman, Kupe Danen. Dhe, pasi kemi “pirë” një kafe në lokalin e tij aq të frekuentuar, ku krahas mirësjelljes qytetare, humorit të hollë shkodran tradicional, njihemi me bëmat në qytetin tonë, siç njihemi me gjurmimin e njerëzve nga hafijet e kalasë, që si hije tejet rënduese gjallërojnë pafundësisht drejt “Sukrullahut” perandorak të kalasë, prozatori na drejton tek momenti i pikëtakimit linjor (pikëlidhja) nga do të  marrin jetë gjithë intriga e romanit: kacafytja e Kupe Danes me dy suvarinjtë osmanë që po përdhunojnë një 16-vjeçare poshtë urës, në qendër të qytetit, Kupe Dania me një trimërim moral sublim hidhet të shpëtojë këtë qenie duke asgjësuar për vdekje dy suvarinjtë, të ardhur si pushtues në këto troje.

Pa pyetur për asnjë pasojë, pa dashur të dijë fare e kujt familjeje, fisi apo feje, ai bëhet shpëtimtar i një vajze nga Lotaj-Dukagjin, duke sakrifikuar tashmë definitivisht normalitetin e vetëqenies. Kështu romani rrit ndjeshëm nga faqja në faqe temperaturën e zhvillimeve konfliktuale mes pushtuesit të alarmuar për dy turq të ndrruar me një vajzë katolike, aq sa edhe në popull vihet alarmi i fatit të këtij heroi që ka kryer një mrekulli njerëzore, aspak nuk ka rëndësi e ç’feje është dora dinjitoze e shpëtimtarit, por rëndësi ka që ai ka kryer një akt qytetar të përmasave të mitit si vlerë, kur mësohet e i vetmi motiv ka qenë, asnjë lidhje tjetër, veç ndjenjës qytetare të solidaritetit njerëzor. Kështu qyteti gumëzhin, gumëzhin e gjithë piramida perandorake e kalasë, e dukshmja dhe e padukshmja e saj. “Sukrullahu” i kalasë tashmë funksionon në maksimumin e tij. Hafijet rrahin papushim rrugët e kalasë. I pari që kupton se Kupe Dania ka “hyrë” në “Sukrullah” falë aktit të ulët prej hafije të magjypit Tahir është Abdyli, një zezak, ardhur skllav, por i integruar gjithë njerzillëk në realitetin dinjitoz qytetar shkodran. Si ka gjetur mënyrën të vërë në dijeni Kupen se ka në dorë enigmën që preokupon intensivisht atë, ka siguruar largimin e menjëhershëm të tij nga qyteti me ndihmën edhe të Gjyl Begut, duke vazhduar të mbajë normalisht në punë kafenë e Kupes. Megjithatë gjithçka është marrë vesh, ndërkohë që osmanllinjtë zjarrmojnë shtëpinë e Kupe Danes, orlat shovenë përmes konsujve të tyre në qytet si malazezi Iviç kanë bërë gjithë përpjekjet me veglat e tyre si Salo Mushka, të nxisin konfliktin civil ndërfetar.

Një derr gjendet në xhaminë e qytetit, ndërkohë që dikush tjetër ndot kishën në qendër të tij, duke tensionuar jo pak raportet ndërfetare dhe impenjuar seriozisht rolin e klerikëve në qytet. Ali Thaçi, një intelektual nga Kosova, mjeku i Lishjes Shqitpare të Prizrenit, diskrediton në sy të opinionit karakterin e ndotur prej turkofili, turkoshak Karmenin, instrument në dorën e pushtuesit.

Kupe Dania si ka siguruar në shtëpinë e saj vajzën dukagjinase, te i jati, Preçi, ka ndrruar xhaketën me këtë të fundit; Zoga i puth dorën në prani të babait të saj, duke e nderuar e njohur përjetësisht si vëlla, paçka se njëri është shkodran e tjetri shaljan i rënë në Shkodër, njëri është musliman e tjhetra katolike.

Kupe vetë ka kaluar përfundimisht në “ilegalitet”, duke marrë përsipër vrasjen e turçelive të pacipë në zotdalje të nderit të motrës së vet anonime deri në atë moment. Njohja e gjithçkaje tashmë është bërë pazar, ndërkohë që në lagjen e magjypëve me një ceremonial kryqëzimi të turpshëm, sipas natyrës së kësaj “etnie”, ekzekutohet publikisht magjypi Tahir, pasi ka pranuar vetë se ka denoncuar në “Sukrullah” për 1000 mexhide Kupe Danen si vrasës i dy suvarinjve. Ndërtimi i shtëpisë së Kupes bashkon në një akord qytetarët e gropës së Shkodrës pa dallim feje, siç arrin puna që edhe vetë valiu bashkohet me qytetarët në varrimin madhështor të zezakut Abdyl; në anën tjetër Zoga martohet me djalin e bajraktarit të Kastratit me ndërmjetësimin e Kupe Danes.

Gjithë këto përbëjnë momentet më interesante dhe mbresëlënëse që përjeton lexuesi në këtë vepër. Kështu i gjithë romani pretendon të rrjedhë lirshëm në dy linja kryesore, të cilat gjithsesi shpalosin dy mentalitete dhe filozofi krejt të kundërta në vetë substancën e tyre si reflekse të dy pozicioneve historikisht të papajtueshme: Pushtuesi osman që mishërohet në gjithë strukturat “qeverisëse” me në krye valiun e Shkodrës që zotëron kalanë me sistemin e tij “Sukrullah” dhe përherë ballëpërballë me të vegjëlia qytetare, tregtare, pasanikë, të rangjeve heterogjene, klerikë e besimtarë të feve të ndryshme, që së bashku detyrohen të mbrohen me të vetmen forcë, unitetin e brendshëm si komunitet autokton në këto troje.

Në pritje të derivateve të këtij konflikti qëndrojnë përherë gati orlat shovenë dhe ato europianë, duke inkurajuar me të gjitha mënyrat denigrimin qytetar, religjiozme mjete financiare nëpër duar skarcicioni njerëzor e me çdo formë tjetër që mund t’u pjellë mendja e tyre prej orlinjësh. E nëse nga ndokush tjetër kemi mësuar se turqit hapën rreth 10. 000 dosje që në fillim të pushtimit për të dominuar pikat më të ndjeshme e inkandeshente të shpërthimit konfliktual civil ndër shqiptarët, ku mund të futej tharmi denigrues, as orlat shovenë nuk mbetën më mbrapa në aventurat e tyre ogurzeza ndaj nesh. Duke realizuar gjithë veprimin në roman, falë një kompozicioni me integrim vizionesh, sa montazh, sa pozicionim personazhi, me rritje në dinamikë të intensitetit të veprimit, të temperaturës së konfliktit deri rreth faqes 140 (nga 244 faqe gjithsejt), me aksione artistike, kohezion dhe organicitet në një formë substanciale artistikisht të arrirë, romani afirmon doza lakmuehsme serioziteti artistik, që padyshim sjellin kënaqësi estetike përmes një gjuhe individuale të bukur të realizuar. Është për t’u theksuar, se krahas mesazhit palcë të romanit: Solidariteti njerëzor, si kod moral, jashtë çdo kompleksi, sfida më e suksesshme e mbijetesës përballë sfidave asimiluese përballë çdo perandorie, veçanërisht për popujt e vegjël si ky yni, Fadil Kraja ka meritën e madhe të sjellë e trajtojë i parinë letërsinë tonë si karaktere letrare magjypët, një trajtim do të thonim me mjaft bonsens, disi me sens qytetar autokritik të lënies së tyre, jo thjesht të padrejtë, por antihumane, në kënvlerësimin si qytetarë, të pashoqe e humane të artit, proritetin kategorik të dinjitetit të artistit si krijues në tërësi mbi dinjitetin e manipuluar nga komplekse të rëndomta të qytetarit mediokër primitiv, apo edhe të atij lloj qytetari jo të zakonshëm, me tule që i peshojnë mbi poltrone, apo kolltuqe të importuara nga tregjet moderne, më luksozët të globit, por i plagosur nën pushtetin e komplekseve antinjerëzore si përbuzja.

Madhështia e hapësirës humane të artistit shkodran, jo thjesht i jep vendin në këtë hapësirë disi të shenjtë atij që shkodrani zotni e quan qytetari safi i gropës së Shkodrës, por dëshmon botërisht se ç’fuqi ka arti dhe ç’përgjegjësi madhore kanë qytetarët e “Republikës së Letrave” në konsolidimin e vlerave humane qytetëruese kontemporane përballë komplekseve të trashëguara, apo atyre që tentojnë të harlisin shtatin në kohët moderne.

Një sens tjetër mjaft interesant në roman është ai që mund të quhet sensi i prirjes për të evidentuar ato vlera mjaft funksionale, po të kihet parasysh në mënyrë evidente që kontribuojnë në konsolidimin e demokracisë sonë të brishtë. Kështu, duke kujtuar Ditën e Xhibalit tek Ura e Grebenicës, si inicim i vetë pushtuesit orman (ndoshta për të disipërpjestuar atë kredibilitet pak të madh që kleri, katolik sidomos, pati krijuar në rrafshin e shuarjes së konflikteve civile), ku mblidheshin pleqtë të urtë, bajraktar, trima malesh e vojvodë nën kryesimin e vetë përfaqësuesit të “kalasë” së Shkodrës për të shoshitur dhe amortizuar përplasjet mes vedi, në popull, hakmarrjet-gjakmarrjet, Kraja dëshmon seriozitetin divulgativ të problemit menaxhues të atyre vlerave të qytetërimit tonë të lashtë ndaj të cilave, si çdo popull në botë ndaj trashëgimisë së vet dinjitoze, edhe populli ynë është mjaft i ndjeshëm. Që të qeverisësh suksesshëm në kohët moderne, apelon autori, nuk mjafton vetëm njohja e zbatimi i kodit qeverisës bashkëkohor universal, por duhen vlerësuar kurdoherë edhe ajo gamë kodesh që vjen nga tradita e qytetërimit tënd të lashtë. Shqiptari që në kodin e tij moral kurdoherë i ka altarizuar obligimet që buronin nga kuvendet, sofrat, apo bajraqet, jo thjesht nuk mund të quhet i egër, primitiv, i papërballueshëm në qytetërimin kontemporan, siç shpifin edhe sot armiqtë tanë me veladon modern, por duke respektuar vendimet e këtyre lloj “parlamentesh” në traditën e tij ka dëshmuar e dëshmon që i pëlqen dhe i nderon ligjet dhe institucionet, madje ato i njeh si altarin e vetdijes së tij qytetare. Duke kapur për brirë këtë sens divulgativ të afishimit qytetërues të vlerave tona morale ne nuk do të neglizhojmë, nënkupton autori, idiotërisht dialektikën e zhvillimit tonë prosperial të vetvetes si komb në rrjedhat progresive bashkëkohore. Ne nuk kemi kujt t’i qahemi më në këtë botë, nëse do të injorojmë “kantonizimin mes vedi” që na vjen vërdallë ogurzi në siparin e milleniumit të ri, nëse diplomacinë globale të integrimit të madh nuk e harmonizojmë me diplomacinë e Anton çetëve, ndryshe do të mbetemi në përjetësi viktima të këtij lloj kantonizimi, që i vjen për shtat filozofisë “moderne” nekrofile ballkanike, apo evropiane, mjerisht ende evidente, edhe pse ndihet akoma era e gjakut të zharitur të tokës amë, bodrumesh të vatrave kosovare, apo trenave të plumbosur drejt portave të mbyllura të Bllatës vetëm pak më shumë se para një viti. E këto flasin thekshëm nën peshën e heshtjes që të ther deri në shpirt.

Gjithë këto që thamë më sipër nuk na pengojnë që të pohojmë se në këtë roman të dominuar totalisht nga diskriptiviteti në pasqyrimin e karaktereve për studiuesin letrar ka vetëm në portë për të hyrë: Pozitivizmi dhe sociologjizmi kritik. Në këtë sens analize konstatojmë se pas faqes 140, romani ul ndjeshëm instensitetin bosht dhe tretet pas detajesh që kurrësesi nuk motivojnë zgjidhjen artistike për të cilën tashmë pas kulminacioneve të zhvillimit presin linjat bosht të veprës. Madje romani nuk arrin të kapë nivelet e prozës moderne, duke mbetur në kufijtë e formës historike të posedimit konceptual e përjetimit artistik të jetës, prirjes tendencioze, kushtëzimit socialhistorik e relacionit në zbërthimin e karaktereve.

Nëse një definicion artistik të tillë autori e kishte të imponuar në prozën e tij të paraviteve 90-të, edhe pse te drama “Çështja e Blertës” ka doza të theksuara moderacioni, krahas deskreptivizmit në natyrën e realizmit realist të orientuar, tek romani “Britma e një gruaje”, nga autori pritje padyshim një vizion tjetër, në sens modern. Pa mohuar pluralitetin e preferencave të perceptimit artistik, theksojmë se krijuesi modern është i prirur drejt ndjenjës çliruese, drejt shkëputjes nga mënyra historike e posedimit konceptual duke e përjetuar vetdehjen artistike, siç e quante Niçe frymëzimin krijues, si shtysë akute e krijimit artistik, ai arrin të depërtojë në metafizikën e karakterit, larg semplizmit, ç’ka padyshim vjen funksionalisht në dobi të gjetjes artistike bindëse larg çdo skeme të kërkuar. Aq më keq të konsumuar.

Romani në fjalë nuk arrin të shpëtojë nga dozat e sensit semplist agjitativ moralizues autorial, “Shkodra kështu Shkodra ashtu”, me tharmin e një entusiazmi disi me tepri, kur dihet që shpirti bujar është veti e genit ballkanik në përgjithësi, të atij shqiptar në veçanti. Gjithë kjo mishëruar në një proleksitet aq i shumtë parazitar, sa lë në harresë figurat qendrore në rrugën e afirmimit të tyre motivues, bindës dhe “argumentues” artistik. Për rrjedhojë autori dhe redaktori në 1/3 e romanit duhet të përdornin pa dhimbje parimin e “krasitjes së fikut”, larg atij “pushteti” të proleksitetit, përmes narratorit, apo të vetë gojës së personazheve (pa mohuar edhe “ishuj” mjaft tërheqës të strukturave gjuhësore të këndshme sipas gramatikës së tyre specifike), çka ka kompromentuar padrejtësisht finalizimin bindës të linjave, karaktereve, pra vetë romanit. Kjo ka bërë të mbeten episodike në këtë pyll proliks karaktere bosht me ngarkesë filozofike e estetike intriguese për moralin e një vepre shpatullgjerë, siç është romani. Të tilla mbeten figurat e konsujve, figurat e bajraktarëve, figura si ajo e Ali Thaçit, kosovarit që ndiqet nga orlat shovenë. Të njëjtën gjë duhet thënë është edhe për evoluimin aspak bindës, u bindka nga i nipi Demiri, valiu i Shkodrës sa të bashkohet në solemnitet mitizues, me vegjëlinë qytetare të një zezaku që ka sakrifikuar një hafije të “Sukrullahut” të tmerrshëm të “kalasë”, bashkuar kjo me trajtimin disi të tepruar humbjakohës të zezakut Abdyl e të kryemagjypit Ramo. Pavarësisht respektit (si i barabartë në jetën shoqërore që meriton kjo kategori sociale), nuk na pengon të pohojmë se autori nuk na bind artistikisht kur vlerësimin ndaj kësaj kategorie e ngrë deri në atë shkallë sa të krijohet “bindja” se një magjyp, qofshin edhe ushtri të tëra magjypësh e të bardhësh bashkë, të sfidojnë pushtetin e kalasë, çka derivon fundin e romanit drejt finalizmit grotesk, pavarësisht faktit që vepra merr jetë në suazën e romanit tradicional shqiptar. Tërheqja aq e “butë” e “kalasë” përballë trysnisë qytetare, sado kompakte, në atë fundshekulli të XIX komprometon rëndshëm motivimin historik të rrjedhës historike të ngjarjeve. “Kalaja” tërhiqet para gjithë qytetarëve antikala, të cilët definojnë të lumtur, madje zezaku Abdyl e kryemagjypi Rami disi mitizohen. Kurrsesi nuk mund të pranohet që Porta e Lartë e Stambollit, në cilindo segment të saj, të kishte rënë deri në atë shkallë morali, sa rrezikshmëria e saj për fatet e kombit tonë të ishte aq i papërfillshëm. Filozofia popullore “Ulkonja e plagosur egërsohet maksimalisht” vërtetohet me masakrat që kreu pushtuesi osman derisa Lëvizja Popullore në veri e Malësisë së Madhe dhe e Djelmënisë së Shalës, me trimat e llojit të Dedë Gjo Lulit e të Mehmet Shpendit në ballë, do të ishte në akord të plotë me kërkesat e diplomacisë shqiptare të kohës, sa ta detyronte Evropën e Portën e Lartë të Stambollit të njihnin Pavarësinë e Shqipërisë. Por kur kujtojmë se edhe kjo pavarësi na kushtoi sakrifikimin e ½  sonë si komb për ne shqiptarët, definimi i lumtur vjen si ironi me vetveten. Apo le t’u kthehemi figurave bosht të veprës: Të errëta, aspak të kompletuara artistikisht jepen zhvillimet që prijnë faljen e Kupes, fundin e lumtur të Zogës. Për të njëjtat arsye krejt episodike, të parealizuara jepen figurat e orlave konsuj si ai malazez Iviç, të cilin autori nuk arrin ta afishojë si përfaqësues autentik i filozofisë së ortodoksizmit politik religjioz ballkanik sllav. Fare në errësirë, anemike, mbetet figura e Salo Mushkës, prototip i skarcitetit moral njerëzor, përfaqësues i asaj kategorie sociale përjetësisht lëpirëse dhe instrument në duart e çdo pushtuesi. Shtoju këtyre edhe detajet e konsumuara të “derrit në xhami” apo “Ndotjes në kishë”, flasin qartë se në “peshim” serioz artistik do t’i afronte romanit një frymëmarrje reale, jashtë prangave të konsumuara të realizmit disi të orientuar në mjete e detaje jashtë risish jetike.

Megjithatë, gjithsesi romani ka vlera të shumëanëshme: artistike, aktuale, njohëse dhe edukative. Ka vlera mbresëlënëse, të këndëshme, gjithsesi të pakontestueshme, po t’i referohemi edhe atij kodi moral substancial specifik ekzistencial shqiptar sipas devizës së patjetërsueshme: Kombi mbi gjithçka, parcelat e çdo ngjyre, qoftë edhe fetare duhet t’i falen vetëm këtij tempulli, bashkuar edhe me apelin kundër turkoshakizmit këtij fodulleku ideologjik që, paturpësisht, po e trash qafën edhe në mjedise universitare, derivat i një trysnie alla aziatike që na vjen nga jashtë nesh, vepra ka shëndet të bollshëm. Gjithë ky shqetësim artistik adekuat që shqetëson shpirtin e qytetarit artist të trevës nordike flet njëherësh edhe për aktualitetin mjaft domethënës të të parit roman të ramaturgut të njohur shkodran që pa mohuar mangësitë e lartpërmendura, meriton mes nesh, sot edhe nesër, vëmendje dhe respekt.

Kadri Ujkaj

Kritik letrar

Popull, mirë je?!… Tung!

Popujt kudo në Botë në fakt bëjnë kompromis me shtetin. Edhe populli edhe shteti japin këshilla dhe pranojnë këshilla. Por ky kompromis tanimë është në pozicionin e mohimit të arsyes. Në Shqipëri gjithherë, përjashto periudhën 1992-1997, i tillë ka qenë apo jo? Populli ka në dorë të japë këshilla në votime dhe të dëgjojë këshilla mëpastaj nga të zgjedhurit. Por të jemi realistë, ta shohim të vërtetën në sy. Në votime kanë dhënë këshilla tanket, mashtrimet, abuzimet, paratë e pista, premtimet e pambajtura dhe në vazhdimësi nuk është pyetur fare në ka apo nuk ka popull, bile as në kishte ndonjëherë popull.

Periudha e pesë viteve të fundit është injorancë që për nga krizat politike e ekonomike, morale e shoqërore, vetëm nga një popull si yni, mund të çmohet simënçuri. Nëse u vranë shumë e shumë shqiptarë në këto vite, nëse braktisën Shqipërinë shumë e shumë të tjerë, nuk është kurrsesi faji as i opozitës, as i liderit të saj Sali Berisha, pasi gjithkush e di të paktën se më shumë “ushtarë” vdesin gjaët tërheqjes se sa gjatë “luftimit”. E pra, ti popull u tërhoqe nga “lufta” demokratike, ndaj edhe sot duhet ta pranosh dhe ta kuptosh sa nuk është shumë vonë që fuqia e sunduesit, e diktatorit komunist në prapavijë politike është pikërisht forca jote,s e ky shtet në të vërtetë është në dërrasë të “vorrit”. Edhe gjethja e fikut të Adamit ka qenë më e fortë se ky shtet i çoroditur me kërbaç në dorë e thes në shpinë, duke vjedhur.

Një sentencë franceze thotë se “Nëna e të vrarit edhe fle, por nuk fle nëna e vrasësit”. Kështu po ngjet edhe me shqiptarët. A nuk e shihni që parlamentarët rrinë zgjuar edhe në tre pas mesnate, që diplomatët, ministrat, madje edhe të dashurat e tyre shëtisin me makina mbi 100 milionëshe dhe nuk pushojnë një ditë duke dhënë “predikime” politike, të cilat në fakt nuk i besojnë as vetë ata, madje ndonjërit, kur i preken interesat, kërcen si rrajza në prush dhe fajin ua lë shokëve. A njeh ndonjëri qoftë edhe një qeveritar që nuk i është skuqur fytyra, që nuk ka liruar kollaren nga zori duke shfryrë cinizëm ndaj akuzave që përplasen si top futbolli sa andej-këndej, nga droga e taksat tek korrupsioni e tenderat, nga nafta e kontrabanda tek jadutllëku e imoraliteti?!

Meqë e nisëm në fillim me “kompromisin” popull-shtet, mendojmë se njësia e matjes së ecjes përpara nuk janë të pasurit, por të varfërit.

Pra, ti popull, si ndihesh, mirë?! Në qofsh mirë, tung!

Editorial nga Sokol Pepushaj

 

Teologji iblisike në kohën e lirisë…

Ditët kalojnë njëra pas tjetrës dhe Shqipëria vazhdon rrugën e saj drejt Europës,me fëmijët e saj që hidhen poshtë e përpjetë nga gëzimi kur në emër tëhipokrizisë dhe intelektualizmit, që sot është mall shumë i lirë, që mund ta gjesh ku të duash, mjafton të thuash atë që i pëlqen komercialistëve të këtij malli, pagëzohen forma të reja të sundimit mbi esencën e njeriut, bashkimit të mendjes me zemrën, për të krijuar turma që hidhen pas një emri a një marke të huaj…

Herë pas here në emisione dhe ligjërata të ndryshme, predikojmë dhe ftojmë besimtarët për tolerancë ndërfetare dhe respekt të ndërsjellët ndërmjetr besimtarëve të besimeve të ndryshme, aq më tepër kur ata janë ibrahimite.

Mirëpo që një veprimtari e tillë të ketë sukses, duhet të pajisen të zotët e saj me sinqeritetin dhe pastërtinë e brendëshme, që suksesi dhe mbarësia hyjnore të mbërrijë menjëherë…

Shpeshherë kur lexoj organet e ndryshme informative që botohen në Shkodrën tonë dhe gëzohem kur shoh se shkruhet dhe derdhen mendime, por pikëllohem pa masë kur lexoj trakte të reformuara sebeiste…

Aq më tepër kur vjen fjala për tu përmendur feja…

Feja, që zbret e pastër, e që krijesat edhe mund ta ndotin…

Zotëri drejtor i gazetës “Shqipëria etnike”!

Gazetën tuaj e ndjek vazhdimisht dhe për vetë emrin që mban dhe boshtin që duhet të ndjekë, është shumë e madhe, por kur në të botohen shkrime që nuk i shërbejnë atij titulli të madh, kjo është një fatkeqësi që duhet evidentuar, apo jo?

Disa herë matem t’ju shkruaj, por koha e ngushtë nuk më lejon…

U përsëritën disa shkrime me nuanca antiislame, që do të thotë edhe anti”Shqipëria etnike”, që kur ju botuat në atë skutë të faqes së dytë për atë gabim të një numri të mëparshëm, në hak të muslimanëve…

Është e vështirë, pa dyshim, që të mos ju rrëshqasë ndonjë gabim, pasi kjo është natyra e jonë, por jo të bëhet gabimi, qëllim e më pas zakon!

Në numrin e datës 23 Prill 2002, më tërhoqi vëmendjen shkrimi  me titull: “Partia Demokristiane “vegël” e PS-së apo e ardhmja Europiane e Shqipërisë?”

Ndokush mendon se duke përzier politikën e sotme me fenë e pastër, mund të tregojë diçka…

Aq më tepër kur përmendet P. Demokristiane, që dikush e përdor emrin e saj edhe si vegël fetare politike…

Sigurisht, në këtë shkrim nuk do bëj avokaturën e ndonjë grupi a partie, pasi se kam zakon, por do bëj atë që e shoh të nevojshme, si shqiptar, një musliman shqiptar, pa frikë se dikush do të thotë nesër, fanatik!

Dikush shkruan, duke mbrojtur PDK, që qenka bërë mjet loje për partitë e sotme:

“P. Socialiste nuk e bën këtë për hobi, por mbi të gjitha për ti hapur rrugën e mbyllur nga Europa perëndimore e Kristiane e cila e shikon PS ashtu siç është një parti sllavo-ortodokse të kryqëzuar me fondamentalizmin islamik që shpesh do t’ja kishte zili vetë Bin Ladeni…”

Në rradhë të parë, duhet të të ngushëlloj zotëri, pasi nuk do hysh kurrë në këtë Europë, me një pasaportë kristiane, pasi ne jemi një vend me popullsi të madhe muslimane që tejkalon shifrat e pranimit të këtij vendi në një Europë Kristiane

Pastaj si mund ta quani Europën kristiane, kur ajo gjykon me laiçizëm, jo me kristianizmin tuaj, të paktën kështu propagandohet!

Pa dashur të flas për konvertimet e panumërta në Islam, që ndodhin për ditë në çdo skaj të kësaj Europe që ju e quani kristiane

Me të vërtetë gjynah!

E përsa i përket shikimit të kësaj Europe dhe opinjonit të saj për PS, që mua nuk më intereson fare, dua të them se ju përdorni terma jo të rregullta, pasi fondamentalizmi islamik, që ju ëndërroni, nuk mund të jetë pjesë e Partisë tuaj, pasi historia e saj e vërteton këtë, po ta shikoni me hollësi…

Pastaj vjen raundi i dytë i shkrimit, ku autori, na informon me disa të dhëna të reja, në fushën e nën rrogozës, sikurse thotë:

“thuhej se Nano përfaqëson klanin kristian të PS, ndërsa meta klanin islamik…”.

Zotëri, më vjen keq por nuk e njihkeni mirë artin e mashtrimit -politikën-, që sot nuk e njeh atë që thoni ju, të paktën Islamin, që qenka klani i Metës apo i ndokujt tjetër, të hyj garant, pasi Islami është më i lartë se të bëhet klan i dikujt…

Sidoqoftë, vazhdojmë, pikërisht, ku ju zotëri e tejkaloni, shumë madje, kur thoni:

“Madje kjo “teknologji” antikatolike e PS vazhdon edhe në ditët tona, ku shprehja më e qartë ishte ajo e thënë para pak ditësh në Bashkinë e Shkodrës nga përfaqësuesi i lartë i komunitetit katolik At Zef Simoni i cili tha se nga 54 ambasadorë që ka Shqipëria në Europë vetëm një është i komunitetit katolik dhe ai është në Vatikan…”.

Gjatë studimeve të teologjisë, kam mësuar se që në kohën e Çezarit, kisha është distancuar nga politika, madje një gjë të tillë ma konfirmoi në bisedën e tij, gjatë një vizite në Myftininë e Shkodrës, për Bajramin që kaloi, edhe Z. Masafra, që ftoi të pranishmit të largoheshin nga politika…

Nuk dua të mësoj më të mëdhenjtë në moshë, por a ka ndryshuar ky ligj në fenë tuaj, menjëherë pas këtij Bajrami që festuam, apo çfarë?

Në të vërtetë, nuk e di se sa ambasadorë muslimanë paska Shqipëria në Europë e botë, por laiçizmi i shtetit në të cilin jetojmë, më bën që mos ta drejtoj këtë pyetje, për të mos hyrë në punë që s’më takojnë!

Por, nëse e marrim nga aspekti fetar, a duhet të dërgojmë në ambasador shqiptar çifut, në stallën e çifutëve, në Tel Aviv?

Apo një hinduist në Indi, nëse kemi lidhje diplomatike me Indinë, sigurisht?

Pastaj më vjen shumë keq, që me eufori të madhe i fryni këtyre fyejve që s’të ngjallin gjë tjetër vetëm se ndjenja urrejtje dhe përçarje, njëkohë që vendi ynë vuan…

Nuk duhet ta harroni asnjëherë, që feja duhet të shërbejë për afrim e jo për largim…

Për harmoni e jo për djallëzira…

Pastaj, ju zotëri, përdorni një term shumë të rrezikshëm nga fundi i shkrimit tuaj, kur thoni:

“… e konsiderojmë veten vëllezër të një gjaku me muslimanët e ortodoksët shqiptarë, por që regjimet pushtuese antishqiptare na ndanë me emra dhe besime dhunshëm…”.

Me të vërtetë se vëllazëria e gjakut ekziston, por në çfarë besimesh na ndanë pushtuesit dhunshëm dhe cilët pushtues?…

Mos e keni fjalën për fenomenin negativ të islamizimit të popullsisë, paskrupullsitë që tregon një tjetër koleg i juaji në një numër paraardhës, të po kësaj gazete?

Në qoftë se po, kësaj përralle i ka ikur koha dhe nuk tregohet më, pasi fëmijët u rritën dhe e kuptuan realitetin…

Të gjithë qeshim kur shikojmë Baba Noelin, apo jo!?

Në fund të shkrimit tuaj, htoni:

“…të bashkuar siç na do Europa, katolik, ortodoks e musliman pormenjë besim tek Zoti dhe tek Europa e qytetërimi i saj…”.

Besimtari nuk duhet të përziejë besimin e tij në Zotin, me çështje dytësore që Madhëria e Zotit, nuk na lejon t’ia ngjeshim emrit të Tij me një lidhëz…

Kur të punojmë për Zotin, jemi robër të Tij dhe shërbejmë veten, shoqërinë dhe atdheun dhe ky besim do na shpjerë aty ku është më mirë dhe më lart për ne!

E në të kundërtën, do mbesim robër të frazave të ndryshme që lakohen lart e poshtë, që s’bëjnë gjë tjetër vetëm se na humbasin kohën tonë të çmuar!

Së fundi, duke shpresuar se nuk më keni keqkuptuar, po ju dhuroj këtë shprehje të atij njeriu, që në “Një Qind të Parët” e Majkell Hartit, renditet i pari, kur thotë:

(Nuk është prej nesh kush nuk respekton të madhin dhe nuk mëshiron të voglin)!

Ne përherë ju kemi mëshiruar, dhe vazhdojmë…

Me dorën e teologut

Muhamed Sytari

Shkodër, më 02. 05. 2002

Mjekja shqiptare bashkëpunoi me kardilogun që ka bërë transplantimin e parë të zemrës në botë Dr. Christian Bernard

Biografi e Emroda (Beli) Shala

Dr. Emroda lindi në qytetin e Shkodrës më 11 dhjetor 1954. Ajo rridhte nga një familje intelektuale nga qyteti i Korçës me vlera të pasura njerëzore, të cilat ajo i përcolli dhe në profesionin e vet.

Babai i saj, Dr. Xhavit Arif Beli i njohur në Shkodër si doktori i bagëtive, madje në shumë raste edhe i njerëzve, lindinë qytetin e Korçës ku pas mbarimit të liceut vazhdoi dhe përfundoi studimet e larta në universitetin e Touluzës (Francë) ku atje mbrojti edhe doktoratën në degën e veterinarisë.

Mjaft nga cilësitë e tij i trashëguan edhe fëmijët Adnani dhe Emroda.

Emi mbaroi shkollën e mesme në gjimnazin 28 Nëntori të qytetit të Shkodrës me rezultate të shkëlqyera. Dëshira e saj ishte të vazhdonte për arkitekturë por siç duket nuk i takonte asaj, megjithëse e drejta ishte që të zgjidhte.

Në vitin 1972 filloi studimet e larta në fakultetin e mjeksisë në Tiranë të cilin e përfundoi në 1977, bëri praktikat mësimore në spitalin e Shkodrës dhe u diplomua më 1978. Në vjeshtën e vitit 1978 Emi u emërua mjeke në zonën e Dajçit të bregut të Bunës.

Tërmeti i prillit 1979 ishte për Emin në pasqyrë e vlerave të saja njerëzore dhe profesionale të cilat banorët e zonës i përjetonin çdo ditë. Për 6 muaj banesa e saj ishte çadra (qendra shëndetësore).

Për punën e saj të lavdërueshme, në janar 1981 u transferua në spitalin e fëmijëve në Shkodër ku punoi për 2 vjet.

Në janar të 1983, ndonëse me fëmijë të voëgl, Emi shkoi në specializim në degën e kardiologjisë dhe e përfundoi atë në qershor 1984 ku mori vlerësimin maksimal. Gjatë kësaj periudhe ajo punoi pranë Prof. Dr. Sali Berishës i cili kishte krijuar konsideratë për të që kur ajo ishte studente.

Në korrikun e 1984 Emi filloi punën si specialiste zemre në spitalin e qytetit të Shkodrës ku punoi për 15 vjet deri më 29. 09. 1998 kur u largua nga Shqipëria me mendimin për të punuar jashtë vendit.

Ishte viti 1991 kur Emi i shpëtoi jetën një norvegjezi në qytetin e Shkodrës (foto 1) për këtë ajo u ftua në vitin 1993 nga spitali qendror fredrikstad që të vëzhgonte dhe të shkëmbente eksperiencë (foto2 foto 3).

Ishte hera e parë që Emi vizitonte një spital jashtë Shqipërisë. Ajo punoi dhe u njoh me mjaft kolegë të cilët e respektonin për përgatitjen e saj profesionale. Gjatë kësaj kohe ajo mori pjesë në simpoziumin që u zhvillua në Universitet-Rikshospitalet në Oslo me rastin e 10 vjetorit të transplantimit të parë të zemrës në Norvegji. Këtu ajo pati rastin të njihej dhe të bashkëpunonte me Dr. Christian Bernard, (doktori që ka bërë transplantimin e parë të zemrës në botë ku ajo ndoqi nga afër për 6 orë një transplant të tillë. Mbresat ishin të pashlyeshme, (foto 4-5-6-7). Në përfundim të vizitës 3 mujore në Norvegji mori vlerësimin maksimal ku mes të tjerash do të shkruhej:

“Doctor Emroda Shala gave an impression of being extremely competent. Her knowledge and attitude was an inspiration for collegues as well as for nurses and patients. We are very glad to have her with us!”

 

Lars Westlid MD

Head of medical dep.

 

Trond Holm

Head of Cardiac dep.

 

Central hospital of Øsfold

In Fredrikstad – Norway

 

Dr. Emroda Shala la përshtypjen e të qenit me nji pergatitje ekstreme në profesionin e saj. Njohuritë dhe sjellja e saj ishin për ne kolegët infermjerët dhe pacientët një frymëzim. Ne ishim shumë të kënaqur që e patëm midis nesh!

 

Më 20. 02. 1995 Emi u ftua për 3 muaj nga qendra spitalore Inter Communal ANNE MASS në Francë në klinikën kardiologjike Savoi De Gurvil. Kësaj radhe komunikimi me kolegët dhe pacientët bëhej në frengjisht, gjuhë të cilën e kishte dhuratë nga babai i saj Dr. Xhaviti. Edhe këtu mori vlerësimin maksimak nga kolegët Prof. Dr. Jena Paul Pouzeratte dhe Prof. Dr. Francois Antoine Gay.

Në prill 1996 për të tretën herë mori një ftesë nga spitali i Linz i Austrisë ku qëndroi për 3 muaj.

Prim Univ – Prof. Dr.  Peter Kuhn pas përfundimit të specializimit nëpërmjet një atesti në mes të tjerave ai shkruan: Dr. Emroda Shala kishte një përgatitje mjaft të lartë profesionale në fushën e kardiologjisë, ajo nuk e pat as më të voglin problem në integrimin në linjën tonë…

Gjatë qëndrimit në Norvegji në vitin 1993 ajo kishte lënë mbresa të pashlyeshme tek kolegët me të cilët mbante kontakte të vazhdueshme. Duke njohur aftësitë e saja ato i propozuan të mësonte norvegjisht dhe të punësohej në Norvegji. Asnjëherë Emi nuk e kishte menduar largimin nga vendlindja. Në korrik të vitit 1998 filloi ajo, në Shqipëri, mësimin e gjuhës norvegjeze gna anglishtja.

Më 25. 10. 1998 Emi e ftuar nga spitali qendror i Fredrikstadit në një kohë mjaft të shkurtër për 5 muaj, deri në shkurt 1999, mbrojti provimin e nivelit të lartë të gjuhës norvegjeze në fakultetin e gjuhësisë në Universitetin e Oslos.

Në artikullin e gazetave “Fredrikstad Blad” dhe “Sarpsborg Arbeideblad” të 7 shtatorit 2001, Irene Lucille Følling pedagoge e gjuhës angleze dhe norvegjeze në kujtim të Dr. Emroda Shalës në mes të tjerash shkruante “Dr. Emi mund të ketë qenë gruaja më e pjekur, gruaja më e vendosur dhe më e fortë që unë kam njohur. Të mësosh norvegjisht nga anglishtja në një kohë të pabesueshme,  kjo është një domethënie e madhe”

Ishte e pamundur për në mjeke shqiptare të punonte në spital se nuk i njihej diploma. Ishte Dr. Stein Øyvind Jorstad, përfaqësues i mjekëve të prefekturës së Østfoldit që me anë të në letre i drejtohet kryetarit të grupit parlamentar të shëndetësisë së Norvegjisë ku i kërkon me ngulm dhënien e liçencës së ushtrimit të profesionit për deri sa ajo të përfundonte të gjitha provimet edhe një herë. Dhe kështu u bë. Më 15. 04. 99 Emi filloi punën si mjeke në spitalin qendror të Fredrikstadit. Më datë 9. 08. 1999 ajo dha provimin e mjeksisë së përgjithshme në universitetin e Oslos ku nga 100 pikë të mundshme ajo u vlerësua me 87 ndonëse 45 vjeçare, zonjë shtëpie dhe çdo ditë në punë.

Asgjë nuk u njoh nga universiteti i Tiranës dhe iu desh që të jepte çdo gjë nga e para. Bmasi mbaroi provimet teorike vazhdoi stazhin në repartet kirurgji, psikiatri, indremedicin, gjinekologji etj.

Më datën 26 maj 2000 pranohet anëtare e shoqatës së mjekëve të Norvegjisë. Më 14 janar 2001 Emi punoi mjeke në qytetin Elverum në prefekturën e Lillehamerit për 6 muaj ku përveç vështirësive të tjera duhej të përballohej edhe me temperaturat e vendit që shkonin deri në –37 gradë celcius.

Më 20 maj 2001 shoqata e mjekëve të Norvegjisë caktoi në mes të tjerëve edhe mjeken shqiptare Dr. Emroda Shala që të marrë pjesë në konferencën e Hagës në Hollandë, e orgaizuar nga firmat më të fuqishme farmaceutike botërore, për propozime dhe sygjerime lidhur me medikamentet kardiologjike që ato përdornin gjatë punës së përditshme.

Më 24 qershor 2001 ajo u diplomua mjeke norvegjeze dhe njëkohësisht mori liçencën e përhershme të ushtrimit të profesionit në Norvegji.

Në artikujt e gazetave “Sarpsborg Arbeide Blad” dhe “Fredrikstad Blad” të datës 5 shtator 2001, Wenche Fongaard, pedagoge në shkollën e lartë të infermierëve në mes të tjerash në kujtim të Dr. Emit do të shkruante: “Jeta e Dr. Emit këto vite që jetoi në Norvegji, kaloi me studime dhe punë këmbëngulëse në mënyrë që të njihej e drejta si mjeke. Ajo takoi pengesa të panumërta dhe të çuditshme, pengesa të sistemit burokratik norvegjez, por ajo nuk u dha kurrë qëndroi dhe e mposhti çdo pengesë. Ne koleget e saj në spital shumë shpejt e kuptuam që ajo kishte një eksperiencë dhe nivel mjaft të lartë në kardiologji dhe sëmundjet e zemrës. Ajo ishte një mjeke që gëzonte përulje dhe respekt nga kolegët dhe pacientët”

Emi pas diplomimit si mjeke u rikthye në spitalin qendror të Fredrikstadit në pavionin e kardiologjisë dhe vazhdoi studimet për të marrë titullin mjeke primare, që tani ishte vetm çështje kohe por vdekja e ndau nga kjo rrugë.

Shumë shpejt Emi u bë e njohur nga pecientët, dhe të shumtë ishin ata që e kërkonin si mjeke të familjes.

Ditën e enjte më 30 gusht 2001 ora 14:18 gjatë rrugës për në punë në stacionin e trenit Sarpsborg, qytet ku banonte me familjen e saj, humbi jetën aksidentalisht Dr. Emroda Shala. Lajmi mbi tragjedinë e Emit u përcoll nga shtypi dhe mediat e prefekturës.

Për 50 mjekët e spitalit qendror të Fredrikstadit ishte një shok i vërtetë dhe një ditë zie ku edhe mbledhja e mëngjezit e datës 31 ishte vetëm lajmi tragjik.

Kjo ngjarje u pasqyrua në gazetën “Sarpsborg Arbeideblad” me datën 31 gusht 2001 dhe më 5 shtator 2001 dhe nga gazeta “Fredrikstad blad” e datës 7 shtator.

Nga i dërguari ynë në Norvegji

Zef Nika

Kardiologia famoze shqiptare Dr. Emi Shala la emër të madh në Norvegji

Një tragjedi e papritur në ditën e enjte më 30 gusht Emroda Shala, Emi siç e thërrisnim ne, vdiq e goditur nga një tren në stacionin e Sarpsborgut.

Ajo ishte vetëm 46 vjeçe. Emi mund të ketë qenë gruaja më e pjekur, gruaja më e vendosur dhe më e fortë që ne kemi njohur. Ajo studjoi në fakultetin e mjeksisë në Shqipëri, ku u specializua cardiologji dhe punoi si mjeke në repartin e kardiologjisë në spitalin e qytetit të Shkodrës. Lajmi për humbjen e parakohëshme të saj ka arritur edhe në Shqipëri.

Në vitin 1991 ajo shpëtoi jetën e një norvegjezi në qytetin e vet. Për këtë ajo u ftua nga spitali qendror Fredrikstad, që të vëzhgonte dhe të shkëmbente eksperiencë.

Herën e parë që ajo ishte në Norvegji, i la përshtypje të thella standarti dhe kushtet e punës. Ajo e brengosur mendonte dhe e krahasonte me gjendjen në Shqipëri ku e vetmja zarzavate e stinës ishte qepa dhe shërbimi mjeksor linte për të dëshiruar gjë të cilën ne e kemi parë dhe jetuar vetë në spitalin e Shkodrës. Në zemrën e saj ishte në vend të parë, bashkëshorti Kujtimi, djemtë Bujari dhe Elmiri dhe të gjithë pjestarët e fisit. Ajo dhe burri i saj e quanin si detyrë shkollimin e fëmive të tyre në një vend ku t’u njihej ai sepse një gjë e tillë ishte e pamundur në Shqipëri ku ajo e provoi vetë.

Atyre ju desh të largoheshin nga të afërmit dhe të merrnin një rrugë të panjohur.

Emi erdhi në Norvegji në shtator 1988. Ajo kishte filluar të mësonte norvegjisht me forcat e veta në Shqipëri. Mbasi erdhi këtu ajo vazhdoi kursin e norvegjishtes dhe arriti të japë provimin mbas 3 muajsh. Në prill 1999 erdhën burri dhe fëmijët. U pa qartë që ato ishin një familje me një qëllim të përbashkët, të jetonin në Norvegji, të mësonin rregullat, zakonet dhe traditat norvegjeze.

Jeta e Emit këto tre vite në Norvegji, kaloi me studime dhe punë këmbëngulëse në mënyrë që ti njihej e drejta e diplomës si mjeke këtu, në mënyrë që ajo të ndërtonte një jetë bazë për fëmijët e vet.

Ajo takoi pengesa të panumërta dhe të çuditshme, pengesa të sistemit burokratik. Por ajo nuk u dha kurrë, qëndroi dhe mposhti çdo pengesë. Kolegët e saj në spital e kuptuan shumë shpejt që ajo kishte eksperiencë të gjatë dhe nivel mjaft të lartë njohurish në cardiologji dhe sëmundjet e tjera të zemrës. Ajo ishte një kolege që megjithëse për nivelin e njohurive të saja kishte një përulje dhe respekt si për kolegët ashtu dhe për pacientët. Ajo kishte një zemër të madhe ku kishte vend për të gjithë. Ne që kemi patur fat, dhe na është lejuar të kemi vend, kemi mësuar shumë për sinqeritetin e vërtetë dhe përkujdesjen për njerëzit e tjerë. Në këtë fushë ajo ishte e vetmja. Ne kemi marrë shumë nga mikpritja e saj, përveç këtyre vlerave të veçanta që ajo kishte, ishte edhe nji amvisë e përkryer dhe krenare për traditat shqiptare. Ajo dallohej në artin e kuzhinës, ishte kureshtare për traditat dhe mënyrën e të gatuarit norvegjez. Ajo dinte të kombinonte në mënyrë të veçantë traditat e vendit të vet me atë norvegjez.

Emi la pjestarët më të dashur të saj që kishte, burrin dhe dy djemtë e saj. Ne që e njohëm atë e dimë se çfarë kanë humbur njeriun më të shtrenjtë. Kjo ishte një humbje shumë e madhe dhe për ne por ajo jeton përmes tyre.

Ne mendojmë që ajo u ka dhënë forcë që ato të jetojnë me këtë dhe të mos përkulen. Ne shpresojmë që ato do ta çojnë ëndrrën që ajo kishte për fëmijët e vet, shkollimin e tyre këtu në Norvegji.

E dashura Emi ti ke lënë gjurmë të pashlyeshme mbrapa.

Kujtimi i juaj do të jetë në mendjet dhe zemrat tona.

Wenche Fongaard

Irene Lucille Følling

Fjalë përkujtimore për Emin nga reparti mjeksor

Spitali Qendror Fredrikstad

Nëpërmes një ngjarje tragjike ditën e enjte më 30 gusht, reparti jonë ka humbur një nga punonjësit më të dashur.

Kolegia jonë e aftë dhe besnike Emroda Shala papritur u nda nga ne.

Mendimi jonë shkon në fillim tek Kujtimi, i cili ka humbur bashkëshorten e shoqen e jetës, njeriun më të shtrenjtë.

Tek djemtë Bujari dhe Elmiri që kanë humbur nënën e tyre të dashur. Këto ishin të pranishëm në zemrën e saj. Ajo ishte gati të jepte gjithçka, të sakrifikonte për të ardhmen e fëmijëve të saj.

Me një veçori dalluese ajo vlerësonte ambjentin ku ajo punonte dhe linte përshtypje të thella tek kolegët dhe njerëzit që ajo kishte kontakt.

Ne kemi humbur një kolege të aftë dhe të njohur, që dinte të reflektonte, një mik dhe një njeri njerëzor.

Emi ishte një njeri me tipare të veçanta njerëzore, një kolege e njohur nga ana profesionale, me një rrezatim dinamik, që ne, kurrë nuk do ta harrojmë. Ne të gjithë e ndjejmë bosh vendin e saj. Ne humbëm para kohe një njeri të aftë, të zgjuar, miqësor dhe njerëzor.

Ne e falenderojmë Emin, për këtë kohë që kemi qenë bashkë.ù

Kujtimi i saj do të jetojë gjithmonë në zemrat tona.

 

Nga 50 kolegët e repartit mjekësor

Spitali Qendror

Fredrikstad

Dr. Carl Erik Strëmseter

 

Droga e shtetit dekoron zëvendës Ambasadorin e Britanisë së Madhe Xhorxh Skot

Gjithnjë kam besuar thënien proverbiale se Historia përsëritet, e vërtetë ajo u përsërit në trevën e mrekullueshme të Shkrelit, ndonëse kjo përsëritje historie ka një hark kohor rreth 90 vjeçar, por protagonistët janë “Ata”, Treva e Shkrelit, dhe miqtë e nderuar po nga Britania e Madhe. Nëse herën e parë mikja e Shqiptarëve, Malësorëve e Shkrelasve ishte zonja e nderuar po nga Britania (Anglia) Edith Durham e cila pasi e vizitoi Shkrelin, jo vetëm shkroi për virtytet më të mira të kësaj treve, por mbi të gjitha ngriti zërin në mbrojtje të Shkrelasve, Malësorëve e Shqiptarëve nga lakmitë e shovinistëve fqinjë, e pushtuesve të tjerë. Natyrisht Shkreli diti ta vlerësojë e nderojë këtë engjëllore që humbi jo pak nga jeta e saj për t’u dhënë jetë shqiptarëve. Ndërsa sot përsëri është një Britanik, por edhe diplomat kariere, Zv/Ambasadori i Britanisë në Tiranë, Zoti Xhorxh Skot, i cili me përkushtim e drejtësi mbrojti nderin e dinjitetin e nëpërkëmbur të fermerëve Shkrelas nga pushteti i ri socialist që për çudi është pjellë e shovenëve fqinjë që jo pak në këpërcyejt e shekujve trazuan shpirtrat e shkrelasve e shqiptarëve. Gjithsesi duhet thënë se gjatë vitit 2001 në Shkrel erdhi një shoqatë Britanikë e cila u dhuroi shkrelasve të mbjellin bimën industriale me emrin Kerp, së cilës ia kishin pa hajrin shumë vende të Europës Lindore në vitete e tranzicionit, madje kjo shoqatë kishte përgatitur edhe infrastrukturën e kultivimit të kësaj bime industriale, si dhe ndihmuar në organizimin modern të fermave të Shkrelit. E të gjitha këto ishin bërë me dijeninë e bekimin e shtetit, të cilit më vonë i kishte hyrë inati i dreqit, e për këtë shkrelave iu shkatërroi bimësinë e futi në burg disa fermerë, e ku për dreq kjo koinçidoi me raundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare, e që shkrelasit shquheshin për demokratë. Natyrisht në këto çaste të vështira kur ishte cënuar rëndë ekonomia dhe morali i malësorëve që akuzoheshin se po kultivonin bimën e drogës (Canabis Sativa) e jo kerp, u gjend afër fermerëve të ksëaj treve Zv/Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë Zoti Xhorxh Skot, i cili duke mbrojtur të vërtetën e të drejtën, mbrojti edhe dinjitetin e nderin e shkrelasve. Duke u kthyer fermervëe të nderuar jo vetëm moralin e kënduar, por pse jo shpejt edhe dëmin ekonomik të konsiderueshëm që shteti socialist e “ngatërroi” “padashje” Kerpin me Drogën, apo siç thuhet sot në gjuhën “diplomatike” kishte një keqkuptim. Gjithsesi miku i mirë në ditë të vështira, e ky mik është Britaniku diplomat Xhorxh Skot, të cilin treva jo vetëm nuk e zhgënjeu për ndihmën e dhënë, por e nderoi e respektoi ashtu siç di t’i nderojë miqtë e mirë kjo trevë. Në vijim të kësaj, institucioni më i lartë i shkrelasve, të zgjedhur me votën e tyre, Komuna Shkrel këto ditë e nderoi Zotin Xhorxh Skot me titullin më të lartë “Qytetar Nderi” i Komunës Shkrel. Për dorëzimin e këtij titulli drejtuesit e komunës organizuan një ceremoni të thjeshtë, por mjaft domethënëse ku tek ndërtesa e kësaj komune ishin mbledhur mjaft shkrelas e më gjerë të cilët donin ta falenderonin këtë mik të madh të Shkrelit. Fjalën e hapjes e mbajti Kryetari i Komunës njëkohësisht edhe kryetari i shoqatës së fermerëve Z. Martin Pëllumbi, i cili pasi i uroi mirëseardhjen Mikut nga Britania, ndër të tjera tha: “Se organizojmë këtë ceremoni për t’i dorëzuar mikut tonë të shtrenjtë titullin e lartë “Qytetar Nderi i Komunës Shkrel” që i ka akorduar Këshilli e Komuna Shkrel, ku natyrisht shkrelasit si gjithnjë kanë ditë të respektojnë mikun, por edhe t’i japin hakun armikut, ku në këtë rast miku është Zv/Ambasadori i Britanisë së Madhe Xhorxh Skot i cili në ditët tona të vështira kur pushteti socialist po shkarkonte tërë arsenalin policor mbi fermerët tanë, si rezultat i keqkuptimit apo diçkaje tjetër, ishte pikërisht ky mik i madh që na u gjend pranë duke bërë të fitojë e drejta jonë”. Pas Z. Pëllumbi Kryetari i Këshillit të Komunës lexoi motivacionin e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” të Z. Xhorxh Skot si dhe ia dorëzoi këtë titull vetë Zotit Zv/Ambasador. Motivacioni i titullit të mbishkruar nga Kryetari i Këshillit të Komunës Z. Ismet Bala dhe Kryetari i Komunës Z. Martin Pëllumbi, ishte mjaft domethënës në fjalët e shkruara të cilat ishin: “Për një kontribut të lartë në mbrojtjen e vlerave morale të trevës së Shkrelit e fermerëve të saj”. Në këtë ceremoni e mori fjalën e dhe vetë Zoti Skot i cili falenderoi Komunën për vlerësimin e lartë që i ishte bërë, si dhe për titullin e dhënë si qytetar nderi i Komunës, gjithashtu tamama me fjalë diplomatike evokoi disa çaste të punës së tij në ato ditë të vështira për fermerët e vetë Shkrelin, kur shteti e makinën e tij kërkonte me çdo kusht ta bënte Kerpin industrial drogë (Canabis Sativa), tamam si dikur siç urdhëronte partia, por që diplomati me gjuhën e tij siç e thamë më sipër e quajti një keqkuptim që tashmë është zgjidhur. Pas kësaj fjalën e mori edhe sekretari i shoqatës së fermerëve dhe njëkohësisht specialisti Zoti Brahim Maleci, i cili pasi falenderoi Zotin Zv/Ambasador të Britanisë së Madhe për kontributin e tij në fitoren e së drejtës së fermerëve shkrelas mbi makutërinë e pushtetarëve socialistë, ndër të tjera tha: “Siç e shihni desh vetë Zoti, e drejta dhe zoti Skot që ne të jemi në këtë ceremoni të thjeshtë këtu, e cila na jep kënaqësinë të themi se pasi fituam të drejtën morale, tani së shpejti ju paralajmërojmë se do të fitojmë edhe të drejtën materiale, pra dëmshpërblimin që shteti na e ka borxh. Gjithashtu shkrelasit tani e kanë kuptuar se çfarë absurdi ishte “drama” që kërkonin të luanin në Shkrel socialistët me “parullën” famëkeqe që filloi të përhapej se “droga” e sjellë nga Britanikët ishte rreziku i dytë Anglo-Amerikan për Shkrelin…”

Në këtë ceremoni përshëndeti në emër të pleqësisë së Shkrelit edhe Zoti Ndoc Deda, i cili pasi falenderoi Zotin, Britaninë e Madhe dhe vetë Zotin Skot, që ndihmuan të mbrojnë vlerat materiale e mbi të gjitha ato morale të shkrelasve, bëri një rezyme të mrekullueshme në mes Zotit Xhorxh Skot dhe mikes së hershme të shkrelasve e shqiptarëve Zonjës Edith Durham, nga ku këta dy miq britanikë, por edhe vetë Mbretërinë Britanike e cilësoi si miken e dytë pas vetë Zotit që na ka falur…

Pas ceremonisë i erdhi rasti edhe një koktej të thjeshtë por të mrekullueshëm që shpesh u tha se simbolizon një ndër virtytet e cilësuara nga Znj. Durham, pra Bujarinë… që për miqtë e vërtetë do të gjindet në përjetësi. Zoti e dhashtë që shqiptarët të kenë shumë miq të tillë si Britanikun Xhorxh Skot…

Ndue Bacaj

Sokol Pepushaj

 

O krisma kallashësh që vrisni fëmijët

Të shoh të trishtuem

Qyteti im

Me netë pa hënë

pa Diell në agim

Shoh lule të vyshkura

zemra të ndrydhuna

Shoh rrugë të zbrazura

dritare të mbylluna

S’i shoh ma zamakët

janë tha tulipanat

Vaditun me lotët

që derdhin nanat

Ku janë vallëzimet

ku janë serenatat?

Kanë heshtë kitarat

“këndojnë” kukuvajkat!

S’ka tinguj muzike

kanë shterrë meloditë

Ndjen krisma kallashësh

që vrasin fëmijët

Zgjohu prej “gjumit”

“tundi” prej vendit

Me krahët e pëllumbit

freskinë e liqenit

Zgjohu Shkodërloce

o e bukura e tokës

Bashkoji bijtë e bijat

mjaft rrugëve të botës

Nga: Mark Bregu

 

T’i themi… Ndal: krimit

Kur shteti na vriste (me “ligje” t’paligjshme)

Bota çuditej me durimin tonë.

Por se nga ne pak kush çuditej

Ndaj, diktatura vepronte gjithmonë.

 

Ata që ngritën krye, të gjithë e pësuan

Sepse ndëshkimin e morën nga shteti

Por, kur nga dhuna ne u çliruam

Sot kush na shtynë të vritemi ndër veti?

 

Nji dorë e zezë dhe mendje e errët

Ndërsen shqiptarët mes njeni-tjetrit

Dhe ne, kërkojmë fajin ta gjejmë tek të tjerët

Kur s’jemi të zotët t’i vëmë “frena” vedit!

 

Tropojë-Dukagjin, mbushun me vorre!

Pranverë e zezë, dhe pemët lotojnë,

Kush vallë na futi në kët rrugë vorre

Të gjithë rrudhim supet, asgjë nuk kuptojmë!

 

Kush i thanë lotët e nuseve pa djelm

Po, lotët rrëke të motrave tona?

Kush i ngushëllon zemrat me helm

Nji turp që s’e lanë, Drini as Valbona!

 

Ndigjojeni zanin e grave pa burra

Ndigjojeni klithmën që lëshojnë jetimat

Bashkohuni o burra mos rrini në kulla

Shtrohuni në kuvende, si dikur në lëndinat.

 

Kujtoni me kujdes, fjalën e të vjetrit

Sot, zani i Kanunit, nga shekujt thërret

T’i shtrëngojmë vllazënisht dorën njeni-tjetrit

“Kush falë një gjak, ka “vra” nji Mbret”

Nga: Mark BREgu

 

Mirse vjen o Mbreti Zog

Leka Zogu timonier

S’ka ngelë kush me i besu

me drejtu kët vend siç duhet

Eja ktu, mos rri nguju

Kurrë Shqipëria s’duhet t’shuhet!

 

Ndoshta Zoti po na ndihmon

Që t’ju sjellë Ju ktu tek ne

Ndjenjat tona po i vlerëson

Kem gjurmë të thella në këtë “Dhe”!

 

Ju ka shkruar Kadareja

Me pasion “n’stilin e tij”

Po ven n’jetë praktika t’reja

Me shkri akullin që është ngri

 

Është kulturë t’jesh tolerant

Sidomos në politikë

Ju Madhri, t’jeni sfidant

ndaj elementit hipokrit!

 

Këtij të fundit, populli i thot:

E ke të lehtë, se kush s’të është vra

E ke të lehtë, se gjë s’të është marrë

E ke të lehtë, se ke ba pallë.

Bukë ke patur e në burg s’je tharë!

 

Prandaj Lekë, merrni stafetën

Në vend t’errësirës të kemi dritë

Në krye t’ktij populli, sfidoni të keqen

Të vijë dita që kemi pritë.

 

Le të hypim n’trenin e shpresës

Jo, në kto shina që sot udhëton

Timonier Leka të bëhet

I gjith populli mbrapa i shkon.

 

Shumë na erdhën horat hakut

Leka Zogu don me ardhë

Nga mërgimi në Shqipri

Kush e ndjen vehten shqiptar

T’i dalë para ati zotri

 

Në se Zoti na zgjatë dorën

e, s’na len në gjendje skllavi

Mbase Leka sjell fitoren

Që këshilluar i a ka i Ati.

 

N’se n’Shqipëri Ai vjen vërtetë

Nuk ban tjetër veç një punë

Po i afrohet djepit t’vet

Që dy ditë e ka përkund.

 

Mirë se t’vish pra mor Zotni

se na erdhën horat hakut

s’e meriton pra kjo Shqipëri

50 vite me i shtruar dajakut.

 

Shumë jem mburrur me Skënderbeun

Jo, më pak me Mbretin Zog

Të gjith fiset i bashkoi

Për një Shqipëri më të mirë se sot!

 

N’se vjen ktu e sistemohesh

shumë ju mbështesin atdhetarët

Po vjen rasti të provohesh

Se kët vend e doni, siç e deshën t’parët.

 

Na vjen mirë që ke një djalë

Jo t’pa mend e t’gjatë si vedin

Bashkë me Ju zot me na dalë

Me vue n’jetë Ligjin e Shtetin.

 

Si gen Zogu nuk koritet

Jam shqiptar s’e kam për turp

Që të ju them Ju, mirë se t’vini

Jeni trim dhe jeni i urtë

Që s’denjoni t’na braktisni.

 

Në Atdhe, gjeni shqiptarët

Vëllezërit tuaj, pra nga prejardhja

Që s’harrojnë ç’ishin të parët

Ndonëse këtu u bë hataja!

 

50 vjet ç’organizim

Korrupsioni e poshtërsia

Po t’i shihnim edhe në film

Do të thonim: përse kështu, ç’janë këto marrina!?

 

Ardhja juaj pas 60 vitesh

Na nderon e na vlerëson

Se, si gen Ti nuk koritesh

Vlerat Tuaja, ka kush i çmon!

 

Mbreti Zog, ishte fisnik

Me prejardhje kartiotli

Enver Hoxha tjetër tip

Ç’veshi vendin nga çdo dhunti!

 

Nuk është vonë të korigjohemi

Të kompensojmë kohën e humbur

Si nacionalist të gjithë t’bashkohemi

Më në fund të jemi t’lumtur!

 

N’hotel “Dajti”Ju do qëndroni

Se atje do vijm dhe ne

Pseudopolitikanëve, mund tu thoni

kështu veprohet për Atdhe.

 

Të bashkuar e të mirëkuptuar

Të sfidojmë kohën e shkuar

Si qytetar e jo t’dhunuar

Të bëjmë atë që kem andërruar!

 

Eja Lekë he burri i dheut

Eja Lekë he burri i dheut

Eja këtu në mes shqiptarëve

Eja pra t’i dalim zot

Vehtes tonë e tokës st’parëve!

 

Jem shqiptar për nder ta kemi

Të mos e harrojmë ne këtë fakt

T’i themi vehtes, ku po vemi?!

Që në vend t’burrave, flasin gratë

 

Je pinjollë i Kastriotit

Për ket vend ai shumë luftoi

Jo më pak i Ahmet Zogut

Që kët vend ai e bashkoi.

 

Që i sinqertë të jem me Ju

Në zemrën time kam M. Frashërin

Në vend të tij sot jeni Ju

T’u priftë mbarë, mos e ndal hapin.

 

Si Ahmetin, si Mit’hatin

Enver Hoxha t’varur i donte

Për interesa të vatanit

Ç’do shqiptar pas do u shkonte!

Nga: Vehbi H. Hoti

Kur shkretohet Shqipëria, e gëzohet qeveria

Shkodra e Malësia e Madhe, dy trevat simbol antikomuniste të Shqipërisë po braktisen, ato po i braktis Rinia, hovi dhe energjia, e të sotmes së zezë që sollën komunistët e rinj që nga viti 1997, por edhe të ardhmes të dhunuar që po përgatisin pushtetarët e sotëm me qeverisjen e tyre mafiozo-komuniste. Ku çdo ditë me metodat e keqtrajtimeve fizike e psikologjike, dhunimeve e kërcënimeve i ka detyruar demokratët në përgjithësi e rininë antikomuniste në veçanti të braktisë atdheun e të marrë rrugët e botës.

Por unë në këtë shkrim dua të kujtoj sadopak simbolin e rinisë demokrate e antikomuniste të paharruarën Amazona Luigj Frangaj e cila pa dëshirën e saj kishte këtë “fat” të zi që në moshën më të bukur, kur thurte ëndrrat e rinisë së lumtur në vendin e saj, por ato iu këputën në mes nga shteti socialist i cili e detyroi të braktisë atdheun që e deshi aq shumë.

Amazona Luigj Frangaj ka lindur më 7 tetor 1982 në Shkodër në një familje Malësore të cilës komunizmi ia kishte mohuar vendin e saj (pasi ishte nga Hoti i Malësisë buzë kufirit shtetëror), duke e degdisur në tërë kalvarin e persekutimit komunist i cili filon që herët në vitin 1945, kur axha i Amazonës, Prelë Frangaj ishte burgosur për motive politike, po kështu burgoset edhe kushëriri i saj i parë Mark Nikoll Frangaj, si dhe dajat e saj Zef Tol Cuku dhe Gjeto Tol Cuku të cilët kishin marrë pjesë në kryengritjen antikomuniste së bashku me dajën e tyre Prek Cali. Në këto vite të vështira familja e Amazonës ishte shpronësuar dhe internuar në fshatrat e Lushnjes me motivacionin armike e komunizmit.

Në vitin 1989 babai i Amazonës, Luigj Frangaj u burgos nga regjimi komunist për motive politike, dhe arriti të lirohet vetëm në fillimin e pluralizmit e ardhjen e Demokracisë. Natyrisht kjo familje u bashkua me Partinë Demokratike, duke u bërë kështu një ndër më aktivet, si në pjesëmarrjen e mitingjeve e protestave antikomuniste në vitet 1990-1992, por edhe mbas rikthimit të komunistëve në pushtet mbas vitit 1997. Por tashmë përveç babës së Amazonës, Luigjit e nënës Mare që ishin anëtarë të PD që në fillim të vitit 1991, si dhe anëtarëve të tjerë të kësaj familje kishte filluar të rritej edhe vajza e tyre Amazona, e cila që pas 1997 do të ishte një nga të rejat më të spikatura që do të propagandonte alternativat e Partisë Demokratike, por edhe që do të kritikonte ashpër pushtetarët komunistë dhe sundimin e tyre. Znj. Amazona në ato vite do tu pranonte anëtare e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, por më vonë edhe anëtare e PD. Gjaët këtyre viteve (1997-2001) Amazona do të shquhej si aktiviste e pjesëmarrëse në të gjitha mitingjet, protestat e aktivitetet antikomuniste që do të zhvillonte P. Demokratike e rrethit Shkodër e më gjerë. Madje në zgjedhjet vendore të tetorit 2000 ajo ishte me detyrën vëzhguese në qendrat e votimit të qytetit. Pas kësaj pushtetarët komunistë filluan hakmarrjen, me metodat e tyre fashiste si dhunime e kaqtrajtime fizike e psikologjike, ku Znj. Amazona e provoi këtë tmerr me datat 16 deri më 19 nëntor 2000, kur përveç dhunës fizike e psikologjike provoi edhe dhunimin e kriminelëve të shtetit të veshur me uniformë të cilët pasi e burgosën në qelitë e policisë në datat e mësipërme, kur e lëshuan e kërcënuan se ky është vetëm fillimi… si dhe këtë fat do ta pësojë edhe babai jot Luigji, të cilin vërtetë e burgosën e keqtrajtoi policia e shtetit me datat 24-25 nëntor 2000. Pas kësaj Znj. Amazona u detyrua të ndërpresë studimet e vitit të fundit të shkollës së mesme ditën, duke e vazhduar fshehtas që nga dhjetori 2000 deri në shkurt 2001 në ambiente private. Por edhe këtu “vigjilentët” komunistë e zbuluan vendodhjen e saj, ku pas kësaj Znj. Amazona për të shpëtuar jetën e saj të re u detyrua të braktisë vendin e saj, duke u larguar për në një vend të huaj…

Nga: Albert Vataj

Shan Sokoli

Ikja pa kthim e Qazim Hasanit nga Prizreni!

Ata jetonin si gjithë të tjerët, në kushte thuajse normale në rrugën “Bajram Curri” të qytetit historik të Prizrenit. Shyqyri Hasani me të shoqen Baften me shumë mundime kishin rritur dy fëmijët e tyre Qazimin e datëlindjes 16 tetor 1976 dhe vajzën Bukurie, të cilët i kishin edukuar me ndjenjat e patriotizmit e atdhedashurisë për vendlindjen e tyre – Kosovën që prej vitesh lëngonte nën regjimin gjakatar serb. E bashkë me gëzimin për rritjen e fëmijëve, nis të “gatuhet” edhe tragjedia e mëvonëshme për gjithë familjen Hasani… Motra e Qazimit, Bukuria që ishte vërtetë e bukur, papritmas bie në dashuri me një serb të familjes Drashkoviq nga Mitrovica. Pas martesës së Bukuries, në muajin maj të vitit 1997, disa shqiptarë të Prizrenit ndalin në rrugë Qazimin dhe pasi e quajnë “tradhëtar” të Kosovës, e fyejnë dhe e rrahin barbarisht, aq sa me shumë zor arrin në shtëpi, ku babai Shyqyria e këshillon të mos denoncojë dhe të ruhet nga shqiptarët! Pas një muaji një furgon policie lokale keqtrajton gjithë familjen me pretekstin e kontrollit për armë. Në kushtet e kërcënimeve për eleminim fizik nga grupe ekstremistësh shqiptarë dhe policë të armatosur serb, babai i Qazimit bëhet anëtar i LDK-së. Dhe vetëm një muaj pas këtij akti policia lokale pasi nuk gjen të atin, arreston të birin Qazimin, të cilin e mbajnë tri ditë në dhomat e paraburgimit ku e rrahin dhe e keqtrajtojnë barbarisht, dhe e lënë të lirë vetëm pasi ai u premton se do të vihet në shërbim të tyre. Pasi ka mjekuar plagët për dy muaj, edhe Qazimi bëhet anëtar i LDK-së dhe nis shpërndarjen e trakteve nga kjo organizatë drejt UÇK-së. Në një rast, Qazimi dhe një shoku i tij arrestohen dhe dërgohen në stacionin më të afërt policor, ku merren në hetim nga oficerë të UDB-së (shërbimi sekret serb). Këtu Qazimit i komunikohen edhe akuzat e fabrikuara për të dhe babain e tij, si persona të kërkuar dhe që paraqitnin rrezikshmëri të theksuar për rendin kushtetues serb! I ndodhur në kushtet e dhunës fizike dhe presionit psikologjik, Qazimi ka gjetur si të vetmen mënyrë shpëtimi bashkëpunimin me shërbimin sekre, duke dhënë emra dhe detaje konkrete për luftëtarët e veprimet luftarake të UÇK-së. Por duket se kallëzimet e Qazimit ishin diktuar edhe nga pjestarët e UÇK-së, të cilët gjatë kohës që ai depononte në burg, kishin keqtrajtuar nënën e Qazimit, Baften që jetonte në vetmi, dhe kishin bastisur shtëpinë. Burri në mal, djali në burg, vajza tek “serbi” në Mitrovicë, ndërsa vetë Baftja shtynte ditët e vetmuar dhe me frikën për pjestarët e familjes. Këtu kishte mbërritur familja e Shyqyri Hasanit. Të gjithë të kërcënuar, të gjithë në rrezik si nga serbët ashtu edhe nga shqiptarët. Por më i rrezikuari për jetën ishte Qazimi. Dhjetëra shqiptarë, emra të kallzuar në kushtet e depresionit psikologjik dhe dëshirës për të jetuar nga Qazimi, ishin ekzekutuar nga shërbimi sekret serb. Emri i tij tashmë figuronte në listën e tradhëtarëve të Kosovës, e ndëshkimi më i paktë ishte vrasja me plumbin kokës. Asnjë rrethanë lehtësuese për bshkëpunëtorët me armikun. Ata janë në listat e ekzekutimit dhe ndiqen në çdo pikë të globit tokësor. I gjendur në kushte të tilla, kur jeta e tij kërcënohej në çdo moment, “dezertori” Qazim Shyqyri Hasani nga qyteti i Prizrenit braktis përjetësisht vendlindjen dhe vendoset diku në një nga shtetet perëndimore ku funksionon shteti e jeta mbrohet me ligj. Qysh prej atij momenti familja e tij nuk ka kurrfarë informacioni dhe nuk di kurrfarë adrese për vendodhjen e Qazimit. Dy prindërit e tij Shyqyria dhe Baftja që banojnë në Prizren dhe motra e përmalluar Bukuria, që ndjehet më fajtore se të tjerët për ikjen e vëllait e tragjedinë e familjes Hasani, rrinë me shpresën se Qazimi do të bëhet “i gjallë” e ata ndoshta mund të komunikojnë me njëri-tjetrin. “Veç të jetë gjallë, ani edhe pse s’do të mund të kthehet kurrë më në Kosovën tonë të dashur. O Zot deri kur kështu?” Dy pika loti rrëshqasin nëpër faqet e rreshkura të nënë Baftes… E tragjedia vazhdon… Deri kur?

Nga: Rifat Ymeri

Malësia e Madhe, treva shqiptare që po shkretohet

Nëse Bota e qytetëruar e Demokratike kërkon gjurmë origjinale të kanibalizmit komunist, që në fjalorin e diktaturës bolshevike quhej lufta e klasave, këto mund t’i gjejnë të freskëta kudo në Shqipëri. Pasi bijtë e komunistëve të rikthyer në pushtet pas vitit të zi 1997 jo vetëm e vazhdojnë këtë gjueti shtrigash ndaj të gjithë demokratëve, por e kanë perfeksionuar në atë shkallë, sa ajo kuptohet vetëm atëherë kur të godet mbi shpinën tënde. E këto goditje vdekjeprurëse po i provon më shumë se askush treva më veriore e më antikomuniste e Shqipërisë, Malësia e Madhe, e cila përcjell çdo ditë me dhimbje bijtë e bijat e saj për diku larg atdheut, me të vetmin qëllim shpëtimin e jetës së rrezikuar nga shteti.

Emrat e Malësorëve e shqiptarëve që kanë pasur këtë fat të lig janë me mijëra, por unë dua të përmend demokratin e orëve të para zotin Gjokë Kol Pëllumbaj i cili kishte lindur në fshatin Lepush (të Komunës Kelmend) të Malësisë së Madhe në vitin 1959, e ku familja e tij e ndiente peshën e diktaturës komuniste që në vitet e para të instalimit të diktaturës Komuniste, e cila familjen Pëllumbaj e shpronësoi, internoi e burgosi, por edhe pushkatoi. Gjithsesi biri i kësaj familje Gjoka arriti të shkollohej duke kryer shkollën e mesme, e ky arsimim për këtë zonë të thellë malore nuk ishte pak, madje me tepër vështirësi arrin të punësohet për disa kohë, por syri vigjilent i Partisë (Komuniste) e zbulon dhe pushon nga puna. Vështirësitë e z. Gjokë Pëllumbaj shtohen pasi ai martohet me një vajzë, Marije Ndue Lelçaj (mbas martese Pëllumbaj) e cila rridhte nga një familje antikomuniste e të persekutuar, ku babai i Marijes, Ndue Lelçaj kishte qenë për shumë vite i burgosur politik. Por edhe pse në fillim të vitit 1990 vëllai i zotit Gjokë, z. Lekë Kol Maçaj (Pëllumbaj) arratiset nga Shqipëria. Gjithsesi Gjoka nuk u demoralizua nga këto persekutime, madje ai shtoi në shpirt urrejtjen ndaj diktaturës komuniste, e që në fillimet e proceseve demokratike e antikomuniste ai me bashkëshorten e tij znj. Marije Pëllumbaj u rreshtuan përkrah demokratëve të parë, ku së bashku u bënë anëtarë të Partisë Demokratike që në themelimin e saj në Malësi të Madhe. Zoti Gjokë shquhet si pjesëmarrës aktiv në të gjitha mitingjet e demonstratat paqësore për rrëzimin e diktaturës komuniste, madje ai është dalluar edhe për mbrojtjen e shtetit demokratik në vitin 1997 kur banditët social-komunistë i kishin vënë flakën. Zoti Gjokë nën qeverisjen demokratike (1992-1997) u punësua si ekonomist në Komisariatin e Policisë së Malësisë së Madhe, ku në këtë kohë erdhi të banojë në qendrën e rrethit Koplik, ku u punësua edhe bashkëshortja e tij Marija. Por pas vitit 1997 nuk vonoi që ky demokrat të pushohet nga puna, duke e kërcënuar se antikounizmin e tij do ta paguajnë shumë shtrenjtë, ai dhe bashkëshortja. Zoti Gjokë edhe pas kësaj nuk është dekurajuar por ka punuar për mbrojtjen e alternativave të PD e kandidatëve të djathtë, madje duke qenë në ballë të fushatave elektorale, ku në Malësi të Madhe në përgjithësi kanë fituar alternativat demokratike, por që këto kanë trazuar “gjumin” e Qeveritarëve socialistë të cilët në mënyrë permanente kanë ushtruar dhunë e terror ndaj këtyre familjeve, “prova” të cilat i ka hequr mbi shpinë edhe vetë zoti Gjokë me familje, duke e kërcënuar e keqtrajtuar, por edhe duke e lënë në mes katër rrugëve pa punë, pa bukë, pa asnjë të drejtë si dhe të rrezikuar me jetën e tij e të familjes së tij, përballë kërcënimeve e keqtrajtimeve të Policisë e militantëve të shtetit socialist. Natyrisht për të shpëtuar jetën e tij e të bashkëshortes, z. Gjokë është detyruar të largohet për diku larg në dhe të huaj. Deri kur kështu?

Nga: Ndue Bacaj, Vasel Gilaj

Në Skënderaj të Kosovës

Kishim kohë pa shkuar në komunën e Skënderajve të Kosovës, ose në Strebeq, siç e quajnë vendasit kahmot. Takuam shumë miq që gjatë kohës së luftës kishin qenë në Shqipëri dhe tërë veç respektit për shtetin amë, për atë amerikan e anglez na folën siç dinë kosovarët mirë edhe për politikën që po tregon Perëndimi demokratik për ta bërë Kosovën një shtet modern dhe me të drejta si tërë popujt e tjerë. Por gjithsesi, kosovarët e kanë shpirtin të vrarë. Atyre zemra u dhemb ende nga plagët e luftës, ku edhe forcat paqeruajtëse ende kanë probleme për të mbajtur stabilitetin dhe për të sheshuar gjërat. Duket se do të duhet shumë kohë të gjenden të vrarët, të varrosurit në varre masive, duhet edhe ca kohë të lirohen tërë të burgosurit, duhet ende kohë sa të arrestohen tërë kriminelët e krimeve kundër njerëzimit. Ja një fakt tragjik i një familjeje nga Skënderajt. Preng Noka, i datëlindjes 25. 02. 1974, i aktivizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që në fillim të luftës kishte humbur të atin, Nikollën, varri i të cilit, sipas dëshmive të vendalive nuk është gjetur as sot e kësaj dite dhe natyrisht edhe ky burrë Kosove do të jetë në ndonjë varrezë masive. I vëllai Gjovalini ishte larguar diku udhëve të perëndimit që para se të fillonte lufta. Kështu, Preng Noka kishte vendosur të japë maksimumin me ushtrinë kosovare për çlirimin e Kosovës dhe ndoshta për të marrë hakun për vrasjen e babës. Si korrier ai kishte një detyrë tepër konspirative dhe të besueshme, por edhe të rrezikshme. Para se të mbaronte lufta këtu në Kosovë, disa drejtues të rëndësishëm të UÇK-së e ngarkuan Preng Noken të kryejë në detyrë të rëndësishme në një kamp ushtarak serb. Lufta kërkon natyrisht sakrifica, edhe me jetën, por kur ato merren përsipër nga personat, mund të fitojnë qenësinë e një vepre, në të kundërt, duhen gjetur të tjerë. Por Preng Noka nuk e kish pranuar një detyrë të tillë. Arsyet nuk i di askush. Ndoshta s’ka dashur të vritet, ndoshta s’ka dashur të vrasë njerëz të tjerë, megjithëse ishin serb, pra kundërshtarë të tij dhe të popullit të Kosovës. Atëherë disa persona të UÇK-së e kanë kërcënuar me jetë, madje edhe duke i thënë se ti je katolik njëlloj si serbët. Vetë shokët e tij e detyrojnë të largohet nga radhët e ushtrisë. Kish vajtur kështu pranë shtëpisë ku jetonte me nënën e vet Gjela, kur një natë të majit të vitit 2000 një grup personash prej shtatë a tetë vetash i thyejnë derën e shtëpisë, e rrahën, e dhunuan, e kërcënuan ta pushkatojnë. Çdo i kthehet mbrapsht duke i prishur ato pak orendi dhe duke i grisur tërë dokumentat familjare. I kishin thënë se nëse nuk largohesh nga Kosova do të vrasim, pasi disa organizata kriminale ishin gati të vrisnin me para dhe se funksiononin. Personat flisnin serbisht. E ëma ka komunikuar me ta, por e vërteta nuk dihet se ç’ishin, pasi në Kosovë ishin potente shumë organizata kriminale. Në kushte të tilla, ky kosovar ka marrë udhët e perëndimit, për të shpëtuar jetën e rrezikuar dhe fatkeqësisht edhe sot emri i tij, sipas burimeve tona të sigurta ndodhet në listat e zeza për ta pushkatuar. Raste të tilla gjen shumë në Kosovë. Në numrat e ardhshëm të gazetës “Shqipëria Etnike” do publikojmë edhe raste të tjera.

Nga: Sokol Pepushaj

Tragjedia e familjes Zyberi në Kosovë

Sa e sa gjëra mund të shkruhen në faqet e gazetave për genocidin serb, që ushtroi ndaj popullit shqiptar të Kosovës.

Terrori, vrasjet, përdhunimet, shkatërrimet kanë qenë një përjetim popullsia, autoktone në trojet e veta, që kërkonte liri, gjuhë, shkollim, flamur pavarësie nga një pseudo shtet diktatorial.

E ndër ato mijëra e mijëra njerëz të moshave të ndryshme ka qenë edhe Çlirim Zyberi, i riu simpatik me plot ëndrra rinore, i lindur në Preshevë më 5. 4. 1984. I jati Abdullahi dhe e ëma Zuke u munduan ta rrisin sa më të mbarë, sa më punëtor. Po kështu dhe vëllait e motrës përkatësisht Hajrisë e Meritës, që janë në moshë më të madhe nga Çlirimi. Në një përleshje e terror që ushtruan forcat serbe së bashku me mjaft banorë të tjerë nga të gjitha moshat, në periferi të Preshevës u gjendën të vrarë e të masakruar dy prindërit Abdullahi e Zukja. Hajriu, vëllai i madh nuk dihej ku ishte sepse ai luftonte në male me çetat e UÇK-së, por edhe Çlirimi që nga viti 2000 edhe sot nuk dihet se ku është. Pra si mijëra e mijëra familje të tjera dhe ajo Zyberi u sakatos, e u gjymtua nga dhuna.

Si në heshtje, me gjithë ndërhyrjet dhe vendosjen e një qetësie, stabiliteti, autonomie nga forcat shumëkombëshe, duke i dhënë dërmën represionit serbomadh, përsëri janë të shumta “plagët” e të “plagosurit” që kërkojnë ndihmën e duhur, për lidhjet me familjet e njerëzit e tyre që edhe sot akoma s’i dinë në janë gjallë apo kanë vdekur, apo jetojnë të humbur me lidhje familjare të këputura, etj., etj.

Nga: Bujar Ferhati

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu