Nr. 39 i gazetës në print

0
Kokaweb
Historiku i Dioqezës së Sapës

Paraqitje

“Kush ká zêmer per Kishen e vet ká me dishrue t’i a dijë historín e themelimit e të zhvillimit… Sidomos per Meshtarë âsht turp me pasë njoftime të gabueme e të pásigurta mbi Kishen e vet”.

Këto fjalë të profesorit të shquem Dom Vinçenc Bonicelli-t, me gjith se të shkrueme para mâ se nji qind vjetvet, e ruejn, edhe sot, vertetsín e fuqín e vet.

Mos m’u interesue per historín e Kishës së vet, don me thânë mos m’e dashtë. Në kjoftë se këjo âsht nji gjâ, qi nuk i lên nder kurrkuej, aqë e mâ teper Kishtarvet, të cilët s’kishin me muejtë, pá njifarë turpi, mos m’e njohtë jeten e Nanës, qi i ká strukë në gjí të vet, e i ká vendue, si drita mbí pishtár, per të ndritë boten.

Pádijeja e historís s’onë kishtare e gjênë arrsyen perligjëse në mungesen e libravet e të dokumantavet, qi flasin mbí tê, e vetë mungesa në vështirsín e kohvet, qi e kanë percjellë, e në ndërlikimin e ngjarjevet, mbrenda së cilavet âsht zhvilluem; prandej nuk jemi mendimit, në ketë rasë, t’a bâjmë t’onin, e, pádrejtsisht, t’u a pështesim Sivëllazenvet t’onë aforizmin Çiçeronjan: “insolens domesticarum rerum fastidium”.

Në 1929 Imz. Gurakuqi, meshtár i Djeçezit të Sapës, mbas sa gjurmimesh e hulumtimesh së bâme me dashtní e cenë, me dokumenta të mbledhun andej e këndej, si njajo bleta e kujdesëshme, me drejtsí kriteri, methode e qellimit, botote* “nji shkurtore të vogel së Historís së Djeçezit së Sapës” si e thrret ai vetë në parathanje, qi i prînë botimit. Me ketë botim – fryt i kohvet të lira, qi i teprojshin prej sherbimit famullitár – Perpiluesi i Perndritëshem mbyllte nji golle, plotsote nji mungesë, hidhte nji rreze drite mbí terrin, qi, per má se 600 vjet, kishte mblue historín e Djeçezit të Sapës.

Per mbas dokumentavet autentikë – si shihet në të pershtrimë të kësajë historí – në 1941 Djeçezi i Sapës mbushte 650 vjetorin e themelimit të vet.

Mendimi e dishiri i perbashkët i të gjith Klerit të Djeçezit kje, qi mos t’u lête me kalue në heshtje këjo datë e lumnueshme, por t’u perkujtote me nji program të hapët kremtimesh.

Fatkeqsisht edhè dishirit t’onë – si të gjithëkujes sot – i u desht t’i u flîjote pjesisht rrethanavet së kohës e gjendjes së mjerueshme, qi lufta ká sjellë nder të gjitha ambjentet, institutet e entet. Prej programit “maximum” të paprám në nji ças të parë, u mendue e u vendue me zbritë në nji program “minimum”, por jo krejt të thát.

Programi i riformuem permblidhej: Nji perkujtim, me 8 shtatuer 1942, tu kisha monumentale e të Lemit të Zojës – ndoshti në Shqipní mâ e vjetra kishë, qi i ká qindrue furís barbare të huejit e rrymës dermuese së kohës – perfundi kalás së Dêjës, kû ká pasë kênë dikúr selija e vjeter e djeçezit omonim, i cili sot âsht i pershîmë prej Djeçezit të Sapës; nji perkujtim me 29 po t’atij moji e vjeti, diten e Shën Mhillit, Pajtorit të Djeçezit, në Kathedrale, ngrehë në Shkrep të Nenshatit; nji botim i dytë mâ i plotsuem i historís së Djeçezit.

Ky program u vûe në zbatim.

Perkujtimi tu kisha e Zojës, ditën e të Lemit të Sajë, si edhè ai në Kathedrale, diten e Shën Mhillit, do t’ishin sikúr edhè kjenë, shprehja e gjallë e ndjesivet së mirënjohsís e s’evarís ndaj Marín, Nanen t’onë, e Shêjtin Pajtuer të Djeçezit per nderna të nxjerruna prej Zotit Djeçezit rrokull 650 vjetvet, të pershîme mrenda nji perjudhe historije salvimesh e gjaku, gëjatë së cilës prenduen sá djeçeze të tjera, qi dikúr lulzojshin n’atdhè t’onin.

Ribotimi i historís së Djeçezit, qi po paraqesim, edhè në mos kjoftë nji historí krejt e plotsueme – kush mund e shkruej sot! – por vetem nji mbledhje lajmesh, njohtimesh e dokumentash, të rendueme per të përkujtuem rasen e gëzueshme – kúr mendja e zêmra e të gjithvet ishin të drejtueme kahë Djeçezi – ká me mbetë nji dokumentár i çëmueshëm, qi, tue perkujtuem kremtimet 650 vjetore të themelimit të Djeçezit, per të cilin flet, ká me kontribue, në nji kohë t’ardhëshme e per perpilimin e historís së Kishës në Shqipní pergjithsisht e per vijim mâ të plotsuem të historís së Djeçezit të dashtun të Sapës veçanerisht.

Ky âsht edhè meritimi i Perpiluesit. A do t’i mohohet?

Tue u pergëzuem me Perpiluesin e Perndritëshem, e falënderojmë si shqiptár, si meshtár e si Ipeshkëv, e si shperblim i apim bekimin barituer me zêmer.

Prej Kurjes Ipeshkëvnore së Sapës.

Gjergj Volaj

Ipeshkëv i Sapës

Dieçezi i Sapës

Parathanje

Kombi shqiptàr me arsye do të lumnohet per fatin e madh si pat pasë m’e marrë Lajmin e mirë të Birit të Zotit qyshë në kohen mâ të paren qi i kje çpàll botës. Apostulli i Gjindvet, Shë Pali, e pershkoj segurisht krahinen t’onë, tue predikue, me zellin e flakët të vetin, shum të dashtunin, Shperblyesin e vet, Krishtin e kryqzuem. Na e perkujton i pa-harrueshmi qytet august i Nikopolit, qi ngritej ku sod Preveza, prej kah Apostulli shkroj, me shum giasë, letren e dytë Korintasve;1) aty edhe thirri të dashtunin Tit me ardhë, pse aty kishte dá me kalue dimnin.2) Na e dishmon dokumenti historik e shejt i Veprimevet t’Apostujvet, ku tregohet se mbas pshtjellimit t’Efesit, Pali u nis per Maçedoní e i pershkoj ato ana, tue i qortue me shum predikime.3) Na e verteton, se mbramit, Shë Pali vetë, në leter Romanëve, ku thotë se e kam perhapë Unjillin e Krishtit deri n’Illyri.4)

Këndej merret vesht se ndonjena nder selínat ipeshkëvnore të Shqipnís ká nji xanëfillje jo mâ të vonë se qyshë me kohen e Apostujvet.

Pr me gjithse disá ipeshkëvijna mund të kapen deri në shekujt e parë së kohës së krishtenë, selínat ipeshkëvnore shqiptare hovin e vet mâ të madhin e morëne vonë, due me thanë në kohen e dinastijs së mbretenvet serbë të Nemanjajvet.5)

Koha e themelimit

Me dekë të Manuel Komnenit (1180) mbretnija bixantine u vû teposhtë. Manueli, i mbrami mbret i madh i Grekëvet, e pat pertrî edhe nji herë mbretnín, si në Dalmacje t’eper, me selí në Spalato, ashtu në të postren me Shkoder, Tivár, Ulqin e rrethe të tyne. Por Bixanti, mbas deke së tij, i bori këto ana, ku hîni e i pushtoi i ribnicasi Stefan Nemanja, princi serbjan i Rashës, i cilli, me 1190, i mbájti qetësisht, pá farë kundershtimit prej Isaak Angelos, mbretit të Bixantit n’atë kohë.6)

Serbjanët prej Rashet u shtýne and e kand në Shqipní, e i tyne u bâ Tivari, Ulqini, Shkodra, Durrci, Berati, etj.

Nen dinastijn e Nemanjajvet qytetet patëne barate të mëdhaja; Tivari sidomos, jo veç pat lirí vetqeverrimit e të prèmit të pares, por Argjipeshkëvija e këtij qytetit kje edhe rritë me shum ipeshkëvnija të reja, si me atê të Ballezës, të Dêjës, të Chunavjes, të Sapës, të Shkumbinit, etj.

Kje, prá, në ketë periudhë kohet si u themelue edhe ipeshkëvija e dieçezi i ynë i Sapës, të cillit une këtu po mârr me i tregue ndopak historín.

Vjeti i Themelimit

Se në ç’vjetë kje themelue ipeshkëvija e dieçezi i ynë i Sapës nuk mund u dijt deri vonë prej nesh, me gjithse At’ Daniel Farlati S. J. i kje vû me cenë kerkesës së dokumentavet per Illyricum Sacrum. Por tesh, mbas botimit t’Acta et Diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia, të magnatit, ungarez Dr. Ludwig von Thellòczy me shokë, e t’Illyrisch Albanische Forschungen, i të njajtit auktor, jo veç jemi të segurtë mbí ketë vjetë, por edhe mbí disá rrethana tjera qi e percjellin.

Qytetza e Sapës dán se pat kenë rrenue prej urdínave të tartarit Kaduin, per rreth vjetit 1240, të cillat urdína rrenuene edhe qytetin e Svaçit e të Drishtit në rrethe të Shkodrës. Por në vjetin 1291 (në krahinat e Shqipnis per brî sllavëve) ndjekëtis e Katolikëvet të herëshem të qytetit, bashkë me tjerë t’ardhun, e pertrîne të rrenuemin qytetin e Savës, e lypëne nji ipeshkëv, të cillin, si mbas lutjes së mbretneshës katolike, Helenës së Serbijs, e t’argjipeshkëvit të Tivarit, eme bashkëveprim t’Urdhnit domenikan e françiskan të Ragusës, Papa u dha Episcopus Sappatensis.7)

Ky ipeshkev, mâ i pari i dieçezit të Sapës, kje Pjetri, prift, i cilli kje shugurue prej Mikelit argjipeshkëvit të Tivarit, si mbas pranimit të Papës Nikollës IV, me 11 Qershuer 1291.8)

Emni “Sapë”

Në katundin e Nenshatit, Zadrimë, permbí ipeshkëvijn e sodshme, naltohet nji mal ku, gati në skaqe, âsht nji fushore e vogel, e aty gjinden rrenimet e njijë kishe së herëshme, kisha e Shë Mhillit, prej së cillës merr emnin, mali i Shë Mhillit. Brî këtij malit âsht kenë dikuer Shati, prej kah emnohet katundi, Nen-shati. Këtu pari âsht kenë edhe ipeshkëvija e Sapës a e Sapatës, prej së cillës thirret te tanë mbarë dieçezi: dieçezi i Sapës.

Shum kush ká mendue deri më sod se fjala Sapë këtu nuk âsht tjetër veç fjala Shat e nderlikueme prej të huejve me fjalen shát e e perkëthyeme n’italishten zappa. Por ky perkëthim nuk ká giasë; ká giasë, per per kundra, se Sapë âsht emen i motshem fort e qi mund i lëshojnë, ndoshta, dritë historís s’onë.

Nuk mund të thohet se Shat âsht perkëthye në Zappa, persè posë giasës s’emnit Shat me Shát e Sappa me Zappa, kurrnji provë tjetër nuk mundet m’u qitë, as nuk mund i epet farë arsyejet këtij perkëthim. Na shofim, per kundra, se emnat e qytetevet gati kurr nuk janë kenë perkëthye prej të huejve, por ndo u janë kenë njitë emna të rí, ndo janë kenë prishë të vjetrit në shqyptim e në shkrim. Shkodrës, bje fjala, t’i kenë thanë Shkoder, Skadar a Skutar, shifet gjith herë se fjala âsht njajo, sado qi e prishun, por jo e perkëthyeme; ashtu Lissus, Lesh, Alessio, etj.

Mandej Sapa nuk kje thirrë veç Sapë, por edhe Sapatë. Kështu Koy Zakarija, qi sundoi nder këta vênde në fillim të shekullit XV e mbrapa, nenshkruhej dominus Sabatensis et Dagnensis, sikuerse edhe ipeshkëvijt e kësaj selí n’ato kohëna: episcopus sappatensis. N’u perkëthye, prá, Shati në Zappa, Sapata pse u tha?

Njimend sod populli e thrret dieçezin Dieçezi i Zadrimës e jo i Sapës, prejse qenra a selija ipeshkëvnore gjindet në Zadrimë, por me i pvetë banorët e Nenshatit shka âsht Sapa, të gjith nji gojet, si mbas gojdhanet, na diftojnë se në Shkrep të Nenshatit ká kenë dikuer nji kalá, qi i kanë thanë kalaja e Capës. Në máje të këtij Shkrepit gjindet ç’me kohë Kisha Katedrale, e para sot 70 a 80 vjettve ktu gjindej edhe ipeshkëvija e cilla, mbas nji termekut qi e rrenoi, kje ngrehë ku âsht, brî malit të Shë Mhillit, e kisha kje pertrî ku âsht sod.

A shenjuene Shat e Sapë dý sende dámas a por nji send të vetëm, nuk po due ktu m’e rëmue. Tham veç se në patëne shenjue nji send të vetem merret vesht se Shat ká kenë dikuer emen i pergjithtë, qi ká diftue kështjel, si, bjen fjala, frengishtja château; si emen i pergjithtë ká mujtë me diftue njiherit edhe qytetin rreth kështjelit, sikuerse thohet sod f’shat e p’shat; Sapë, mandej, âsht kenë emen i veçantë i atij shatit e qytetit. Në paçin shenjue dý sende dámas, Shati kështjelin e Sapa qytetin, atëherë merret vesht edhe mâ leht se Sapa nuk âsht nji perkëthim i Shatit në Zappa.9)

“Mandej, n’e shmâjten e lumit (Drin) ndjekë ana e Zadrimës (mbas Drin). Kjo u emnote atëherë edhe fusha e Shatit, Pian del Satti (1459, Liubic, 10, 138) me kështjel Sati (Castrum Satti, Sattum, Sat, castello di Satti nen monte de Satti. Kështjela e Dêjës, i Satit, i Sapatës e krahinat e Rogamanjes e të Zadrimës i perkitëshin aso kohet gjinijs së Zakaríjs, mâ vonë Dukagjinit. Edhe sod gjindet këtu nji katund Nen Sat a se Nenshat (Hahn, Reise usw. 328). Vendi kryeparë veç kje Sapa a Sapata, selí qi i përkitëte argjipëshkëvijs së Tivarit: episcopus Sappatensis.”10)

Kundra gojdhanet mund të qesin kush se emnin Sapë e kanë ndîe të parët e Nenshatit prej ndonji ipeshkëvit të huej, e se prandej gojëdhana nuk ká vlerë. Por ky kundershtim âsht i kotë, pse mâ parë do të mendohet si i hueji ká zânë prej vêndasit emnin e vendit të vet. Don dijt, mandej, se Sapa âsht kenë qytet i herëshem me ket emen edhe perpara se t’u themelote këtu ipeshkëvija. Nuk u bâ Sapa qytet pse u themelue ipeshkëvija, por pse Sapa kje qytet u themelue këtu ipeshkëvija. Në vjetin 1291 e pertríne vêndasit të rrenuemin qytetin e Savës, e lypëne nji ipeshkev, qi Papa u a dha, mbas lutjet t’argjipeshkëvit të Tivarit e të regjineshës Helenës. (Theiner, Mon. Slav. 1, 111).11)

“Asht çashtja, pra, e nji qytetit të zhdukun e të cillit s’i kishte mbetë veç emni. Sava, mbas giaset, âsht nji të prishun i emnit të vertetë Sapa a Sappa, e porsi i tillë mund të pranohet fort mirë se i perket trungut thrako-illyr. Nuk mund të besohet, njimend, se nji emen i ruejtun deri më 1300, i njaj qyteti të rrenuem, të jetë kenë i njajë xânëfilljëje së rè e së huej, porsi nji máll venecjan. Mujt me nodhë segurisht, per kundra, qi venecjanët, tue kalue asajta, per tregtína të veta, e tue ndie emnin Sappa, ta kenë mârrë në veshtrim italjan, si “zappa”.12)

Se mbramit don vû n’oroe se Sapë e Sapatë nuk gjindet veç këtu, por edhe njeti. Në rrethe të Fierit katëndi Sap; në Berishë lumi Sapaç; në Bosnje lumi Sapna; në Bullgarije Saparevo; në Serbije Sabats, etj. Der nder bjeshka të Karnies emnohet nji vend Sapata, andej kah Regolato.

Shum mâ lerg, prá, se nji perkëthim të Shatit n’italishten zappa do t’i kerkohet fillja Sapës s’onë.

E mbassi ky emen u gjetëka në shum vise, duhet thanë se nji popull a nji fis i herëshem fort e ká njitë gjithkund ku ká banue.

Cilli mujt me kenë ky popull?

Mbas këtij të pvetun na dalin para dy popujt mâ jetikët e këtyne anave, due me thanë Illyrët e Thrakët.

“Populli i Illyrëve shtríhej n’e parë nder brigje të detit Adriatik, ç’prej grykës së lumit Po, per të giatë t’Istries, Dalmacjes e Epirit, deri kah Akarnania e Etolia; mandej, per mbrenda, në Maçedoní t’eper, si edhe në Serbí të sodshme, në Bosnje e në token ungare bregut të djathtë të Danubit; kështu qe kah të lemit kufizote me popuj të Thrakëvet, kah perëndimi me të Keltëvet, prej të cillve të mbramëve Taçiti kjartas i dallon.”

      Thrakët e kishin ndêjen dikuer kah të lemit e tyne (Illyrëvet), ç’prej detit Aegeus deri në grykë të Danubit, e jo má pak, në njenen anë, bregut të shmâjtë të këtij lumit, në Transilvanie të sodshme, n’anë tjeter, andej Bosforin, nemose në Bitinie e deri kah Frigja; prandej me arsye Herodoti i thrret Thrakët mâ i perhapuni popull qi aj njifte mba Hindve.”13)

Prá në Bieshka të Karnies (Alpi Carniche), ku gjindet Sapata,14) kjene Illyrët, si edhe në Serbije, ku gjindet Sabats, në Bosnje ku âsht Sapna, e në Shqipní ku gjindet Sapi, Sapaci, Sapa e jonë. Në Bullgarije, per kundra, ku âsht Saparevo, banuene Thrakët.

A kje thrrakësh a illyrësh, prá, ky emen?

Mund të kje i te dý palëvet, persè, si thotë Thallòczy: “Giuha e Illërëvet e e Thrakëvet ká rrjedhë prej nji rrájet, e dialektet e veçantë ishin me shoqishojnë nji gjinijet mâ së aferme.”15)

Por tue u caktue tesh në Sapën t’onë, thona se ká shum mâ giasë me kenë emen Thrakësh.

Ta lám shka mendoi ndonji dijetar, sikuer Weigand e Hirt, të cillët, per me zhvillue të kundeshtisunt qi ká giuha shqupe me rumenishten, na rodhen krejt prej thrakëve e jo prej illyrëve,16) persè ky mendim qitet poshtë prej të shumve me arsyena teper të forta; por nuk don kujtue edhe se Illyrët e Thrakët kjene aq të dám me kufí sá mos me kenë, vende-vende, edhe të perziem me shoqishojnë. “S’duhet lânë pá vû oroe se në ket vend të hapët s’kishin xânë veç Illyrët; bashkë me ta çfaqen edhe fise thrakësh, keltësh e deri asijsh âmet semitike, t’ardhun në ketë krahinë illyre; në Thrakë, per kundra, banojshin asi fisesh illyre, qi mâ vonë çfaqen nder vise të Maqedkonís. Këndej rrjellë qi në nord e në sud ndeshena në fise të njij emnit.17)

Ne na pvete tesh kush per ç’arsye a mbajmë Sapen t’onë emën thrakësh e të themelueme prej Thrakëve, pergjegjim se në Thrake gjindej nji popull i madh qi pershîte gjysen e Thrakes, shi me ket êmen sapej.18) Ndonji lagje e këtij popullit, i cilli vite drejtë krahas me Shqipnín të sodshme, per të gjatë të lumit të Shtrumës (Strimon), do të ketë xânë nder vende t’ona, e Sapës do t’i kenë bâ gjith herë të dyndunt edhe nder kohënat mâ të vona. Në fushë të Zadrimës, b.f. sa emna lagjesh i kanë njitë fiset e rame prej maleve: Kabashi i Hajmelit e i Troshanit prej Kabashit të Pukës; Bicajt e Nenshatit prej Bicajsh së Toplanës, Lëmezhët e Blinishtit, e të Troshanit prej Lëmezhëve të Selitës, etj.

Per zhvillim të këtij mendimit po më kandet me qitë nji tekst të Pouqueville-it permbî Thrak e Sapë: “Thrakja, mbas të motshemve, shtrîhej n’anë të prendimit kah të lêmit çprej Strimon e në detë Euxinus;n’anë të verit kah jugu, ç’prej malit Haemus e në detë Aegeus; e ishte e dáme n’Odrisia a pjesë malore, e në pjesen bregore a Sapèa.

E mâ poshtë: “Krahina e Sapejvet kishte mbetë e lír, kuer Seuti II u u doli tagreve të veta mbretnore n’ato vise. Mbassi u u çpalli luftë Sapejve rá në nji gjendje të ngushtë fort; e qe se Senofonti, i cilli këthehej me grekë prej Persijet, pat ligshtín me i dhanë ndimë e fatin e zí me i u bâ shkak fitimit. Historija s’na thotë tjetër per ket mbret.”

“Amadoku ndoq Medokun, kah vjeti 390 para  Krishtit, e ka giasë se e mbâjti fronin deri me 380; persè Koti I, qi hypi në fron me 356, mbretnoi 24 vjet.”

      “Mbas Seutit II e xuni fronin e Thrakes Koti II, nji farë i mârrit i kunoruem, qi u dha, si patëme thanë mbas dashtnijet të Minervës.”19)

Në ket tekst, posë se na paraqiten Sapejt më si popull, na del edhe emni Kotë qi na e kena në popull t’onë. Ky emen nuk dán se âsht tjeter veç emni Kotys, qi e patëne disá mbretën thrakë.20) Edhe ket na e kena, pse na e ka ruejt gojëdhana e Malcijs në nji kangë të herëshme lahutet e cilla fillon:

Kuer â bâ Kotuzi ndandë vjeç

Aj ndandë vetë në mejdan i ka pritë,

Aj ndandë drume ká zaptue,

Aj ndandë shehre tuj urdhnue, etj.

Nji Kotys mbret thrakësh këndon, pra, kanga popullore shqiptare.

Se këndon nji Kotys, e ká emnin në tê; se këndon nji mbret, merret vesht kah thotë urdhnon shehre, se ky Kotys kje mbret thrakësh del në shesh persè vetem në Thrake gjêjmë mbreten me ket emen. Se si ká hîe kjo kangë në popull t’onë nuk mund të zhvillohet ndryshe veç tue thanë se kush e këndon e pat trashigim prej të parëve, të cillët kënduene kreshnikijt e mbretit të vet.

Prej kah shifet tesh të përpjekunt e madh qi patëne Thrakët nder vende t’ona, e prandej jo veç nuk âsht seri, por ká giasë të fort se edhe Sapajt thrakë kanë lanë emnin e Sapës s’onë.

Tue u shtý mâ pertej në ketë hypotezë, thona se në kjene Sapajt nji popull, prej nji të parit qi i thanë Sap a Cap do të kenë mârrë emnin, sikuer Thrakët prej Thiras, Moabijt prej Moab, Judejt prej Judet, etj.21) Se shka don me thanë Sap, mâ mirë se në giuhen t’onë, qi rrjellë prej illyrishtes, e cilla kje nji rrâjet e nji gjinijet me thraken, në kurrnji tjeter nuk mund të zhvillohet. E në giuhen shqipe fjalen Cap na e kena, qi të gjith e dijn se don me thanë Skjap.22) Kësaj t’i shtojmë se kreshnikët t’onë mâ në zâ, si Skanderbegu e Burri, e me shum giasë edhe Leka i Madh, patëne kryet e capit në perkrenare.23) Leken, mandej, Danieli profetë e thirri në profecín e vet hircus caprarum – capi i dhijvet, ndersá Qyrin e thirri Aries – dash.

Pse emni cap Lekës së Madh? Pse ky krye capit në perkrenare?

Ne mujtë kush me dhanë zhvillimin mâ të qindrueshem, sherbim të bukur ká me i bâ historijs së Shqipníjs. Na në ket hypotezë i zhvillojmë tue thanë se Leka i Madh do të jetë kenë i fisit të Sapajt, se trashigim Sapajsh kje aj krye capit në perkrenare, e se prandej edhe qyteti i Sapës prej Sapajsh do të jetë kenë emnue.

Randsija e Sapës

Qyteti i Sapës nuk âsht fort i permendun nder dokumenta, kaq sá Pooten mbas Farlatit arrín me thanë: “Qyteti i Sapës per kurrgjâ mâ teper, e ndoshta per kurrgjâ tjeter, s’âsht i permendun veç vetem per Selín ipeshkëvnore.”

E njimend, dokumenti mâ i pari, deri tesh, ku permendet Sappa, âsht aj i Papës së Nikollës IV, me 11 qershuer 1291, si pâme mâ syper.

Por se ky qytet s’do të jetë kenë i herëshem fort nuk e besoi se mund e thonë kurrkush.

Nji herë dokumentarisht u dika se Sapa pasëka eksistue qyshë me 1291 e para, persè Níkolla IV emnin Sappa nuk e trilloj vetë, por e gjet të kènun. Prandej qyteti i vjeter kush e din sá mote mujt me pasë para të pertrîmit, kuer u zgodh Pjetri, i pari ipeshkev.

Mandej, vetë emant Sapë e shat, si edhe emni Ballezë, qi këtu gjindet, na çfaqin nji vjetersí tejete të këtij qytetit.

Emni Sapë, si e pame, âsht emen thrak a se thrako-illyr. Shat âsht shkurtesa e fjalës latinishte Castellum, e cilla tue kenë fjalë romane, qyshë heret prej romanëve do të jetë kenë njitë, të cillët mujtëne me pasë këtu nji vend forcimit.

Këtu gjindet, si thaçë, edhe emni Ballezë. Në Skkrep të Nenshatit; ku gojëdhana tregon se âsht kenë Kalaja e Capës, nodhet Balleza, në faqe kah jugu. Fjala Ballezë vjen prej grekishtes ballezo gjuej, theri.

Prep: per báll të Shkrepit të Nenshatit, kah lindja, âsht nji shkrep tjeter, permbî lagje të Curgës, të cillin populli e thrret Siqel. Siqel nuk âsht tjeter veç Stjel, kështjel – Castellum, qi populli ká ardhë tu’ e prishë në shqyptim, deri sá me i thanë Siqel. Edhe në Këçirë të poshter, në Ngrejt, âsht Guri i Sqelit. Edhe aty dán se ká kenë kalá.

Sapa, prá, prej ipeshkëvijet po-se-po, por edhe perpara do ta ketë pasë nji farë randësijet si qytet e si kështjel. E prandej u ngul këtu ipeshkëvija e kje këtu shkami i Zakarijajëvet.

Tham se kje këtu shkami i Zakarijajëvet, perse këtu në Sapë do ta kenë pasë ata selín e parë.

E njimend: Koy Zakarija emnohet Dominus Sabatensis et Dagnensis, ku perpara vêm Sapen, mandej Dèjen. Kjo e paravûme nuk kuptohet ndryshej veç tue thanë se selija e parë e Zakarijajëvet ká kenë në Sapë. Shka merret vesht lehtsisht kuer të mendohet se Dêja deri më 1390 nuk kje e Zakarijajëvet, persè vetem në ketë vjetë Koy Zakarija u fut mbrendë e e bâni të veten, tue pasë kenë e Gjergj Strazimiroviqit. Ashtu Pjeter Zakarija në ketë vjetë u zgodh ipeshkev i Sapës, ndoshta prej sè kje vendi i tij e per nji deferencë ndaj shpín princore së Zakarís.

Dom Gaspër Gurakuqi

*Gasper Gurakuqi, Meshtár, – “Sapa e djoçezi i Sapës” – Shkoder, Shtypshkroja Françeskane, 1929.

1) Estius Guil. : Comment in Pauli Epist. Vol. II, pag. 2.

2) Tit. III, 12.

3) Actus Apost. XX, 1-2.

4) Rom. XV. 19. “…Athenis non diu commaratus sedem fixit Corinthi qua in urbe florentissimam ecclesiam fundavit. Turba a Iudaeis excitatæ eum permovisse videntur, ut Achaia ad tempus relicta in provinciam Illyriam proficisceretur. (Rom. XV, 19). Cornely: Introd. Compend. in S. Scripturas, pag. 543 – 1905).

“Por prep bukur mirë del në shesh të hîmit e parë t’Unjillit nder nè kur i sikjojm edhe punët e Shë Palit e sidomos udhtimin e dytë të tij, e rrugët qi bani kur ktheu prei Romet me vojtë prep kah Azija e Vogel. – Illiri ishte nji nder provinça a pjesë mâ në zâ të mbretnís romake; e per ketë arsye i Shë Pali, qi kishte unjillzue perpara Azín e Vogel edhe Maçedonín, vuni shtesen me i hímun mbrendë qi t’i kryete edhe atjè zyret e apostullimit të vet. E kshtu tui ja nisë prej Berejet (gjytet i Maçedonís) bani rrugë tui predikue e kaloi neper vendet e soçme të Korrçes e t’Elbasanit, e tui u njitë nelt erdh e hîni në Durcë; prej durcit msyni fushen e Zadrimës, e gjith herë tui mjellë e tui derdhë faren e Unjillit, ndo hini ndo sadopak ju avit Shkoders, e mrapa, tui ecë kah bregu i liqenit nen Kastrat kaloi neper vendet e Dioklès (kah Podgorica e tashme), e neper Mal të Zí u shtý e kapi gjytetet e Dalmacjes të mrendëshme a të Bosnjes deri sá mrrini në zêmer të ksajë provinçe, me hamende, njatjè ku á sot Mostari a njaty pari. – Gjithky udhtim i She Palit i pshtetet temeleve të forta, sikur difton, posë tjerëve, i perdijshmi M. Hagen S. J. me shokë të vet qi janë tui Shtypshkrue në Parigj të pervlerëshmin Cursus Sacræ Scripturæ. Shif. Lexicon Biblicum, Parisiis, Typ, Lethielleux, 1907, Auct. M. Hagen”. (Elcija i Zemers s’Krishtit – Dhetuer 1908 – Pjesë II, fq. 178, 179).

5) Thallòczy: Illyr. Alb. Forschungen, I, 218.

6) Thallòczy, v. e q. I, 70, 71.

7) Thallòczy, v. e q. I, 121.

8) Cordignano Fulvio S. J. “L’Albania…” I, 239.

9) Emni Shat në krahina t’ona nuk perdoret si Fshat e Pshat në Toskëní, per me diftue katund, por ká mbetë emen i veçantë i disá vèndeve, sikurse Shati në Mazrek, Fshati në Strajcë të Matjes etj. Weigand e rrjellë prej latinishtes massatum (Alb. Deutscher Wt).

10) Thallòczy, v. e q. I, 121.

11) Thallòczy, v. e q. I, 121.

12) Cordignano, v. e q. I, 239.

13) Mommsen: Provinçet romane, kreu VI: Popujt Illyrë-Fisi i Thrakve.

14) Aty pari gjindet Malborghetto, qi Thallòczy e zhvillon Mal-boret. Gjithkund ku kanë banue illyrët e thrakët gjinden emna vendesh e ujnash qi merren vesht në giuhen t’onë. Tue e çue lexuesin, per tjerë, në vepren e qitun të Thallòczyt, I, 10, këtu po permendim veç disá; do në Thalioczyn nuk janë. Kulina, lum në Serbije; Glina, lum në Kosovë e në Zadrimë, e rrjellë prej fjalet me kullue, prej së cillës kena edhe fjalen këllinë; unna  (ujna), lum në Bosnje; Uj, Uj-Sopol, në kufî të Serbijs e t’Ungarís; Ujno, vend në Bullgarije, afer lumit dragogarije; Lim, Za-lomka, lum në Bosnje; dy lumna tjerë lum në Bullgarije; kater lumna Drin, nji në Bosnje, nji në Serbije e dy në Shqipní, Rriolli, lum në Shqipní, Rila lum në Bullgarije, prej fjalet me rrjellë.

15) Thallòczy, v. e q. I, 7, Oroe e 2; këtu qet edhe disá emna thrakësh, b. f. Aici = dhí; pathizo =  baticë; pori = burri; seuta = shita; krisio = kryezí, etj.

16) P. E. Guarnerio: “Le Origini Neolatine” fq. 87.

17) Thallòczy, v. e q. I, 11.

18) Sapaei popull në Thrake, n’anë të poshtëme të Nestus; Sapajkë, krahina e Sapaj. – Në Tolomen. Shif L. Hugues: Dizionario di geografia antica – 1879.

19) M. Pouqueville: “La Grecia”, vol. unico, Venezia, 1837.

20) Kotys-i i Thrakes i dergoi ndihmë Pompeut në luftë kundra Cesarit, i cilli në De Bello Civili, lib. III, C. IV, shkruen: “ad eundem numerun Cotys ex Thracia dedcrat, et Sadalam filium miserat.

Mommsen në Provinçet Romane, Kreu VI: Provinçja thrake – permendë dy mbreten thrakë Kotysa; njeni nder ta jo veç kje këndue prej poetëve grekë e latinë së kohes së vet, por edhe aj vetë kje poetë.

21) Nuk âsht per t’u habitë se u emnue nieri prej Capit, kuerse na kena edhe sod emnat Zog, Ujk, Pllum, etj., e kuerse nana shqiptare, tue u kënaqë me foshnjen e vet, e thrret në dashtëni Capi i nanës.

22) Cap shq – skjap – shát i vocer me të cillin qesaten kopshtijet, e thirret kshtu pse ka trajten e krynit të capit me brina.

Zappa ital. – Sape frng. – Sappa lat. – shát shq.

Sapa (në Plinin) – musht e zijm e i trashuem, qi vîn si percjellës haejet.

Sapa (n’Itali t’eper e të mesme, në Francë t’jugut e në Spanjë të verit) – bretk. Shif: P. Guarnerio: “Le Orig. Neol.”, fq. 255. Sap ere lat. – me shijue.

23) Hylli i Dritës, 1914, Nr. 7, fq. 218.

Perkrenarja e Skanderbegut do t’jetë aji qi i fali Papa Pali II, bashkë me shpatë, (Noli: Historija e Skanderbegut fq. 259) e qi ruhet në muesum të Wien-s. (Kalendari i Veprës Piore 1917, fq. 40).

Kush vret një polic ka “vrarë” shtetin

Mark Bregu – Lekë Lumaj

Demokracia, ky “fenomen” thuajse i panjohur (për ne shqiptarët) erdhi në mënyrë të menjëhershme, me formën e një “tufani” ose, si breshëri në Maj. “Stomaku” ynë i pamësuar me këtë lloj “asortimenti” (me “prurje” të bollshme), i shpërtheu me vrull “digat” e instinktevetë “ndryra” në diktaturat e njëpasnjëshme, që nga sistemi monarkik e deri tek ai komunisto-ateist. Vlera dhe antivlera filloi të shpalosej në çdo fushë të jetës.

Ana pozitive e këtij fenomeni ishte shpalosja e vlerave dhe zgjimi i talenteve të “hermetizuara” në diktaturë. Por, për fat të keq, në të njëjtën kohë u ballafaquan me fenomenet më negative: krimin ordiner, korrupsionin, vjedhjen, grabitjen, drogën dhe ajo që të trondiste më shumë, me prostitucionin masiv ku arritëm kuotën më të lartë të antivlerës, duke thyer të gjitha rekordet e vendeve të Lindjes post-komuniste, pa harruar trafikimin e drogës. Pra, u bëmë bartësat dhe “menazhierët” absolut të veseve më perverse, duke zbehur në maksimum imazhin – Arbër, para botës! Shteti demokratik (i posaformuar) ishte tepër larg “menazhimit” dhe kontrollit të situatës së krijuar në post-diktaturë. Elementë të inkriminuar dhe spiunë, iu ngjitën si “merimanga” skalionit të të persekutuarve. U lëshuan “Dëshmi të Persekutuari” kontigjenteve më të korruptuara dhe të diskriminuara të shoqërisë shqiptare, duke krijuar një “armatë” keqbërësisht, dhe në këtë mënyrë, imazhi për Demokracinë u “zbeh” në kuotën maksimale. Një ndër gabimet “fatale” të shtetit (të sapoformuar) demokratik ishte shkatërrimi i strukturave të Ushtrisë dhe të Rendit me pretekstin se kanë qenë komunistë, pikërisht kur vetë kryetari i shtetit kishte qenë vetë komunist. Dy “kolonat” kryesore të shtetit (të sipërpërmendura) u zëvendësuan me militantë të Pd-së, krejtësisht të paaftë (dhe shpeshherë të pa përkushtuar). Pakënaqësia e largimit nga detyra e shumë drejtuesve të këtyre organeve, etiketimi “spiunë të sigurimit”, ishte njëri nga faktorët e rrëzimit të shtetit (për tri ditë) dhe tragjedia e Marsit të Zi (1997). Në mungesë të forcës së shtetit, u shfaq fenomeni i “fjetur” i gjakmarrjeve dhe hakmarrjeve, të cilat gjatë diktaturës nuk ndiheshin fare dhe pikërisht se këto veprime dënoheshin me ligj.

Për t’i “minimizuar” këto fenomene, filloi të rikthehej “Kanuni” (d.m.th. u kthyem 600 vjet mbrapa) dhe për fatin tonë të keq edhe sot janë në efiçencë të plotë “ligjet e Mesjetës”!…

Kemi lexuar dikund diçka nga kodifikimi që frati i madh Atë Shtjefën Gjeçovi i ka bërë Kanunit, ku ndër të tjera citon kështu: “Kush falë një gjak, ka vra një Mbret”. Autori në mënyrë sintetike e ka paraqitur forcën morale të atij që di të falë. Ky fenomen shfarosës, përveçse po merr shumë jetë njerëzish, ka mbyllur në “karantinë” me dhjetra dhe qindra familje, qindra fëmijë nuk mund të vazhdojnë shkollën, sepse janë në “shënjestrën” vdekjeprurëse të gjakmarrjes!

Para një situate të tillë (vërtetë tragjike) shteti ndodhet thuajse i “paralizuar”. Mosfunksionimi i veprimeve të tij me ekzekutivin, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër mungesa e një ligji “specifik” nga Legjislativi për të parandaluar dhe dënuar me rreptësi autorët, u jep hapësirë për të vepruar.

Mungesa e forcës goditëse ndaj krimit i bën kriminelët dhe keqbërësit (e çdo natyre) ti bëjnë “karshillëk” shtetit. Njerëzit çdo ditë ndjehen të pasigurtë dhe të pambrojtur, e të stresuar, kur shohin se janë vrarë dhe vazhdojnë të vriten edhe policë, madje edhe oficerë të policisë…

Këto reminishenca trishtuese të një populli mbarë, duhet të tërheqin vëmendjen e të gjithë qeveritarëve, që nga më i thjeshti dhe deri tek Kryeministri dhe Presidenti.

Deputetët të cilëve nuk iu mungojnë rrogat (marramendëse), krahasuar këto me pensionet (poshtëruese), duhet të jenë më të përkushtuar ndaj atyre që iu dhanë votën dhe hallet e problemet e tyre të shumta duhet t’ia shtrojnë Parlamentit në çdo seancë. Qeveria dhe vetë Presidenti duhet ta ndjejnë peshën e rëndë të përgjegjësisë që mbajnë mbi supet dhe ndërgjegjen e tyre. Jo në çdo rast duhet të aplikojmë ligjet që na serviren nga vendet me demokraci të konsoliduar, çdo popull ka veçoritë e tij specifike, zakonet dhe traditat, ndaj edhe ligjet duhet të jenë në përshtatje të këtyre traditave (gjithnjë në përshtatje me perspektivën) duke ruajtur “sensin” e masës.

Policia, e cila është “pasqyra” e shtetit, duhet të paiset me mjete logjistike të kohës. Ajo duhet të stimulohet jo vetëm materialisht dhe moralisht, por mbi të gjitha duhet të “vishet” me “kostumin” ligjor të paprekshmërisë dhe padyshim këtë “kostum” duhet t’ia dhurojë “Legjislativi” me një nen “special” duke ia dhuruar “autorizimin” në grykën e pushkës. Në qoftë se policia ka frikë nga kriminelët, kjo do të thotë se krimi e ka “folenë” në “kupolën” e shtetit. Gjejmë rastin që nëpërmes këtij shkrimi modest ti apelojmë Ministrit të Rendit, Qeverisë dhe Presidentit, që të forcojë, me çdo mjet, organin e Ruajtjes së Rendit, sepse kështu do të forcojë besimin e popullit ndaj shtetit. Në të njëjtën kohë do të plotësojë njërën nga detyrat kryesore që na kërkon “Stabilizim-Asocimi” për të qenë anëtarë të denjë të Bashkimi Europian.

Mihal Grameno patriot dhe publicist i shquar

Në “Panteonin” e rilindësve tanë të shquar, Mihal Grameno zë një vend nderi plotësisht të merituar. Si rrallë ndonjë tjetër ai shquhet: si burrë i pushkës dhe i pendës, me një aktivitet të dendur në shërbim të Atdheut.

M. Grameno u lind në Korçë në vitin 1871 në familjen e një zanatçiu e tregtari të vogël. Ai kreu vitin e parë të gjysmëgjimnazit dy vjeçare të qytetit (në gjuhën greke). Për nevoja ekonomike, më 1886 u mërgua në Rumani, ku do të aktivizohej nëpër shoqëritë patriotike, kryesisht përkrah Nikolla Naços. Atje iu dha mundësia të zgjeronte kulturën. Në vitet e para të shek. XX, Gramenoja nisi të bëhej shpejt i njohur në shtypin kombëtar me artikuj e vjersha patriotike. Akoma më i njohur u bë emri i tij si pjestar aktiv i çetës së Çerçiz Topullit. Pas vitit 1908 Xhonturqit e ndoqën dhe e burgosën disa herë, deri sa më në fund mërgoi në SHBA.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, Gramenoja bëri një punë të madhe për lëvizjen patriotike të të mërguarve shqiptarë, të cilët e dërguan delegat në Konferencën e Paqes të Parisit, për të mbrojtur interesat e Shqipërisë. Gjatë viteve 1900-1926, veç botimit të vjershave, dramave dhe novelave, ai bashkëpunoi gjerësisht me organet e shtypit shqiptar, si me gazetën “Drita” të Sofjes, “Perlindja e Shqipërisë” e Vlorës etj., duke subvencionuar dhe vetë gazetat shumë të njohura – “Lidhja ortodokse” (1909-1910, Korçë) e sidomos “Koha” (1911-14, 1920-26, po atje dhe 1915-1919 në Amerikë). Me artikujt, korrespondencat, reportazhet, fejtonet, pamfletet etj., Gramenoja u njoh si një nga publicistët më energjikë e më përparimtarë të kohës gjatë një periudhe prej dy dekadash. Pas shpalljes së Hyrrjetit, kur lëvizja për çlirim kishte hyrë në fazën e saj përfundimtare dhe publicistika shqiptare mori një zhvillim të gjerë, Mihal Grameno qe nga të parët që ndezi luftën patriotike brenda vendit me gazetën e tij “Lidhja orthodhokëse” dhe pse jetëshkurtër, i goditi ashpër pushtuesit osmanë duke iu kushtuar posaçërisht punës me shqiptarët ortodoksë, të cilët bënte çmos që t’i mashtronte propaganda e Partikanës fanariote në shërbim të megalidesë. “Koha”, një nga organet e shtypit shqiptar që jetoi më gjatë, ishte ndër ato gazeta që përpunuan vijën politike themelore të Lëvizjes Kombëtare.

Drejtori i saj Grameno, shfrytëzoi liritë e kufizuara të Kushtetutës Xhonturke për të ngritur në një shkallë më të lartë përpjekjen për autonominë dhe pavarësinë e vendit. Shkrimet e fuqishme të Gramenos luajtën një rol mjaft të ndjeshëm kundër demagogjisë së turqve të rinj dhe kundër rrymës reformiste të aristokracisë dhe të asaj pjese të borgjezisë së pasur shqiptare (kolaboracioniste) të cilën interesat e lidhën me pushtuesin. Grameno propagandonte luftën e armatosur si rrugën më të sigurtë për të arritur ditën e lirisë, me një program të saktë e të qartë, që të mos ta shuante asnjë demagogji dhe as forca e armëve.

Pas shpalljes së Pavarësisë, Gramenoja u shqua nga të parët, për mbrojtjen e sovranitetit të vendit dhe të integritetit të tokave shqiptare. Që nga fillimi i veprimtarisë së tij publicistike, Grameno i kushtoi vëmendje të veçantë mbështetjes së lëvizjes kombëtare në masat e gjera të popullit dhe hapi një fushat demaskuese kundër “oxhakërisë”, me qëllim që të krijoheshin kushte më të favorshme për një shtet demokratik. Në fillim të viteve ’20, Gramenoja zhvilloi në gazetën “Koha” në propagandë të flakët për të mbrojtur kryengritjen e Vlorës, dhe për të përjetësuar veprën thellësisht patriotike të Selam Musait, të qershorit 1920.

Tipari kryesor në stilin e tij të gazetarit, ka qenë ai i një temperamenti thellësisht polemist, që flet e godet hapur e pa “dorashka”.

Që në ndeshjet e para thikë më thikë me demagogjinë xhonturke e atë grekomadhe, shkrimtari i dha pamfletit (llojit që kultivoi më shumë) disa nga vetitë goditëse më të forta të publicistikës sonë të Rilindjes (le të kujtojmë Shahin Kolonjën e Fan S. Nolin ndër të tjerë). Ironia dhe sarkazma therëse viheshin në shërbim të një logjike të mprehtë demaskuese dhe shembuj të tillë kemi mjaft. Zakonisht ai shpërthente si me rastin e goditjes që i bëri qeverisë reaksionare të feudalit demagog Iliaz Be Vrionit (1920): “Rroftë Kabineti!, bërtita kur mësova programin e tyre. Nga njëra anë, ata zotërinj flasin për lirinë, të drejtën, lumturinë e popullit, kurse nga ana tjetër, menjëherë pas ardhjes në fuqi, filluan të mbyllin gazetat dhe të arrestojnë patriotët”. Me shkrimet e tij te rubrika “Shtylla letrare” që hapi për “Koha”, Gramenoja u njoh si një nga lëvruesit e talentuar të llojeve letrare të publicistikës. Gazeta çoi më tej lëvrimin e “Portretit” filluar që nga viti 1909 me shkrime mbi bashkëluftëtarët e çetës ku bëri pjesë. Nga njëra anë ai ngrinte lart figurat si: Çerçiz Topulli, Kajo Babjeni, Idriz Guri, Themistokli Gërmenji, Sali Butka, Shahin Kolonja, Nikolla Naço etj, duke zbuluar thelbin e personalitetit të tyre, si njerëz të një ideali të lartë, që s’kursyen asgjë për Shqipërinë, përfaqësues popullorë që ishin shpresa e vërtetë për sigurimin e pavarësisë, nga ana tjetër me detajet dhe ngjyrat më demaskuese, Gramenoja demaskonte pa mëshirë figurat negative të “parësisë” ose të “onxho-bonxhove”, siç ua kishte vënë nofkën kolaboracionistëve, (shërbëtorë të pushtuesit).

Në “fejtonet” e viteve 1915-1916, publicisti i shquar Gërmenji vizatoi figurën e bejlurçinës si ministër a funksionar i lartë në qeveritë e Vlorës e të Durrësit. Këto shkrime marrin shpesh formën e skeçit, me dialogë vetëdemaskues midis personazhit kryesor që vihet në shënjestër dhe atyre që u sillen rrotull. Autori përshkruan, sado shkurt, sjelljet, zakonet, huqet; ai zbulon açik jetën e përçmuar shoqërore dhe veprimtarinë politike të personazheve që sulmon. Satira e tij e dërmon kundërshtarin. Ajo tipizon, duke karikaturuar feudalin xhahil, borgjezin ksenofil e kozmopolit, arkondin e fukosur. Ç’janë antishqiptarët dhe antidemokratët bëhen lëvere përmes shpotisë dhe komicitetit, duke kaluar autori nga patetika në ironi, nda indinjata në sarkazëm.

Përdorimi i hiperbolës e i groteskut, (karakteristik për stilin e këtyre shkrimeve), i ka dhënë dorë publicistit të skicojë syfetet e “pilafxhinjve”, përfaqësuesit e klasave parazitare, shushunja mbi shtetin e ri shqiptar.

“Tepër aktuale për kohën që po kalojmë, ku shoqëria shqiptare po shkon drejt një polarizimi të skajshëm, me një borgjezi vulgare dhe një varfëri të tejskajshme” – autori (M.B.). Vlen të theksojmë në këtë rast se borgjezët e sotëm, janë “anti borgjezët” e djeshëm dhe pikërisht ata që i kanë mësuar në shkencën e tyre marksiste, rreziqet që sjell polarizimi i një shoqërie – “Revolucionin”!…

Në këtë mënyrë me pamflete e fejtone si “Mëmëdheu i Vjetër”, “Kopsaxhijtë”, “Honxho-bonxhot”, “Kafe-oxhakët”, “Akademia”, “Aligolltura” etj. Gramenoja tregoi domosdoshmërinë historike për të mënjanuar bejlerët e çifligarët nga çdo lloj pushteti, si përfaqësues të një klase në kalbëzim të plotë. Shumica e këtyre lloj shkrimeve nga përshtypjet e drejtpërdrejta që autori kishte pasur gjatë takimeve, bisedimeve e mbledhjeve me ministra e zyrtarë, në Vlorë e në Durrës apo edhe jashtë Atdheut, si njeri politik e gazetar symprehtë. Duke shfrytëzuar, sipas rastit, frazeologjinë popullore, gjer te zhargonet e mpleksura me truqizma e greçizma, në portretet e fejtonet e tij, shkrimtari krijoi tipa të larmishëm, veçanërisht figurën e fodullit me shpirt anadollak, që përpiqet ta katandisë Shqipërinë në “Turqi të vogël”, fenomen që po përsëritet edhe në ditët tona nga disa pseudoshqiptarë me mentalitet anadollak-mesjetar, ku mund të vendosim në vendin e “nderit” të “përndriturin” – efendi Abdi Baletën, (shënimi është i imi – M.B.). Mihal Gramenoja njohu dhe shkroi vjersha dhe këngë patriotike dhe erotike, një pjesë të të cilave i përmblodhi më 1912 në vëllimin “Këngëtpre Shqipe – Plagët”. Disa prej këtyre poezive, si “Për mëmëdhenë”, “Uratë për Liri” e “Lamtumirë” u bënë shumë të njohura si këngë që në vitet e Rilindjes. Krahas vjershave patriotike Gramenoja e ndjeu nevojën e lëvrimit edhe të poezisë erotike, që të ndihmonte për emancipimin shpirtëror të lexuesit shqiptar dhe për t’u vënë fre këngëve erotike osmane, greke etj., që kishin vërshuar tek ne asokohe. Edhe disa prej atyre poezive erotike u muzikuan që atëherë u përhapën si këngë, midis tyre “Muaji i Majit”, që u përhap mbi të tjera.

Veprat e para që botoi Gramenoja janë dy pjesë dramatike: komedia “Mallkimi i Gjuhës Shqipe” (1905) dhe drama “Vdekja e Pirros” (1906), të dyja në vargje. Mihal Gramenoja ishte nga që parët që lëvroi prozën e gjatë shqiptare, me tri novelat “Oxhaku” (shtypur si nënfletë në gazetën “Drita”) (1904-1905), “E puthura” (1909) dhe “Varri i Pagëzimit” (1909). Duhet të nënvizojmë se Mihal Gramenoja është edhe një nga nismëtarët e prozës tonë të re dokumentare: Vepra e tij “Kryengritja Shqiptare” (1925) është një ditar e kronikë historike. Ajo ka një pjesë të parë plot përshtypje të drejtpërdrejta, hedhur në letër gjatë veprimtarisë luftarake të çetës së Çerçiz Topullit (1907-1908), dhe një pjesë të dytë pa shumë interes për ngjarjet pas vitit 1909 të shkruar më 1925, kur Gramenoja u shmang nga rruga revolucionare. Përshkrimi i zbritjes së çetës në tokën amëtare, i Luftës së Mashkullorës, portretizimi i kapedan Çerçizit e i nënave të komitëve, janë bërë me plot frymëzim dhe zgjojnë ndjenjat e patriotizmit tek çdo lexues.

Siç mund të konstatojmë, Rilindja jonë solli një zhvillim të vrullshëm në letërsinë shqipe. Këta “korifej”, si në Veri me Titanin Atë Gjergj Fishta, ashtu edhe në zonat e tjera të Atdheut, ku mund të shquajmë Korçën e Gramenos dhe shumë të tjerë (nga Jugu e Veriu) të cilët në qendër të krijimtarisë së tyre letrare patën rezistencën e popullit tonë gjatë pushtimit pesë shekullor osman.

Në ditët tona, kur cilido mund të shkruajë apo të interpretojë autorë të ndryshëm, ndjehet një lloj sentimentalizmi dhe preferencash të paargumentuara historikisht, sidomos në rastin më flagrant, kur pushtuesin pesë shekullor osman e quamë vëlla!

Kam lexuar diku shkrimin e një autori i cili citon Frashërin të ketë thënë: “Shqiptarët gjetën tek turqit njerëzit e besës”, (ky është përfundimi logjik i thënies së Sami Frashërit) meqë aty ishte dhënë në mënyrë të zgjeruar. Mendoj se edhe nëse ky citim është i vërtetë, kjo duhet kuptuar si thënie (konjukturale), dhe në asnjë mënyrë si një mendim që i qëndron realitetit, pavarësisht se sa i madh dhe i ditur ishte Samiu.

Shembuj që provojnë të kundërtën e kësaj thënieje kemi me dhjetra, por unë do të citoj diçka nga pabesia e Portës së Lartë që ka të bëjë me Jugun e Shqipërisë, meqë edhe Samiu ishte nga Jugu: “Serasqeri i Rumelisë, Mehmet Reshit Pasha, për të zhdukur gjurmët e lëvizjes shqiptare kundër sundimit turk në jug organizoi një masakër çnjerëzore më dt. 30 korrik 1830. Ai thirri në Manastir krerët e Toskërisë kinse për t’ju dhënë rrogat e prapambetura nga lufta greke, ose për t’i nderuar me nishana për shërbimet që i kishin sjellë sulltanit. Në çastin kur po zhvilloheshin ceremonitë ushtarake, një batare pushkësh shtriu përdhe më se 500 vetë nga të ftuarit. Kokat e tyre i dërguan në Stamboll si një fitore e madhe e armëve turke. Cilido mund të pyesë, vallë e ka njohur këtë fakt Sami bej Frashëri, kur komenton besën turke ndaj shqiptarëve dhe kur e quan për mburrje mercenarizmin e disa pashallarëve shqiptarë, të cilët “shkëlqenin” në krye të ekspeditave turke, në grabitjen e arit e të argjendit në vendet që padrejtësisht i sulmonin dhe i pushtonin?! Kush i shërbeu Turqisë më shumë se Ali Pashë Tepelena…

Si përfundim Mihal Gramenoja mbetet në historinë e Letërsisë Shqiptare, në radhë të parë me vlerat e llojeve të publicistikës, si portretet, fejtonet, pamfletet e tij, ku gjejmë prototipa e figura, skica e aspekte realiste të shoqërisë sonë gjatë përpjekjeve të ashpra të çerekut të parë të shek. XX kundër forcave të huaja dhe atyre reaksionare të vendit, për fitoren e Pavarësisë e për demokraci. Me veprat e tij të veçanta letrare, autori ka meritën që hapi ndër të parët udhën e dramës e të novelës, ku trajtohen përgjithësisht problemet e Lëvizjes sonë Kombëtare për lirinë e Shqipërisë. Ai mbetet një ndër më të mëdhenjtë e kohës së tij, dhe objekt për studiuesit e letërsisë.

Mark Bregu

Kombin shqiptar 7 milionësh në Ballkan e kanë mbuluar retë e zeza

Nga Joseph J. DioGuardi

Tek hapja faqet e gazetës “New York Times”, u ndjeva ligsht duke lexuar përsëri rreth Shqipërisë. Më zuri koka kur shikoja Xhorxh W. Bush në Bukuresht tek i uronte para Shqipërisë mirëseardhjen në NATO Rumanisë së varfër. Dhe kjo, vetëm pak kohë pasi në krye të kartës kushtetuese Serbi-Mali i Zi, Kosova paracaktohej si pjesë e Serbisë, në Kosovë, vazhdohej copëtimi i Mitrovicës me planin antishqiptar të Shtajnerit, ndërsa në Maqedoni, u kthye në pushtet partia antishqiptare e Kiro Gligorov.

Pa përmendur këtu problemet e vazhdueshme të shqiptarëve në Mal të Zi, Preshevë, Çamëria etj. Vërtet që mund të kalosh në depresion kur shikon retë e zeza që kanë mbuluar kombin 7 milionësh shqiptar në Ballkan. Ku kemi gabuar? Në krye të murit të turpit që unë kam përmendur në 1994, gjatë një konference në Stamboll, është arkitekti kryesor i Ballkanit të sotëm, djalli vetë: Sllobodan Millosheviç. Politika e tij u ndoq nga presidenti kroat Franjo Tudjman dhe kryeministri maqedonas Kiro Gligorov. Unë hodha kritika edhe mbi sekretarin e shtetit James Baker (i cili ka thënë: ne nuk kemi marrë pjesë në këtë luftim) dhe Richard Holbrooke, arkitekin e marrëveshjes së dështuar të Dejtonit.

Një tjetër mur turpi po shfaqet. E kam fjalën për planet që synojnë ta mbajnë popullin shqiptar nën varësinë shoviniste greke dhe sllave për 100 vjet të tjera. Këtë radhë shqiptarët nuk duhet të bëjnë me faj askënd veç vetvetes, dhe unë besoj se shkaktare e kësaj situate është mungesa e aftësisë drejtuese politike tek shqiptarët. Po lejojmë lakun grek dhe sllav të vazhdojë të qëndrojë rreth qafës së kombit shqiptar.

Pra ku kemi gabuar? Duhet të fillojmë me shtetin “nënë” Shqipërinë: Ndonjë mund të kthehet mbrapa dhe të drejtojë gishtin e turpit tek regjimi mizor 50-vjeçar i Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij Ramiz Alia. Por ne duhet të hedhim vështrimin në 10 vitet e fundit për të parë mundësitë e humbura për mungesë ndershmërie, guximi dhe aftësie drejtuese largpamëse për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët në Ballkan. Sali Berisha ishte i pari që hodhi një hap të gabuar në fillim të dekretit të tij si i pari president demokrat i zgjedhur në Shqipëri që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai lejoi që Shqipëria multifetare të bëhej, në mënyrë të panevojshme, anëtare e plotë e Konferencës Islamike, duke u dhënë mundësi armiqve të Shqipërisë ta prezantonin vendin si një shtet islamik, si një bazë për fondamentalizmin në Europë. Sali Berisha, gjithashtu, lejoi natyrshmërisht veprimet e shfrenuara të skemave piramidale në Shqipëri. Këto dhe një sërë vendimesh të gabuara në politikën e jashtme, çuan në rrëzimin e tij nga pushteti. Kështu që z. Berisha, duhet të ndihet fajtor që nuk arriti të kapë momentin për të futur njëherë e mirë Shqipërinë në rrugën e Perëndimit.

Duhet të ndiheni fajtor edhe ju z. Nano! Ju lejuat sistemin elektoral të Shqipërisë të tretet në një shkatërrim elektoral në 2001 në mënyrë që të mbronit interesat personale dhe në këtë mënyrë thelluat dështimet – e brendshme dhe të jashtme –  të Partisë Socialiste. Ju lejuat politikën e jashtme greke (nëpërmjet ndikimit të zyrtarëve grekë, biznesmenëve grekë, madje edhe të drejtuesit të lobit grek në Amerikë, Nikolas Geixh) të dominojë në çështjet ekonomike dhe politike (madje edhe fetare) të Shqipërisë. Duhet të ndiheni fajtor z. Nano, që lejuat helmimin e Tiranës me influencën ultranacionaliste greke (për pasojë Serbe dhe Ruse). Nga ana tjetër, opozita demokrate, e drejtuar nga i “dobëti” Sali Berisha, pranoi një qeveri konsensuale, e cila po bën shumë pak për të zhvilluar Shqipërinë dhe asgjë për të mbrojtur interesat e saj në Ballkan.

Pas Shqipërisë, janë veprimet dhe mosveprimet e drejtuesve kosovarë, ato që mbajnë mbi supe përgjegjësitë për statusin e pasigurtë të Kosovës. Këta drejtues janë fajtorë për papunësinë e lartë, copëzimin de fakto të Mitrovicës dhe rritjen e influencës serbe mbi liderët perëndimorë. Kriza aktuale në Kosovë duket qartë në parathënien e draftit konstitucional “Serbia dhe Mali i Zi” në të cilin Kosova, me një pranim në heshtje të Europës dhe Shteteve të Bashkuara, është riafirmuar si pjesë e Serbisë. Si mund të ndodhë kjo, pas Aleancës së NATO-s, për luftë kundër Serbisë dhe për një Kosovë të lirë, pas burgosjes dhe akuzimit të Millosheviçit, dhe mbas tre raunde zgjedhjesh model që u zhvilluan në Kosovë për të stabilizuar demokracinë e stilit perëndimor?

Dr. Rugova dhe Dr. Bukoshi, edhe ju duhet të ndiheni fajtorë që nuk keni përkrahur punën e pastër dhe historike të lobit tonë shqiptar, i cili solli zërin tuaj në Uashington. Ju lejuat Departamentin e Shtetit të mendojë se për Kosovën mund të ketë edhe mundësi të tjera, edhe pse drejtuesit kyç të Kongresit, demokratë dhe republikanë, në Shtëpinë e Përfaqësuesve dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara kanë punuar me Ligën civile  për të nxitur zgjidhjet kongresionale për pavarësinë e Kosovës. Rezolutën e Gilman – Lantos (H. Res. 467) ju dhe partia juaj nuk e mbështetët. Duhet të ndiheni fajtor z. Rugova, që nuk përkrahët hapur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si forcë çliruese, e cila luftoi së bashku me NATO-n për një Kosovë të lirë.

Ka edhe shumë drejtues të tjerët të politikës në Ballkan dhe asaj ndërkombëtare të cilët kanë gërryer në thellësi çështjen kombëtare shqiptare. Duhet të ndihen fajtorë ata politikanë aktualë në Greqi, Serbi dhe Rusi që përpiqen të barazojnë përpjekjet e shqiptarëve për pavarësi, si fondamentalizëm islamik dhe terrorizëm. Duhet t’u vijë turp edhe atyre drejtuesve aktualë në Turqi, të cilët nuk ecën në hapat e guximshme e plot kurajo të Turgut Ozal, një njeri i cili kurajoi politikanët shqiptarë, përfshirë edhe shqiptaro-amerikanët si puna ime, për të vazhduar luftën kundër shovinizmit sllav dhe grek për lirinë dhe paqen e shqiptarëve në Ballkan.

Duhet të ndiheni fajtor edhe ju z. Javier Solana, për nxitjen e politikave për të krijuar shtet të ri jugosllav të quajtur “Serbia dhe Mali i Zi” duke toleruar Kosovën si pjesë të Serbisë. Sanksionimi i këtij dokumenti (kartës kushtetuese) thjesht do të shkaktojë paqëndrueshmëri të përkohëshme në Ballkan, dhe për pasojë edhe të pjesës tjetër të Europës. Duhet të ndihen fajtorë edhe politikanët francezë që vazhdojnë të mbështesin politikën e ndjekur në Ballkan nga Serbia dhe Rusia, e cila shkaktoi 4 luftëra në Ballkan që nga 1990. Kjo politikë s’do të bëjë asgjë tjetër veçse do të ruajë paqëndrueshmërinë në Europë. Nuk ka si të ndodhë ndryshe nëse Kosova dhe Mali i Zi nuk do të lejohen që të ushtrojnë të drejtat e tyre për vetëpërcaktim nën ligjet ndërkombëtare, duke mbajtur referendume të organizuara dhe të monitoruara lidhur me statusin final që dëshirojnë.

Dhe së fundi, duhet të ndihen fajtorë edhe zyrtarët e Departamentit të Shtetit dhe Këshillit të Sigurimit Kombëtar, të cilët nuk mësuan dot nga gabimet e bëra në të kaluarën dhe që janë shumë të gatshëm të dëgjojnë Rusinë dhe Europën, teksa kërkojnë mënyra për të braktisur rolin drejtues të Amerikës në vendosjen e paqes në Ballkan që nga 1990. A nuk arrini ta kuptoni se tashmë populli shqiptar ka besim vetëm tek Amerika, për sa i përket të ardhmes së tij? A nuk e dini se ndërkohë që një numër i madh serbësh dhe grekësh gjatë tragjedisë së 11 Shtatorit në SHBA hidhnin valle, shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Preshevës ndiznin qirinj dhe qanin teksa mbanin në duar postera të heronjve amerikanë të cilët humbën jetën gjatë kësaj tragjedie? Zgjohu Amerikë – shqiptarët janë të vetmit miq që ke në Ballkan.

Pasi investuam biliona dollarë për të realizuar luftën e NATO-s kundër Millosheviçit; pasi investuam më shumë se 200 milionë dollarë për ndërtimin e një qendre ushtarake në Kosovë; pasi pamë serbët, rusët dhe ukrainasit që i shitën armë Irakut, të cilat do të përdoreshin kundër ushtarëve tanë; pasi konfirmuam se nacionalistët grekë në të vërtetë vranë zyrtarët amerikanë për arsye ultranacionaliste, tashmë është koha që Shtetet e Bashkuara të njohin legjitimitetin e luftës së gjatë shekullore të popullit shqiptar për liri, duke mbështetur Pavarësinë në Kosovë, si të vetmen mundësi të vendosjes së qëndrueshmërisë dhe paqes në Ballkan dhe në të gjithë Europën, gjë e cila është kryesisht në interes të Shteteve të Bashkuara.

A ka baza në Shqipëri Al Qaeda?

Para vitit 2001, Al Qaeda nga Bota perëndimore njihej si Organizatë Terroriste, ku fuqia e saj goditëse ndaj qytetërimit e ku në të shumtën e rasteve nënvleftësohej, madje shpesh kjo organizatë terroriste krahasohej me një tip don Kishotizmi që luftonte me “Mullinjtë e Erës”, për të kthyer njerëzimin në shekujt e Injorancës e Harbutërisë. E kjo Organizatë lokalizohej se jetonte në disa vende Islamike, i Iraku, Irani, Algjeri, Libia, Pakistani e tjerë, por edhe që ishte instaluar shtetërisht në Afganistanin e Harruar e shkatërruar…

Gjithsesi duhej të vinte shtatori i vitit 2001 që kjo Organizatë Terroriste që pretendonte se bënte luftën e shenjtë (Xhihadin), për të mbrojtur Islami e Islamizmin nga të pa fetë, godet në zemrën e lirisë, demokracisë e qytetërimit botëror në SHBA. Mijëra njerëz të pafajshëm vdesin, kur rrëzohen dy kullat binjake që ishin Kurbani i Parë, që tronditi mendjet disi të trumhasura të vendeve kampion të qytetërimit e zhvillimit. Tashmë Al Kaeda filloi të shihet ashtu siç ishte në të vërtetë, një Oktapod i rrezikshëm, rrënjët e së cilës fatkeqësisht ishin zgjatur, si në vendet e pazhvilluara lindore, por edhe në ato të zhvilluara perëndimore, madje thuhet se fijet e rrënjëve të këtij Oktapodi (Al Qaedas) kanë deportuar edhe në Shqipërinë Londineze, por edhe në pjesët e tjera të Shqipërisë Etnike jashtë kufijve politikë. E këto dyshime mjerisht hidhen jo kot nga njerëz dosido, por nga Shërbime Inteligjente të SHBA-së dhe Europës Perëndimore, por këto dyshime janë në sinkron edhe me shtete fqinje e më gjerë që në përgjithësi janë dashakeqe të përhershme të Shqipërisë…

E të gjitha këto dyshime që shpesh bëhen edhe akuza bazohen jo në fakte konkrete, por vetëm se shqiptarët janë në shumicë të besimit Islam. E për çudi edhe pas këtyre akuzave apo dyshimeve që vijnë nga dy dyer të ndryshme, pra asaj Europiano-Perëndimore që i përkasim dhe asaj sllavo-lindore dashakeqe, shtetarët, pushtetarët e qeveritarët tanë për t’u dukur sa më Europian (apo diçka tjetër) ose heshtin, ose shpesh i fryjnë kësaj teze, se në Shqipëri ka baza të Al Kaedas, si në vlera njerëzore dhe monetare. E kështu ne edhe me “dëshirën” e pushtetarëve tanë vetakuzohemi, por edhe vetë kryqëzohemi për një “faj” që gjithsesi të jetë nuk është i shumicës së shumicës të shqiptarëve. Por në këtë linjë vetakuzuese qëndrojnë në rresht për një edhe mediat e shkruara e elektronike të cilat hanë në çanakun e këtij pushteti, ku sigurimsat që kontrollojnë gjithshka herë nën hundë e herë mbi hundë hedhin helmin se Al Kaeda ka filluar aktivitetin e saj në Shqipëri që atëherë kur Shqipëria u pranua anëtare e Konferencës Islamike, nga ku vërshuan edhe plot afaristë e firma arabe. Gjithsesi nuk duam të mohojmë se duke shfrytëzuar petkun e afaristit apo edhe “fetarit” Islam, në Shqipëri kanë deportuar (tepër pak) edhe drejtues dhe militantë të fondamentalizmit Islamik që në fakt është Nëna shpirtërore e al Kaedas. Me këtë argument kërkohet të “vriten dy zogj”, edhe të goditet pushteti demokratik (1992-1996), por edhe të goditen ata afaristë arabë që konkurojnë afarizmin mashtrues sllavo-grek. Gjithsesi vërtetë shqiptarët janë nëshumicë (mbi 65%) të besimit Musliman, por ky besim i kësaj pjese të popullsisë i përket besimit të pastër e vërtetë Islam që aspiron e propagandon paqe, mirësi e qytetërim, madje siç thuhet shpesh shqiptarët Musliman i përkasin vërtetë qytetërimit Europian e jo Arabo-Azisë ku edhe ziejnë fondamentalizmat… E kjo ka arsyet e veta tepër bindëse sepse shqiptarët nuk kanë as rrënjë e as trung në fakt Islamik, madje këto i kan tërësisht Kristiane të cilat i kultivuan përmbi 17 shekuj e vijim ndonse mbas pushtimit otoman dhunshëm mbi rrënjë e trungje kristiane lëshuan “degë” Muslimane, por dhe këto degë më e hershmja ka pak më shumë se dy shekuj e gjysmë. Kjo vërtetohet lehtë po të studiohet çfarëdo familje shqiptare që pas së shumti 10 deri 11 breza do të shkojnë më e largëta dhe pema gjenealogjike do të vazhdojë në pambarim me emra Kristianë, e kjo ndërgjegje është e të gjitha familjeve që janë shqiptare autoktone e jo ndonjë familje vërtetë Turko-Islame që pasi ka ardhur si “pushtues” dhe këtu ka mbetur si trofe lufte ka ardhur zorisht duke u shqiptarizuar.

Madje për ta çuar deri në fund këtë argument ju kujtoj se ka mijëra familje Katolike e Muslimane që nuk janë më larg me njëri-tjetrin se 5 breza, ku jo vetëm respektojnë njëri-tjetrin si vëllezër të një gjaku, por i gjinden njëri-tjetrit për ditë të mira e të vështira. E për ta bërë disi më konkret këtë afinitet  të vëllezërve të një gjaku që i “ndau” besimi po citoj një fragment të një ngjarje të vërtetë të ndodhur para 100 e pak viteve kur pushtuesi Turk ende ishte i fortë në pushtetin e tij në Shqipëri, e për këtë ngjarje shkruan vetë Vojvoda famëmadh i Malit të Zi, Mark Milani, i cili në librin e tij “Jeta dhe zakonet shqiptare”, ndër të tjera shkruan: “…Do të tregoj edhe për një Musliman tjetër, i cili nuk mundi ta durojë vrasjen e vëllait të vet të Krishterë nga dora e një turku. Ky ishte Murat Agë Ganiqi, nga Fushbardha (Bijellopolja), ai konsideronte vehten familje me origjinë nga Kuçi. Një ditë mori vesh se një turk kishte vrarë dikë në Kuç dhe më pas i kishte prerë kokën. Kur turqit i shkuan për urimin e Bajramit, Murat Aga e thirri turkun dhe e pyeti se çfarë i kishte thënë djali nga Kuçi përpara se ai t’i priste kokën. Turku pa të keq i tregoi: “Ai (i krishteri N. B.) më tha mos më prej o turk, se do të dalë ndonjë vëlla prej Kuçi që do ma marrë hakun, e do të vdesësh edhe ti kështu si unë”. Murat Aga i tha: “Tamam të ka kuvend, si për të vëllan ashtu edhe për vdekjen tënde, e pra unë jam vëllai i tij”, e ja zbrazi dy koburet në ball (turkut) dhe u zhduk…”. E pas këtij episodi real që nuk është i vetmi madje, siç e thashë më sipër e shkruar pikërisht nga Mark Milani, ku shqiptarët (e veriut) kanë zhvilluar dhjetra beteja kundër ushtrisë malazeze të udhëhequra nga Mark Milani që mund të konsiderohet armiku më i madh i joni në luftërat tona për shpëtimin e trojeve të rrezikuara gjatë shekullit 19-të. Pra armik, por dinjitoz e i drejtë e jo si sot pasardhësit e tij në Mal të Zi e Serbi që shpifin e mashtrojnë, në mes të cilave kërkojnë të “identifikojnë” shqiptarët Musliman të “barabartë” me fondamentalist të Al Kaedas nga Iraku, Irani e deri Palestina. E duke kërkuar të na “lidhin” edhe “direkt” me dy kapot e terrorizmit ndërkombëtar Bin Ladenin e Mullah Omarin të cilët si dikur sulltanët e verdhë e konsiderojnë veten të “dërguarit” e Allahut në tokë për të vendosur drejtësinë e besimit Islam, qoftë edhe me gjak, dhunë e shkatërrim, e ku fatkeqësisht ka mjaft të mashtruar e veçanërisht ata të mjerë që vetvriten për të vrarë të tjerët e që quhen kamikazë, me gjoja vullnetin e Allahut se do të shkojnë në Xhehnet, kur në fakt përfundojnë në copa e grima, madje vetë besimi i vërtetë Islam e dënon edhe vetvrasjen edhe vrasjen e të pafajshmëve. Për hir të realitetit duhet të pranojmë se në raste të rralla edhe në tavolinat e klubeve tona, apo gjetkë ndigjon shqiptarë musliman të cilët kanë fajësuar e “dënuar” Amerikën e Perëndimin për sulmet që kanë bërë mbi terroristët e Al Kaedas në Afganistan e kudo, madje edhe kërcënimet ndaj Irakut të Sadam Huseinit që kërcënon botën e qytetërimin, i konsiderojnë si luftë fetare, gjithsesi këto në fakt unë nuk i konsideroj si realitete të ndonjë muslimani fondamentalist, por gërshetim i mendësive komuniste të E. hoxhës që Amerikën e shtetet perëndimore i konsideronte si Imperialiste e xhandarë të botës, me një fjalë këto më shumë janë grimca “inatesh” se të vërteta. Natyrisht ka edhe nga ata “trima” që thonë se janë të gatshëm të luftojnë kundër botës kristiane, por këta janë pakica e pakicës. Ta themi hapur se ka filluar një “bisnes” i paskrupullt duke akuzuar se fondamentalis Islamikë stërviten e janë në të gjitha trevat shqiptare jashtë kufijve politikë si në Maqedoninë perëndimore, Mal të zi, në Greqinë Veriore (Çamëri), por kulmi arrin me Kosovën e martirizuar gjatë, ku grupet guerilase që vrasin çdo ditë kundërshtarët politikë i quajnë militanë Islamik, kur në fakt janë tipike Marksiste ose varianti më kriminal i marksizmit Hoxhist. Edhe vrasjet e fundit të Tahir Zemës me djalë e kushuririn e tij në Pejë janë tipike vrasje të kriminelëve të kuq që gjithsesi mund ta quajnë “partinë” e tyre, por shqiptare jo kurrë… E si për koinçidencë sot në Shqipërinë Londineze fondamentalizmin Islamik ja faturojnë kryesisht veriut të Shqipërisë me kryeqendër Shkodrën, ku edhe i faturohen plot 200 studentë e tjerë që “përgatiten” si pjesëtarë të Al Kaedas nëpër shtetet Arabe e tjerë, edhe këtu koinçidenca është interesante, dikur komunistët themeluan Partinë Komuniste Shqiptare po me shifrën 200, por atëherë këta u quajtën Petrita e jo Al Kaedist… Atëherë këta Petrita na i ndihmonte Serbo-Mali i Zi, e sot… mos vallë kush… E nëse dikush i shanë përsëri faktit se në Shqipëri shumica e popullsisë është Muslimane, unë do t’ju kujtoj, se Muslimane është thuajse tërë Turqia, por është forca e dytë ushtarake e NATO-s dhe mikja më e madhe e armikut më të madh të Fondamentalizmit dhe pjellës së saj Al Kaedas, pra Turqia është aleatja më e ngushtë e SHBA, madje disa herë më shumë se Greqia Kristiane që e dredh bishtin, madje me Millosheviçin e Millosheviçët e tjerë që siç u zbulua kohët e fundit furnizonin me armatime edhe qendrën e Terrorizmit Shtetëror Islamik, Irakun e Sadamit… E sa për argumente po të ishin të gjithë muslimanët Terroristë e Al Kaedist, Gjermania që ka mbi 7 milion musliman që punojnë e jetojnë do të ishte hedhur në erë me kohë, e po kështu Franca, Italia e tjerë. E së fundi dua të argumentoj diçka se edhe më fondamentalistët  e “mëdhenj” shqiptarë (nëse ka) jo vetëm që nuk do të mundin kurrë të lënë këtë qytetërim Europian me të cilin kanë të lidhur tërë historinë mijëra vjeçare të shkuarës, por mbi të gjitha të sotmes që e jetojnë kështu Europiane, rrënjët e të cilës dihet se janë Kristiane. E për ta bërë disi më konkrete ndryshimin në mes qytetërimit që jetojmë e atij që propagandohet nga Organizatat e fondamentalistëve Islamik, të cila dihet se nuk i tolerojnë as besimtarët e vet, po shkruaj diçka që i duhet të ndryshojnë çdo shqiptar musliman përpara se të jenë një fondamentalist apo ushtar i Al Kaedas. Së pari ndërtimi e mobilimi i shtëpiave duhet të ndryshohet pasi këto që i kanë nuk u ngjajnë atyre banesave tip “Kotec” që lulëzojnë në vendet fondamentaliste, por janë pikërisht të qytetërimit Europian, e kush do t’u kthehet mbrapa në këtë mjerim të harruar prej shekujsh? Së dyti po hymë brenda familjes e mentalitetit që jetojmë të gjithë, ku gruaja Muslimane shqiptare si motrat e saj të një gjaku të besimeve kristiane gëzon të gjitha të drejtat që i jep pikërisht qytetërimi Europian. E cili burrë musliman do të guxonte sot që pranë krevatit të gruas së tij të vetme menjëherë të sjellë edhe gjashtë të tjera, e ti barazonte në dashurinë bashkëshortore??? Cila vajzë e familjeve muslimane do të pranonte të braktiste jetën moderne që i ka krijuar shoqëria me shokë e shoqe, në shkollë, punë, jetë e kudo, duke u detyruar të kthehej në një robinë të mbyllur në kafaz në shtëpinë e saj??? Cili burrë apo baba musliman do të guxonte që gruan apo vajzën ti privonte nga e drejta e shkollimit e mbi të gjitha nga e drejta për të ruajtur jetën e shëndetin, duke mos e lejuar të vizitohet e të mjekohet tek mjekët burra (pasi gra nuk do të ketë se nuk guxojnë të shkollohen)??? E cili burrë apo djalë do të pranonte të rrinte deri në pafundësi i pa rruar e qethur duke i ngjarë më shumë majmunit se njeriut, apo në përgjithësi cili burrë nuk do të pranonte që nën shoqërinë e vëllezërve kristian të pinte një kafe me një gotë raki, verë apo birrë??? Dhe për të mos u zgjatur në pafundësi të ndryshimeve të qytetërimit për tu bërë vërtetë fondamentalist Islamik përsëri po i kthehem mbi gjysmës së popullsisë, femrës muslimane shqiptare e cila si motrat e tyre kristiane, tashmë bën një jetë vërtetë Europerëndimore larg dogmave të “qytetërimit” skllavërues të fondamentalistëve, pra cila grua apo vajzë do të pranonte të lërë fundet e minifundet modern për tu mbuluar tërësisht nga ferexhet, dimit apo diçka tjetër, duke bërë haram përfundimisht xhirot, vizitat e mbi të gjitha plazhet ku siç dihet atje janë më të zbuluara (me kostume banjo)??? Si përfundim cila femër do të pranonte që përfundimisht të kthehej nga një qytetare e lirë dhe e barabartë në jetë me burrat tu kthente në një robinë, që si ngjan as kafshës shtëpiake e as njeriut??? Madje me “mbulimin” e saj material e moral ajo do të detyrohej që të ulte kokën nga lartësia ku vrojton, qiellin, yjet, dritën, dashninë e të gjitha ëmbëlsitë që sjell ky qytetërim, e në vend të tyre të ulte kokën për të shikuar vetëm majet e këpucëve dhe numëruar gurët e rrugës, madje edhe këto kur ta marrin për “laku” tepër rrallë padroni absolut, burri fondamentalist, e ku pas kësaj i privohet përfundimisht edhe e drejta për të drejtuar e zhvilluar ekonominë, të cilën deri tani në shumicën e qytetarëve e bëjnë në fakt gratë… E nëse për këto dikush nga ata ëndërrimtarë që duan të bëhen fondamentalist nuk i besojnë ta provojnë vetë një herë në shtëpinë e tij e pastaj t’jua rekomandojë të tjerëve, por kjo nuk do të ndodhë kurrë me shqiptarët… E nëse ky shkrimi im dikujt do ti duket tepër i hapët e pa maska siç jemi mësuar të shkruajmë e lexojmë ne shqiptarët, unë do t’i përgjigjem, si Vëllau, Vëllaut nëse e konsideron të tillë nuk ka arsye ti fsheh asgjë, por duhet t’i flas hapët e me ndershmëri. E derisa ne shqiptarët jemi vëllezër të një gjaku, si musliman apo të krishter s’kemi arsye t’i fshehemi e druhemi njëri-tjetrit… E së fundi një urim, Zoti bijtë e të cilit jemi të gjithë, na ruajt harmoninë ndër-fetare, Garancinë e të gjitha garancive se edhe kjo valë terroriste e antishqiptare do të thyejë qafën…

Ndue Bacaj

Speciale

Zhan-Klod Karriere: Një popull që nuk mund të krijojë imazhet e tij është i destinuar të zhduket

Muaji dhjetor i vitit që sapo u mbyll, shënoi ndërmjet të tjerash edhe 107-vjetorin e lindjes së kinematografisë, artit të shtatë, e cila, ashtu si edhe fotografia dhe aeronautika ka si atdhe Francën.

Në këtë intervistë dhënë revistës “Label France” në vitin 1995, producenti i njohur francez Zhan-Klod Karriere bën të ditur dallimet esenciale ndërmjet kinematografisë franceze dhe asaj amerikane duke argumentuar avantazhet e së parës megjithë kushtet e pabarabarta të konkurimit, me rastin e 100-vjetorit të fillimeve të saj.

Arben Lagreta

“Label France”: 100 vjet kinematografi… Ç’mund të na thoni lidhur me këtë?

Zhan-Klod Karriere: Një evidentim i jashtëzakonshëm, pasi për herë të parë, në shekullin që po mbaron, kinematografia grumbulloi dhe ruajti tingujt e epokës së saj. Ky ishte një revolucion fabuloz.

“Label France”: A e mendoni se si mund ta njihnim të kaluarën tonë në rast se do të kishim një trashëgimi të tillë 200 apo 300-vjeçare? A i mbajti të gjitha premtimet ky revolucion?

Zhan-Klod Karriere: Shoku emocional ishte aq i fortë kur kinemaja, duke filluar nga vitet ’20 me Abel Gans në Francë, Fritz Langt në Gjermani dhe Ajzenstajn në Rusi, doli nga kuadri i saj fillestar i argëtimit të thjeshtë. Sipas surealistëve, ky art i ri do të zëvendësonte të gjithë të tjerët, duke filluar nga teatri. Por kinemaja natyrisht që nuk e vrau teatrin ashtu si edhe disku nuk e vrau koncertin. Teknikisht kinemaja ka limitet e saj që janë ato të një riprodhimi mekanik pa prani reale. Ndonëse nuk u bë një art total, kinemaja mbeti, të paktën në Evropë, një art mbi të gjithë artet e tjerë dhe diti të luajë lojën e bërrylave për të mbajtur një vend të shquar.

“Label France”: Pse thoni “në Evropë”?

Zhan-Klod Karriere: Aspak për të mohuar aftësinë e kinemasë amerikane për të prodhuar vepra me vlera, por sepse në SHBA koncepti është i ndryshëm. Jemi ne ata që mund të japim idenë për të kualifikuar këtë apo atë film hollivudian si kryevepër artistike dhe jo amerikanët! Për ta filmi është si një prodhim komercial, ashtu si çdo prodhim tjetër, dhe autori i vërtetë është producenti, asnjëherë regjisori apo skenaristi. Kjo traditë anglo-saksone e “kopirajt” (copyright, ang., e drejtë e autorit – A.L.), sipas së cilës pronari i një vepre është botuesi i saj dhe jo krijuesi, është e lashtë më shumë se në shekull, në raport me konceptin tonë francez të së drejtës së autorit, që i njeh këtij të fundit, përveç të drejtës së tij të trashëgimisë së pamohueshme, një të drejtë morale po aq të pamohueshme. Kjo është pikpamja jonë lindur në shekullin XVIII me Bomarshenë, e mbrojtur nga Viktor Hygo dhe që mori vlerë përfundimtare në Konventën Ndërkombëtare të Bernës, një shekull më parë, por që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shembull, nuk e ratifikuan kurrë këtë “të drejtë morale”.

“Label France”: Por sot ka dy mënyra të bërjes së filmave, një amerikan dhe tjetra franceze…

Zhan-Klod Karriere: Po, dy “modele”. Ai amerikan, krejtësisht komercial, që lejon për shembull prodhimin e disa “ribërjeve” në Hollivud, pasi në njëfarë logjike komerciale prishet dhe ribëhet, me rrezikun se do të ribëhet gjithmonë e njëjta gjë. Tjetri evropian, domethënë francez, është ai i një kinemaje më mikpritëse në drejtim të autorëve, çka shpjegon që një Orson Uells përfundoi duke bërë filmat e tij në Francë ose në Spanjë. Një numër filmash, nga “Ran” i japonezit Kurosava deri tek “Jelen” i Malien Sulejmane Sise, janë filma “francezë”. Ne patëm shans pasi ditëm të ruanim në Francë një nivel të mirë prodhimi, por problemet ekonomike janë të tilla që nuk e garantojnë ekzistencën e modelit tonë.

“Label France”: Beteja është e pabarabartë… Lidhur me këtë, ku janë rregullat e konkurencës “të pranuara” midis dy modeleve?

Zhan-Klod Karriere: Në SHBA, tregu i brendshëm është i supermbrojtur, ndërkohë që asnjë pengesë nuk i është vënë në Francë, ashtu si dhe në pjesën tjetër të Evropës, hyrjes së filmave amerikanë. Kur flitet për “përjashtim kulturor” në gjirin e GATT-it, kjo ka parasysh vetëm televizionin. Parimi i “kuotave”, natyrisht që është pak i kënaqshëm. Por duke filluar nga momenti i shtimit të stacioneve private, të cilët synojnë shpërndarjen e filmave të blerë lirë në SHBA sesa të prodhojnë filma, që fatalisht janë shumë të shtrenjtë, konflikti mund të zgjerohej. Italia, që nuk e vuri re hyrjen e “kalit të Trojës”, sakrifikoi, të paktën përkohësisht, krijimtarinë e saj kinematografike. Gjermania vendosi marrdhënie jo të mira midis kinemasë së saj dhe televizionit. Duke patur një traditë të fortë historike, Franca diti të paktën të mos heqë dorë nga seria e prodhimeve.

Në fakt problemi i vërtetë është kulturor…

Por më serioz nga sa mendohet. Për mendimin tim, një popull i cili në shekullin e 20-të nuk mund të krijojë imazhet e tij, është i destinuar të zhduket.

Marrë nga revista franceze “Label France”

Përkthyer dhe përgatitur për botim nga

Arben Legreta

Anëtar i Unionit Ndërkombëtar të Gazetarëve Frankofonë (UPF) me qendër në Paris (Union Internationale de la Presse Francophone – UPF)

Demokracia ka lindur në Athinë në shekullin e pestë para Krishtit. 12 vjet ç’na mësuan ne?

Filloi një vit i ri, në kohën kur thirrja për liri e demokraci jehon akoma në vende të ndryshme të rruzullit tokësor.

Evropa Lindore i flaku qeveritë totalitare, pothuajse gjysmëshekullore, ndërsa republikat e ish-Bashkimit Sovjetik po luftojnë për zëvendësimin e regjimit komunist, gati 75-vjeçar me një rend të ri demokratik.

Amerika e Veriut dhe Amerika e Jugut sot përbëjnë një hemisferë ku është vendosur demokracia. Afrika e jetoi një periudhë të paparë reformash. Në Azi ka hedhur rrënjë një proces i ri e i gjallë demokratizimi, megjithëse ka edhe probleme të mëdha politike aktuale. Kjo dukuri e dekadave të fundit me përmasa botërore përgënjeshtron pretendimet e skeptikëve sipas të cilëve demokracia e sotme liberale përbën një produkt unik perëndimor që nuk mund të mbartet me sukses në shoqëritë joperëndimore. Në një botë ku demokracia po zbatohet në vende të ndryshme, institucionet demokratike mund të pretendojnë me të drejtë se simbolizojnë aspiratat njerzore të mbarë botës për liri e vetqeverisje. Po t’i referohemi historisë, pavarësisht se demokracia si proces përbën një dukuri shumë të ndërlikuar, vendi ku ajo u shfaq për herë të parë, ishte qytet-shteti i Athinës në shek. V para Krishtit. Athina e Perikliut shërbeu si burim frymëzimi për breza të mëvonshëm teoricienësh politikë e burrash shteti. Në mes të tjerave, këtu të bën pështypje fakti se udhëheqësit e Asamblesë, si institucion politik qëndror në Athinë, nuk zgjidheshin, por caktoheshin me short, pasi athinasit mendonin se secili prej qytetarëve ishte në gjendje të ushtronte një detyrë shtetërore. Përgjegjësia e marrjes së vendimeve binte, pothuajse vetëm mbi qytetarët e Asamblesë. Kjo ishte një barrë që në kohën tonë do të gjykohej si e papranueshme. Sidoqoftë Athina demokratike nuk ishte një lule e brishtë. Ajo jetoi afro 200 vjet duke mundur të mbijetonte, edhe pas humbjes në Luftën e Peloponezit në vitin 404 para Krishtit me rivalen e saj Spartën.

Themelet e demokracisë kushtetuese moderne u hodhën gjatë Iluminizmit evropian, një rrymë filozofike e shek. XVIII, që drejtohej kundër ideve tradicionale shoqërore, fetare, politike dhe që mbështeste racionalizmin. Dy prej mendimtarëve më me influencë të kësaj rryme kanë qenë filozofi anglez Xhon Lok dhe juristi e filozofi francez Monteskje. Teoria e Lok-ut mbi ligjin e natyrës shërbeu si burim frymëzimi për gjithë brezin e filozofëve të iluminizmit në Evropë e në Botën e Re duke filluar që nga Zhan Zhak Ruso në Francë tek Dejvid Hjum në Skoci, nga Emanuel Kant në Gjermani, tek Tomas Xheferson dhe Benxhemin Frenklin në atë vend që më vonë do të quhej Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në veprën “Fryma e ligjeve” që u botua në vitin 1748, Monteskje mbështeste ndarjen në mënyrë të barabartë të pushtetit midis degëve ekzekutive, legjislative dhe juridike të qeverisë si mjete për garantimin e lirisë së individit. Duke e ndar pushtetin midis Presidentit, Kongresit dhe Gjykatave, kjo doktrinë dha, gjithashtu një ndihmesë të rëndësishme për formimin e bazës filozofike mbi të cilën u ngrit Kushtetuta e SHBA-së.

Historia e demokracisë nuk është përparim i ngadaltë dhe i vazhdueshëm, por një varg valësh që përparojnë, tërhiqen e përsëri përparojnë e ngrihen. Deri tani historia njeh tri “valë të gjata” të historisë së demokracisë. Vala e parë filloi me nisjen e shek. XIX kur e drejta e votës iudha një pjese të madhe të banorëve meshkuj të SHBA-së dhe vazhdoi deri në vitet ’20 të shek. XX. Gjatë kësaj periudhe lindën 29 regjime demokratike. Zbatica ose tërheqja e valës së parë filloi në vitin 1922 me ardhjen në pushtet të Musolinit e vazhdoi deri në vitin 1942, kur numri i regjimeve demokratike në botë u pakësua në 12. Vala e dytë filloi me triumfin e Aleatëve në Luftën e Dytë Botërore. Kjo arriti kulmin në vitin 1962 kur numri i regjimeve demokratike arriti në 36. Zmbrapsja e valës së dytë midis vitit 1962 e mesit të 1970-ës e zvogëloi këtë numër në 30. Megjithatë që nga viti 1974 vala e tretë e demokracisë shtoi përafërsisht 30 regjime të reja demokratike duke dyfishuar numrin e tyre, pa llogaritur atë revolucion politik që ndodhi në ish-Bashkimin Sovjetik e disa pjesë të Afrikës. Po, a ka arritur kulmin vala e tretë? A do të ketë një zmbrapsje të fortë që mund të eleminojë shumë nga fitoret e demokracisë së kohëve të fundit të shek. XX? Analistët analizojnë shumë gjëra ndër të cilat edhe ndërhyrjen komplekse të forcave politike dhe kulturore që veprojnë në zona të ndryshme të botës, pa nxjerrë konkluzione përfundimtare. Ato arrijnë në përfundimin se tërheqja e valës së tretë është gjithmonë e mundur që të ndiqet ndoshta nga një valë e katërt dikur në shek. XXI. Hantingtoni, ekspert i shkencave politike në Universitetin e Harvardit, shkruan: “Duke u mbështetur tek e kaluara mund të themi se dy faktorët më vendimtarë që ndikojnë në forcimin e shtrirjen e demokracisë, do të jenë: zhvillimi ekonomik dhe udhëheqja politike. Zhvillimi ekonomik e bën demokracinë të mundur, udhëheqja politike e bën atë reale”.

Populli kudo nga natyra, parapëlqen më shumë lirinë se sa shtypjen. Kjo nuk do të thotë se sistemet politike demokratike mund të rijohen dhe të mbrohen vetë për një kohë të gjatë. Përkundrazi, ideja e demokracisë është e qëndrueshme, por realizimi i saj është i pasigurtë. Si në vende të tjera edhe në Shqipëri çelësi i historisë hapi dyert e lirisë e të mundësive për të vendosur demokracinë, por se si mori puna, kjo u var nga përkushtimi e mençuria e mbarë popullit dhe jo nga ligjet e hekurta të historisë. Praktika po vërteton se, ndryshe nga sa mund të mendohet, një shoqëri demokratike e shëndoshë nuk është thjeshtë arenë ku individët luftojnë për realizimin e qëllimeve të tyre vetjake. Eksperienca ka vërtetuar se demokracia lulëzon kur për të kujdesen qytetarë që janë të gatshëm, që me lirinë e fituar me sakrifica, të marrin pjesë në jetën shoqërore duke shprehur mendimet e tyre në debate të organizuara dhe duke zgjedhur përfaqësues që e kanë treguar vehten të denjë me veprimet e tyre.

Pa pretenduar për të thënë shumë gjëra, pasi ato janë të shumta; cila ishte shoqëria demokratike në Shqipëri gjatë këtyre 12 viteve të fundit?

Futja në rrugën e shndërrimeve demokratike i krijoi individit e shoqërisë hapësira e mundësi për ndryshim e zhvillim, për rezonim shoqëror për integrim ekonomik me shoqëri demokratike perëndimore. Vitet 1990-1995 ishin vitet e fillesës së procesit demokratik, vitet e përvojës së parë drejt demokracisë. Pavarësisht nga predispozita, përmasat dhe thellësia e shndërrimeve fillestare, edhe sot, akoma e kaluara vazhdon të jetë e pranishme. Strukturat e trashëguara nga rendi i mëparshëm kërkuan e kërkojnë hapësira për veprim. Ato mbeten gjithmonë aktive. Rreziku i mbijetesës e i veprimit të tyre është më i madh kur shoqëria endet në zbazësi. Shoqëria jonë ka ravijëzuar disi siluetën e saj duke hedhur panelat e para për një portret demokratik. Sot, nëse pretendojmë se kemi një shtet demokratik, ndër të tjera qeveria, që përbën vetëm një element që bashkëjeton në kuadrin e një strukture shoqërore të përbërë prej institucionesh, partishë politike, organizatash e shoqatash të ndryshme, a është vërtetë një element i tillë? Në një shumllojshmëri të tillë që quhet pluralizëm dhe që vetë ky term nënkupton grupet e organizuara dhe institucionet e pavarura nga qeveria për ekzistencën, a e përligjën autoritetin e tyre? Organizatat private, lokale a kombëtare a u ndien a e luajtën rolin ndërmjetësues midis individëve dhe institucioneve shoqërore ku bëjnë pjesë edhe ato vetë duke kryer kështu funksione që nuk i përkasin qeverisë e partive politike duke u dhënë mundësi individëve të ushtrojnë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre si shtetas të një vendi demokratik?

Zgjedhjet janë institucioni qëndror i një forme demokratike qeverisjeje, sepse, në një vend demokratik, autoriteti i qeverisë buron i tëri nga pëlqimi i të qeverisurve. Mekanizmi kryesor që e shndërron këtë pëlqim në autoritet shtetëror, është mbajtja e zgjedhjeve të lira e të dretja. Cili ka qenë treguesi i zgjedhjeve të zhvilluara tek ne? A e patën zgjedhjet tek ne kompetitivitetin e tyre, a e patën periodicitetin e duhur, a e patën gjërësinë e tyre, po përcaktueshmërinë e tyre? Në qoftë se i patën të gjitha këto (kur nuk patën asnjërën) atëherë themi se qenë demokratike.

Gjatë këtyre viteve cila ishte etika demokratike dhe cila ishte “opozita besnike”? Po kultura demokratike? Demokracia nuk mund të barazohet thjeshtë me institucionet e saj. A i njohëm ne sjelljet, a i realizuam praktikat, a i zbatuam normat e kulturës qytetare në ndonjë farë mënyre se njerëzve u mungojnë idetë e dëshira për demokraci, por se këto nuk zotrojnë shprehitë e praktikat e jetës në demokraci.

Flitet shumë se tashmë shoqërinë tonë e drejton një sistem ligjvënës modern, por, megjithatë, demokracia nuk është e siguruar. Shoqëria drejtohet sa përmes ligjeve të shkruara aq edhe përmes ligjeve të pashkruara, drejtohet nga institucioni i shtetit, aq edhe nga organizmat joshtetërore, drejtohet sa nga arsyeja aq edhe nga psikologjia dhe ndjenja. Demokracia mbështetet fort tek individi. Ajo ka nevojë për vlerat e këtij individi dhe këto vlera i mbjell dhe i kultivon dikush. Shoqëria mbahet në këmbë nga një grup vlerash të përbashkëta.

Qeniet njerëzore kanë dëshira të shumta, ndonjëherë edhe kontradiktore. Ato lakmojnë sigurinë dhe, megjithatë, pëlqejnë edhe aventurën. Aspirojnë për liri personale dhe, megjithatë, kërkojnë edhe barazi shoqërore. Shumë prej të kundërtave, madje paradokse, janë të pranishme në çdo shoqëri demokratike. Ne patëm e kemi shumë të tilla. Midis konfliktit e marrëveshjes ekziston një paradoks qendror. Demokracia është një tërësi rregullash edhe për zgjidhjen e konfliktit brenda caqeve të caktuara dhe që sjell kompromisin, konsensusin apo marrëveshje të tjera që gjykohen nga palët si të ligjshme. Theksimi i tepërt i njërës anë rrezikon gjithçka. Në qoftë se grupet a palët e vështirësojnë demokracinë vetëm si forum ku do të kërkojnë vetëm realizimin e kërkesave të tyre, shoqëria shkatërrohet nga brenda.

Një anë tjetër! Në çfarëdolloj shoqërie, në fushën e komunikimit dhe të debatit politik mbizotërojnë gjithnjë e më shumë mjetet e informacionit. Thuhet se të qeverisësh do të thotë të komunikosh. Gjatë këtyre viteve mjetet e informacionit që kanë një sërë funksionesh, a e luajtën rolin si duhet? Si informuan e sa edukuan? Sa e mbikqyrën qeverinë dhe institucionet e tjera të shoqërisë? A iu përmbajtën këto mjete një niveli të caktuar pavarësie e paanshmërie? Lajmet kaluan e po kalojnë nëpër paragjykimet e ndjenjat e individëve dhe të “ndërmarrjeve” për të cilat gazetarët punojnë. Njoftimet më së shumti, janë të bujshme, të pasakta, të përcipta, ndërhyrëse dhe provokuese. Politizimi shumë i madh i mediave të shkruara e vizive është prezent. Mungon bashkëbisedimi i hapur që shtetasit të dallojnë bykun e shtrembërimeve dhe të retorizmit për të gjetur farën e së vërtetës. “Prova më e mirë e së vërtetës është aftësia e mendimit për t’u pranuar në konkurencën e tegut” – pati thënë Oliver Uendell Holmozi i Ri, një gjykatës i shquar në SHBA.

Militantizmi i madh tash 12 vjet e ka mbërthyer për fyti shoqërinë tonë në detyrat e postet ku ai është i pranishëm.

Secili shtet duhet të ketë fuqi që të ruaj rendin dhe të dënojë krimin. Cili ishte ligji i shkruar e cili ishte ligji i zbatuar gjatë kësaj periudhe në Shqipëri? Po e drejta e barazisë para ligjit që përbën themelin e një shoqërie demokratike? Qeverisje e popullit dhe nga populli do të thotë se shtetasit e një shoqërie demokratike ndajnë me të të mirat e të këqiat. Duke u marrë përsipër përgjegjësia e qeverisjes, duhet të ketë përpjekje për të mbrojtur ligjshmërinë, lirinë e individit, të drejtat e njeriut, përpjekjet që ligji të sundojë edhe për brezin tjetër.

Momenti në të cilin kalojmë, kërkon shumë reflektim nga të gjithë. Demokracia në vetvete nuk garanton asgjë. Ajo paraqet mundësi për të fituar, por edhe rrezik për të dështuar. Demokracia është njëkohësisht premtim por edhe sfidë. Është premtim se, duke punuar bashkarisht njerëzit mund të vetqeverisen në mënyrë të atillë që t’u shërbehet aspiratave për liri personale, zhvillim ekonomik dhe drejtësi shoqërore. Ajo është sfidë, sepse, suksesi i nismës demokratike varet nga vetë shtetasit dhe askush tjetër. Xhozef Brodski, poet rus dhe fitues i çmimit “Nobel”, ka shkruar: “Një njeri i lirë nuk fajson askënd, në qoftë se dështon”. Kjo vlen edhe për shtetasit e një shoqërie demokratike, të cilët, përfundimisht, duhet të mbajnë përgjegjësi për fatin e shoqërisë në të cilën duan të jetojnë.

Mikel Pjetrushi

Sa vlen jeta e njeriut?

Kushtuar Ndoc Preng Lleshit

Njëzet e pesë vjet më parë, Kinostudio “Shqipëria e Re” mori pjesënë Festivalin e famshëm kinematografik të Kanës, në Francë me filmin shqiptar “Rrugë të bardha”. Ishte një film i realizuar bukur, e për më tepër tema e trajtuar ishte prekëse, për të gjithë ne, në atë kohë. Interpretim i aktorit Rikard Ljarja, në rolin e fillrojtësit hero, ishte i përkryer. Të bukura ishin edhe skenat e peisazheve të bardha e të ngrira nga dëbora. Pra qe një film me të cilin Kinostudio e jonë mendonte se do të lente “Nam” në Festivalin e Kanës. Por…?

Pas shfaqjes së filmit, në konferencën e shtypit të organizuar me këtë rast delegacioni ynë që prezantonte filmin u gjend keq, bile në pikë të hallit. Delegacioni përbëhej nga aktorët e mirënjohur artistët e popullit Sandër Prosi dhe Demir Hyskja. Ky i dyti, meqë ishte deputet, kryesonte delegacionin. Që këtu filloi “sikleti”. Në këtë delegacion nuk merrte pjesë Rikard Ljarja, që ishte protagonisti i filmit, sepse kishte “ca kleçka biografike”, por dy aktorët që nuk bënin pjesë fare në film. Por, ajo më e rënda për delegacionin tonë ishte pyetja që u bëri një gazetar. Ai pyeti i çuditur se përse u dashka të japësh jetën për të lidhur dy tela? A nuk mund të pritej që të zbardhte dita, të pushonte tufani i dëborës dhe pastaj të lidheshin telat? Sepse sipas filmit urgjenca e komunikimit mund të bëhej edhe me radio, nga Gjeologët, nga ushtria etj.

Të gjorët Sandër dhe Demir nuk ditën të japin një përgjigje bindëse për këtë pyetje që kishte brenda logjikën e ftohtë. Sepse për botën e përparuar jeta e njeriut ka një kuptim sublim. Ajo duhet ruajtur, kur janë mundësitë për ta ruajtur. Sakrifica e fillërojtësit Ded Pjetër Lleshi ishte vërtetë e madhe, por po aq e madhe ishte edhe ftohtësia, zemërngushtësia e eprorëve që e dërguan fillërojtësin të nisej drejt vdekjes. Kjo e fundit mbulohej, në atë kohë, sepse prona socialiste dhe mbrojtja e saj ishte sllogani që përbënte jetën mbytëse që na rrethonte. Dhe kësaj jete mbytëse i vishej manteli i heroizmit. Nuk kurseheshin elozhet, këngët panegjereike, tregime, romane, drama dhe filma për të ekzaltuar ata që mbronin pronën socialiste duke dhënë jetën për të.

Në kohën që jepte jetën fillërojtësi për dy tela, një tjetër “Lleshi”, një djalë i ri në Shkodër, Ndoc Preng Lleshi jepte gjithashtu jetën, por për një motiv tjetër. Më 26 janar 1978 jepte jetën për të ndihmuar shokun e punës që ishte në rrezik vdekjeje, në fabrikën e Ekstraksionit të vajit, në Ndërmarrjen ushqimore të Shkodrës. Edhe Ndoci ishte mirditor si fillërojtësi. Ishte trim, i nderës, punëtor i zoti, teknik i specializuar. Për më tepër ishte njeri. Atje në shkollën teknike në Kuçovë desh dha jetën për të shuar zjarrin që kishte shpërthyer në naftësjellës. Në atë ngjarje jetën dhanë Myrteza Kepa me shokun e tij Muhametin. Shpëtoi Ndoci, i përzhitur nga flakët. Heroizmi i tij mbeti në heshtje. Një rast tjetër, në një ekskursion rinor në Vig të Mirditës, dy vajza që po mbyteshin shpëtuan falë trimërisë që tregoi Ndoci duke u hedhur në lumin Gjadër dhe duke i nxjerrë nga vorbulla e dallgëve që po i përpinte.

Heroizmi i Ndocit, në tre rastet ngeli në heshtje. Pa bujë, pa shpërblime, pa i dhënë atë që meritonte, altarin e nderit sepse dha jetën për të shpëtuar njeriun. E këtu fillon paradoksi. Në atë kohë, më kujtohet një artikull në gazetën “Zëri i Popullit”, ku grumbulloheshin disa raste njerëzish që kishin dhënë jetën për të shpëtuar shokun, apo një të panjohur që ishte në rrezik. Kaq. Gazetari në fjalë sikur bënte një inventar bajat, sa për të qenë brenda për heroizma të tillë. Ndërsa ndryshonte puna nëse jetën e jep kur eprori të urdhëron ta japësh për pronën. Vetë eprori nuk e rrezikon të vetën, por jetën tënde e hedh në tryezë si një letër bixhozi.

Mjerisht, edhe sot jeta e njeriut nuk vlen asnjë grosh. Shuhet ajo, nxihet një familje e tërë, vriten djem të rinj për kurgjësend, bile edhe fëmijë. Askush nuk e ngre zërin, qoftë zë politik qoftë artistik. Përkundrazi u ngrihen këngë lavdije atyre që vrasin, por ama “çojnë nderin e tyre në vend”. Marrin hak. Marrin gjak. Sepse, sipas logjikës së egër të trashëguar “sapuni i burrit është pushka”. Dhe, aty, para Kafes së Madhe në Shkodër, katër blirët e gjelbëruar janë bërë si katër kalorësit e Apokalipsit. Në trungjet e tyre vihen lajmërimet për vdekjet në Shkodër. Vdekje të rinjsh, nga plumbi, nga pushka, nga mllefi. Dhe askush nuk ngre zërin për Ndocët e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë që jo vetëm nuk shuajnë jetën e tjetrit, por japin të vetën për të shpëtuar jetën e tjetrit. Ky është heroizmi! Ky është frymëzimi që edhe sot duhet të na bulojë në zemë dhe mendje. Ky është mjeti për t’iu kundërvënë atyre që ekzaltojnë dhënien e jetës për dy tela, ose për të “marrë hakun duke derdhur gjak”.

Sa vlen jeta e njeriut? Kjo pyetje duhet të na shqetësojë të gjithëve. Dhe vlerën e saj, të jetës e nënvizojmë, e ngrejmë lart, e hyjnizojmë duke ekzaltuar Ndocët, e pas tyre le të vijnë fillërojtësit, apo ata që dhanë jetën për pronën. Sepse prona pa njeriun është një koncept i pakuptimtë. Të japësh jetën për të shpëtuar një jetë, dhe jo të japësh jetën për të marrë një jetë. Kur ta kuptojmë këtë, kur të shtrydhim mendjen dhe shpirtin për ta kuptuar këtë, atëherë i kemi dhënë përgjigje pyetjes që mjerisht sot është fatale: Sa vlen jeta e një njeriu?

Fadil Kraja

Feja ka kontribuar për civilizimin mbarëshqiptar

Në opinionin e gjerë, pranohet fakti që kleri në përgjithësi dhe veçanërisht ai Katolik kanë dhënë një kontribut të çmuar që kurrsesi nuk mund të anashkalohet, për civilizimin  e shoqërisë. Ky kontribut është i njohur dhe i dokumentuar nga historia. Bota e njeh mirë rolin historik të Skënderbeut në mbrojtje të krishtërimit, madje janë anekdotike thëniet e një prej sulltanëve të kohës së tij kur është shprehur: “Po të mos ishte Gjergj Kastrioti, unë do të kisha lidhë kalin në dyert e Kishës së Shën Pjetrit dhe do t’i kisha vënë çallmën Papës”.

Feja si ajo katolike ashtu edhe ajo myslimane kanë ofruar njerëzimit vetëm dashuri, bashkekzistencë, paqe, bashkëkomunikim, vllazërim midis njerëzve. Për hir të së vërtetës duhet shënuar se katolicizmi ka qenë më i emancipuar, më koherent. Vërtetë botkuptimi kristian mbështetet në dogma, por në dogma që evoluojnë, që nuk janë tabu të paprekshme, të pacënueshme. Në historinë e krishtërimit, me aq sa njeh autori i këtyre radhëve, nuk gjendet një rresht ku të sulmohet njeriu, por gjithmonë është trajtuar si krijesë e duarve e të mendjes së Trinisë.

Në shoqërinë shqiptare çuditërisht (në krahasim me klasën politike) bashkëjetesa fetare, e feve të ndryshme ka qenë dhe mbetet modeli i shoqërisë së emancipuar, e shoqërisë së përparuar. Për ata Njeriu ka qenë dhe mbetet një monument i paprekshëm. Shembull i gjallë është rasti i festave të ndërsjellta, i martesave midis besimeve të ndryshme, e mbi të gjitha respekti reciprok për institucionet fetare. Sipas mendimi tim kjo është krenaria europiane e ne ballkanasve më të vjetër të Ballkanit.

Për të kuptuar rolin civilizues në shoqëri të fesë është e nevojshme që të njohim historinë e saj, dhe kur flasim për histori, kemi parasysh dokumenta autentike, por edhe arsyetime të historianëve seriozë.

Sipas këtij opinioni, “Shqipëria Etnike” nis të botojë “Historiku i dioqezës së Sapës”, botim i vitit 1941, shkruar prej dom Gasper Gurakuqi. Materiali botohet sipas origjinalit dhe redaksia nuk ka dashur të bëjë asnjë ndërhyrje. Është në dialektin gegë, diku mundet të mungojë ndonjë faqe. Megjithatë, materiali na duket me vlerë për botim.

Është vendi të falenderojmë z. Kolë Tusha nga fshati Nenshat, që pati mirësinë t’ja dhurojë redaksisë për botim.

Gjithashtu është vendi të kujtojmë për të gjithë lexuesit, pa dallim besimi, se janë të mirëpritur në dyert e redaksisë për të sjellë materiale të vlerësuara dhe që dëshmojnë kontributin civilizues të botëkuptimit fetar, pra të cilitdo besim. Ne do të jemi të gatshëm ti botojmë e t’jua ofrojmë lexuesve menjëherë.

Mark Preçi

Dom Antonio Sharra ringjall në Shqipëri traditën e qeramikës dhe të shumë objekteve zbukuruese

Kultura e një kombi ka themele mbi traditën e tij, ka thënë një i ditur. E poqese kjo traditë ruhet, pasurohet e mbahet gjallë, atëherë edhe kultura bëhet pjesë e trashëgimisë, e jetëgjatësisë, e identitetit të kombit.

Nga kjo pamje e problemit, duket se sa më të fortë themelet (tradita), aq më e fortë edhe godina e kulturës. Themelet nuk janë të tipit që hapen e mbushen njëherë e përgjithmonë, përkundrazi, ato duhen forcuar çdo ditë, si duke i ruajtur “gurët” e vënë në fillim, duke i “pastruar “gurët që koha i nxjerr jashtë “loje”, por edhe duke i pasuruar me “gurë” të rinj që i sjell domosdoshmërisht zhvillimi i shoqërisë.

Ka studime të shumta që flasin për traditën ilire të përdorimit të qeramikës, madje objektet e gjetura shërbejnë si dëshmi autentike të zhvillimit të historisë tonë në shekuj.

Në këtë hyrje paksa të gjatë, desha të nënvizoj rëndësinë që paraqet ringjallja e një tradite, ajo e përdorimit të qeramikës, qoftë si objekt zbukurimi, qoftë si objekt funksional.

Tranzicioni shqiptar “i egër” si tranzicion ballkanik nuk kurseu as traditën. Edhe ato përpjekje që u bënë në kohën e diktaturës (pavarësisht nga motivet që niseshin) gjatë tranzicionit u fashitën si të mos ishin. Të njëjtin “fat” pësoi edhe tradita e qeramikës ose e përdorimit të dheut (argjilës) në përgatitjen e objekteve zbukuruese.

Kur para dhjetë vjetësh, vinte në Shqipëri, në Blinisht të Zadrimës prifti italian dom Antonio Sharra, të parën gjë që mendoi dhe zbatoi ishte ringjallja e traditës së gurëgdhenies, përdorimit të pëlhurave dhe qeramikës. Madje ai investoi pa frikë dhe rezultatet nuk vonuan. Objektet fetare të ndërtuara në fshatrat Krajen, Kodhel, Baqel etj., janë të ndërtuara të gjitha me gurë të latuar e zbukurues. Me të tilla punime është ndërtuar Kisha Katedrale e Sapës që në vitin 1846. Në përdorimin e pëlhurave edhe sot në Blinisht funksionon një repart ku prodhohen objekte të traditës si çarçafë, msalla, strajca, shtroje, etj., me zbukurime të hershme të Zadrimës, shumë të larmishme. Po kështu në fshatin Krajen hapi laboratorin e qeramikës ku prodhohen objekte zbukurimi, si vazo, qypa etj.

Pikërisht për këtë le të zgjatemi pak më tepër. Ideja e dom Antonios për ringjalljen e përdorimit të dheut ose qeramikës, iu besua një djali të ri nga fshati Krajen, besim që nuk zhgënjeu askënd. Vasil Kukaj, me ndihmën e disa misionarëve bën një specializim në Itali, ku përvetëson teknikën e përpunimit dhe të përgatitjes së enëve dekorative dhe funksionale prej dheu. Pas disa kohësh, nën kujdesin e dom Antonios, sillen nga Italia furra e pjekjes, bojrat, punësohen edhe katër vajza.

Në dizenjon e objekteve, tregon Vasili, kam parasysh kryesisht punimet që janë bërë në Zadrimë gjatë përdorimit të pëlhurave, lulet dhe format e ndryshme. Me të vërtetë zbukurojnë si mjediset familjare, ashtu edhe ato publike. Tash në fund, shton ai, kemi prodhuar objekte me porosi dhe me dedikime, p.sh. “Antonit, për fejesë. Martini”. Përveç këtyre ne kemi përgatitur të tilla objekte zbukuruese si “Skënderbeu”, “Nënë Tereza” etj., si dhe figura me subjekt fetar.

Tregu i jashtëm, sidomos ai italian është treguar më i shpejtë. Shumë italianë që vijnë dhe vizitojnë laboratorin, bëjnë porosi për lloje të ndryshme objektesh. Tani në fund edhe tregu vendas ka filluar të shfaqë interes. Shumë porosi kanë ardhë nga tregtarë tiranas. Këto objekte konkurojnë denjësisht edhe mallrat kinezë të kësaj natyre për faktin e thjeshtë se janë origjinale dhe jo me ngjyra të ndezura e dizenjo të ngarkuar. Ngjyrat i kanë më të buta, janë më tërheqëse dhe soditëse.

Me punën që ka bërë Vasili, tregun e ka të sigurtë, cilësinë në rritje. Fillimisht nisi si përpjekje për të ringjallur një traditë gati në zhdukje, tani si një punë që siguron edhe të ardhura.

Vasili pret edhe porosi. Ata që duan të zbukurojnë dhomat e tyre, me të tilla objekte mund t’i telefonojnë me këtë adresë: Vasil Kukaj, Krajen, Lezhë, tel. 0682236221. Më tepër se një reklamë, kjo ngjan me një ftesë për njohje, për të gjithë të interesuarit.

Mark Preçi

Zadrima: Një kalk në sllavisht

Ky emër, kjo zonë ka tërhequr shumë studiues dhe personalitete kulturore e politike të të gjitha kohërave për lashtësinë e banimit, për prodhimet e larta, për “jetën e begatë”, siç shprehet F. Bardhi. Është zonë që ka pasë aktivitet të gjerë politik, kulturor dhe fetar. Trashëgon tradita me vlerë mbarëkombëtare. Gjithçka e ruajtur nga traditat lidhet me origjinën e tyre ilirie: veshja, ritet e dasmës e të vdekjes. Zona ka vende me banim shumë të vjetër që para erës sonë si: Gajtani, Sarda, Trashani, Blinishti, Kallmeti, Dajçi, Guri i Zi, etj. Këtë e kanë treguar objektet arekologjike të gjetura në mbarë këtë zonë, të cilat janë me vlera jo vetëm mbarëkombëtare, por edhe më gjerë. Emri që bart aktualisht është një kalk në sllavisht: za-tej; Drim-Drin, që e përkthyer shqip do të thotë Tejdrinë. Me këtë emër është trajtuar edhe në fjalorin e Enciklopedisë Shqiptare. Shtrohen shumë pyetje që kërkojnë përgjigje. Emrin Tejdrinë e kishte para ardhjes së sllavëve në Ballkan dhe në Iliri? E kishte një emër tjetër? A e pagëzuan të parët sllavët? Zef Pëllumbi, te parathënia e veprës së Nikollë Mazrekut e quan Supiana. Edhe në ndonjë artikull shtypi të klerit katolik në Kosovë është quajtur me këtë emër për të treguar banorët e kësaj treve. Ky mendim nuk na duket fare i drejtë. Fusha është shumë e gjerë sa i kalon disa herë  kufijtë e Dioqezës. Është thënë se quhej edhe Fushëdrina, Perdrina, etj. Emri Fushëdrina nuk e pasqyron realitetin për arsye se kjo krahinë është e shtrirë në fushë e në male, siç është Zadrima e Sipërme dhe Zadrima e Poshtme. Edhe emërtesa Perdrinë bie poshtë, se Zadrima e Sipërme shtrihet vetëm në të majtë të rrjedhjes së Drinit. Gjithsesi nga njohja e derisotme mbetet emërtimi sllav “Zadrimë” ose emërtimi shqip “Tejdrinë”. Nëse i vunë emrin e tyre pushtuesit ose bënë përkthimin nga shqipja, kur ndodhi kjo? Ka shumë vende që kanë pasë emra të tjerë dhe kur ka ndërruar pronari, qoftë ky pushtues apo vendas, ka ndryshuar edhe emri. Dihet nga historia se të ardhurit në Ballkan kanë kërkuar të përjetësojnë pushtimin duke ndryshuar edhe emërtesat. A ka ndodhur kështu edhe me këtë emër? Rruga e kalldrëmit që ka kaluar përmes Zadrimës, është ndërtuar nga J. Qesari në fillim të erës sonë, pastaj është zgjeruar e zgjatur për të shkuar në Zeta (Dikole). Në shekullin e trembëdhjetë dhe më vonë, pas një dëmtimi shekullor është riparuar dhe ndryshuar drejtimi nëpër fushë. Sa duket urat e riparuara mbajnë edhe sot emrin e riparuesve të tyre si: Ura Plakgjon (plaku Gjon), Ura e Shkines (Shkie-shkine – grua malazeze), ura e re, Ura e Marin Sumës, (M. Suma ishte nga fshati Blinisht dhe kryente detyrën e ipezhgëvit të Sapës në këtë kohë). Emrat e këtyre urave jemi të bindur se kanë ndryshuar. Edhe me krahinën kështu ka ndodhur, por s’jemi të sigurtë nëse kishte emrin Tejdrinë, apo një tjetër. Në gjurmë të sakta të një emri tjetër nuk kemi rënë akoma, prandaj pranojmë këta që njohim në sllavisht apo në shqip. Por përsëri këta dy emra mbeten të diskutueshëm për arsye se fusha ka pasë një pellg ujor, të cilin e furnizonin me ujë Drini, Gjadri e Kiri. Edhe pas mbushjes së pellgut shtrati i Drinit ka ndryshuar disa herë, duke kaluar sa në drejtim të Shkodrës sa në drejtim të Lezhës, si dhe ndryshime drejtimi brenda zonës. Por kur erdhën sllavët në Ballkan dhe kur kjo krahinë e mori këtë emër? Ardhja e sllavëve në Iliri dhe në Ballkan në shekullin VI-VII jo vetëm i dha grushtin e fundit rendit skllavopronar por ndërpreu edhe procesin e romanizimit të popullsisë ilire që kishte filluar që nga viti 168 para lindjes së Krishtit. Studiuesi i nderuar Milan Shuflai na jep dy fakte të rëndësishme të ardhjes së sllavëve në Ballkan dhe në Iliri. Sa kuptohet historiani kroat ka gjetur dokumente në të cilat kuptojmë se sllavët si objekt të vendosjes së tyre në Ballkan kishin Ilirinë e veçanërisht të bregdetare. Por gjithnjë sipas Shuflait dhe prof. shqiptar S. Pulaha qytetin e lashtë të Lissusit dhe fushën përtej Drinit e pushtuan më 592 duke na treguar se ish-peshkopit të Lezhës Papa Gregori i parë që i jep një peshkopatë në Itali dhe fushës përtej Drinit i vunë emrin sllav Zadrimë. Por nga historia e Shqipërisë mësojmë se perandorët bizantinë i dhanë leje sllavëve të vendosen në Ballkan. Midis viteve 610-626 u zhvilluan sulme të fuqishme, në të cilat sllavët shkatërruan pjesën më të madhe të Ilirikut, megjithëse shumë sllavë u vendosën në Ilirinë e Veriut. Pas rënies së shtetit bullgar për shqiptarët u shfaq rreziku serb. Me zgjerimin e territoreve të Diaklesë kufiri jugor i saj u vendos në lumin Drin. Duke kundërshtuar të dy historianët e lartpërmendur, mendojmë se edhe këtu mund të jetë pagëzuar si fusha përtej Drinit.

Më vonë më 1096 në kryqëzatën e parë normanët i shpallën shqiptarët aleatë dhe me ndihmën e tyre vunë dorë mbi grykën e Albanoit. Buemundi u detyrua të largohej dhe krahinat nga Drini e poshtë kaluan nën Bizantin, kurse në Veri të tij nën shtetin serb të Zetëz.

Në kohën e Dhimitrit mund të themi se principata e Arbërit arrit kulmin e fuqisë së vet. Këtë fuqizim e ndihmoi edhe martesa e princit me vajzën e Stefan Nemanjes, e cila ishte dhe mbesë e Perandorit të Bizantit. Situata pëson një rrokullisje jo të mirë për Dhimitrin dhe kështu mbretëria e Rashës pushtoi qytetet e Ulqini, të Tivarit, të Shkodrës, të Drishtit e të Danjes. Tani ishte kaluar Drini, por Danja ishte buza e tij. Familja feudale e Blinishtëve sundonte në të majtë të tij. A duhet konsideruar si kufi i saj lumi Drin? Gjatë historisë më se dymijëvjeçare e përmendin autorë të ndryshëm, në vende të ndryshme, por gjithnjë ndërmjet qyteteve Shkodër e Lezhë. Tit Livi në vitin 168 p.e.s. shkruan se në Driadë (Drin) derdhet Kiri dhe Buna. Gjeografi i lashtësisë Ptolemeu na informon se Driloni (Drini) gjendet pas Ulqinit dhe para Lissusit. Kurse Plini (23-79), duke shkruar për qytetin e Shkodrës shënon se lumi Drin ndodhet afër tij.

Profesoresha shqiptare Andromaqi Gjergji në studimin për veshjet në Shqipëri shkruan se rreth vitit 1350 në Drin, pranë Shkodrës, ishte një port në të cilin një marinari iu grabitën rrobat. Humanisti shqiptar M. Barleti në librin e tij “Shkodra e rrethueme” shkruan se qysh kur u hodhën themelet e qytetit rrethi i mureve shtrihej poshtë në fushë, më tepër se 2000 hapa në formë katrori. Pjesës së pushtuar të këtij qyteti i binte përmes lumi Drin, mbi të cilin ishte ndërtuar një urë guri e mrekullueshme që ishte aq e gjatë sa shkonte e prekte Bunën me pjesën e vet të fundit. Sot (koha kur shkruan Barleti) rranzat e këtij qyteti andej nga lindja i lagë një degë e vogël e Drinit.

Anglezja Edit Durham në librin “Brenga e Ballkanit” shkruan se më 1858 Drini befas ndërroi rrugë dhe hapi një shtrat të ri për t’u derdhur në Bunë. Kurse prof. Farudin Hoxha thotë se Drini e ndërroi rrugën më 1846 pas një plote të jashtëzakonshme. Siç shihet në faktet që shënuam më lart, del se Drini e ka ndryshuar shtratin disa herë, por gjithnjë ka kaluar pranë qytetit të Shkodrës. Pra, a duhej ta ketë këtë emër? A e paraqet emri krahinën? Gjithsesi duket si një emërtesë e kufizuar vetëm me atë “Përtej Drinit”, sepse shtrirja e saj ishte dhe është nga qyteti i Shkodrës, duke vazhduar në lindje me malin e Rrencit, të Gurit të Zi, Gajtanin, Sheldinë, Komanin, Laçin, Hajmelin, Nenshatin, Kreshten, Velen e deri në qytetin e Lezhës, kurse poshtë Shkodrës ka vazhduar me lumin Bunë, me detin Adriatik, grykëderdhjen e Drinit deri në qytetin e Lezhës. Veshjet, zakonet, ritet e dasmës dhe të vdekjes zbatohen jo vetëm deri në Bunë, por deri në rrethinat e Ulqinit dhe më tej për ndonjë qendër të veçantë banimi. Pra, kur e mori emrin Tejdrinë, apo Zadrimë?! Më 592, në kufirin e vendosur midis normanëve e bizantinëve, serbëve e Bizantit, princ Dhimitrit e serbëve, feudalëve blinishtas e serbëve?! Në të gjitha rastet e lartpërmendura kufiri është vendosur në lumin Drin dhe në njërin nga këto raste mendojmë se është marrë edhe kjo emërtesë që ka edhe sot. Kjo është krahinë me banim shumë të vjetër dhe domosdo që kishte një emër po të vjetër, mbase pa e lidhur me lumin. Ai kishte emrin “Tejdrinë” dhe sllavët bënë përkthimin në sllavisht “Zadrimë”? A mos shuajtën emrin në shqip që kishte më parë i vunë emrin e tyre për të përjetësuar sundimin?! Por të gjitha qendrat e banimit nëpër këtë fushë kanë emra mirëfilli shqipe me ndojë përjashtim shumë të rrallë siç është Velipoja.

Pjetër Gjoni

Ky shkrim është marrë nga një studim për trevën e Zadrimës, që autori Pjetër Gjoni, mësues në shkollën e Mesme “Pjetër Zarishti” në fshatin Blinisht të Lezhës po përgatit për botim. Duke hulumtuar në mjaft dokumenta origjinale që autori ka arritur të studiojë, hedh dritë mbi një zonë gjeografike me karakteristika të veçanta etnokulturore e historike të panjohura dhe të pabërë prezent më parë. Kjo përpjekje e autorit duhet vlerësuar dhe respektuar. Në këtë sens edhe gazeta “Shqipëria Etnike” po boton një pjesë nga ky studim që pret sponsor për t’u bërë pronë e lexuesve.

Mark Preçi

Burri që s’harrohet

Në Pukë ka pasë shumë nacionalistë të cilët gjatë rregjimit komuinist u burgosën dhe u internuan, vdiqën nëpër burgje dhe kampe internimi. Siç kemi shkruar dhe herë të tjera, fshati Arst-Miliska gjendet në periferi të H/C Fierz, në këtë fshat komunizmi ishte më i egër se në asnjë fshat të zonës së veriut. Partia Komuniste e shpërbleu me emrin fshat socialist. Lufta e klasave goditi shumë njerëz, ndër këta ishte nacionalisti Pal Beqiri. Ai kur erdhi nga ushtria, familjen e tij e gjeti të arratisur në Jugosllavi dhe në shtëpi nuk gjeti njeri. Sigurimi shqiptar iu kundravu këmba-këmbës dhe më vonë e internoi në kampin e çfarosjes në Tepelenë. Ai në kamp mbajti qëndrim të fortë, ai ndihmoi shumë të internuar. Kur ata vdisnin, ai merrte pjesë për varrimin e tyre dhe fshehtas policisë mundohej t’i varroste në vende, që dikur kockat e tyre të varroseshin në vendlindje të tyre. Më vonë ai shkoi në kampin e internimit në Lushnje për 5 vjet me radhë. Kur u lirua nga internimi, komunistët e fshatit e trajtuan shumë keq dhe e internuan në Luf, Pukë, nën mbikqyrjen e Degës së Brendshme, Pukë. Deri sa erdhi demokracia, ai për 50 vjet ndenji i internuar nëpër kampe dhe ferma. Ai iku nga Puka në 1995 vdiq në qytetin e Mamurrasit. Emri i tij mbetet i paharruar si nacionalist antikomunist në rrethin e Pukës.

Shan Sokoli

Ligjvënësit duhet të jenë besimtarë, si ata që kanë bërë Kushtetutën e Amerikës

Kur dëgjojmë emisionin e Radio Tiranës për shqiptarët jashtë Atdheut, bien në sy shumë fjalë partiake, që më mirë mos me i ndigjue!

Fatos Nano, kreu i vendit, lëvdohet si demokrat, gjë që është turp t’i dëgjojë kush. Një kriminel që në kohën e Ramizit dhe mbas, kriminel, hajdut, tradhëtar i kombit edhe i demokracisë. Nano tradhëtoi Kosovën, përpara dhe mbas Rambujesë. Pa pikë turpi Nano-Meta vizitoi Beogradin, Athinën, Moskën edhe Korfuzin, ku bënë marrëveshje me kriminelin Greko-Amerikan! Me keqardhje demokracia shqiptare nuk po lejon as popullin që të ngrihet kundër këtyre kriminelëve mashtrues dhe përkrahësve të armikut shekullor që nuk na lanë me krijue një qeveri njerëzore kurrë! Nano ka krijuar mafian policore me maska, që kanë vrarë dhe po vrasin pa mëshirë, të gjithë ata që nuk iu binden! Edhe Evropa nuk ka asnjë kujdes më të voglin për popullin e shumvuajtur shqiptar! Ne i njohim mirë kaherë sjelljet e disa shteteve të Evropës, po patëm shpresa te SHBA-ja, se nuk ka lë me na mbytë këlyshët e Stalinit. Sa të jetë Partia pseudo-Socialiste në pushtet, Shqipëria nuk mundet me u pranu në Evropë kurrë.

Sali Berisha dhe Bujar Bukoshi, nëse e duan të mirën e kombit shqiptar, ta shpallin të pavlefshëm Traktatin Islamik, që vetë e kanë nënshkruar.

Të gjitha regjimet që erdhën në këtë botë, humbën dhe nuk ngjallen më kurrë, por edhe kanë ndonjë të metë të theksuar që njolla e zezë u mbetet me shekuj. Demokracia, liria, ligji absolut nuk humbin kurrë. Ligjvënësit duhet të jenë vërtetë njerëz besimtarë, siç kanë qenë ata që bënë Kushtetutën e SHBA-së.

Çfarë i duhet Ilir Metës të deklarojë në Moskë se duhet të zbatohet rezoluta e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, pasi ajo aspak nuk është në dorën e tij. Kur Millosheviçi nuk e pranoi atë rezolutë dhe vrau jo më pak se njëqind mijë shqiptarë, atëherë as Kosova nuk duhet ta pranojë kurrë.

T’i ngjallë Franca mbi njëqind mijë shqiptarë që i vrau Serbia, atëherë shqiptarët kanë për të pranuar rezolutën e Rambujesë. Ibrahim Rugova me shokë e kanë gabim që nuk e botojnë numrin e saktë të viktimave që bëri Serbia, mbasi është dhjetë herë më i madh. Apo duan që t’i zvogëlojnë fajet Serbisë! Rusia nuk bën të hyjë në punët e shqiptarëve se ka hyrë boll!

Pseudo-Socialistët nëse kanë gjë në kokë duhet të largohen me vetdashje nga qeveria se populli shqiptar është lodhur me ta dhe një ditë do të revoltohet dhe do t’i mbysë me sëpata, pasi bota nuk i lejon komunistët të përdorin tanke. Vetëdihet se komunistët janë të çveshur nga të gjitha që i takojnë njeriut. Pra kur të ngjallet Musolini do të ngjallet edhe Lenini.

Në Shqipëri po ngrihet problemi i pronës! Ku janë këta pronarë të ligjshëm? Kush ua dha tokat shqiptare këtyre batakçinjve?! Ua dha turku, që u shitën me fe edhe Atdhe! Turku emëroi me qindra bejlerë dhe agallarë në tokat e Kastriotëve. Vetëm familjes sonë në Bushat të Shkodrës u mori turku mbi njëqind hektarë tokë, dhe na ndoqi nga vendlindja. Gjeq Loli, me tre djemtë u largua nga vatrat e të parëve dhe u strehuan në malet e Pukës. Mbas dy shekujve, nga skamja, familja jonë u përgjysmua, se Tafil Iseni me tre djemtë u largua në Kaçanik. Sot janë mbi pesëdhjetë familje, ndërsa në malet e Pukës sot jemi tre fshatra nga familja e Murdetasve.

Pal Delia

Nev Jork 30. X. 2002

Me respekt e pa respekt

Presidentit Moisiu

Burrë shteti

Gjeneral,

President konsensual.

E ke zakon

Si ushtarak,

Në vendime

S’kthehesh mbrapsht.

E keni bërë

Ju mendjen top,

Me negociata

Me shkue në Evropë.

Në marrveshje politike

Mazhoranca

Po e dredh bishtin,

Dhe e ka zënë

Një farë sikleti,

Nuk ka qejf

Me ja futë vetit.

Të gjithë kemi

Besim tek Ju,

Në të tilla vështirësi

Të gjithë kemi

Dëshirë të plotë,

Forca, o burrë,

Se na ke mbështetje

Veç Shqipërinë

Me e çue në Evropë!

Prof. Doktor Sali Berisha

Lider Ju

Ju ka Shqipëria.

Burrë i ndershëm

Diplomat.

Me Azemin

“Nderi i Kombit”

pluralizmin

Shqipërisë ia dhatë.

Zbute klimën

Konfliktuale,

I vendosur për reforma,

Korrupsioni edhe krimi

Të goditën me fadroma!

Pesimizmi është i dëmshëm

Por një fjalë

Dihet më së miri:

Sado e mirë të jetë magjatorja

S’gatuhet bukë gruri

Me miell misri.

Burrë i lartë

E mos u ngut,

Mos të derdhet

“Bashi i rakisë”!

Se “rakia”

Na del “blut”

Dhe të ftuarit

I drejtohen shtëpisë.

Ikin nga “dasma”,

I tungjatjeta!

Hipokriti

Ka hyrë në Parti

Me rregullue

Punët e veta,

Do të bëhemi

Mazhorancë,

Dhe votimet

Po vinë shpejt.

Të mbështetemi

Ne njerëz me përvoja

S’kemi kohë

Me mësue “mezetë”!

Po fryn erë

E Dhjetorit,

Themeluesit në timon

Ne të gjithë

Duhet ta dimë,

Mazhoranca

Është në Seksion.

Kryeministrit Fatos Nano

Kryeministër

Burrë me mend,

Kini bërë shumë premtime

Tani shpejt,

Se koha s’pret

Reformat

Kërkojnë zbatime.

Shqipëria është në krizë,

Duhet shpejt

Operacioni

Me shpejtësi

Se koha s’pret,

Po kaloi në Koma

S’mund ta shpëtoni.

Forca shpejt

Se jem në panik

Të mos mbesim

Milingit!

Por një fjalë

Ua them ta dini,

Ta marrë vesh

E gjithë Shqipëria

“Nga nënshartesa komuniste

Nuk ndërtohet Demokracia”

Kështu pat thënë

Ernest Perdoda

Me nderim e kujton

Shkodra.

Me gëzim

Ta çoni gotën

Të bashkuar,

Të shkojmë në Evropë.

Faqebardhë

Viti i Ri

Disa e Kaluan

Atje në Rogner

E të tjerët

Si në Samoli

Zonat verilindore

Mbuluar

Me jargan të bardhë

Nxjerri nga goja

Plot mallkim:

Si na len

Kjo qeveri

Për me vuejt

Ne në Mjerim

Pa rezerva ushqimore

Për Dimërim.

Skënder Gjinushit

As me Tosin,

As me Berishën

Me kë je

Dreqi s’e din,

Kokën në Kremlin

Barkun në Perëndim

Me shumë respekt

Po ua them copë

Porsi mësalla

Me dy faqe

S’shkohet në Evropë!

 

Teodori Sollakut

Me peshoren

E drejtësisë

Pesho drejtë

Pa anësi,

Godit krim

E korrupsion

Me të madhen

Ashpërsi!

Ju një fjalë

Ta mbani mend

Mos dënoni

Veç “Saraga”

Pa dënuar

Çdo “Peshkaqen”!

 

TV Klanit

Filmuat paradën

Plot hijeshi,

Pamë të gjithë

Një rregullsi,

Por në fund

Na futët tmerrin

Në paradë

Shfaqet Enverin!

Kuptoje mirë

Një fjalë, në daç:

“se nuk shkojmë

Kurrë më në Spaç”!

Nga Pal Rupaj

Se “çmendet” një njeri, pushkatohen dhjetëra mijë…!

S’di ç’moshë ka emigracioni. Di, po, që njeriu duhet të jetë qytetar i Botës. Pa dallim race, seksi, besimi, kombësie. As qytetar i Botës, as i lirë. Hapësirën shqiptari e ka patur të ngushtë, si tunel. E kemi prapë të ngushtë. Duket se do e kemi edhe për ca kohë, po të ngushtë. Megjithatë, shqiptarët janë të gjerë. Me substanca shumë njerëzore. Janë edhe të ditur, të kulturuar. Kanë nxjerrë edhe Papë. Apo jo?

E, megjithatë, Shqipëria është Gogol për botën e qytetëruar. E papranuar dhe e përbuzur!

-Kërkoni shkaqet e riparohuni, – thotë Bota.

-Dakord, plotësisht dakord, po ku ti kërkojmë zotërinj?

Fuqitë e mëdha na shkatërruan, na sakatosën që më 1878. Na lanë shumë troje tonat, po po tonat, nën “çatinë” greke e ish jugosllave.

E, pikërisht, përmes tokës shqiptare, se të tillë gjëndje krijonte e po krijon një njeri i “çmendur”, që në optikën tonë në kohën e diktaturës ishte Enver Hoxha, në të ashtuquajturës demokraci Sali Berisha me ca “Osama Bin Ladenër” e mëpastaj Fatos Nano me ca lobe greke, u pushkatuan dhjetëra mijëra njerëz. Edhe klerikë po që po. Enveri pat pushkatuar fiks 153 priftërinj e hoxhallarë.

Doni fakte, thatë?

Ah, po. Pikërisht fakte kemi me shumicë. Siç kemi natyrisht burrëri, atdhetarizëm, qëllim të mirë drejt së mirës. Gjëra këto që iu mungojnë pushtetarëve. Ato pra që kënaqin pushtetarët, shqetësojnë gazetën vërtetë të pavarur dhe tribunë të mendimit të lirë “Shqipëria Etnike”.

Shifrat janë kokëforte. Ato nuk mund të zhubrosen e të flaken. Se shiko, edhe Gjergji, Gjergj Kastrioti qe “zhubrosur” duke u quajtur Skënder. Që aso kohe janë bërë prapësira shumë. Prapësira që na ndëshkuan dhe s’kemi udhë tjetër veçse të jemi mbrojtës të qytetërimit si Gjergj Kastrioti, stërgjyshi i tërë shqiptarëve.

Të tërë, pra jemi një. Tragjedinë nuk e meritojmë. Dhe Shqipëria është shembull tragjik.

Më 1920, jashtë trojeve të Shqipërisë Etnike, numëroheshin 2 520 000 shqiptarë. Arbëresh në Kalabri e Siçili, në 100 vendbanime, ishin 220 000. Arvanitas në Greqi 200 000. Shqiptarë në Dalmaci, Turqi, Bosnje e Serbi 100 000. Në Kosovë e vende të tjera të Evropës ishin 2 000 000.

Po më 1923?

Ja shifrat që ne dimë:

804 000 shqiptarë në Shqipëri. 30 000 në Amerikë. 1 766 000 në Kosovë e jashtë kufijve të Shqipërisë. Pra, 2 600 000 shqiptarë.

Shtatë vjet më vonë. Më 1930. Jemi gjithsej 3 500 000 shqiptarë. Të shpërndarë rrënqethshëm. Nga këta, vetëm 1 003 068 shqiptarë brenda kufijve ekzistues. Të tjerët?

Në Amerikë 80 000. Jashtë kufijve shtetërorë 2 416 932.

Padrejtësitë, përballja me paradokset më antinjerëzore deri në tjetërsim nga pasardhësi i “mikut” tonë, me një emër Ahmet Zogu, diskriminimi, dëshira për të jetuar si njerëz, dhimbshuria për tjetrin, pasi shqiptarët janë ndër kombet që e duan të afërmin më fort se thuajse tërë kombet e tjera, në atë kohë vërtetë të vështirë që fatkeqësisht e aksidentalisht, ngjason si dy pika uji me të sotmen, bënë që në harkun kohor të tetë viteve, shtimi i popullsisë të ishte vërtetë i vogël.

Ja, shikoni. Thamë, shifrat janë argumenti ynë.

Më 1938, një vit para se të zbythej “miku” ynë Ahmet, në tërë hapësirën shqiptare numëroheshin 3 620 693 shqiptarë.

Prapë doni fakte?

Po. 1 045 693 në Shqipëri. 1 000 000 në Kosovë e ish jugosllavi. 450 000 në Greqi. 200 000 në Kalabri e Siçili. 500 000 në Turqi, të ngulur fort atje, deri me shërbime kryeministrash. 295 në Egjipt, Siri dhe botën arabike të Bashkim Gazidedes e Abdi Baletës. 50 000 në SHBA, pra 30 000 më pak se tetë vjet më herët! 30 000 në Kanada, e Amerikën Latine. 40 000 në Rumani. 10 000 në Bullgari.

Ecim në kohë.

Për vitin 1960 nuk kemi mundur të sigurojmë të dhëna të sakta. Por në Shqipëri ishin fiks 1 626 315 shqiptarë dhe nga 320 158 shqiptarë të Kalabrisë e Siçilisë, 189 666 ishin italofolës në 41 fshatra dhe 130 492 shqipfolës në 59 fshatra.

Sot, në vitin 2003, vetëm në Ballkan jetojnë rreth 7 000 000 shqiptarë. Ndërsa në tërë Botën jemi mbi 12 000 000. Pra, tre të katërtat e shqiptarëve ose diçka edhe më shumë, janë jashtë kufijve. E, përveç padrejtësive shekullore ku zor të arrihet një Evropë e bashkuar me shqiptarë të pabashkuar, rrjedhja e gjakut, thellimi i plagëve të migrimit, është “sukses” i politikës. I njëshave që gjithherë i kemi patur të “çmendur”.

Pra, jo kot vumë një titull të tillë për këtë shkrim të tillë, pa paragjykime e vetëm me shifra.

Por, le ti kapim gjërat aty ku duhet, ashtu si është e vërteta.

Nga kjo tokë e ky vend aq i bekuar, kaq favorizues gjeografikisht e ekonomikisht, janë larguar shumë njerëz.

Para vitit 1924 rezultojnë të arratisur, theksojmë të arratisur, vetëm 79 vetë. Mund të mendohet pra se kishte diçka më shumë liri se sot. Ndërsa gjatë kohës së diktaturës së Enver Hoxhës, kanë braktisur Shqipërinë 13 792 vetë. Sa kanë humbur jetën nuk e dimë ekzaktësisht. Vetëm ushtarë të arratisur përgjatë viteve 1989-1991, në kohën e tronditjes së themeleve të komunizmit, fiksohen fiks 1751.

Gjirokastra, vendlindja e Enverit, shënon numrin më të madh të arratisjeve, 1 399 vetë. Pas saj është Shkodra, vendlindja e Ramiz Alisë me 924 persona. Mirdita shënon 71 të arratisur. Elbasani 61, Berati 39, Gramshi 15…

Po pas vitit 1990 cila është gjendja?

Ah, ç’kërkojmë edhe ne?!

Pas këtij viti s’gjen gjë prej gjëje. Përjashto rastin e shpërthimit të ambasadave të huaja në korrik 1990, ku gjen evidenca të rregullta, pra 3 905 shqiptarë që hynë atje.

Kjo jo se s’kishim e s’kemi shtetarë, se të tillë kemi me tepri nëpër këmbë, por nuk kishim as kemi shtet.

Sot bëhen parada “suksesesh”. Jo po kemi 500 000 në Greqi, jo po kemi rreth 53 000 prostituta në Evropë, jo po janë vrarë 4600 shqiptarë tash gjashtë vjet, jo po janë pushkatuar 213 policë, jo po kanë humbur jetën dhjetëra mijëra në kufi, andej nga Otrantoja apo në emigracion, apo edhe nga pasojat e ikjes, jo po do futemi shumë shpejt e me dinjitet në Evropë.

“Sukses” quhet edhe dhënia e titullit “Qytetar Nderi” i Shkodrës konsullit italian Stefano De Leo, ndërkohë që po një qytetar i Shkodrës, 42 vjeç, i quajtur Angjelin Smakaj po atë ditë var veten në litar se pikërisht Stefano De Leo i ka bërë padrejtësi duke mos i dhënë një vizë për Itali, madje në nerva e sipër, siç thuhet edhe i ka grisur dokumentat.

Çudia për besë nuk është më e vogël se në legjenda. Sikur t’i nevojitej Shqipërisë flijimi i një femre, si në kohën e ndërtimit të kalasë “Rozafa”, do ishte gjetur me kohë zgjidhja. Por e keqja është se dhjetëra mijëra flijime janë bërë nga populli shqiptar në kërkim të jetimit të jetës, në këmbëngulje të mostjetërsimit dhe, edhe ajo puna e kalasë nku duhet të jetë gjë. Ose, ose, koha sot kërkon diçka tjetër. Të “flijohet” kjo politikë. Kjo politikë shumë elegante, shumë bastarde, si një prostitutë plakë që kërkon me doemos të joshë në terr një djalë të ri…

Editorial nga Sokol Pepushaj

Shkodra i heq dekoratën konsullit italian Stefano Deleo

-Banorët e kryeqendrës së veriut shqiptar kanë    konsiderata shumë të këqia për Deleon.

-Bashkia gaboi rëndë duke e dekoruar ditën që 42 vjeçari Angjelin Smakaj u vetëvarnë litar si rrjedhojë e padrejtësive nga Deleo.

-Konsulli kërkon të largohet nga Shkodra pasi është një figurë e urryer.

-Konsulli nuk ka dhënë as edhe një vizë për tregtarët e Shkodrës.

-Çdo këshilltari i vjen turp para qytetarëve t’ia dorëzojë dekoratën Deleos.

Gazeta jonë përmes dhjetra gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të afërt organizoi një sondazh me rreth 1850 persona, lidhur me dekorimin “Qytetar Nderi” i Shkodrës të konsullit italin Stefano Deleo nga Këshilli bashkiak i qytetit në fjalë. Qind për qind e të pyeturve shprehën ankesa serioze, madje edhe konkrete, duke e quajtur të korruptuar, duke e akuzuar për shitje vizash, duke e etiketuar racist, mafioz. Nejse, kjo është punë e qytetarëve të kryeqendrës së Veriut Shqiptar.

Nëse kjo është një e keqe e vockël, e keqja e madhe, madje e turpshme dhe e pamoralshme do të thonim ne, është se pikërisht të zgjedhurit me votën e këtyre qytetarëve, antarët e Këshillit Bashkiak, e dekoruan Stefan Deleon për punë të mira.

E, ky popull i mençur që ju këshilltar do i trokisni sërish në “derë” për votat, ka një shprehje të urtë sa vetë urtia:

“Më gënjeve njëherë, është faji jot, më gënjeve dy herë është faji im, më gënjeve tre herë jam Budalla”.

Mos harroni pra se tetori po vjen. Po vjen që të ikni edhe ju, edhe Deleot. Gazeta jonë do ushqejë ide që as Deleot as ju të mos spekulloni me dinjitetin e qytetarëve. Ne pra, do publikojmë alternativat që para votimeve partitë të publikojnë listën e këshilltarëve, e jo pasi të marrin votat ta mbushin këshillin bashkiak me mbeturina, me të korruptuar.

Stefano Deleo përgjatë tërë karrierës së tij në Shkodër nuk ka pranuar të pajisë asnjë tregtar me vizë. Pra, me pak fjalë, ai ka shkelur me të dyja këmbët qëllimin parësor që ka një konsullatë, stimulimin e biznesit.

Këto dhe shumë të tjera duket se kanë patur parasysh ata këshilltarë që kanë kundërshtuar dekorimin e tij. Që ju votues t’i mbani mend, ata janë Namik Kamberi, Anton Leka, Ardian Dajti, Filip Vila, Mentor Quku, Fran Dashi dhe Ludovik Dega. Në qoftë ndonjë tjetër, gazeta është e hapur, ia botojmë mendimin origjinal. Por ne kaq të dhëna kemi.

Kështu pra, pavarësisht pakënaqësive mbarëpopullore në veri ndaj Stefano Deleos, gazeta jonë pa më të voglin paragjykim, i ka kërkuar publikisht konsullit të sjellë listat e qytetarëve që pajisen me viza për Itali për t’i botuar, kërkes që jo rastësisht është pritur pa interes nga konsullata. Kjo formë, kemi menduar e mendojmë, dhe të mendojmë nuk u marrim leje matrapazëve, do i zbardhte problemet. Veçse një formë e tillë duket do u çvidoste “rubinetat” kontrabandistëve të vizave që deri njerëzit e thjeshtë lakojnë katër emra.

Nga një analizë që ka bërë konsullata, mësojmë se janë rrahur shumë probleme. Por nejse, fjalën e kemi diku tjetër. Rastësi ishte vetëvrasja e 42-vjeçarit Angjelin Smakaj ditën e dekorimit të Deleos për shkak se ai nuk e ka pajisur me një vizë, megjithëse flitet që dokumentacionin e ka patur të plotë e të rregullt?

Mbase ishte edhe rastësi, por ama një “rastësi” që nxjerr sheshit, si në pëllëmbë të dorës, probleme, fatalitete të kobshme.

Në këtë pol është qepur me pe të bardhë mbi stof të zi. Dekorimi është qesharak, sikundër të gjitha gjërat që diktohen nga interesa personale, të ngushta, të fëlliqura. Veçse, ky qesharakllëk ka edhe një pamje më të dukshme se kaq. Ne do shtronim në pyetje të thjeshtë:

Zotërinj këshilltarë të Shkodrës, cili prej jush ka fytyrë t’ia dorëzojë dekoratën publikisht Deleos, ndërkohë që ky publik, na besoni se s’ia kemi askujt me të keq, s’don t’ia dëgjojë as emrin, madje edhe e akuzon?

Atëherë ngelet një shteg që ne e kemi goditur me kohë e me vakt,duket se është i qartë se të palarat po i dalin përditë e më lakuriq, prandaj burime të sigurta thonë se ai ka kërkuar të largohet nga Shkodra.

Si thoni ju, të largohet me dekoratë dhe t’i bëjmë gati një dekoratë tjetër pasardhësit të tij?!

Sokol Pepushaj

Mendime nga poeti i shquar shqiptaro-amerikan Leom

-Idetë janë aq të ndryshme sa edhe njerëzit!

-Dinjiteti, nëse shprazet, s’mund të merret nëpër këmbë!

-Dhuntia dhe marifeti, janë dy përbindësha, që bëhen miq, sa her që janë të zemëruar!

-Pikërisht atëherë kur dikush të çmon, vjen fundi i një strategjie, sepse, pikërisht atëherë duhet t’ia nisësh nga e para, për të përgatitur një stragegji të re për një çmim të ri!

-S’është e gjitha, kur diçka më tepër duhet, më shumë do lodhesh, më pak do flesh dhe dhimbjet do shtohen!

-Kur shakatë zgjebosen dhe kthehen në britma si të dala nga gojë hijesh, atëherë gjithkush është prishaqejf dhe, prit kur t’ia plasë sherri!

-Gjëja e pavlerë, kurrë s’pati vlerë për askënd, veç për atë që në mënyrë të tij, diti ta vlerësojë!

-Thonë që paraja blen botën, është e vërtetë por, vetëm atë botë që vihet në shitje!

-Energji e plotë, do të thotë të jesh i pasur!

-Kush përulet para fuqisë që shkakton paraja, do të thotë se është skllav i parasë!

-Unë, kurrë në jetë s’dëgjova, një të varfëri ndokush t’i përulet ndërsa, gjithë jetën pashë të varfër që përulen!

-Taktika e të zgjuarit është të përfitojë nga dobësia e të marrit. Taktika e të marrit, është të bëjë si i zgjuar!

-Në jetë ka vetëm dy gjëra të vërteta, lindja dhe vdekja1

-Kush rrojti me të gënjyer, kohën e pat të shyqer. Kush rrojti me të mirë, gjithë jetën rrojti i lirë!

-Ai që do ta shërojë dhimbjen, duhet të njohë ç’është dhimbja!

-Kuptim i plotë është të njohësh botë. Kuptim i bjerrët shko me të tjerët. Kuptim pa kuptim, flamur pa himn! Kuptim në zhdukje, fe pa lutje! Kuptim me kuptim, jetë me qëllim!

Sabah Bizit, i rikthejnë “identitetin” e humbur në pluhurin e harresës

-Ushtria e Gjeneralëve të futbollit shqiptar “pushton” Hotelin “Rozafa” në Shkodër

-Nëse doni zhvillim të futbollit, respektoni vlerat e pasurive kombëtare, futbollistike

-Ka ardhur koha të seleksionohen vlerat nga antivlerat

Para pak ditëve “Rozafa” festoi 55-vjetorin e gjigandit të futbollit shqiptar Sabah Bizi. Edhe vetë “Rozafa” e legjendës u përkul me respekt para “aktorit” të madh të legjendës të futbollit shqiptar, mesfushorit të pazëvendësueshëm Sabah Bizit, i cili nën dritën e madhështisë të karierës futbollistike 17-vjeçare e ka “zgjuar” nga qetësia e përjetëshme “Rozafën” me “zhurmën” e sportdashësve, tifozave të zjarrtë që kanë brohoritur S. Bizin në të gjitha stadiumet e Shqipërisë. Prandaj “Rozafa” në këtë festë, u ndje më e nderuar, më e fituar se kurrë, midis më të mëdhenjve të futbollit shqiptar, që morën pjesë në festë, si Panajot Pano, Din Zhega, Faruk Sejdini etj. Festa u kthye në një spektakël të vërtetë. Yjet vallëzojnë me yjet, gjithnjë me gjuhën e topit. Pasi e kanë të vështirë ta fshehin shkëlqimin, edhe pse ne shpesh herë harrojmë me, ose pa dashje emrin dhe misionin e origjinës së Yllit. Ashtu sikurse në kohë të vrejtura, e me shi, nuk dihet “vendstrehimi” i strukjes së tyre. Por, një gjë është e sigurtë, se pas çdo stuhie, “natyrale” apo të “improvizuar”, përsëri ka kohë të qetë, dhe yjeve s’i zbehet rëndësia dhe vlera e shkëlqimit kurrë. Kështu ndodhi me të vërtetë edhe me Yllin origjinal të futbollit shqiptar, Sabah Bizin, i cili padyshim edhe thinjat që ka në kokën 55 vjeçare, i ka pasuri kombëtare. Pasi koka e tij ka përpunuar intuitën, inteligjencën, reflekset e genit të tokës prodhimtare të futbollit shkodran. Ku sot krenohemi me frytet e kësaj toke, qysh nga i madhi Loro Boriçi, e deri tek filizat që sapo kanë çelë. E pra Koka 55 vjeçare, peshon pazgjidhshmërisht me Këmbët “zhurmëmëdha” të karierë 17 vjeçare që bëri Epokë nëfushën e blertë, brënda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

A nuk ishin Këmbët e Sabah Bizit, një Barikadë e pathyeshme, ndaj gjeneralit të futbollit Gjerman, Franc Bekenbauerit? Ku vetë Bekenbaueri, në hotel “Dajti” Tiranë, ka thënë: “Kam ardhur për Panon, por problemi është Bizi”. Apo të kujtojmë ndeshjen me Poloninë (që në atë kohë ishte ndër 10 skuadrat më të mira të botës), ku Sabah Bizi “paralizoi” të madhin Kaizimir Dena. Dhe Bizi ishte protogonist kryesor i golit me Din Zhegën, (ku barazuan 1-1 me Poloninë).

Emri Sabah në turqisht do të thotë: Mëngjes. Dhe mëngjesi është gjithnjë një koncept që parimisht do të thotë një fillim i ri, ndryshe nga dita që shkoi. E pra edhe Sabahi me origjinën e emrit të tij, hyri në “mëngjesin” e futbollit shqiptar, një talent i ri, i cili ishte vetëm 17 vjeçar. Dhe për herë të parë në Kampionatin shqiptar ka luajtur me Peshkopinë (për Kupën e Republikës, ku bëri golin e parë në fushë). Dhe “Vllaznia” fitoi 3-0. E, pra emri i tij përkoi me origjinalitetin e autoktonisë, pasi në ndeshjen e parë hyri nga futbolli i rrugës, si lindje origjinale e tokës që prodhoi gjenialitetet e papërsëritëshme në futbollin shqiptar. A nuk është me të vërtetë Sabah Bizi një nga futbollistët Strateg të yjeve të futbollit, që çdo ekip i Europës do ta kishte dëshiruar në formacion? Por le të mos i kthehemi pamundësive “mëkatare”, por le të Peshojmë vlerat e talentit, djersës, sakrificës, që Sabah Bizi ndërtoi për vite me radhë në karierën e futbollit shqiptar, portretin e Mitit të legjendës futbollistike shqiptare.

Karierën e filloi në vitin 1965 deri në 1982. Ka zhvilluar 77 ndeshje ndërkombëtare,në të cilat 12 ndeshje me Kombëtaren. Ka shënuar 14 gola. Djaloshi simpatik shkodran, që është lakuar shumë herë në shtypin e huaj, për forcën e potencialit të padiskutueshëm në “luftë” me yjet e futbollit të huaj, dhe që gjithnjë ka fituar, “i privilegjuari”, i besuari i të madhit Loro Boriçi.

      Dhe në fund të karrierës së tij futbollistike, shteti shqiptar i jep Titullin më të lartë “Mjeshtër i merituar i sportit”. Sa pak për një pasuri kaq të madhe kombëtare. S’është iluzion, por një absurditet, pasi jetojmë në një kohë, ku koha shpërdorohet, ose më troç, keqinterpretohet, keqmenaxhohet me vlerat absolute të këtyre emrave të mëdhej të futbollit shqiptar, siç është Sabah Bizi. Dhe koha shpeshherë na vret, duke na lënë pa identitet. Megjithatë duhet të luftojmë me absurdin e kohës, pasi skoriet e saj s’na duhen, dhe vlerat na nevoiten për zhvillimin e kohës që duam të ndërtojmë. Pasi është turp për institucionet e futbollit shkodran, që Sabah Bizi, është trainer i fëmijëve. Është turp për Federatën e Futbollit Shqiptar që Din Zhega, fatkeqësisht është trainer i Besëlidhjes në Lezhë. Dhe trainera të Ekipit të parë emërohen disa emra, që s’kanë qenë as futbollistë të mirë. Disa emra që emërohen nga presidentët e klubeve në Shqipëri, që përveç potencialit financiar, s’njohin as kulturën e futbollit, dhe çdo ditë ja zbehin vlerat futbollit, sepse po neutralizohen brezat e fëmijëve, e ardhmja e futbollit. Duke mos pregatitur me seriozitet dhe mbështetje financiare brezat zinxhir, s’do të kemi prespektivë për nesër në futboll. Ky problem mjaft shqetësues, është edhe shqetësimi i të madhit Bizi, i cili është kthyer edhe një herë fëmij. Pas një faqeje të ndritur në historinë e futbollit, ai shkruan faqen e teknikut në futboll.

Në vitin 1984, emërohet trainer i ekipti “Shpresa” në 1986, shkon trainer me “Veleçikun” për tre vjet në Koplik.

Në 1990 emërohet Drejtor teknik në stadiumin “Loro Boriçi”

1996-1997 – rikthehet tek ekipi i zemrës “Vllaznia” si trainer.

Në 1999-2000 – emërohet sekretar i klubit.

Por si duket, “përplasja” me antivlerat është e zorshme, dhe sigurisht, viktima është vlera. Gjatë 2000-2002, emri i madh, i mjeshtrit gjigand të futbollit shqiptar, u zbeh në pluhurin e harresës me dashje. Sepse nuk është çudi, që Klubi “Vllaznia”, Federata e Futbollit Shqiptar, të bëjë edhe biznes me portretet e të mëdhenjve në futboll, siç i bën bota. Por në arkivat e klubit, apo të Federatës, nuk dihet nëse egziston ndonjë fotografi e tyre, e jo, më për t’i nxjerrë në ankand. Megjithatë edhe kjo neglizhencë e këtyre institucioneve, është normale, që nesër gjeneratat e reja, të mos i njohin me portret më të mëdhenjtë e historisë futbollistike. Por dikush tjetër nuk mendon t’i harroj këto yje të futbollit. Është pikërisht Televizioni Arbëria, që në spektaklin e 10 sportistëve më të mirë të Shqipërisë për vitin 2002, i dha Sabah Bizit Topi i Artë, vlerësim i karierës.

Faleminderit TVA që u kujtuat, për vlerat e kombit.

Gjithashtu, edhe Bashkia Shkodër, po kujtohet për vlerat e qytetit të tij, sepse duke respektuar ata, respekton vetveten, dhe kujtohet se nuk ka zhvillim pa njohur poseduesit e vlerave origjinale që e kanë madhëruar emrin e Shkodrës, kudo që ka shkelur këmba e tyre.

Dhe pikërisht është nisma e Këshillit Bashkiak Shkodër, i mbledhur në dt. 27/1/03, Nr. prot. 1. 2003 në mbështetje të ligjit 7572 dt. 10/6/1992 vendosi, t’i akordojë z. Sabah Bizi, titullin me motivacionin:

      Futbollist i talentuar, i cili dha kontribut të shquar ndër vite në ekipin e futbollit “Vllaznia”. Një nga futbollistët më të mëdhej të të gjitha kohërave në Shqipëri.

27/janar/2003

      Kryetari

      Ndoc Çefa

Edhe gazeta “Shqipëria Etnike” i uron Sabah Bizit, jetë të gjatë e të lumtur me familjen e tij, dhe shpresoj se të gjitha institucionet e shtetit shqiptar të kujtohen, për këto pasuri kombëtare që posedon Shkodra djepi i futbollit shqiptar. Dhe zhvillimi i futbollit shqiptar ka gjithnjë nevojë për eksperiencën tuaj, pasi Koha tani, nuk është që ju të jeni, vetëm një mësues i thjeshtë i edukimit fizik në shkollën 8-vjeçare “Vasil Shanto” dhe një teknik i brezit zinxhir, por ju të zini vendin që ju takno dhe dijet tuaja duhet të thërrasin fort, se zhvillimi i futbollit ka nevojë për specialistë të mirëfilltë, për mjeshtra të mëdhenj si puna juaj, që kanë bërë Epokë në historinë e lavdishme të futbollit shqiptar. Ka ardhur koha të seleksionohen vlerat nga antivlerat.

Përgatiti Fatime Kulli

Digjet shtëpia e Zef Ndrecës

Lagja: Tom Kola, Rruga Canaj, Nr. 133, Shkodër

Këto tre vitet e fundit shumë shtëpia, në qytetin e Shkodrës janë djegur e shkrumbuar. Disa nga energjia elektrike, disa aksidentalisht, dhe disa edhe për motive grabitjeje. Një fat të tillë e ka patur edhe shtëpia ku banonte Zef Ndreca. Në lagjen: Tom Kola, Rruga Canaj, Nr. 133. Si të gjithë shqiptarët, për të mbijetuar (pasi në Shkodër, është sistemi më i ulët ekonomiko-social) shtëpitë e banimit, i kanë kthyer në njësi shitjeje, në magazina mallrash dhe riparimesh. Të njëjtën histori ka edhe shtëpia e Zef Ndrecës, ku edhe banonin, edhe bënin biznes për të jetuar, duke e kthyer shtëpinë e banimit në një magazinë, ku shitnin dhe riparonin Lavatriçe dhe Frigoriferë.

Në ditën e Pashkëve katolike të vitit 2002, shtëpia e Zefit digjet pjesërisht, ku dëmtohet një kënd i magazinës. Në shtëpi jetonte Angjelina, e ëma e Zefit, pasi Zefi me gruan dhe fëmijët nuk janë parë në shtëpi, thonë komshijtë e tyre. Ata mungojnë në shtëpi që nga vera e vitit 2001. Dhe sërish një fatkeqësi e dytë në shtëpinë e Zef Ndrecës. Në orën 100 të mëngjesit flakët frikësuan të gjithë banorët e lagjes “Tom Kola” që u zgjuan të lemerisur nga gjumi, dhe deri në orën 500 të mëngjesit, ku gjithçka e shtëpisë së Zefit, u bë viktimë e flakëve të zjarrit. Motivi i djegies, nuk është shumë i qartë sipas ekspertëve, a është aksidentale, apo dikush kish vajtur për të vjedhur, dhe pastaj i vunë zjarrin. Pasi ekspertët hidhnin hipoteza, se edhe pas përfundimit të flakëve, ndihej era e karburantit, rreth shtëpisë dhe tek ish-magazina. Dhe fatkeqësia më e madhe (pas djegies) është se e ëma e Zefit, Angjelina gjendet e vetme midis katër rrugëve, pasi shteti shqiptar është inegzistent për t’ju përgjigjur fatkeqësive të shtetasve të tij. Dhe kjo shtëpi ishte i vetmi vend-strehim i familjes së Zef Ndreca. Është me të vërtetë për të ardhur keq për Angjelinën, është antihumane për një grua të moshuar, kur e sheh rrugëve të qytetit, duke u ngrysur dhe u gdhirë mëngjesi, pa ndihmën dhe përkrahjen e shtetit, dhe të askërkuj. Zot, ndihmoje për hir të jetës.

Përgatiti Fatime Kulli

Të rinjtë shqiptarë në kthetrat e anarshisë

Kur qeverisën grupe banditësh, hajdutësh, trafikantë, nuk mund të ketë ligje as shtet. Kur kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama, akuzohet haptas në konferenca shtypi nga opozita se është kryesuesi i pastrimit të parave në Ballkan për llogari të Osama Bin Ladenit, nuk mund të thuash se jeta e njeriut, veçmas e kundërshtarëve politikë respektohet. Ajo është tepër e rrezikuar. Kështu, i riu Pllumb Dokaj nga Malësia e Madhe, i datëlindjes 30. 10. 1982, ashtu sikundër shumë të rinj e të reja demokrate, janë dhunuar e kërcënuar me jetë. Në zgjedhjet parlamentare të 24 qershorit 2001, komunistët dhunuan me armë e tritol votën e lirë, Pllumb Dokaj është keqtrajtuar dhe më 26 qershor 2001, pra dy ditë pas zgjedhjeve, është arrestuar dhe ka provuar tortura me prapavijë politike në dhomat e izolimit për 23 ditë. Ditën e arrestimit i është dhunuar banesa dhe sipas burimeve tona, nën pretekstin e një “kontrolli” i kanë shqyer e thyer materialet e shtëpisë. Dhunimi në fjalë është bërë në mesnatë. Pra, një përdhunim që ka ngjashmëri me ato të serbëve në familjet kosovare në kohën e Sllobodan Millosheviçit, vjen e regjistrohet edhe në Shqipëri. Madje edhe sot ky i ri është në listat e zhdukjes, pasi shteti i anarshisë përmes policisë që pa asnjë urdhër nxjerr pistoletën e të vë përpara për të çuar tek gijotina, është në kulmin e bëmave antinjerëzore.

Vrasja nga policia e Korçës e Gazmir Tahirllarit, i cili vetëm pasi u çvarros u vërtetua se ishte mbytur me grushta e shqelma, tregon fytyrën e vërtetë të shtetit.

Denada Kraja

Kosova e trazuar

Janë të shumtë rastet ku jeta e shqiptarëve kërcënohet. Persona të panjohur dhe të maskuar në datën 22. 08. 2000, kanë granatuar banesën e Gazmend Ismajlit në fshatin Beguncë, komuna e Vitës, ku është dëmtuar mbi 80% e vlerës së shtëpisë, e gjeti një banesë në Prishtinë. Edhe atje nuk është i qetë, sikundër tërë Kosova që është e trazuar. Kështu, më datën 03. 07. 2002, në Bregun e Diellit, Blloku 5, hyrja 6, numër 12 në Prishtinë, Gazmend Ismajlit e Shpresa Ismajlit iu hodh një granatë në shtëpi. Nga ekspertët në vendngjarje është konstatuar se banesa është dëmtuar tërësisht. Nga burime të UNMIK-ut, mësohet se këta ngjarje janë organizuar të qëllimshme për të eleminuar pjesëtarët e kësaj familjeje, jeta e të cilëve është më afër vdekjes se sa jetës në Kosovë.

Është edhe një pistë tjetër, ku mendohet se terrori mund të ketë bazë, pasi Gazmend Ismajli është i martuar me grua të kombësisë serbe, së cilës pas përfundimit të luftës në Kosovë, pikërisht më 7 maj 2000 nga persona të panjohur i është vrarë nëna Marta Tunajeviç, trupi i së cilës është gjetur mbas disa kohësh në fusha. Pra, Shpresa Ismajlit i vritet edhe nëna me kombësi serbe dhe kërkohet të vritet familjarisht.

Everest Ymeraj

Largohet nga Shqipëria, se ishte e pasigurtë për jetën

Një ndër gratë e guximshme, që investoi për të drejtat e liritë njerëzore në qytetin e Shkodrës, është demokratja e flaktë Gjystina Ndoc Marashi, e datëlindjes 5/10/1965, lindur dhe banuese në Shkodër. Gjystina ishte pjesmarrëse në shumë demostrata antikomuniste, qysh në fillimet e lëvizjeve për ndryshim të politikës më të egër komuniste që ka përjetuar ndonjëherë rraca njerëzore në botë. Dhe për këtë arsye, ajo është përndjekur nga sigurimsat e shtetit komunist, dhe jeta e saj, e familjes së saj ishte gjithmonë në rrezik. Kujtojmë shpërthimin e luftës civile, në 1997 (të provokuar nga politika e papërgjegjshme e gjakut komunist në Shqipëri), ku sërish pushteti u mor me forcën e pushkës. Jeta e demokratëve ishte në rrezik serioz. Dhe Gjystina largohet nga Shqipëria bashkë me të birin Ledjo Vaid Spahija, i datëlindjes 25/12/1986. Thonë seka shkuar në Amerikë. Në shtetin e ëndrrave të demokracisë botërore. Në shtetin më të fuqishëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Edhe bashkëshorti i saj, babai i Ledjos, Vaid Spahija, thonë se ka vdekur. Por vdekja e tij ka mbetur në hije, pasi, nuk dihen rrethanat e largimit, ku dhe si??? Gjystina Marashi, një grua e respektuar nga shoqëria është anëtare e shoqatës “Shkëndia e Lirisë” e formuar më 14 Janar 1990, do të mbetet si gruaja më e fuqishme, që luftoi me mish e me shpirt kundër bishës së egër komuniste. Dhe tani shtegton si zogjtë e korbit, për pak identitet, të humbur nga mosserioziteti i shtetit aktual shqiptar, që vlen për tu mëshiruar, ku ende vazhdon diskriminimi ndaj demokratëve. Prandaj ata janë të detyruar të bredhin rrugëve të botës. Ky është edhe fati i gruas demokrate Gjystina Marashi. Zoti e ndihmoftë.

Vasel Gilaj

Brekoci i kërcënuar

Në Kosovë, në këtë tragjedi të pashembullt, format ku jeta rrezikohet seriozisht, janë të ndryshme. Dëbimi sistematik i kosovarëve nga trojet etnike, por edhe konfliktet mes vetë shqiptarëve, kanë bërë që atje të furnizohet edhe terrorizmi ndërkombëtar me elemente të rrezikshëm. Është mentaliteti, terreni, varfëria, por edhe mungesa e kulturës që Kosova, Shqipëria, Maqedonia të jenë baza të Al Qaedës. Në fshati Brekoc të Gjakovës, natën e Krishtlindjeve, Prekë Staka dhe Marije Staka dhunohen në banesën e tyre. Përdhunimi ka qenë çnjerëzor, aq më tepër për Marijen që është edhe sakate. Terroristët janë edhe sot ende të panjohur. Por ata, të zemëruar u kanë thënë se do tu djegim me gjithë shtëpi që mos tu gjenden as eshtrat, pasi jeni kristian. Pasi përdhunuesit terroristë iu kanë marrë edhe ato pak para që kanë patur, kanë kërkuar me këmbëngulje të dinë adresën e djalit të tyre Vasel Staka me grua e fëmijë, pasi ata u kanë thënë se Vaselin familjarisht do e pushkatojnë me çdo kusht. Prindërit kanë duruar gjithçka dhe nuk kanë treguar asgjë. Që nga ajo ditë edhe këta dy pleq janë detyruar të largohen nga shtëpia dhe të jetojnë të fshehur tek një kushëri i tyre. Vasel Staka pra kërkohet të pushkatohet nga terroristët. Shenja të tilla në të vërtetë kanë shfaqur shumë kosovarë edhe gjatë kohës së lufës. Ata, megjithëse janë pritur shumë mirë në Shqipëri, në shumë raste edhe janë ulur nga makina kur kanë parë një kryq në kabinë të shoferit. Veprime të tilla aso kohe nuk janë vlerësuar sa duhet, pasi fjala është për vitin 1998. Por gjërat tashmë kanë marrë formë tjetër.

Zog Hysenaj

Kush i “mallkoi” shqiptarët me fjalët t’u dhashtë ika…

Dikur të parët tanë për të mallkuar një njeri, një familje, në fis e tjerë i thonin T’u dhashtë ika, t’u dhashtë ika nga shtëpia, familja e vendi ku ke lindur e jeton, pra nga Atdheu… Ndërsa sot edhe pse jetojmë në fillimet e shekullit 21-të ne shqiptarëve jo vetëm na është dhënë Ika, por si për ironi të fatit, Ika nga atdheu është bërë e vetmja mënyrë e sigurtë për të shpëtuar jetën e rrezikuar nga vetë shteti i sotëm. Jeta në fakt është e rrezikuar për gjithë shqiptarët e ndershëm patriot, por më e rrezikuar është padyshim jeta e të gjithë atyre demokratëve potencial që janë kundërshtarët e përhershëm të çdo lloji komunizmi e socializmi bolshevik, qoftë edhe ai i ardhur për së dyti me grykën e pushkës që në vitin e zi 1997. E shteti i sotëm socialisto-komunist i cili përveç përvojës së tij kriminale gjysëmshekullore, tani ka përvetësuar edhe përvojën e mafies e terrorizmit ndërkombëtar e për këtë është mjaft e shqetësuar Europa e bota demokratike, e cila shprehu edhe në raportin e fundit të Bashkimit Europian, ndërsa pushtetarët komunist jo vetëm nuk shqetësohen, por thirrin në ndihmë Komunistët Kinez të cilët ditët e fundit u takuan me krerët e Partisë Socialiste. E kjo padyshim tregon konseguencën e palëkundur, që edhe në vitet e ardhshme kundërshtarët politik të socialistëve në Shqipëri, do të kenë ditë tepër të vështira. E një “fat” të tillë të mjeruar e ka pasur edhe demokrati i orëve të para, antikomunisti i palëkundur zoti Gjekë Lekë Smakaj, i cili u kujtua (në mungesë) edhe në përvjetorin e 12-të të Partisë Demokratike të Malësisë së Madhe që u zhvillua në Koplik më 10 janar 2003. Por kush ishte ky demokrat që i mungoi këtij përvjetori? E demokrati Gjekë Lekë Smakaj kishte lindur në qytetin Koplik më 29 prill 1957 në një familje me tradita antikomuniste, ku të parët e Gjekës kishin pësuar një persekucion komunist të pashoq. Mjafton të kujtojmë se gjyshi i Gjekës kishte marrë pjesë në kryengritjen antikomuniste të vitit 1945 e për rrjellojë komunistët e kishin pushkatuar. Babai i Gjekës, Leka kishte qenë ndër të parët që kishte kundërshtuar kolektivizimin (kooperativizimin), e për këto kësaj familje i ishte privuar e drejta për punë e shkollim, madje ishte hequr triska e Frontit që të jepte të drejtën për t’u trajtuar si të tjerët. Por edhe në vitin 1967 babai i Gjekës ka kaluar një vit hetuesi vetëm se nuk pranoi të merrte pjesë për të thyer kryqat e varrezave katolike. E këtë persekucion e provoi mbi kurriz edhe vetë Gjeka të cilit edhe pse një nxënës i shkëlqyer ju privua e drejta e arsimit, të cilën e realizoi tepër vështirë e vonë. Gjithsesi ishte kjo jetë e vështirë që bëri që zoti Gjekë Smakaj të bashkohet me lëvizjet antikomuniste dhe Partinë Demokratike që në fillimet e saj 1990-1991, ku padyshim është një ndër themeluesit e PD në Malësinë e Madhe. Zoti Gjekë është pjesëmarrës në të gjitha protestat e demostratat që ka organizuar P. Demokratike në shkallë rrethi e më gjerë, por edhe një përkrahës i flaktë i alternativave të Partisë Demokratike, ndihma e të cilit ka bërë më të sigurtë fitoret e kandidatëve demokrat në trevën e M. Madhe. Gjithsesi pas ardhjes në pushtet të komunistëve të rinj në vitin 1997 zoti Gjekë ka qenë ndër demokratët që shteti komunist kishte vënë në shënjestër. Si fillim komunistët e ardhur në pushtet filluan ti dëmtojnë bizneset e z. Gjekë që i kishte vendosur me djersën e ballit,  ku vlen të përmendet rasti i majit të vitit 1997 kur bandat e policisë së kuqe jo vetëm i grabitën të gjithë mallin, por e keqtrajtuan fizikisht e psikologjikisht. Megjithatë z. Gjekë nuk hoqi dorë nga bindjet e tij antikomuniste, ku në zgjedhjet e 1 tetorit 2000 ka qenë një ndër anëtarët më aktivë të shtabit elektoral të kandidatit demokrat për kryetar Komune z. Pjerin Spathari. Fitorja e alternativës Demokrate i tërboi komunistët ku kishin vendosur prita ndaj komisionerëve demokrat, kur po ktheheshin nga fshati Gradec në furgonin e Komisionerit Ejll Broqi (njëkohësisht edhe djali i hallës i Gjekës), janë qëlluar me breshëri automatiku nga banditët e kuq, duke bërë që të plagoset vetëm Ejlli, por edhe të shpëtojë me ndihmën e zotit, Gjeka… Pas kësaj kërcënimet e keqtrajtimet fizike e psikologjike nuk reshtën, por demokrati Gjekë nuk u lëkund edhe pse filluan t’i plaçkisin e grabisin edhe ato pak biznese që i kishin shpëtuar. Madje edhe në zgjedhjet parlamentare të 24 qershorit 2001, zoti Gjekë ka qenë një ndër titullarët e shtabit elektoral të deputetit demokrat Gjovalin Bzheta. Fitorja e deputetit demokrat duket se tërboi komunistët në pushtet, ku me një egërsi të paparë jo vetëm filluan të kërcënojnë me telefonata anonime, por e detyruan ta mbyllë aktivitetin e tij e shtëpinë për tu larguar nga familja e Shqipëria, për të shpëtuar jetën tashmë të rrezikuar seriozisht. E ky rrezik duket do vazhdojë gjatë, derisa në Shqipëri të lulëzojë në pushtet fara e kuqe komuniste.

Sokol Pepushaj

UNMIK-u në “gjunjë” para krimeve në Kosovë

Që nga ajo ditë e bekuar e vitit 1999 kur Kosova u çlirua nga kolonizatorët serb, shqiptarët kudo që janë lusin Zotin e ëndërrojnë për ndërtimin e një shteti të lirë e demokratik, ku të ketë vend për të gjithë banorët e Kosovës, pavarësisht nga raca, kombësia, besimi apo bindjet politike. Por mjerisht përkundër kësaj dëshire një dorë e padukshme çdo ditë shkakton viktima e derdh gjak të pastër të banorëve të pafajshëm të Kosovës. E fatkeqësisht kjo dorë kriminale megjithë punën e vazhdueshme të UNMIK-ut dhe organeve të tjera të sigurisë jo vetëm nuk po ndalet, por po merr përmasa të hatashme. Padyshim vrasja e Tahir Zemës (drejtues i UÇK-së) me djalin e tij dhe kushëririn janë rastet më sinjifikative të kësaj vale të re krimesh e përndjekjesh që mjerisht kudo që kryhen kanë në shënjestër shqiptarë të dyshuar si gjoja “tradhëtarë” të Kosovës e bashkëpunëtorë të serbit, por edhe kundërshtarë politik të forcave politike të dala nga segmente marksiste të UÇK-së, e si për ironi të fatit këto vrasje lënë gjithnjë “kartvizitën” Vdekje tradhëtarëve të UÇK-së. Madje kur UNMIK-u ka arrestuar ose kërkuar të arrestojë element kriminal ose të dyshuar të tillë, si me magji qindra mijëra qytetarë të Kosovës kanë protestuar kundër UNMIK-ut e forcave të sigurisë, se gjoja po arrestohen pjestarë të “lavdishëm” të UÇK-së, çfarë jo pak ka mjegulluar misionin e vërtetë të sigurisë në Kosovë të këtyre organizmave ndërkombëtare.

E këto raste ne si gazetë “Shqipëria Etnike” sa herë kemi vizituar Kosovën jo vetëm i kemi konstatuar, por për to kemi shkruar me qëllim që të sensibilizojmë sadopak opinionin kombëtar e ndërkombëtar për t’i thënë ndal këtij kanceri që çdo ditë bren nga pak trupin e brishtë të Kosovës. E unë si gazetar këtë rradhë zgjodha emrin e një kosovari mjeran që kishte braktisur vendin e tij aty rreth muajit Korrik 2000 pikërisht se kërkohej nga grupet ekstremiste që veprojnë nën siglën UÇK. E ky mjeran ishte i riu Bekim Lekaj i datëlindjes 1 maj 1979 i lindur në Morin të Gjakovës, ku të afërmit e tij na treguan historinë e këtij e familjes së tij që tashmë thuajse kishte mbetur një hiç… Një hiç pasi shtëpinë e tyre në Morinë ia kishin hedhur në herë, madje i kishin vrarë e masakruar babanë e nënën, për të cilët UÇK-ja dyshonte se ishin bashkëpunëtorë të serbit, e “fakti” ku bazoheshin ishte se nëna e Bekimit ishte me origjinë Gorane, e Goranët njihen si të afërt me serbët. Gjithsesi edhe vëllai i Bekimit ishte i larguar në drejtim të paditur, e ndoshta edhe nuk jetonte më pasi grupet e UÇK-së nuk e kërkonin më… Ndërsa Bekim Lekaj jo vetëm ende kërkohej, por për çudi të afërmit e Bekimit kishin arritur të kapin edhe në fotografi me të cilën e kërkonin këto grupe ekstremiste që gjithnjë përdorin siglën e UÇK-së. E këtë fotografi së bashku me këto të dhëna po e botojmë, por duke ruajtur “identitetin” e atyre që na i siguruan, se përndryshe edhe ata rrezikohen nga këto grupe ekstremiste. Të duket e pabesueshme por që në vitin 1998 kur filluarn të organizohen njësitet e para të UÇK-së, i riu Bekim Lekaj që ishte afruar pranë këtyre njësive ushtarake filloi të dyshohej nga drejtuesit e atyre njësive, ku shpesh ishte përballur me fyerje e provokime, si ej more ti Gorani i ndytë mos na spiuno tek serbët se të presim gjuhën, të varim e tjerë, deri një ditë që ishte detyruar të largohej nga këto njësi të UÇK-së. Por pas kësaj kishte filluar furia e vërtetë e përndjekësve që e kishin detyruar të ikin siç thamë më sipër nga Kosova. Gjithsesi këtë familje tashmë thuajse të shpartalluar e qanin me lot çdo ditë të afërmit e fqinjët e tyre, pasi e konstatonin se ende kërkohej të asgjësohej edhe pinjolli i vetëm i mbetur nga familja Lekaj, ku grupe të UÇK-së që kryesisht lëvizin natën në errësirë kontrollojnë zonën përreth, madje edhe kërcënojnë të afërmit për tu treguar nëse Bekimi kthehet ndonjëherë në Kosovë. Gjithsesi me lot ndër sy i thanë gazetës sonë se shpresonin se Bekim Lekaj është diku gjallë, e këtë e bazonin se jo vetëm e kërkonin këto grupe militare, por kishin shpërndarë edhe fotografi për ta njohur e kapur e fati… dihet. Por ata uronin që kjo kurrë të mos ndodhte… E duke shpresuar në sensibilizimin e opinionit sadopak edhe ne si gazetarë urojmë që jeta e këtij të riu kosovar mos rëntë kurrë në duart e këtyre kriminelëve me çfarëdo sigle qofshin…

Ndue Bacaj

Emigrimi dhe mjerimi, bashkëudhëtarë të përhershëm të shqiptarëve

Padyshim Shqipëria është vendi më fatkeq i Europës që ka përcjellë me dhimbje ndër shekuj bijtë e bijat e saj, duke i shpërndarë (pa dëshirën e saj) si zogjtë e korbit nëpër dhena të huaja. E këto emigrime kanë filluar që heret me pushtimet romake… sllave, e mbi të gjitha otomane, por edhe pas vendosjes të sistemit komuniste (1944-1990). Gjithsesi emigrimet vazhduan edhe pas ardhjes së pluralizmit, por tashmë kishin thjeshtë karakter ekonomik. Ndërsa pas rikthimit në pushtet me revolucion tipik bolshevik në vitin 1997 komunistët e ri, Socialist, rikthyen bashkë me vehten edhe emigracionin për motive politike. E ky emigracion, që siç thotë populli për jetë a vdekje, i përket pjesës demokratike të popullsisë e veçanërisht rinisë, hovit dhe energjisë së vendit e demokracisë, pjesë tragjike e së cilës është zonja Mirela Bejto Zekaj (Selgjekaj) e lindur në Koplik (rrethi Malësi e Madhe) me datën 30 nëntor 1983 në një familje me tradita të hershme antikomuniste, ku prindërit e saj ia kishin trashëguar edhe kësaj vajze malësore, e cila nën shembullin e prindërve të saj kishin përkrahur Partinë Demokratike në veçanti e forcat e djathta në përgjithësi. Aktiviteti i të resë Mirela kishte filluar që herët në bankat e shkollës tetëvjeçare, por duke u rritur kjo e re rritej së bashku me alternativat e P. Demokratike e cila luftonte në opozitë me forcat e territ e tmerrit të komunistëve të rinj të cilët më 12 shtator 1998 vranë liderin e Demokracisë, heroin e pluralizmit, idhullin e rinisë demokrate zotin Azem Hajdari. E padyshim zemërimi i demokratëve të rinj e të vjetër përfshiu edhe trevën simbol të antikomunizmit M. Madhe, e cila organizoi shumë protesta e demostrata ku vlen të theksohet ajo e organizuar në qendër të Koplikut, ku nismëtarë ishin nxënësit e shkollës së mesme Koplik me në krye anëtaren e forumit rinor të P. Demokratike Mirela Zekaj (Selgjekaj). Kjo demostratë u zhvillua një ditë pas vrasjes së Azem Hajdarit, pra më 13 shtator 1998, ku në parullat kryesore që mbanin demostruesit dalloheshin ato Poshtë Komunizmi, Qeveritarë socialistë jeni kriminelë, Azem Hajdari është gjallë, Azem Hakun do ta marrim ne e tjerë. Për çudi për momentin demostruesit nuk i shpërndau policia, por i vrojtonte me anë të spiunëve të saj, ku sapo demostruesit u shpërndanë në mënyrë paqësore filloi arrestimi i disa prej tyre ku një ndër ta kishte qenë edhe zonja Mirela e cila pasi u dërgua në polici jo vetëm është rrahur e torturuar mizorisht, por edhe psikologjikisht, ku i është thënë se parulla që keni mbajtur ka qenë më kundra nesh se asnjëra, pasi ajo lexohej “Poshtë komunizmi”, ku ti këlyshe e demokratëve ishe me këtë parullë në radhët e para, madje për këtë ata i treguan edhe fotografinë që e kishin bërë policët sekret.

Natyrisht pas torturave do ta lironin këtë demostruese, por me një mënyrë “origjinale” komuniste, pasi nga komisariati i policisë e tërheqin zvarrë, duke e qëlluar e fyer publikisht. Kulmi i kërcënimeve arriti me datën 2 tetor 2000, pra një ditë pas zgjedhjeve lokale, kur kjo e re me disa shokë të saj kishin zbuluar “skemën” e Partisë Socialiste se si do tu vidheshin votat kandidatëve demokratë. E këtë skemë që do të kthente fitoren në favor të kandidatëve socialistë znj. Mirela e raportoi menjëherë tek Partia Demokratike e aleatët e djathtë.

Tashmë komunistët në pushtet nuk mund të “falnin” më Mirelën, e për këtë filloi furia e kërcënimeve, fyerje e telefonatave “anonime”, madje për të shpëtuar nga incidente të mundshme familja u detyrua të bëjnë që jeta e kësaj të reje të jetë larg syve të publikut e vigjilentëve të P. Socialiste, pra thuajse të bënte një jetë ilegale, derisa një ditë nuk duroi dhe prindërit e saj Bejtoja e Lirija u detyruan të paguajnë mijëra dollarë për ta nisur si ilegale nga aeroporti i Rinasit, ku edhe këtë “shërbim” dhe dollarët i menaxhuan punonjës të administratës të korruptuar të shtetit socialist. E kjo datrë fatkeqe për këtë familje është 25 dhjetori i vitit 2001, ditë nga e cila u ndanë prindërit me Mirelën, e që nga ajo ditë thuajse nuk ka asnjë telefonatë apo letër, madje dyshohet se letrat së nisen nga Mirela për tek prindërit pasi lexohen nga punonjësit e SHISH-it (si dikur nga sigurimi i shtetit), asgjësohen e bashkë me këto letra asgjësohet çdo ditë nga pak jeta e kësaj familje fatkeqe, e cila ka të vetmin “faj” se nuk duan asnjë lloj komunizmi të vjetër apo të ri.

Albert Vataj

Frika e gjakmarrjes

Quhet Sherif Zog Hasaj. Ka lindur në fshatin Golem të komunës Rrethina, rreth 3 kilometër larg qytetit të Shkodrës, më 17 dhjetor 1966. Asnjë lloj krimi nuk ka kryer, e megjithatë detyrohet të braktisë vendlindjen, për hir të kanunit të maleve, i cili në këto dhjetë vite të vështira është ulur këmbëkryq e bën ligjin në kushtet edhe të mosfunksionimit total të strukturave të shtetit. Një grindje e çastit në lokalin e shtetasit Fadil Zog Hasaj, vëllai i Sherifit, është zanafilla e një serie konfliktesh mes familjes Hasaj e Çuni, që janë shoqëruar me plagosje nga të dy palët, e deri me vdekje në pjestarët e familjes së Gjergjit. Konflikti ka nisur në janar të vitit 2001, ku si pasojë e përdorimit të armëve kanë mbetur të plagosur vëllezërit Fadil e Sherif Hasaj. Ky i fundit si pasojë e përshkimit të plumbit në gjurin e djathtë ka patur shkëputje muskuli dhe pas ndihmës së parë në spitalin e qytetit, për arsye sigurie ka vazhduar mjekimin në shtëpi. Por ngjarja nuk përfundon këtu. Me datën 20 janar 2002, Fadil Hasaj hakmerret duke plagosur rëndë shtetasin Gjergj Çuni, i cili më pas vdes, duke lënë hijen e rëndë të hasmërisë të pambyllur mes këtyre dy familjeve. Qysh nga ajo ditë e gjithë familja dhe të afërmit e fisit Hasaj, detyrohen të mbyllen në kullat e ngujimit. Asnjë rezultat deri më sot nuk kanë dhënë edhe përpjekjet e misionarëve të paqes, kryesisht në nismën e tyre humane për lënien e lirë të fëmijëve dhe personave të pafajshëm. I gjendur në kushte të tilla, kur pushka e gjaksit rrin ngrehur mbi të ose mbi pjestarët e familjes, Sherifi ka gjetur mënyrën dhe është arratisur nga Shqipëria, për t’u vendosur në një shtet ku jeta dhe liria e njeriut garantohen me ligj. Janë me qindra raste të tilla, si e Sherif Zog Hasaj në trevat e veriut shqiptar. Pra, frika nga vrasja në mungesë totale të ligjit detyron shumë shqiptarë të pafajshëm të braktisin vendlindjen. Një realitet i dhimbshëm dhe tragjik në fillmshekullin e ri.

Rifat Ymeri

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu