Nr. 42 i gazetës në print

0
Kokaweb
Bota tepër e vogël përballë Amerikës

-Hajde të kalojmë urën bashkë, – i tha elefanti një pleshti.

Ashtu bënë, pleshti që kish hipur në vesh të elefantit, kur kaluan urën, thotë:

-U tund ura nën peshën tonë. Elefanti e falenderoi. Në udhë kishin edhe dy ura të tjera. Edhe të dytën e kaluan bashkë. Në të tretën pleshti e la elefantin vetëm. Biles edhe iu kërcënua të mos e kalonte urën.

Ja, kështu e konceptojmë ne ndarjen pro dhe kundër luftës mbi Irak. “Urat” drejt paqes, drejt jetës së lirë dhe prosperitetit në tërë globin ishin “tundur” bashkë. U nda Gjermania, Rusia, Franca e i hëngri fjalët Turqia. Biles edhe iu kërcënuan forcave aleate. U zemëruan keq vendet arabe për të cilat propaganda jonë deri para ca kohësh çirrej se janë shumë të fuqishme, shumë të pasura. Po le të flasim seriozisht, me fakte që besojmë s’ka asnjë budalla që mund t’i kundërshtojë. Amerika sot ka 4% të popullsisë së botës. Por ama fiks 25% të prodhimit botëror. Vendet islamike kanë 25% të popullsisë së botës dhe fiks 4% të prodhimit botëror. Edhe ky katër përqindësh do ishte i mjaftueshëm të paktën për të ngrënë bukë, por administrimi nën një diktaturë është ekstrem. Tashti, sikur të përjashtohet nafta, vendet islamike të tëra së bashku kanë një prodhim diçka më pak se Finlanda. Po Turqia që të paktën shqiptarët e njohin shumë të fuqishme, cila është?

Prapë ne na pëlqejnë faktet.

Ka një popullsi prej 65.7 milion banorë dhe një vdekshmëri foshnjore prej 35.3 për njëmijë. Të papunë janë 5.3 milion të popullsisë së aftë për punë, pasi fëmijët nën moshën 12 vjeç që shfrytëzohen kafshërisht në punë të vështira e me shpërblime as për të ngrënë bukë thatë, kalojnë shifrën e dy milionëshit. Pagesa mesatare në Turqinë e “fuqishme” është 122 milion Lira Turke ose 84 dollarë në muaj. Analfabetizmi është sot fiks 25% tek gratë dhe 7% tek burrat, pa folur për fëmijët. Borxhi i jashtëm i kësaj Turqie të “fortë” është prapë fiks fare 104.3 miliardë dollarë, ndërsa inflacioni 81.4%. Arsenali ushtarak që ne e dimë tepër të fortë është prapë fiks fare ky: 4500 blinda, 4200 topa, 4000 tanke, 60 helikopterë, 126 anije luftimi. Ja pra, kaq dhe vetëm kaq.

Po ato të tjerat që i lanë vetëm në “Urë” forcat shumëkombëshe? Eh, tepër të vockla përballë Amerikës. E tundin urën në “veshin” e Amerikës apo jo?

Po Shqipëria jonë ku po “lundron”, pasi po flitet shumë kafeneve këto kohë?

Po, e ndjejmë veten krenar se jemi shqiptarë, pasi në Evropë futesh vetëm përmes Amerikës, përmes zotit të kësaj toke. Nëse Evropa don t’ia japë Shqipërisë “çadrën” në verë dhe t’ia marrë në dimër, Amerika ka çadra për tërë Globin. Ajo ka “çadra” paqeje, jete, ndërgjegjeje.

Editorial nga Sokol Pepushaj

Opinion

Rrethi vicioz

Në mjekësi (fushës së cilës i përkas) ka një rregull që përmblidhet në termin “rrethi vicioz” ose rrethi i keq. Po, çfarë është ky “rrethi i keq”. Me pak fjalë, kur organizmi sulmohet nga një virus; shfaqet gripi; gripi lë si pasojë një bronkopneumoni; bronkopneumonia shkakton dëmtime në zemër; dëmtimi i zemrës sjell rritje të tensionit… etj.

Ky rreth shkak-pasojë-shkak e në vazhdim sjell një rreth në formë spiraleje që sa vjen dhe ngushtohet deri në një pikë kur organizmi i dorëzohet shkakut që përmbledh të gjitha shkaqet me përfundimin e kuptuar: vdekjen e tij (organizmit).

Pak a shumë kështu po ndodh edhe me shoqërinë shqiptare, pavarësisht se spiralja nuk ka dhe nuk mund të shkojë aq larg si ndodh me organizmin e njeriut apo të kafshëve.

Politika, kjo “e keqe e domosdoshme” në jetën shoqërore është shembulli më sinjifikativ i rrethit vicioz. Edhe historikisht po ta vështrojmë, asnjëherë nuk ka patur një ekuilibër dhe respekt reciprok midis aktorëve të politikës, por vetëm poshtërime dhe shkatërrime të ndërsjellta. Faktet nuk të lënë të lëvizësh. Që nga shpallja e shtetit shqiptar, më 1912 e deri në kohën e sotme konfliktualiteti i tejskajshëm është trashëguar me shumë “korrektësi”. Ky konfliktualitet aspak miqësor, por mjaft primitiv, tipik ballkanik, nuk i ka shërbyer përforcimit, por të kundërtës: mbetjes në vend apo ecjes përpara me ritmin e “breshkës”.

Nga 1912 deri 1924, koha e turbullt në të gjithë globin, dhe vështirësitë e para të shtetformimit nuk i “lanë” kohë politikës shqiptare dhe aktorëve të saj të merren me njëri-tjetrin. Nuk ishte ndonjë periudhë e artë por disi e qetë për shkak të turbullirave mbarëbotërore (Lufta e Parë, progresi i hovshëm kapitalist etj.). Më 1924 erdhi qeveria e Qershorit me Nolin, patriot, demokrat, klerik të nderuar. Por jetëgjatësia e shkurtër politike solli Ahmet Zogun si kryetar të shtetit të shqiptarëve. Për hir të së vërtetës, Zogu vuri themelet e konceptit mbi shtetin e ri shqiptar, por me kundërshtarin e vet politik, simbolin e opozitës, Nolin “u mor” seriozisht duke e degdisur jashtë atdheut të vet deri sa vdiq i tretur në dhe të huaj. Kjo “përkujdesje” midis atyre që hipnin dhe zbrisnin në pushtet u trashëgua gjithnjë dhe sot shihet modeli më i mirë i saj.

Më pas, kur Zogu “iku”, “e ikën”, apo “u iku” dhe erdhën komunistët, tashmë ajo dihet. Dëshmitë se çfarë ndodhën nëpër 50 vjet janë të gjalla dhe autentike. Të parën “vepër” që bëri E. Hoxha ishte dekreti i moskthimit në atdhe të mbretit të vetëshpallur, Zog, derisa ky i fundit, ashtu si edhe kundërshtari i tij politik Noli, vdiq jashtë atdheut.

Me Enver Hoxhën, rrethi vicioz u ngushtua aq shumë saqë po të mos frynte jo “erë” por “murlani” i demokracisë, një zot e dinte se ku do të përfundonte. Kundërshtarët e vet politik i masakroi në mënyrë të kulluar duke i burgosur, torturuar dhe vrarë si të mos ishin njerëz, por kafshë pylli, vetëm e vetëm se ato mendonin ndryshe nga ai, kishin mendim të lirë nga ku rrjedh dhe liria për të jetuar e punuar sipas modelit të demokracisë perëndimore.

Me vdekjen natyrale të këtij aktori të politikës shqiptare, një udhëheqës tjetër e zëvendësoi, tip Gorbaçov, Ramiz Alia, si i fundit aktor komunist në Shqipëri. Alia i ndodhur midis dy palëve: nga njëra anë të atyre që kishte “bashkëngrënë” tërë jetën dhe të një pale që shihte progresin nga perëndimi i artë, mund të dilte disi pa u “lagur”.

Në të vërtetë, pavarësisht nga nëpërkëmbjet tipike shqiptare midis kundërshtarëve politikë, ai mbetet një udhëheqës politik i pranueshëm për kohën por me një personalitet të dyshimtë politik.

Kur demokrati Berisha “pushtoi” fronin e pushtetit, instinkti i rrethit vicioz, ndonëse e njihte mirë (Berisha vjen nga fusha e mjeksisë), për hir të traditës me sa duket, u shfaq shpejt. Kështu edhe ai, Berisha, “u përkujdes” për paraardhësit e vet e kundërshtarët politikë. Diktatori u zhvarros, Ramiz Alia si dhe shokët e tij të politikës u burgosën, iu bënë edhe gjyqe, të cilat përfunduan në të ashtuquajturin “gjyq të kafeve”.

Më pas, Berisha, me gjithë bagazhin intelektual të padiskutueshëm, lëvizjet e tij politike degjeneruan në burgosjen e kundërshtarit të përjetshëm politik, kryeministrit të sotëm, Fatos Nano, në largimin nga PD-ja të gjithë themeluesve të saj. Këto lëvizje tejet të gabuara jo vetëm që nuk sollën gjë të re, por përkundrazi zotit Nano ia rriti vlerat, ish-themeluesit krijuan Parti-bija të PD-së, duke çorientuar në një masë të madhe të gjithë votuesit e djathtë. Njëkohësisht pushtetarët e atëhershëm (të PD-së) iu vërsulën djersës dhe mundit të të gjithë shqiptarëve kush e kush të ketë copën më të madhe. Mungesa e shtetit solli lulëzimin e krimit jo vetëm ordiner por edhe atij të organizuar. (Mungon shteti, gjallërohet krimi – ja rrethi vicioz – gjallërohet krimi, dobësohet shteti).

Ekspertë të krimit në botë kanë konfirmuar më se një herë se bota e krimit nuk ka nevojë për përkrahje financiare, atë e siguron vetë, prandaj është krim, me vjedhje, trafik droge, trafik që qenieve njerëzore, prostitucion, pastrim parash etj. Ajo që i mungon krimit është përkrahja morale dhe këtë veç politika askush më mirë nuk mund t’ia japë. Madje shtypi i huaj dhe vendas kanë bërë të ditur praninë e bandave kriminale që përkrahen qoftë nga të majtët apo të djathtët.

Pra, Berisha, udhëheqës me trup e pozicion perëndimor, por me psikologji të frymës lindore shumë shpejt nga “froni” kaloi në opozitë, ku për fat të keq ende vazhdon të ecë në të njëjta linja.

Shumëkush mendon se kur Berisha erdhi në pushtet, në psikologjinë e tij ka lëvizur mendimi “Komunistët e mbajtën 50 vjet, ne të paktën 25 po”. Edhe nga socialistëtnë të njëjtën mënyrë arsyetojnë: “Të paktën thonë ata, 12 vjet do ta qeverisim ne”.

Kur në mendjen dhe psikologjinë e atij që ka fronin e qeverisjes të konsolidohet brindja se pushteti po nuk qeverise mirë nuk mund ta mbash jo 4 vjet që të mandaton populli, por as edhe 4 muaj, atëherë ndihesh në një sistem të vërtetë demokratik.

Klasa politike e sotme, majtas e djathtas është në të njëjtin nivel ndotjeje: rrethit vicioz me ose pa ndërgjegje veçse ia shtojnë spiralet deri atëherë kur votuesi të jetë i ndërgjegjshëm se me votën e vet po bën një hap sigurtë për atë që e hedh.

Mbi të gjitha për t’i prerë hallkat e rrethit vicioz, nga klasa politike kërkohet vullnet i sinqertë për të ndërtuar shtet, sakrificë pushteti në emër të shtetit për të cilët kemi nevojë ne shqiptarët që po përjetojmë një proçes lindjeje mjaft të vështirë të demokracisë.

Mark Preçi

 

Shekulli i grave

-Një veprimtari e bukur e Konsullatës Italiane-

Para disa ditësh, në qendrën kulturore “Hapa të lehtë”, Konsullata Italiane në Shkodër organizoi një veprimtari domethënëse. U diskutua libri i gazetares dhe shkrimtares së njohur italiane Elena Doni “Shekulli i grave”. Së bashku me fotografen Manuela Fugenzi, gazetarja e njohur e RAI-t, Elenda Doni, duke botuar këtë libër, i cili pati jehonë të madhe dhe pritet botimi i dytë, sepse i pari ushit menjëherë, ngritën para shoqërisë italiane një problem jetik, atë të gjendjes aktuale shoqërore të gruas italiane, duke parakaluar rrugën një shekullore të saj dhe duke ngritur para opinionit publik pyetjen: “A është e kënaqur gruaja italiane sot? Cilat janë pengesat që e ndalojnë atë për të qenë vërtetë e barabartë me burrin në të gjitha aspektet politike, shoqërore dhe ekonomike?”

Ishin mbledhur dhjetëra gra shkodrane në këtë diskutim të librit në fjalë. Gra intelektuale dhe gra shtëpiake. Ishte edhe autorja e librit aty. Ishte edhe Konsulli Italian, Dr. Stefano De Leo me stafin e konsullatës. Dhe diskutimi u ndez i zjarrtë dhe i sinqertë, sepse rruga një shekullore e gruas italiane ishte pothuaj e njëjtë me atë të gruas shkodrane në veçanti dhe shqiptare në përgjithësi. Ndryshimi ishte se shumë nga aspektet negative të simotrave të tyre italiane atje janë superuar, jeta e tyre në këto aspekte ka avancuar, ndërsa këto probleme janë ende prezente në vendin tonë.

Përmes diapozitivave fotografitë e paraqitura tingëllonin aq aktuale për gruan shqiptare sot, saqë me të drejtë u ndez diskutimi se ç’duhet bërë dhe si duhet luftuar që barazia mes burrit e gruas të jetë në nivelin e dëshiruar.

Në një pasazh të librit thuhet: “Ndryshimet e ndodhura gjatë shekullit 20, është e vërtetë se i kanë dhënë grave mundësinë për të zgjedhur jetën e tyre: në punë, në martesë e, për herë të parë në histori edhe për planifikimin familjar. Zgjedhja mbart me vete edhe përgjegjësinë, e kjo përgjegjësi për shumë gra është një peshë e rëndë. Po a është kjo, pikërisht liria e tyre?”

Ky pasazh të bën të mendosh, të bën të diskutosh, të bën të kërkosh rrugëdalje. Aq më tepër për gratë shqiptare. Aq më tepër dhe më specifike për gratë shkodrane, e sidomos për pjesën rurale të tyre. Ndaj edhe u diskutua gjatë.

Një grua tregoi: “Burri im është banakier në një lokal. Gjithë ditën lan pjata, filxhanë, lugë… Por, kur vjen në shtëpi e quan për fyerje të lajë qoftë edhe një filxhan. Ky është një koncept maskilist, për të mos thënë zakonor, kanunor.”

Ky shembull domethënës tregon se gruaja shqiptare vuan ende në kurriz mosbarazinë në familje dhe kjo mosbarazi është një peshë e rëndë që ia dyfishon asaj punën, nëse duke punuar në një zyrë, fabrikë apo në infrastrukturë, ajo sjell po aq të mira materiale se edhe burri. Pikërisht pabarazia në familje është një problem që duhet ngritur me forcë. Dhe këtë mund ta bëjë vetë shoqëria, shkolla, kultura, arti e pse jo edhe politika.

Një tjetër grua intelektuale, duke pranuar mosbarazinë dha edhe shembuj pozitivë në qytetin tonë të shumë figurave femërore që kanë bërë emër në jetën shoqërore dhe politike, në art, në shkencë, në kulturë. Por, ajo ngriti dhe një problem interesant. Atë të luftës që duhet të bëjë vetë gruaja për të drejtat e saj. Të mos presë gjithmonë që këto të drejta t’ua sigurojnë të tjerët, pra meshkujt.

Intelektualet e shumta pjesëmarrëse, të sferave të shkencës, artit e kulturës, e sidomos përfaqësuese të mediave panë në këtë diskutim një platformë që duhet të jetë gjithnjë e hapur për ta. Dhe kjo ishte e bukura e këtij promovimi domethënës. E këtë e kuptoi edhe autorja e librit, zonja Elena Doni. Këtë e vlerësoi në fjalën e tij edhe konsulli italian De Leo.

Dhe unë, duke përgëzuar Konsullatën për këtë veprimtari, do ta lusja që të mos i rreshtte, sepse janë shumë më me vlerë sesa disa veprimtari të tjera që organizohen. Sepse ngjallin debat dhe ku ka debat, ka edhe shqetësim të ligjshëm qytetar.

Fadil Kraja

 

Tahsimi, Altini e Jetmiri, tre akuza

Aktualisht sot në Shqipëri pushtetarët jo vetëm që kanë nostalgjipër të kaluarën diktatoriale, por propaganda e politika janë të mbytura deri në fyt me faje, me krime, me diferencime, me korrupsion. Të goditurit padrejtësisht nga segmente të ingranazheve të shtetit, sikundër janë në rastin tonë konkret Tahsim Halit Halili dhe dy dhëndrrat e tij Altin Fejzi Grizhja e Jetmir Muho Bushataj, përbëjnë një akuzë më shumë për këtë shtet që shkel përditë e përnatë hapur të drejtat e liritë më elementare të jetës me kundërshtarët politikë. Jeta e këtyre tre personave sot është e rrezikuar vetëm e vetëm se kanë investuar për liri, për demokraci, për një shoqëri me subjekt perëndimor. Më konkretisht, Tahsim Halili, sipas numrit 925 të protokollit të Shoqatës Politike Antikomuniste “13 Dhjetori 1990”, anëtar e veprimtar i të cilës është, është përfshirë në demonstratat politike antikomuniste të 14 janarit 1990 për rrëzimin e bustit të Stalinit, 16 qershorit 1990 kur populli i Shkodrër përcolli kufomën e dëshmorit të parë të demokracisë shqiptare Pëllumb Pëllumbi të vrarë në kufi pasi u dorëzua si i kapur në Hot, 13 dhjetorit 1990, kur shtatorja e Enver Hoxhës u shemb përdhe, të 2 prillit 1991, kur u protestua në Shkodër kundër votëvjedhjes dhe u vranë katër vetë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu e Besnik Ceka dhe u plagosën rëndë 163 të tjerë. Në këtë të fundit, Tahsimi u dhunua nga forcat e errëta të sigurimit të shtetit, nga ata pra që vranë e plagosën dhe ende sot nuk janë dënuar për krimet. Viti 1997 Tahsimin do ta përfshinte në ruajtjen e institucioneve të shtetit nga rrebelimi komunist, ndërsa 14 shtatori 1998, dita kur u varros ish-deputeti Azem Hajdari do të regjistronte arrestimin politik, do të regjistronte rrahjen kafshërore për tre orë pa asnjë bazë ligjore dhe do të niste kalvari i zi, ku mëpastaj kërcënatat se do të zhduket fizikisht me gjithë familje kanë qenë të vazhdueshme. Por ky demokrat rridhte nga një familje e persekutuar, e internuar në Tepelenë dhe ku të drejtat themelore të jetës si punësimi, shkollimi etj., i ishin mohuar. Mohuar ashtu sikundër liria, ku në vitin 1987 ishte dënuar me 10 vjet burg politik. Kështu edhe dy dhëndërrat e tij u bënë viktima të dhunës e kërcënatave për jetën. Dhëndrri i tij Altin Fejzi Grizhja, lindur më 21. 08. 1975, ka marrë pjesë përkrah Tahsimit në të gjitha demonstratat e protestat antikomuniste. Edhe ky djalosh rrjedh nga një familje e internuar në Hajmel, nga një familje që i është konfiskuar pasuria, nga një familje antikomuniste, ku babai i Altinit në vitin 1990 është shquar si iniciator i hapjes së lirisë së fesë. Ndërsa në pranverën e vitit 1997, kur pushteti u uzurpua me dhunë, Altin Grizhja, sikundër edhe baxhanaku i tij Jetmir Bushataj u rreshtuan krah atyre forcave që u përpoqën të ruajnë institucionet e shtetit demokratik. Më 30 shkurt 1997, Altini gjatë një mitingu paqësor të Partisë Demokratike në Shkodër, është keqtrajtuar, ashtu sikundër Jetmir Bushataj që më 14 shtator 1998 provoi shkopinj gome, grushta e shqelma nga policia. Jetmiri për tre orë që ishte i arrestuar u rrah, u fye, u kërcënua se në të ardhmen do vritej së bashku me të afërmtit, ku edhe sot pasojat e atij kërcënimi janë evidente, pasi komunistët hakmerren egër, jashtë normave ligjore apo logjike. Edhe Jetmiri ishte pjesëmarrës në tërë protestat antikomuniste, edhe ai pinjoll i një familjeje të persekutuar, të internuar për tre vjet në Shtyllas të Fierit, i diferencuar, në protestën e 2 prillit 1991 u dhunua si shumë bashkëmoshatarë të tij, por që pati një fat që nuk u vra.

Ja pra, këta tre demokratë, Tahsim Halili, Altin Grizhja dhe Jetmir Bushataj nga pasiguria për jetën e tyre dhe të familjeve të tyre sot janë larguar nga Shqipëria, nga kjo Shqipëri për të cilën investuan dhe sakrifikuan dhe të cilën po e Lojnë çdo ditë e më keq pushtetarët e lidhur me krimin, me korrupsionin.

Sokol Pepushaj, Albert Vataj

 

Parlamenti i Dushkut

Në vitet e monizmit, të gjithë djemtë e të persekutuarve politikë e kanë mbaruar ushtrinë në repartet e punës ku ishin. Më i vuajturi repart pune ishte rep. 2200 në Dushk të Lushnjes, në afërsi të qytetit të Lushnjes. Këtu kanë punuar nëpër kanale, në vreshta, në bujqësi, në kënetën e Tërbufit, pra kemi kaluar ferrin e vuajtjes. Oficerët e këtij reparti ishin të zgjedhur ku ishin më shpirtligjtë e të këqij. Pra këtu u përjetua ferri i kësaj jete. Por komanda e lartë e ushtrisë në vitin 1966, këta oficerë famëkëqinj i shpërbleu duke i hequr nga ushtria dhe duke i riabilituar në punë si karrocierë, qerregji dhe roje nate nëpër vreshta. Kaluan shumë vite, pothuaj mbi 35 vjet, kur ky Dushk kaq i bukur me ato vuajtje kaq të mëdha siç shkruam më sipër, na doli në skenë, pra ky mori emrin Parlamenti i Dushkut. U kuptua gjithçka se politika shqiptare e mori tatëpjetën. Gjatë jetës kemi parë deputetë në parlament në kohën e monizmit, inxhinierë, mjekë, agronomë, mekanikë, gjeologë, kovaçë, por nuk kemi parë si në Parlamentin e Dushkut sharje, fyerje, grushta, shqelma mbi njëri-tjetrin. Këto sjellje nuk i shërbejnë popullit po injorancës karshi shoku-shokut. Populli u dha votën për ta përfaqësuar në Kuvend por ju e bëtë të neveritshme pamjen tuaj në televizor. Në kohën e diktaturës inteligjenca ishte si e përbuzur nga regjimi i egër komunist, por në demokraci ju e treguat veten me sjelljet tuaja arrogante se ju paskeni qenë njerëz të drejtë për popullin dhe atdheun. Kur kolegët tuaj diskutojnë, të tjerët qeshin, flisni në celular, lexoni gazetën, pra ky është respekti juaj për njëri-tjetrin, e aq më tepër për popullin e shkretë që mbetën duke ju shikuar juve dhe unazat tuaja në Parlament. Popullit s’i mbetet gjë tjetër vetëm t’ju urrejë me gjithë zemër dhe t’ju thotë: “Punë të mbrapshtë Parlamenti i Dushkut”.

Shan Sokoli

Presheva sot

Medvegja, Bujanovci apo Presheva janë zona tepër të pasigurta sot dhe sipas burimeve tona janë vatra edhe të terrorizmit. Lufta atje duket se ka qenë një “helmetë” për të mbrojtur terrorin, ku krimet sidomos mbi njerzit e pafajshëm janë shumë. Ja Ditmir Xheçovi nga Presheva ka qenë dhe është një person që ka kaluar peripecira, ku jeta dhe vdekja kanë qenë aq afër njëra-tjetrës. Ai, si shqiptar i mirë, kish ndihmuar ushtrinë çlirimtare në misionin sipas tij fisnik në mbrojtje të të drejtave e lirive njerëzore që ashtu si çdo populli Perëndia ia ka dhënë edhe Kosovës. Por vrasja e të atit të tij Sami Xheçovi nga serbët si dhe kërcënatat apo përpjekjet për ta zhdukur fizikisht familjarisht, kanë bërë që Ditmir Xheçovi të detyrohet të mos jetojë atje, pra të largohet. Serbët kanë shkelur edhe ligjet e luftës duke shprehur haptas edhe urrejtje etnike apo fetare. Kjo nuk do të thotë që edhe në radhët e Ushtrisë Çlirimtare nuk janë konkretizuar subjekte të tilla. Por ajo çka është sot e dukshme në Preshevë është fakti se terrori ka një bazë jo të parrezikshme, ndaj edhe për ndërkombëtarët misioni fisnik nuk është dhe aq i lehtë. Në fakt ky shkrim ka ardhur në redaksi që para një muaji, por e botuam pas një verifikimi të dytë.

Vasel Gilaj

 

Shqiptarët përkrahin Amerikën se “u ka thënë nëna”

Një familje shumë e varfër e kish porositur djalin katër vjeçar të mos pranojë asnjë dhuratë nga të tjerët. Shkon ky fëmijë tek një komshi dhe aty i gjen duke ngrënë. I shtrijnë një copë bukë me mish. Djali kundërshton se nuk e don, pasi ashtu i kish thënë nëna, por ama dorën e shtrin dhe ushqimin e merr.

Kështu është puna edhe me përkrahjen e luftës së Amerikës së Madhe kundër terrorizmit. Po të flasim për shtresat e ulëta apo të mesme që Sadamin, njëlloj si dhe Osama Bin Ladenin e kuptojnë si mbrojtës të Kur’anit të shenjtë, ata e dënojnë Amerikën dhe aleatët e saj liridashës. Ndërsa shtresat intelektuale paraqiten më të moderuar, si ai fëmija katër vjeçar. Amerikës ia shtrijnë dorën, ia kanë nevojën, pasi e dëshirojnë për të shkuar atje, pasi fëmijët dhe të afërmit i atje kanë, pasi paratë që janë përditë nga atje u vijnë, por ama fytyra u skuqet, shpirti u dhemb kur diskutohet për përparimin e forcave Amerikano-Britanike dhe humbjet prej të çmenduri kamikaz të Sadam Huseinit, pasi ashtu “u ka thënë nëna” që nuk e dimë është Allahu apo Kur’ani, por njëri po. Gjykojmë kështu, pasi mendojmë se gjykojmë drejtë, pasi mendojmë se edhe ata antiamerikanë, ata që mblidhen skutave e shtrojnë ëmbëlsira pro Ladenit apo Sadamit dhe disa të tjerëve që do shfaqen pas tyre, në ndërgjegje, na japin të drejtë, meqenëse nga faqja 150 e Kur’anit po citojmë Ajetin 51: “O ju që besuat! Mos zini miq as nga jehuditë as të krishterët. Ata janë miq të njëri-tjetrit. E kush prej jush i miqëson ata, ai është prej tyre…”. Na ndjeni, s’ia kemi askujt me të keq, por, pikë e presje, kështu thotë Kur’ani e, ne, veçse po bëjmë reklamë publike. Ah, po! një gjë nuk është thënë: Osama e Sadami, e nderojnë apo e korisin Kur’anin!

Pra, pa u lodhur të thellohesh fort në mendime, bota e civilizuar sot, siç ka deklaruar edhe vetë presidenti amerikan Bush, është ndërtuar mbi baza kristiane, jo me “islami në fokus, me Afganistan e Irak, Siri e Iran, apo përralla nga e kaluara me majmunë që gjejmë shumëkund.

Deri në ato banalitete e fodullizma shkojnë bisedat në Shqipëri sa dikush, madje shumëkush përpiqet të shfaqë Rukue (respekt) duke i kërkuar mendim bashkëfolësit për veprimin e perëndimit mbi terrorizmin, thua se amerikanët janë prej Puke, thua se se luftën e drejton Frrok Haxhia.

Aspiratat e terrorizmit, të gjykuara të çmendura për aspiratat e përparimit mbarëbotëror, nxjerrin sythe në këtë Shqipëri të vockël ndoshta për faktin se otomanizmi 500 vjeçar, i edukoi bijtë e vet keq, fort keq, me varfëri, me orientalizëm, me interesa aq anakronike që s’shohin përtej hundës. Ky dyzim logjikash, kjo humbje krenare e terrorizmit përshkohet me pe të zi mbi stof të bardhë duke parë kaseta me fjalime të Bin Ladenit apo Sadamit, të futura në Shqipëri përmes ca fondamentalistëve të fshehur pas partive politike që flasin me gjysëm zëri se përkrahin Amerikën, si puna e atij që thërret kamerierin kur ai ka për të paguar aq para sa nuk i ka jo vetëm në xhep, por as në shtëpi.

Nëse në Shqipëri ekziston psikozë, është një pjesë potente, ndoshta edhe numerikisht po aq që mendon drejt, që gjykon se asnjë faj nuk kalon i falur, se terroristët si dhe përkrahësit e tyre mes kësaj shoqërie janë drejt një nënshtrimi të përjetshëm, paçka se çirren edhe në ekran televizioni si majmunë, apo në seksione partie, si bij majmunësh.

Sokol Pepushaj

 

Iraku: “Arena” ku ndeshen sistemet dhe kulturat…

Nuk besojt të ketë njeri (normal) që e dëshiron luftën, por ndodh ndonjëherë që ajo bëhet e pashmangshme.

Në vitin 1936, Spanja u bë “epilogu” ku mori “spunton” Lufta e Dytë Botërore, dhe nëse atje do të kishte fituar komunizmi, të gjithë Europa Perëndimore do të kishte folur gjuhën e “stepave”.

Kam lexuar diku një shprehje të Bonapartit, që thotë: “aty ku mbaron arsyeja, fillon dhuna”. Me sa duket, diktatori Sadam Hyseini nuk ka patur “kohë” të studiojë gjenialët e luftërave, si Napoleon Bonaparti, ndaj dhe nuk iu bind rezolutave të OKB-së, dhe Këshillit të Sigurimit, dhe në këto kushte SHBA dhe aleatët e saj ndërmorën ndërhyrjen ushtarake. Fillimin e kësaj lufte, Presidenti ynë i nderuar e ka përkufizuar si “një luftë kundër luftës”. Analistë të ndryshëm politikë dhe sociologë japin versione dhe opinione nga më të larmishmet, (kush pro e kush kundra), por një gjë është fare e qartë: Aty po ndeshen demokracia me diktaturën, dhe kultura me antikulturën. Askush më shumë sesa ne shqiptarët nuk e ka mbajtur mbi supe diktaturën, ndaj dhejemi më të “ndjeshëm” ndaj saj dhe me plot bindje mund të themi se, kur përkrah Sadamin është “idhtar” i diktaturës. Kemi parë, (përmes ekranit të televizionit), gjatë kohës që sulmohej Iraku, nga forcat aleate, se si zhvilloheshin protestat në “Sheshin e Kuq” të Moskës. Aty kemi parë protestuesit se si ngrinin lart portretet e dy diktatorëve (ndër më të spikaturit e historisë njerëzore), të Stalinit dhe Sadamit! Dhe cilido mund të konkludojë, se ku e çoi ish-Bashkimin Sovjetik politika “largpamëse” e Stalinit dhe të gjithë diktatorëve të vendeve komuniste. Janë punëtorët e uzinave dhe të kolkozeve, ato që po protestojnë rrugëve dhe kazinove të Europës. Janë “pjellat” e këtyre diktaturave, ato që organizojnë trafikun e armëve, të drogës dhe krimin e organizuar.

Janë pikërisht ish-vendet e Lindjes, vendet Islamike dhe ato të Amerikës Latine, të cilat po i shpalosin “vlerat” e diktatorëve dhe të diktaturave, duke shpërthyer si “epidemi” mbi botën e qytetëruar. Janë pikërisht këto shtete diktatoriale që i kanë kthyer qytetarët e tyre në shërbëtorë të Europës Perëndimore dhe Amerikës.

Rreshtimi i Shqipërisë në koalicionin që drejtohet nga SHBA dhe Anglia, është veprimi më i mençur i shtetit dhe qeverisë shqiptare, dhe “kapitali” më i madh politik që Shqipëria ka fituar gjatë gjithë historisë së saj. Kam shkruar para disa mujash po në këtë gazetë (vërtetë prestigjioze), një artikull: “Politika shqiptare, rrit kuotën e vlerave”. Ndonëse nuk shquhem si politikan apo analist, ndjej sadisfaksion për parashikimin, i cili e bën shumë konkrete atë që kam shkruar.

Tepër e rëndësishme është sepse, si Presidenti ashtu edhe Kryeministri, gjetën konsensusin dhe përkrahjen e plotë si të Parlamentit ashtu edhe të të gjitha forcave politike.

Duke u bashkuar me forcat më progresiste, politika shqiptare i tregon botës se diktaturës ua kemi kthyer shpinën njëherë e përgjithmonë.

Shteti dhe qeveria shqiptare, me një vizion tepër të qartë, gërshetuan klasiken me modernen, duke shpalosur para botës traditën më të shkëlqyer, në ruajtjen e besës dhe “kodit” moral të mirënjohjes, ndaj “kështjellës” së demokracisë botërore, SHBA, e cila i dha Lirinë Kosovës martire.

Dikush mund të thotë se protesta kundër lufts në Irak ka patur edhe në vendet më demokratike të botës, duke përfshirë dhe vetë Amerikën. Natyrisht, kjo është e vërtetë, por po aq e vërtetë është se, ata qytetarë nuk kanë patur asnjëherë në krye të shteteve të tyre ndonjë Stalin apo Sadam.

Duke shpresuar se populli iraken do ta shohë sa më parë dritën e Lirisë, urojmë në të njëjtën kohë që të ketë sa më pak viktima në këtë popull të pafajshëm.

Ndërsa Shtetit, Qeverisë dhe të gjitha forcave politike u urojmë që ato suksese që kanë arritur në politikën e jashtme, t’i arrijnë edhe në politikën e brendëshme, duke na siguruar stabilitet, qetësi dhe më shumë dritë, punë e begati.

Mark Bregu

 

Rrahman El Nosar e Omar Selim Al Mehmet, dy terroristët e Xhihadit, u strehuan në Shkodër.

-Nga viktimat që lanë pas në Kenia dhe Tanzani, si pasojë e bombave të vendosura pranë ambasadave amerikane, deri tek tentativa e pasuksesshme për ta përsëritur këtë skenar edhe në Tiranë. Historia e shkurtër e arratisjes nga Shkodra të dy terroristëve të Xhihadit pas ndjekjes që iu bë në një natë nga tre agjentë të CIA-s së bashku me një grup inspektorësh të SHIK-ut-

Gusht, 1998. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbretëronin ditët e zisë kombëtare, vetëm pak ditë pas vendosjes së bombave nga terroristët e Xhihadit në Nairobi dhe Dar Es Salam që vranë gjithsej rreth 250 persona në afërsi të ambasadave amerikane, përkatësisht në kryeqytetin e Kenias e të Tanzanisë. Në ceremoninë e varrimit të shtetasve amerikanë në Uashington, thuajse të gjitha kanalet televizive fokusonin ish-presidentin Bill Klinton…

Ndërkohë që anëtarët pjesmarrës të këtij grupi aktiv terrorist u shpërndanë në drejtime të ndryshme të globit, me sa duket të paracaktuara për të humbur gjurmët, në mbrëmjen e datës 10 gusht ’98, një sinjal i ardhur ng selia e Langley të Virxhinias drejt agjentëve të saj në Tiranë do të niste me urgjencë tre prej tyre drejt kryeqendrës veriore të Shqipërisë. Arsyeja?! Dy nga anëtarët e këtij grupi, e pikërisht Rrahman El Nasar dhe Omar Selim Al Mehmet ndodheshin në Shkodër. Dhe jo në kalim por për të vijuar aktivitetin e tyre terrorist. Tashmë, drejt ambasadët amerikane në Tiranë, të shtrirë në një territor mjaft të hapur përbri rrugës së Elbasanit, në shenjë hakmarrjeje ndaj ekstradimit të dy homologëve të tyre për në SHBA, u instaluan nga forcat speciale të Ministrisë së Rendit dhe shërbimet sekrete të Shqipërisë. Ndërkohë, me të marrë njoftimin, repartet e RENEA-s, forcat speciale dhe ato të qarkullimit rrugor në kryeqytet do t’i bënin një rrethim terfish në formë dare në miniaturë ambasadës amerikane.

Kësisoj, tre xhentëllmenëve as që do t’u shkonte mendja se do t’u dilte punë me xhihadasit në vendin më të varfër të Evropës, teksa udhëtonin drejt Shkodrës. Dy kadillakët e fundit 7 metërsh me të cilën ata lëviznin, do t’i përshkonin në jo më shumë se 90 minuta 110 kilometrat rrugë alla shqiptarçe të asaj kohe. Pasagjerët e rrallë kishin njoftuar para nisjes homologët e tyre në këtë qytet. Në sediljen e pasme të automjetit kishin vendosur një valixhe diplomatike…

“Ka qenë pak a shumë mesi i natës kur jam njoftuar direkt nga kryetari i shërbimit sekret të qytetit për t’u paraqitur në punë së bashku me dy pjestarët e tjerë të zgjedhur që banonin pranë meje”, shprehet inspektori N.G., ndërkohë që kujton vështirësitë e lajmërimit në atë orë.

“-Të m’i lajmëroç të gjithë dhe të paraqiteni këtu urgjent. Ka ndodhur diçka e tmerrshme.” Toni i prerë si dhe toskërishtja e pastër me të cilat po më fliste në telefon kryetari, më bëri të besoj vërtetë në ndonjë hata që mund të kishte bërë vaki, vijon N.G. Mirë njërit do t’i trokisja në derë edhe në atë orë pasi s’kishte ende telefon, po si t’ia bëja me tjetrin që ndodhej me pushime…

Si përfundim u mblodhëm gjithsej pesë inspektorët më të zgjedhur së bashku me kryetarin rreth gjysmë orë para se të mbërrinin ata. Gjatë kësaj kohe sollëm në rrugën para godinës sonë edhe dy automjetet e vjetër që dispononim; dy Fiat që mezi mbaheshin mbi rrota, të shpëtuar nga trazirat e Marsit ’97-ës…”

Në këto kushte, bërthama e inspektorëve të shërbimit sekret të Shkodrës po priste tre agjentët amerikanë, në pritje të të cilëve u nis drejt hyrjes së qytetit njëra autoveturë…

Mbërritja

S’kaloi shumë kohë dhe zhurma e automjeteve që po i afroheshin godinës do t’i zgjonte nga dremitja inspektorët që prisnin në mënyrë habitore surprizën e kryetarit. Shoferëve të kadillakëve ngjyrë ulliri do t’u duhej që të bënin kujdes në momentin e futjes së automjeteve në rrugicë pasi vendi ishte i ngushtë për ta, ndërkohë që Fiat-i bojë hiri u printe përpara.

Pasi parkuan makinat në formë harku të lehtë përballë godinës, tre miqtë e natës dolën qetë-qetë.

“S’qe nevoja për prezantim pasi e kuptuam me të parën se me kë kishim të bënim. Ajo që na intrigonte ishte arsyeja e ardhjes me ngut në mes të natës”, vijon rrëfimin e tij N.G.

Pasi këmbeu pak fjalë me zë të ulët me shoferin shqiptar të të ardhurve i cili do të bënte edhe përkthyesin, kryetari shpjegoi me tonin e tij autoritar:

“Zotërinjtë që shikoni janë agjentë të CIA-s dhe ndodhen këtu me një mision tepër sekret. Sipas të dhënave të sigurta që ata disponojnë, dy prej anëtarëve të grupit terrorist të Xhihadit sapo kanë mbërritur në Shkodër nga Tanzania, ku edhe vendosën bombën në ambasadën amerikane. Por nuk është vetëm këtu problemi. Këta të paftuar kërkojnë të realizojnë të njëjtin skenar edhe në ambasadën amerikane në Tiranë si kundërpërgjigje ndaj…”

Mbetëm të gjithë të shtangur jo vetëm nga siguria e tonit dhe shpejtësia me të cilën po fliste kapoja, por edhe nga imazhi tejet indiferent i fytyrave të homologëve tanë…

“…prandaj brenda natës së sotme duhet të bëjmë kontroll-rrufe në gjashtë banesa ku jetojnë përkohësisht disa nga përfaqësuesit e shoqatave humanitare arabe, ku edhe dyshohet se mund të jenë strehuar”.

-Kush do t’i bëjë kontrollet?, – pyeti i habitur njëri nga inspektorët, – kjo s’është detyra jonë por e policisë.

-Udhëzimet janë të prera.

-Kryetari juaj ka të drejtë, – ndërhyri më në fund shefi i ekipit të CIA-s. Po të njoftohet policia, ka mundësi që të dekonspirohet plani pasi ka shumë të inkriminuar. Prandaj duhet të nisemi menjëherë.

-Me avash zotëri dhe ju lutem shumë uleni pak tonin, – ndërhyri me një ton të sigurtë njëri nga inspektorët vendas që deri në ato momente s’kishte folur. Më duket se nuk doni ta kuptoni se ndodheni në terren të huaj. Përveç rezervave që kam për këtë plan asgjësimi që po na impononi, ju keni harruar edhe një hollësi jo të vogël. Departamenti juaj i shtetit ka vendosur një shpërblim të majmë në rast suksesi…

-Shumë e vërtetë, – u përgjigj parafolësi me shpejtësi me sa duket nga shija e hidhur që i krijoi ideja e kartmonedhave jeshile. Dy milion dollarë ndodhen në makinë.

-O burrë të mos e zgjasim por të nisemi menjëherë drejt adresave që kemi dhe t’i kapim, – u hodh e tha një inspektor i mbushur dhe zeshkan që rrinte vazhdimisht pas kryetarit. Plani qenka i shkëlqyer. Keni për ta parë se në mëngjes ata do të jenë vënë nën pranga.

Aksioni

Dy kadillakëve u printe rrugën një Fiat i kuq dhe një tjetër bojë hiri. Në këtë mënyrë nisi “ndjekja” e dy terroristëve arabë në mes të natës nga gjashtë agjentët shqiptarë të pajisur vetëm me nga një pistoletë, së bashku me ato të CIA-s.

Ndalesën e parë, karvani i automjeteve do ta bënte në një ndër pallatet e lagjes Parrucë ku banonte përfaqësuesi i shoqatës humanitare “Islam Relief”. Trokitja në derë si dhe marrja e tij në pyetje do të shkaktonte reaksionin negativ tek familja e tij. Kontrolli si dhe pesë të tjerët që do ta shoqëronin ishin të paligjshëm sepse nuk ishin të shoqëruar me urdhër-kontrolle banesash nga prokuroria. “Arsyeja shtetërore”, ende nuk gëzonte si sot kuadrin e plotë ligjor.

“Pse s’më thërrasin në zyrë ditën për diell por më vijnë në mes të natës? Unë këtu jam i huaj dhe ndjehem i pambrojtur. Nga ta dija unë nëse kisha të bëja me ta apo me hajdutë?”, do të shprehej të nesërmen i revoltuar egjiptiani që preferoi t’i hapej ish-Prefektit Ali Laçej.

Por ngjarja e mësipërme përpak sa nuk do të përfundonte me ndonjë shkrehje automatiku teksa karvani i “Rambove” po i afrohej për kontroll banesës së dytë. Në afërsi të saj ndodhej një garazh makinash dhe roja i tij, me të dëgjuar zhurmën e automjeteve që po i afroheshin kishte bërë gati kallashin me grykë të drejtuar nga Fiat-i.

“Kam shpëtuar për një qime pa m’u zbrazur ndonjë breshëri, kujton inspektori S.Ll. Në momentin e fundit roja më ka njohur mua dhe ka ulur armën…”

“Kontrollet” do të vijonin njëri-tjetrin sipas planit të paracaktuar por nuk do të nxirrnin gjë në dritë përveç turbullimit të të zotërve të shtëpisë që u kishin nxjerrë gjumin…

Dështimi

Informacioni i zi qarkullonte shumë më shpejt se karvani i kadillakëve dhe Fiat-ëve të lodhur. Bile mund të kishte dhënë efekt përpara se eskorta në fjalë të mbërrinte në banesën e dytë.

“Rreth orës 400 të mëngjesit u kthyem në bazë të rropatur. Fytyrat e homologëve tanë të huaj nuk ndryshonin.”

-Pse e mbani kot me vete atë valixhe dollarësh?, – nuk iu durua njërit prej inspektorëve.

Ata nuk reaguan.

Mëngjesin e 11 gushtit ’98, dy kadillakët jeshilë kaluan urën e Bahçallekut dhe iu drejtuan kryeqytetit…

Vetëm pak ditë më vonë u mor vesh se njëri prej të kërkuarve kishte kaluar ilegalisht kufirin shqiptaro-malazez kurse për tjetrin nuk u mor vesh gjë, po ashtu si edhe vendstrehimi që preferuan për të kaluar atë natë në Shkodër. Në kushtet e anarshisë së para pesë vjetëve, çdo gjë mund të ndodhte.

Ndërkohë, pas pak muajsh, në Shkodër u përhap një fjalë sikur i pari u kap në Itali dhe vetëm pak ditë më pas u arratis nga burgu(!)…

Paralele nga shtypi i kohës

“…a është CIA mbështetja juaj kryesore për ristrukturimin e plotëtë shërbimit tuaj?

-Bashkëpunimi ynë me shërbimin sekret amerikan them që është i frytshëm në çdo fushë. Një nga këto është edhe ristrukturimi i shërbimit tonë për të cilin po na ndihmojnë dhe ata. Mund të quhet mbështetja jonë kryesore…

    …Dy ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani janë bërë ditët e fundit objekt i akteve terroriste. Ndërkohë që dje, nga CIA, nëpërmjet një raporti të bërë publik nga agjensia Rojter, thuhet se kanë dështuar pesë atentate kundër ambasadave amerikane në botë. Duke pasur parasysh edhe mosplotësimin e kushteve të ambasadës amerikane në Tiranë, a futet edhe kjo në këtë kontigjent?

-Nuk di asgjë për këtë problem.

Sot është publikuar se një grup i CIA-s dhe FBI-së kanë qenë në një mision special në rrethet verilindore të vendit. A keni dijeni për këtë gjë?

-Mos e ngatërroni FBI-në me Shqipërinë, ajo nuk është e pranishme me asnjë mision këtu. Ndërsa, përsa i përket CIA-s, është detyrë e saj që në kuadër të sqarimit që i bën qeverisë amerikane për situatën në Kosovë të jetë e pranishme në Shqipëri. Ndërkohë, që përsa i takon vizitës së publikuar për në rrethet verilindore, mund t’ju them se ata kanë qenë edhe atje”.

(Intervistë e ish-kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, dhënë gazetës “Shekulli”, dt. 14. 08. 1998)

A.L. korrespondent i “SHE”

 

Isuf Zalli duhet të vritet për një krim që s’e ka kryer dhe pse është rom (magjyp)

Quhet Isuf Met Zalli, ka lindur më 17 mars 1961 në lagjen “Liria” të qytetit të Shkodrës. Është pikërisht ky që shihni në foton që ilustron shkrimin. Shikoni si sheh e shtrëngon në gjoks djalin e tij të vetëm Amirsadin, vështrim plot mall e frikë, që nuk mundet ta fshehë. Po çfarë e mundon këtë burrë 42 vjeçar e kujt ia ka frikën, prej kujt druhet?… Është djali i vetëm i Met Zallit, një familje me rrjedhoja rome të vendosur në lagjen “Liria” të Shkodrës qysh para 100 vitesh. Kurrë s’iu ndanë kësaj familje vuajtja, mundimet e persekucioni, vetëm se ishin romë (magjypë në gjuhën shkodrane). Për 50 vjet diktaturë arritën vetëm të mbijetonin duke punuar sa për të mbajtur shpirtin gjallë në punët më të vështira. Arriti të martohej me Hava Rexhepin e të rritin edhe 3 vajzat Emirsada, Eliona, Sedita e djalin e vetëm Amirsadi. Historia e dhimbshme nisi para 1 viti pikërisht në marsin e vitit 2002. Vëllai i tij nga nëna Mehmet Kraja konfliktohet me një dukagjinas me banim në Shkodër pas një debati për probleme fetare. Ky i fundit e ka qëlluar me armë duke e plagosur në këmbë Mehmet Krajën që është dërguar për ndihmë në spitalin e qytetit. Vetëm pas një muaji që ka dalë nga spitali Mehmet Kraja vret në pritë në qendër të qytetit Gjon Fikun që e kishte plagosur e zhduket në drejtim të paditur. Ai largohet e gjakun ia lë nëdorë vëllait të tij nga nëna Isuf Zallit, për të cilin nis jeta e vështirë e ngujimit nga frika e pushkës së hasmit. Disa herë janë përpjekur misionarët e paqes të ndërhyjnë tek familja e gjaksit, por ata janë të pafuqishëm për të kthyer qetësinë në familjen e Isuf Zallit që ka muaj që është larguar nga shtëpia e tij e s’ka kurrfarë adrese se ku ndodhet. Strehohet ku të mundet e fshihet tek të afërm të tij për t’i shpëtuar pushkës së gjaksit që pret të shkrehet mbi të ose djalin e tij të vetëm Amirsadin. Prandaj e shtrëngon aq fort me sy të përmallur djalin e vet të shtrenjtë. Ai s’ka faj, por është rom (magjyp) dhe duhet të paguajë për një krim që nuk e ka kryer. Eh… magjypët s’i duan as në Kosovë, as në Shkodër, as në Shqipëri. E pra janë njerëz…

Rifat Ymeri

 

Të shkosh apo të mos shkosh në Kosovë!

Është e vështirë, tepër e vështirë të shkosh në Kosovë, Preshevë, Maqedoni. Kjo edhe për gazetarët e “Shqipërisë Etnike” që kemi qëllim bashkimin shpirtëror e kulturor të tërë shqiptarëve. Problemet që ka lënë pas lufta, por edhe më të hershme apo më të vona, janë shumë dhe forca terroriste janë gati të të përgjojnë, madje edhe të të zhdukin. Prandaj jo vetëm ata që luftuan për atdheun e vet, por edhe ne që jemi nga Shqipëria sa herë shkojmë atje jemi nën survejim, nën kërcënata serioze. Serbët janë ende shumë të fuqishëm në organizimin e grupeve terroriste duke shfrytëzuar varfërinë dhe fukarallëkun atje, natyrisht edhe terrenin. Rastet kur shqiptarët janë viktima të pafajshme janë shumë. Ne po ndalemi në njërin. Në fshatin Epoje që përmblidhet në qytetin Dragosh dhe Preshevë shqiptarit të mirë Blerim Bali, në vitin 1997, në tetor, serbët i kishin vrarë të atin Melaim Bali. Vrasjen e kish kryer një komshi serb i quajtur Zviski. Kështu, Blerim Bali kish marrë hakun e babait duke vrarë Zviskin, natyrisht nga gjaknxehtësia e momentit kur kishte parë të atin të vrarë. Por familja e serbit Zviski u xhindos dhe nisi të kërkojë ngado shqiptarin Blerim Bali për ta pushkatuar. Edhe policia serbe po ashtu e ka futur në listat e të kërkuarve. Por sipas burimeve tona të besueshme, shqiptari në fjalë është fshehur apo larguar dhe nuk i dihet adresë. Gjithsesi, problemi shtrohet se serbët mbi shqiptarët në Kosovë, Preshevë apo Maqedoni edhe sot e gjithë ditën po bëjnë krime të shëmtuara duke vrarë e zhdukur shqiptarët e pafajshëm.

Vasel Gilaj

 

Profesor Gjon Shllaku, helenisti i madh

Është vetëm 17 vjeç, student në Seminarin papnor të Shkodrës dhe zotëron shkëlqyeshëm latinishten, greqishten e vjetër, frëngjishten dhe italishten. Në këtë moshë përkthen romanin “Ben Hur” të Wallasit. Një përkthim që nga profesorët e tij dhe lexuesit konsiderohet i përsosur. Kjo i jep zemër e forcë për t’i hyrë udhës së vështirë dhe fisnike të përkthimit. Udhë e gjatë, tashmë 63 vjeçare.

Këto ditë i shkova në shtëpi, për ta takuar, sepse prej kohësh nuk del nga shtëpia. Tashmë 80 vjeçar dhe i sëmurë. Por, e gjej duke punuar. Fjalorë, dosje dhe prigje letrash, dhe maqina e vjetër e shkrimit. Po i hedh dorën e fundit një vepre madhore, fjalorit diakronik Latinisht-Shqip. Ka 16 vjet që punon për këtë fjalor origjinal prej 65 000 fjalësh. Më tregon dosjen e trashë. Janë 4800 faqe të daktilografuara në atë dosje. Është i zbehtë në fytyrë, por buzëqeshja plot mirësi, që nuk iu nda gjithë jetën, më bind, se për të, terapia më e mirë, elisiri i jetës është vetëm puna. I shtyn ditët “i kënaqur” me pensionin prej 18 000 lekësh, pension “i posaçëm”. Edhe e shoqja është e sëmurë. Dy pleqve fisnikë u shërben vajza. Është shpërngulur në apartamentin e babait, me burrin dhe fëmijët, për t’iu gjendur pranë dhe për t’u shërbyer këtyre dy engjëjve që nuk dinë të ankohen. Dinë vetëm të buzëqeshin. Profesor Gjon Shllaku, ky mjeshtër i madh i pashoq mbushi 80 vjeç. Ai i bëri të flasin shqip Homerin, Eskilin, Sofokliun, Euripidin, Virgjilin, Ovidin, Horacin, Plautin, Shekspirin, Hygoin, Rasinin, Alfred Musën… deri tek Papa Gjon Pali i Dytë. Ai bëri të tingëllojë aq bukur ëmbëlsia e vargjeve të La Martinit, trishtimin e Shatobrianit, gazin e çiltër të Bomarshesë… Ai, profesor Gjon Shllaku, përkthyesi i pashoq i 50 kryeveprave botërore, në të gjitha gjinitë, tragjedi, komedi, poezi, prozë, esse, mendime filozofike, histori…

Gjon Shllaku, helenisti i madh, fitues i Diskut të Argjendtë nga qeveria greke, si një ndër përkthyesit më të shquar të letërsisë antike greke, i nderuar me Urdhërin Naim Frashëri të Artë, i është dhënë me të drejtë titulli “Profesor” nga Këshilli i Ministrave dhe Komisionin i Kualifikimit Shkencor. Ai është gjithashtu fitues i Pena e Artë në vitin 2001 për përkthimin e “Gjeorgjikat” e Virgjilit.

Tek kujton jetën e Gjon Shllakut, ndjen dhimbje por dhe krenari njëherësh. Sa e egër dhe sa mizore është treguar jeta me të. Sa shumë i ka dhënë Shqipërisë ky njeri kolos dhe sa pak mori prej saj.

Është vetëm 22 vjeç, student i vitit të tretë në fakultetin teologjik kur arrestohet, i akuzuar si anëtar i Organizatës “Bashkimi Shqiptar”, dhe dënohet me 101 vjet burgim. Provon të gjitha burgjet dhe kampet famëkeqe të, “kopshtit me lule”, Shqipërisë komuniste. Është djersa dhe dhimbja e tij në betonin e fushës së aviacionit, në Rinas, tek Ura Vajgurore… Është djersa e dhimbja e tij në tharje kënetash, në miniera… në thyerje gurësh… Në burgun e Burrelit, natën nën dritën e zbehtë të llampës së kapanonit, mëson anglishten, gjermanishten, spanjishten dhe greqishten e re. Dhe, aty në burg, përkthen në këto gjuhë. Dhe, kur del nga burgu, 1957, në moshën 34 vjeçare, ky poliglot, zotërues tashmë i 8 gjuhëve të huaja, me një vandak përkthimesh, në dhomën e tij birucë, ku banonte me prindërit, do të provojë kalvarin e punës poshtëruese në kooperativën e artizanatit dhe në Zunkth-kashta. Herë punëtor, herë, kur lufta e klasave gjoja zbutej, e bënin normist. Por ai punonte dhe kurrë nuk ankohej. Itinerari i ditëve të tij ishte shtëpi-vendpunim. Në ndërmarrje djersë dhe fyerje. Në shtëpi gjithë pasdrekeve e natën, studime, krijime, përkthime. Me ndihmën e njerëzve të mirë, e sidomos të Llazar e Drago Siliqit (ky i fundit drejtor i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”) arrin të botojë më 1965 kryeveprën e të gjitha kohërave, “Iliadën” e Homerit. Botim që bëri bujë, megjithëse përkthimi ishte në gegënisht. Do të ribotohet në gjuhën letrare më 1979, do të botohej dy herë edhe në Kosovë më 1971-2000…

U gëzua para kohe Gjon Shllaku, pasi pa të botuar “Iliadën” e tij më 1965, një vit më vonë, kur botohet nga Drago Siliqi edhe “Historia e Skënderbeut” e Sansovinos, përkthyer nga origjinali italisht. U gëzua para kohe, sepse nga ai vit e më pas do t’i mbyllej përfundimisht porta e botimeve. Lufta e klasave e dënoi përsëri, këtë radhë me heshtje e përbuzje. As Llazarët, as Dragot nuk mund ta ndihmonin më, përkundrazi, kur dërgon tragjeditë e Sofokliut në Akademinë e Shkencave, pasi e lënë të presë katër orë, që të takohet me drejtuesit, i thonë në korridor: “-Nuk ka nevojë populli për përkthimet e një armiku të klasës”.

Megjithatë, përsëri nuk bie në dëshpërim. Vazhdon të përkthejë, të krijojë (sepse ai është edhe autor tragjedishë). Siç e tregon përmes butësisë dhe buzëqeshjes: “-Dum spiri spero (sa marr frymë shpresoj). Shpresoja se do të vinte një ditë që puna ime të dilte në dritë”.

Ajo ditë erdhi për Gjonin. Vitet e demokracisë ia hapën dyert e botimit gjithë veprave të tij. Vonë, për 80-vjeçarin. Por: “-Më mirë vonë se kurrë!”, –  përgjigjet mjeshtri i madh.

Tani veprat e tij botohen në Itali, Greqi, Francë, Amerikë… E thërrasin në Konferenca e Kongrese, e bëjnë anëtar të komisioneve e Këshillave artistike, e vënë në presidiume e tribuna. Por, 80 vjeçari ka vetëm atë buzëqeshje plot mirësi, si dikur, si në burg, si në punën e rëndë të mbijetesës… si tani. Është elisiri i jetës së tij, kjo buzëqeshje. Puna, gjithnjë puna…

Fadil Kraja

 

Vepra të Gjon Shllakut

–    Ben Hur … nga Wallas

–    Eneida (pjesë të zgjedhura)…Virgjili

–    Gjeorgjikët…Virgjili

–    De rerum natura…Lukreci

–    Metamorfoza…Ovidi

–    Korale të Euripidit e Sofokliut

–    Ruy Blas…Hygo

–    Martirët…Shatobrian

–    Cid…Korcej

–    Atalia…Ester…të Rasinit

–    Liqeni…të La Martin

–    Robëresha e re…nga Andre Chenier

–    Punët e apostujve (teskte biblike nga greqishtja e vjetër)

–    Apokalipsi…nga greqishtja e vjetër

–    Letrat e Shën Pjetrit…nga greqishtja e vjetër

–    Letrat e Shën Gjonit…nga greqishtja e vjetër

–    Lufta kundër vdekjes…Metalnikov

–    7 drama të Shekspirit

–    Iliada

–    Odisea (6 këngë)

–    Fjalor helenik (greqishte e vjetër – shqip) 20 000 fjalë

–    “Berberi i Sivilies” dhe “Figaro”…nga Bomarshe

–    Gjeorgjikët…Virgjili (botuar në Prishtinë)

–    Prometheu i lidhur…nga Eskili

–    Shtatë tragjedi (Edipi mbret, Edipi në Kolon, Antigona, Ajaksi, Elektra, Trakinitët, Filokteti (botuar nga Shtëpia Botuese “Konica”)

–    Efigjenia në Aulide, Alkesta, Hipoliti, Medea…Euripidi (greq. e vjet.)

–    Fjalori diakronik Latinisht-Shqip

–    Të kapërcehet pragu i shpresës…nga Papa Gjon Pali II (botuar në Nju Jork)

–    Historia e Skënderbeut…nga Sansovino

–    Kanga e Rolandit…nga Turoldus

–    360 hymne kishtare (nga origjinali latinisht) Botuar në Romë

    Etj; etj; etj… etj…

 

Vogëlushja 12 vjeçare, D. Gjyrezi, emigrante në Itali

Pikërisht më 20 shkurt të vitit 1991, në Tiranë, shqiptarët të etur për liri e demokraci rrëzuan “Murin e Berlinit”. Dhjetra mijëra shqiptarët rebeluan të eksituar, duke tërhequr zvarrë bustin e diktatotir më të egër komunist në Botë, Enver Hoxhën. Po në këtë ditë, në qytetin antikomunist të Shkodrës lind një vajzë në familjen Gjyrezi. Rastësi apo Fat…???

20 shkurt 1991 frymon në jetë Dalila Gjyrezi. Dukej se një erë e re po izinte frymën vuajtjeve të persekucionit të familjes Gjyrezi. Dhe vogëlushja Dalila Gjyrezi bëhet e bija e prefektit të Gjirokastrës për tre vjet. Ajo ishte një vajzë e bukur dhe shumë e zgjuar dhe pati fatin si e “privilegjuar” të takohet me Papën më 4 Janar 1995. (Ëndërr kjo e shumë fëmijëve nëpër botë) ku vetë Papa u befasua nga inteligjenca e vogëlushes shqiptare D. Gjyrezi. Ku bëri një fotografi me të. Dhe Dalila rritej me flladin e lirë, që i dhurojë “koinçidenca” e datëlindjes. Mbaroi klasën e parë dhe të dytë fillore tek shkolla 8-vjeçare “Ndre Mjeda” me rezultate të shkëlqyera, kurse të tretën tek shkolla “Emin Duraku”, në Tiranë, pasi i ati punonte në Kontrollin e Shtetit Shqiptar. Por fati i Dalilës, filloi të rrokullisej… dhe vogëlushja nuk mund të vazhdonte shkollën me bashkëmoshatarët e saj në Shqipëri, pasi ndryshimet dhe zhvillimet politike filluan të lëkunden sërish. Pas vitit 1997-1998, ku vendi ynë ishte në prag të luftës civile (situatë kjo e provokuar dhe ideuar nga komunistët) Pushteti Demokratik merr një “grusht” të rëndë nga ekstremistët politikë. Kështuqë në pushtet erdhën edhe një herë komunistët, me një emër të “rinovuar” Socialistë. Jeta e Demokratëve ishte në rrezik. Edhe familja e vogëlushes Dalilë u rrezikua seriozisht nga presionet që i bëheshin për eleminimin fizik të jatit të saj, pasi ai kishte zbuluar (gjatë kontrollit të shtetit) shkelje të rënda ligjore të ish-ministrave që morën pushtetin me dhunë. Dhe në tetor të vitit 2000, Dalila sapo kishte filluar klasën e IV, e detyruar “braktisi” Shqipërinë së bashku me familjen e saj për të emigruar në Itali. Është vetëm 12 vjeç, me ëndrrat fëminore, me buzëqeshjen e kristaltë hyjnore dhe vazhdon të jetojë në Itali, si “emigrante” e pamoshë… Por Dalila sërish është një vajzë shumë e zgjuar, shumë e ndjeshme dhe e merr malli për shoqet e shokët e shkollës ku mësoi abetaren shqip. Edhe shkollës “Ndre Mjeda” dhe “Emin Duraku” i mungon mikja e tyre, nxënësja e shkëlqyer, kur regjistrat e shkollës do t’i ruajnë si relike të çmuara 10-tat e Dalila Gjyrezit, matematikanes së ardhëshme. Është e pabesueshme, por e vërtetë që Dalila Gjyrezi, është vetëm 12 vjeç, por shpirtatdhetaria e saj tregon sikur të jetë 120 vjeç, sespse thotë se jam vajzë nga Shkodra, nga Shqipëria. Dhe kjo është fatkeqësi e kombit tonë, pasi truri i Shqipërisë, nuk është larguar vetëm kur është formuar plotësisht, por edhe sapo fillon të paraqesë “simptomat” e para të një ekzemplari të rrallë siç është vogëlushja Dalila Gjyrezi, por që “fatkeqësisht” është bija e një familjeje të ndershme demokrate, dhe që janë të “detyruar” të vuajnë në një shtet ku dhunohen liritë dhe të drejtat njerëzore.

Fatime Kulli

 

Ishim, po ku jemi?

Secili fis dhe popull duhet ta ruajë prejardhjen e tij, se aty është baza. Fiset e Malësisë e kishin traditë të ruanin të kaluarën brez pas brezi, me anë të amaneteve, duke ua lënë brezit në vazhdim. Gjyshërit tanë, që m’i kanë lënë amanet edhe mua, thonin: “Me ruejt prejardhjen e kombit, fenë, nderin dhe me respektue gjakun tand e mbarë shqipfolësit”. Gjyshin tim e kam pyetur vetë: Përse e mbani kapuçin e lirtë ju të vjetrit? Se atë e mbajnë vetëm çifutët. Gjyshi tha: Atë kapuç e mban edhe Papa i Romës, megjithatë ne e kemi edhe amanet nga të parët, se ne kemi ardhur nga Lindja e Mesme para katërmijë vjetësh. Sipas këshillave të Engjëllit të Zotit, Zoti na i ka dhënë tokat e Gadishullit të Ballkanit. I pari ynë ishte stërnip i Abrahamit dhe është quajtur Mobi. Mobi me trimëritë e tij të rralla varu pa mëshirë kundërshtarët e vet se nuk deh t’i bindet disa rregullave të çifutërisë. Profeti ose Engjëlli i Zotit, që ata nuk e kishin parë kurrë, u thotë: Zoti nuk ju ka mallkuar për fare, por ju do dhe ju ka dhënë tokat e lartpërmendura. Zbrisni në Ngushticën e Dardanelit dhe hapuni në Ballkan. Mobitët sa u qetësuan në Tokën e Premtuar, e ndërruan mbiemrin dhe e quajtën vendin Pellazg të lindur nga Toka e Zotit. Pas disa kohëve u shumuan në masë dhe u ndanë në disa fise: Ilirët, Paionët, Dardanët dhe të tjerë. Dardanët e morën me respekt këtë mbiemër, se shkelën për herë të parë në Tokën e Premtuar, Dardanel. Në brigjet e Lumit Danub janë ndarë Gjermanët nga ne. Principatat ilire kanë qenë shtetformues përpara tridhjetmijë vjetësh. Historia e Serbëve që e kanë shkruar në baltë, thotë: Kosova është stara Serbia. Që në shekullin XIII të erës sonë e kanë ngritur kishën e parë në Deqan!

Nuk ka njeri në botë që nuk çuditet me komshinjtë tanë, sa injorantë janë! Na vjen më shumë keq për përkrahjen që po u bëjnë këtyre kriminelëve shtetet që e quajnë veten demokratike, të drejtësisë së madhe Anglo-Amerikanë! Pse Milloshi nuk pranoi dialog me Rugovën? Se historia e nxjerr Serbinë edhe prej Europe, lëre pastaj nga Kosova.

Tani po shohim se çka po thotë Amerika, se për Europën kemi pak shpresë, nëse e lënë Kosovën në Federatën Jugosllave, shqiptarët do të rrokin armët dhe nuk do të ketë qetësi nga ana jonë për sa të rrojë Europa.

Kur kemi ardhur ne në Ballkan nuk ka patur njerëz, veç drerëve, lepujve dhe dhive të egra. Pas tremijë e sa vitesh ranë ata endacakë në Dardani me ndihmën e Buallit të zi Rus dhe të përkrahur nga Anglo-Francezët, na morën tokat pjellore dhe na nxorën maleve. Kjo ishte kultura e drejtësisë europiane të 1913-ës.

Ne nuk jemi historianë, as analistë, por amanetqarë. Le ta studiojnë ata që janë kopetentë, por ama të punojnë me shpirt e zemër.

Pal Delia, New York

 

Në përkujtim të martirëve të flamurit

Në fjalorët enciklopedikë të popujve për stinën e bukur të pranverës, gjenden me shumicë tog-fjalët “magjike”: Pranvera e Lirisë, Pranvera e Ringjalljes, Pranvera e Shpresës, Pranvera e Dashurisë, Pranvera e Luleve dhe Bukurisë etj. Ndërsa në fjalorin tonë kombëtar ekziston prej kohësh i “strukur” tog-fjalëshi domethënës Pranvera e Flamurit. E këtë e kemi të trashëguar nga Pranvera e vitit 1911, kur së bashku me këtë stinë shqiptarët e Veriut “sollën” edhe ngritjen e flamurit tonë kombëtar, që ishte “mbuluar” prej çallmës otomane e lëngonte prej rreth katër shekujsh e gjysëm. E për të arritur tek kjo Pranverë e Flamurit u deshte të kalonin qindra pranvera, të përballoheshin qindra acare e rrebeshe të dimrave pafund që solli e kultivoi pushtuesi Aziatik. E natyrisht përballimi i këtij pushtuesi kishte një kosto mjaft të lartë, pasi trevat e lashta ilire, e veçanërisht ato të Veriut u tejngopën me lumenj gjaku, por edhe me jetë të njoma si filizat e pranverës që u këputeshin nga acaret e befasishëm, e ku në vend që të mbinte një bimë e re që paralajmëronte ringjalljen e jetës, “mbinte” një “gungë” e re në trupin e brishtë të kësaj toke, e që kishte emrin e “tmerrshëm” varre. Por që gjithsesi edhe këto varre nuk qëndruan të heshtura, por herë pas here oshtinin e jehonin (me sa duket shpirti i tyre që nuk prehej në paqë nën këmbën turke), e kjo jehonë nuk linte kurrë në qetësinë mashtruese as banorët e këtyre trevave, ku si të parët e tyre me pushkë në dorë lindën e po me pushkë në dorë jetuan e vdiqën, duke kërkuar lirinë e pavarësinë e trashëguar me amanet. E megjithëse në pranverën e vitit 1911 amaneti i shqiptarisë u çua në vend edhe pse përkohësisht, pra në këtë pranverë që njihet (por fshihet) si Pranvera e Flamurit, e si për “ironi të fatit” kjo ditë e bekuar (dita e flamurit) “spostohet” nga stina e Pranverës 1911, që në fakt simbolizon siç thamë më sipër stinën e shpresës e jetës po ringjallet pas një stine të tmerrshme me acare e rrebeshe, në stinën e Vjeshtës 1912 që kishte sjellë pranvera, por edhe fundin e luleve e gjetheve që zbukuronin natyrën dhe paralajmëronin ardhjen e stinës (dimrit) plot acare e rrebeshe…

Gjithsesi duke mos dashur të përsëris të paktën vetveten, pasi kam shkruar disa artikuj në organe të ndryshme (duke përfshirë edhe “Shqipërinë Etnike”), për kryengritjen e vitit 1911, e cila solli edhe ngritjen e flamurit tonë kombëtar më 6 Prill 1911 në majën e Bratilës (Deçiq) të Malësisë së Madhe (momentalisht jashtë kufinjve të Shqipërisë “Londineze”), ku jam munduar të përshkruaj ato ditë të stuhishme, por edhe protagonistët e tyre të Trevave të Veriut të Shqipërisë e më gjerë, si dhe vullnetarë të botës perëndimore (që morën pjesë simbolikisht), madje edhe jehonën e shtypit ndërkombëtar të kohës (ku kampion mbetet “The Times”), si dhe disa episode luftarake ku shqiptarët e Veriut (Malësorët, Shkodranët etj.) shkruan faqe të reja lavdie e heroizminë kërkim të lirisë, mvetësisë e flamurit, e ku kjo kryengritje ka një hark kohor nga 24 marsi deri më 4 gusht. Por përveç luftës në këtë kryengritje kishte edhe penën, anën diplomatike e cila kurorëzohet me Memorandumin e Greçes të 24 Qershorit 1911…

Por për të kujtuar sadopak këtë pranverë, që është një përvjetor i Pranverës së Flamurit, të flamurit që u fitua me gjak e sakrifica, ngjyra e të cilit nuk u zbeh kurrë, pasi nuk është me ngjyra tregtarësh e matrapazësh (qofshin edhe politikë), por me ngjyrën e gjakut të një populli, madje të atij populli autokton që është themeli i vetë Europës… Ashtu siç edhe kam pralajmëruar në një shkrim të fundvitit të kaluar (2002), unë pasi kam siguruar një pjesë të madhe të atyre burrave të Malësisë së Madhe që kanë derdhur gjakun e tyre në Pranverën e Flamurit (rënë dëshmorë apo plagosur), si para ngritjes së flamurit dhe në ditët e pasme për mbrojtjen e tij, po i botoj emrat e tyre. Ku duke botuar këta emra mendoj sadopak të nderoj këta “Luanë” lirie e flamuri që prehen në zemrën e kësaj toke, padyshim në parajsën që e merituan plotësisht, por edhe familjet Malësore e më gjerë që do të gjejnë emrat e të parëve të tyre t’i respektojnë në këto kohë që mjerisht respekti është gjëja më e “lirë”… Listën e atyre që derdhën gjakun për të sjellë Pranverën e Flamurit, po e filloj me trimat e Grudës, kësaj treve që mjerisht ndodhet jashtë kufinjve politik të Shqipërisë… Së pari dëshmorët e rënë në fushat e betejës gjatë vitit 1911 e që Gruda krenohet e do të krenohet për jetë të jetëve:

1. Mirash Luli

2. Tom Hasi

3. Hase Mirashi

4. Sokol Dashi

5. Zef Kurti

6. Martin Ujka

7. Sok Preka

8. Mirash Hasi

9. Lekë Pjetri

10.                Luc Prela

11.                Tom Leka

12.                Zef Leka

13.                Zef Pjetri

14.                Tom Preka

15.                Luc Kaçeli

16.                Zef Çuni

17.                Nikë Bardhi

18.                Kol Prela

19.                Preloc Preka

20.                Maça Keqi

21.                Ujk Smaku

22.                Uc Pretashi

23.                Tom Luli

24.                Prek Gjon Martini

25.                Luc Gjoni

26.                Luc Marku

27.                Zef Preka

28.                Tom Preka

29.                Keqa Marku

30.                Prel Smajli

31.                Prek Ujk Luli

32.                Prel Ujka

33.                Mirash Marku

34.                Zekë Luli

35.                Gjelosh Leka

36.                Prekë Luca

37.                Prel Ujk Luca

38.                Preç Zefi

39.                Ujk Prela

40.                Gjelosh Gjoka

41.                Ujk Zefi

42.                Preç Miculi

 

Të plagosun nga mali i Grudës

1. Mark Nika

2. Tosh Luli

3. Gjek Baca

4. Lule Dedi

5. Lulash Smajli

6. Nikë Gjergji

7. Nikë Zefi

8. Gjon Luku

9. Luc Hasi

10.                Mirash Pëllumbi

11.                Gjekë Prela

12.                Gjekë Preloci

13.                Tom Prela

14.                Muç Smajli

15.                Mirash Tuku

16.                Lukë Smajli

17.                Nikoll Miri

18.                Ujk Gjeloshi

19.                Zef Preka

20.                Pjetër Nika

21.                Fran Hasi

22.                Kol Smaku

23.                Nik Prela

24.                Tom Preli

25.                Pretash Leka

26.                Mark Çuni

27.                Prel Daka

28.                Prek Smajli

29.                Nik Luli

30.                Pjetër Pretashi

31.                Nishke Gjeku

32.                Lulash Gjeku

33.                Gjek Gjoni

34.                Ujk Gjeku

35.                Dodë Preka

36.                Zef Ujka

37.                Zef Marku

38.                Prek Ujk Luli

39.                Prel Ujka

40.                Kol Leka

41.                Pjetër Zefi

42.                Marash Zeku

43.                Gjon Nika

44.                Zef Lulashi

45.                Nik Pretashi

46.                Lekë Zefi

47.                Prek Nika

48.                Palok Marku

49.                Marash Preka

50.                Gjon Leka

51.                Prek Vata

52.                Prel Kola

53.                Tom Zoli

54.                Gjek Baca Pepa

55.                Nikoll Zef Pllumbi

56.                Tom Gjeku

57.                Lek Beli

58.                Prel Toma

59.                Nik Smaka

60.                Kolë Nikolla

61.                Pjetër Gjoni

62.                Ded Nika

63.                Martin Hasi

64.                Gjon Preçi

65.                Marash Deku

 

Të rënë në fushën e betejës gjatë vitit 1911 nga Traboini (që sot ndodhet në kufinjtë politik të Malit të Zi)

1. Gjergj Dedë Gjoluli

2. Nik Gjelosh Luli

3. Zef Lan Ula

4. Gjon Tom Hasi

5. Dedë Gjoni

6. Dodë Mirash Gjeli

7. Gjeto Gjon Ujka

8. Preloc Marka Gjeka

9. Prek Gjekë Breli

10.                Prelot Gjelosh Preli

11.                Nikë Pllumb Miri

12.                Ujk Gjelosh Leka

13.                Zef Vuksan Leka

14.                Tom Lekë Ula

15.                Prel Prek Leka

16.                Fran Zef Pllumbi

17.                Gjon Lulash Zeka

18.                Zef Lulash Zeka

19.                Pjetër Zef Preli

20.                Tom Hasan Marashi

21.                Gjon Marash Loshi

22.                Luc Gjergji

23.                Kol Marash Vata

24.                Nikë Hakë Shabi

25.                Gjon Ujk Coku

26.                Lekë Marash Peci

27.                Gjok Kol Preli

28.                Kol Prel Ucaj

29.                Gjek Prel Coku

30.                Zef Marka Gjeka

31.                Zef Prei

32.                Nikash Zefi

33.                Gjeto Vuja

34.                Mark Ujk Gjeka

35.                Lekë Dedë Vuja

36.                Gjeto Mark Ujka

37.                Fran Gjeto Marujka

38.                Gjokë Deda

39.                Keqa Prela

40.                Gjon Deku

41.                Lekë Ula

42.                Mila Preka

43.                Zekë Pllumbi

44.                Has Ujka

45.                Nikë Pllumbi

46.                Ujk Gjekë Daci

47.                Kere Ujka

48.                Uc Smajli

49.                Mirash Martini

50.                Lulash Smajli

51.                Prel Elezi

52.                Pjetër Leka

53.                Kol Nika

54.                Zef Peri

55.                Nikë Pllumbi

56.                Pjetër Nika

57.                Keqa Prel Dushi

58.                Dokë Gjoni

59.                Prel Marashi

60.                Gjon Ujka

61.                Pjetër Gjoka

62.                Kol Preli

63.                Zef Toma

64.                Çun Çeti

65.                Zef Vuksani

66.                Gjeto Martin Ula

67.                Marash Marku

68.                Keqa Prel Nika

69.                Ujk Gjeloshi

70.                Frano Zeka

71.                Zef Luli

72.                Pjetër Uci

73.                Nikoll Mirashi

74.                Lekë Mirashi

75.                Dedë Marashi

76.                Mark Ujka

77.                Prel Preka

78.                Preloc Marku

79.                Tom Hasani

80.                Prek Gjeka

81.                Gjok Kol Preli

82.                Gjon Gjekë Daka

83.                Nik Haka

84.                Zef Gjoka

85.                Fran Gjetja

86.                Gjon Pllumbi

87.                Gjeto Gjoni

88.                Dedë Gjon Ujka

89.                Gjergj Keri

90.                Pjetër Vogli

91.                Kolë Toma

92.                Nikë Zek Doku

93.                Gjon Tom Keri

94.                Gjeto Marku

95.                Lekë Dedi

 

Dëshmorë të rënë prej Rapshet e Starjet

1. Pjetër Nikë Daku

2. Gjon Pllumb Naçi

3. Gjek Kol Marashi

4. Zef Marash Dashi

5. Pjetër Vogli

6. Luc Marash Shabi

7. Tom Gjelosh Mikaj

8. Marash Gjelosh Mikaj

9. Kol Tom Kalaj

(Fatkeqësisht ende nuk kemi mundur të sigurojmë listat e të plagosurve të këtyre trevave malësore)

 

Dëshmorë nga katundi i Kastratit

1. Prel Gjelosh Jugomiri

2. Voc Keq Qarraj

3. Nikoll Voc Keqi

4. Gjon Mirash Pretashi

5. Marash Ujk Bratoshi

6. Myrto Selim Curraj

7. Buç Hajdar Curraj

8. Selim Hajdar Curraj

9. Shpend Hajdar Curraj

10.                Sadri Buç Curraj

11.                Hane Myrto Curraj

12.                Tahir Zekë Curraj

13.                Marash Vatë Lumaj

14.                Nishë Ulë Lumaj

15.                Luc Gjelosh Marinaj

16.                Mark Gjelosh Marinaj

 

Të plagosur nga Kastrati i Moçëm (Goraj-Jugumirë)

1. Gjeto Dedë Pjetroviqi

2. Mark Dedë Narkaj

3. Dedë Gjelosh Narkaj

4. Dedë Gjon Ujka

5. Zef Gjon Marashi

6. Mark Gjoni

7. Vasel Prek Lumaj

8. Lekë Vat Lumaj

9. Kolec Nika

10.                Kol Zef Lekaj

 

Dëshmorë të flamurit nga Dedajt, Çekdedajt, Bzhetë

1. Lac Mirash Ivanaj

2. Martin Gjekë Pllumbi

3. Dodëo Lar Vukaj

4. Gjergj Kol Gjoni

5. Katrina Gjon Vukaj

6. Pjetër Ndok Dushaj

7. Gjon Stak Deda

8. Luc Nik Martinaj

9. Gjon Ujk Shkreli

10.                Gjekë Marash Gjeka

11.                Tom Nik Prela

12.                Zef Tom Nika

13.                Tom Celi

14.                Ndrek Çun Marku

15.                Lekë Stak Preknicaj

16.                Lulec Ujk Vukeli

17.                Gjokë Marku

18.                Martin Marku

19.                Marash Mirashi

20.                Kol Toma

21.                Tom Gjeloshi

22.                Zef Marku

23.                Maç Keqi

24.                Rrustem Hasani

25.                Gjekë Deda

26.                Gjon Nika

 

Të plagosur nga Dedajt,Çekdedajt, Bzheta

1. Prek Mirash Gjoni

2. Gjon Mirash Lumaj

3. Kol Martin Pllumbi

4. Nikoll Ded Gjoni

5. Zef Mal Kola

6. Gjon Prek Gjeka

7. Mark Prek Kola

8. Dedë Prek Lugaj

9. Prej Gjek Marku

10.                Mashel Gjon Dushaj

11.                Zef Nikë Martini

12.                Pashko Zef Marku

13.                Tom Nikë Dedaj

14.                Prel Tom Kola

15.                Nikoll Zef Kola

16.                Zef Kol Ivanaj

17.                Ndoc Martin Prendashi

18.                Gjok Ded Shkreli

19.                Ndoc Gjon Goci

20.                Vatë Martin Martinaj

21.                Simon Gjoka

22.                Kol Vat Ndoka

23.                Mark Pjetër Luca

24.                Kol Zef Marku

25.                Gjek Gjon Prelani

26.                Mark Sokol Nika

27.                Mark Gjekë Lumaj

28.                Cur Cali

29.                Gjon Nik Delia

30.                Gjelosh Marash Mirashi

31.                Mark Lek Prendashi

32.                Gjok Kol Nika

33.                Pjetër Lek Prendashi

34.                Zef Tom Nika

35.                Pashko Gjergj Kola

36.                Rrok Tom Kola

37.                Palok Luk Vruçaj

38.                Frano Lini

39.                Fran Prela

40.                Luc Ujk Micani

41.                Zef Kol Cekaj

42.                Tom Dush Vukeli

43.                Lin Nika

44.                Rrok Tom Nika

45.                Gush Gjergj Ivanaj

46.                Zef Kol Gjeli

47.                Ndue Murra Nika

48.                Marash Mark Lula

49.                Kol Ndoc Isufaj

50.                Gjelosh Nik Vukeli

51.                Lulash Marashi

52.                Ujk Gjeloshi

53.                Gjok Vaseli

54.                Tom Kola

55.                Zef Kola

56.                Pjetër Lushi

57.                Gjon Kola

58.                Lek Miruka

59.                Prek Ndou

 

Të plagosur nga Lohja (e sipërme)

1. Nik Gjeto Brulaj

2. Zef Pjetër Brahimaj

3. Dedë Mark Kelaj

4. Lulash Sina

5. Gjon Mark Sina

 

Dëshmorë nga Vrithi

1. Prel Prek Pacaj

 

Të plagosur nga Vrithi

1. Prekush Ndoc Kocaj

2. Preloc Keq Purashi

3. Prelot Zef Ujka

4. Mark Preç Pepaj

5. Gjok Ded Milaj

6. Gjergj Loc Kronaj

7. Ndok Marash Dashi

8. Kol Luc Purashi

9. Prendash Mark Vecaj

10.                Lek Mirash Kocaj

11.                Luk Maç Tuçaj

12.                Dedë Mark Pacaj

 

Dëshmorë nga Zagora

1. Pjetër Kolë Rushaj

 

Të plagosur (nga Zagora)

1. Lekë Gjon Marku

2. Sadik Alija

3. Lan Halili

4. Zef Hus Gjolaj

5. Marash Vata

6. Shaban Ceka

7. Nol Lekë Colaj

8. Istref Haku

9. Lac Kol Leknikaj

10.                Brahim Tarja

11.                Zef Kol Gjoni

12.                Brahim Haxhija

 

Dëshmorë nga Boga

1. Daca Nik Bogejani

2. Kolë Lek Bori

 

Të plagosur (nga Boga)

1. Gjier Pllumb Olaj

2. Nikë Lek Rakaj

3. Gjergj Vuksan Toma

4. Pjetër Mark Tari

5. Gjok Ded Mikaj

6. Dedë Elez Ndreaj

7. Martin Gjek Mikaj

8. Pjetër Nik Shyti

9. Martin Prek Ulaj

10.                Lekë Daca Nika

11.                Tom Gjier Olaj

12.                Pjetër Lekë Curi

13.                Gjon Martin Leshaj

14.                Nikoll Vuksan Mihaj

15.                Ndue Gjon Rakaj

16.                Vatë Gjon Ulaj

17.                Fran Llesh Ulaj

18.                Ndue Gjek Rakaj

19.                Gjek Gjon Mihaj

20.                Tom Gjon Malaj

 

Të plagosur nga Reçi

1. Dyl Sokol Bajraktari

2. Tom Lekë Kolnikaj

3. Gjon Ndoka

4. Bisho Ahmet Gjonaj

5. Dyl Nuzi

6. Zog Muslia

 

Të plagosur nga Vajushi

1. Sadik Bajrami

2. Haxhi Ahmeti

3. Arif Ahmeti

 

Duke përfunduar këtë shkrim përkujtimor nuk mund të lë pa shënuar edhe një arritje tjetër të madhe (diplomatike), pas ngritjes së flamurit, ku Perandoria Otomane që po i dridhej toka nën këmbë u detyrua të lëshojë pa masë në kërkesat e shqiptarëve të Veriut. Madje duke iu premtuar mjaft investime që bënin bujë për kohën, por që edhe sot një pjesë e tyre premtohen nga qeveritë post-komuniste. E këto premtime (për investime) janë: ndërtimi i hekurudhës Shkodër-Tivar, drenazhimi e sistemimi i moçalishteve rreth Liqenit të Shkodrës, sistemimi i vetë Liqenit të Shkodrës, rregullimi i kufinjve etnikë me Malin e Zi, etj…

Gjithsesi këto premtime ishin në “këmbim” të pushimit të kryengritjes të vitit 1911, që në fakt “pushoi” përkohësisht, për të marrë përmasa mbarëkombëtare edhe në ato treva që deri atëherë ishin disi të përgjumura. Ku si rrjedhojë e ngjarjeve të vitit pasardhës u arrit të ngrihen flamuj në shumë krahina e qytete të Shqipërisë së Mesme e të Jugut, derisa më 28 Nëntor 1912 u shpall Mvetësia në Vlorë, por që gjithsesi “faturën” më të rëndë e kish paguar Shqipëria e Veriut me në krye Malësinë e Madhe, ndërsa pjesët e tjera të Shqipërisë vinin shumë më pas duke përsëritur të papërsëritshmen, ngritjen e Flamurit Kombëtar, që për herë të parë pas katër shekujsh e gjysëm robëri Otomane u ngrit më 6 Prill 1911, ku në fakt kjo është data e vërtetë e ngritjes së Flamurit, e si rrjedhojë Festa e Flamurit Kombëtar…

Tashmë ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shpreim keqardhjen tonë që nuk kemi mundur të sigurojmë listën e plotë të atyre që derdhën gjakun për Liri e Flamur, por që mbetemi të hapur për të gjithë ata që mund të na ndihmojnë me emra dëshmorësh e të plagosurish… Gjithsesi këtyre martirëve që na sollën Pranverën e Flamurit u pushoftë shpirti në paqe në parajsën qiellore, ndërsa shqiptarëve kudo që ndodhen u urojmë gëzuar Festën e Flamurit, 6 Prillin (1911)…

V.O. Falënderojmë z. Ndoc Deda për ndihmesën që na ka dhënë për sigurimin e shumë emrave të kësaj liste jo të plotë…

Ndue Bacaj

 

Fan. S. Noli, njëri ndër kolosët e letërsisë sonë

Fan Stilian Noli është përkrah Fishtës dhe Konicës, njëri nga viganët e letrave shqipe.

Ai u lind më 6 janar 1882 në qytezë (Ibrik Tepe), fshat shqiptar në Thrakën turke, jo larg nga Adrianopoli, qyteza kishte ruajtur gjuhën dhe doket e të parëve. Që në moshë fare të njomë, djalit iu ushqye krenaria për të kaluarën historike të atdheut stërgjyshor dhe dashuria për shkrimin në gjuhën amtare. Ai gjithnjë do të kujtojë edukimin shqiptar që mori nga familja, të afërmit e bashkëfshatarët, të cilët mbrojtën fort tiparet burrërore të më të moçëmve, mu në zemër të perandorisë turke. Në fshat, Theofani ndoqi shkollën fillore greqisht, pastaj gjimnazin gjithashtu greqisht të Adrianopolit. Por ai mbeti bir fshatari shqiptar, megjithë përpjekjet e dhaskalëve për t’i rrënjosur në shpirt ndjenjën e helenizmit. Ai, sepse mori pjesë në krye të një demonstrate nxënësish për të mbrojtur një mësues të pushuar padrejtësisht, nuk iu dha diploma në kohën e duhur. Në Stamboll ai punoi në një ëmbëltore, ku robëtohej duke punuar nga 12 orë në ditë dhe, ndonëse i sëmurë prej vitesh, vendosi të shkonte në Athinë me qëllim që të gjente punë e të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Greqi qëndroi 3 vjet (1900-1903), u rregjistrua dhe në Universitet, por për mungesë ekonomike u shtrëngua t’i ndërpriste studimet. Shërbeu në një shoqëri të tramvajëve, pastaj sufler në një teatër ambulant, me të cilin u end dy vjet nëpër Greqi. Ndërkohë, Noli njihet me lëvizjen tonë kombëtare. Tek punonte për teatrin, ai shkroi greqisht dramën “Zgjimi”. Autorietet e vendit e ndaluan shfaqjen, sepse bënte aluzion tek përpjekjet e shqiptarëve për liri. Në të njëjtën kohë, Noli shkruan dhe një dramë tjetër, kësaj radhe shqip, me titull “Izraelitët dhe filistinë” që aludon përsëri në ato përpjekje dhe që botohet më 1907. Ai do të mbetet përherë i lidhur me teatrin, si përkthyes i Molierit e sidomos i Shekspirit e Isbenit.

Sensi i theksuar patriotik i Fan Nolit do të na shfaqet, kur ky shkoi në Egjipt (1904), ku gjeti punë si mësues i greqishtes. Aty nisi dhe veprimtaria e tij politike përkrah atdhetarëve të shquar Thanas Tashko e Jani Vruho. Me artikujt greqisht, për çështjen shqiptare që botonte në gazetën “Drita” të Sofjes dhe me përkthimin greqisht (1905) të veprës së Sami Frashërit, “Shqipëria çka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. I zgjuar, energjik e intelektual, Noli fitoi shpejt simpatinë dhe çmimin e rrethit patriotik shqiptar të Egjiptit ku po zhvillohej një luftë këmbëngulëse kundër rrymave diversioniste, turkomanizmit.

I nxitur nga shokët e tij të misionit, niset më 1906 për në SHBA, me qëllim që të ndihmojë me organizimin e bashkatdhetarëve të mërguar atje, të cilët ishin në rrezik të përçaheshin për shkak të veprimeve të shovinistëve të Megalidesë.

Në atë kohë, numri i shqiptarëve i kalonte të 20.000 vetë. Ata sa po themelonin shoqëritë e para patriotike, në vitin 1906-1908 në Boston botohej gazeta “Kombi” ku Noli bashkëpunoi me Sotir Pecin, dhe një vit më vonë “Qielli” të cilën e drejtoi vetë Fan Noli.

Më 1912 u krijua Federata Panshqiptare “Vatra” e cila u drejtua po nga Fan Noli. Për qëllime të larta dhe thellësisht patriotike më 1908 Noli dorëzohet prift dhe nisë luftën (plot guxim) për ta shkëputur ortodokse shqiptare nga Patriakana e Stambollit.

Me qëllim që të gjitha shërbesat të bëhen në gjuhën tonë kombëtare, ai përkthen shqip liturgjinë ortodokse, veprim edhe politik ky me rëndësi të madhe për kohën, sepse i priste udhën ndikimit të qarqeve grekomëdha mbi shqiptarët ortodoksë dhe ndihmonte në forcimin e lëvizjes patriotike jo vetëm në mërgim por edhe në Atdhe. Atje, Noli zhvilloi një veprimtari shumë të gjerë patriotike edhe si orator e publicist. Ai mban fjalime të zjarrta në mbledhjet e shqiptarëve edhe në kishë për figurat kombëtare si Kristoforidhi e në veçanti revokohen lavditë e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti. Të kësaj periudhe janë shqipërimet e tij të para artistike: “Një tregim i Bjornsonit”, komedia “Martesa me pahir” e Molierit, novela “Vanina Vanini” e Stendalit etj.

Kur shpërtheu kryengritja e Malësisë së Madhe (1911) me në krye luanin e maleve Dedë Gjon Lulin, ai bëri thirrje për luftë të vendosur kundër armiqve anadollakë. “Luftë, luftë gjer në fund! Shqipëria kërkon luftëtarë e ndihma. Le t’ia apim pa numëruar. Shqipëria kërkon luftëtarë. Le të rendim te thirrja e saj. Le të sulemi nën flamurin e kuq nën flakë të luftës, që të na dridhësohet trupi nga dehja e barotit, që të na ndizet shpirti nga zjarri i shejtë i lirisë dhe të vdesim duke thënë: Rroftë Shqipëria.”

“Pra siç e shohim, Noli, i kishte ndezur të gjithë “gjeneratorët” e shpirtit të tij të madh e të fuqishëm, me zgjimin e ndërgjegjes mbarëkombëtare, me ligjëratat e tij, dhe me atë pendë të pakrahasueshme, që derdhte energji të pashtershme” (M.B.)

Ndërkohë, Noli ishte regjistruar në Universitetin e Harvardit (Boston), të cilin e kreu më 1912, i diplomuar “për art”. Mbas 5 vjetësh të nguljes në SHBA, ai vjen në Evropë dhe viziton kolonitë shqiptare në Rumani e Bullgari, ku bën thirrje për bashkim kombëtar. Me Ngritjen e Flamurit Kombëtar në Vlorë, ai përkrah qeverinë e Ismail Qemalit, kthehet sërish në Evropë, ku qëndron tre vjet, viziton kryeqytetet e disa shteteve të mëdha, të Anglisë, Francës, Austrisë, për të mbrojtur çështjen shqiptare. Tashmë ai është një nga personalitete më të njohura të lëvizjes sonë kombëtare si njeri politik e i kulturës. Me plasjen e Luftës II Botërore, ai mbetet në Evropë, dhe vetëm më 1915 mundi të kthehet në Amerikë.

Më 1918 Noli vjen përsëri në Europë i ngarkuar nga “Vatra” për të kërkuar prej Konferencës së Paqes në Paris të drejtat e ligjshme të Shqipërisë. Dhe pikërisht në këtë periudhë ai boton organin “The Adriatic Review” (Revista Adriatike), si shtojcë e “Diellit”. Në vazhdimin e punës së tij, prej shqipëronjësi artistik, ai tashmë ka nxjerrë në dritë tragjedinë “Otello” të Shekspirit (1916), poemën epike “Kthimi i Skënderbeut në Krujë” të Longfellout, dy vjersha të Edgar Poes, përkthime me mjaft vlerë, dhe që e bënë shumë të njohur në fushën e letrave. Në vitet 1912-29, Noli me shumë konseguencë dhe vitalitet energjik vazhdon luftën kundër shovinizmit grek e do të hidhej shumë shpejt në ndeshjen e ashpër për një regjim demokratik kundër reaksionit feudal dhe mbeturinave anadollake. Duhet theksuar se krejtësisht në kundërshtim me ndonjë intelektual tjetër të kohës si Faik Konicën, Fan Noli bashkë me Gurakuqin shkëlqejnë për patriotizmin e zjarrtë si atdhetarët më të shquar të kohës.

Më 1920, Noli vjen për t’u ngulur në atdhe, zgjidhet deputet i “Vatrës” pastaj i Korçës. Në Parlamentin Shqiptar në krahun e demokratëve pranë Gurakuqit, Sotir Pecit, Hasan Prishtinës e intelektualëve të tjerë. Noli shquhet për ligjëratën e tij, e për atë oratori të pakundshoqe ku, bashkë me Gurakuqin, i heqin maskën despotizmit dhe anakronizmit feudal dhe mbeturinave të nomenklaturës turko-osmane. Me një elokuencë të panjohur ndonjëherë tek ne, dhe me një sarkazëm therëse godet “arkitektët” e arkaizimit dhe anakronizmit.

Ligjëratat e Fan Nolit në Parlamentin Shqiptar të viteve 1920-1924 janë modeli për t’u patur lakmi edhe ndër kancelaritë e shteteve më të përparuara dhe më moderne të Evropës. Ai, me një kurajo të theksuar, do të fishkullonte nga tribuna e Parlamentit Shqiptar mbi ata përfaqësues të mbrapambetjes dhe të errësirës, mbi despotizmin dhe absolutizmin që po instalohej në Shqipëri. Më 1923 ai propozon zbatimin e reformës agrare, kërkon t’i jepet gruas e drejta e votës etj., por këto nuk pranohen nga politikanët konservatorë, që deri dje i kishin shërbyer sulltanit e tani mbronin me tërë egërsinë rendin Myfliz të trashëguar nga Turqia. Këta politikanë, Noli i ka quajtur “kolltukofagë, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten në plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpusha që mund t’i copëtosh, po jo t’i shqisësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë”. Në “Historia e Letërsisë Shqiptare”, Noli është “taksuar” për pikpamjet e tij tepër të studiuara dhe korekte që ai kishte për demokracinë anglo-saksone. “Një e vërtetë absolute që dëshmon për sensin perëndimor të Nolit, pavarësisht konjukturave politike të mëpastajme dhe për utopinë e tij socialiste” (M.B.). Mbas thyerjes së Revolucionit Demokratiko-borgjez të vitit 1924, Noli u strehua në Austri. Hyrja e Nolit në Federatën Komuniste Ballkanike dhe vënia e tij në krye të (Konares), duhet kuptuar si një lëvizje konjukturale e çastit. “Por, dhe në qoftë se Noli pati simpati apo iluzion për socializmin, kam mendimin se, në atë klimë feudo-anadollake të “staxhionuar” në portat e orientit, kjo do të ishte zgjidhja më e mirë. Fakti që sot, pothuajse gjysma e Evropës Perëndimore e përkrah dhe e aplikon me sukses socalizmin, e bën Nolin mjaft largpamës dhe koherent” (M.B.). Më 1932, Noli vendoset përfundimisht në SHBA duke u shkëputur nga beteja politike. Në atë periudhë ekonomia amerikane po kalonte momente të vështira bashkë me ekonominë botërore. Në këto kushte pësuan rënie ekonomike edhe shumë të mërguar shqiptarë. Nga të njohurit e vjetër të Nolit, Faik Konica, thjeshtë për interesa të ngushta materiale dhe për difiçencë morale në sensin patriotik, ishte vënë përkrah A. Zogut, i cili i kishte siguruar një rrogë të majme si Ambasador në SHBA. “Diellin” dhe “Vatrën” ai kishte arritur t’i kthente kundër Fan Nolit. “Ky ishte morali i Faik Konicës”, i cili nën kostumin oksidental mbante shpirtin e borgjezit oriental, (shënimi është imi, M.B.).

Vullneti dhe etja e Nolit për dije dhe kulturë nuk njeh kufi. Ndonëse në rrethana të vështira ai nuk i ndërpreu studimet dhe krijimtarinë, kësaj here në fushën e historiografisë dhe të muzikës, 55 vjeç ai mbaron konservatorin. Më 1948, me rastin e 40-vjetorit të krijmtarisë së tij në gjirin e shqiptarëve të mërguar në SHBA, Noli i përmblodhi për herë të parë në një vëllim vjershat e tij origjinale dhe disa shqipërime poetike, nën titullin “Album” të cilin ua kushtoi “Kryetrimave, që e çliruan Shqipërinë nga fashistët, nga nazistët, nga bjelerët”.

“Në qoftë se idealet e shejta të luftës për çlirimin e atdheut nga armiqt e sipërpërmendur u tradhëtuan më vonë nga komunistët, kjo nuk e errëson aspak arsyetimin e Nolit, as nuk mund t’i veshi tij “kostumin” e kuq të komunizmit” (M.B.).

Sensin e tij atdhetar, Fan Noli e ka “shkrirë” në portretizimin që u bën dy prej figurave më patriotike të shekullit që lamë pas, Luigj Gurakuqit dhe tribunit të maleve, Barjam Currit.

Intelektuali i shquar dhe njëri nga viganët e letrave shqipe, Ernest Koliqi, thotë: Janë tri vepra që e bëjnë Nolin të pavdekshëm: 1) Ngritja e Fletores “Dielli” (1909) në Boston; 2) Futja (anëtarësimi i Shqipërisë në “Lidhjen e Kombeve”) (1920); 3) Autoqefalia e Kishës Ortodokse Shqiptare.

Noli shquhet si kritik dhe estet. Disa nga veprat që përktheu Noli i përcolli me “introdukta” (parathënie) të cilat kanë vlerë të veçantë. Me to ai numërohet ndër të parët dhe ndër më të shquarit estetë të kritikës letrare dhe që përhapi pikpamje të drejta, veçanërisht mbi vlerat ideore dhe artistike të veprave që përktheu. Gjykime interesante dha ai rreth “Otellos”, “Hamletit”, të cilët kanë qenë objekt intepretimesh të ndryshme dhe kontradiktore. Vlen për t’u shënuar vëzhgimi i thellë kritik, me të cilin Noli zbulon botën e gjerë dhe komplekse shpirtërore të Hamletit. Ai shkruan: “Arsyeja kryesore e vuajtjeve të Hamletit duhet kërkuar më tepër në ndjenjën që ka pësuar një tronditje fatale, për vdekje, se sa në ndjenjën që është i pazoti për punë e veprim. Për ta kuptuar mirë sjelljen e tij, duhet të dimë që kemi përpara nesh një të sëmurë me ethe, i cili është ngritur me pahir nga shtrati për të mbaruar një detyrë të shenjtë, i cili gjysmë në ëndërr, i këputur e me shpirtin në dhëmbë, përpiqet me qip e me thonj të ngjitet zvarrë përpjetë në majen e bregut, para se të rrëzohet përdhe pa frymë. S’është as i gjallë as i vdekur, as i marrë as meramend, as i zgjuar as i fjetur tamam: ndodhet buzë vdekjes, buzë greminës, ku e di që shpejt a vonë do të përmbyset e do të copëtohet”. Vlerë të madhe ka stili me të cilin janë hartuar këto “introdukta”. Po, mbi të gjitha, kemi të bëjmë me një kontribut në lëvizjen mendore demokratike sepse ato përshkohen nga ide të përparuara shoqërore, të mbështetura në rryma të shëndosha kritike të kohës, për sa u takon paraqitjes dhe aktualizimit të disa kryeveprave të letërsisë botërore.

Të shkruash për veprën Noliane duhen volume, por ajo që ka shumë rëndësi, nuk është vetëm talenti i tij tepër i madh si shkrimtar, por mbi të gjitha sensi përparimtar dhe patriotik. Angazhimi i tij për ta nxjerrë atdheun nga “llumi” dhe errësira aziatike dhe jehona që penda e tij e artë ju bën atyre që luftojnë për oksidentalizimin dhe demokratizimin e këtij vendi.

Në poezinë e tij të fuqishme “Tomsoni e Kulçedra”, Noli na jep me penelatën e tij të fuqishme një Sidorit me ngjyra sa emocionale as dhe reale, duke përpjestuar aktin heroik të kolonelit holandez, i cili vjen nga ana tjetër e Adriatikut për të na “flituar” dhe për të na shpëtuar nga ajo “kolerë” pesë shekullore. Në të njëjtën kohë, në ditët që ne po jetojmë, na kujton se jo kurdoherë Evropa është “kurvë”!… “Si përfundim: “Portreti” i Fan Stiliano Nolit, është dhe do të mbetet përjetësisht i skalitur në memorien dhe shpirtin e çdo qytetari dhe intelektuali shqiptar me shpirt demokrat dhe me sens Euro-Perëndimor”, (autori, M.B.). Kushdo që ka tentuar apo tenton që t’i veshë Nolit “nofkën” komunist , gabon. Komunizmi është ateist prandaj nuk mund të jetë i tillë një prift. Këtë e bëjnë ata të cilët edhe Gurakuqin, herë e quajnë fashist, herë komunist! Dhe natyrshëm të gjithë ata të cilët kanë marrë përsipër të përqafojnë rryma politike pa bosht ideologjik, nuk mund të ndërtojnë një program bindës, por luhaten sa majtas-djathtas. Këtë e vërejmë edhe tek demokristianët, kur herë “induktohen” nga e djathta, me pretendimin absurd se Krishti na paskesh qenë i djathtë! Duhet t’ju kujtojmë këtyre “predikatorëve” të absurdit, se Jezusi nuk ishte as kapitalist, as komunist. Dhe kështu do të kuptojmë më mirë edhe Nolin, i cili nuk deshi as kapitalizmin “vulgar”, as komunizmin. Ai ishte një demokrat i vërtetë, një letrar i përmasave evropiane dhe një atdhetar me vlera shumë të mëdha.

Jam i mendimit se do të ishte në nderin e Parlamentit Shqiptar, sikur në hyrjen e selisë të vendoseshin dy ideologët dhe dy patriotët e shquar Gurakuqi e Noli. Si dy pionierë të qytetërimit oksidental.

Dhashtë Zoti që dy bustet e këtyre burrave të mëdhenj, t’i shohim aty ku e kanë vendin dhe ku i thërret koha.

Revolucioni Demokratik i Qershorit (1924), nuk ishte rebelim, por një revolucion me program të qartë demokratik dhe i iniciuar nga dy ideologë dhe demokratë të shquar me parime nacionale dhe vizion perëndimor.

Vetëm mbi “shinat” që u shtruan nga këta atdhetarë e intelektualë të mëdhenj, “treni” shqiptar mund t’i drejtohet Evropës së qytetëruar dhe demokratike.

“Godina e Re” e shtetit, nuk mund të ngrihet mbi rrënojat e sistemit të kalbur mesjetar-feudal, por mbi bazamentin (ende të pa “dizermuar”) të Shtetit-Arbër të Gjergj Kastriotit”. (autori M.B.).

Misioni tepër fisnik i Fan Nolit, i cili që në fillim të shekullit të kaluar, lufton për ta shkëputur kishën ortodokse shqiptare nga Patrikana greke, dhe akoma më fisnik, përkthimi i liturgjisë fetare në gjuhën amtare, duhet të “trokasë” fort në ndërgjegjen e predikatorëve të feve në Shqipëri, që çdo liturgji të përkthehet në gjuhën amtare. “Shpirti patriot i Fan Nolit, asht shembëlltyra më e shkëlqyer për edukimin Nacional të brezave”, (M.B.).

“Liria” është pasuria më e madhe që mbart një individ, apo një popull, (ndaj dhe çmimin e ka të lartë)” – (autori).

Mark Bregu

 

Shqipëria si Zvicra, por pa pyje

Thonë se vendi të bën për vete, por tek ne ngjet e kundërta. Jemi ne që po e bëjmë vendin në përngjasimin tonë. Shqipëria dje me një ekologji të pasur me pyje virgjër, përbënte një parajsë të vërtetë natyrore. Ndërsa sot zë vendin e fundit në Europë me sipërfaqe pyjore prej 0,3ha për banorë dhe me rritje mesatare vjetore prej 1,5m3/ha në vit. Ku vende të tjera si Gjermania, zotërojnë 6-7ha për banorë dhe me rritje mesatare vjetore mbi 7m3/ha nëvit. Neve gradualisht po e braktisim natyrën dhe për pasojë edhe ajo po na braktis neve duke na kthyer borxhin. Por mjedisi natyror është i përjetshëm dhe nuk lëviz, jemi ne ato që do të endemi diku tjetër për të mbijetuar. Thuhet se ne shqiptarët kemi lindur bashkë me drurin dhe vdesim me drurin dhe ka të ngjarë që “jemi prej drurit”. Dikur kjo pasuri ishte me bollëk dhe se Zoti ia kishte dhënë falas këtij populli. Sipërfaqe të pafundme me pyje shekullorë pushtonin vendin dhe në brendësinë e tyre sundonte errësira edhe në mesin e ditës që u kallte “frikën” njerëzve të atyre anëve. “Frika” shtohej edhe në gjallesat e egra që popullonin këto pyje dhe jetonin si në shtëpinë e tyre. Por një ditë ndodhi mrekullia, erdhi fitorja. Bashkë me çlirimin e vendit, populli ynë “punëtor, trim, besnik, atdhetar dhe paqedashës” si një trup i vetëm rreth partisë së tij me një “humanizëm të pashoq”, me një mentalitet të “lakmueshëm” feudal u ngrit dhe vendosi të mposhtë krenarinë shekullore të këtyre pyjeve që mbretëronin dhe “mbillnin vetëm të këqia dhe fatkeqësi për njerëzit”. Toka e cila që prej shekujsh mbulohej nga errësira e pyllit duhej të zbulohej dhe të dilte lakuriq në dritën e diellit. Malet dhe kodrat duhej të bëheshin pjellore sikurse edhe fushat. Vendi po ndryshonte me hapa gjigandë dhe për herë të parë populli ynë “largpamës dhe i fuqishëm” arriti të mposhtë natyrën.

Bashkë me ndryshimet “progresiste” po shuhej errësira dhe po sundonte drita, lakuriqësia e maleve, po zbulohej në sy të botës. Edhe kafshët e egra, ato që mundën të shpëtonin kokën morën arratinë dhe, tashmë nuk përbënin një “rrezik” për njerëzit tonë “paqedashës”. Populli ynë, duke qenë aq i lidhur me drurin, i pëlqente të ngrohej vetëm prej tij dhe ashtu u bë. Thuhej që edhe Shqipëria do të ndërtohej prej druri dhe për këtë nevojitej një industri e fuqishme e mbështetur vetëm në forcat tona dhe ashtu u bë. Pyje kishte me bollëk dhe s’po iu gjendej fundi. E rëndësishme ishte se këto pyje po i shfrytëzonim ne të zotët e shtëpisë dhe jo okupatori. Një punë e pashembullt u bë gjatë dymbëdhjetë viteve të demokracisë. Ndonëse një kohë e shkurtër, populli ynë në sajë të një mentaliteti feudal të trashëguar me fanatizëm dhe modernizimit të mjeteve të punës, arriti të shfrytëzojë pothuajse atë çfarë kishte mbetur nga e kaluara jonë “e lavdishme”. Krahas lëvizjes demografike të popullatës ndodhi edhe gravitimi i pyjeve nga lart-poshtë drejt zonave urbane dhe qyteteve. Bashkë me emigrimin e njerëzve për në vende të ndryshme të Europës, për një jetë më të mirë, tani po emigronin edhe pyjet tona. Në fillim emigruan drurët e rinj dhe të shëndetshëm të vendosur pranë rrugëve auto-pyjore dhe qendrave të banuara dhe kohët e fundit po u vjen radha edhe atyre që ishin fshehur dhe strukur thellë në lugina dhe në lartësitë e maleve. Krahas drogës dhe prostitucionit, emigrimi i drurit konsiderohet një veprim normal si mall që sjell fitime për biznesin vendas që posa ka filluar të pasurohet. Emigrimi i drurëve ndonëse ngjan me emigrimin e njerëzve për nga mosha e re, cilësia dhe çmimi, ndryshon sepse ai emigron me letra legale pa pengesa dhe me shumicë. Edhe fshatari dhe qytetari me rritjen e standarteve të jetesës s’mund të ngrohet më me atë drurin e dikurshëm të quajtur dru zjarri. Tashmë është më komode të përdoret për djegie lënda e punimit e cila digjet më mirë, prodhohet më lehtë dhe kushton më lirë. Një fat të hidhur patën ato mijëra drurë autoktonë të mplakur nga mosha e të sëmurë nga defektet që u konsideruan si të papërdorshëm dhe u lanë për të vdekur në vendlindjen e tyre. Dhe tashmë atyre dhe pyjeve fqinje nuk iu dihet më as nami e nishani pasi populli ynë “fisnik” ua gjeti dermanin duke i djegur njëherë e përgjithmonë. Mendohet se në ato vende mund të kullotnin bagëtitë dhe s’do të ketë më egërsira. Por pyjeve akoma s’po u gjendet fundi. Dikur në një majë apo rrëpirë ato përsëri ngrejnë krye por s’është e largët dita që edhe ato do të kenë fatin e të tjerëve.

Mendohet se atëherë njerëzit do ta “zotërojnë” natyrën e cila do të ketë një pamje tjetër, me lakuriqësinë e maleve ashtu siç e ëndërronin të parët tonë. Shiu që bie nuk shkon më në kroje dhe burime por rrjedh vrullshëm, pa pengesa duke marrë përpara sa hapë e mbyll sytë atë çfarë shekujt krijuan me mundim duke lënë pas shkëmbin që tashmë sundon bashkë me natyrën dhe njeriun që e deshi aq shumë. Po sa vjen koha e shirave ujërat s’vonojnë të mbushin liqene dhe të bëhen zotër të fushave dhe të banesave tona ku i pritëm me aq bujari. Por ndërsa shirat pushojnë, liqenet s’vonojnë të shterrojnë dhe zonat përreth i pushton thatësira dhe cikli vazhdon të përsëritet. Nuk do të kalojnë shumë kohë dhe diku një liqen është kthyer në tokë pjellore të cilën ia ka rrëmbyer malit pëbri që dikur ishte pyll. Fëmijët tanë do të kujtojnë. Këtu na ishte njëherë një hidrocentral. Diku tjetër shkruhet një pllakë se këtu njëherë na ishte një burim ku pinte ujë i gjithë fshati apo merrte ujë i gjithë qyteti. Burimi ndodhej në rrëzë të një pylli i cili gjallëronte nga jeta

Këto gjëra i përkasin një të kaluare të largët dhe do të duken si të pabesueshme por ja që njeriu bëka mrekullira. Ndoshta do të vijë një ditë që edhe ne të pijmë ujin e distiluar të detit në sajë të këtij “kontributi” që dhamë të gjithë. Fëmijët tanë do të “krenohen” me ne dhe me tokën e tyre. Thuhet se dikur në këto male ka patur edhe gjallesa të egra si kaprolli, dhia e egër, derri i egër, ariu, lepuri, thëllënza e malit, pëllumbi i egër dhe lloje të tjera që na lanë për trashëgim emrin e tyre. Thonë se këto kafshë dhe shpendë u bënë tepër të “rrezikshme” për njerëzit e “butë”, të cilët për t’u mbrojtur përveç armëve të gjahut përdorën edhe armë luftarake dhe ia dolën mbanë duke fituar. Meqë rreziku gjithmonë na ka ardhur nga “jashtë” ka ndodhur që kafshë dhe shpendë shtegtarë me qëllim të shkelin zonën e ndaluar dhe janë eleminuar nga njerëzit tonë “vigjilentë” që në momentin e desantimit. Në kohën tonë mbijetuan kafshë dhe shpendë të “dobishme” dhe të “buta” si ujku, dhelpra, çakalli, korbi, sorra, laraska, shqiponja e të tjera të cilat iu përshtatën banorëve të atyre zonave. Thuhet se në botën e qytetëruar si në Europë, Amerikë, Australi e gjetkë, kafshët e pyllit si kaprolli dhe të tjera kanë depërtuar deri në brendësi të qyteteve dhe janë miqësuar me njerëzit. Thuhet gjithashtu se njerëzit e këtyre vendeve nuk preferojnë t’i presin pyjet për ndonjë qëllim dhe kanë filluar ta zëvendësojnë lëndën e drurit për përdorim me materiale të tjera industriale. Ndërsa ne po e shfrytëzojmë pyllin si burim komercial ndryshe po ndodhë me qytetërimet e tjera ku pylli po shfrytëzohet për funksionet mjedisore që luan. Kështu njerëzit ndjehen më mirë duke e soditur pyllin për bukuritë që ofron dhe duke jetuar në mjedisin pyjor. Ato preferojnë të ngrenë banesën e tyre nën strehën e pyllit duke bashkëjetuar me kafshët, shpendët dhe gjallesat e tjera që janë banorët e përjetshëm të pyllit. Dhe kjo quhet jetë luksi, komoditet në gjuhën e qytetërimit ku paguhen shuma të mëdha të hollash. Në fund shteti, individi, të gjithë dalin të fituar edhe pse pyjet e veta nuk i presin por i blejnë nga vende të “pasura” siç jemi ne.

Shikoni çfarë impaktesh kanë ndodhur në pyjet tona nga ndërhyrjet e njeriut. Tani Shqipëria meriton të quhet “vend turistik” me “resurse të bollshme”. Tani plazh mund të bësh jo vetëm në bregdet, por edhe në male ku dje kishte vetëm pyje dhe kafshë të egra. Duhet t’u kujtoj qeveritarëve që të vështrojnë jo vetëm nga deti, por edhe nga malet të cilat i kemi me shumicë në veri të vendit. Mjedise të tilla natyrore vështirë t’i gjesh në ndonjë vend tjetër edhe pse mungon infrastruktura. Njerëzit e fushës të malit dhe të qytetit pothuajse frekuentojnë të njëjtin mjedis. “Progresi është i dukshëm”. Të huajt kanë investuar disa miliona dollarë që edhe në vendin tonë të kemi pyje por s’kanë për t’ia arritur qëllimit pasi ne nuk kthehemi mbrapa. Sa për dollarët ato i hëngri lugati dhe ikën bashkë me vapën. Edhe nëse mbjellim çfarë korrëm llogaria është e bërë. Pasardhësit tanë të brezit të IV dhe të V do të kthehen aty ku ishin gjyshërit tanë, aty ku ndodhe Europa sot. Dhe nëse ne do ta jetonim do të na vinte keq sa mbrapa janë kthyer stërnipërit tanë. Thonë se pyjet tona i administron shteti përmes drejtorive të shërbimit pyjor të përbëra nga njerëz me arsim të lartë, inxhinierë dhe inspektorë me kualifikim të mesëm profesional.

Nga ana e shtetir tregohet e njëjta përkujdesje si për pyjet ashtu edhe për personelin që ka për detyrë t’i mbrojë dhe t’i menaxhojë ato. Kështu rroga e një specialisti arrin afërsisht sa e një arsimtari, megjithë shkurtimet e vazhdueshme që ka patur nga qeveritë e mëparshme. Policët pyjorë janë të pajisur edhe me armë të tipit trofe (parabelë) dhe karabinë dhe shpesh herë edhe me uniformë por që s’para përdoret në përgjithësi për arsye që i dinë vetë. Policët pyjorë në përgjithësi mbahen për njerëz të “privilegjuar” dhe nuk qahen, janë të sjellshëm. Nuk përdorin makina private për arsye të ndotjes së ambjentit dhe ndihen më komod duke ecur në këmbë. Policët pyjorë janë shumë miqësorë edhe me popullin edhe me shtetin dhe nuk përzihen në punët e njëri-tjetrit. Populli punon vetë pa ndihmën e policisë pyjore e cila ka lënë çdo lloj biznesi dhe i është kushtuar profesionit për të fituar bukën e gojës.

Çdo vit në vendintonë priten mbi dy milion m3 lëndë drusore që shkon për nevojat e vendit në asortiment lëndë punimi e dru zjarri dhe për eksport si lëndë punimi gjysmë e përpunuar ose e përpunuar. Për vitin 2002 janë raportuar në shkallë vendi lëndë drusore kontrabandë, lëndë punimi dhe dru zjarri gjithsej 28374m3, afërsisht e barabartë me nevoajt për dru zjarri që ka rrethi Malësi e Madhe. Sasia e mësipërme është e papërfillshme në raport me realitetin i cili vazhdon të mos deklarohet. Megjithatë shteti kujtohet të përmendë pyjet një herë në vit sa për modesti. Specialistit të pyllit edhe pse i dhemb shpirti për atë çfarë po ndodh është i detyruar të bëjë si shteti. Punët vazhdojnë të ecin “aq mirë” dhe “pa probleme” për aq kohë sa pyjet do të varen nga Ministria e Bujqësisë. Në vendin tonë ndonëse s’ka ministri pyjesh, siç ndodh në vende të tjera, kemi ministri ambjenti e cila merret me çdo gjë por vetëm me pyje jo, pasi pa pyje ecet më mirë. Edhe pushteti i medias nuk bezdiset fare pasi ai s’ka kohë të tepërt të merret me gjëra të “parëndësishme” dhe jashtë etikës mediatike. E rëndësishme është se ne sipas traditës vazhdojmë të gënjejmë njëri-tjetrin. Gënjejmë vetveten dhe besojmë. Edhe shteti bën të njëjtën gjë dhe beson. Të gjithë së bashku bëjmë detyrën. Gomari në gojën e ujkut tha: zëre se jam në ëndërr. Por gomarin e hëngri ujku. Natyra ka filluar të na e kthejë borxhin. Dënimin që përgatitëm vetë do ta vuajmë të gjithë dhe çmimi s’do të jetë i vogël. Ndodhemi në prag të një katastrofe ekologjike ku po fundosemi. Varka është duke u mbutyr bashkë me njerëzit që i mbart brenda. Ujërat që vërshuan i lanë malet të shkreta pa jetë. Vendi rrezikon të kthehet në shkretëtirë dhe këtë mund ta konstatoni për rreth vendbanimit tuaj. Dhe heshtja vazhdon si heshtje varri. Absurdi i gënjeshtrës dhe i mashtrimit të vetvetes ndjek zakonin e vjetër. Për çfarë dhe në emër të kujt bëhet e gjithë kjo. Me këtë shkrim u përpoqa të trokas që të shohin të verbërit dhe të dëgjojnë të shurdhërit, që të vrasim frikën duke dëshmuar të vërtetën. Jemi në buzë të greminës, gjendja paraqitet dramatike me përmasa kombëtare si rezultat i masakrimit të pyjeve për interesa fitimi. Opinioni publik dhe strukturat e shtetit duhet të informohen drejt pasi koha nuk pret më dhe duhet vepruar me emergjencë. Askush nuk përjashtohet nga fajësia dhe dënimi që kemi përgatitur duke shkatërruar atë çka Zoti na e bëri gati dhe na e dha falas, me shumicë, duke na privilegjuar nga popujt e tjerë. Si mundet që të zotët e shtëpisë të rrënojnë strehën e vet edhe kur të tjerët kërkojnë ta ndërtojnë. Zoti na dhuroi parajsën ne po përgatisim ferrin. Përgjegjësia s’është vetëm institucionale, por edhe kolektive dhe qytetare pasi ato janë në funksion të njëra-tjetrës. Ne duhet të mësohemi që jo vetëm të akuzojmë por të marrim mbi vete përgjegjësitë qytetare që na takojnë në mjedisin ku gjendemi. Intelektualët edhe pse të varfër duhet të ngrihen mbi verbërinë dhe të denoncojnë me guxim errësirën ku jemi mbytur. Ka ardhur momenti që shoqëria të emancipohet duke shfrytëzuar energjitë intelektuale. Vetëm në një shoqëri të emancipuar mund të ketë një shtet të emancipuar. Nuk duhet që e mira të importohet por ajo duhet të shpallet brenda nesh.

Unë apeloj, thirrja ime është kushtrim, me shpresë dhe besim në Zotin se do të gjendet rruga e shpëtimit e këtij populli që po vuan për fajet e veta.

Ing. Vasel Zefaj

 

Letër një fëmije që kurrë s’u lind

Nga Oriana Fallaci

Vijon nga numri i kaluar

 

Sa të çuditshëm jemi ne njerëzit

Shoqja ime thotë se e çmendura qenkam unë. Ajo, që është e martuar, ka bërë katër dështime në tre vjet. Dy fëmijë i kishte, një i tretë do të ishte i papranueshëm, thotë. As pulat nuk i sjellin në jetë gjithë zogjtë që mund të bënin. Nëse nga çdo vezë e pllenuar do të lindej një zog, ky planet do të ishte bërë qymez. E di ti që shumë pula pijnë vezë? E di që i ngrohin vetëm një a dy herë në vit? Po lepujt: e di ti që disa lepurushë hanë lepujt e lindur të dobët për të rritur të tjerët? Nuk do ishte më mirë t’i asgjësonin që në fillim, në vend që t’i sillnin në këtë botë sa për t’i ngrënë apo për t’u ngrënë? Sipas meje do ishte shumë më mirë të mos i ngjiznin fare. Por, sapo guxoi të shkruar këtë arsyetim, shoqja ime merr zjarr. Përgjigjet se është e vërtetë që ajo përdorte hapje prandalues. Nuk i vinte mirë, megjithatë i përdorte. Pastaj një natë harroi t’i pinte, dhe nga këtu erdhi dështimi i parë. Me sondë, thotë. Nuk e kam kuptuar dhe aq mirë se ç’është kjo sonda. Ma do mendja se është një si punë shtize që vret. Nga ana tjetër kam kuptuar që e përdorin shumë gra, megjithëse e dinë që të sjell vuajtje të mëdha e nganjëherë përfundon edhe në burg.

Ti po pyet veten ç’më ka gjetur që këto ditë të flas vetëm për gjëra të këtilla? Nuk e di pse. Ndoshta nga që të tjerët ma përmendin dështimin oreminut. Ndoshta ngaqë në një farë pike më shkoi në mendje edhe mua. Ndoshta ngaqë nuk dua t’ia besoj askujt mëdyshjen që më helmatis shpirtin. Vetë mendimi që të të vras, sot më vret, e prapëseprapë më qëllon ta marr parasysh. Më ngatërron ajo puna e pulave. Më ngatërron inati i shoqes sime kur i tregoj fotografinë tënde dhe shenjoj me gisht sytë e tu, duart e tua. Ajo më përgjigjet se për t’i parë vërtetë syçkat e tua, për t’i parë vërtetë doçkat e tua, nuk do të bënte punë as mikroskopi. Bërtet duke më thënë se jetoj me fantazira, se mundohem t’u vesh arsyetime ndjenjave të mia, ëndrrave të mia. Arriti deri dhe të më thosh: “Po larvat e bretkosave që ti i heq me shkop nga shatërvani i kopështit që të mos bëhen bretkosa e të mos të çajnë veshët natën duke bërë kuak-kuak?” E di, po tregohem e pamëshirshme duke të vënë në dijeni mbi ligësitë e botës ku bëhesh gati të hysh, mbi lemeritë e përditëshme që ne kryejmë, dhe po të parashtroj koncepte kaq të ndërlikuara. Por dalëngadalë po piqet tek unë bindja se ti më kupton, ngaqë i di të gjitha qysh tani. Zura ta mendoj ditën kur torturoja trurin duke u përpjekur të të shpjegoja që toka është e rrumbullakët si veza jote, që deti është i mbushur me ujë si ai ku ti pluskon, dhe nuk arrija të shpjegoja atë që doja. Befas më paralizoi mendimi mos ndoshta orvatja ime ishte e kotë, mos ti i dije të gjitha madje më mirë se unë, dhe nuk më ndahet më dyshimi mos i kam rënë në të. Nëse në vezën tënde ka një gjithësi, pse u dashka të mungojë mendimi? A nuk thonë ca që nënndërgjegja është kujtimi i të qenit paralindjes? Është kështu? Atëherë, pa më thuaj, ti që i di të gjitha: kur fillon jeta? Më thuaj, të përgjërohem: ka zënë fill vërtetë jeta jote? Qysh kur? Nga çasti kur pikla e dritës që ne e quajmë spermë shkoi dhe çau qelizën? Nga çasti kur të çeli një zemër dhe zuri të pomponte gjak? Nga çasti kur të lulëzoi një tru, një palcë kurrizore, dhe nise të merrje trajtë njerëzore? Apo ai çast nuk ka arritur ende dhe ti je veç një motor në ndërtim e sipër? Ç’nuk do të jepja vogëlush, për ta thyer memecërinë tënde, për të depërtuar në burgun që të mbështjell dhe që unë e mbështjell, ç’nuk do të jepja për të të parë, për të dëgjuar përgjigjen tënde.

Çfarë çifti i çuditshëm që jemi ne të dy, ë? Gjithçka te ti varet nga unë dhe gjithçka te unë varet nga ti: po u sëmure ti, sëmurem edhe unë, po vdiqa unë vdes edhe ti. Porse ti nuk mundesh të komunikosh me mua dhe unë nuk mundem të komunikoj me ty. Sado e pamasë qoftë dituria jote, ti nuk e di as ç’fytyrë kam, as ç’moshë jam, as ç’gjuhë flas. Ti nuk e di nga vij, ku ndodhem, me ç’punë merrem. Po të doje të më përfytyroje, nuk do të kishe asnjë element për të marrë me mend në jam e bardhë apo e zezë, e re apo plakë, e gjatë apo e shkurtër. Dhe unë rri e vras mendjen në je bërë apo jo njeri! Kurrë dy të huaj, lidhur me të njëjtin fat, nuk kanë qenë kaq të huaj sa ne të dy. Kurrë dy të panjohur, lidhur me të njëjtin trup, nuk kanë qenë kaq të panjohur, kaq të largët sa ne të dy.

 

Fëmija në bark të nënës nuk është as pronë e Zotit, as e shtetit, as e nënës

Fjeta keq dhe pata ca dhembje pëfund barkut: ishe ti? Përpëlitesha gjithë angështi në shtrat, dhe gjumi ishte një lëmsh ankthesh absurde. Në njërin ishte yt atë, dhe qante. Nuk e kisha parë kurrë të qante, nuk e mendoja të ishte i zoti të qante. Lotët e tij binin me një zhurmë të mbytur plumbi në shatërvanin e kopshtit tim që ishte plotepërplot meshirita të pafund e të jargët. Brenda shiritave kishte ca vezë të vockla të zeza me një si punë bishti: larvat e bretkosave. Nuk e përfillja shumë tët atë, merresha vetëm me larvat të cilat i vrisja që të mos rriteshin e të mos bëheshin bretkosa e të mos më linin pa gjumë duke bërë kuak-kuak. Ishte punë e lehtë: mjaft t’i ngrije shiritat me një shkop dhe t’i vije në barin e kopshtit ku pastaj dielli do t’u merrte frymën. Do t’i terte. Por shiritat rrëshqisnin, të jargët, me ca përpëlitje të zhdërvjellta, dhe binin në ujë e zhyteshin në llum: nuk arrija t’i vija mbi bar. Pastaj yt atë reshti së qari dhe u vu të më ndihmonte: ia doli t’i hiqte pa vështirësi. Me një degë peme ngrinte nga uji shiritat, atij nuk i rrëshqisnin, dhe i grumbullonte mbi bar. Me metodë, i qetë. Dhe unë vuaja prej kësaj. Sepse ishte njëlloj si të shihje dhjetra, qindra fëmijë, që u merrej fryma e tereshin në diell. E lebetitur, ia hoqa shkopin dore dhe brita: “Lëri të qetë! Ti për vete je lindur, lëri dhe ata të linden”. Në makthin tjetër kishte një kangur. Ishte kangure. Nga barku i saj doli një njomëzak, një si krimb i butë e i brishtë. Pa përreth i lebetitur, thua se po përpiqej të kuptonte ku qe, dhe nisi të kacavarej nëpër trupin leshtak. Ecte ngadalë, me mundim, përplasej, zvarritej, gbonte, por më në fund e mbërriti trastën dhe me një mundim të fundit të stërmadh u hodh brenda me kokë.

Unë e kuptoja që nuk ishe ti, që ishte embrioni i kangurit, i cili lindet ashtu ngaqë del para kohe nga burgu i vezës dhe e përfundon formimin e vet jashtë barkut të mëmës. Porse unë i flisja si të ishe ti. E falenderoja që kishte ardhur të më tregonte se nuk ishte send, por qenie. I thosha se tani ne nuk ishim më dy të huaj, dy të panjohur, dhe qeshja e lumtur. Qeshja… Por ja ku ia behu gjyshja. Ishte shumë plakë, dhe shumë e trishtë. Mbi shpatullat e saj të kërrusura dukej sikur rëndonte gjithë pesha e kësaj bote. Në duart me rrudha mbante një kukull me sytë e mbyllur dhe me kokën shumë të madhe. Thoshte: “Sa e lodhur jam. Po laj haqet e dështimeve. Kam bërë tetë fëmijë dhe tetë dështime. Po të kisha qenë e pasur do të kisha patur gjashtëmbëdhjetë fëmijë dhe asnjë dështim. Nuk është e vërtetë që ia merr dorën, çdo herë është si hera e parë. Por këtë prifti nuk e kuptonte.” Kukulla ishte sa një kryq nga ata që mbahen në xhep. Duke e ngritur lart si kryq, gjyshja hyri në një kishë dhe ra në gjunjë përballë një rrëfyestoreje dhe zu të pëshpërisë diçka me buzët pranë rrjetës. Nga brenda rrëfyestores u çua një zë i keq, zëri i priftit: “Ti ke vrarë një njeri! Ke vrarë një njeri!” Gjyshja dridhej nga frika mos dëgjonin të tjetër. Lutej: “Mos bërtisni, At, ju përgjërohem! Do të më fusni në burg. Ju përgjërohem”. Mirëpo prifti nuk e ulte zërin dhe atëherë gjyshja ua mbathi këmbëve. Vraponte nëpër rrugë, e ndjekur nga policët, dhe të dhembte shpirti tek shihje një plakë që rendte ashtu. Mua mend më binte të fikët për të dhe mendoja: do t’i plasë zemra, do të vdesë. Policët e mbërritën te dera e shtëpisë. I shkulën nga duart kukullën dhe i lidhën krahët. Ajo tha, ballëlart: “Jam e penduar, por do ta bëj sërish. Nuk e bëj kurrë me dëshirë, por nuk mund të mbaj me bukë shumë fëmijë. Nuk mundem.” Më zgjuan ato dhembjet përfund barkut.

Nuk duhet ta takoj më shoqen time. Fjalët e saj m’i shkaktojnë makthet. Mbrëmë më ftoi për darkë: i shoqi nuk ishte aty, iu duk rast i mirë për të më folur për ty, dhe më hëngri shpirtin. Na doli se një fizikant, një farë doktor H. B. Munson, qenkësh i një mendjeje me shoqen time. Deri edhe fetusi, shpall ai, është materie pothuajse e plogët, gati-gati një bimë që mund të shkulet me lugë. Shumë-shumë mund ta marrim si “sistem të ndërlidhur aftësish të paplotësuara”. Ndërsa, sipas disa biologëve, qenia njerëzore zë fill me ngjizjen pasi veza e pllenuar përmban ADN: acidin dezoksiribonukleik, i cili është baza e proteinave që formojnë një individ. Tezë së cilës doktor Munsoni i kundërvihet duke thënë se edhe spermatozoidi, edhe veza e pllenuar përmbajnë ADN: a mund t’i konsiderojmë vezën dhe spermatozoidin qenie njerëzore? Pastaj ka një grup mjekësh, sipas të cilëve një qenie njerëzore u bëkësh qenie njerëzore pas njëzet e tetë javësh, domethënë kur është në gjendje të mbijetojë jashtë barkut të nënës, ndonëse antropologët, sipas të cilëve edhe një i porsalindur nuk është qenie njerëzore, por bëhet i tillë vetëm nëse u nënshtrohet ndikimeve kulturore dhe shoqërore. Gati plasi sherri. Shoqja ime shprehej në të mirë të opinionit të antropologëve, ndërsa unë anoja nga ai i biologëve. E acaruar, më paditi se po mbaja anën e priftërinjve: “Je e krishterë, e krishterë, e krishterë!”. Nuk jam e krishterë dhe ajo e di. Përveç kësaj, u mohoj priftërinjve çdo lloj të drejte për të ndërhyrë në këtë çështje, dhe ajo e di. Por nuk mundem, kurrësesi nuk mundem të pranoj parimet e padrejta të doktor Munsonit. Nuk mundem kurrsesi nuk mundem t’i kuptoj ato që futin një sondë në bark si të jenë duke bërë një purgë për të hequr ushqimin e patretur. Vetëm nëse…

Vetëm nëse çfarë? Po tradhtoj vendimin që kam marrë? Më dukej sikur tani isha e sigurtë, sikur i kisha kaluar përbukuri gjithë pasiguritë, gjithë dyshimet. Pse tani kthehen, nën petkun e mijëra arsyeve të kërkuara me qiri? Të jetë për faj të kësaj ligështie që më bën të më merren mendtë, për faj të këtyre dhembjeve që më therin barkun? Duhet ta mbaj veten, vogëlush. Duhet t’i mbetem besnik vetes dhe ty. Duhet të të çoj deri në fund, në mënyrë që kur të rritesh të jesh dikush që nuk i ngjan, as prifit që bërtiste në ëndërr, as shoqes sime e doktor Munsonit të saj, as policëve që i lidhnin krahët gjyshes. I pari të quan “pronë të Zotit”, e dyta të quan “pronë të nënës”, të tretët të quajnë “pronë të shtetit”. Ti nuk i përket, as Zotit, as Shtetit, as mua. I përket vetes tënde dhe kaq. Tekefundit je ti që e ke marrë nismën dhe unë gaboja kur besoja se po të detyroja të zgjidhje. Duke të mbajtur, unë s’bëj tjetër veçse i përulem urdhrit që më dhe kur u ndez pikla jote e jetës. Mes meje dhe teje, viktima e mundshme nuk je ti, vogëlush: jam unë. A s’kërkon të më thuash këtë kur i vërsulesh si vampir trupit tim? A s’kërkon të më vërtetosh këtë kur më dhuron të përzierët? Jam keq. U bë një javë që lodhem kur punoj. Më është fryrë një këmbë. Do ishte e tmerrshme po të hiqja dorë nga udhëtimi që tashmë kam përcaktuar. Dhe komendatori duket sikur e ka kuptuar. Me një zë pothuajse kanosës sot më pyeti “nëse mundem” dhe shtoi se ai e uronte një gjë të tillë. Bëhet fjalë për një projekt të rëndësishëm, të nisur posaçërisht për mua. Ai e ka për zemër, po kështu edhe unë. Po të mos mundja të shkoja… Patjetër që do të shkoj. A nuk tha edhe mjeku se shtatzania nuk është sëmundje, është gjendje normale, se duhet të vazhdoj të bëj atë që kam bërë gjithmonë? Ti nuk do të më tradhtosh.

 

Regjimi i shtratit është ngujim

Ndodhi diçka që nuk e kisha parashikuar: mjeku më vuri në regjim shtrati. Dhe ja se ku jam, e ngujuar. Duhet të rri shtrirë dhe pa lëvizur. Nuk është gjë e lehtë, më kupton besoj, meqë jetoj vetëm: po ra zlija, duhet të ngrihem për të hapur derën. E duhet të ha, duhet të lahem: për të bërë një kafe apo për të shkuar në banjo, më duhet të çohem nga shtrati. Apo jo? Me ushqimin, hëpërhë, merret shoqja ime. I dhashë çelësat dhe dy herë në ditë vjen të më sjellë për të ngrënë, e shkreta ajo. I thashë: “Nuk deshe të bësh në fëmijë të tretë dhe ja, tani të duhet të birësosh një të rritur.” M’u përgjigj se një e rritur është më mirë se një foshnje: nuk ka nevojë t’i japësh gji. E beson ti po të të them që shoqja ime është e mirë? E mirë është. Dhe jo vetëm ngaqë vjen e më ndihmon: por ngaqë nuk ma ka zënë më në gojë, as atë Munsonin, as ata antropologët e vet. Befas duket në merak të madh, gjithë frikë mos të të humb. Mos u shqetëso: nuk ka rrezik. Mjeku i bëri sërish analizat dhe mbërriti në përfundimin se ti po ecën mirë, regjimi i shtratit është një masë kundër dhembjeve që, sipas tij, janë për shkaqe krejt të tjera. U bëre dy muajsh dhe dy muajt shënojnë një kalim mjaft delikat: kalimin gjatë të cilit embrioni shndërrohet në fetus. Ti po formon qelizat e tua të para kockore, që do të zëvendësojnë kërcet. Po zgjat këmbët, njësoj si në pemë që shtrin përpara degët e veta, e në këmbkat e tua tashmë lulëzojnë gishtat. Duhet të bëjmë kujdes deri në fund të muajit të tretë, pastaj mund t’i marrim gjërat më nge si më parë: ja, as dy javë nuk do të zgjasë kjo punë e të ndenjurit shtrirë në shtrat. Komendatorit i thashë se më kishte zënë bronkiti. E besoi, dhe më siguroi se udhëtimi mund të presë: ka ende shumë gjëra për t’u vën në vijë. U gëzova: po ta dinte si qëndron puna, mund të më zëvendësonte. Shumë-shumë, do më pushonte nga puna. Dhe do ta kishim patur pisk pastaj: me se do të mbaheshim? Për më tepër, yt atë nuk është bërë më i gjallë. Nuk ia ka ënda të përzihet, me sa duket. Të vjen keq? Mua aspak: ajo pak gjë që ndjeja për të u shua krejt në dy telefonata. Madje në faktin që më foli në telefon dhe jo duke më parë në sy. Kur u kthye mund të ishte dukur një herë këtej, apo jo? E di mirë që nuk do t’i kërkoj të martohemi, që nuk ia kam kërkuar kurrë, që nuk dua të martohem, që nuk do ta dua kurrë: ç’e mban atëherë që nuk vjen? Ndoshta e ndjen veten në faj që ka rënë në shtrat me mua? Një ditë gjyshja vajti të rrëfehej vërtetë dhe prifti i dha këtë këshillë: “Mos bjer në shtrat me tët shoq, mos bjer në shtrat!” Tekefundit, për ca njerëz, faji i vërtetë që bëjnë një mashkull e një femër, është të rënët në shtrat. Për të mos bërë fëmijë, thonë, mjafton të bëhesh i dëlirë. Bukur fort: meqenëse është pak si e vështirë të përcaktosh kush duhet të jetë i dlirë e kush jo, le të bëhemi të gjithë të dlirë dhe le të shndërrohemi në një planet pleqsh. Miliona e miliona pleq të pazotë për të riprodhuar, ndërsa rraca njerëzore shfaroset, si në tregimet fantastiko-shkencore që zhvillohen në Mars, kundruall qyteteve të madhërishme që rrënohen: të banuara vetëm nga fantazma. Fantazmat e të gjithë atyre që mund të kishin qenë dhe që nuk kanë qenë. Fantazmat e fëmijëve që nuk u lindën kurrë. Apo le të bëhemi të gjithë homoseksualë, fundja përfundimi do të ishte po i njëjti: një planet i pazotë të riprodhojë kundruall qyteteve të madhërishme që rrënohen, të banuara vetëm nga fantazmat e fëmijëve që nuk u lindën kurrë…

Po sikur pleqtë t’i përdornim, eh? Diku kam lexuar se mund të kryhet transplantimi i embrioneve. Një arritje e biologjisë teknologjike. Nxirret veza e pllenuar nga barku i nënës dhe futet në barkun e një gruaje tjetër të gatshme për ta strehuar. Rritet aty. Ja sikur ty të të strehonte një grua tjetër, për shembull një plakë për të cilën nuk është ndonjë gjë e madhe të rrijë shtrirë tërë ditën, ti do të lindeshe dhe unë nuk do të isha në këtë siklet. Të bësh fëmijë, fundja, është punë pleqsh. Kanë tërë atë durim, pleqtë. Do të mbeteshe i fyer ti po të të shpërngulja në një bark që nuk është imi? Një bark plak për kokë të barkut, që nuk të qorton asnjëherë? S’do të kishe pse të mbeteshe i fyer. Nuk do të të mohoja jetën, apo jo. Thjeshtë do të të jepja një banesë tjetër. Më fal. Po flas në tym. Halli është se ky ngujim në shtrat më acaron, më bën të ligë.

 

Liri don? Nuk ekziston.

Sot pata një të papritur të bukur. Ra zilja dhe ishte postieri me një pako të nisur me avion. Ma dërgonte ime ëmë, bashkë me një letër nënshkruar nga ajo vetë dhe nga im atë. I kisha vënë në dijeni për ty, para do ditësh. E ndieja për detyrë. Dhe përditë prisja përgjigjen e tyre, me angështi, duke u drithëruar tek mendoja gjërat e ashpra apo të dhembshme që mund të më shkruanin. Janë njerëz të qëmotit, ta dish. Porse kjo letër thotë se, ndonëse ndiehen të çoroditur e të tronditur, gëzohen e të urojnë mirëseardhjen. “Tashmë ne jemi dy pemë të thata, s’kemi ç’të të mësojmë më. Tashmë je ti që mund të na mësosh ndonjë gjë. Dhe, nëse kështu ke vendosur, kështu duhet të jetë e drejtë.” Pas letrës hapa pakon. Kishte një kuti të vogël plastike dhe brenda dy këpucka. Të vockla të vockla, të lehta pupël… Këpucët e tua të para. Më rrijnë në pëllëmbë të dorës, nuk ma mbulojnë do të tërën. Dhe më mblidhet lëmsh në grykë kur i prek. Më shtrëngon zemra. Do të të pëlqejë ime ëmë, ke për ta parë. Do të të pëlqejë ngaqë mendon se pa fëmijë bota do të merrte fund. Do të të pëlqejë se ka trup të trashë e të butë, me një bark të madh e të butë, ku mund të ulesh, dy krahë të trashë e të butë, ku mund të mbështetesh, dhe një të qeshur që është si një koncert zilkash. Kurrë s’e kam marrë vesh si ia bën që qesh ashtu: por mendoj se ndodh ngaqë ka vuajtur shumë. Vetëm kush ka qarë shumë mund ta vlerësojë jetën në bukuritë e saj, dhe të qeshë me shpirt. Të qash është e lehtë, të qeshësh është e vështirë. Do ta mësosh menjëherë këtë të vërtetë. Takimi yt me botën do të jetë  një e qarë e dëshpëruar, në krye do të arrish të qash dhe kaq. Gjithçka do të të bëjë për të qarë: drita, uria, gjumi… Do të kalojnë javë, muaj, para se nga goja jote të guisë një buzëqeshje, para se nga gryka jote të gurgullojë një e qeshur. Por nuk duhet ta humbësh kurajën. Dhe kur buzëqeshja të vijë, kur e qeshura të shpërthejë, duhet të ma dhurosh mua: për të më dëftuar se bëra mirë që nuk ia vura veshin biologjisë teknologjike, që nuk të shpërngula në barkun e një nëne më të mirë dhe më durimmadhe se unë.

Përktheu Aurel Plasari

Me emigrantët shqiptarë në Amerikë

Kemi vizituar familje të Zadrimës me banim në Florida, Miçigan e Kaliforni.

Tregojmë shkurt përshtypjet tona si ndjekës të jetës së Misionit të të afërmëve të emigrantëve.

Don Antonio Sharra e Don Kastriot Gjoka

 

Stabilizimi i raporteve me emigrantët…

Edhe kur isha famullitar në Itali më takonte të bëja vizita në familje emigrantësh. Ndërmjet viteve 1970 e 1980 udhëtoja në Argjentinë, Brazil e Gjermani. Kujtoj që përgjithësisht familjet ishin në një situatë jo të mirë dhe të përvuajtura. Në këto vitet e fundit kam vizituar emigrantët shqiptarë në Itali në krahinat e Lazios, Abruzzos, Piemontes.

Shpesh herë në tregimet e tyre kam dëgjuar hidhërimin për vështirësitë që gjejnë në kërkim të punës, të shtëpisë dhe për paragjykimet e njerëzve.

Këtë herë kam marrë avionin për Amerikë, sepse qindra familje, duke fituar një konkurs, u kanë kthyer shpinën fshatrave tanë e kanë hyrë në metropolin Amerikan.

Ky udhëtim ka qenë programuar bashkë me don Kastriot Gjoka me qëllim që edhe emigrantët tanë të mund të takonin këtë prift të ri të Blinishtit, dhuratë e shenjtë e Zotit që Shqipëria ka energjitë e saj të reja për të shkuar përpara.

Monsinjor Dodë Gjergji, Administrator Apostolik i Sapës, ka bekuar këtë iniciativë duke ditur se shqiptarët në të gjitha rrugët e botës e në rrugët e tyre ecin për shpalljen e Ungjillit.

 

Një ditë dhimbjeje për Amerikën

Hymë në Amerikë në një ditë zije kombëtare, sepse shtatë astronautë nga “Kolombia” kanë humbur jetën tragjikisht pas një shpërthimi në hapësirë.

Televizioni amerikan prezanton duke përsëritur fluturimin e viktimave, personazhe të shkëlqyer që kanë nderuar shkencën dhe njerëzimin, figura të qeshura, simbol i bashkëpunimit mes popujve për të arritur horizonte të reja.

Copat e anijes, të ndezura në hapësirë, janë thërrmuar me njerëzit e ekuipazhit mbi territorin që edhe ne me avion pak minuta më pas e kemi kaluar.

Për këtë lutja jonë nuk ka munguar.

Miqtë tanë emigrantë kanë ardhur për të na pritur në aeroportin e Jacksonvillit. Pastaj, me një darkë të madhe në shtëpinë e Lekë Gjokës, kanë shprehur kënaqësinë e tyre.

Edhe përshëndetja jonë ka qenë e përzemërt. Idealisht kemi dërguar përshëndetjet tona për 75.000 shqiptarë që në këtë tokë të Amerikës kanë gjetur shtëpi e fat.

 

Tek të gjithë një mall i madh për Shqipërinë

Mikpritja që na kanë bërë ka qenë e sinqertë dhe festive, na kanë konsideruar si “Ambasadorë të Shqipërisë”, sepse i çonim çdo familjeje një mesazh nga Kryetari i komunës Lek Lufi e nga drejtori i shkollës Lek Hiluku.

Imazhet që kemi dërguar në videokasetë me fytyrat e fjalët e të afërmve të tyre, kanë krijuar një mallëngjim.

Shumë pyetje na janë bërë: “Çfarë të rejash kemi në fshatrat tona?” “Pse është kthyer në qeveri Fatos Nano?” “Pse Komuniteti Evropian nuk e zgjidh problemin e Shqipërisë?”

Presidenti Moisiu ka thënë disa muaj më parë në Washington: “Tani në Shqipëri është siguria, mund të ktheheni” Përgjigja e emigrantëve ka qenë: “Ne nuk kthehemi deri kur ta transformoni Shqipërinë në një Shtet modern”.

Një i ri ka shqiptuar shumë fjalë të hidhura: “Ne nuk kthehemi në Shqipëri, sepse Shqipëria është burgu i njerëzve të paaftë e të korruptuar”.

Në të gjitha shtëpitë e vizituara ishte ekspozimi i flamurit kuq e zi me Shqiponjën dykrenare, si shenjë e Shqipërisë që gjithmonë ka qenë e dashur dhe e bashkuar.

 

“Puna ka ndryshuar jetën time.”

Janë fjalët që ka thënë David Gjokhilaj.

“30 vjeç kam zbuluar çfarë do të thotë të punosh dhe jam i kënaqur. Punojmë të gjithë.” Marija, një fshatare nga Fishta, ka arritur në Amerikë 50 vjeçe, është ndihmës guzhinjere, burri i saj në të njëjtin restorant është punëtor pastrimi.

Mimoza punon 12 orë në ditë për t’i mundësuar burrit të saj kompletimin e studimeve në Kaliforni.

Punojnë sa më shumë persona të një familjeje, sepse paga mujore është e tillë që mund të sigurojë jetesën në një shtëpi komode, ku mund të kenë më shumë makina dhe mbi tavolinë mjaft ushqime të ndryshme.

Të gjitha çiftet shqiptare që kemi vizituar ishin të punësuara dhe shpesh kryenin gjatë së njëjtës ditë dy punë.

Lavdi e nder këtyre familjeve të devotshme shqiptare që janë të organizuara dhe fitojnë ndershmërisht.

Në festën e Shën Valentinit, ditë simpatike që përkujton dashurinë, me don Kastriotin në Katedralen e San Franciskos në Kaliforni jemi lutur për çdo çift që kemi takuar, shembuj të besimit, ngrohtësisë dhe kurajos: Vlash e Lena, Sandër e Lula, Gac e Vera, Lek e Valbona, Zef e Lindita, Ardian e Mimoza, David e Diella, Lek e Anjola, Zeka e Matilda, Martin e Albana, Lazër e Flora, Ernest e Lajde, Loro e Lula, Anxhelin e Vera, Bardh e Arlinda, Gjon e Vida, Zef e Marije, Eduard e Anxhelina, Zef e Sata, Rrok e Juliana, Kola e Brunilda, Ardian e Edmonda, Mark e Arjeta, Pavlin e Age.

 

Bashkëjetesë vëllazërore e popujve në Amerikë

Shoqëria amerikane përmbledh aziatikët, afrikanët, evropianët dhe u jep të gjithë mundësitë, u krijon të gjitha kushtet që të respektojnë rregullat themelore.

Sandër Martini thotë: “Fëmijët tanë të lindur në Amerikë, janë tashmë plotësisht të titulluar qytetarë amerikan. Ne prindërit do të jemi pas pesë vjet qëndrimi”:

Frani nga Gjadri ka si miq djemtë zezakë, Angjelini nga Fishta është profilizuar si mjek dhe me studime e tija mund të bëjë karrierë.

Kjo aftësi e shoqërisë amerikane dhe njohja e të drejtave të njeriut janë rezultate të një ndërrimi të lehtë.

Të gjithë kemi dëgjuar të flitet për përbuzjen e të bardhëve ndaj zezakëve në shoqërinë amerikane.

Me don Kastriotin bëjmë një reflektim: “Romët shqiptarë mund të përparojnë si të tjerët në shkallët shoqërore? Sa kohë duhet të presim? Në fshatrat tanë si konsiderohet një familje që vjen nga malet?”

 

Përtej Oqeanit emigrantët riformojnë Shqipërinë

Për Alektin nga Blinishti nuk ka qenë e vështirë udhëtimi prej 700 km për t’u takuar në Detroit me miqtë e tjerë shqiptarë.

Shumë shqiptarë të djelave përshkojnë 50km për të marrë pjesë në Meshë.

Marrin këtë shpërblim: gjuha nuk harrohet, feja e krishterë forcohet, nuk humbin lidhjet me njerëzit e tyre.

Është duke u formuar një hartë e pranisë së familjeve shqiptare të Shkodrës e të Zadrimës në Amerikë, është një detyrë që po e çojnë përpara Nika, Gaci e Angjelini.

Një ditë, prezantues të një zone mund të fluturojnë shpejt në shtete të tjera amerikane për të organizuar kuvende dhe shembuj se si mund të realizohet një bashkëpunim e bashkëjetesë e vlerave të tyre kulturore dhe e vlerave që ofron qytetërimi amerikan.

 

Shqiptarët e Zadrimës, emigrantë në Amerikë janë gati…

Në vitet e para emigrantët tanë kanë kërkuar shtëpi dhe punë, kanë mësuar gjuhën angleze dhe kanë ndihmuar familjet në Shqipëri.

Tani ka ardhur koha për të marrë kontakte me jetën në fshatrat e tyre, për të njohur nevojat më urgjente dhe për të përgatitur ndonjë ndërhyrje.

Mbi projektin e pjesëmarrjes në rizgjimin e jetës shoqërore e kulturore në Shqipëri, në bashkëpunimin me personat përgjegjës publik të vendit janë dakord familjet: Gjoka, Gjeka, Lufi, Gjokhila, Kola, Shtjefni, Zeka, Martini, Geci, Gjini, Preka, Koleci të Jacksonville dhe familjet Sallaku, Ndoci, Vokaj, Marku, Gega, Prendi, Jaku, Qafa, Domgjoni, Koleci, Murati, Gjergji e Lazri të Detroitit.

Si shenjë e parë e kujdesit për Zadrimën emigrantët kanë bërë një shumë prej 2.000$ për familjen Llesh Frani nga Piraj për të ndihmuar që të përballojë shpenzimet për një ndërhyrje kirurgjikale dhe kanë mbledhur shumën prej 8.000$ për të kompletuar punën në kishën “Martirët e Shenjtë Shqiptarë” të Blinishtit.

Kemi informuar që në datat 1 e 2 mars 2003 komuniteti i fshatrave Baqël, Blinisht, Gjadr, Piraj, Kodhel, Krajën falënderon solemnisht Zotin për dhuratat që i ka dhënë në këto dhjetë vjet. 100 italianë vullnetarë të shoqatës “Rindërtimi” na kanë shoqëruar në mënyrë konsante në ngjarje të gëzuara e në vështirësi.

Emigrantët tanë na kanë siguruar se janë shpirtërisht me ne dy ditët e festave dhe në dhjetëvjeçarin e ardhshëm do të ndërmarrin një rol aktiv në zhvillimin e Zadrimës.

 

Si e jetojnë fenë e krishterë emigrantët tanë.

Mund të themi që, krahasuar me kohët kur ishin mes nesh, tani emigrantët e manifestojnë besimin e tyre në mënyrë më të thellë e më aktive. Ndoshta, merita është e burrave emigrantë që frekuentojnë celebrimet fetare dhe ndihen të gëzuar e krenar.

Në Jacksonville diakoni Gjet Bajraktari, me origjinë nga Tropoja, ka 45 vjet në Amerikë dhe njeh një për një familjet shqiptare. Në Detroit janë dy kisha që u dedikojnë shërbimin fetar rreth 100.000 katolikëve në gjuhën shqipe. Kanë dy priftërinj: don Anton Kçira nga Mali i Zi e don Ndue Gjergji nga Kosova.

Ditën e dielë, më 9 shkurt, don Kastriot Gjoka, i ftuar nga don Anton Kçira, ka celebruar meshën në kishën e Shën Palit me rreth 2.000 besimtarë shqiptarë. Në fund të Meshës së Shenjtë meshtari i ri ka qenë rrethuar nga njerëzit që kanë duartrokitur gjatë.

Në vizitat tona kemi propozuar një moment lutjeje të përbashkët. Çdo familje ka vlerësuar vizitën e dy priftërinjve dhe ka kërkuar një lutje të veçantë si dhe ka shprehur falënderime. Në familjet ku kemi celebruar Eukarestinë kemi lënë një gëzim të madh. shtëpitë ishin të përgatitura për rite fetare, sepse të gjitha kishin imazhe fetare kuptimplote.

Ka qenë mallëngjyese se në disa banesa kishte figura të shenjta të stilit modern të blera në Amerikë dhe të tjera të vjetra, të ruajtura e të transferuara në Amerikë nga shtëpitë e fshatrave të tyre.

 

Instituti Katolik Shqiptar “At Danjel Dajani S.I.”

Në Kaliforni, në qytetin San Francisco kemi qëndruar 3 ditë për të njohur institutin “Danel Dajani”, i themeluar pranë universitetit katolik të Jezuitëve nga Gjon Sinishta në vitet e diktaturës komuniste.

Studiuesi shkodran kishte ndjeshmëri dhe sensibiltet të fortë fetar e kulturor. Me mbështetjen e Jezuitëve donte të zgjonte vëmendjen e katolikëve amerikanë mbi tragjedinë që mbyste Shqipërinë e vogël së cilës ishte e pamundur t’i afroheshe.

Jezuiti At Lo Schiavo ka qenë emëruar si mbledhës i shkrimeve të institutit që vazhdonte të mblidhte dokumentet mbi qëndresën heroike të Kishës Katolike Shqiptare dhe prapësitë e regjimit.

Laikut Raimond Frostit i ka qenë besuar drejtimi i institutit “Danjel Dajani” pas vdekjes së Gjon Sinishtës.

Kemi kërkuar të marrim iniciativën të blejmë shtëpinë e martirit në Blinisht, që të mund të krijojmë një muze të vogël, si vend kujtimi dhe dokumentimi të kishës së Martirëve të Shenjtë Shqiptarë.

Ka qenë emocionuese të verifikosh se si dora e Zotit çmon ndriçimin e bijëve të tij duke dashur të vendosë në metropolin amerikan përball Oqeanit Paqësor, pranë emrave të shenjtë të Shën Françeskut dhe Shën Injacit edhe emrin e Jezuitit të Zadrimës Danjel Dajani.

 

Operacionet e luftës turbullojnë Amerikën

Sata e Zef Marku nga Piraj kanë një djalë në shkollën e “marinësave”. Nuk është një nga 250.000 ushtaërt e mobilizuar për luftë në Irak, por në familje ka shqetësim. Në Amerikë sot jeta ecën përgjithësisht e qetë, por të gjithë i tremben terrorizmit.

Mbi të gjitha në aeroporte ndihet tensionimi, radarët inspektojnë në detaje pasagjerët për t’u dhënë siguri fluturimeve.

Lajmet televizive japin vendimet e presidentit Bush përball kundërshtarëve, por ipeshkvinjtë amerikanë përsërisin mëshirë mbi fjalën e Papës: “Jo luftë!”.

Kemi dëgjuar kritika kundër Evropës që refuzojnë konfliktin e armatosur, por ata nuk propozojnë alternativë tjetër.

Rektori i Universitetit të San Franciskos u ka propozuar 8.000 studentëve që të luten në favor të paqes.

Kemi imagjinuar një pjesëmarrje të “oqeanit paqësor” të studentëve dhe të profesorëve, por prania ka qenë e pakët.

Në qoftë se të rinjtë amerikanë vazhdojnë të shohin në televizor vetëm luftë shkatëruese nuk dëgjojnë nevojën t’i kërkojnë Zotit dhuratën e paqes.

Kam menduar takimet tona të vogla me Fëmijët Shqiptarë Ambasadorë të Paqes. Zoti bëftë që të zhvillohet, mbi të gjitha në brezat e rinj, kundërshtimi absolut i logjikës së armëve.

 

300 shqiptarë në përshëndetjen e fundit

Kemi pasur kënaqësinë që të gjendemi në një takim të organizuar nga prifiti Ndue Gjergji dhe publikisht kemi shprehur këto mendime:

–    Qytetërimi amerikan, me imponimin e tij, nuk don të anullojë vlerat e zakonet e Shqipërisë së vogël, por shqiptarët duhet të vigjilojnë. Bënin mirë familjet e emigruara 10 vjet më parë, që çonin fëmijët në shkolla shqiptare ku bënin katekizëm e përgatitnin lutje edhe në gjuhën shqipe.

–    Shumë burra shqiptarë në Amerikë kanë detyrën dhe kënaqësinë të marrin pjesë në meshën e së dielës.

Kam kërkuar nga pjesëmarrësit në se ishin të pranishëm për t’u ndier “shqiptarë” të gjithë së bashku, apo vinin për të formuar familjen e bijëve të Zotit, një herë në javë. Përgjigja nuk më ka zhgënjyer, pasi realiteti ishte që 70% e kishës përbëhej nga burra.

–    Burrat dhe gratë shqiptare bënin punë të ndryshme dhe paguheshin me pagë mujore rreth 1.500$, pagesë shumë e vogël përkundrejt një nëpunësi me rreth 17.000$.

Shqiptarët, me durim, punojnë shumë, marrin pjesë më shumë persona në punë dhe kështu arrijnë të bëjnë progres.

Shumë kritike është situata për ata që arrijnë në Amerikë pa dokumenta legale. Me vështirësi ndërtojnë të ardhmen.

–    Shqipëria më mungon! Të gjithë ndienin një vuajtje të brendshme. Kemi premtimin nga Nik Ndoci i Pirajve, emigranti më i vjetër me 45 vjet mbi shpatulla në Amerikë, që t’i japim jetë një shoqate që na lidh ne që jemi buzë Adriatikut, me ato që banojnë përtej Oqeanit Atlantik.

Rinisemi nga Nju Jorku, i mbuluar nga një stuhi dëbore.

Aeroplani, megjithatë, ngrihet e hyn në qiellin e Oqeanit Atlantik.

Jemi të kënaqur: dora e Zotit na ka udhëhequr në takimin me vëllezërit shqiptarë. Ishin të zhgënjyer në fshatrat e tyre, tani aktiv e kurajoz në dinamikën e shoqërisë amerikane, me dëshirën për të qenë akoma më të lidhur e më protagonistë në Shqipërinë e tyre.

 

Labirinthet e mirënjohjes

Të takova tek hyrja e një pallati. U përshëndetën. “Sot është një ditë e madhe” – mu përgjigje dhe vazhdove: “po shkoj për vizitë te një shok i imi”.

Eh! I dashur! Sa fisnik dhe naiv je! Ndryshuan kohët. Kujdes. Tani nuk kanë nevojë për ty. E kaluan lumin.

Ke të drejtë o vëlla. U zhgënjeve. Deshe të ju bëjë një vizitë, ti nderoje. Por paska qenë e kotë. Për fat të keq gabove. Të lodhën shkallët. Përsëri trokite. Për të tretën herë. Zilja punonte si sahat. Si kështu?! Sot asnjë në shtëpi! Si është e mundur? Të gjithë kanë ikur! Jo, jo në asnjë mënyrë. Kjo është e pamundur.

Mbrenda ishte dikushi. Kombinacion i shkathët. Veprim i ndryshkur. Prej kohësh i dalur boje. “Shyqyr Zotit kam syrin magjik. Të njoha mirë. Dreqi të solli! Për mue nuk je më ai që ke qenë. Të kanë largue nga detyra. Djali im ka një shef tjetër. Uh! Si është ai! Me e pi në kupë. Ia marrsha të keqën. E paçim gjithmonë. Ashtu qoftë”.

“Në thelbin e shpirtit e urrej. Kështu më kënaqet zemra. Më bëhet sa një mal. Ti je kurrkushi po të flas me zë të lartë unë bumirfort mister Tushi. Ahman Zot ma hiq qafet. Ma largo sa më shpejt. Nuk ndihem mirë. Po më përzihet. Due me vjellë. Më falni. Po shkoj në banjo. Më duhet ta nxjerr. Është brengë e madhe. E di vetëm unë dhe Perëndia”.

Dikur në prezencë të tij ju thashë njerëzve të mij: mbani vesht dhe ndëgjoni mirë. Po ju jap një porosi. E keni amanet. Kurrë mos e harroni këtë njeri. Na ka ba nderë të madhe. Ka sakrifikue shumë. Eh medet mendje e shkretë! Ti raft frika gojës tënde. Pse fole kështu? Gabove rëndë! Kohët ndryshuan! Sa keq! S’kam qenë në vehte!”

“Jo babë nuk ke veprue mirë – i tha djali i madh, i cili vazhdoi: “ti nuk e hape derën me qëllim. Nga brenda e shikove. Ai erdhi me na urue festën e… kurse ti… Ah! babë. Sa keq! Prezenca e tij na nderon. Kështu thotë edhe gruaja ime. Jo o babë-Lym të mirat e tij nuk hidhen aq lehtë në lum. Nga shpirti i tij patëm mirësi, ditë e natë pa ju nda për ne ndërtoi një “kala” dhe me avion ekspres pa para e dërgoi vllaun tonë në Kanada”.

“Punë e madhe. Ai ka ba vetëm detyrën. Mazllumi ynë është me trup si asgan dhe koka e tij i shkon deri në tavan. Edhe për urti e mend është i pari në këtë vend. I zoti dhe me përvojë sa shumëkend i len me gisht në gojë. Që thua ti more mistrec për Mazon tonë kishte interes. Nuk bëhet sallata pa voj po fola më tepër mund të gaboj”.

“Është rufian burri i botës. Pas pak i ra telefonit. Jam unë dora vet – u përgjigj ai. Shyqyr më dha emrin. Ehu! Sa ka zanati! Menjëherë shkela butonin. Telefoni u prish. Kujt desht me ia hedhë ai. Ndëgjo mirë ti urti për këto punë jam napoleon njëqindënjëmijë.

“Shiko babë. Si ujët e lumit koha kalon respekti dhe mirënjohja njerëzit kurdoherë i bashkon”.

“Të lutem djal mos ma zën në gojë e kam lye mirë nuk merr më bojë. Sa “bukur” që gjetëm një sebep dhe përdorëm një marifet. Fundi ç’na duhet ai. E mori “burokracia” me vete. Të gjallët me të gjallët dhe të tjerët atje ku janë.”

“Babë, ky veprim quhet mosmirënjohje”. “Ç’janë këto fjalë more i krisur? Më duket nuk je në terezi. Ç’na duhen ferrat nëpër këmbë. Ata na i shkyejnë rrobat. Nuk kena pare me tretë. A shikon ndopak rrotull? Keni harruar se si u soll Telo i xha Komit ndaj shefit të tij. Tregoj një “respekt” të jashtëzakonshëm. Mirënjohja e tij ishte shembullore dhe e pakufishme. Kam marrë shembull prej Telos. Nuk desha por ma imponuan. Ah! situatat! Ato janë mizore dhe cinike”.

Papritmas si një rreze drite erdhi ajo që prej shkeujve vuan dhe lufton kundër padrejtësive të kësaj bote, të cilat nuk kanë mbarim. “Vetëm mua më takon të flas dhe të vlerësoj atë sepse jam mbrenda ndërgjegjes dhe zemrës së tij. Unë jam prezenca, kontributi dhe gjurma që nuk shuhen kurrë.”

“Po ju tregoj me keqardhje dhe shqetësim” – vijoi drejtësia. “Më 15 dhjetor 2001 atij i dërguan në shenjë “respekti” e “mirënjohje” një “kartë të posaçme urimi” ku shkruhej: “i ka lindur e drejta e pensionit të plotë të pleqërisë” prandaj fuori përjashta dhe bilançin e viti ta nxjerrin të tjerët. Gjithashtu ndërzyen një kafshë me fytyrë njeriu për të shkruar një artikull neveritës me shpifje të ndryshme prej rrugaçi në një nga gazetat kryesore të datës 14 tetor 2001. Siç duket ai pati ndihmën konspirative prej spiuni dhe miratimin e disa personave të Telekomit. Proçesverbalet e Departamentit të Kontroll-Revizionit Albtelecomit sh.a. të muajit tetor 2001 me kryetar Bajram Kurti “fluturuan” nga filiali Shkodër në duart e tyre. Megjithatë askush nuk e prishi qetësinë. Ata bënin gjumin një cope. Nina-nana. Bye-bye. Thank you very much. Excuse me. I’ll remember that. You ari very “greatness-men”. Duket që ekzistonte një bashkëpunim i fshehtë. Artikullshkruesi çoi ujë në “mullirin” e tyre. Lexojeni edhe një herë se do t’ju bëjë mirë. Detyra ju kërkonte që të vepronit ndryshe.

Në kushtet e reja ato u vunë në shërbim të Kapllanit. O Mete për vete. Shefin e vjetër e braktisën. Pranuan ta çvlerësonin. Me urdhër dhe vetëdije vunë dorë mbi punën, detyrën, kontributin dhe të drejtën e tij. Rrëshqitën në “labirinthet e mirënjohjes”. Edhe pa dashje ndihmuan pa-aftësinë dhe grabitësit. Ata përfituan nga rrethanat. Pa meritë dhe dijnitet dolën fitimtar. Në thelb janë përvetësues. Por dardha ka bishtin mbrapa. Ky bisht është baraz me miliona diferenca. Mos harroni. Deti është shumë i thellë.

Z. Drejtor i përgjithshëm para disa muajve ju kërkova pak kohë, por siç duket ajo ju kishte mbaruar. Nejse. Kjo është puna e juaj. Më vjen keq. Atëherë më ndëgjoni dhe mbani sadopak shënim: “Një ndërmarrje e cila dënon kuadrot e saj duke i larguar në mënyrë të dhunshme në fund të vitit nga puna nuk ka të ardhme. Atë shpejt e pret falimentimi. Kjo është fatale por e vërtetë. Ju me stafin tuaj keni një përgjegjësi të madhe. Mos e lejoni këtë shkatërrim. Akoma nuk është vonë. Keni mjaft specialistë dhe disa kolegë me aftësi dhe ndjenjë përgjegjësie të madhe. Mbështetuni më shumë tek ata. Do të keni rezultate më të larta.

Disa forca të caktuara “misterioze” po e dëmtojnë në mënyrë graduale Telon e xha Komit. Konsiderojeni si të dëshironi. Gjthsesi fenomeni ekziston. Kujtoni fundosjen e tmerrshme të Titanikut. Gjatë katastrofës orkestra e tij ekzekutonte muzikë klasike.

Propaganda drejt Qiellit dhe “makina e Telos” në rrugën e tëposhtës.

Me rastin e 90-vjetorit të PT ministri i tyre në mes tjerave tha: “këto ndërmarrje nesër do të kenë vlerë më të madhe në treg”. Duke plotësuar shefin zëvendësi i tij theksoi se “në mes nesh mungojnë shumë kuadro e drejtues të sistemit të Postave dhe Telekomunikacionit që ne i nderojmë me respektin më të madh”.

Ju faleminderit për fjalët e bukura. “You are very a clever man”. “Respektin” dhe “mirënjohjen” tuaj pata fatin ta provoj. Ato nuk kishin kufi.

Albtelecomi sh.a. shpejt do të ketë vlerë më të madhe. Fjalë ikurajuese. Ishallah. Ka disa mënyra për ta rritur ose ulur atë. “Splendid”. “How kind of you”. Megjithatë pranoni një këshillë: “Ruhuni nga tullumbacet”. I keni të fryra tej mase me propagandë. Ka rrezik që të pëlcasin. Kujdes analizën e vitit 2002. Në radhë të parë Bilancin. Kontrolloni zhiven e barometrit. Pa qelizëm të thellë nuk ka prodhime të bollshme.

Mjerisht realiteti është ndryshe. “Përpara o burra xha Komi na thërret ti pakësojmë dhjamin e trupit, “mishi” çdo ditë humbet, mister Tomi e kërkon ta blejë sa më lirë në dollarë dhe në lekë”.

Dëshiroj të ju “falenderoj” për një gjest “mirënjohje” të ndërmarrjes. Ndoshta nuk keni njohuri sepse nuk është “detyra” e juaj. Gjithësesi jeni përfaqësuesi i vetëm dhe “simboli” i saj.

Siç është bërë traditë këto vitet e fundit me rastin e vitit të ri 2003 u organizua një drekë festive për gjithë personelin me financim nga qëndra. Me këtë rat u “ftuan” të gjithë pensionistët e Shkodrës – ish punonjës të Telekomit për dekada me rradhë. Ndër ata u “ftova” edhe unë. Kisha ftesë të veçantë në të cilën shkrej: “Në shenjë respekti e mirënjohje për veprimtarinë dhe kontributin tuaj Non Stop ftesa”. Natyrisht si mund të thirret shefi i vjetër i llogarisë me disa të tjerë. “Nuk keni fonde. Shpenzimi është i madh. Ata ikën dhe shkuan. I mori pensioni me vehte. Për fat shpëtuam prej tyre”.

Keni të drejtë. Rradha është e rezervuar për të gjithë. Ajo është e përjetshme. Siç po na verësoni do ju vlerësojnë. Ka ngjitje dhe zbritje. Ekziston edhe e kundërta. Vidë spirale pa mbarim. Zinxhir i pandërprerë. Kështu e ka kjo Botë. Ajo ecë si një karrocë me katër rrotë. “Ndëgjo mirë more bir më solle këtu që të vdes i vetëm nga egërsirat e pyllit sepse prej pleqërisë jam ba grusht njeri, por vetëm mos harro se ashtu siç po vepron ti me mue edhe me ty djali yt një ditë ka me veprue. Atëherë ai e mori në krah babën plak dhe u nis drejt shtëpisë duke vrapue.”

Kishe një porosi dhe zbatove një detyrë. Djalli kërkoi hakmarrje pse dikush i tha atij “Ti je djalli”. Prandej deklarove “ke uzorpue dokumentat”. Për fat të keq harrove se ato janë mendja dhe djersa e tij. Si mund të uzorpohen ato. Kjo është e pamundur. Gjithësesi ju falimenderit. Rujeni si kujtim.

Shejtani është agresiv dhe manjak i pangopur. Ai donte pasurim me çdo kusht. Për këtë siguroi mbështetje nga “Porta e Lartë”. “Sulltani” për një periudhë për hirë të synimeve e interesave të tij toleroi.

Luçferri kërkonte që të përfitonte në çdo rast. Në fillim të vitit relatoi pranë qëndres largimin urgjent nga detyra. “Jo në asnjë mënyrë – u përgjigjën ata. “Ne nuk marim njerëz nga rruga”.

Një ditë filloi fshesa. Sëpari tek mua kryesori. Mandej me rradhë. Erdhi momenti i volitshëm. Ai atë priste. Menjëherë dha alarmin “shkresat gati për veprim”.

15 tetor 2001. Me djallin sëbashku ball për ball drejtorit të përgjithshëm “Sogodo”. “Ti i ke fajet. Ne zbatuam kërkesat tuaja” u justifikue formalisht ai. Pesha e fajit e “mundonte”. Në fakt ishte një fasadë. Ndëgjoje me shqetësim. Kishe njohuri për largimin por nuk dije që de facto të kishin larguar. Edhe librezën e punës. Në shenjë “mirënjohje” firma dhe vula e Lanetit. Pas një muaji ajo u shkarravit. Goditje e pabesë! Hipokrizi e pashoqe! Kulmi i “sinçeritetit” dhe i “korektesës”! “Mirënjohje” e shekullit! Ku ka më mirë!

Po kujtoj një episod. Kanë kalue shumë vite. Atëherë isha i ri. “Do ju presë kokat” ju tha “komandanti” efektivit të kompanisë së tij. Sapo ishte emëruar në detyrë. Ishte i ri, shkurtabiq dhe verdhosh. Duket se kishte nevojë për gjak. Ndoshta ishte vampir.

Të gjithë ulën kokën. Vetëm njëri foli. “Shoku komandant mos jeni sternip i Maratit? Sa koka keni prerë deri tani? Me çka i prisni ato? Gijotinën a e keni përdor? Dantoni dhe Robespieri e pësuan nga ajo kurse Mra nga një vajzë trime franceze. Një këshillë kam për ju: “kush mbjedhë erën do të korrë fortunën.

Sa keq. Jeni edhe qytetar. Njeri i kulturuar. “Desha me qeshë” – u përgjigj ai. Fjalë pa bereqet sa me kalue rradhën. Asgjë më tepër. Por “po…” doli. Ajo u ndëgjue mirë. Nuk mund të kthehet më. Iku dhe shkoi.

Ku ka fisnikëri më të madhe se sa tu presësh kokat vartësve të tu!? “Mirënjohje e pakufishme”! Gijotinë në vend të luleve! Ju lutem kujdes. Ruaj qetësinë dhe tensionin komandant. Ndryshe i pari e pëson vetë. Largo mendimet e këqia. Respekti, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi njerëzor  janë leva me rëndësi për zhvillimin e përparimin e Botës. Mbi të gjitha mirënjohja. Kjo detyrë u takon të gjithëve. “Pa mirësi nuk ka jetë – i thanë njëzëri të gjithë ushtarët e tij.

Luigj Temali

Me rastin e 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Heroi që lindi në çerdhen e lirisë

Në këtë shkrim bëhet fjalë për Nikë Lekë Pepaj, anëtar dhe komandant i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Malësinë e Madhe.

Kuvendi Kombëtar u mblodh në Prizren më 10 qershor 1878, tri ditë para se të hapej Kongresi famëkeq i Berlinit. Aty u përfaqësuan të gjitha krahinat e atdheut. Kuvendin e hapi me një fjalim të zjarrtë Abdyl Frashëri, i cili tha ndër të tjera: “Qëllimi i Kuvendit është që t’u presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë…”

Po atë ditë u vendos njëzëri themelimi i “Lidhjes Shqiptare” si organizata e vetme kombëtare në Shqipëri, detyra kryesore e së cilës do të ishte bashkimi i mbarë shqiptarëve në luftë për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të siguruar të drejtat kombëtare të Shqipërisë. Kuvendi i Prizrenit vendosi gjithashtu që Lidhja Shqiptare të ngrinte sa më parë ushtrinë shqiptare të varur prej saj dhe të organizoheshin degë të Lidhjes në çdo krahinë të Shqipërisë. Për drejtimin e Lidhjes Shqiptare u formua një Komitet Qëndror me qendër në Prizren. Ditët e mëvonëshme, Kuvendi i Prizrenit mori një sërë vendimesh të tjera me rëndësi historike.

Në vijim të këtij shkrimi do flasim për heroin që lindi në çerdhen e lirisë Nikë Lekën, anëtar dhe komandant i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, udhëheqës i malësorëve. U lind më 6 dhjetor 1836 në fshatin Selcë të krahinës së Kelmendit, ku ishte edhe qendra kryesore e bashkimit për luftën kundër pushtuesve. U lind gjithashtu në një familje me tradita të lashta patriotike atdhetare, i ushqyes me mençurinë e të parëve, njeri i zgjuar dhe i dashur me njerëzit përreth, por edhe i ashpër me armiqtë. Shkollën fillore e mbaron në fshatin e lindjes në vitin 1842. Kjo shkollë në atë kohë ishte hapur nga një grup françeskanësh. Kishte pesë klasa dhe ishte hapur në një ndërtesë të bërë me kontribut vullnetar të fshatit Selcë (dy katëshe) në afërsi të kishës. Shkolla qëndroi e hapur prej disa vitesh, por më vonë u mbyll me urdhër të prerë të autoriteteve turke… Studimet e larta, Nika i vazhdoi në Podgoricë me ndihmën e disa miqve në Grudë. Ai, u dallua në shkollë për zell e zgjuarsi. Mësoi shumë shpejt gjuhën serbo-kroate dhe studjoi shumë literaturë në atë gjuhë. Më vonë siç do e shohim në vijim të shkrimit, kur u internua në Anadoll ishte dënuar me burgim të përjetshëm mësoi edhe gjuhën turke. Nika në Turqi bëri vetëm gjashtë vjet nga dënimi i përjetshëm. U lirua me ndërhyrjen e Ahmet Kelmendit, ish Valiu i Stambollit në atë kohë, të cilin Nikë Leka e kishte mik të ngushtë që kur ishte në Kosovë, por me origjinë kelmendase. Nikë Lekë Pepaj, mbasi mbaroi shkollën e lartë, u kthye në Selcë dhe kelmendasit e zgjodhën udhëheqës ushtarak të të gjithë krahinës.

Më pas Nikën e shohim anëtar dhe komandant të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për të gjithë Malësinë e Madhe. Pra më 1878, personaliteti i tij shkëlqeu si komandant i malësorëve dhe si komandant i zoti i forcave të Lidhjes. Ai tregoi aftësi të jashtëzakonshme në beteja kundër turqve dhe sllavëve, sidomos në mbrojtje të Kelmendit, Plavës e Gucisë, Hotit e Grudës, kur u sulmuan nga forcat evropiane për t’ia dorëzuar Malit të Z, sipas traktatit të zi për copëtimin e Shqipërisë. Në betejën e përgjakshme të Ura e Rrzharnicës Nikë Leka, në krye të malësorëve kelmendas, Hotit e Grudës etj., ku kishte edhe dy vëllezërit e tij Ujkën dhe Lucën, bënë të mundur mbas shumë orësh luftime të zbrapsin Mark Milanin me forcat e tij malazeze. Nika do të luftonte si një Demond i vërtetë. Komanda dhe pushka e tij u dëgjua në Stamboll dhe në Londër. Ai, megjithëse i plagosur, nuk e ndërpreu luftën deri sa Mark Milani u thye dhe u largua nga fusha e betejës i pabarabartë i turpëruar…

Populli i thuri menjëherë këngë lavdie kësaj beteje. Ja disa vargje:

…Vjen ushtria e Malit të Zi

Porsi reja e zezë me shi

Per me shkrep në at Malësi.

Rruga e ngusht e Marku me kalë,

Asht rrezik s’po mund me dalë,

Krajl e Mbret kanë dalë me pa,

Si luftojnë malësorët me shkja.

Kështu krisi te rrzharnica,

Këtej martina, andej petica,

Hot e Grud, Kelmendi mbarë,

Prinë Nikë Leka në kalë të bardh’…

Më gjatë për këtë luftë, flet libri (monografi) “Heroi që lindi në çerdhen e lirisë”, si dhe për dy komandantët rivalë: Nikë Leka dhe Mark Milani i Malit të Zi. Dervish Pasha në këtë kohë, shpërndau degën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Shkodër, dhe internoi e burgosi shumë patriotë.

Nikë Leka e pa veten në rrezik. Qeveria Osmane tashmë e kishte vënë në shënjestër, për ta arrestuar dhe për këtë ajo përdori “dhelpërinë”.

Nikë Leka, thirret me “dashamirësi” nga Veziri i Shkodrës. Trimat e malësisë e këshilluan Nikën që të mos shkonte, pasi Veziri ishte i pabesë. Ai, iu tha se i dukej ligështi të trembej nga kurthet e Vezirit. “Edhe në kjoftë se Veziri do të më presë në besë, ju nuk duhet të demoralizoheni, por duhet të luftoni sikur të isha edhe unë në krye tuaj”, – u tha shokëve.

I shoqëruar nga tre trima, Nika u nis për në Shkodër, ku do të takohej me Vezirin. Mbas një dite e ca udhëtim mbërriti në Shkodër. Rojet e pallatit të Vezirit, (ku është prefektura sot) nuk lejuan që të hynin brenda të katër shokët. Meqë nuk kishte zgjidhje tjetër, u vendos që të shkonte vetëm Nika te Veziri. Rojet i thanë që të dorëzonte armët. Atëherë Nika iu përgjegj oficerit Otoman: “Shumë urdhëra pona jep o zabiti i mbretit. Unë armët nu ki heq nga brezi. Nuk kam ardhur këtu për t’u çarmatosur, por për të biseduar me Vezirin për hallet e Malësisë”.

Oficeri me pesë nizamë u detyrua ta shoqëronte Nikë Lekën për te Veziri. Në zyrën e Vezirit, Nikë Leka përshëndeti sipas etikës zyrtare dhe veziri i bëri nderimet e rastit. Ndërkohë nëpunësi i lartë i pëshpëriti diçka në vesh oficerit të rojeve. I tha se pse e kishin sjellur Nikë Lekën të armatosur. Nika bëri sikur nuk e kuptoi mirë, por bëri sikur s’diti dhe tha:

-Urdhëro, o Vezir, fol për çfarë më keni kërkuar?

-Në radhë të parë dua të di si jeni me shëndet, si i keni familjen, çfarë mund t’ju ndihmoj, sepse helbete lufta ju ka rënduar nga ana ekonomike…

Nika ia priti menjëherë:

-Vezir efendi t’u rritet jeta, se unë nuk kërkoj gjë tjetër nga Ju, vetëm të mos na bini në qafë. Na vratë, na dogjët, na poqët, prandaj ta kam rixhanë të mos na mundoni më, sepse nuk u kemi gjë borxh.

-Pikërisht për të biseduar për hallet ju kam thirrur miqësisht, – i tha Veziri. Naltmadhëria e tij Sulltani, është i interesuar shumë, shumë për Ju! Ai ka urdhëruar që t’ju japë grada të larta e flori për ju dhe për malësinë, dhe pastaj të jetojmë së bashku në miqësi, mjaft keni vuajtur.

-Dëgjo mirë, o Vezir. Unë nuk pranoj grada prej jush, sepse gradat m’i ka dhënë Malësia e Madhe. Ato janë grada shqiptare dhe nuk mund t’i ndryshojm me ato turke. Ju doni që të bëhemi pjesë e Perandorisë turke, dhe kështu të mos i dëgjohet më emri Shqipërisë. Jo zotëri vezir, këtë turp edhe në qoftë se do ta pranoja unë, nuk e pranon Kelmendi dhe Malësia e Madhe. Kurse paratë që më premton mua, ruaj se mund të duhen për t’i thyer mendjen ndonjë tjetri, ndonjë tradhëtari që pranon të shesë atdheun për një grusht florinj. Jeni gabuar rëndë, o vezir efendi.

Sapo mbaron fjalën, Nika ngrihet të dalë nga zyra.

-Unë po dal, Vezir efendi. Nuk kam fjalë të tjera me Ju dhe nuk pres fjalë të tjera prej jush.

Atëherë Veziri, i nervozuar në kulm, kërcënoi:

-Meqë nuk i bindeni urdhërit të Lartmadhërisë, Sulltanit, do të internoheni në Anadoll.

-Unë do të shkoj një herë në Malësi, – u përgjigj Nika, nëse do të më lejojnë trimat e Malësisë, mund të shkoj të shoh Anadollin, kurse pa lejen e tyre nuk mund të shkoj dot askund. Po këtu tek ti kam ardhur pa lejen e tyre…! Ju faleminderit për pritjen.

Veziri urdhëron menjëherë arrestimin e Nikë Lekës, kryetrimit të Malësisë së Madhe dhe dërgimin e tij menjëherë në brigjet e Anadollit, ku do të rrinte gjithë jetën.

Oficeri me dhjetë ushtarë qëndronte gati për ta arrestuar Nikë Lekën. Oficeri bëri dy hapa para dhe tentoi t’i hidhte prangat në duar. Por, Nikë Leka nxori me të shpejtë dy koburet që kishte në brez dhe ia drejtoi njërën Vezirit dhe tjetrën komandantit të rojeve të pallatit. Koburet i zbras me shpejtësi. Oficeri vritet menjëherë, kurse Vezirin e shpëtojnë dy ushtarë që u dalin plumbave përpara. Ata vriten dhe Veziri ikën duke dhënë alarmin. Nika përleshet edhe me ushtarët e tjerë, por tani me shpatë. Vret kështu edhe tre vetë, duke e çuar numrin e të vrarëve në pesë vetë. Pastaj hyn brenda një mizëri ushtarët e oficerësh dhe më në fund e kapin Nikën.

Brenda tri ditëve, Nikë Lekë Pepaj, internohet në brigjet e Anadollit. Lajmi i arrestimit dhe i internimit të përjetshëm të Nikë Lekës në brigjet e Anadollit, u përhap në mënyrë të rrufeshme në qytetin e Shkodrës dhe në gjithë Malësinë e Madhe. Populli ndjente edhe hidhërim, po edhe krenari për birin besnik dhe trim. Akti i tij heroik në pallatin e Vezirit, u përhap edhe jashtë Shqipërisë. Gazetat mbushën faqet e tyre me kronika nga akti luftarak i Nikë Lekës. Lajmet shoqëroheshin edhe me fotografinë e tij (të dalë më parë te foto Marubi, të cilën e kishin marrë me kohë të huajt dhe veçanërishtata anglezë). Po historianët shqiptarë, pse heshtën…?! Pse heshtën edhe më vonë për heroizmat e tjerë të Nikë Lekës që vijuan njëri pas tjetrit…? Ani, s’ka gjë! Populli i Malësisë ia ka dhënë me kohë titullin “Hero i Popullit”… (vijon)

Nikë Bunjaj, shkrimtar dhe publicist

Pesha e kotësive

Vëllim me tregime nga Syrja Smajlaj

Lexon këtë vëllim me tregime të Syrja Smajlajt, autorit më të ri që paku për llojin e shkurtër të shkrimit në këtë trevë dhe ndjen kënaqësinë e një të shprehuri me një ngrohtësi ndjenje dhe sinqeriteti artistik të admirueshëm. Vëllim rrok temën e marrëdhënieve intime, ku ceken edhe marrëdhëniet prind-fëmijë si koncentrat i raportit në mes mentaliteteve në rënie dhe atyre në lindje e konsolidim në rrokullimën e zhvillimit prosperial të jetës si shprehje e emancipimit shpirtëror dhe qytetar. “Takohesh” me personazhe si Ervini, Silva, Shpresa e Selimi (“Tjetra në mes”), Lulëzimi, Alma e Zana (“Rastësi”), Landi, Doriani e Jola (“Një natë më pak”), Elsa (“Marrëzi e moshës”), Ajeti, Abdyli, Bora e Valdeti (“Pesha e kotësive”), Arsela (“Vegim në jetë”), Eva, Doriani (“Deodoranti Eva”). Të gjithë janë njerëz të thjeshtë: studentë, të rinj, qytetarë të zakonshëm, ushtarë, familjarë, prindër të zhveshur nga çdo pushtet. Në shtatë tregime të vëllimit nuk takon bosë, biznesmenë, politikanë, piramidoistë, kriminelë ordinerë, mafiozë, killer, kontrabandistë, të korruptuar. Autori ka vendosur të shtrohet në sofrën artistike me kujdesin, vëmendjen, respektin e meditimin për njeriun e thjeshtë…

Do ta quaja këtë prezantim artistik një fillesë e këndëshme, premtuese, plot jetë dhe, njëherësh, një homazh për njeriun e thjeshtë. Janë pikërisht këto personazhe, kjo shtresë sociale, e cila në shpalosjen artistike i jep vlera vitale lëngut artistik të derdhur në këtë luftë tregimesh gjurmëlënës në kujtesën e lexuesit të thjeshtë, por edhe të studiuesit të gjuhës shqipe. Me autoritetin e fjalës së kursyer e të gjetur me kredibilitetin artistik, që japin mjete të tilla sikontrasti, nënteksti, inversioni, penelatat e hequra me kujdes, detajet dhe përgjithësimi artistik autori përpiqet të depërtojë në botën shpirtërore të njeriut të thjeshtë larg çdo skarciteti që sjell pornografia e komercializmi, që mjerisht nanurisin lexuesin tonë të tronditur në një tranzicion të ri të tejzgjatur stresant mishëruar artistikisht mjeshtërisht në karaktere të goditura si Ervini, Jola, Eva…

Në përgjithësi vëllimi ka vlera falë nuhatjes artistike për të përdorur me kompetencë të admirueshme armët që të jep tregimi si: dialogu i shkathët e funksional, konflikti dramatik i veprimit të personazheve, çasti kulmor dhe mostretja pas hollësive psikologjike të karaktereve.

Në qendër të tregimit “Tjetra në mes” Ervini, një i ri që i takon një familjeje të persekutuar, idealist i vërtetë që kurrsesi në vitet ’90 nuk pranon të modifikohet si njeri turravrap dygishtak për të abuzuar me prestigjin e një të persekutuari politik. Në klimën e zhvillimeve demokratike në vend secili nga njerëzit e tij ka hedhur hapat për të gjetur vetveten. Ervini fillimisht angazhohet në një parti politike, por shpejt tronditet shpirtërisht. Inercia totalitariste e luftës së klasave vazhdon, por me forma të reja. Dje në emër të demokracisë popullore, sot në emër të demokracisë borgjeze. Ishët kundër ishëve. Koncepti i llogores ekziston ende në kokat e politikës. Deviza e ditës: Je me partinë n pushtet, je gjithçka, je kundër saj, të ka mohuar edhe zoti vetë: S’ke të drejtë as në pjesën e diellit. Me kokën prapa vihet në dyshim e ardhmja. “Bashkëvuajtës e bashkëfajtorë” – sllogani më hipokrit i këtij shekulli. Në këto rrethana Ervini deçizon: Largohet nga politika dhe i futet fakultetit. Megjithatë as këtu nuk e gjen vetvetenn, idealizmin e tij. Edhe në fakultet në emër të “ishëve” diplomohen deri semimaturantë, në kurriz të të aftëve, në emër të ishizmit e jo të profesionalizmit. A s’kemi dëgjuar të gjithë, madje edhe jetuar fakte të tilla që konkurset në fakultetet tona mbusheshin deri në dyfishin e tyre të planit me të rekomanduar nga lart. Kjo e dëshpëron temase Ervinin, por është Silva mishëruese artistikisht e tolerancës popullore, ajo e inkurajon të bëhet mësues. Por edhe në familje edhe në shkollë Ervini ndjehet zero, i nënçmuar. Jo thjesht shkolla është shkatërruar, por është shkatërruar njeriu në kompleks, lumpeni social është bërë përcaktues, analfabeti, injoranti i ingarnuar në mekanizmin e kompletuar që, për hipokrizi quhet shtet, ka nxjerrë jashtë loje, intelektualin, shkollëtarin, kulturën. Mendja e kombit, arsimi, kultura, prosperiteti janë kthyer në iluzion. Realisht individi, familja, kombi, shoqëria e përjetojnë dilemën historike: Ku po shkojmë?

Si natyrë e mbyllur Ervini vuan në vetvete idealizmin e tij. Ai është përfaqësues autentik i asaj shtrese që e vuajti persekutimin politik për ideale të pastra e të qarta demokratike në diktaturë. Kjo e neverit ndaj abuzantëve me pasaportën e të persekutuarit si barkë shpëtimi e atij prostitucioni moral i ish të dënuarve si hajdutë, imoralë, si fuksë të Sigurimit të Shtetit pas burgut që sot kërkon të shitet si persekucion politik.  Janë kontrasti dhe portreti si mjete artistike që suksesshëm mobilizojnë autorin në shpalosjen e një realiteti të tillë të dhimbshëm, por mjerisht ulur këmbëkryq. Kryetari i madh, i kollarisur dhe autoritar në zyrë, në sytë e gruas së tij një krijesë e papërfillshme e kokulur, shprehet autori, duke portretizuar kryetarin e partisë, ku aderon Ervini. Po kaq bukur autori përdor nëntekstin apo ironinë metaforike: “Brravo, kryetari im, jepu sihariqin njerëzve se nga Amerika po vijnë ide të reja që ne “indianët” shqiptarë nuk i kemi njohur. Po vijnë një grup grashë që të na tregojnë se si milet lopa, si lahet gjiri i tyre, si të pastrohet plehu, e pse jo, nga qumështi mund të merret edhe gjalpi, madje edhe gjiza”. Kozmopolitizmi në çdo fushë të jetës, përbuzje e çdo vlere kombëtare të krijuara me aq mund e djersë – ja një plagë e dhimbshme që preket mjeshtërisht nga autori, pasqyrë filozofike e qeverisjes mjerane të shqiptarëve: “Ne qeverisim, bota na ndihmon”. Indirekt autori bën pyetjen: Ç’është demokracia? Dhe po vetë përgjigjet: Asgjë tjetër vetëm bankoprovë reale për çdo popull e komb: se sa është i aftë ai të konkurojë me vlerat e veta në çdo fushë si e vetmja rrugë e afirmimit. Ndryshe do të mbetemi në stadin e një populli pa të ardhme apo, siç e kemi dëgjuar të na thonë të huajt: “Voi albanezi siete popolo per manxhare”…

Është meritë që autori motivon artistikisht optimizmin për të ardhmen i bindur në brishtësinë e demokracisë shqiptare. “Njomështia e vajzës që i kishte munguar u bëri vend në mënyrë të mirëpritur energjive që pranvera stimulonte në trupin e tij” e mbyll autori rrëfimin artistik…

Në qendër të tregimit tjetër me titullin “Rastësi” vendos një trio simpatike: Lulëzimin – ushtar, dy vajza Alma dhe Zana që po udhëtojnë me trenin e linjës drejt qytetit verior. Vajzat thjesht për mirësjellje i bëjnë vend ushtarit në ndenjësen e tyre pa shfaqur kurrfarë preference për të. Një i ri pasagjer kërkon të provokojë njërën prej vajzave. Përballë këtij veprimi ngrihet madhërisht figura e ushtarit qytetar, që, pa asnjë mëdyshje, mbrojtjen e dinjitetit të vajzës së provokuar e ndjen si mbrojtje të dinjitetit të vet. Vetëm gjashtë faqe ka tregimi por mjeshtëria artistike, intensiteti i veprimit, koloriti artistik, dialogu funksional evidentojnë vlera të arrira artistike mjaft domethënëse. Kështu mesazhi vjen rrjedhshëm, natyrshëm larg artificeve e skemave të kërkuara, madje mjaft kuptimplotë. E vetmja mbrojtje për të pambrojturit në kushtet e një tranzicioni të pakontrolluar nga ligji mbetet solidariteti social. Indiferenca, konformizmi, heshtja pa moral, ja tri të këqijat e mëdha që aq shumë vazhdojnë të na kushtojnë ne shqiptarëve. Përmes personazhit kryesor, Lulëzimit, autori militon për një qëndrim të ri qytetar të përgjegjshëm në jetë, në shoqëri, në familje… “Nuk e kuptoni se pas këtij çasti jeni i tepërt” decizon qëndrimin e vet dinjitoz ushtar Lulëzimi ndaj provokatorit.

Njëherësh një tregim kaq i shkurtër, por kaq cilësor apelon kundër abuzimit me sasinë në dëm të botimeve cilësore nga botues komercialistë çka ndikon më tepër për një çoroditje se sa për një formim estetik etiko-qytetar të njeriut të ditëve tona në kushtet kur kritika letrare ende s’e ka marrë veten…

Vlera që evidentuam më lart ngërthejnë edhe tregimet tjera e në mënyrë të veçantë “Një natë më pak” apo “Deodoranti Eva”. Vëllimi ka vlera edhe për formën, për punën me fjalën e gjuhës shqipe. Jo vetëm me përpjekjet për krijimin e fjalëve të reja apo nuancave kuptimore interesante, por edhe përdorimin me respekt të fjalës së kursyer e të zgjedhur shqipe, pa u bërë asnjëherë skllav i fjalës së huaj parazitare duke u ngritur kështu kundër atyre që po mbushin padrejtësisht nga tempulli i demokracisë e mediumet në tërësi gjuhën shqipe me fjalën e huaj si dhe kundër atyre linguistëve skllevër të politikës së ditës që arrijnë deri në absurd sa të tentojnë të penalizojnë njësimin e gjuhës shqipe letrare, këtë fitore historike kombëtare, embrionet e së cilës kanë një moshë së paku shekullore.

Tregimet e Syrjait shquhen jo vetëm për mesazhet tepër njerëzore në një realitet disi njerëzor, por edhe për vlera të konsiderueshme artistike, falë ngjyrimit emocional të fjalës, përdorimit me efikasitet të inversionit, të të shprehurit lakonik etj.

Megjithatë afirmimi i vlerave në disa prej tergimeve të këtij vëllimi, ndjehet edhe nevoja e një krasitjeje kompetente redaktoriale që krijimtaria e ardhshme të marrë vlera të reja te ky autor i ri në moshë e në krijimtari, por mjaft premtues.

Kadri Ujkaj

Mes ligjit dhe krimit Misioni i Pajtimit

-Në të gjithë botën shteti çarmatos qytetarët, në Shqipëri qytetarët çarmatosin shtetin-

Në kushtet tepër të vështira që po kalon shoqëria shqiptare, ndër këto vite të dhimbshme të një tranzicioni të tejzgjatur (dhe që nuk dihet ende se kur do ta mbyllë ciklin), kur krimi, korrupsioni, kontrabanda dhe prostitucioni e kanë shtrirë metastazën e tyre në të gjithë gjymtyrët e shoqëris; kur ligji i “atrofizuar” i shtetit shqiptar, nuk është në gjendje t’u vëjë “digë” këtyre fenomeneve; koha thërret në “skenë” Misionin e Pajtimit, si një “instrument” shoqëror tepër të nevojshëm për “amortizimin” e këtyre fenomeneve, dhe në veçanti, për shuarjen e konflikteve. “Misioni i Pajtimit” ka vepruar prej më shumë se dhjetë vitesh, dhe brenda këtij Misioni ka elementë të shquar dhe me reputacion, të cilët kanë dhënë dhe japin një kontribut tepër të vyer. Por, nuk duhet harruar se shpeshherë janë bërë dhe gabime, sidomos në keqinterpretimin e Kanunit, ku shpeshherë ka bërë efekt të kundërt. Nisur nga këto faktorë, me iniciativën e fratit të shquar italian Mario Boglio i cili po shpalos me të gjithë madhështinë vlerat e tij njerëzore, religjioze dhe tepër humane. Ishte iniciativa dhe vullneti i tij i hekurt; i organizimi i dy kuvendeve në fshatin e “Paqes”, njëri me dt. 25 janar 2003, dhe tjetri më 21 mars 2003. Në këto kuvende kanë asistuar, përveç përfaqësuesve të nderuar të tri komuniteteve fetare, edhe Kryetari i Kuvendit Popullor dhe Ministri i Mbrojtjes, (në kuvendin e parë). Në kuvendin e dytë, përveç përfaqësuesve të komuniteteve fetare dhe shoqërisë civile, asistonin dhe zv/Ministri i Drejtësisë dhe Drejtori i Rendit të Qarkut, dhe përfaqësues të Prokurorisë. Në këtë kuvend asistonin dhe: Misioni “Drejtësi dhe Paqe”; Misioni i Pajtimit “Nënë Tereza” etj. Qëllimi i këtij kuvendi ishte bashkërendimi i veprimeve parandaluese të konflikteve dhe kryesisht i gjakmarrjes.

Nga të gjithë referuesit, të drejtësisë, rendit, shoqërisë civile dhe në veçanti i komuniteteve fetare, lajtmotivi ishte ky: frenimi i fenomenit me masa parandaluese e efikase nga të tre grupimet dhe veprimi i tyre “rezonant”, duke vënë në efiçencë të gjitha mjetet e disponueshme, që nga përgatitja shpirtërore (detyrë kjo e komuniteteve fetare), nga shfrytëzimi në maksimum i mendimit intelektual (shoqëria civile) dhe deri tek organet kompetente, të cilat duhet të jenë zbatues koshient dhe konseguent të ligjit, që ka aprovuar Kushtetuta, pa asnjë kompromis.

Në lidhje me armëmbajtjen pa leje, pati vërejtje nga të gjithë referuesit se ligjet janë tepër të “buta”.

Duke patur parasysh se, nuk ka pasojë pa shkak, u konkludua nga të gjithë referuesit se: Gjendja tepër e vështirë ekonomike, “lulëzimi” i analfabetizmit, dhe hezitimi i organeve të rendit për ndërhyrje me forcë në zbatimin e ligjit, korruptimi i gjykatave, kanë krijuar hapësirë për këto fenomene.

Me mjaft interes u prit diskutimi i z. Benusi, ku ndër të tjera tha: Në të gjithë botën, shteti çarmatos qytetarët, ndërsa tek ne, qytetarët çarmatosin shtetin!… Z. Benusi u prononcua edhe për keqinterpretimin që i bëhet Kanunit. Më dt. 5 prill 2003, është faza përfundimtare (kuvendi i tretë), i cili do të vendosë themelet e “Misionit të Pajtimit” dhe që shpresohet të jetë “mjeti” më efikas për parandalimin e çdo konflikti në Prefekturën tonë e më gjerë.

Jam i mendimit se, komunitetet fetare dhe shoqëria civile kanë një rol mjaft të rëndësishëm në parandalimin e konflikteve, por kur konflikti kthehet në krim duhet të veprojë ligji me efikasitetin maksimal. Duke krijuar kështu edhe një besim më të madh tek qytetarët dhe respekt ndaj shtetit.

Pra, mes ligjit dhe krimit misionarët e pajtimit do të veprojnë si “katalizatorë” të fuqishëm në zbutjen e fenomenit. Tre elementet e sipërpërmendur janë alternativa më e mundshme dhe më konstante për realizimin e këtij objektivi. Duke patur parasysh se: familja është “celula” e shtetit dhe se shpeshherë prindërit bëhen shkaktarë për hapjen e “plagëve” të vjetra, do të thosha se plagët e vjetra shpesherë po “mbyllen” me gjak të ri! Pra është detyrë puna bindëse me këta prindër, të cilët nga “eksitatorë” duhet t’i kthejmë në “stabilizatorë”. Vetëm kështu do të kursejmë gjakun tepër të çmueshëm të fëmijëve tanë dhe do t’i bëjmë një shërbim të vyer kombit tonë fatkeq, e me gjak të shprishur në katër anët e globit.

Gjithashtu jam i mendimit që edhe Zotin, të cilin e “braktisëm” për rreth 40 vjet, t’u lutemi në gjuhën tonë dhe ta thërrasim në gjuhën tonë – Zot.

Ai i Lumi i di të gjitha gjuhët e botës, dhe nuk kemi aspak nevojë ta thërrasim në gjuhë të tjera, qoftë latinisht – Dio, apo arabisht – Allah.

Ti lutemi në gjuhën tonë që të pohojmë nacionalitetin tonë. Në qoftë se ne do të mohojmë veten, kam “frikë” se edhe ai i Lumi do të na mohojë.

Vetëm me një vullnet të hekurt duke rrëzuar çdo “barrierë” që do të na ndajë, mund të rreshtohemi ndër kombet e qytetëruara të botës moderne. “Dashuria ndërton. Urrejtja shkatërron”. – “Sentencë” e Papës së Shejtë.

Ta “varrosim” urrejtjen me Dashurinë për njëri-tjetrin.

Mark Bregu

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu