Opozita pas zgjedhjeve/ 3 ide nga Alimehmeti për organizimin e PD-së

0

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti ka dhënë tre idetë e tij se çfarë duhet të bëjë opozita dhe konkretisht Partia Demokratike, pas zgjedhjeve vendore të 14 majit.

I ftuar në “Kafe Shqeto” në Syri Tv, Alimehmeti tha se së pari partia ka nevojë për bashkim i të gjithë grupimit të demokratëve dhe aleatëve të PD-së.

“E para: kërkohet një bashkim! Pse? Sepse kemi një emërues të përbashkët, jemi të gjithë opozitarë dhe të gjithë mbrojmë vlerat demokratike, vlerat e familjes, vlerat e pronës, vlerat e fesë, vlerat e votës së lirë dhe të fjalës së lirë. Kështu që pari  pa diskutim, një bashkim i të gjithë asaj qenieje të madhe demokratike, që është grupimi i njerëzve të Partisë Demokratike dhe të aleatëve të saj që kanë të njëjtat vlera. Kjo është për mua pika kryesore”, tha Alimehmeti.

Së dyti Alimehmeti vlerësoi se është e domosdoshme një hapje e Partisë Demokratike, sepse demokracia theksoi ai, nuk është imponim vendimesh, por është përfshirje e njerëzve në vendimmarrje.

“E dyta, patjetër është hapja e partisë. Pse e them këtë?! Sepse demokracia ka të bëjë me përfshirjen e njerëzve në vendim-marrje. Pra, në qoftë se ne marrim vetëm vendime dhe ua imponojmë të tjerëve, elektorati është mjaftueshëm i mençur sa të thotë “OK, këto janë vendimet e tua – jo detyrimisht ne jemi dakord me këtë”. Kështu që duhet të përfshihen. Është pak a shumë ajo që ju patë të ndodhte gjatë Foltores. Kjo u bë gjatë Foltores. U thirrën njerëzit dhe u bë një vendim-marrje me përfshirje të tyre dhe strukturat e tjera u ndërtuan të gjitha me votë. Kjo është ajo që është hapje”, shtoi ai.

Së fundmi, Alimehmeti e vendosi theksin te të rinjtë dhe mekanizmat që PD duhet të garantojë për ta. Alimehmeti tha se duhet të ofrohet një vatër sa më e ngrohtë për të rinjtë të cilët mund të afrohen në PD dhe të shprehim mendimet dhe idetë e tyre.

“Në fund fare: duhet të bëjmë mekanizma për garantimin e të rinjve (kur themi të rinj, të rinj qoftë në moshë, qoftë në karrierë politike), për mekanizma garancie dhe mekanizma mbështetjeje për të rinjtë që të hyjnë dhe të gjejnë një vatër të ngrohtë pranë Partisë Demokratike ku të japin idetë e tyre, mbështetjen e tyre dhe kontributin e tyre. Ka shumë të tillë, por thjesht ata janë duke pritur çfarë mekanizmash do të ngremë ne për t’i ftuar ata. Këto unë ua them me bindje të plotë, duke qenë vetë unë një nga këta të rinj që i jam afruar aktivisht Partisë Demokratike, pavarësisht  simpatizimit për të në dekada, por nevojiten mekanizma që në të arrijmë grupe dhe ide brilante e të reja brenda Partisë Demokratike. Vetëm me ide të këtilla, vetëm me njerëz dhe shpatulla të tilla ne kemi hapësirë që të përmirësohemi dhe atë përqindje që kemi pasur diku 38-40%, ta kapërcejmë 50%-shin e të shkojmë në fuqi në zgjedhjet e ardhshme”, nënvizoi Alimehmeti.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu