Opozita e fragmentarizuar

0
Shkruan Zef Ndreka
Se opozitë nuk ka vendi ynë, nuk mund ta themi. Por se ajo është e coptuar, e shkatërruar, e përçarë ashtu siç do ta dëshironte Serbia, Greqia, Rusia apo ndonjë vend tjetër që ëndërron një Shqipëri jo demokratike, kjo tashmë nuk ka asnjë dyshim.
Klasa politike opozitare, krejtësisht e paaftë për ti dalë zot vendit e ka transferuar luftën reale politike që presin opozitarët dhe që do të ishte e drejtë, në një betejë absurde. E thënë troç, partitë bija të PD-së, të gjitha pa përjashtim, kanë nisur “betejen” vetëm për të marrë rolin e “bajraktarit”, pra të përfaqësuesit opozitarë.
Gara që bëjnë partitë e fragmentarizuara nuk kanë lidhje me veprimet dhe aksionet opozitare.
Po të verejmë me pak kujdes, Basha që ende nuk ka parti politike, nuk ka një emër zyrtarë të një grupimi që pretendon që përfaqëson, nuk ka një parti politike të rregjistruar por të vetëquajtur partia demokratike euroatllantike, më tepër ka mbetur duke shëtitur nëpër botë nëpër takime, për të dhënë imazhin e një lideri, mjaftohet tek tuk me disa dalje intervistash kohët e fundit sa për të mbajtur një “qiri” ndezur, krejtësisht pa mbështetje popullore nga pjesa e opozitës.
Po ashtu, mund të themi për grupimin më të madh realisht të dalë nga ish PD-ja zyrtare që drejtohet nga një grup miqsh rreth Alibeajt. Deri më tani nuk kemi parë ndonjë aksion politik të tyre.
Grupimi i Llapaj-t, i Qorrit, i Shehajt, i Dash Shehit etj, ende nuk të ngrohin.
Të gjithë kanë zgjedhur një rrugë: Të marrin flamurin opozitarë.
Por si mund të ndodhë kjo?!
Edhe pse është i shpallur non grat-a nga SHBA, edhe pse asnjë shpresë praktike nuk e ka Berisha për të “nusëruar” për së treti, ai edhe përmes halucinacioneve të tij ka gjetur iluzionet e rreme për të mbajtur peng PD, duke joshur mbështetesit dhe ndjekësit e tij, pikërisht për të eliminuar që në zgjedhjet e pritshme te 11 Majit 2025 shumë nga këto parti të fragmentarizuara nga PD-ja. Kjo, falë edhe marrëveshjes me Edi Ramën për kodin zgjedhor.
E gjitha kjo situatë, tregon se opozita është në një krizë pa zgjidhje. Listat e mbyllura e thellojnë më tej atë.
Opozita e sotme, pra Berisha, do të jetë në parlamentin e ardhshëm më i kënaqur me nje opozitë akoma më të dobët dhe më të vogël, pa flamurtarë, mjafton të ruhet status quo.
Cila është zgjidhja?
A do të pritet ajo të zgjidhet nga votuesit shqiptarë apo vetëm nga ndërhyrja amerikane, si me rolin e SPAK-ut apo rrugëve diplomatike?!
Mbase kjo është më e nevojshme, sidomos për një shoqëri të sëmurë e cila e ka humbur aftësinë per të gjykuar, për të përceptuar, për të reaguar.
Është e pa falshme për partitë e opozitës, që nesër të shikojmë një parlament të prodhuar nga disa njerëz pa perspekivë, që nuk shohin si prioritare ecurinë e Shqipërisë në rrugën europiane, por shohin vetëm intetesat përsonale, familjare dhe të nje grupi të vogël.
Atëhere, çfarë do të bëjnë partitë e fragmentarizuara?!
Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu