Nr. 53 i gazetës në print

0
Ballkan i egër, mos na tallazo Shqipërinë!

I shtymë nga malli për ju dhe për komunikim me ju, vendosa të vë në kartë disa mendime personale mbi gjendjen e tanishme të kombit shqiptar, me theks në RSH. Kam ndigjue nga shumë anë se unë nuk e njoh gjendjen në Shqipëri. Ashtë e natyrshme mbas 40 vjet mërgimi. Por unë mendoj se me heshtë ashtë akoma ma keq. Gabimi ma i madh që mund të baj ashtë të hesht mbi atë që ngjet sot në hapësinat shqiptare të Ballkanit, e veçanërisht në RSH, dhe mospërpjekja të evitohen fatkeqësitë në të ardhmen.

Kur isha në Shqipëri, në gusht 1992, fola në Teatrin “Migjeni” dhe për pesë minuta u përpoqa të theksoj se ashtë njeriu i lirë ai që ban shtetin e lirë e shoqërinë e lirë. Nuk pata zemër të flas për gjana të tjera sepse publiku ishte aq i lodhur dhe aq i ngatërruem me “politikë” sa që më dekurajoi të flas ma gjatë. Nji shok më tha: “ke thanë gjithçka dhe asgja!” Sot do të përpiqem të rendis disa mendime personale, jo domodoshmënisht në radhë për randësinë e tyne, por ma tepër për lehtësi spjegimi.

Shkrimtari irlandez John Donne ka thanë: “No man is an island”. Asnjeri nuk ashtë nji ishull më vete. Unë do të dëshiroja ta adoptoj këtë thanie: “Asnji shtet sot në botën moderne nuk ashtë nji ishull”. Shqipëria e provoi e falimentoi!

Vendi ynë ashtë ballkanik, mesdhetar dhe europian: i vogël numerikisht, i dobët ekonomikisht, i paedukuem politikisht. Vendi ynë europian mban në kurriz trashëgiminë otomane dhe besimin mysliman, dy aspekte të hueja për kontinetin ku jetojmë. Nëse Europa, ma e qytetënueme pranon deri në nji farë pike pluralizmin politik, kulturor dhe fetar, Ballkani ma i egër refuzon bashkëjetesën me popullin tonë. Përndryshe si mund të spjegohet tragjedia e Kosovës dhe trajtimi i shqiptarëve në Greqi? Mesdheu ashtë ma kozmopolit, i përziem, ma tolerant.

Këto vitet e fundit ashtë folë shumë për “clashes of civilizations” (përplasjet e qytetënimeve) dhe teza se turbullimet ma të mëdha do të ngjasin pikërisht aty ku kufizohen këto “qytetnime”, ka mjaft përkrahës. Në rastin tonë shqiptar: ne jetojmë në nji zonë ku krishtenimi perëndimor, krishtenimi lindor dhe islamizmi takohen. Prandej ka arsye me besue se përplasja në të ardhmen ashtë pothuejse e paevitueshme në Ballkan. Në qoftë se kjo tezë pranohet, atëherë fati i kombit shqiptar në të ardhmen nuk duket premtues dhe konflikte të reja mund të krijohen, ndoshta artificialisht (siç ashtë rasti i Serbisë) me qëllim të zgjanimit të sferave të influencës në gadishull. Ajo që kemi pa, sidomos qysh më 1991 në Ballkan, e në Shqipëri e Kosovë veçanërisht, mbështet këtë tezë. Megjithatë, unë si perëndimor, refuzoj të pranoj paevitueshmëninë e përplasjes.

Ashtë dëshpërues fakti që sot konflikti në Ballkan po ngjyroset me elemente fetare që bien erën e fanatizmit të shekujve 18 e 19, kur Rusia cariste mibilizohej me nxjerrë Turqinë jashtë Europës, dhe kur Austro-Hungaria e Italia acaruen konfliktin e tyne me përpjekje për sundim në Ballkan. Shqipëria ishte “tokë turke”, shqiptarët “kokë turku” dhe Rusia e satelitët e saj konsiderojshin aneksimet tokësore në kurriz tonin si nji “mision qytetnues”. Shtypjet e masakrat kundër kundër shqiptarëve nuk tërhiqnin vëmendjen e Europës, për sa kohë që Perandoria Otomane zvogëlohej, dobësohej dhe hidhej jashtë Europës. Shqiptarët shikoheshin si “versioni modern i turqve”, prandej duheshin zhdukë…!

Kështu, nga ana e shumicës së shqiptarëve u arrit përfundimi se mbrojtja e tokave shqiptare mund të bahej vetëm në bashkëpunim me Turqinë, si i vetmi shtet që mund të siguronte përkrahje. Por Otomanët ishin në tërheqje të plotë. Lidhja e Prizrenit, (1878-1880) ashtë manifestimi i parë me efekte ndërkombëtare i dëshirës së shqiptarëve për shkëputjen e fatit të tyne nga ai i okupatorit otoman. Ky qëndrim i drejtë e keqësoi gjendjen tonë sepse vuni forcat ushtarake turke kundër shqiptarëve.

Tashti, të gjithë e dijmë se si u zhvillua historia e popullit tonë deri sot, por jo të gjithë kanë nxjerrë mësimet e duhuna nga kjo eksperiencë. Kjo vështirëson përcaktimin e vijës politike gjithëshqiptare dhe ndihmon konfuzionin politik në vendin tonë edhe sot e kësaj dite, konfuzion që ndihmohet nga fqinjët.

Perandoria Otomane siguronte nji hapësinë tokësore të gjanë për popujt e saj, ku lëvizja (nga Zagrebi deri në Indi) e njerëzve dhe mallnave ishte e lirë, tue ndihmue kështu kontaktet në mes popujve (për mungesë kufijsh tokësorë e doganash) tregëtinë e zhvillimin ekonomik në përgjithësi. Me Traktatin e Berlinit, 1878, të Londrës, 1913, të Versajës, 1919 dhe përsëri në 1945, kjo hapësinë u coptua me rezultate tragjike: gjysma e Shqipërisë doli më vete politikisht, por u dënua të jetojë e mbrapambetun dhe në vorfëni; gjysma e dytë, Shqipëria Lindore, humbi pavarësinë politike, u vorfnue ekonomikisht, u diskriminuar shoqërisht dhe iu nënshtrue procesit të shkombëtarizimit. Ndarja e Shqipërisë në dy pjesë, Perëndimore dhe Lindore, ka qenë gjithashtu nji tronditje e thellë emocionale për të gjithë shqiptarët, rrjedhimet e së cilës i ndjejmë edhe sot.

Largimi i Turqisë ka qenë kondita kryesore për krjimin e nji Shqipërie të pavarun. Paradoksi ashtë se ky largim rrezikonte njikohësisht vetë ekzistencën e Shqipërisë në atë moment. Balanca në mes të dy poleve u mbajt nga nji ngritje e vrullshme e ndërgjegjes kombëtare, si dhe antagonizmat në mes të shteteve kërcënues fqinj. Ky dualizëm vazhdon edhe sot, dhe fati i shqiptarëve lëkundet akoma nga forcimi ose dobësimi i njërit ose tjetrit faktor.

Me gjithë pjesëmarrjen e gjanë dhe aktive të elementit shqiptar në administratën otomane, kjo pjesëmarrje nuk u ndërrue në nji përpjekje koshiente me ndihmue atdheun e lindjes dhe bashkëatdhetarët. Vetëm nga fundi i shekullit 19 kemi figura të ndrituna që kuptuen randësinë e shkëputjes nga Turqia dhe të përpjekjeve me fitue përkrahjen e Europës Perëndimore me qëllim krijimin e nji shteti të lirë shqiptar.

Të ndihmuem nga përgatitja arsimore, këta elementë kuptuen randësinë e “europianizimit” të popullsisë shqiptare dhe rolin qendror që luen arsimi e kultura në këtë proces. Unë besoj se, mbas vdekjes së Skënderbeut, me përjashtim të përpjekjeve individuale, ose grupeve të vogla kryesisht katolike shqiptare, grupi i Stambollit në Lindje dhe Arbëreshët në Perëndim përbajnë bërthamën e lëvizjes kombëtare shqiptare me kërkesë për autonomi si hap i parë, dhe për pavarësi, si objektiv final.

Bërthama e lëvizjes kombëtare përbahej nga shqiptarë myslimanë që kuptuen domosdoshmëninë e shkëputjes nga Turqia dhe urgjencën për pavarësi kombëtare, nga intelektualë dhe klerikë ortodoksë shqiptarë që hodhën poshtë përpjekjet greke për asimilim dhe aneksim të tokave shqiptare dhe nga intelektualë dhe klerikë katolikë shqiptarë që nuk pranuen protektoratin e Italisë ose Austro-Hungarisë. Nji grupim i këtillë elementesh të ndryshëm por të njisuem në ndjekje të nji ideali të përbashkët – pavarësinë e Shqipërisë – u tregue të jetë kondita esenciale për suksesin e veprimtarisë së tyne dhe burim frymëzimi për breznitë tona.

Megjithatë, ky grupim, sado i randësishëm roli i tyne, nuk ia doli të sigurojë përkrahjen e gjanë të popullsisë vendase. Më shumë se 400 vjet okupacion otoman dhe shkëputje nga Perëndimi kanë lanë gjurmë të thella në mendimin e përditshëm të popullsisë shqiptare. Nji nga gjurmët ma të theksueme ka qenë mentaliteti popullor se Shqipëria duhet të jetë e mbrojtun nga nji Fuqi e Madhe me interesa në Shqipëri. Ky koncept i gabuem, dhe për mendimin tim, i turpshëm, vazhdon edhe sot me kërkesat  për “nji protektorat”. Viti 1997 e ilustron atë!

Shpesh herë na pëlqen të përsërisim se në 1912 u ba Shqipëria por jo shqiptarët. Natyrisht, asnji komb nuk ashtë “formue” mbrenda ditës, dhe “formimi” i nji kombi nuk ashtë nji akt i njiherëshëm, si p.sh. “shpallja e pavarësisë”. Ai ashtë nji proces që fillon me ngjalljen e ndërgjegjes gjithëkombëtare dhe zhvillohet me hapa të matun, si rezultat i zhvillimit politik e kulturor. Në disa vende, si Serbia dhe Greqia, etapat e zhvillimit politik shënohen me fitore ushtarake e zgjanime tokësore në kurriz të fqinjve (1878, 1912, 1918, 1945, etj.).

Shqipëria ka kalue nëpër nji periudhë historike të kundërt me atë të fqinjëve, d.m.th. nji seri invadimesh, humbjesh dhe tkurrje territoriale deri në atë pikë sa të bahet nji territor pa perspektivë ekonomike dhe peng i vorfënimit të pambarim, siç ashtë sot RSH.

Etapat kulturale për zhvillimin e kombit shqiptar kanë qenë të theksueme sidomos me zhvillimin e gjuhës e letërsisë, dhe në dekadat e fundit, me atë të kulturës dhe arteve. Që me Buzukun e deri te Bogdani, e ma vonë me prodhimin letrat të shekujve 19 dhe 20, çdo botim shqiptar ka qenë nji gur themeli për forcimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Autorët e mëdhej të letërsisë shqipe dhe linguistët e dalluem kanë po aq peshë, në mos ma shumë, në balancën e formimit të kombit shqiptar, sa edhe disa të pakët burra shteti shqiptar. Alfabeti i Stambollit, shkolla e parë shqipe në Korçë, Kongresi i Manastirit, Shkolla e Parë Normale në Elbasan, hapja e arsimit fillor dhe Komisia Letrare para vitit 1920, dhe arsimit të mesëm akademik dhe profesional para vitit 1939, krijimi i Institutit të Studimeve Shqiptare më 1940, i instituteve të nalta dhe Universitetit të Tiranës, Biblioteka Kombëtare, Akademia e Shkencave, Teatri dhe Opera, Muzeumi, Kongresi i Unifikimit të Gjuhës Shqipe, botimet e fjalorëve të gjuhës shqipe, hapja e pesë universiteteve mbas 1991-s etj., kanë po aq randësi sa edhe aktet heroike të Shkodrës në 1911-1913, të Dibrës në 1919-1920, të Vlorës në 1920, Mujo Ulqinaku i 1939-s, dëshmorët dhe luftëtarët e rezistencës katërvjeçare anti-italiane dhe anti-gjermane gjatë Luftës II Botërore, dëshmorët dhe luftëtarët e rezistencës gjysëmshekullore anti-komuniste, lëvizja e Dhjetorit 1990 e studentëve në Tiranë, Shkodër, Kavajë etj., përpjekjet e mbas vitit 1991, të elementit demokratik në Shqipëri me mundë komunizmin e trashëgiminë e tij shkatërrimtare, si dhe lufta e sotme për ndërtimin e Shqipërisë së re, të lirë, të pavarur, demokratike, të bashkuar, dhe europiane në vendin tonë.

Në këtë kategori fazash vendimtare për formimin e ndërgjegjes kombëtare hyjnë sot – dhe do të hyjnë edhe nesër, – të gjitha përpjekjet për ndërtimin e nji shteti shqiptar dhe të nji shoqërie shqiptare që mbështetet mbi ligjin dhe që respekton ligjin, të gjitha përpjekjet për respektimin koshient të të drejtave të njeriut, përpjekjet për metoda dhe mentalitete demokratike, të gjitha përpjekjet për ndërtimin e nji Shqipërie dhe shoqërie shqiptare që dëshiron europianizimin si nji solucion i vetëm (dhe ndoshta për herën e fundit!) i gjendjes kaotike dhe i mbrapambetjes kronike të atdheut tonë.

Në qoftë se populli jonë do të bjerë viktimë e individualizmit të egër dhe konsumerizmit që ushqen shoqënia kapitaliste në nji shtet pa ligje, dhe do të harrojë rolin social të secilit nga ne, si individ, në Shqipëri e në shoqëni, atëherë humbja e vendit tonë si pjestar i botës së lirë, dhe e shoqënisë sonë shqiptare si anëtare e botës së qytetënueme perëndimore, ashtë vulosë përfundimisht.

Natyrisht, për nji ndërmarrje të këtillë duhet nji udhëheqje politike shqiptare koshiente e misionit të saj politik e shoqëror. Dhe kjo ashtë pika ma e dobët e historisë moderne shqiptare. Sa i rëndësishëm është roli i udhëheqësit në disa momente të caktueme historike duket qartë sot në Serbi, me shkatërrimin e shtetit serb nga Millosheviçi e klika e tij.

Koncepti i “së drejtës së trashëgueme”, i “udhëheqësit të ndritun”, “diktatori benevolent”, “teoria e njishit”, “Udhëheqësit të pazëvendësueshëm”, “leader-it karizmatik” etj. dhe  lania mbas dore e edukimit demokratik në shkolla – si përgatitja e qytetarëve të ndërgjegjshëm për të nesërmen – shkon kundër nji shoqënie shqiptare ku qeveria rrespekton vullnetin e lirë të zgjedhësve dhe mundëson edukimin politik të qytetarëve “të lirë nga frika” dhe “të lirë nga uria”. Të gjitha manipulimet negative dhe të damshme nuk do të lejojnë emancipimin e shoqënisë shqiptare, dhe ndërtimin e shtetit shqiptar ligjor e demokratik.

KKK (korrupsioni, krimi dhe kontrabanda) nuk janë dukuni të rastësishme, ata janë prodhim i nji shoqënie dekadente ku nuk sundon ligji dhe i nji shteti që nuk ka bazë morale të imponojë zbatimin e ligjit sepse vetë shteti ashtë formue në kondita jo-ligjore dhe nga elementë që nuk respektojnë ligjin. Kjo ashtë gjendja e Shqipërisë sot: qeveritarë që ngopen në kurrizin e shtetit dhe spekulatorë e kriminelë që ngopen në kurriz të popullit, pa frikën e përgjegjësisë penale.

Natyrisht, nji gjendje e këtillë dekurajon të gjithë ata dhe ato që janë të vullnetit dhe janë të gatshëm me i vue shpatullat e tyne punës për ndërtimin e shtetit dhe të shoqënisë shqiptare demokratike. Ky ashtë edhe qëllimi i sundimtarëve të korruptuem. “Për të keqen me triumfue, – shkruen E. Burke, – mjafton që njerëzit e ndershëm të rrijnë indiferentë!” Kjo ashtë gjendja e sotme në Shqipëri! Nji indiferencë masive! Mëkat!

E kuptoj se pyetja juej tani ashtë: Si mendon Samiu se mund të dilet nga ky qorrsokak ku ka ra Shqipëria dhe shqiptarët sot? Amerikanët kanë nji shprehje: “A million dollar question!”, d.m.th. të jap 1 milion për nji përgjigje. Sidoqoftë, me gjithë kritikat që do të bahen dhe me keqkuptimet që mund të krijohen, në vend që të hesht do të rreshtoj disa nga opinionet e mia. (Mos harroni se unë kam lanë vendin 40 vjet ma parë dhe e njoh atë me anë të shtypit dhe kontakteve të kufizueme).

1. Momenti historik sot kërkon që të mobilizojmë të gjitha energjitë e kombit shqiptar në luftën për pavarësinë e Kosovës. Nji Kosovë e lirë dhe e pavarur do të ishte nji faktor i randësishëm për paqen në Ballkan, garancia ma e mirë për sigurimin e të ardhmen e dy milion kosovarëve, dhe nji mburoje për mbrojtjen e kufijve të RSH, si dhe nji dinamo për zhvillimin ekonomik, kulturor, arsimor dhe shoqënor të gjithë kombit shqiptar në Ballkan (Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë dhe Greqi).

Uroj që rivalitetet e udhëheqjes politike kosovare nuk do të sjellin dështimin e orientimit të ri e të favorshëm politik ndërkombëtar – sidomos NATO dhe SHBA – dhe të mos sjellin Kosovën e re e të lirë në buzën e greminës së kaosit dhe instabilitetit politik që po jetojmë sot në RSH.

2. Pozicioni gjeografik i përhershëm kërkon që RSH të orientohet pa rezerva drejt integrimit europian. Por ky integrim mbetet “nji dëshirë abstrakte” në qoftë se nuk plotësohen konditat paraprake për pranim. Sikurse e dini RSH ashtë në fund të listës për anëtarësim në NATO dhe shumë, shumë larg nga pranimi në BE. Europa nuk ashtë vetëm nji nocion gjeografik, as vetëm nji mirëqenie ekonomike. Europa ashtë gjithashtu nji trashëgim i gjatë historik, nji qytetnim, nji kulturë e vjetër e njikohësisht moderne, sidomos në fushën e të drejtave themelore të njeriut, respektit për ligjin, pluralizmin politik dhe autoritetin shtetnor, në mes tjerash.

Kondita e parë për RSH, sine qua non, ashtë siguria e mbrendshme, rendi dhe qetësia, të cilat vendosen vetëm nga nji qeveri që zgjidhet nga populli lirisht, pranohet nga shumica pa presion dhe që ashtë e angazhueme seriozisht në mbrojtjen e shtetit ligjor. Siguria e mbrendshme siguron edhe fqinjtë nga eksporti i krimit.

      Pa nji shtet ligjor nuk ka rend e qetësi, nuk ka sigurim jete, nuk ka konfidencë për investime – nga mbrendë dhe nga jashtë. Pa nji shtet ligjor, Shteti nuk mund të vjelë taksat e ndryshme që janë “gjaku” i trupti shtetnor dhe pa të cilat nji Shtet nuk mund të funksionojë. Pa vjeljen e taksave, Shteti nuk mund të mbajë ose të përmirësojë infrastrukturën: rrugët, urat, ujnat, shkollat, shëndetësinë, policinë, gjykatat, administratën etj. Pa vjeljen e taksave do të kemi nji gjendje vorfënie ashtu si e kemi sot.

Të gjitha këto mund të arrihen – e përsëris – vetëm nga nji qeveri që pranohet nga shumica e popullsisë me vota të lira, nji qeveri që ashtë e angazhueme seriozisht në ndërtimin e shtetit ligjor.

3. Nji qeveri, ose administratë e këtillë, ashtë prodhimi i nji shoqënie të edukueme me frymën e demokracisë, pikë së pari tolerance për pluralizmin politik, fetar e kultural të shoqënisë. Duhet veçanërisht nji brezni e re e shkollueme me idealet e demokracisë, e informueme mirë, e përgatitun mirë profesionalisht, e gatshme me u shprehë lirisht dhe në mënyrë të qytetnueme, ose gojarisht në klube e shoqëni të ndryshme, ose me shkrim në nji shtyp të lirë, si kanali ma efektiv për shkëmbim të lirë idesh dhe për luftën kundër shtypjes, korrupsionit, krimit dhe mosaftësisë qeveritare; nji shtyp dhe mass media që shërbejnë si platforma për shprehjen e mendimeve të lira të shoqënisë shqiptare në kërkesën e saj me marrë e me dhanë informim të saktë, dhe sa ma të plotë për çdo individ si edhe për masat e gjana të popullsisë. RSH ka nevojë për qytetarë të ndërgjegjshëm për rolin e tyne në shtet, në këtë rasë në republikë. Neo-fashizmi dhe neo-komunizmi janë vdekje-prurës për qytetarët e nji republike demokratike.

4. Nji qeveri e këtillë përbahet nga elementë shqiptarë koshientë të misionit që merret përsipër. Ky element është zakonisht me arsim të naltë, me përgatitjen profesionale, me të kalueme morale të pastër dhe me vizionin e nji Shqipërie moderne, në kuadër të integrimit europian. Karrieristët, hajdutët, spekulatorët dhe “politikanët e ditës” nuk kanë vend në nji administratë të shëndoshë qeveritare. Tue marrë parasysh të kaluemen, ka arsye të kërkohet që gjeneracioni i ri me përgatitje universitare mbas vitit 1991, mbrenda dhe jashtë RSH të jetë skeleti i administratës ideale që dëshirojmë.

5. Programi i nji qeverie të këtillë duhet të sigurojë paqen e mbrendshme dhe të jashtme.

E para sigurohet me zhvillimin ekonomik të vendit i mjaftueshëm për pengimin e konflikteve sociale. “Të lirë nga uria”. Siç e shohim sot të gjithë, nji stomak i uritun nuk ashtë recetë për qeveri të qëndrueshme. Nji stomak i zbrazët nuk lejon trunin të punojë normalisht.

E dyta, sigurimi i paqes së jashtme duhet të arrihet nga raportet e mira me fqinjët – në bazë të respektimit reciprok të të drejtave të secilit shtet dhe të qytetarëve të tij. Ideali ashtë: “No neighbours to fear!” (Asnji fqinj nuk më kërcënon!.

6. Procesi i zhvillimit ekonomik, sidomos në konditat mjeruese të RSH sot, duhet të ushqehet nga vetë shqiptarët. Ndihma e huej ekonomike ashtë esenciale, por kjo ndihmë pa dinamizmin e mbrendshëm dhe frymën e inisiativës private nga vetë shqiptarët do të përfundojë në projekte jo-frytdhanëse, ose në xhepin e sundimtarëve politikë. Dhe përfundimisht do të këputet. Mania e importit, mospërkrahja e prodhimit vendas dhe eksportit, dhe orientimi kah konsumerizmi që përpin ma shumë se prodhohet, nuk janë receta zhvillimi. Ata na sjellin në vartësinë tonë ekonomike (dhe politike) tek ai që na jep bukën e përditëshme, – dhe duhet përbuzë.

7. Motori i zhvillimit ekonomik sot ashtë arsimi, kryesisht arsimi i naltë teknik. Në botën e re të kompjuterit dhe elektronikës së avancueme duhen mijëra inxhinierë e teknikë të naltë. Shqipëria me pagat e ulëta që ka sot do të bahej qendër e re, e madhe, investimesh nga korporatat e mëdha botënore. Si shembull kemi Izraelin me 200 plus qendra kërkimesh elektronike. Gjithashtu ideja e “zonave të lira” e hjedhun nga Dr. F. Hoti ashtë pozitive dhe duhet përkrahë.

9. Nji zhvillim ekonomik i vërtetë dhe i balancuem bahet vetëm në nji ambjent social ku të drejtat e njeriut dhe të qytetarit  janë plotësisht të garantueme. Kjo përmbledh sidomos çlirimin e plotë të grues shqiptare nga prangat e paragjykimeve të trashëgueme. Grueja shqiptare, 51 përqind e popullsisë, duhet të jetë partnere e plotë, në familje, në vendin e punës, në veprimtaritë shoqërore, dhe sidomos në udhëheqje.

Kjo përmbledh gjithashtu edhe popullsitë e vorfëna të maleve e fushave që po urbanizohen sot nga mungesa kronike e bukës atje ku jetojnë. Kjo masë fatkeqe duhet të “adoptohet” nga popullsia urbane dhe duhet ba pjesë e pandashme e procesit politik, ekonomik e kulturor të vendit, para se të shndrrohet në lumpenproletariat. Përndryshe do të ballafaqohemi me trazina sociale vazhdimisht dhe për nji kohë të gjatë.

Aspektet e tjera të zhvillimit ekonomik duhet të marrin parasysh konseguencat sociale të shoqënisë shqiptare, veçanërisht punësimin dhe ndarjen e të ardhunave sa ma drejtësisht që të jetë e mundun. Ngritja ekonomike pa drejtësi shoqnore ashtë receta ma e sigurtë për trazime dhe shpërthime mbrenda shoqnisë.

U zgjata shumë, por gjendja e sotme e kombit shqiptar dhe zhvillimet politike, ekonomike e shoqënore të RSH janë ba probleme shumë shqetësuese për të gjithë ata që janë shqiptarë. Veçanërisht, dinjiteti kombëtar i shqiptarëve ka ra shumë poshtë!

Unë mendoj se votimet e reja, në 2001, paraqesin nji fund dhe nji fillim, njikohësisht. Këto dy vitet e ardhme janë të nji randësie të dorës së parë, qoftë për studimin me kujdes dhe gjykimin me drejtësi të zhvillimeve në Shqipëri mbas vitit 1991, qoftë për përgatitjen për betejën demokratike që do të zhvillohet me votimet parlamentare të ardhme.

Partitë politike në RSH sot nuk e kanë gjetë akoma temën themelore të programit të tyne dhe elektoratin që e lidhe ngushtë me programin e tyne. Në Europën perëndimore, partitë politike përfaqësojnë, në përgjithësi, interesat ekonomike të elektoratit të tyne: bujq, tregtarë, industrialistë etj., dhe mbrojnë interesat ekonomike të këtyne klasave. Me nji fjalë, kanë nji elektorat koshient dhe besnik. Në SHBA, ka dy parti: Republikanët, që duen ma pak qeveri dhe ma shumë inisiativë individuale edhe në sektorë jetësorë, siç janë arsimi, kultura, shëndetësia, administrata etj. dhe Demokratët që kërkojnë nji rol ma të madh të qeverisë në jetën e shtetit dhe shoqënisë amerikane, e sidomos mbrojtje shtetnore për disa seksione të paprivilegjueme të shoqënisë. Kështu që ndamja, megjithëse jo e thellë, ashtë e qartë. Por, mbi të gjitha janë interesat e kombit amerikan.

Në RSH nuk ka ende nji klasë të mesme të fuqishme. Ka nji popullsi fshatare prej 60 përqind plus që jeton në fshat dhe mendoj unë ashtë lanë mbas dore, sidomos me dënimin e saj nga sistemi komunist si bisht i qendrave urbane. Koncentrimi i madh i partive politike dhe i qeverisë ashtë akoma në shërbim të popullsisë urbane, e cila gëzon nji peshë të madhe, disproporcionale në politikën e qeverisë dhe përcakton pjesën e madhe të veprimtarisë së saj, fenomen që spjegohet por nuk justifikohet.

Klasa punëtore ashtë gjithashtu e kufizueme në numër dhe me influencë të kufizuar. Klasa ma e preferueme: “intelektualët”, elementi me arsim të naltë dhe me pozita kyçe në qeveri e në shoqëni. Ky element, për hir të përgatitjes arsimore dhe profesionale, ashtë i destinuem të lozë nji rol qendror në jetën e vendit, por ashtë shpesh herë i shkëputun nga jeta e popullsisë së përgjithëshme të vendit, dhe jeton “në kullë të fildishtë”, dhe pothuejse në nji botë abstrakte, gja që shkakton mosbesim tek masat e mospërfilluna dhe rrezikon të marrë orientime politike të pabazueme në realitetin e vendit.

Këtu mbetet për të përcaktue “elementin” që do të marrë përsipër përgatitjen e nji programi të përshtashëm për konditat e vendit dhe nevojat e shoqënisë shqiptare. Unë nuk dëshiroj të baj komente në këtë pikë, por vetëm të këshilloj të mos përsëriten gabimet e së kaluemes së afërt me programe ose me personalitete. Kjo gjendje do të vazhdojë kështu deri sa të dalë në skenë nji shtresë e mesme dhe e fortë ekonomikisht.

Ma së fundi, RSH duhet të jetë demokratike në esencë. Demokracia duhet të jetë qëllimi e jo instrumenti me arritë nji qëllim tjetër që nuk ashtë demokracia. Gjithmonë do të kemi “propagandistë” dhe “politikan të ditës”, aventurierë që politikën e kanë ba profesionin e ditës për përfitime personale ose, si në Shqipëri, me mbulue nji të kalueme jo të mirë. Ka ardhë koha, sidomos mbas ngjarjeve tragjike të 1997-s që hodhën aq poshtë emnin e Shqipërisë e të shqiptarëve, që elementë të rinj, të përgatitun dhe të arsimuem, të dedikuem me shërbye atdheun shqiptar si vend i të parëve dhe si atdheu i tyne dhe i fëmijëve të tyne, elementë partia e të cilëve ashtë Shqipëria (M. Frashëri) e jo Shqipëria në shërbim të Partisë, të dalë në skenë si kolona vertebrale e shtetit dhe shoqënisë shqiptare.

A do të jetë vendi jonë në gjendje me nxjerrë nji grup të këtillë elementësh të dedikuem, të gatshëm me sakrifikue, që të marrin inisiativën për nji mision sa fisnik aq edhe patriotik? Koha do ta tregojë! Unë e dëshiroj me gjithë zemër, dhe do të përshëndetja nji sukses të këtillë si nji fitore të madhe historike për prestigjin e rrënuem të kombit tonë tremijë vjeçar dhe të dhjetë milion shqiptarëve kudo që janë nëpër botë. Tremijë vjetë histori e kombit tonë nuk mund të shemben nga tragjedia gjysëm shekullore komuniste, gabimet e randa të PD-së, sulmet e kallashnikovit dhe koncentrimi i pushtetit të tanishëm në duart e nji grupazhi me unitet ideologjik por që përjashton përfaqësimin e gjysmës veriore të vendit, dhe atë të popullsisë katolike në veçanti. (Spjegimi i dhanë zyrtarisht ashtë akoma ma ofendues: “Nuk gjejmë njerëz me merita në Veri, ose në mesin e katolikëve”, – më tha nji “udhëheqës” i klasës sunduese dhjetë muej ma parë).

Kombi jonë i ka rezistue 500 vjet sundimit otoman dhe ka ruejtë identitetin e tij në rrethana jashtëzakonisht të vështira, gja që tregon vitalitetin e tij. Kjo andërr e keqe që na ka ndjekë sidomos që nga viti 1939, duhet të mbarojë njiherë e mirë dhe nji agim i ri e premtues për të gjithë Shqipërinë duhet të farkëtohet me duert e shqiptarëve të ndershëm e të dedikuem. Ju, jeni farkëtarët e këtij agimi premtues!

Unë kam besim të patundun se Shqipëria ashtë e pajisun me burimet njerëzore që do të brumosin këtë të ardhme dhe ashtë ky besim që më mban aktiv dhe optimist për të ardhmen. Kërkoni dhe do të gjeni në mesin tuej këtë thesar që mbetet akoma i pa zbuluem. Përsëri ju dhe fëmijët tuej janë pjesë e këtij thesari.

Me përzemërsi, i jueji

Sami Repishti

 

Baldwin, New York, USA

Redaktorëve zuzarë apo zuzarëve politikë u intereson lufta antifetare?!

Herë pas here, disa redaksi tona po u japin padrejtësisht hapësirë të mjaftueshme ateistëve për të vazhduar luftën antifetare, aq shumë e zhvilluar në mënyrë të pamëshirshme nga shteti më ateist në botë. E kjo hapësirë i lihet në emër gjoja të demokracisë që në vend të respektohet, vetëm po lakohet pa pushim, sipas zakonit të atyre që duke e lakuar sa më shpesh e shkelin më shumë. Kështu replikuesve të ateistëve u mohohet e drejta e replikës me justifikimet më bajate që dinë t’i fomulojnë mjeshtrat e justifikimeve të tilla. Me këtë djallëzi redaktorët e gazetave tona duan ta lënë sa më të lirë shpërthimin e hovit të shfrenuar të propagandës ateiste duke i hequr çdo pengesë që mund t’ia ngadalësojë këtë hov të mallkuar. E, për ta bërë atë propagandë sa më të efektshme botojnë pikëpamjet e personave publik në mënyrë që ndikimi i shkrimeve të tyre të jetë sa më i pranueshëm, nga ata që mund t’ua japësh omegën për alfa. Duke qenë të bindur se e keqja i bën vend vetes shumë më shpejt se e mira, moslejimi i replikës është si moslejimi i marrjes së ilaçeve nga i sëmuri…, e kësi të infektuarish, komunizmi ka lënë aq me bollëk, sa drogën e propagandës ateiste ta marrin me atë dëshirë që marrin të droguarit lëndët narkotike. Tani le të marrim në shqyrtim shkrimin e shkrimtarit Kasem Trebeshina, botuar në gazetën “Ballkan” në datat 11, 12 e 13 Nëntor 2003. Shkrimtari përpiqet të na i ilustrojë pikëpamjet e tij ateiste me shembuj gjoja sa më bindës. Autori kacaviret tashmë në gënjeshtrën e dalë boje “Njeriu e krijoi Zotin”. Këtë shpatë gënjeshtre e then edhe vetëm vringëllima e saj për vërtetimin e kësaj thënie. Ai merr shkas tek adhurimi i idhujve nga njerëzit primitivë. Zvogëlimi i atij numri në një grup zotash e më në fund përcaktimi i një zoti të vetëm. Ky pretendim i Trebeshinës se gjoja hulumtimi i breznive për identifikimin e një zoti të vetëm tregon mosekzistencën e tij, është fare i pathemel. Për zhvillimin e njeriut të kohëve të lashta ishte e mjaftueshme të kuptonin se natyra ka drejtues e ata meritojnë të adhurohen. Zhvillimi kulturor i njerëzimit në rritje, si çdo gjë që rritet, arriti deri në identifikimin e një zoti të vetëm. Ashtu Zoti nëpërmjet dhuratës së quajtur zhvillim, e bëri njeriun ta njohë e ta adhurojë, jo ngaqë Zotit i nevojitet adhurimi ynë, por se njeriu, me anë të adhurimit reflekton edukatë mirënjohëse pa të cilën nuk mund ta meritojë emrin njeri. Këtë njeri Trebeshina bën një faj të madh edhe kundra vetes së tij, pa le kundrejt korifejve në të gjitha fushat e zhvillimit të qyetërimit njerëzor, duke përfshirë edhe shenjtorët e profetët. Njeriu do të mund të konsiderohej kafshë folëse vetëm sikur njeriu të mos mund të bënte asgjë tjetër përveç se të fliste, por diferencat zhvillimore ndërmjet kafshës e njeriut janë ato që shohim, pavarësisht se brenda rracës njerëzore ekzistojnë ekstreme të zhvillimit e kryesisht të sjelljed, prapë se prapë njeriu arrin ta pohojë më të pamohueshmen. Njeriu është kryevepra e Zotit. Ateistët munodhen ta bëjnë shkencën mbrojtëse të ateizmit duke mos u kujtuar se shkencën e krijoi Zoti për të qenë dëshmitarja më e pakundërshtueshme shumë prej mrekullive të tij që zbulon e përpunon shkenca, duke u bërë kështu vula e së vërtetës që predikon feja. Ateistëve u dështon përpjekja për t’ia atribuar natyrës krijimin e gjithësisë, ndërkohë që natyra s’është tjetër veçse një krijim i Krijuesit të Universit për të qenë pjesë përbërëse e gjithësisë. E si mund të besohet se natyra, ky emër përfshirës i një numri të papërcaktuar objektesh që na rrethojnë paska krijuar Universin. Logjika më e thjeshtë mund të na japë mësimin më elementar të krijimit. Pa qenë një nuk bëhet dy e pa qenë dy nuk mund të bëhen tre. Mbi bazën e kësaj të vërtete Bibla thotë se Zoti e krijoi Adamin e Evën, e, pa këtë çift të pajisur me mrekullinë e popullimit a do të ishte e mundur shtimi i njerëzimit, e pa çiftin e çdo specie a do të ndodhte popullimi i çdo specieje e mrekullitë e Universit janë të papërfshirëshme nga asnjë numër e mrekulli më vete është çdo gjë e krijuar prej Tij e çdo mrekulli në veçantinë e saj me të njëjtat vlera absolute. Ateistët kanë shpikur 2 pyetje me shpresën e mosmarrjes së përgjigjeve cilësore që do të ndihmonin arritjen e qëllimit të mohimit të ekzistencës së Zotit. E para “Kush e krijoi Zotin?”. Përgjigja është fare e thjeshtë, e kuptueshme dhe bindëse, “Zoti është Krijuesi i krijimit, pra krijuesi i lindjes, i vdekjes e i Amshimit”. Pyetja tjetër, që ateistët e mendojnë si mbrojtjen më të pathyeshme është, “Kur Universi është i pambarim, si mund të jetë edhe Zoti i pambarim?! A mund të ketë dy pambarime!?”. Dhe përgjigja e kësaj pyetje ka vlerën e së më parshmes. Në udhën e Universit kush e di sa miliardad vite drite, njeriu mundi të udhëtojë vetëm një sekond drite e pak sa përtej këtij caku të papërfillshëm nga matja e Gjithësisë, shkencat tokësore mundën të dërgojnë vetëm instrumenta informues që mund të na japin as një të miliardën e të dhënave, në mos më pak të nevojshme për njohuritë tona për botët e panumërta hapsinore, këto pamundësi njohje të misterit që është kaq “mollë e ndaluar” për njohuritë tona a na lejon ta quajmë Universin pafundësi, apo pafundësi e mundësive tona të flasim për të. E pra përcaktimi ynë s’është veç se pafundësi e hamendëshme, në mëshirën e hipotezës. Ne s’kemi si të mos e pranojmë se pafundësia fillon përtej njohurive tona tepër të kufizuara, si mund të mos pranojmë se Krijuesi i pambarimit është më i pambarim se pambarimi si mund të mos pranojmë se Gjithësia e ligjeve të panumërta kryen çdo veprim pa ndihmën e një drejtuesi… Një gjë na duhet ta pranojmë, ne kemi shumë e shumë nevojë të mësojmë si duhet adhuruar Krijuesi i Gjithësisë. Diskutimet tona për Gjithësinë misteri i tij na i bën të pamundshme t’i diskutojmë. Kur ne na duket ndonjë gjë e diskutueshme duhet t’i ankohemi paaftësisë sonë për moskuptimin e kësaj të vërtete…, nuk duhet të tentojmë të hyjmë andej nga nuk dimë të dalim. Janë të panumërta citatet e zhenive të njerëzimit për mrekullitë e Zotit, por unë po citoj dy, Albert Ajnshtajn: “Besoj në Zotin, fuqia absolute e arsyeshme”. Ndërsa Shën Agostini thotë: “Më parë futet deti në një gropëz rëre se sa mund të hysh sadopak në thellësinë e përsosmërisë së Zotit”.

Në një tjetër shkrim, z. Trebeshina “Njeriu e morali i tij”, mundohet të na bindë se ekzistenca e Krishtit është aq e dyshimtë sa anon nga mohimi. Ai harron se dëshmitarët bashkëkohës me Jezusin janë pothuaj të drejtpërdrejtë me jetën e tij, si apostujt e kundërshtarët që e çuan në kryqëzim. Lind pyetja “Si është e mundur të vihet në dyshim ekzistenca e një njeriu që bëri epokën më të pavdekshme?”. Ai thotë se Krishti ishte legjenda pas së cilës u kapën injorantët e të gjithë kohërave. Këta “injorantë ndodhen në botën e qytetëruar. Në atë shkrim shohim dy Trebeshina, njërin që thotë se Epoka e Krishtit ishte një fillim drejtë qëllimeve të mira, e një Trebeshinë tjetër që thotë se fetë e 200 vjeçarit të fundit e luftuan njëra-tjetrën deri në zhdukje. Historia na thotë se përsa u përket feve, këto janë shpivfje të pahijshme. Numri i vogël i klerikëve, qoftë ky numër edhe në hierarkinë nuk janë pasqyra e fesë, përkundrazi shkelës të parimeve të saj. Trebeshina shkruan se feja i vuri përparimit “Prangat e regresit”, ndërsa historia na bën të shohim se feja i vuri përparimit rrotat e progresit. Ke ta marrim shembullin në Shqipërinë tonë. Sikur Shqipërisë t’i heqin veprimtarinë kulturore të klerit, artistët e gjirit të tij dhe qëndresën burrërore para gjyqeve komuniste deri në ç’pikë do të varfërohej krenaria e Shqipërisë për bijtë e saj?! Vlerësimi i kontributit nuk i lihet në dorë urrejtjes se ajo di vetëm gjuhën e skëterrës. Përgjigja e pytejes së z. Trebeshina, “Çfarë sollën e çfarë realizuan fetë e reja”, është “Edukatën për të ditur si ta adhurojmë Krijuesin e Gjithësisë, rritjen e dëshirës për paqe”, e qindra e mijëra shembuj të vetëmohimit për hir të altruizmit edhe në vendet më të vështira të botës sonë, ndër ta edhe Shenjtëreshën shqiptare Nënë Tereza. Feja solli lindjen e së vetmes Epokë të pavdekshme, atë me të cilën historianët më të mëdhenj të qytetërimit përcaktojnë kohët historike kështu. Aq vjet para Krishtit, ose kaq vjet pas Krishtit…, prandaj ekzistencën e Krishtit e pohojmë sa herë përmendim datën e vitin. Autori i shkrimit, frymëzues i këtij shkrimi thotë: “Dogmat u përqafuan nga shumica dërrmuese injorante”. Në qoftë se këto dogma kaq të vlefshme për ndërgjegjen u përqafuan nga injorantët a nuk na del padituria më e vlefshme se ajo që z. Trebeshina e konsideron kulturë. “Dogmat fetare”, thotë Trebeshina “nuk lënë hapësirë për krijimin e ndonjë morali njerëzor”. Meqenëse vetëm ateizmi e kundërshton moralin e fesë, z. K. Trebeshina na këshillon ta marrim moralin e filozofisë ateiste ngase sipas tij ai moral është njerëzor. Zoti Trebeshina ankohet “Pse feja nuk i bekoi revolucionet”. Ai harron se feja me Urdhërimin e Zotit “Mos vra” i drejtohet çdo njeriu e si t’i bekonte revolucionet aq të përgjakshme duke përfshirë edhe revolucionin bolshevik, pasojat e të cilit bota pat fatin e keq t’i shihte. Trebeshina thotë se “moralin njerëzor s’e bëjnë as të gjitha perandoritë së bashku, as të gjitha fetë së bashku, por vetë njerëzimi, pavarësisht nga kontributi i tij në kulturë”. Kjo mbyllje e atij shkrimi është e pakuptimtë, si i gjithë ai shkrim.

Gjokë Vata

“Rebelimi” i kodit gjenetik

      Candida albicans nuk është vetëm një mikrob që shkakton mbi 85% të infeksioneve vaginale dhe të fytit. Në të njëjtën kohë është edhe një gjallesë që ka arritur diçka të konsideruar të pamundur; ka ndryshuar kodin e saj gjenetik. Normalisht një qelizë që pëson një ndryshim të tillë nuk pritet të jetojë më, lëre pastaj të mund të “riparojë” vetveten. Por, ajo ç’ka ndodhur me mikrobin Candida albicans është fakt dhe ndoshta është koha të rishkruhen tekstet e biologjisë në lidhje me këtë temë.

Manuel Santos, nga Universiteti  i Aveiero-s në Portugali, pohon se ka zbuluar oranizma të tjerë që kanë ndryshuar kodin, të cilët jetojnë rreth nesh për bukuri. Kjo është në kundërshtim me dogmën e cila thotë se kodi gjenetik është gjuha e përbashkët e të gjithë gjallesave.

Misteri i mikrobit C. albicans sugjeron se kodi gjenetik nuk është i pandryshueshëm, por që kanë ndodhur ndryshime dhe prapë mund të ndodhin. Këto “herezi” kanë implikime afatgjata n.q.s. vërtetohen plotësisht. Gobind Khorana, biologu që u laurua me çmimin Nobel për punën e tij në deshifrimin e kodit gjenetik në 1968-ën, pohon se s’ka arsye që t’i vihet kapak evolucionit. Në qoftë se diskutojmë rreth kësaj pas një milion vjetëve ka mundësi që të flasim për një kod tjetër nga ai i sotmi, shton ai.

Struktura e ADN-së u zbulua para 50 vjetëve dhe konsiston në një zinxhir që përbëhet nga katër baza ose “germa”, adeninë (A), citozinë (C), guaninë (G) dhe timinë (T). Pyetja pas kësaj ishte se çfarë kuptimi kanë këto “germa” apo kombinimet e tyre. Kjo punë zgjati rreth 20 vjet deri sa u gjet përgjigja. “Germat” kombinohen në triplete, ose kodone, dhe këto kombinime “përkthehen” në proteina.

Kodi është i thjeshtë. Fjalori përbëhet nga 64 kodone të mundshme, 61 prej të cilëve kodojnë për 20 aminoacide, prej kombinimit të të cilave formohen të gjithë proteinat (disa aminoacide kanë më shumë se një kodon), kurse tre “stop” kodone sinjalizojnë për ndalimin e prodhimit të proteinave.

Tejçimi i informacionit nga një gjen ADN-je fillon me prodhimin e kopjes, mARN-së (messenger ARN), me anë të enzimave. Sekuenca lineare e mARN-së lexohet nga tARN-të (transfer ARN). Secili tARN transporton një aminoacid të veçantë dhe lidhet pas një kodoni specifik, duke mundësuar kështu formimin e një zinxhiri aminoacidesh (d.m.th. proteinën) sipas udhëzimeve në gjenin e përmendur më lart.

Nga kjo nuk është e vështirë të kuptohet se ndryshimet në kod janë pothuajse të patolerueshme. Një mutacion, ndryshim në një nga “germat” (bazat) çon në ndryshimin e kodonit përkatës. Ky kodon do mundësojë inkorporimin e një aminoacidi të gabuar në zinxhir, duke shkaktuar çaktivizimin e proteinës. Kjo më vonë rezulton në dëmtimin ose vdekjen e qelizës.

Për këtë arsye dhe të ngjashme, kur u zbulua se organizmat që nga bakteret, bima e duhanit apo njerëzit ndajnë të njëjtin kod gjenetik, nga fundi i viteve ’60 të shekullit të kaluar u arrit në përfundimin se të gjitha gjallesat përdorin të vetmin KOD, dhe ndryshimi apo devijimi qe i pamundur (sepse qe letal, vdekjeprurës).

Pati përjashtime, por këto u panë si nga ato përjashtime që provojnë rregullin, p.sh. mitokondritë, fabrikat e energjisë në qelizë, kanë shpesh kode të ndryshme gjenetike. Por ky gjenom në mitokondri kodon vetëm për një numër të vogël gjenesh, çfarë do të thotë se ndryshimet janë të tolerueshme, diçka e pamundur në një gjenom kompleks me mijëra gjene.

Universaliteti i kodit gjenetik sugjeron se ai ka shumë kohë që ka mbetur i pandryshuar. Last Universal Common Ancestor (LUCA) do të thotë “i fundmi paraardhës i përbashkët universal”, dhe kjo LUCA qelizë besohet të jetë në rrënjë të pemës së jetës në tokë. Në qoftë se kodi gjenetik ka evoluar qysh prej formimit të LUCA-s, atëherë mund të pritet që të gjinden organizma me versione primitive të kodit, p.sh. një kod vetëm me 19 aminoacide. Por organizma të tillë akoma s’janë zbuluar. Kodi duhet të jetë fiksuar që në kohën e LUCA-s. Dhe n.q.s. nuk ka ndryshuar për miliarda vjet s’ka të ngjarë që mund të ndryshojë.

Por pyetjet kanë filluar të pyeten dhe e sfidojnë haptazi këtë teori. Michael Syvanen në Universitetin e Kalifornisë shtron pyetjen nëse LUCA ka pasur këto 20 aminoacide që janë edhe sot, apo disa prej tyre janë shtuar me kalimin e kohës. Kjo pyetje lindi nga një analizë gjenetike e rrugëve biokimike të sintetizimit të dy aminoacideve, arginines dhe triptofanit, e cial sugjeron që këto rrugë nuk janë formuar më përpara se dy miliardë vjetë (Trends in Genetics, vol. 18, fq. 245).

Kjo është sa gjysma e moshës së kodit (d.m.th. rreth katër miliard vjet), dhe shpesh është raportuar si gabim statistik. Por sasia e këtyre “gabimeve” statistike është rritur, dhe Syvanen thotë që kjo çështje duhet të merret më seriozisht. Këto rezultate mbështesin atë që kodi pësoi një ndryshim të madh kur kishte rreth dy miliardë vjet që qelizat banonin në planetin tonë. Pyetja është se si këto aminoacide të vonuara hynë në kodin e çdo organizmi?

Syvanen mendon se këto aminoacide u kanë dhënë organizmave që i adaptuan avantazhe të rëndësishme. Arginina ka një aftësi të veçantë biokimike; aminoacidi mund të kapet fort pas ARN-së pa e thyer atë. Triptofani mund të ketë ndonjë karakteristikë të veçantë dhe unike por që akoma nuk është krejt e qartë. Të dy aminoacidet duhet të kenë qenë novacione shumë të rëndësishme sa u përhapën shpejt mes specieve të tjera. Ato specie që humbën shansin e këtij rinovimi të kodit duhet të kenë qenë në disavantazh të dukshëm aq sa u zhdukën nga faqja e tokës.

Ta zëmë se biologu Syvanen ka të drejtë, d.m.th. kodi ka ndryshuar në “rininë” e tij. A është prapë ky kod i aftë për rinovime të tilla sot?

Deri vonë përgjigja ka qenë “Jo”, sepse nuk pritet që lindja e një aminoacidi tëri do të sjellë ndonjë avantazh. Repertori prej 20 aminoacideve duket më se i mjaftueshëm për të prodhuar çfarëdo lloj proteine.

Por kjo teori u lëkund me zbulimin e aminoacidit të 21-të natyror, selenocisteinës. Ky aminoacid duket se është i koduar në gjenomin e shumë orgnizmave, përfshirë edhe njerëzit. Në kodin universal kodoni i selenocysteinës UGA, është një “stop” kodon. August Bock nga Univeristeti i Mynihut, tregon se qelizat kanë metoda të komplikuara që këtë aminoacid ta rreshtojnë në mARN dhe ta vendosin në “xhepet “ e kodoneve të veçanta (jo “stop”) UGA. Enzimat që kanë selenocisteinë janë 400 herë më aktive se ato që kanë aminoacidin e ngjashëm, cisteinën.

Megjithë këtë fakt selenocisteina ka status dytësor në panteonin e aminoacideve. Bock pohon se nuk e kupton mëdyshjen e biologëve që të zgjerojnë listën e aminoacideve në 21. Ai thotë që për dy vjet ai vetë nuk i kishte besuar rezultateve. Prania e një aminoacidi të ri thjesht nuk duhet të ishte e mundur.

Por një skenar i ngjashëm ndodhi edhe vjet. Jozef Krzycki, në Universitetin e Ohio-s, me kolegët e tij zbuluan një aminoacid që e quajtën pyrrolyzine, në një proteinë që i përkiste Methanosarcina barkeri-t, një bakteri që jeton në ujë të ndenjur (Science, vol. 296, fq. 1462). Si selenocisteina, ky aminoacid përdor një “stop” kodon, këtë radhë UAG-në. Prishja e rrugës së sintetizimit të aminoacidit çoi në çrregullimin e aftësinë e tretjes së metylaminës në organizimn e mikrobit. Si duket pyrrolyzina i jep aftësi të veçanta kimike proteinave.

A janë selenocisteina dhe pyrrolyzina shtesa të mëvonshme të kodit? Me shumë mundësi që jo; selenocisteina gjendet në mikrobe, por jo në bimë. Bock thotë se mund të jetë një shtesë e hershme në kod. Kodi mund të ketë pasur 21 aminoacide dhe me kalimin e kohës selenocisteina është tërhequr në periferi. Gjithashtu pyrrolyzina gjendet vetëm në disa specie që thithin metylalaminë.

Edhe pse e rrallë, prezenca e këtyre aminoacideve e sfidon teorinë e një kodi të vetëm. Prania e tyre në organizma tregon se natyra formon “dialekte” n.q.s. ato përshtaten më mirë në disa “krahina” të veçanta. Fakti i anashkalimit të pranisë së pyrrolyzinës sugjeron se aminoacide të tjera mund të jenë “trajtuar” në këtë mënyrë nga shkencëtarët.

Numri total i aminoacideve në kod varet nga sa është e vështirë për qelizat pë të gjetur mënyra që të inkorporojnë këto aminoacide. Deri para pak viteve kjo dukej diçka mjaft e vështirë. Puna kërkimore e shkencëtarëve si ajo e kimistit Peter Schultz të Institutit kërkimor Scripps në La Jolla, Kaliforni, provon se mund të prodhohen dhe inkorporohen artificialisht aminoacide të reja në qeliza (New Scientist, 30 September, p. 32). Ai me grupin e tij arritën të inkorporojnë me sukses aminoacidin, të përftuar në mënyrë sintetike, O-metyl-L-tirozinë në “stop” kodonin UAG në bakterin Escheria coli (Science, vol 292, p. 498). Të ndryshosh kodin nuk qe ndonjë vështirësi e madhe, thotë ai, por çështja është tejtërkund: pse vetë natyra nuk prodhon aminoacide të reja vazhdimisht?

Në rastin e pyrrolyzinës kemi të bëjmë me ripërdorimin e “stop” kodoneve për aminoacide të reja, dhe vetë kjo kufizon potencialin e ndryshimit (“stop” kodonet janë vetëm tre).

Kurse me mikrobin C. albicans është diçka tjetër. Kodoni CUG, kodi universal për leucinën, është shndërruar në kod për një aminoacid tjetër prej 20 aminoacideve standarde, serinën. Kur ky ndryshim i çuditshëm u raportua në fillim të viteve ’90, shkencëtarët sugjeruan se ky shndërrim dramatik duhet të jetë mundësuar nga ndonjë karakteristikë e veçantë e vetë mikrobit. Ky ndryshim nuk ishte vetëm në Candida albicans, por edhe në specie të tjera të llojit Candida, duke lënë të kuptohet se ky shndërrim ka ndodhur në mënyrë të pavarur më shumë se një herë. Analizat tregojnë se në fillimet e transformimit kodoni CUG kodonte për të dy aminoacidet, dhe se kjo situatë është toleruar për 100 milion vjet, derisa transport ARN-ja për kodonin CUG të leucinës u zhduk. Nuk dihet se pse mund të jetë shkaktuar ky ndryshim, cila forcë është pas këtij shndërrimi.

A mundet që diçka e tillë të ndodhë prapë? Ndryshimi te Candida tregon se kodi gjenetik është elastik. Askush s’mund ta dijë se çfarë mundësie apo potenciali ka ai të bëjë në një milion vjetët që vijnë.

Biologu Carl Woese nga Universiteti i Illinois-it në Urbana-Champaign thotë se do të ishte gabim të mendohet se ditët e kodit universal janë të numëruara për faktin se po zbulohen përjashtime. Natyra është e mbushur plot me gjëra interesante pa ndonjë domethënie të veçantë, shton ai, dhe zbulimi i përjashtimeve nuk është një shenjë madhore se kodi është në ndryshim e sipër.

Patrick Keeling nga Universiteti i Kolumbisë Britanike në Vancouver, studjues i organizmave me kode alernuese, është i një mendimi me atë që u tha më lart. Kodi është një nga veçoritë më të konservuara të jetës, dhe të kuptojmë ndryshimet do të thotë që do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë elementet në qelizë që e ruajnë këtë kod me aq “fanatizëm”, shpjegon ai.

Keeling e pranon që shtrirja e kodit universal është akoma e paqartë dhe thekson faktin se njohuria jonë mbi shumicën e bakterieve është minimale dhe se ka akoma shumë për t’u zbuluar.

Prapë ka njëfarë ironie n.q.s. ka njerëz që nuk janë të gatshëm të pranojnë idenë se një kodi gjenetik që ndryshon, thotë Syvanen. Organizmat shumëqelizorë nuk ekzistonin kur shtresa argininë/triptofan u bë globale. Cikli i ngadaltë i shumimit i kafshëve dhe njerëzve do të thotë që organizmat tonë janë më të paaftët në adoptimin e një kodi të ri. Kështu që herën tjetër kur të ndodhë ndryshim kodi gjenetik në biosferë, ne nuk do mund të përfitojmë apo adoptohemi, përfundon me qesëndi Syvanen.

Fatos Kopliku

Bilog gjenetist molekular

Punonjës shkencor në Laboratorin e Sistematikës Molekulare

Muzeu i Historisë së Natyrës

Londër

 

Shqipëria ka aventurierë politikë

Partive politike shqiptare

Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë

Të gjitha mediave të shkruara dhe të folura Tiranë

Të nderuar ambasadorë, të nderuar drejtues të partive politike, të nderuar demo-kristianë të mbetur nën siglën e PDK, vendosa t’ju informoj, pasi e pashë të domosdoshme t’ju them se Shqipëria ka ende aventurierë politikë.

Të nderuar kristian-demokratë evropianë (IDC) (CDU)

Vendosa t’ju informoj për tendencat e grabitjes së PDK nga një aventurier politik. Lëvizja demokristiane në Shqipëri është lëvizja më e kahershme, parti tradicionale e 1945, e themeluar në Shkodër nga At Gjon Shllaku, ku në themel qëndron humanizmi, toleranca, vllazëria, bashkëjetesa dhe morali. Asnjëherë demokristianët në historinë e tyre nuk kanë menduar për të keqen, por për të mirën duke e predikuar atë. Asnjëherë demokristianët nuk kanë menduar ta djegin Shqipërinë, por ta bëjnë atë. Pas largimit të ish-kryetarit Zef Bushati, nga kreu i PDK, kryesia e kësaj partie dh e Këshilli Kombëtar u shkrinë dhe më 14 shtator 2001 lindi në Shkodër Lëvizja Reformaore e Partisë Demo-Kristiane të Shqipërisë, e cila u pagëzua me emrin Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë, me qendër në Shkodër. Gati e gjithë ish-kryesia e Këshillit Kombëtar të PDK kanë kaluar dhe bëjnë jetë partie në Partinë Kristian Demokrate të Shqipërisë.

Ne kristian demokratët shqiptarë jemi të vendosur sot më shumë se kurrë, të ruajmë vlerat, idealet për të cilat jemi organizuar dhe të pastrojmë partinë nga antivlerat dhe imoraliteti.

Të nderuar kristian-demokratë!

Ajo që më shtyu të bëj këtë promemorie, është se pasi lexova gazetën “Koha Jonë” të datës 24. 11. 2003 në faqen e parë, ku shkruante “Sot fillon revolucioni blu”, i cili jepte dhe itinerarin e lëvizjes së protestuesve sot më datë 26. 11. 2003 të gjithë televizionet japin konferencën e shtypit të z. Lesi si kryetar i PDK, duke njoftuar për ndojnë akt terrorist të policisë sekrete shqiptare. Menjëherë, duke shfletuar arkivin e ish-Partisë Demo-Kristiane të Shqipërisë, shoh gazetën “Koha Jonë” të muajit shkurt-mars dhe prill të vitit 1997, po e njëjta skemë. Mos vallë kjo gazetë do të bëjë atë që bëri në vitin 1997, për të cilën shqiptarët paguan një faturë të rëndë.

Dua të informoj z. Nano se në emrin e tij z. Lesi kërkon të përvetësojë siglën e PDK në gjykatat shqiptare. Dua të informoj z. Berisha se me emrin e tij, z. Lesi kërkon të sigurojë një mandat deputeti në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjithsesi, si z. Nano, si z. Berisha e njohin z. Lesi se ç’të mira i ka sjellë Shqipërisë, socialistëve dhe demokratëve shqiptarë.

Ne kristian-demokratët shqiptarë nuk jemi qeraxhinj në arenën tonë. Kjo arenë është Shqipëria, por jemi punëtorë të përditshëm për të rritur dhe kultivuar bimën e shëndoshë të demokracisë.

Të shohësh z. Lesi në edicionet e lajmeve të datës 26. 11. 2003, të çudit fakti se etiketohet si kryetar i PDK, pasi ai nuk ka patur, nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë një mandat politik, pasi ish-Partia Demokristiane e Shqipërisë ka marrë një pamje të re, atë të rrugës Kristian-Demokrate. Ata që shoqëronin z. Lesi në edicionin e lajmeve të datës 26. 11. 2003 nuk kanë qenë kurrë jo se jo anëtarë, por as simpatizantë të faktorit kristian megjithatë z. Lesi do ta marrë përgjigjen e saktë më 30 nëntor 2003 në Bruksel.

Z. Lesi, në edicionin e lajmeve të datës 26. 11. 2003 deklaron se punonjës të Shërbimit Informativ do të nxisin incidente në demonstratat e opozitës. Unë, si jurist dhe si ish-punonjës i strukturave të policisë së shtetit i kërkoj Drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar që t’i kërkojë Prokurorit të Përgjithshëm të fillojë procedimin penal ose të pranojë autorësinë e deklaratës së z. Lesi.

Duke përfunduar këtë promemorie, ne kristian demokratët shqiptarë kemi përgatitur dosjen e z. Lesi të cilën e kemi përcjellë në Internacionalen Kristian-Demokrate të Europës. Ftoj të gjithë ish-demokristianët, kristian-demokratët shqiptarë të mos tremben nga ky aventurier politik. Jemi ne, në një rrugë të gjatë, jemi të detyruar të mbrojmë vlerat e demokracisë kristiane, pasi paraardhësit tanë u flijuan për pastërtinë e këtyre vlerave, i pasuruan ato pa na lënë në dorë asnjë mëkat.

E ftoj z. Lesi në debat publik në çdo televizion që ai të dëshirojë për këtë për të provuar të kundërtën nga ato që nënshkruan promemoria, pasi aty do të marrë goditjen e fundit.

Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë

Kryetari

Av. Fran Dashi

Komuniteti musliman, katolik e ortodoks në Shkodër refuzojnë takimet joprofesionale

-Letër drejtuar institucioneve që organizojnë tryezën e rrumbullakët me temën “Si ta kuptojmë edukimin qytetar dhe fetar në Shkodër”-

 

Institutit për kërkime dhe alternativa zhvillimi;

Qendrës për edukimin qytetar demokratik – Shkodër;

Institutit të studimeve pedagogjike.

Fort të nderuar zonja dhe zotërinj organizatorë të tryezës së lartpërmendur!

Ne, kryetarët e Komuniteteve fetare në Shkodër, në radhë të parë duam t’ju përgëzojmë për këtë iniciativë mjaft domethënëse dhe interesante për jetën dhe formimin e komunitetit. Por nga ana tjetër shprehim indinjatën tonë pasi kemi zbuluar nëpërmjet ftesës që na është dërguar vetëm disa ditë më parë, se ne jemi pjesë përbërëse e kësaj tryeze. Ne mendojmë se kjo formë e të organizuarit nuk është e drejtë dhe respektuese, pasi nuk është marrë fare kontakt me asnjërin nga ne dhe nuk na janë dhënë në formë më të detajuar direktiva konkrete mbi zhvillimin e kësaj tryeze të rrumbullakët përveç ato që përmban ftesa, edhe ato mjaft të përgjithshme. Sipas vlerësimit tonë, në iniciativa të tilla, ne duhet të thirremi si bashkë-organizatorë, pasi na rezulton se jemi të vetmit institucione që vlera të tilla i kemi përçuar gjithmonë në shoqërinë tonë. Duam të sqarojmë cilindo që mendon të na nderojë duke na ftuar në konferenca, simpoziume, tryeza të rrumbullakëta etj., se ne si përfaqësues të Komuniteteve fetare do të marrim pjesë në raste të tilla kur ne jemi bashkë-organizatorë ose pas një konsultimi paraprak, me pozitën që na takon.

Për arsyet e paraqitura më lart, ne përshëndesim dëshirën e mirë të organizatorëve, por shprehim keqardhjen tonë për këtë pakujdesi, duke mos marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët. Njëherit sqarojmë se këtë incident nuk e vlerësojmë si të vullnetshëm, por pak profesional.

Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj, ne – tre Komunitetet fetare të Shkodrës – mbetemi të hapur duke ju siguruar bashkëpunimin tonë në të ardhmen.

Shkodër më 12 dhjetor 2003

Bashkësia Islamike

Haxhi Bashkim Bajraktari

Kisha Katolike

Imzot Angelo Massafra

Kisha Orthodokse

Atë Aleksandër Petani

Mark Milani, armik me pushkë dhe mik me pendë i shqiptarëve

Si rrallë komb në botë, ne shqiptarët ndër shekuj jemi ndeshur me miq dhe armiq të pafund, ku mjerisht këta të fundit jo vetëm ishin më të shumtë në numër, por edhe me potencial e si rrjedhojë e kësaj kemi këtë fat e copë Shqipëri që gëzojmë sot.  Sidoqoftë historia jonë e stërmundishme në përgjithësi është munduar të ndajë (shpesh edhe ngatërrojë) miqtë dhe armiqtë e shqiptarëve, duke i etiketuar sipas standardeve bardh e zi vetëm me një emër, miq dhe armiq. Ndërsa unë në këtë shkrim mendova të prish traditën, duke shkruar për një personazh ndryshe, i cili meriton të dy titujt, edhe armik edhe mik i shqiptarëve, e ky, siç paralajmërova në titullin e shkrimit është Vojvoda famëmadh i Malit të Zi, Mark Milani. Gjithsesi këta dy tituj (armik dhe mik) i meriton në dy kohë të ndryshme, por që kanë të përbashkët gjysmën e dytë të shekullit 19-të.

Së pari, Mark Milani u shqua si armik (me pushkë) i shqiptarëve, kur ai u printe ushtrive serbo-malazeze për të pushtuar e grabitur trojet shqiptare të lëna “Hali” nga Perandoria Otomane, së cilës Europa po i hiqte patkonjtë si një kali që po ngrodhte. Por që shqiptarët në përgjithësi dhe ata të Veriut në veçanti si rrallë popull (madje duke e ngatërruar pushtues turk) u organizuan e luftuan në mbrojtje të çdo pëllëmbe truall të Shqipërisë Etnike. Mjerisht mote të tilla ne shqiptarëve nuk na munguan gjatë nëpër shekuj, por gjysma e dytë e shekullit 19-të ishte padyshim më e tmerrshmja dhe me koston më të lartë, në vlera territoriale e njerëzore. Pikërisht pjesa më e madhe e kësaj fature u përket ushtrive serbo-malazeze të komanduara nga Vojvoda i Malit të Zi, Mark Milani. Madje edhe fama e Mark Milanit erdhi nga dy drejtime ndër luftëra e beteja, së pari në luftërat zaptuese kundër shqiptarëve dhe së dyti në luftërat çlirimtare kundër turkoshakëve. Kujtojmë se Mark Milani deri në vitin 1860, (pra deri 27 vjeç) ishte pjesëtar i oborrit të Princ Danielit (malazez), dhe pas kësaj ai do të shërbejë me devotshmëri në oborrin e Krajl Nikollës, duke fituar tituj, si Vojvodë, Luftëtar i Rreptë, Komisar për çështjen kufitare etj. Nga viti 1860 deri në vitin 1882, kur vjen edhe fundi i shërbimeve të Mark Milanit ndaj Krajlnisë së Malit të Zi, shqiptarët (kryesisht malësorët) u ndeshën me ushtrinë malazeze në dhjetra beteja, ku vlen të theksohen, Beteja e Vraninës (1861); Lufta e Kernicës (1862); Lufta e tretë e Shpuzës (1876-1877), Lufta e Podgoricës (Tetor 1877); Lufta e Tivarit (Nëntor 1877), Luftërat në mbrojtje të Plavës e Gucisë, Hotit e Grudës (1878-1880), Lufta në mbrojtje të Ulqinit (1880), etj. Vlen të theksohet se luftërat e shqiptarëve në mbrojtje të trojeve të tyre u vështirësuan nga vendimet famëkeqe të Kongresit të Berlinit (1878), e cila falte territore tonat dhe paralizonte çdo lloj ndihme nga pushtuesit shekullorë otomanë. Gjithsesi Lidhja e Prizrenit (1878) jo vetëm kishte organizuar shqiptarët në përgjithësi e ata të Veriut në veçanti për t’i dalë zot Atdheut, por malësorët i kishte bërë më trima e të vendosur, nga ku ushtria malazeze me në krye Mark Milanin filloi të njohë më shumë humbje se fitore. Ka gjasa se fama e Mark Milanit mori fund pikërisht nga betejat e humbura me shqiptarët nga viti 1878 deri në vitin 1882, e pikërisht pra aty ku i lindi para vitit 1878. Gjithsesi karriera e këtij Vojvodë, që i dha mjaft famë, lavdi e troje të “reja” Malit të Zi, u mbyll në moshën 49-vjeçare të tij. E nëse atëherë për Mark Milanin u mbyll karriera e luftës, ose më saktë e pushkës që e identifikoi si një armik të shqiptarëve, filloi “karriera” e re me pendë (si shkrimtar), si mik i drejtë i shqiptarëve. Mark Milani, nga viti 1882 deri në vitin 1901 (që vdiq) u mbyll në Medun (dikur qytet e manastir), ku thuhej se më shumë ishte si i internuar se i lirë, jetesa e tij përballohej nga një pension që i kishte lidhur qeveria e atëhershme e Malit të Zi. Gjatë gati 20 vjetëve, Mark Milani jo vetëm mësoi (shkrim e këndim), por mendoi e reflektoi për gjithë aktivitetin e tij luftarak e njerëzor, ku shkroi disa libra me mjaft vlerë. Mjerisht ne në shqip kemi vetëm një me titull “Jeta dhe zakonet e shqiptarëve”, por edhe ky libër ka vlera të papërsëritshme që u bën jehonë disa nga virtyteve më të çmuara të shqiptarëve, si zakoneve dhe dokeve, urtisë e trimërisë të malësorëve, besës e burrërisë, bujarisë e qëndresës së pashoqe ndër mote të vështira (me shumicë) e të mira (me pakicë). Mark Milani që kishte lindur në bjeshkët e Kuqit (në vitin 1833) e pranon me kënaqësi që rridhte nga gjak i largët shqiptarësh, që mjerisht ndër shekuj ishin skllavizuar.

Natyrisht etiketimi si armik (me pushkë) i shqiptarëve nuk ka asnjë hije dyshimi dhe nuk besoj se ka nevojë për më shumë argumente, ndërsa etiketimi si mik (me pendë) i shqiptarëve është jo vetëm i kontestueshëm, por për disa edhe befasues. Por me qëllimin e mirë për t’i dhënë hakun (Çezarit atë që është e Çezarit) më poshtë do të rendis pjesë nga vepra e shkruar e Mark Milanit (Jeta dhe zakonet shqiptare), cilat i japin padyshim titullin e dytë që paralajmërova në fillim të shkrimit tim, si mik me pendë i shqiptarëve.

Për ta konkretizuar këtë, unë po filloj të risjell të shkruara disa fragmente të shkrimeve të librit në fjalë, ku autori (M. Milani) e fillon veprën e tij me hyrjen: “Po them diçka me shpresë se do të vlejë, përndryshe asnjë rëndësi nuk ka humbja e kohës, mbasi asnjë punë tjetër nuk kam. Shqiptari, me gjithë pushtimet e huaja, qëndroi në të vetën, i pandryshuar dhe i patjetërsuar, me gjuhën e tij të lashtë dhe pushkën me të cilën u lind. Kjo na bën të mendojmë se tek ky popull ka diçka që është më e fortë dhe më e qëndrueshme se tek popujt e tjerë, ndryshe nuk mund të shpjegohet fakti: si ky popull nuk e lejoi veten të ndryshojë, pas gjithë atyre shekujve, pas gjithë atyre pushtimeve që e shkelën e shkuan mbi të, pas gjithë atyre përmbysjeve që ndodhën…”. Në vijim të citimit të librit, po i referohem kapitullit Vëllamëria e Miqësia (ku bëhet fjalë për fenomenin e gjakmarrjes që nxitej nga turkoshakët), ku në faqen 32 lexojmë: “… Gjykatat në të vërtetë nuk mund të gjykonin sipas Sheriatit, sepse ai popull as pranonte t’i dëgjonte gjyqet e Sulltanit. Pashallarët e Turqisë nuk punonin për të fashitur zullumet (të këqiat), por bënin çmos që e keqja të përhapej sa më shumë në atë kohë. Dy ishin arsyet që i shtynin pashallarët të vepronin në këtë mënyrë: së pari, që shqiptarët të lodheshin njëri me tjetrin me grindje në mes tyre, e kështu të dobësoheshin, dhe pasi t’u shkonte deri në fyt e keqja e vetgjyqësisë, t’i dorëzoheshin gjyqit me qafë të përkulur dhe me armë të hedhura përtokë. Një pjesë e pashallarëve turq, me këto veprime kërkonin ta bindin Sulltanin se ndryshe Shqipëria nuk mund të zaptohet, nëse nuk nxiteshin shqiptarët ta lodhnin vetveten deri në rraskapitje…”.

Për Mikpritjen, ndër të tjera në faqen 38, M. Milani shkruan “… Është festë e madhe për shqiptarin kur ka mundësi dhe shpenzohet për mikun. Është dhimbje dhe dëshpërim i thellë për të kur s’ka me çfarë ta presë mikun…”

Ndërsa në faqen 46 gjejmë një përshkrim të mrekullueshëm për nderin dhe familjen shqiptare, ku një pjesë po e “riprodhojmë”: “… Kjo e ka begatuar karakterin e tyre dhe ka kultivuar tek ata nderin, për të cilin janë gati të sakrifikojnë jo vetëm veten, por edhe familjen e tyre. Ndërkohë që popuj të tjerë me shkollim më të lartë dhe me begati më të madhe ekonomike nuk e bëjnë një gjë të tillë. Në rast se ka gjëra që ata nuk i dinë, kjo vjen nga mungesa e kulturës, për të cilën kanë ndihmuar edhe shtetet rrotull tij, të cilat me një egoizëm djallëzor kanë mbjellë një farë të keqe, që me kohë do të kishte mbirë e do të ishte korrur, me llogjikën e më të fortit, apo me grabitqarin, e cila shumë popuj i ka detyruar të nënshtrohen e të veprojnë thjeshtë sipas interesave të tyre. Kështu do të kishte ndodhur edhe me shqiptarët, sikur ata të mos ishin një popull që nuk futen lehtë nëpër kallpe.

Unë nuk po vozis me lundrën time, mbi pasqyrën e një deti të qetë, por po bares me opinga nëpër shtigjet e ngushta të maleve e luginave shqiptare, pas zakoneve të tyre të thjeshta por trimërore, me të cilat do të mrekullohej çdo shpirt i ndershëm dhe i drejtë. E pyes veten si është e mundur që në vise kaq të egra e të pazhvilluara, të lindë në shpirtin e këtij populli një ndjenjë kaq fisnike dhe ajo të mbetet e pathyeshme edhe para pushtuesve më të tmerrshëm, të cilët asnjëherë nuk arritën ta shuajnë shkëndijën e mendimeve fisnike që kultivohen në gjokset e tyre pa ndihmën e askujt? Shpirti, arsyeja dhe nderi, aty kanë zanafillën e tyre. Vetëm ndërhyrja e diçkaje hyjnore ka bërë që ata ta lakmojnë nderin dhe të jenë xhelozë për të! Ja, përse shqiptarët e duan aq shumë nderin dhe nuk u dhimbset as jeta për të…”

Më poshtë në faqen 62, ndër të tjera për Bamirësinë, gjejmë të shkruar: “… Njerëz të panjohur ndihmojnë edhe fshehurazi, sinqerisht e me shpirtmadhësi, gjë të cilën nuk e kanë mësuar as nga librat dhe as kanë marrë ndonjë instruktim të veçantë për këtë gjë. Gjithçka atyre u ka lindur natyrshëm nga shpirti, nga mësimet e marra prej prindërve të tyre, dhe nga një mirësi e rrënjosur thellë në gjak. Bamirësia e askujt nuk është aq e shenjtë e madhështore sa ajo e shqiptarëve, sepse çdo gjë ata e bëjnë me gjithë shpirt dhe me shumë kënaqësi, duke dëshiruar që një gjë e tillë të mbetet e pashlyeshme. Kështu hap pas hapi e brez pa brezi, të rinjtë shohin ç’kanë bërë më të vjetrit dhe ç’amanete u kanë lënë të transmetojnë në të ardhmen…” Një vlerë të veçantë kanë rreshtat e shkruar nga Mark Milani për marrëdhëniet ndërfetare të shqiptarëve (gjatë pushtimit turk) në faqen 76 të librit të sipërcituar, ku ndër të tjera shkruan: “… Turqit janë përpjekur që fiset shqiptare që muslimanizonin, mos t’i lejonin kremtimin e këtyre festave, e në mënyrë të veçantë të mos kremtonin Shënkollin apo shenjtorë të tjerë, duke thënë: Tani duhet të besoni Muhametin dhe jo Shënkollin e shenjtorët e tjerë. Në këtë drejtim, turqit nuk arritën të ndryshojnë shumë gjëra, sepse edhe sot e kësaj dite shqiptarët, si ata që bëjnë kryq, apo të tjerët që marrin avdes, shkojnë së bashku në festat fetare e në dasma, martohen me njëri-tjetrin ashtu si më parë… . Është diçka e çuditshme kur sheh sa mirë shkojnë me njëri-tjetrin. Në një shtëpi, në të njëjtën familje dhe në të njëjtin fshat, dy fe dhe asnjëherë nuk e harrojnë njëri-tjetrin, po ashtu kanë shumë kujdes që të respektojnë besimin e shoqi-shoqit. Për shembull, Marashi që bën kryq do të thotë: Ti axha Hasan dhe ti axha Ali, sot që është ditë e premte hala nuk keni marrë avdes? – Estakfurullah – përgjigjen pleqtë – nuk e kemi ditë se sot është e xhuma (premte)… Po kështu, edhe të pakryqët porosisin të krishterët të mos harrojnë të bëjnë kryq, e të shkojnë në kishë. Ja këto gjëra vërehen në familjen e tyre të përbashkët, biles ata thonë se kështu s’mbeten pa njëri-tjetrin, sepse Krishti të vetët dhe Muhameti të vetët do t’i ndëshkojë nëse me anë të lutjeve ata s’do ta pastrojnë vetveten por e lejojnë atë të bjerë në mëkate…

Kështu ata janë gati edhe të vdesin për njëri-tjetrin. Ata sa i bashkon gjaku i përbashkët, po aq i ka mësuar edhe nevoja, se feja nuk mund t’i pengojë që ata të jetojnë si vëllezër. Kjo gjë jo vetëm i ka forcuar, por edhe u ka siguruar jetën, gjithashtu i ka ndihmuar që të mos urrjenë njëri-tjetrin… Në raste nevoje ata i drejtohen njëri-tjetrit duke i thënë: Ndihmomë o vëlla! Nëse ai ka ndërruar fenë, kjo nuk do të thotë se ai është çvllazëruar. Ai nuk harron gjakun e vet, sepse ka diçka misterioze që nuk e lejon ta harrojë vëllanë dhe sa merr vesh që ai ndodhet në vështirësi, menjëherë i shkon në ndihmë dhe është gati të vdesë bashkë me të…”

Gjithsesi në shkrimet e Mark Milanit gjen jo vetëm vlerësime superlative për shqiptarët, por shpesh edhe të ilustruara me fakte dhe emra konkretë, që unë natyrisht nuk po zgjatem me to. Këtu gjenë shumë emra dhe vlerësime përkatëse për shumë luftëtarë trima e bujarë të Shqipërisë Veriore (Malësorë), me të cilët Marku undesh në ditë të vështira (lufte), por edhe në ditë të mira (paqeje), madje disa nga këta emra luftëtarësh malësorë ishin edhe tmerri i ushtrive malazeze, por që në këtë libër u jep “hakun”. E disa ndër këta trima që Vojvoda shkruan me respekt e dashamirësi janë: Ujk Gila i Kelmendit, Gjelosh Frangu, trimi i Hotit e Malësisë, Bardh Nik Gjoni i Trepçes, Prel Luli edhe ky trim me zë nga Hoti, Mul Çoku nga Plava, Lekë Gjonin nga Trepça, Mark Vuksanin dhe Prel Gjeloshin e Kelmendit e tjerë.

E të gjithë këta trima të besës e burrërisë gjatë luftërave me ushtritë turke, por mbi të gjitha me ushtritë malazeze ishin tmerri i përhershëm i shkjeve, por që Mark Milani i vlerëson e lavdëron, se kështu lavdëronte e lartësonte veten e luftën e tij rreth çerekshekullore, që e kishte bërë me luanë malesh e jo me carcaminj gardhesh… Gjithsesi me Mark Milanin e ushtrinë e tij malazeze shqiptarët e Veriut e veçanërisht Malësorët nuk kishin vetëm luftëra me njëri-tjetrin, por edhe aleanca kundër një armiku të egër e mizor që kishte shekuj që u zinte diellin, hënën, yjet dhe trojet e tyre dhe kjo ishte Perandoria Otomane. Pikërisht për një nga këto aleanca të Mark Milanit me Malësorët, unë po citoj një pjesë të shkrimit të Vojvodës famëmadh, në faqen 97 të librit, ku ndër të tjera shkruan: “… Desha të theksoj besnikërinë e vëllezërve të mi shqiptarë, të cilët në luftën e fundit më dhanë një ndihmë të jashtëzakonshme. Dhe ja si: Në fillim të luftës erdha në Kuç. Në kufi mora vesh se Kuçi ishte ngritur dhe i kishte kthyer pushkën turkut. Pashai i Turqisë e kishte rrethuar me ushtri Medunin, Fundinën, Koçen, Zatriebçin dhe Orahovën. Në Orahovë kishte futur shqiptarët, në krye të të cilëve ishte Bajraktari i Kelmendit, Ujk Gila me disa prej krerëve të tyre. Turqit i kishin vendosur shqiptarët në Orahovë, në majë të maleve të Kuçit, në mënyrë që as unë e as kuçianët të mos kishim mundësi të zhvillonim asnjëlloj lufte… Kështuqë, ne nuk mund t’i dëbonim turqit nga qyteti e fortesa, e jo më t’i ndiqnimm në Podgoricë e më tej. Mirëpo unë u mora vesh me shqiptarët e mi dhe ata më dhanë fjalën. Unë do t’u lija atyre fshatrat e Kuçit. Ndërsa në katunde, do të mbeteshin vetëm gratë e fëmijët, ata do të mbronin nga krahët. Unë do të luftoja me turqit jo vetëm në qytet dhe në fortifikatat përreth, por po të kisha mundësi do t’i dëboja ata edhe prej Podgoricës. Dhe ashtu u bë…”

Mark Milani, si mik i shqiptarëve me pendë (shkrime) u ka pasë lënë një porosi të “çmuar” vëllezërve të tij serb e komshinjve tanë, madje me një përshkrim brilant (që natyrisht serbët s’e dëgjuan kurrë), që unë për ta paraqitur po i referohem faqes 98 të librit (të M. Milanit), i cili ndër të tjera shkruan: “… Puno o serb me shqiptarët dhe do të dalësh i fituar. Trokit në portat e tyre dhe do të hapen. Puno me besnikëri të vërtetë dhe mos e mbështet fatin as në shkathtësinë tënde dhe as në thjeshtësinë e tyre, duke menduar se mund t’i mashtrosh lehtë. Edhe sikur ata të mos e dinë që ti punon më tepër për lavdinë tënde, se sa për nderin e tyre, mos u lër shkas të kenë arsye e të ngulisin mbi ty njëmijë shikime, për t’i zbuluar dredhitë dhe mashtrimet e tua. Mos e ul veten deri aty. Shqiptarët janë një popull i thjeshtë, e kur shohin tek ti të vërtetën e pastër, në flakë dhe në detë hidhen bashkë me ty…” Në shkrimet e Mark Milanit, përveç këtyre fragmenteve të shkëputur nga libri (Jeta dhe zakonet e shqiptarëve), gjen me bollëk konsiderata për ne shqiptarët, madje në këtë libër ka këshilla të vlerfshme për sot e për mot, për ne e fqinjët tanë, që sado keq të shkojmë, kështu jetën “bashkë” do ta kalojmë. Natyrisht Mark Milani ka edhe objeksione të ndryshme që koha ia imponoi, por që nuk mund t’ia ulin vlerën as si armik me pushkë e as si mik me pendë…

Në përfundim ne shqiptarët kemi çfarë të mësojmë nga ky Vojvodë edhe për trajtimin e historisë sonë të hidhur (luftërave), mbasi gjatë rreth gjysmë shekulli nën komunizëm i trajtonim kundërshtarët tanë që luftonim me ta, jo siç ishin në fakt, luftëtarë e pse jo edhe trima e dinakë, edhe pse luftonin për një çështje të padrejtë. Por si frikacakë, çiliminj e budallenj (kujtoni duke vrarë italianët e gjermanët me llastiqe fëmijësh apo guralecë nga debatikast tanë dhe deri duke ua hedhur ndër sy). Apo duke fituar në çdo betejë e ata duke humbur gjithnjë. Natyrisht ne kështu nuk ulnim armiqtë por veten pasi kështu të tjerëve u jepnim argumente të na thonin se lufta juaj paska qenë luftë kalamajsh e budallenjsh. Pra, Mark Milani duke vlerësuar armiqtë e tij,m vlerëson veten, siç edhe thuhet diku nga Fishta (që e vlerësoi Mark Milanin) se u ndeshën Luanët me Luanë e Dragojtë me Dragoj… Sidoqoftë e mbyll këtë shkrim jo të zakonshëm për shtypin tonë, në mos të çensuruar të vetëçensuruar, duke shpresuar që të mos më akuzojnë si “bashkëpunëtor të shkjeve”…

Ndue Bacaj

Ngujimi zhduket duke respektuar shtetin ligjor

-Në 12 vitet e fundit 3045 familje janë pajtuar, por gjendja është katastrofike-

-Vetëm në Veriun shqiptar janë 2000 fëmijë dhe 700 gra që u kërcënohet jeta-

Vrasja dhe ngujimi kolektiv gjatë 12 viteve tranzicioni, në sfondin e tyre paraqiten mjaft dramatike. Gjatë këtyre viteve, u kryen krime tmerrësisht të rënda: vetëm gjatë kësaj periudhe tranzicioni në veri të Shqipërisë kanë mbetur 700 nëna të veja dhe rreth 2000 fëmijë jetimë, si dhe janë vrarë me qindra e qindra persona të pafajshëm. Banorët e këtyre zonave dhe mbarë shoqëria shqiptare është bërë gjithnjë e më e ndërgjegjshme për cënueshmërinë e lirive të personit dhe pasigurinë për jetën që ato kanë. Shoqëria dhe komuniteti i këtyre trevave ka filluar ta shohë të ardhmen me një frikë që s’e kishte njohur deri tani. Përballë kësaj gjendjeje shpirtërore të tronditur, organizata jonë dëshiron të dëshmojë shpresën e saj, të bazuar në bindjen e punës sonë 12 vjeçare, që e keqja e deritanishme është e kapërcyeshme, por do vullnet, organizim, sinqeritet dhe bashkëpunim, që të gjithë së bashku të kthejmë shpresën për jetën e lirë, dhe ndërgjegjësimin e komunitetit në zhdukjen e ngujimit kolektiv dhe respektimin e shtetit ligjor. Autori që kryen krimin të ndëshkohet vetëm nga drejtësia.

Në historinë e daljes dhe të shpëtimit nga kjo e keqe e madhe që vuan komuniteti, organizata jonë projektoi ndërhyrjen më të ndershme në zbutjen e kësaj plage të rëndë, atë të ndërgjegjësimit të mbarë shoqërisë për një bashkëjetesë në paqe në zhdukjen e ngujimit kolektiv dhe respektimin e shtetit ligjor.

Është kjo organizatë që përpiqet për t’i dhënë shpresë dhe kurajo mbarë komunitetit në ndërgjegjësimin e tij që ai vetë të luftojë këtë “kancer” që po merr çdo ditë jetë njerëzish dhe të sjellë transformimet e duhura për një paqe, në një kohë kur bota në të cilën e keqja duket ende fitimtare, do të transformohet në një botë në të cilën aspiratat më fisnike të zemrës njerëzore mund të kënaqen, në një botë në të cilën do të sundojë paqja e vërtetë.

Ato që ndodhën vitet e fundit, me faktet e tmerrshme të gjakut që ne e kemi të freskët në mendje, më ka nxitur të rimarr një refleksion që shpesh buron nga thellësia e zemrës sime, në kujtim të ngjarjeve më dramatike në historinë e vëllavrasjes dhe të konflikteve që janë shënuar në jetën time, si vrasja e fëmijës 12 vjeçar, banor i Komunës Barbullush të Rrethit të Shkodrës, si dhe të dy djemve të rinj 15 dhe 17 vjeçarë, të cilët janë vrarë për të paguar gjakun e dikujt tjetër. Ata nuk ishin kriminelë, por fëmijë të mitur dhe të pafajshëm.

Vuajtjet e mëdha të këtyre familjeve dhe të shumë individëve, mes të cilëve edhe shumë familje intelektuale dhe miq të njohur të mi i kanë bërë gjithnjë thirrje shpirtit tim e më kanë nxitur për të ecur në rrugën e paqes për të parandaluar çdo të keqe më të madhe dhe për të kthyer paqe dhe harmoni në familjet shqiptare. Shumë herë jam ndalur për të reflektuar në pyetjen: Cila është rruga që të çon në rivendosjen e paqes tek këto familje që vazhdimisht janë me sy të përlotur e ku të drejtat e tyre kaq barbarisht janë dhunuar?

Bindja në të cilën kam arritur, duke arsyetuar e duke u ballafaquar me zbulesën e shkaqeve nga më të ndryshmet që po e degradojnë shoqërinë drejt ligjeve të mesjetës, është se nuk mund të vendoset plotësisht rendi i thyer, në qoftë se nuk bashkohen mes tyre drejtësia e falja në forcimin e shtetit ligjor. Shtyllat e paqes së vërtetë janë drejtësia dhe ajo formë e veçantë e dashurisë që është falja.

Por, si mund të flasim, në rrethanat aktuale, për drejtësi dhe falje, e cilat janë burimet dhe kushtet e faljes? Përgjigja ime është se mund e duhet të flitet për drejtësi dhe falje, pavarësisht nga vështirësitë që ky diskutim mbart, pasi ka prirje të mendohet për drejtësi e falje në caqe alternative. Falja i kundërvihet mërisë e hakmarrjes, jo drejtësisë. Paqja e vërtetë në realitet, është “vepër e drejtësisë”, paqja është “fryt i rregullit të fituar në shekuj në shoqëriën shqiptare e që duhet të kryhet nga njerëz të prirur për një drejtësi gjithnjë e më të përsosur”.

Paqja e vërtetë është fryt i drejtësisë, virtyt moral e garanci ligjore që ruan me respekt të plotë të drejtat dhe detyrat, shpërndarjen e barabartë të të mirave dhe të detyrimeve. Por, meqenëse drejtësia njerëzore është gjithmonë e brishtë dhe e papërkryer, e ekspozuar në kufinjtë e egoizmit personal dhe të grupit, ajo ushtrohet dhe në një farë kuptimi kompletohet me faljen që shëron plagët, që rivendos në thellësi marrëdhëniet njerëzore të turbulluara. Kjo gjë vlen shumë edhe për tensionet mes individëve, por edhe në një sferë të përgjithshme kombëtare.

Falja nuk i kundërvihet në asnjë mënyrë drejtësisë, sepse nuk konsiston në mbivendosjen e nevojave legjitime të ndreqjes së rendit të cënuar. Falja synon më tepër në atë drejtësi të plotë që priret nga qetësia e brishtë e armiqësisë, por është një shëndoshje në thellësi të plagëve që pikojnë gjak në shpirt. Për një shëndoshje të tillë, drejtësia e falja janë që të dyja thelbësore.

Janë këto, dy dimensionet e paqes së dëshiroj t’i zbuloj në këtë mesazh. Organizata jonë, me këtë kërkesë të sinqertë i drejtohet mbarë komunitetit për shtrirjen e dorës së faljes dhe zhdukjen njëherë e përgjithmonë të ngujimit kolektiv. Është koha për të reflektuar në nevojat e drejtësisë dhe në thirrjen për falje të atyre problemeve të mprehta që vazhdojnë të trishtojnë shoqërinë dhe të pengojnë zhvillimin e vendit.

Është një e drejtë që duhet, si çdo tjetër, t’u përgjigjet rregullave morale e juridike në zgjedhjen si të objektivave ashtu edhe të mjeteve. Identifikimi i fajtorëve duhet dosmoso të provohet, sepse përgjegjësia penale është gjithmonë personale. E pra, nuk mund të shtrihet tek persona të pafajshëm apo ngujimi kolektiv në mënyrë fisnore, si në kohët mesjetare, siç ndodh në disa krahina të vendit tonë.

Bashkëpunimi i të gjitha hallkave shoqërore në luftën kundër këtij fenomeni, duhet të përfshijë edhe një angazhim të veçantë në planin politik, diplomatik e ekonomik, për të zgjidhur me guxim e vendosmëri situatat eventuale të vëllavrasjes e të izolimit për familje të tëra të pafajshme, të cilat e kanë origjinën tek paaftësia e shtetit për të zbatuar ligjet në mënyrë korrekte, sipas legjislacionit në fuqi. Parandalimi i konflikteve në fakt merr prioritet dhe është frytdhënës në ato kushte e zhvillime sociale në të cilat të drejtat merren nëpër këmbë dhe padrejtësitë lejohen për një kohë të gjatë. Duhet, megjithatë, të pohohet me qartësi që padrejtësitë ekzistuese në shoqëri nuk mund të përdoren kurrë si falje për të përligjur shkeljen e të drejtave dhe lirive të të pafajshëmve.

Cilido që kryen vrasje dhe sjell akte të dhunshme ndaj komunitetit, kultivon ndjenjat e përbuzjes nga shoqëria, duke manifestuar dëshpërim ndaj jetës e së ardhmes: gjithçka në këtë perspektivë, mund të jetë e urryer dhe e shkatërruar. Ai që jeton me ndjenjën e hakmarrjes, mendon që e vërteta në të cilën beson, ose vuajtja e mundishme, është absolute dhe e përligjin reagimin shkatërrues edhe të jetës së njerëzve. Si e tillë, ndjenja e hakmarrjes është pjellë e një mentaliteti mesjetar, që lind nga bindja se mund t’u imponosh të gjithëve pikëpamjet e tua për të vërtetën. E vërteta, relative, nuk mund të imponohet kurrë. Respekti për ndërgjegjen e të tjerëve, në të cilën pasqyrohet imazhi i vetë komunitetit, pranon vetëm të propozojë të vërtetën tjetrin, e cila pastaj i takon atij ta pranojë. Të pretendosh t’u imponosh të tjerëve me dhunë atë që besohet se është e vërtetë, do të thotë të dhunosh dinjitetin e qenies njerëzore dhe, përfundimisht mohon liritë dhe të drejtat e tjetrit.

Por, çfarë do të thotë konkretisht të falësh? Pse të falim? Një diskutim për faljen nuk mund t’i shmangë këto pyetje, këto ditë kur organizata jonë po kërkon në mënyrë të ndershme dhe publike shtrirjen e dorës së faljes dhe të paqes, duke hequr ndjenjën e hakmarrjes për hir të së ardhmes.

“Ofro faljen, merr paqen”. Dëshiroj të kujtoj që falja e ka selinë në zemër të secilit, para se ajo të jetë një fakt shoqëror. Vetëm në atë masë sa pohohet një etikë dhe kulturë e faljes mund të shpresohet në një “politikë të faljes”, e shprehur në qëndrimet shoqërore, institutet juridike, në të cilat drejtësia merr një fytyrë njerëzore.

Në realitet, falja është para së gjithash një zgjidhje personale, një opsion i zemrës, që shkon kundër instinktit spontan të shpagimit të së keqes me të keqen. Një opsion i tillë i ka rrënjët në dashurinë për të ardhmen dhe ruajtjen e vlerave të jetës, si dhe në trashëgiminë e vlerave të larta kombëtare. Shembullin e tyre më të lartë në faljen e kanë dhënë 3045 familje, të cilat në mënyrën më të ndershme dhe fisnike kanë shtrirë dorën e faljes dhe të pajtimit.

Falja ka pra një mirësi e një masë shprese. Kjo megjithatë nuk përjashton faktin se falja mund të pranojë edhe vlera në dritën e konsideratave të arsyes njerëzore, para së gjithash, atë përvojë relative që qenia njerëzore jetën në vetvete kur bën një të keqe. Ai atëherë kupton brishtësinë e tij dhe dëshiron që të tjerët të jenë të butë me të. Sepse a duhet t’ua bëjmë të tjerëve atë që nuk dëshirojmë që të na e bëjë kush ne?

Çdo qenie njerëzore kultivon tek vetja shpresën për ta nisur jetën nga e para, për të mos mbetur gjithmonë i burgosur i gabimeve të veta dhe i fajeve të veta. Ëndrra hedh vështrimin drejt së ardhmes për të zbuluar edhe një perspektivë të re të besimit e të angazhimit.

Si akt njerëzor, falja është para së gjithash një iniciativë e një subjekti të veçantë në raport me të tjerët, që janë të ngjashëm me të. Personi, megjithatë, ka një dimension esencial shoqëror në virtytin e të cilit ndërthuren një rrjet marrëdhëniesh me të cilat shprehet vetvetja jo vetëm në të mirë, por fatkeqësisht, edhe në të keq. Si pasojë e kësaj, falja bëhet e nevojshme të shtrihet edhe në nivel shoqëror. Familjet, grupet fisnore, vetë komuniteti, kanë nevojë t’i hapen faljes për të ndërthurur marrëdhënie të pandërprera, për t’i shmangur situatat në të cilat jepen dënimet reciprokisht të kota për të fituar tentativa e përjashtimit të të tjerëve pa u lënë mundësinë e kërkesës për ndihmë. Kapaciteti i faljes qëndron në bazë të çdo përpjekjeje të një shoqërie të së ardhmes në të drejtë e në solidaritet.

Kur mungon falja, sidomos kur ushqehet vazhdimësia e konflikteve, ka kosto të jashtëzakonshme për zhvillimin e shoqërisë. Mungon kështu gatishmëria e investimeve dhe perspektiva e të ardhmes, për të sjellë zhvillim, paqe, drejtësi. Po sa dhimbje vuan shoqëria, sepse s’di të pajtohet, sa vonesa përson sepse s’di të kërkojë falje! Paqja është kush i zhvillimit, por një paqe e vërtetë është e mundur vetëm me falje.

Falja nuk është një mirëkuptim që arrihet menjëherë dhe as një gjë që pranohet lehtë, biles për disa është mesazh paradoksal. Falja, në fakt sjell në pamje të jashtme, një humbje të përkohëshme, por siguron një fitim të vërtetë për një kohë të gjatë. Dhuna është ekzakt e kundërta: parapëlqen një fitim afatshkurtër, por përgatit në distancë një humbje të vërtetë e të përhershme. Falja mund të duket dobësi, qoftë për atë që fal, qoftë për atë që pranon, por ajo supozon një forcë të madhe shpirtërore dhe një kurajo morale me të gjitha provat.

Larg zvogëlimit të personit, falja e drejton atë drejt një shoqërie më të plotë e më të pasur, i aftë të reflektojë tek vetja një rreze të shkëlqyer të së ardhmes.

Misteri që zhvillohet në shërbimin e ruajtjes së vlerave të jetës më bën të ndjej gjallërisht detyrën e më jep në të njëjtën kohë forcën të këmbëngul në nevojën e faljes. Këtë e bëj edhe sot, i ndihmuar nga shpresa të mund të nxis refleksione të kthjellëta e të pjekura në pamjen e një ripërtëritjeje të përgjithshme drejt jetës normale, në zemrat e familjeve të prekura nga kjo fatkeqësi shoqërore.

Në këtë përpjekje të madhe, organizata jonë nuk mund të lërë pa vënë para përgjegjësisë spektrin politik shqiptar, institucionet shtetërore, si dhe rininë studentore. Duhet të bashkëpunojnë të gjithë së bashku për të eleminuar shkaqet dhe pasojat që ka sjellë për komunitetin kjo dramë e madhe shoqërore, duke mohuar liritë dhe të drejtat e individit dhe të familjeve të tëra të pafajshme. Është fjala për një fushë preçize të dialogut e të bashkëpunimit të të gjithëve, për një ndërgjegjësim të mbarë komunitetit, për një bashkëjetesë në paqe në mes njëri-tjetrit dhe gjithë shoqërisë.

Një angazhim i këtij tipi nga të gjithë së bashku, nuk ka se si të mos ndërhyjë në rrugën e faljes që sjell mirëkuptimin reciprok, respektin dhe besimin ndaj njëri-tjetrit, sepse njeriu që fal ose kërkon falje, kupton se ka një të vërtetë më të madhe se ai, të cilën, duke e pranuar e tejkalon shumë veten e tij.

Pikërisht për këtë arsye, lutja për paqe nuk është një element që vjen pas angazhimit për paqen. Përkundrazi, ajo qëndron në zemër të përpjekjeve për ndërtimin e një paqeje të përgjithshme shoqërore në drejtësinë e lirinë e të pafajshëmve dhe vënia para drejtësisë e autorit që kryen krim. Të lutesh për paqe do të thotë të lutesh për drejtësi dhe kthimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, për një rend të përshtatshëm brenda komunitetit që është një e drejtë themelore njerëzore e qytetare e çdo individi. E, në mbyllje të këtij mesazhi, dua të citoj fjalët e mençura fetare: “Nuk ka paqe pa drejtësi, nuk ka drejtësi pa falje!”. Në të njëjtën kohë të falënderoj të gjithë ato misionarë të paqes që për 12 vite me radhë punuan me përkushtim në parandalimin e konflikteve dhe kthimin e paqes në familjet shqiptare. Ato janë heronj të vërtetë të paqes. Urimi im për këta misionarë është: “Paçi jetën e gjatë o misionarë të Paqes!”.

Paqja mbizotëroftë tek të gjitha familjet e prekura nga konfliktet. Mbarësi në familjet e tyre.

Lidhja e Misionarëve të Paqes të Shqipërisë

Kryetari

Emin Spahija

Fillimi i një debati

Lëvizja e lirë e shqiptarëve fillon me dhënien e vizave afatgjata për gazetarët

-Nëse keni një ftesë, ua përshpejtojmë dhënien e vizave, është refreni i çdo ambasade apo konsullate për gazetarët shkodranë.

-Ne pyesim: “Ç’të keqe ka pajisja e gazetarëve me viza afatgjata?

Më ka mbetur në mendje një takim në Konsullatën e Italisë, me ish-Konsullin e parë të Republikës së Italisë në Shkodër (për periudhën post-komuniste), Stefano Deleo. Në pritje të një vize turistike një mujore për një vizitë tek një i afërm i imi në Itali, Konsulli Deleo më thotë të pres pak. Pas disa minutave, ai kthehet me pasaportën time, ku viza ime një mujore, e para në pasaportën e modelit të ri, ishte anulluar. Fillimisht u stepa, derisa Deleo ktheu fletën tjetër dhe vërejta një tjetër vizë. Ndërsa më zgjaste pasaportën, Deleo më tha: Në vend të një vize një mujore dhe me një kalim, po të jap një vizë “Shengen” 6-mujore, me shumë hyrje-dalje. Ju jeni gazetar dhe duhet të lëvizni në Evropë. Të parët do të jeni ju që do të sillni në Shqipëri eksperiencat dhe frymën evropiane. Njëkohësisht, do të tregoni se në vendin tuaj, nuk ekzistojnë vetëm trafiqe, krim apo korrupsion…

Faktikisht, ajo vizë, për arsye të impenjimeve personale dhe të punës, nuk u shfrytëzua asnjëherë, por më mbeti në mendje arsyetimi i thjeshtë i Konsullit Deleo, të cilit realisht, i paraqita të gjitha dokumentat e nevojshme. Disa javë më parë, për arsye personale, u paraqita për marrjen e një vize pranë Konsullatës Italiane në Shkodër. Konsulli Roberto Orlando dhe punonjësit e tjerë të konsullatës, më përshpejtuan së tepërmi procedurat, pasi bëhej fjalë për dërgimin e një të sëmuri. Vizat i mora brenda një kohe të shkurtër dhe pas paraqitjes të të gjitha dokumentave që kërkoheshin (përfitoj nga rasti t’i falenderoj të gjithë për ndihmën).

Para disa kohëve, ekzistonte një ide bashkëpunimi mes Konsullit Deleo, Prefektit Leqejza dhe Kryebashkiakut Rusi në favor të gazetarëve. Mendohej që tre drejtorët apo pronarët e televizioneve të Shkodrës dhe nga një gazetar për çdo TV, të pajisej me një vizë afatgjatë. Nuk ishte ndonjë arsyetim i gjatë për arsyet e këtij veprimi, pasi ato kuptohen apriori, megjithatë gjithçka mbeti thjeshtë ide. Nuk besoj të kem nxjerrë ndonjë sekret, pasi tashmë jemi në të tjera kushte: është në Shkodër një Konsull i ri, z. Orlando, ndërsa Kryebashkiakut Rusi i ka mbaruar mandati. Realisht, në këto pak muaj të fillimit të misionit diplomatik në Shkodër të Konsullit Orlando, ai ka instaluar marrëdhënie shumë të mira me komunitetin e gazetarëve. Edhe në lidhje me idenë që përmenda më lart, i është shpjeguar diçka. Z. Orlando është treguar i gatshëm në përshpejtimin e procedurave për gazetarët, nëse ata kanë një ftesë për të dalë jashtë vendit, sigurisht pasi të kenë plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Megjithatë, unë do të shtroja një pyetje, përgjigjen e së cilës do ta mirëprisja nga çdokush: Ç’të keqe ka pajisja me viza afatgjata të gazetarëve të Shkodrës apo edhe të Veriut? Nga informacionet që kemi, kolegët e Tiranës nuk kanë as problemin më të vogël në këtë drejtim dhe pajisen lehtësisht me viza nga çdo ambasadë. Pse ndodh e kundërta në Shkodër?

      Shqetësimi i parë, i cili i është shprehur edhe komunitetit të gazetarëve, është ai i gazetarëve të rremë. Ka patur raste, kur individë të ndryshëm janë paraqitur si gazetarë të mediave të Shkodrës. Megjithatë, ekzistojnë mundësitë për eleminimin e këtij fenomeni. Në Shkodër, prej rreth 10 vitesh, është krijuar një komunitet stabël gazetarësh, të cilit i shtohen shpesh edhe të rinj, por që të gjithë të identifikueshëm. Ekziston një shoqatë gazetarësh “Unioni i Gazetarëve të Veriut” (UGV), e cila disponon çdo informacion të nevojshëm. Përveç kësaj, ka një Federatë Sindikale të Mediave, e cila mund të ndihmojë në këtë drejtim. Në të njëjtën kohë, Konsullata Italiane në Shkodër ka krijuar raportet e nevojshme edhe me pronarët apo drejtuesit e mediave këtu. Atyre u njihet vula, u njihen firmat por edhe dokumentat zyrtare me kokat përkatëse. Edhe vetë ata janë të interesuar të eleminojnë gazetarët e rremë. Nëse do të përdoren këto filtra që thamë më lart, çdo dyshim i Konsullatës Italiane do të zhdavaritet.

Shqetësimi i dytë, është ai i mundësisë së moskthimit të gazetarëve që mund të pajisen me vizë. Nëse viza do të ishte afatgjatë dhe me shumë kalime, në rastin më të mirë, çdo gazetar do të provonte nëse do të mund të stabilizohej në profesionin e tij në një vend të BE-së. Kujt do t’i prishte punë një gjë e tillë? Në të kundërt, secili nga ne do të kthehej në Shqipëri, Shkodër, për të vijuar profesionin e tij. Një garanci më shumë është edhe fakti që tashmë është konsoliduar një komunitet gazetarësh në Shkodër, ku secili ka krijuar një profil, një reputacion, një personalitet. Asnjëri prej nesh nuk do të braktisë profesionin e tij (edhe pse e ushtron përgjithësisht në kushte jo shumë të favorshme krahasuar me Tiranën) në këmbim të një pune fizike në një vend tjetër???

Shqetësimi i tretë, është ai i dokumentacionit që duhet paraqitur. Nëse ke një ftesë nga dikush për të vajtur në një nga shtetet e BE-së, duhen paraqitur një seri dokumentash. Sigurisht, kjo është procedurë, por nëse vizat kërkohen shpesh, ato procedura kushtojnë kohë dhe para, të cilat duhen përballuar nga gazetarët. Një vizë afatgjatë, do të eleminonte të gjithë këto sa thamë më lart.

      Shqetësimi i katërt, është ai i pozicionit të gazetarëve të mediave të Shkodrës, por edhe atyre që punojnë në mediat e Tiranës si korrespondentë. Fatkeqësisht, një pjesë e madhe e jona, për një arsye apo tjetër, nuk janë të lidhur me kontrata, ose nëse janë, nuk sigurohen apo diçka e tillë. Këto nuk janë aq shumë në dorën e gazetarëve, sa në dorën e pronarëve apo drejtorëve, por problemet i heqim dhe do t’i heqim ne gazetarët. Realisht, jemi gazetarë profesionistë, pasi punojmë “full-time” në këtë profesion, ushqejmë dhe mbajmë familjet tona me këtë profesion, jemi të njohur jo vetëm në Shkodër e Shqipëri, por edhe më gjerë si gazetarë, por konsullatat apo ambasadat na kërkojnë kontrata apo vërtetime nga institucione të ndryshme, të cilat nuk janë në dorën tonë. Kjo në funksion të garancive për kthimin tonë në Shqipëri, nëse do të marrim një vizë.

Mendoj se ky shkrim, është thjeshtë një grishje për debat. Gjerësisht, një temë e tillë është hapur në Kuvendin e Shqipërisë, me përmasa më të mëdha: Lëvizja e lirë e shqiptarëve në BE. Ndoshta jemi larg në këtë drejtim, pasi sapo kemi filluar të ecim (ndoshta) në një rrugë që na tregojnë evropianët e BE-së. Mbase do të ishte mirë që para lëvizjes së lirë të shqiptarëve në Evropë (për mendimin tim, akoma utopi për disa kohë), do të ishte mirë të mundësohej lëvizja me viza afatgjata të gazetarëve në BE. Kolegët tanë të Tiranës e kanë arritur prej vitesh këtë gjë. Pse të mos e kenë edhe gazetarët e Shkodrës, Durrësit, Vlorës, Elbasanit, etj. këtë mundësi?! Nëse kërkojmë një dritare në Evropë, ajo mund të hapet vetëm nga gazetarët. Politikanët e treguan dhe po e tregojnë paaftësinë e tyre në këtë drejtim.

Blerti Delija

Kryetar i Unionit të Gazetarëve të Veriut

Kryeredaktor i TV “Rozafa”

Zbulohet mesazhi i Sadamit për kamikazët

Me arrestimin e kryeterroristit, atij që tetë muaj më parë ishte idhull për shumëkënd, bota duket se po merr formën e saj. Njerëzimi kuptoi se imazhi i krijuar për terroristët është asgjë.

“I forti i Globit” paska qenë më pak trim se një minushë, që kur e ndjek maçoku, shpesh herë futet në zjarr. E, sikur të mos kisha dëgjuar për Sadam Huseinin, patjetër që do të vinte keq. Dorëzohet si “trim” me duar lart, si një mjeran, me mjekër të gjatë e të palarë, aty në konfortin e tij, në një gropë të hapur dy metër nën tokë, të ndërtuar afër një kasolleje prej qerpiçi në rajonin e Tikritit, rreth 180 km në verilindje të Bagdadit.

Sikur të mos kish ndodhur kështu, por të kish vdekur atje në vrimë të miut, fansat e tij, ndoshta edhe pas shumë shekujve, do ta kishin idhull.

Do të shkruheshin libra qindra herë më shumë se ç’u shkruan tash dy vjet e gjysëm për Osama Bin Ladenin, që normalisht është po kaq trim e i vendosur sa edhe Sadami.

Gjithsesi, fenomene të tilla, ne nuk na joshin, por ama bëhen shkak i analizave për sot e për nesër. Është fakt se në vëmendjen shqiptare, Sadami ka qenë i pranishëm fort shumë, madje në përmasa të parrokshme sot.

Figura komplekse e Sadamit ka ndikuar në mjegullimin psikologjik të një pjese psikopatësh. Pra, diktatori, “trimi” Sadam, nëse ka qenë i aftë të tmerrojë miliona njerëz, të vrasë deri në pesë mijë vetë, kurdë, brenda në Irak, vetëm në kornizat e një dite, në fund të fundit, për veten e vet, e vlerësoi jetën, të cilën amerikanët ia falën, duke deklaruar botërisht se do japë llogari për krimet vetëm si rob lufte.

Këtu theksojmë edhe një dukuri tjetër. Edhe terroristët e mitizuar kanë njëfarë “talenti” në përllogaritjet e tyre. Të tjerëve u bëjnë thirrje edhe të vetësakrifikohen, ndërsa për vete veprojnë krejtësisht ndryshe. Ky fakt, mendojmë se është një mësim i mirë për tërë terroristët. Është një zbulim që nuk do e besonin nëse nuk do të vepronte kështu Sadam Husein.

Nganjëherë edhe më i keqi dhënka mesazhe… Pavarësisht, siç edhe thuhet, jetën e jep Perëndia dhe duhet ta marrë veç Ai.

Editorial nga Sokol Pepushaj

 

Zhvlerësimi i radhës i një procesi zgjedhor

Paradokset në jetën tonë politike, nuk kanë të mbaruar. Madje, ajo i ngjan një miniere të pasur. Paradoksi i radhës është zhvlerësimi që iu bë dhe po i bëhet dita-ditës procesit zgjedhor të 12 Tetorit. Në të vërtetë zhvlerësimi i radhës është ky i fundit, pasi fillimi i zhvlerësimit të procesit e ka në zgjedhjet (që nuk ishin kurrë të tilla) të vitit 1996. Zhvlerësimi i tyre, përpjekje permanente e politikës është paradoks, kur pikërisht ajo politikë do të ishte e para e interesuar që procesi zgjedhor të pranohej ashtu siç ishte me të mirat dhe të metat e tij.

Le të sjellim argumenta që mendojmë se bindin edhe ata që nuk janë mësuar ndoshta të binden ndonjëherë në jetën e tyre.

Argumenti më i thjeshtë është mospranimi i zgjedhjeve nga ana e atij që humb, që nuk fiton mbështetjen e zgjedhësve. Të gjithë politikanët me fjalë e pranojnë se demokracia ofron vetëm “të fituar”, madje edhe ai që “humb” në të vërtetë ka fituar, natyrisht aq sa ka dhënë. Pra “humbësi” duke mospranuar rezultatin zgjedhor, verdiktin, së pari, justifikohet, para atyre që shpresonin në idetë e ofruara gjatë fushatës për të përmirësuar punët dhe së dyti, “fituesve” ua zbeh suksesin që në demokraci konsiderohet i merituar. Rezultati: opinioni publik mërzitet me klasën politike (kjo i intereson “të humburit”), për rrjedhojë reformat ngadalësohen, zbehet inisiativa dhe guximi për të ecur në shtigje që mund të rrezikojnë të ardhmen e politikave dhe të vetë politikanëve. E, së fundi, tranzicioni zgjatet e zgjatet pa fund…

Tjetër. Duke qenë se demokracia është një sistem shoqëror i përparuar vlerash, dhe që përmirësohet dhe përsoset çdo ditë, është e besueshme që nuk mund të kënaqë në mënyrë ideale këto, çdo anëtar të shoqërisë. Prapa tyre fshihen interesa të çastit, shpesh herë të ngushta që synojnë të përpunojnë e të mbizotërojnë opinionin publik, aq më tepër kur ky opinion përfaqësohet me fjalimet e liderëve politikë. A pati të meta procesi zgjedhor i 12 Tetorit. Do të ishte e pabesueshme të thuash që ishte ideal (kështu mendon ndonjë lider socialist) por edhe i shpërfytyruar (siç mendojnë liderët e opozitës apo ndonjë analist i dëgjuar).

Të përpiqesh që të frysh të metat (lidhur me listat, të meta që ekzistojnë) në atë masë që zgjedhjet të sterrosen nuk është as më pak e as më shumë që të justifikosh humbjen para vetvetes dhe para atyre që të kanë ardhë pas për hir të ndjenjave, emocioneve apo ndoshta dhe ideve të pakta që u ke ofruar votuesve gjatë fushatës. Zhvlerësimi bëhet evident.

Tashmë nuk është habi që politika jonë, në vend të përpjekjes për mirëkuptim mes veti, drejton sytë nga faktori ndërkombëtar duke iu referuar atyre argumentave apo paragrafëve të deklaratave që u interesojnë. Besoj në faktin që faktori ndërkombëtar në Shqipëri shpesh her vihet në pozitën e të zotit të shtëpisë.

Vetë ata (faktori ndërkombëtar) kanë ritheksuar se zgjedhjet i gjejnë dhe i bëjnë vetëm dhe vetëm shqiptarët. Për proceset zgjedhore deklaratat e tyre vazhdimisht kanë kënaqur si pozitën dhe opozitën, duke qenë të tipit “ as mish dhe as peshk”. Kjo frymë ka “zbritur” deri në opinionin e votuesve, saqë këtë e do Amerika dhe këtë s’e do (është fjala për z. Nano dhe z. Berisha). Ky opinion është besuar së vërteti atëherë kur kanë ndërhyrë ata (Amerika dhe BE) kanë ndryshuar dhe fjalët e liderlodhurve tanë, tonet e tyre janë zbutur. Vallë, të mos kenë asgjë në dorë politikanët tanë për fatet e Shqipërisë?!

Falë kontributit të faktorëve politikë ndërkombëtarë SHBA dhe BE, faktorëve ekonomikë botërorë BB, FMN etj. Shqipëria ka përparuar në drejtimin e duhur, në atë të tregut të lirë të ideve, mendimeve, alternativave, të ekonomisë, etj. Gjithashtu kjo ndërhyrje e tyre shpesh herë nuk është “tatuar” si prej atyre dhe po ashtu nuk është kuptuar prej liderve vendas. Palët në “konflikt” kanë përdorur çfarë u ka rënë në rrjetën e interesave të karizmës personale pa patur parasysh interesat e gjera të qyetarëve që dita-ditës nuk po duan t’ia dijnë për liderët e përgjëruar të halleve të tyre.  Kjo sepse janë më të emancipuar se sa politikanët tanë interesaxhinj dhe sepse nevojat e tyre jetësore në treg iu “ha” edhe kohën që u duhet kushtuar politikanëve.

Për momentin njëfarë emancipimi do të quaja edhe bojkotimin që iu bë 12 Tetorit. Një analist i vëmendshëm politik, si B. Delia, vërente në faqet e “Shqipërisë Etnike” se vetëm 14% e shkodranëve përcaktuan “timonierin” e pjesës tjetër. As më pak dhe as më shumë. Shkodra demokratike e lodhur dhe e bojkotuar nga politika e të gjitha kohëve, nuk ka si “përgjigjet” më mirë dhe me kulturë demokratike asaj.

Zhvlerësimi i radhës i procesit të votimit të 12 Tetorit është një çështje e vullnetit të klasës politike për të bërë diçka.

Përfundimisht mund të thuhet me shumë siguri se të dy krahët e politikës shqiptare fatkeqësisht nuk kanë vullnet për të bërë asgjë (apo ndoshta pak) për këtë vend. Ky vullnet lexohet në faqet e mediave partiake, apo “të pavarurave” partiake (tipike janë binjaket siameze “TemA” dhe “55”), të lidervulëhumësve që deformojnë ekranet e TV-ve. Pa pikën e tuprit (le të përgjegjësisë) çirren e sterrosen për shkatërrimin e procesit zgjedhor që i bënë dhe trumbetojnë e brohorasin si fitore të tyre, të metat apo dobësitë e kundërshtarit. Kur i shikon këto politikanë tek flasin në foltoren e Kuvendit, fjalorin e zgjedhur enkas për qytetarin, se si ndihesh. Shpesh herë përgjumesh apo kotesh nga sukseset që nuk preken këtu poshtë, që ndodhin më shumë në letra e në TV-të e gazetat e panumërta, por edhe frikësohesh nga vota kundër e jotja.

Ja, kjo është klasa politike që na udhëheq, thonë drejt Europës Atlantike. Me këtë vullnet që lexohet në dhe midis rreshtave, ne do të vazhdojmë një proces humbjeve të vështirë, kryesisht dhe rrënjësisht për masën e njerëzve të thjeshtë dhe jo për pozitën dhe opozitën që veç ndajnë fjalët e zhurmën dhe kënaqin interesat e tyre të ngushta ekonomike.

Mirë tha një politikan i ri, që për opozitën dhe pozitën nuk sjell ndonjë kate ndërrimi i vendeve në parlament, por për mosndryshimin e filozofisë së tyre të drejtimit të shtetit për interesa të qytetarit, ajo na dëmton më shumë të gjithëve.

Mark Preçi

Xhem Daia i ka dhënë qenit të policisë mish nga këmba e vet

Rruga që të çon për në H/C Fierzë kalon nëpër fshatrat e Rrethit të Pukës dhe afër H/C është fshati Porov, ku në tokën e tij është ndërtuar vepra, salla e madhe e makinerisë. Këtu në fshatin malor Porov, afër shkollës 8-vjeçare ndodhet një shtëpi dykatëshe ku ka jetuar nacionalisti i shquar Xhem Prend Daia 87 vjet.

Në vitin 1946 ky burrë besnik dhe trim jetonte në varfëri të madhe me një zemër të madhe. Ky burrë kishte një shok të fortë, një nacionalist të fortë që quhej Frrok Kol Sadiku. Ai jetonte larg fshatit, në qoshe afër malit me pyje të dendura dhe kullave. Këta dy shokë ndihmonin nacionalistët me bukë e ushqime. Lidhjet i kishin bashkë për të ndihmuar nacionalistët, por hijet e zeza të sigurimit po i ndjeknin këmba-këmbës. Një ditë dimri, 5 policë bashkë me Kryetarin e Këshillit u dukën para shtëpisë së Xhem Prend Daisë dhe pa u zgjatur e arrestuan dhe e çuan në Postën e Policisë në Iballë, ku qëndroi për disa ditë dhe u keqtrajtua barbarisht, duke i thyer këmbën dhe copat e mishit i dilnin jashtë, ku me dorën e tij Xhema ka shkulur mishin e këmbës duke ia hedhur qenit të postës së policisë, duke i thënë: “Na merre e haje, se edhe ti ke pjesën tënde”. Mbasi e bënë për vdekje e çuan në burg të Pukës, pasi për disa ditë jetoi në policinë e Iballës bashkë në një grazhd me qenin e postës, që mori pjesën e mishit të këmbës së tij. Ai qëndroi në burg për disa muaj, mbas shumë torturash e çuan në burgje të tjera për t’i ardhë në ndihmë një burrë që ishte kuadër nga Porovi, që u mundua ta shpëtonte Xhem Prendin, por kot ai u hoq nga detyra dhe qëndroi nën kontroll të Sigurimit për shumë vjet, ky ishte Pal Gjon Povori, i cili u mundua për lirimin e Xhemës, por humbi gati në humnerën e pafund. Shoku i Xhemës, Frroku nuk pushoi duke ndihmuar prapë nacionalistët vazhdimisht, por Xhema qëndroi disa vjet e u lirua dhe filloi të shkonte bari në një stan atje larg në pyll, por Sigurimi, përsëri u vu mbas tij duke e ndjekur këmba-këmbës dhe një ditë dimri, ishte viti 1952 kur bashkë me Frrokun i arrestuan me shumë të tjerë duke i futur në burgun e Degës së Brendshme të Pukës, ku kaluan rreth një vit në hetuesi me vuajtje e tmerr, duke i varur nga shpatullat çdo ditë nga 2-3 orë, shumë tortura më çnjerëzore që s’i kalonte as kafsha këta burra, mbas një viti u dënuan nga 10-15 vjet ku vuajtën dënimet e tyre nëpër kampet e shfarosjes, të monizmit.

Mbas disa vjetësh ata u liruan nga kampet e shfarosjes, erdhën në shtëpi, mirëpo Frroku iku nga Rrethi i Pukës dhe shkoi në Laç ku u stabilizua familjarisht, por përsëri hijet e zeza e ndjekun pas, por kësaj here edhe më keq, ku djali i tij Mark Sadiku arrestohet dhe futet në burg politikisht dhe vdes nga torturat keqtrajtuese dhe i biri i Markut pushkatohet nga Sigurimi Shqiptar. Pra, familja dhe Frrok Kol Sadiku vuajti nga komunizmi famëkeq për vite e vite, siç ju shkruam më sipër. Kurse Xhem Prendi jetoi deri në vitin 1976 dhe si burrë trim e me nder, vdiq por në vdekjen e tij morën pjesë shumë e shumë familje të burgosurish politikë, nacionalistë. Ai u vajtua nga mbarë krahina, por u vajtua siç e kanë zakon malësia. Një burrë nga Shala, që punonte në H/C Fierzë, i cili e vajtoi duke i thënë se s’lanë shok në jug as veri, kjo fjalë tingëlloi keq se Sigurimi e ndoqi burrin që vajtoi. Ai u zhduk për shumë kohë e nuk u pa në H/C, por të pesë djemtë e Xhemës u hoqën nga puna, sepse ishte gabim që u vajtua babai i tyre.

Kjo pra është ngjarja e dhimbshme që këta burra nacionalistë kanë kaluar gjatë regjimit komunist.

I shkruajmë këto rreshta në gazetën “Shqipëria Etnike”, që këta burra duhen kujtuar dhe nuk duhen harruar.

Shan Sokoli

Me rastin e Krishtlindjeve

Dritësohet bota e tërë,

nga lindja e një Yllësie,

Mbi pallatet mbretërore

emri i foshnjës u bie

xhuxhave në ikje.

 

Ndonëse shkëlqimi i arit atëbotë,

verbohet.

 

E vogël ishte bebja,

gjysmë të shkalluar mbetën,

profetët,

nga Shën Maria.

 

Eh, dhjetor,

sa shpejt u bëre behar,

asaj ore,

arratiset nata e gjatë.

 

Ngrohtësira

e zateti hapësirën

…dhe buzëqeshja është kthyer

në sy e në fytyrë.

 

***

Mbi gjoksin e bardhë,

mplekset dashuria e paqes,

nesër më e gjallë”…

 

Dhe Shën Maria mbartë

reflekset e shekujve varg e varg.

 

***

Mbi Bibël

në minutin e parë nënshkruhet

formula e shumëpritur…

Ati Ynë

 

***

Triumfi i qiellit

godet pallatet naive.

Ndërsa Krishti Fëmijë

u bë lajtmotivi i të gjithëve…

 

Në çdo dhjetor,

përsëri të të njëjtën kasolle

e njohin pol në pol

 

dhe lindjen e Birit të Atit

më të bukurën gjer Tani!…

Lazer Preka

 

Turne dinjitoz i kulturës shqiptare në Itali

Falë ftesës së Shoqatës “Sopoti” me qendër në Prato, negociatave dhe dokumentacionit të rregullt me Konsullatën, impenjimi i së cilës për pajisjen me viza për Grupin “Sandri Kompani”, ishte në nivelin maksimal. Më datë 24. 11. 2003, Trupa Variete merr avionin “Montenegro Airline” dhe pas një udhëtimi komod ulet në Aeroportin e Fiumiçinos, në Romë e ku me anë të trenit EuroStar mbërrin në Firence merr regjionalin dhe arrin në destinacionin e parë, Prato, ku do nisë turneun. Bahri Gurra, interlokutori kryesor, hap dyert e shtëpive për të gjithë trupën, e cila jetoi jo pak, por katër ditë e netë si tek vëllau i vet, në shtëpinë e tij.

Dita e Flamurit, atmosfera e shkëlqyer në sallën prestigjioze “Croce d’Oro” në qendër të Pratos pas fjalës së rastit, Kryetari i kësaj Shoqate, Qamil Zejnati i uron mirëseardhjen trupës e cila eksplodon qysh në hapje me “Shkodra jonë” të gjithë sallën e tejmbushur, duke marrë përgëzime edhe nga autoritetet lokale italiane të Pratos, të pranishëm në këtë takim. Pas kësaj shfaqje, trupa dha me kërkesë të komunitetit shqiptar edhe dy shfaqje të tjera, një në San Giusto dhe një në Piazza Garibaldi, në Pistoia, për t’i paraprirë kulmit të parë të saj, në Pallatin kryesor të Sportit në Pistoia, ku pati një triumf të vërtetë. Entuziazëm i papërshkruar, populli këndonte, kërcente dhe reagonte në kor nga çdo batutë. Gazeta qendrore e Toskanës i bëri një përshkrim mjaft sugjestionues duke perifrazuar se ky koncert dinjitoz afron shumë më tepër urat e miqësisë e të bashkëpunimit midis dy vendeve miq si dhe përmirëson akoma më ndjeshëm imazhin e emigracionit, dikur të dyshimtë në drejtimin tonë.

Në Pistoia nuk mund të lëmë pa përmendur punën e shkëlqyer organizative të Presidentit të Shoqatës “Shqiponja”, z. Artan Lala, një njeri i përkushtuar pas artit e sportit, ku ekipi i tij i futbollit “Shqiponja” ishte ndër ekipet më të mira të Pistoiës, kjo falë bujarisë, burrërisë e reputacionit të padiskutueshëm që ky djalosh nga Fieri kishte e që shumë nga këto cilësi i vuri në shërbim të trupës dhe të komoditetit të saj për ato ditë që ajo ndenji në Pistoia.

Vlen të nënvizohet fakti që gazeta qendrore e Toskanës vlerësoi me nota shumë të larta koncertin dhe televizioni qendror i Toskanës gjatë gjithë javës, në të gjitha edicionet e lajmeve me foto qendrore të Producentit Ruçi, aktor dhe regjisor si dhe organizatori i këtij turneu, i bëri jehonë të bujshme këtij spektakli, i cili për hir të së vërtetës pati kulmin e tij të parë në Pistoia.

Të nesërmen trupa merr rrugën e gjatë për në Asti, Torino.

Organizatori, z. Ilir Polena i kishte marrë të gjitha masat e duhura. Shfaqja u organizua në Kinema “Don Bosco” në prani të një numri rekord spektatorësh, qytetarë të mirëfilltë shkodranë. Këtu trupa pothuajse u sëmur e gjitha, përse pak nga nostalgjia e të pranishmëve të cilët që në hapje “Shkodra jonë”, e cila u bë lajtmotiv i gjithë turneut, të cilët në këmbë e të gjithë me lot në sy përlotën trupën, e cila deri në fund e duartrokitur maksimalisht, e inkurajuar pafundësisht dhe e nderuar në shkallën sipërore korri suksesin e dytë të bujshëm e të papërsëritshëm në Asti, në mes shkodranëve të saj, të cilët i krijuan ambjentin si të ishin në Shkodër. Mikel Kabashi e shumë shkodranë të tjerë si familja Guli, apo Vera Kalaci e shumë e shumë të tjerë u lëshuan kush më parë të merrte pjestarët e trupës, të cilët u ndanë me mall dhe me lotë në sy me vëllezërit shkodranë, të cilët i krijuan një sukses dhe një pritje madhështore në Asti, ashtu si u ka hije veç shkodranëve të vërtetë.

Lamë Astin për të udhëtuar në drejtimin e Bolonjës, por natën e kaluam në familjen e Preng Bibës, një familje fisnike tipike shqiptare, e cila kishte 14 vjet në Botegone, pikërisht në vendin ku ndahet Pistoia me Corraton. Do të ishte e pandershme të anashkalonim bujarinë, burrërinë, mikpritjen e mrekullueshme të Nanës Drande, të nuseve të mrekullueshme, të djemve, Paulinit, Lekës, Benit e Lonit, e mbi të gjitha të babës së tyre, Preng Bibës, një burrë katërqindësh, i cili e mori trupën nga hoteli (se s’keni kushte) dhe hapi dyert e shtëpisë e të zemrës për jo pak, por për tetë vetë. Familje kjo e cila për punën, ndershmërinë dhe reputacionin që kishte, ishte nderi dhe prestigji i të gjithë shqiptarëve, të cilët krenoheshin me të. Zoti i shtoftë pasurinë e prestigjin e fituar me dinjitet.

Bolonja: një shfaqje elitare me spektatorë të zgjedhur në një sallë të veçantë me një numër të caktuar spektatorësh, një ambjent intelektual i krijuar me shumë përkushtim nga i mrekullueshmi intelektual Roland Jaçe, një nip Shkodre, zotni 40 karatësh, që punonte në zemër të emigracionit e që shumë miq tanët shkodranë ia kishin parë hajrin përpjekjeve të tij njerëzore për legalizimin e qëndrimin në bazë të rregullave në Itali.

Mbas suksesit dha një kokteil për nder të trupës vetë Rolandi dhe djali i një miku tonë nga Shkodra. Me dy makina udhëtuam drejt Riminit, ku në orët e vona të natës arritëm në Hotel Torning me katër yje, për t’u bërë gati për shfaqjen e fundit, në diskotekën më të madhe të Riminit, shfaqje kjo e organizuar nga publicisti i njohur shkodran Alban Kraja, ku në gazetën kryesore të Riminit lajmëronte se arriti Akademia e Artit të Varietesë nga Shkodra. Pa frikë mund të themi se Rimini ishte triumfi i tretë i trupës, ku shumë e shumë shkodranë kërcyen, qeshën e qanë bashkë me trupën, kaluan bashkë një mbrëmje mahnitëse ku shumë foto, përqafime e lotë mallëngjimi i ndanë trupën nga ato, sepse orët po kalonin, kishte kaluar mesnata, në ora 12 të drekës do të merrnim avionin për kthim. Nipat e Muhamet Çekinit, Selvi e të tjerët na përcollën me makinat e tyre gjatë gjithë natës pa vënë gjumë në sy deri në Romë. Pasi pimë kafe me këto djem simbol të djelmnisë shkodrane, u ndamë duke i falënderuar nga zemra për burrërinë e bujarinë e tyre që treguan duke i uruar jetë të gjatë. Ata do të udhëtonin për t’u kthyer në punë, ndërsa ne bëmë çeking. Hipëm në avionin e Montenegros dhe në orën 14 mbërrijmë në Podgoricë për t’u kthyer në atdhe, duke lënë pas veprat ose kryeveprat botërore që pamë në Firence, Prato, Pistoia, Bolonja, Asti e Rimini, Luka e Montekatini. Duke kontribuar sadopak me artin tonë në forcimin e miqësisë në mes dy popujve, duke fituar një eksperiencë të re në menaxhimin privat në një vend të huaj me një trupë varieteje. Duke fituar simpatinë e një pjese të mirë të diasporës, dhe pse jo duke pasuruar kurrikulumin gjeografik të “Sandri Kompani” në shtete prestigjioze si Zvicra, Britania, Kanadaja, SHBA, Itali.

Në fund i japim përshëndetje Konsullatës, Konsullit të saj z. Orlando, Shoqatës “Sopoti” në Prato, z. Leqjeza si dhe organizatorit të këtij turneu, z. Sandër Ruçi, që mundësuan realizimin e tij.

Albert Vataj, Sokol Pepushaj

Edukimi i fëmijëve është shtylla kurrizore e çdo kombi

Duke parë pas 13 vjet demokraci problemet që solli ai fondamentalizëm komunist për 60 vjet, si ndaj kombit, fesë e zakoneve shqiptare, historisë, njeriut etj., po rri tek situata e sotme. Krimineli, hajduti, përdhunuesi, hipokriti, ateisti, mashtruesi sarahoshi ose si i themi ne, i paskrupullti, po uzurpon çdo gjë të jetës shqiptare që nga pushteti, pasuria, arti, administrata, policia, organet e drejtësisë e arsimit. Tek kjo e fundit kam dëshirë të ndalem, sepse për mua si shqiptar dhe prind, arsimi përbën palcën e kurrizit të së ardhmes së një populli.

Pra, të flasim qartë, mua më intereson Shqipëria e kudo që flitet shqip. Theksoj dhe s’mund ta mohoj që shumica e mësuesve, e edukatorëve apo e profesorëve kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për botëkuptimin atdhetar e arsimor të brezave. Shoh dhe dëgjoj shumë intelektualë apo opinionistë, apo edhe OJQ të ndryshme që merren me problemet anësore, si shaminë e kokës për disa vajza, apo medaljoneve fetare që për mua s’përbëjnë problem. Për mua përbën problem që rregulli në shkollë, pastërtia morale shqiptare, dinjiteti e aftësia, shqiptarizmi, nacionalizmi vetëmbrojtës e dashamir i zakoneve tona atdhetare e fetare, pra tri fetë tradicionale, të mbrohen dhe të financohen nga shteti. Gjithashtu t’i jepet prioritet edhe zhvillimit të sotëm shkollor, por duke ruajtur nacionalitetin tonë, të mirat tona dhe t’i ruhemi të këqiave të kohës.

Këtë që po them unë tani, është thënë edhe para 60 e ca vjetësh, por ra në vesh të shurdhër. Ç’ndodhi e kemi parë e po e shohim e jetojmë sot. Do Zoti në të ardhmen mos e shohim e jetojmë këtë katrahurë paganiste e të pafe e atdhe që na udhëhoqi. At Anton Harapi shkruan në vitin 1937: “Disa inteligjenta të sotçëm kan qit kushtrimin per luftim kundra fanatizmit. Parimi i tyne asht ky: “Të shporremi njiherë e mirë prej besimit, pse pa e ba ket hap, nuk kemi si t’a bajm njisin kombtare”. Ata thanë: “Shkolla edukuese do të shkputet prej çë do besimi, qi, në fund të fundit, don me thanë, do të mohojë çë do besim. Kjo asht theoria”.

      Ta çojnë mallin e sofistave, të cillët kohën e Sokratit, prejse nuk ishin të zott, a nuk dojshin me i ndejë dijes më të. Porsi qeni në sukull kapen me religjion, me shkolla, me institute, me dy-tri faqe të botueme kush din si, maten me zhdukë prej jete shqyptare themelin e familjes e të shtetit, Zotin.

      A shohin kund ndo’j të mbetë në jetën shqyptare?

      A priori, në nji mndyrë a në nji tjetër, i a lanë fajin besimit. Po i pysim: Kahë duen me i dhanë këtij fëmis të shqyptarit. Shka duen me ba me të? Nji revolucjonar? Thue nji kufomë, qi të duket se asht dishka e mos të jetë gja? I u thaftë goja, po e tha kush ket fjalë, pse kjo kish me kenë ma e madhja trathti. Shka pra? Nji nieri të pa fre, të pa ftyrë, të pa ndërgjegje, të pa ligjë e n’auktoritet, nieri i lodrimit t’epshevet?

      Sa per kshtu, e thomi rrumbullak: ma parë e kjajshim në vorr, se e pashim per hor djalin e vajzën shqyptare. Na i duem t’i qesim elementa të dejë për jetën shoqnore në ma të naltën shkallë: familjarë si kush, dijetarë me kompetencë, zyrtarë me ndërgjegje e detyrë, qytetar të ndershëm, atdhetarë të flaktë.”

Kjo ishte thirrja e At Antonit dhe e shumë patriotëve shqiptar para e mbas tij, por nuk u dëgjua. Si një shtetas i këtij vendi, do të ju bëja thirrje: Intelektualë, atdhetarë, mësues, prindër, klerikë, ju media, ju qeveritarë shqiptarë, të ruajmë e të mbrojmë të irën me ligj, e jo të keqen!

Me shqetësim qytetar

Nikolin Pemaj

Pse iku nga Shkodra Zeqir Shabaj? Ku ndodhet ai me familje dhe a kanë mësuar diçka për djalin e tyre të zhdukur: Ervis Zeqir Shabaj, i datëlindjes 14 janar 1986?

Në rrugën “Ndocaj”, dhjetra metra pas ndërtesës së ish-Komitetit famëkeq të PPSH, që bën pjesë në lagjen “Kongresi i Përmetit” gjendte një shtëpi njëkatëshe, model Elbasani e lënë në mëshirë të fatit. Një dry i ndryshkur i pahapur qyshkur dhe gjethet e kalbëzuara të pemëve janë dëshmi e një ikje të dhimbshme, disi me ngut të ish-familjarëve të saj. Jo më larg se 2 vjet më parë kjo shtëpi gjallonte e të zotët e saj jetonin normalisht. Zeqir Shabaj, kështu quhej më i madhi i familjes që jetonte me bashkëshorten Nexhmijen e fëmijët, Ervisin e Emirjetën, e që para disa vitesh ishin shpërngulur nga fshatrat e Postrribës në këtë shtëpi të thjeshtë në afërsi të qendrës së qytetit të Shkodrës. Kureshtja që diktohet nga profesioni ynë, na shtyu të mësojmë diçka më tepër rreth fatit të të zotëve të kësaj shtëpie të braktisur. Fqinji i tyre, Ismail Hoxha tregon: “Teposhtja për këtë familje nisi më 17 janar 2002… Ishte natë e ftohtë dimri, ndërsa hëna ishte fshehur diku pas reve të zeza, era e fortë përplasej me egërsi mbi llamarinat e kamionit që drejtohej nga Xheladin Shabaj, 30 vjeç, i vëllai i Zeqirit e axha i Ervisit e Emirjetës. Teksa kamioni udhëtonte drejt qytetit të Shkodrës, papritmas në njërën nga kthesat e Torovicës tre kapuçanë të zinj, të armatosur, detyrojnë kamionin të ndalet e dy vëllezërit të zbresin në tokë. Kundërshtimi ka qenë fatal për Xheladin Shabaj. Dhjetra plumba janë derdhur me breshëri mbi trupin e tij duke e lënë të vdekur, ashtu shtrirë mbi asfaltin e ftohtë akull. Dritat e një makine tjetër që vinte në atë drejtim kanë shpëtuar Zeqirin nga plumbat e maskave të zeza. Me vëllanë e vdekur Zeqiri ka vazhduar rrugën drejt qytetit të Shkodrës. Por tragjedia nuk ka mbaruar këtu. Të nesërmen zhduket nga shtëpia djali i vetëm i Zeqirit, Ervis Shabaj, i datëlindjes 14 janar 1986, e vetëm disa ditë më pas varrosjes së vëllait, Zeqirit nisin t’i vijnë letra kërcënuese për të mos denoncuar vrasësit e Xheladinit. Telefonatat anonime dhe kërcënimet me letra deri në eliminim fizik e hedhje në erë të shtëpisë, bëhen të padurueshme për familjen Shabaj, sa në mëngjesin e 28 janarit 2002 kemi parë vetëm këtë dry në derën e kësaj shtëpie. Këtu ka përfunduar historinë e dhimbshme të familjes Shabaj, fqinji i tyre Ismail Hoxha. Një tragjedi e dhimbshme në fillimshekullin e ri. Frika nga maskat në një vend pa shtet si ky i yni, i detyron njerëzit të ndahen edhe për së gjalli. Ervis Shabaj kërkon prindërit e këta të fundit kërkojnë djalin e tyre të zhdukur, Ervisin e shtrenjtë që ndoshta kurrë s’do të mund të kthehet më në vendlindjen e tij. Kriminelët-maska janë të gatshëm t’i marrin jetën, pasi ai, Ervisi është djali i Zeqirit që i njeh vrasësit e vëllait të tij, Xheladinit… E tragjedia vazhdon… Deri kur?

Rifat Ymeri

 

Përditë e më keq

Gjendja në Shqipëri po rëndohet përditë e më shumë. Sidomos pas zgjedhjeve të 12 tetorit për pushtetin vendor, ku Partia Socialiste i manipuloi fort ato. Tirana, Durrësi, Korça, Shkodra, ishin më të goditurat, ku edhe u regjistruan incidentet më të shumta. Dy ditë pas zgjedhjeve, më 14 tetor 2003, rreth orës 22 e 30 minuta, në lagjen “Perlat Rexhepi” të Shkodrës, afër banesës së shtetasit Gaspër Mirashi, një sasi tritoli pëlcet, duke dëmtuar pamjen ballore të shtëpisë dhe shkatërruar plotësisht dyqanin që ndodhej në oborr. Si gjithëherë keqbërësit “ikin” në drejtim të paditur dhe po si gjithëherë policia vjen vonë. Në të vërtetë, çifti Mirashi ishin vëzhgues të Partisë Demokratike në qendrat e votimit Nr. 305, tek Shkolla “Branko Kadia” dhe 320, tek Shkolla Pyjore. Disa ditë më vonë në Perash u kapën dy terroristë që me celular do komandonin shpërthime të minave me sahat. Presionet e organizuara kundër veprimtarëve të PD-së, këto kohët e fundit janë nga më të ndryshmet.

Vasel Gilaj

Largohen demokratët

Siç duket komunistët kanë një qëllim final, demokratët që nuk arrijnë t’i pushkatojnë, përpiqen t’i largojnë nga Shqipëria që të kenë më të lehtë mbajtjen e kolltuqeve të hajdutërisë, të krimit të organizuar, të trafiqeve. Ja, edhe demokrati i njohur shqiptar Fatmir Muhamet Bajraku, i cili që në krijimin e PD-së reflektoi pë demokraci të pastër, për liri njerëzore, pas shumë dhunimesh e presionesh për ta vrarë, detyrohet të braktisë me dhimbje atdheun e vet. Më 29 qershor 1997, kur bandat fashiste të Fatos Nanos rrëzuan pushtetin demokratik, demokratit Bajraku i është rrezikuar jeta seriozisht. Më 30. 06. 1997, në mbrëmje, rreth orës 2130-2200, në sy të familjes dhe të gruas, policia e arreston dhe e torturon në banesën e vet. Për tre ditë bëhet kontigjent i burgut politik, duke e dhunuar dhe duke e kërcënuar se do të zhdukim nëse nuk heq dorë nga bindjet politike të djathta. Kërcënatat kanë vazhduar edhe me letra anonime poshtë derës, duke ngjallur tmerr tek gruaja dhe fëmijët. Më 22. 02. 2002, teksa Fatmiri po kthehej me makinë nga Tirana në Shkodër, policë me maska e kanë rrahur pa shkak dhe i kanë thënë se tërë demokratët e doktor Berishës do i pushkatojmë. Por edhe më 12. 12. 1999 së bashku me demokratin Musa Shega, rreth orës 1930 janë qëlluar me plumba, ku ky i fundit është plagosur rëndë. Fatmiri e Musaja kishin edhe një lokal, bar restorant “Flamuri” në Shtoj i ri, të cilin bandat ua kanë hedhur në erë me tritol.

Nga: Xhemal Berisha

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu